Hahn: BE do të financojë projektet multilaterale

Hahn

Intervistë ekskluzive me Johannes Hahn, komisioner i BE për Politikën e Fqinjësisë e Negociatat për Zgjerimin mbi perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor e gatishmërinë për financimin e projekteve të EJL.

Deutsche Welle: Zoti Hahn, sa kontribuojnë vërtet këto konferenca për bashkëpunimin rajonal për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian?

Johannes Hahn: Besoj se çdo formë e bashkëpunimit rajonal ndihmon në afrimin e njerëzve dhe për bashkimin e gjërave që përshtaten mes vete. Në këtë kontekst, unë përshëndes rezultatet e takimit në Prishtinë, për bashkëpunimin rajonal. Në përgjithësi, ne jemi dakorduar se në ç’drejtim duhet të shkojnë rrjetet e trafikut ndërballkanik.

DW: Sa ndikojnë tendosjet politike në realizimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin ekonomik dhe për zhvillim të këtij rajoni, sepse është e ditur se mes vendeve të rajonit ballkanik ka ende tendosje serioze?

Johannes Hahn: Besoj se aktivitetet multilaterale janë shumë të përshtatshme për tejkalimin e problemeve bilaterale. Secili duhet të japë kontributin e tij për funksionimin e këtyre marrëveshjeve, sepse askush nuk mund të mbetet anash dhe të shikojë. Ndaj presioni social për arrijen e rezultateve konkrete është më i madh nëse në një vend mblidhen përfaqësuesit e gjashtë vendeve, se sa kur zgjidhje kërkojnë vetëm dy vende.

DW: Problemi më i madh për marrëveshjet në këto konferenca është financimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar se janë në gjendje të arrijnë marrëveshje, por nuk janë në gjendje t’i realizojnë ato, sepse nuk kanë mjete financiare. A është BE-ja vërtet e gatshme të financojë këto projekte, apo janë këto vetëm premtime të kota, sepse ky rajon ka pasur disa herë probleme me premtime të cilat nuk janë realizuar?

Johannes Hahn: Të them të drejtën, unë kam qenë pesë vite komisioner rajonal në Evropë, i ngarkuar me përdorimin e fondeve strukturore dhe pikërisht në këtë rajon kemi pasur probleme me përdorimin e parave të vëna në dispozicion. Kjo sepse kualiteti i projekteve nuk ka qenë prezent, sepse ato nuk kanë plotësuar standardet evropiane. Ne do të vëmë në dispozicion për këto projekte të transportit në një vlerë deri në një miliardë euro, në vitet e ardhshme. Këto mjete do të mundësojnë edhe kreditë përkatëse për realizimin e projekteve. Por unë shoh një problem më të madh në përgatitjen e projekteve se sa në realizimin e tyre. T’ju them të drejtën unë më me dëshirë kaloj një urë kur ajo të jetë ndërtuar dhe kur një projekt është i gatshëm. Por përvoja ime më tregon se problemi më i madh është përgatitja e projekteve.

DW: Zoti Hahn, konferenca rajonale për Ballkanin Perëndimor është mbajtur për herë të parë në Kosovë, ndërkohë që raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe më tej janë shumë të tendosura. Si i vlerësoni ju sot këto raporte dhe sa do të pengojnë tendosjet mes Prishtinës dhe Beogradit realizimin e këtyre projekteve?

Johannes Hahn: Do të thosha se vet ëfakti që kjo konferencë ka mundur të mbahet në Kosovë, dhe fakti që Serbia ka propozuar në konferencën e mbajtur herën e fundit në Beograd, që konferenca e radhës të mbahet në Kosovë, tregon se çfarë potenciali fshihet në këtë bashkëpunim multilateral. Kjo tregon se çfarë mund të jenë edhe sukseset në këtë drejtim. (dw)

 

Në Prishtinë u mbajt konferenca ‘WestBalkan 6′

b6

Konferenca “West Balkan 6”, në Prishtinë zhvillohet pas konferencës së Berlinit. Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, premtoi investime deri në 180 milion euro.

Në Prishtinë u mblodhën më ( 25.03 ) ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimorë në konferencën “Western Balkans 6”, për të diskutuar zhvillimin e infrastrukturës së përbashkët rrugore dhe hekurudhore në rajon.

Kjo konferencë zhvillohet pas konferencës së Berlinit, që ishte organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në takimin e “Western Balkans 6”, që për herë të parë po mbahet në Prishtinë po merr pjesë edhe Komisioneri i Bashkimit Evropan për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daciq.

Për Ivica Daciq, kjo është hera e parë që po merr pjesë në një konferencë në Prishtinë të organizuar nga institucionet e Kosovës. Nikoqiri i takimit “Western Ballkan 6”, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Hashim Thaci, tha se Kosova është bërë tashmë një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon, duke nënvizuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bisedimeve dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë fqinje.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaci, tha se e kishte për nder që të priste në Prishitnë ministrat e vendeve të rajonit, duke e vlerësuar edhe vizitën e ministrit serb të punëve të jashtme Ivica Dacic, vizitë kjo që sipas tij, i kontribuon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Për mua sot ka qenë kënaqësi e veçantë, por është nder edhe për Kosovën, që kemi pritur edhe ministrat e të gjitha rajoneve, por edhe pjesëmarrjen e Daçiqit në Republikën e Kosovës. Ne kemi kaluar kohë të gjatë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Edhe pjesëmarrja sot e Daçiqit është një shtesë për implementimin e marrëveshjeve dhe është një mesazh shtesë për stabilizimin e marrëdhënieve tona”, tha Hashim Thaçi në një konferencë të përbashkët për media me komisionerin Johannes Hahn.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, theksoi rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës që do të lidhte vendet e rajonit, ku mosmarrëveshjet sipas tij, ishin produkt i mosnjohjes dhe se rrugët e hekurudhat do të ndihmojnë të hiqen paragjykimet dhe të punohet bashkërisht për të mirën e popujve të rajonin.

“Kosova kërkon që të përmbyllë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ( MSA ) këtë vit dhe njëherësh të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave”, tha ministri Thaci.

Një vëmendje e shtuar në këtë koferencë ju kushtua fjalimit të Komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn. Ai tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor.

Johannes Hahn, shprehu gatishmërinë e BE-së për të investuar në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, që do të afrojë vendet e popujt e rajonit dhe këta bashkë me Bashkimin Europian. Hahn përmendi projekte konkrete dhe investime deri në 180 milion euro dhe këto të holla sipas tij, do të jepen atëherë kur vendet e Ballkanit do të ofrojnë projektet e tyre.

“Duhet ta shohim edhe përkushtimin e juaj. Duke krijuar mekanizma kredibilë të financimit. Ta keni hapësirën fiskale për financimin e këtyre projekteve që të zbatohen me kohë dhe të angazhohemi me ju që të implementojmë këto projekte. Agjenda e këtyre aktiviteteve është ngushtë e lidhur me programet qeverisëse ekonomike”, tha Johannes Hahn.

Johannes Hahn tha se mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje sipas tij, duhet t’i heqin këto barriera për të rritur bashkëpunimin.

“Pajtimi dhe dakordimi në këtë qasje dhe metodologji do të dërgojë një sinjal të qartë për ju, qytetarët e juaj, bizneset e juaja dhe për investitorët e mundshëm potencial nëse jeni të vendosur për të rritur ekonominë në Ballkanin Perëndimor duke punuar bashkërisht në një interes të përbashkët strategji kredibile sektoriale dhe projektet e rilindjes të vetme janë të rëndësishme për ne dhe gjithashtu edhe për investitorët e tjerë”, tha Johannes Hahn.

Në konferencën “West Balkan 6”, përveç përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, po marrin pjesë ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina.

Në konferencë nuk kishte simbole shtetërore dhe për këtë u përdor formati “Gymnich”. (dw)

BE: 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor

b6

Gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë diskutuan në Prishtinë projektet ekonomike në rajon dhe veçanërisht investimet në infrastrukturë

Komisionari i Bashkimit Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha të mekurën në Prishtinë se Bashkimi Evropian ka zotuar një miliardë euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturën e rajonit. Ai i bëri këto komente në konferencën ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Prishtinë, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Komisionari Hahn tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor. Ai tha se mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje duhet t’i heqin pengesat për të rritur bashkëpunimin. Përveç lidhjeve rrugore e hekurudhore, Ballkani Perëndimor duhet të krijojë edhe politika ndërlidhëse, tha komisionari Hahn, duke nënvizuar se zhvillimi i politikave të përbashkëta në fushën e transportit dhe energjetikës nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikojë që ato të marrin edhe mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.

Po flasim për një miliardë euro nga programi i para anëtarësimit”, tha zoti Hahn, duke nënvizuar ndërkaq se për të përfituar nga këto fonde, vendet e rajonit duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane. Ai tha se nëpërmjet projekteve të tilla do të sigurohet afrimi i njerëzve, zhvillimi ekonomik dhe çka është me e rëndësishmja të sigurohen vende pune.

Bashkimi Evropian nuk është vetëm në anën tuaj, por është i përkushtuar për këtë lloj investimesh sepse e lidhin Ballkanin perëndimor me Evropën dhe është edhe ndihmesa e parë dhe shumë e rëndësishme për ardhmërinë e mëtejme evropiane dhe anëtarësimin në familjen e Bashkimit Evropian”, tha ai, duke paralajmëruar një takim tjetër të përfaqësuesve të rajonit para datës 21 prill, kur në Bruksel do të mbahet takimi i kryeministrave ku edhe pritet të nënshkruhet një marrëveshje nga e cila do të përfitojnë projektet ndërshtetërore që lidhin qytete e porte në rajon.

Ndërsa, mikpritësi i konferencës, zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm, tha se Kosova është bërë tashmë një faktor bashkëpunimi e qëndrueshmërie në rajon. Ai tha se vet prania e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç në konferencë, dëshmon për përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.

Ne kemi kaluar një kohë të gjatë së bashku duke bashkëpunuar në Bruksel për arritjen e marrëveshjes së paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Mendoj se është pjesëmarrja e sotme edhe e zotit Daçiç, është një kontribut shtesë për implementimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që kemi arritur. Gjithashtu është një zotim i ri për Kosovën dhe Serbinë evropiane dhe gjithë rajonin evropian”, tha zoti Thaçi

Ndërsa, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se çështjet historike dhe problemet nga e kaluara, nuk do të duhej të pengonin zhvillimin e projekteve për të ardhmen, siç janë ato që u diskutuan në konferencën e së mërkurës në Prishtinë. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për ndërtimin e autostradës që lidhë Prishtinën më qytetin e Nishit në jug të Serbisë dhe shpresojnë që ndërtimi i saj të financohet nga Bashkimi Evropian.

Takim i së mërkurës pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, edhe nëpërmjet zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij. (voa)

Angelina Jolie flet hapur për operacionin parandalues

AJ

Aktorja dhe regjisorja e njohur Angelina Jolie bëri të ditur se ka hequr vezoret dhe tubat e vezoreve për të pakësuar rrezikun e kancerit. Jolie hapi përsëri debat me vendimin e saj, ashtu si para dy vitesh kur iu nënshtrua mastektomisë së dyfishtë.

Në një opinion në gazetën The New York Times dje, 39 vjeçarja Jolie tha se ajo ka një prirje gjenetike me rrezikshmëri prej 87 për qind për t’u prekur nga kanceri i gjirit dhe 50 për qind nga ai i vezoreve. Edhe nëna, edhe gjyshja e saj kanë vdekur nga kanceri.

Jolie tha se e bëri të njohur publikisht vendimin e saj në mënyrë që gratë të mësonin për alternativat që kanë në dispozicion.

Diskutimi i hapur nga ana e saj u vlerësua nga specialistët e kancerit për rritjen e ndërgjegjësimit për analizat gjenetike dhe operacionet parandaluese për të ulur rrezikshmërinë e kancerit të gjirit dhe vezoreve.

“Dhe arsyeja që kjo është e rëndësishme është se kanceri i vezoreve është shumë i vështirë për t’u dalluar që herët. Shumë shpesh ne e zbulojmë kur janë fazat e avancuara të sëmundjes dhe gruas do t’i duhet t’i nënshtrohet kemioterapisë. Përveç kësaj mbetet frika e rikthimit të sëmundjes dhe vdekjes nga kanceri i gjirit”.

Jolie, që është martuar me aktorin Brad Pitt, iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë para dy vjetësh.

Vetëm një përqindje e vogël grash trashëgojnë të njëjtin gen defektoz. Këto mutacione gjenden më shumë tek gratë me origjinë nga hebrejtë e Evropës Lindore, megjithëse grupe të tjera përfshirë norvegjezët, hollandezët dhe islandezët janë disi më të prirur ta kenë këtë mutacion. (voa)

Dollari: Monedhë apo kartmonedhë?

Ndërsa borxhi kombëtar në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet, Kongresi amerikan zhvillon vazhdimisht debat lidhur me mënyrat për të kursyer para.

Grupi lobist “The Dollar Coin Alliance”, thotë se miliarda dollarë mund të kursehen, nëse do të përdoreshin monedha metalike në vend të atyre prej letre. Paratë prej metali ekzistojnë prej një kohe të gjatë, por shumë njerëz nuk i përdorin.  Qeveria amerikane është përpjekur që ato të përdoren përsëri gjatë viteve të fundit, por më pas e pezulloi thuajse fare prodhimin e tyre në vitin 2011. Në vazhdim do t’ju njohim me përpjekjet për rigjallërimin e dollarit prej metali:

Amerikanët pëlqejnë dollarin prej letre. Por Jim Kolbe, bashkëkryetar i Aleancës së Dollarit Metalik, mendon se ia vlen të kalohet tek përdorimi i parave metalike.

“Prodhimi i monedhës metalike kushton më tepër rreth 17 centë, kundrejt 5 dhe 6 centë që kushton prodhimi i dollarit prej letre. Megjithatë, paratë metalike zgjasin 35 vjet dhe ato përbëhen kryesisht prej metali të riciklueshëm, ndërsa monedhat prej letre duhen prodhuar prej materiali të ri dhe ne azgjësojmë 3 miliardë monedha letre në vit, sepse ato prishen.”

Për vite me radhë, ish-kongresmeni është përpjekur të nxisë miratimin e një ligji, i cili do të mbështeste dollarin metalik, duke e nxjerrë jashtë përdorimit atë prej letre, një hap që ka hasur në rezistencën si të politikanëve, edhe të publikut. Por sot, thotë ai, klima ka ndryshuar dhe një anketë e kohëve të fundit tregon se 61 për qind të amerikanëve u pëlqen kjo ide.

“Kur ata të mësojnë për kursimet që mund të bëhen, do ta mbështesin idenë e zëvendësimit të parave metalike me ato prej letre.”

Zoti Kolbe përmend studimin e Zyrës Qeveritare të Përgjegjësisë, GAO, që heton se si i shpenzon qeveria paratë e taksapaguesve. GAO vlerëson se taksapaguesit do të kursesin më tepër se 4 miliardë dollarë brenda 30 vjetëve dhe se kjo shifër mund të jetë shumë e lartë. Kjo gjë duket tërheqëse për taksapaguesen Christy Thompson.

“Do të thoja, po, ndoshta duhet ta bëjmë këtë gjë.”

Por shumë të tjerë nuk janë të bindur për këtë. Kim Doering shpreh dyshim:

“Ato bëjnë zhurmë dhe rëndojnë në xhep.”

Edhe pronarja e një restoranti në Uashington Sue Fouladi, nuk e pëlqen idenë për të patur më tepër para metalike në arkë.

“Nëse nuk kam zgjedhje, do ta pranoj, por kjo nuk do të më pëlqente aspak”,thotë një pronar biznesi.

Problemi ndërlikohet më tej, ngaqë paratë metalike ngjyrë ari dhe argjendi janë thuajse në të njëjtën madhësi, sa edhe monedha 25 centësh. Robert Blecker, profesor i ekonomisë në Universitetin Amerikan në  Washington, thotë se dollarët metalikë duhet të jenë të ndryshëm.

“Paratë metalike mund të jenë të ndryshme përsa i përket trashësisë dhe diametrit. Në se mund prodhojmë një dollar metalik që të mos jetë shumë voluminoz, ndoshta amerikanëve kjo do t’u pëlqejë më shumë”.

Por kjo nuk e shqetëson studenten Emily Sturgill.

“Mua më duken të lehta për t’u përdorur. Nganjëherë ato zenë vend më mirë në xhep dhe nuk shqetësohesh se mund të bien nga xhepi, nëse nxjerr nga xhepi çelësat apo telefonin”.

Si zoti Kolbe edhe zoti Blecker, janë të një mendimi, se përdorimi në masë i parave metalike nuk do të ndodhë me lehtësi.

Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga monedhat prej letre, deri ato të hihen nga qarkullimi dhe të mos kemi më zgjedhje.”

Zoti Blecker mendon se publiku amerikan do të mësohej me përdorimin e dollarit metalik.

“Nëse do të mund të zgjidhja, mua nuk do të më pëlqente dollari metalik,”thotë Kim Doering.

“Unë them se mund të mësohesh,” thotë Christy Thompson, e cila mbështet idenë e monedhës.

Në  debot e qeverisë amerikane ka pirgje të tëra me monedha metalike, në vend që ato të jenë në xhepat e amerikanëve.  (voa)

BB: 32 milionë euro për mjekësinë shqiptare

BB

Banka Botërore financoi sot me 32.1 milionë euro hua projektin e Shqipërisë mbi përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Projekti parashikon rindërtimin fizik dhe rregullimin e infrastrukturës spitalore, ku edhe qeveria shqiptare pagoi 4 milionë euro si kosto vendore.

Projekti i Sistemit Shëndetësor pritet të përmirësojë administrimin e spitaleve publike, mënyrën e financimit dhe informacionit të tyre si dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Projekti përbën në vetvete një reformim të rrjetit spitalor, me ligje dhe administrim të ri. Ai shton të dhënat mjekësore dhe veprimin e mjekëve në terren për të ofruar shërbimet.

Banka Botërore dha këtë hua për 22 vjet dhe projekti do të kryhet për 6 vjet.

Ai synon të përmirësojë vëzhgimin e e cilësisë së shërbimit shëndetësor, duke ngritur një sistem të plotë të informacionit dhe mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.

Ky projekt i ri mbështet iniciativat për të reformuar financimin shëndetësor në përgjithësi, për të përmirësuar sistemin e blerjes dhe shpërndarjes së ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, si dhe për të zgjeruar sigurimin shëndetësor universal.

Investimet themelore po kryhen me kredinë 17 milione euro nga Banka e Këshillit të Europës për kirurgjinë dhe sëmundjet e brendshme, kredinë 5 milionë euro nga Italia për pajisje të reja mjekësore; kredinë 14 milionë euro nga Austria për shëndetësinë elektronike, si dhe 2 milionë euro të tjera po nga Viena për programin e radioterapisë.

Buxheti i Shëndetësisë është sa 2.8% e PBB-së. Ky është viti i parë që buxheti i shëndetësisë kalon mbi 400 milionë dollarë, ndërsa sigurimet shëndetësore u rritën me 6%.

Këtë vit po zbatohet edhe Programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë Pa Pagesë. (voa)

Dita Botërore e Tuberkulozit

Tub

Ndërsa vendet e botës shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit, më 24 mars, Organzata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, po nxjerr një strategji të re për t’i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit. OBSH po bën thirrje për mbështetje në shkallë botërore për ta zhdukur këtë epidemi në 20 vitet e ardhshme:

Dy strategji të mëparshme i kanë hapur rrugën kësaj të fundit, që është plani më ambicioz. OBSH ka bindjen se strategjia e tanishme, e quajtur “End TB”, ka shanse të mira për të patur rezultat, për shkak të suksesit të straegjive “DOT TB” dhe “Stop TB”, që u paraqitën në fillim të shekullit.

Vitet e fundit, në luftën kundër tuberkulozit është arritur përparim i jashtëzakonshëm. Mes viteve 2000 dhe 2013, rreth 37 milionë jetë njerëzish janë shpëtuar përmes diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit. Por OBSH thotë se nevojitet të bëhet shumë më tepër për të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Drejtori i Programit Global të Tuberkulozit në OBSH, Mario Raviglione, thotë se strategjia më e fundit, “End TB” përfaqëson një mundësi historike për zhdukjen e epidemisë, që ka ka qenë shkak i vdekjeve, sëmundjeve dhe vuajtjeve gjatë mijëra viteve:

 “Le të kujtojmë që tuberkulozi preku 9 milionë njerëz në vitin 2013, shkaktoi vdekjen e 1,5 milionë njerëzve, përfshirë 360,000 njerëz të prekur nga virusi HIV; po ashtu, në të njëjtin vit, pati gjysëm milioni raste të tjera të personave të prekur me HIV, që kishin rezistencë ndaj ilaçave, natyrisht, duke shkaktuar alarm dhe shqetësim kudo në botë, ngaqë këto janë raste të vështira për t’u trajtuar dhe mundësia e vdekjeve është shumë e madhe.”

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse përmes rrugëve të frymëmarrjes. Është sëmundja e dytë më vdekjeprurëse nga një agjent i vetëm inefktimi, pas virusit HIV. Mbi 95 për qind e rasteve dhe vdekjeve nga tuberkulozi ndodhin në vendet në zhvillim.

Tuberkulozi është i kurueshëm dhe i parandalueshëm dhe OBSH po bazohet tek ky fakt për ti dhënë shtytje srategjisë së vet ambicioze, që kërkon pakësimin e vdekjeve nga tuberkulozit me 95 për qind dhe pakësimin me 90 për qind të rasteve të prekjes nga sëmundja deri në vitin 2035.

Një moment historik i rëndësishëm për t’u arrirë në 5 vitet e ardhshme është eliminimi i kostos katastrofike për pacientët me tuberkuloz dhe familjet e tyre. Tuberkulozi mund t’i çojë familjet në falimentin, për shkak të kostos së drejtpërdrejtë mjekësore dhe harxhimit të të ardhurave, që lidhen me periudhën 6-mujore të trajtimit.

OBSH thotë se kosto dhe humbja e të ardhurave mund të kompensohet përmes krijimit të skemave të ndryshme financiare, përfshirë mbulimin me sigurim shëndetësor universal.

Kjo strategji kërkon politika të guximshme, që qeveritë të mbështesin programet për tuberkulozin dhe të theksojnë nevojën për mjete të reja, për intensifikimin e kërkimeve shkencore.

Dr. Raviglione i tha Zërit të Amerikës se ka përparim në këtë drejtim, në kushtet kur po dalin mjete të reja diagnostikimi dhe ilaçe të reja:

 “Na nevojiten mjete më të shpejta kërkimore dhe analiza që bazohen tek ndjeshmëria gjenetike. Këtu po i zhvillojmë kërkimet…diçka që mund të realizohet në mënyrë të thjeshtë në vendin më të largët, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nuk jemi larg të realizimit të kësaj teknologjie.”

OBSH njofton se ritmi i gjetjes së një kure globale për formën e tuberkulozit që është rezistent ndaj ilaçeve është 48 për qind, krahasuar me shifrën 86 për qind të kurimit të tuberkulozit normal.

Dr. Raviglione thotë se janë miratuar dy ilaçe të reja, që ka mundësi ta shtojnë mundësinë e kurimit për të dyja rastet, të tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve dhe atij me spektër të gjerë. Por, ai thekson se ende duhen bërë përpjekje që këto ilaçe të kenë mundësi t’i përdorin njerëzit që kanë nevojë. (voa)

Kosovë: Konferenca “Ballkani perëndimor”

w6

Gjashtë vende të Ballkanit perëndimorë po diskutojnë në Prishtinë projektet ekonomike në rajon dhe veçanërisht investimet në infrastrukturë.

Të mërkurën Kosova është mikpritëse e konferencës ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projektet ekonomike në rajon, veçanërisht investimet në infrastrukturë.

Takim i së mërkurës pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Komisionari i Bashkimit Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johanes Han, po merr pjesë në konferencë, ku të pranishëm janë edhe ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Ai që njihet tashmë si “Procesi i Berlinit”, filloi me konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në Berlin më 28 gusht të vitit 2014. Ky proces është cilësuar si formë e mbajtjes së ritmit integrues të Ballkanit.

Në konferencën e Berlinit i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, përmes edhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij. (voa)

Mbledhjet midis dy qeverive janë të mirëpritura por bashkëpunimi duhet forcuar më shumë e më shpejt

Lëvizja VETËVENDOSJE! sheh si praktikë pozitive takimin e dytë të përbashkët të Qeverive të Shqipërisë e të Kosovës, të mbajtur më datë 23 mars 2015 në Tiranë. Ndërkohë që përgëzon dy qeveritë për mbledhjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj komunikate shtron vërejtjet dhe sugjerimet e veta, duke dashur të kontribuojë në përmirësimin e kësaj praktike të domosdoshme, siç është mbledhja e përbashkët e qeverive.

Së pari, mendojmë se është me vlerë që marrëveshjet dhe memorandumet të cilat nënshkruhen në këto mbledhje, të diskutohen më parë, në rastet kur është e mundur, edhe me shoqërinë civile, median, dhe subjektet opozitare. Kjo do të krijonte mundësinë e përmirësimit të këtyre marrëveshjeve, si dhe do të rriste nivelin e informacionit të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës përmbi to.

Së dyti, mendojmë se në praktikën e bashkëpunimit të ndërsjelltë tashmë të nisur nga ekzekutivi, duhet përfshirë sa më shpejt edhe legjislativi. Mendojmë se komisione të caktuara të dy parlamenteve do të duhet të takoheshin edhe më shpesh në mbledhje të përbashkëta, sidomos ato komisione që e kanë punën drejtpërsëdrejti të lidhur me sektorët për të cilët po merren vesh qeveritë. Bashkëpunimi në nivelin e legjislativit do të bënte të mundur përafrimin e kuadrit ligjor, si dhe ngushtimin e bashkëpunimit apo të bashkimit në sektorë të ndryshëm. Mendojmë po ashtu se, për çështje të caktuara, do të ishte mirë të mblidheshin në seancë të përbashkët edhe Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës, si organet sovrane të dy republikave.

Së treti, mendojmë se mbledhjet e dy qeverive do të duhet të themelojnë institucione të përbashkëta, ose të njësojnë institucione ekzistente, të cilat do të punonin si unike gjatë gjithë kohës, e jo vetëm në periudhat e mbledhjeve apo ceremonive. Këto institucione të përbashkëta do të mund të ishin Institute, Agjensi, Ente, Drejtori ministrore, dhe në afatmesëm, do të duhet të mendonim edhe për ministri të përbashkëta në sektorë të caktuar, sidomos sa i përket politikës së jashtme, politikës së mbrojtjes dhe sigurisë, e disa sektorëve me rëndësi ekonomike, siç janë politikat fiskale e ato monetare.

Duhet të punohet urgjentisht në arritjen e standardizimit të produkteve të tregtueshme në Shqipëri e Kosovë, si dhe të njësimit të autoritetit që lëshon licencat prodhuese edhe tregtare. Politikat e standardizimit do të duhej të mbronin konsumatorët në shoqëritë tona, si dhe të synonin ruajtjen e prodhimit vendor prej konkurimit të padrejtë nga prodhime jocilësore të importuara.

Duhet të përcaktohen ekskluzivitete tregtare të ndërsjellta për Shqipërinë e Kosovën, si dhe duhet punuar për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për blerjen e prodhimeve vendore.

Duhet bërë një plan i përbashkët strategjik për zëvendësimin e importeve, subvencionimin dhe politikat doganore që e ndihmojnë këtë.

Duhet punuar për njësimin doganor drejt unifikimit, e jo thjesht për lehtësimin e procedurave në dogana.

Projektet infrastrukturore nuk duhet të jenë në mbështetje të njëra-tjetrës, por duhet të jenë projekte të përbashkëta. Ndër këto projekte, më i rëndësishmi do të ishte një hekurudhë që lidh Prishtinën me Tiranën.

Përkushtimi ynë për të arritur Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk duhet ngatërruar me përkushtimin për t’u integruar në Evropë. Ne besojmë se këto janë të dyja të mundshme, dhe duhet të punojmë për të dyja, por Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, qoftë para, qoftë pas integrimit në BE, mund të realizohet me referendum demokratik dhe me njësim institucional e shtetëror paqësor. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të përmirësonte situatën tonë si popull e si komb, në ekonomi, në demokraci, në siguri e në kulturë, do të përmirësonte situatën e komuniteteve të gjera shqiptare në Ballkan, do të na bënte më dinjitozë në sytë e fqinjëve dhe të vendeve perëndimore, dhe do të përshpejtonte zhvillimin tonë. Për këtë arsye, Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një synim i denjë, që meriton të artikulohet si i tillë pa asnjë kompleks.

24 mars 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Zaev: Monstra, Mlladenov, A1 dhe çështja e emrit do të detyrojnë dorëheqjen e Qeverisë

ZaevLideri i LSDM-së Zoran Zaev, në një intervistë dhënë për radion Dojçe Vele, theksoi se rastet e Monstrës, Nikolla Mlladenovit, televizionit A1 dhe çështjes së emrit, që do të publikohen nga opozita, do të jenë pikë kthese që do të detyrojnë dorëheqjen e Qeverisë.

 

Sipas Zaevit, pavarësisht se Gruevski dëshiron të demonstrojë qëndrueshmëri dhe normalitet, pas publikimit të një pjese më të madhe të mbi 90 bombave të përgatitura, presioni ndaj Gruevskit do të jetë tepër i madh që ky i fundit të mbijetojë.

“Nëse për shembull ka 90 tema, pako për publikim, pjesa më e madhe e tyre janë mjaftueshëm të ndjeshme që të jenë moment kthese. Qytetarët do të marrin vesh deri ku ka arritur Gruevski në tregtinë për emrin e shtetit, çfarë ka ndodhur me Martin Neshkovski, për krimet financiare, çfarë ka ndodhur me televizionin A1 dhe raste të tjera si “Monstra”, Nikolla Mlladenov. Për shkak se Zaevi dhe LSDM-ja i posedojnë këto dëshmi, nuk e kemi ndërmend të prognozojmë se deri kur mund të durojë kështu Gruevski, por e dimë se koha e tij ka mbaruar. Gruevski i përket së kaluarës. Qeveri kalimtare patjetër të ketë, dhe zgjedhjet patjetër të ndodhin. Kjo është e pashmangshme”, tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Ai theksoi gjithashtu se nëse Gruevski nuk ikën vetë, atë do ta detyrojë populli, me protesta masive.

“Të gjitha anketat dhe analizat që i bëjmë tregojnë se revolta është shndërruar në zemërim. Zemërimi rritet. Çdo moment lumenj njerëzish mund të rrjedhin rrugëve. Ne do të mundohemi maksimalisht që ti kontrollojmë gjërat. As unë, as cilido në LSDM dëshiron skenar të tillë, por gjithçka mund të ndodh. Për këtë shkak shpresoj se më herët do të vjen dorëheqja e Gruevski, se sa dita kur nuk do të mund ta kontrollojmë zemërimin e masës”, u shpreh Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Zaev pret që edhe faktori ndërkombëtar, pasi ti dëgjojë bombat më serioze, të kyçet seriozisht në proces dhe të adresojë vërejtje të hapura për qeverisjen e Gruevskit. Benjamin Arifi