Marin Mema: Gjendja e Ohrit, faji i partive politike shqitpare!

Gazetari i Top Channel, Marin Mema, i njohur për ciklin e tij të emisioneve “Shqipëria Tjetër” dhe “Exclusive” ku me guxim të jashtëzakonshëm gjurmon dhe sjell në ekran shqiptarë dhe troje shqiptare të ngelura jashtë kufijve. Ai bëri bujë në Maqedoni pas dokumentarit në fshatrat e Rekës së Epërme, banorë shqiptarë ortodoks që prej rrethanave politike u asimiluan dhe kishin frikë të tregojnë se janë shqiptarë.

Edicioni i fundit të titulluar “Të (mos) jesh shqiptar”, që u transmetua të dielën, fliste për Ohrin shqiptar, për qytetin e lashtë ilir, që deri para 100 viteve banohej 80% me shqiptarë e që ot fatkeqësisht kanë ngelur më pak se 6%.

Mema me kamerë të fshehtë kishte xhiruar biseda me banorë ortodoks që flisnin shqipen e që thonin se janë maqedonas, ashtu si myslimanë që në shqip thonin se janë turq.

“Në Ohër është më lehtë të jesh maqedonas dhe turk sesa shqiptar”-thotë gazetari Mema. Madje ai jep edhe të dhëna shqetësuese ku nga 300 të punësuar në Komunën e Ohrit, vetëm tre janë shqiptarë.

Marin Mema akuzon partitë dhe politikanët shqiptarë për këtë fenomen.

“Është koha që “patriotët” e partive politike shqiptare në Maqedoni të shohin veten në pasqyrën e realitetit që vetë e kanë prodhuar në qytetin e Ohrit. Tëshohin se si humbi  një qytet me mëse 80% shqiptarë dhe sesi vazhdon edhe sot të manipulohet historia e tij. S’ka doreza, veç të vërteta si kurrë më parë. E pas tyre le të “përdridhen” sërish këta politikanë në FB për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”- shprehet Marin Mema, transmeton Portali Vatra.

Sipas Memës fajtorë kryesorë për këtë gjendje të shqiptarëve të Ohrit janë partia shqiptare në pushtet, por edhe të tjerat që kanë provuar kolltuqet qeveritare.

“Këto janë të vërtetat që nuk mund ti mohojë askush. As ata që flasin bosh për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, e as ata që zihen flokësh për një post në qeveri”- përfundon Marin mema në dokumentarin e tij për Ohrin Shqiptar./Vatra/

“Deutsche Bank” fiton garën për kreditimin e borxhit të Shqipërisë

“Deutsche Bank” do të financojë me 250 milion euro qeverinë shqiptare me dorëzaninë e Bankës Botërore.

Në ofertat e shqyrtuara nga Ministria e Financave prej datës 2 prill deri më 7 prill, banka gjermane ka dhënë ofertën më të mirë me një marzh interesi 1.3 përqind mbi “benchmark rate” dhe afat maturimi 10-vjeçar.

Kjo është hera e parë që Shqipëria del në tregjet financiare ndërkombëtare me garante Bankën Botërore. Kjo skemë, sipas Ministrisë së Financave, ul koston dhe kohën për marrjen e borxhit.

Por Shqipëria nuk është vendi i parë në rajon që del në tregjet ndërkombëtare përmes kësaj rruge. Dy vitet e fundit, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë bërë të njëjtën gjë. Më konkretisht, vitin e kaluar, qeveria malazeze mori 100 milionë euro borxh të garantuara nga Banka Botërore me interes 4 për qind.

Shuma prej 250 milionë eurosh, që qeveria do të marrë borxh nga privatët përmes këtij instrumenti, do të përdoret për financimin e defiçitit buxhetor. Por, veç 250 milionë eurove të garantuara nga Banka Botërore, qeverisë do t’i duhet këtë vit të rinovojë edhe 300 milionë eurot e tjera eurobond, të marra në vitin 2010. / Top Channel

Bashkimi i shqiptarëve është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm

Mbledhja shqiptare

Kryeministri shqiptar ka thënë se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm”.

“Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”.

“Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë”, ka thënë zoti Rama.

“Dhe nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra palidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mund vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”, ka thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Turqinë e pengon forcimi i Teheranit

erdogan

Presidenti i Turqisë Erdogan shkon për vizitë në Iran, të cilin e ka kritikuar shpesh. Ai pretendon që Turqia të bëhet superfuqi në rajon, ndaj i pengon forcimi i Teheranit.

“Kufiri mes Turqisë dhe Iranit është më i vjetri në botë. Ai ka mbetur i pandryshuar prej shumë shekujsh”, konstaton publicisti Ümit Kıvanç. Gati 500 km i gjatë është ky kufi. Është përcaktuar me marrëveshjen Kasr-e Shirin, para 375 vitesh. Asokohe kishte një konkurencë të fuqishme për sundim mes Safavidëve iranianë dhe Perandorisë Osmane. Një konkurrencë e cila është ringjallur sërish.

Irani po përpiqet të sundojë në gjithë rajonin, deklaroi së fundi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan: “Ata po përgatiten për këtë, por a mund të lejohet kjo? Kjo i shqetëson Arabinë Saudite dhe vendet e Gjirit. Kjo nuk mund të lejohet dhe Irani duhet ta kuptojë këtë.”

Kërkohet largimi nga Iraku, Jemeni dhe Siria

Erdogani e ka sulmuar disa herë kohët e fundit Iranin. Ai është i shqetësuar për politikën iraniane. “Irani duhet të ndryshojë qëndrimin. Duhet të tërheqë të gjitha forcat nga Jemeni, Siria dhe Iraku. Irani duhet të respektojë integritetin territorial të vendeve të tjera”, thotë ai.

Publicisti Kıvanç e kupton shqetësimin e presidentit të Turqisë. “Irani është shumë më efektiv në Siri dhe Irak sesa Turqia. Nëse vazhdohet kështu, atëherë Iraku së shpejti do të udhëhiqet tërësisht nga Irani. Turqia nuk mund të lejojnë diçka të tillë, ndaj është e shqetësuar.”

Irani po mbështet edhe presidentin sirian Bashar al-Assad. Ndërsa Turqia angazhohet për rrëzimin e tij. Teherani po ndihmon luftën kundër milicëve të “Shtetit Islamik”. Ankaraja është nën dyshimin e mbështetjes së ekstremistëve.

Konkurenca deri në Jemen

Tani dhe konflikti në Jemen. Irani është në anën e rebelëve Huthi, pohon Erdogani. “Ka shpërthyer konflikti mes shiitëve dhe sunitëve. Ne nuk duam konflikt fetar. Jemeni po shkon drejt përçarjes.” Teherani po shfrytëzon Huthi-t për të ushtruar presion edhe ndaj Arabisë Saudite. Erdogani mban anën e sauditëve. Për këtë shkak 65 deputetë të parlamentit iranian kanë kërkuar anulimin evizitës së tij në Teheran.

Zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalın, kërkon më shumë qetësi. Vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes Iranit dhe Turqisë është rreth 13 miliardë dollarë. Tendenca është në rritje. “Zbutja e sanksioneve me siguri që do të ndikojë në përmirësimin e këtyre raporteve. Të paktën shpresojmë”, thotë Kahn. Këtë e shpreson edhe Irani. Të dyja vendet kanë paralajmëruar së fundi dyfishimin e vëllimit të këmbimeve tregtare. Por kjo ishte para shpërthimit të konfliktit në Jemen. (dw)

A mund të kërkojë Greqia dëmshpërblim nga Gjermania?

naci

Greqia i përmendi me shifra kërkesat për dëmshpërblim, që ka ndaj Gjermanisë që prej Luftës II Botërore: 278,7 Milliarden Euro llogariti një komision parlamentar. Por cila janë shanset që Greqia t’i realizojë kërkesat?

Që prej ndërrimit të qeverisë në Greqi, janë thelluar mosmarrëveshjet mes Berlinit dhe Athinës dhe janë shtuar zërat të cilët kërkonjë dëmshpërblime nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për dy pika: kërkesat për reparacione për shkak të krimeve të Gjermanisë hitleriane në Greqi si dhe huaja e detyrueshme, të cilën Greqia ia dha në periudhën prej vitit 1942 – 1944. Shuma e saj: 476 milionë marka të atëhershme – vlera e tyre sot, nuk dihet. Sipas disa vlerësimeve, këto hua kanë sot vlerën e rreth 11 miliardëve euro (me përqindjet e interesit).

Për çfarë krimesh është fjala?

Në pranverë të vitit 1941 nisën bombardimet e ashpra gjermane në veri të Greqisë. Më pas trupat gjermane i pushtuan territoret greke dhe ishujt më të rëndësishëm. Vitet e ardhshme pasoi kryengritja partizane greke. Ndërkohë që forcat naziste u përgjigjën me vrasje barbare të civilëve dhe me masakra. Wehrmachti Gjerman shkatërroi gjatë luftës rreth 1700 fshatra greke.

Huaja e detyrueshme

Mes viteve 1942 – 1944, Banka Kombëtare greke emetoi dhe u dha nazistëve një hua në vlerë prej 476 miliona marka të Rajhut. Greqia ishte detyruar të paguante edhe rezervat e devizave, në formën e huasë. Gjermania deri tani nuk i ka kthyer këto para.

Për qeverinë e sotme gjermane, situata është e qartë: edhe kërkesat për huanë e detyrueshme janë pjesë e reparacioneve. Ndërkohë që kërkesa të tilla nuk mund të ketë më. Kjo me shpjegimin se Gjermania i ka paguar në masë të madhe kërkesat për reparacione. Sipas saj, të gjitha pretendimet e Greqisë janë shlyer ose kanë skaduar. Për shembull, në fillim të viteve 1960 Gjermania nënshkroi marrëveshje dëmshpërblimi me 12 vende të ndryshme perëndimore, për mbulimin e të padrejtësive specifike nga koha e nazizmit. Në këtë kontekst, Gjermania lidhi edhe me Greqinë një marrëveshje të posaçme. Dhe pagoi në llogari të Greqisë 115 milionë marka gjermane.

Më e vonta që me marrëveshjen 2+4 të vitit 1990, me të cilin rregullohet ribashkimi i Gjermanisë dhe sovraniteti i Gjermanisë, janë shuar kërkesat për reparacione.

Çështjet kryesore

Së pari duhet sqaruar karakteri i huasë greke: nëse ishte fjala për një hua të zakonshme apo për një faj lufte. Në rast të një kredie, ajo mund të kërkohet më lehtë që të kthehet. Në rast se kemi një faj lufte, shtrohet çështja nëse Greqia ka të drejtë të kërkojë reparacione, apo nëse ato janë shlyer. Nëse të gjitha këto nuk vlejnë duhet sqaruar edhe çështja nëse Greqia ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblime lufte nga Gjermania, 70 vjet më vonë.

Nëse bëhet fjala për një kredi të zakonshme, duhet të bëhet fjalë për një marrëveshje të vitit 1942 mes dy vendeve sovrane, që është kontestuese, thonë ekspertët gjermanë. Megjithatë pyetja vendimtare është nëse kërkesat greke janë shlyer me marrëveshjet e mëparshme dhe nëse ato mund të kërkohen pas një periudhe kaq të gjatë.

Marrëveshja mes Gjermanisë dhe Greqisë

Ajo është nënshkruar në mars të vitit 1960 dhe me këtë Gjermania qe e detyruar t’i paguante Greqisë 115 milionë marka gjermane. Kjo marrëveshje nuk nënkupton domosdoshmërisht që Greqia nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblime të tjera për huanë e detyruar. Në vetë titullin e marrëveshjes sugjerohet se këtu bëhej fjalë për dëmshpërblimin e qytetarëve për shkak të krimeve gjatë Luftës.

Marrëveshje 2+4, si deklaratë për heqje dorë nga kërkesat

Në vitin 1990, SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje 2+4 me Gjermaninë Federale dhe Gjermaninë Lindore. Titulli zyrtar i saj është: “Marrëveshja për rregullimin përfundimtar në lidhje me Gjermaninë”. Në këtë Marrëveshje paqeje thuhet qartë se Gjermania mund të shkëputet përfundimisht prej aleatëve dhe mund të ribashkohet dhe të jetë një shtet sovran si Republikë Federale. Në tekst nuk përmenden shprehimisht reparacionet dhe kërkesat e tjera. Por vullneti i palëve ishte që të përjashtojnë kërkesat për reparacione të tjera. Edhe Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe, në një vendim të vitit 2003, ka konstatuar se Marrëveshja përjashton kërkesat për reparacione.

Mbetet pyetja, çfarë do të thotë kjo për Greqinë si vend që nuk është partner në këtë Marrëveshje? Ajo nuk ishte nënshkruese e Marrëveshje 2+4. Por shtetet e OSBE-së kanë nënshkruar edhe Kartën e Parisit, e ndër këto vende ka qenë edhe Greqia. Qeveria gjermane argumenton se Greqia në këtë mënyrë ka rënë dakord me Marrëveshjen, që të mos ketë kërkesa të tjera për dëmshpërblime. Ndërsa të tjerët thonë se në këtë marrëveshje thuhet se palët “janë njoftuar” dhe nuk thuhet se “janë dakorduar” me këtë Marrëveshje. Ndërkohë që sipas tyre, në Marrëveshje nuk përmendet qartë se palët heqin dorë nga mundësia e kërkesave për reparacione. Ndaj Greqia me nënshkrimin e Kartës së Parisit nuk është dakorduar që të heqë dorë nga reparacionet.

Tek e fundit, mbetet detyrë e gjykatës të japë një shpegim. Por natyrisht, nëse Greqia këtë kërkesë e bën vërtet zyrtare. Kompetente në këtë rast do të ishte Gjykata Ndërkombëtare në Hagë. Këtu natyrisht duhet shpjeguar edhe fakti nëse Greqia i njeh negociatat dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së vitit 1990.

Kërkesat pas 70 vitesh

Është e mundur që Greqia të mos ketë të drejtë kërkese, edhe për shkak se prej Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar 70 vite. Argumentimi: Ai që nuk ka bërë kërkesë për kaq shumë kohë, e ka humbur edhe këtë të drejtë. Gjykata në Hagë ka refuzuar edhe kërkesa të një periudhe prej më pak se 20 vitesh. Por deri tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë për reparacione dhe dëmshpërblime në kohëzgjatje prej më shumë se 70 vitesh. Ekspertë gjermanë thonë se një vendim i tillë do të mund të hapte “Kutinë e Pandorës”, sepse do të ishte e mundur që dikush të kërkojë dëmshpërblime lufte edhe nga koha e Napoleonit apo dhe luftërat e Mesjetës. Megjithatë duhen pritur vendimet e organeve kompetente, sepse deri tani asnjëra palë nuk ka sjellë argumentet vendimtare për këtë proces. (dw)

Pa zbuluar “bombat” për shqiptarët, Zaev nuk mund të rrëzojë Qeverinë

shpetim

Jemi duke vërejtur se të ashtuquajturat bomba të Kryetarit të opozitës Z. Zaev, më tepër u ngjajnë fushqetave për zbavitje sesa bombave, të cilat munden ta përmbysin një sistem të kalbur. Sa është Zaevi    serioz në këtë veprimtari , ka një mundësi për ta dëshmuar. Zaevi duhet të publikojë çdo përgjim ku përfshihen edhe shqiptarët. Le të mos na nxjerrë do biseda të  shqiptarëve, ku ata tregohen më tepër parimor se bashkëpunëtorë.

“Kryetari  i opozitës maqedonase, në emër  të partisë së vet; Lidhjes Social-Demokrate t’u kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha të këqijat që Partia e tij u’a ka bërë shqiptarëve. Duhet t’u kërkojë falje për terrorin në  Ladorishtë. Të kërkojë falje për  vrasjen e pesë qytetarëve të pafajshëm shqiptarë në protestat e  Gostivar në vitin 1998, me rastin e flamurit dhe të burgosjes të Kryetarit të komunës Z.Rufi Osmani. T’u kërkojë falje shqiptarëve për gishtin e madh të ngritur të Cërvenkovskit, dhe për  pesë revolet  Kolt, dhuruatë për policët, për pesë të vrarët në ato protesta. Zaevi  t’u kërkojë falje shqiptarëve për  viktimat e Bit-Pazarit. Tu kërkojë falje për terrorin  dhe shtëpitë e mitraluara në lagjen e Çairit dhe të Bit-Pazarit. Përveç  dëshirës për t’a rrëzuar këtë Qeveri,  Zaevi nuk manifeston asnjë shenjë për ndryshim në politikën ndaj shqiptarëve. Zaevi nuk përmend asgjë që ka të bëjë me Kushtetutën, ku ne  jemi  vetëm një 20 përqindësh. Ai nuk publikon asgjë për manipulime me votën dhe zgjedhësit shqiptar. Ai nuk përmend asgjë  sa i takon Regjistrit Qendror zgjedhor.  Nuk përmend asgjë sa u takon pazareve në lidhje me Njësitë Zgjedhore.  Nuk përmend asgjë për kandidatët që duhet të dalin në Zgjedhje (është e ditur se listat e kandidatëve shqiptarë për  ministra dhe funksionarë, një herë duhej të kalojnë nëpër sitën e Shërbimeve sekret, me ndonjë përjashtim të vogël, që pastaj t’i prezantohen opinionit shqiptar).T’u kërkojë falje shqiptarëve për shovenizmin politik dhe ekonomik, të zbatuar kundër shqiptarëve , këto 25 vjetët e fundit.  Z.Zaev, i cili është prodhim i grazhdit të B. Cërvenkovskiit, nuk i përmend, më së pakti edhe disa  qinra raste që janë me interes për shqiptarët. Bombat e tij, të cilat më tepër u gjasojnë fushqetave zbavitëse nuk kanë për qëllim  ta ndërrojnë këtë lloj të qeverisjes, por, vetëm Pushtetin”, vlerëson Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë (SHPBSH).

Shqiptarëve u nevojitet ndryshimi i sistemit, i cili për këto 25 vjetë ka qenë antishqiptar dhe jodemokratik. Në rast se Z.Zaev do të kishte dashur t’i ndërrojë dukuritë negative sa u takon shqiptarëve, ai duhet  t’i nxjerrë në shesh të gjithë kriminalitetin e partive politike shqiptare, i cili nuk është i pakët. Në rast se ai edhe më tutje do t’i mbrojë partitë politike shqiptare, ai ne na dërgon një porosi shumë të qartë. Ai do të na bindë se, nga një politikë shqiptare servile, do të bëje një politikë superservile, duke i shantazhuar me materiale komprometues. Me mospublikimin e përgjimeve dhe për shqiptarët, ai, partitë politike shqiptare do t’i bëjë edhe më servile. Në rast se nuk i publikon materialet e përgjuar edhe për shqiptarët, edhe ai do ta vulosë veten si një individ dhe një parti që nuk ka ndër mend të bëjë Reforma rrënjësore në vend, por, vetëm ndërrim të pushtetit. (Shpetim Pollozhani)

Besimtarët katolikë kremtojnë festën e Pashkëve

Besimtarët katolikë kremtojnë këtë të diel Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera, që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, 3 ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Top Channel, me këtë rast uron të gjithë besimtarët katolikë në këtë ditë të shënuar. Pak minuta pas mesnatës, në kishat katolike të të gjithë vendit, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi, besimtarët katolikë shqiptarë kanë ndjekur meshën e shenjtë të Pashkëve.

Në Tiranë, gjatë mesnatës në Katedralen e Shën Palit, klerikët e lartë të Kishës Katolike, në praninë e qindra besimtarëve, mbajtën meshën tradicionale. Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita i uroi besimtarët për një prej festave më të rëndësishmeve në kalendarin e fesë katolike. / Top Channel

 

Partia kurde i merr Erdoganit vota

Erdogan

Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Turqi shtohen dyshimet për një fitore të bindshme të AKP-së. Forcimi i partisë kurde HDP mund ta dëmtojë atë.

Me gati 50 për qind të votave partia konservatore islame AKP, në pushtet që nga viti 2002, arriti para katër vjetësh rezultatin e saj më të mirë zgjedhor deri tani. Ajo ka sot, megjithë disa largime të disidentëve, 312 nga 550 vendet në parlamentin e Ankarasë. Para zgjedhjeve të 7 qershorit kërkesat janë edhe më të larta. Rexhep Tajip Erdogan, i cili edhe pas transferimit të tij në pallatin presidencial vitin e kaluar ka mbetur de facto kreu i AKP, kërkon publikisht 400 vende në parlament për projektin e tij të një sistemi presidencial. Me këtë shumicë dërrmuese AKP mund të realizonte pa vështirësi çdo ndryshim të kushtetutës, që i nevojitet Erdoganit për të forcuar postin e presidentit.

Sondazhet të paqarta

Megjithatë shumë sondazhe e konsiderojnë të paarritshëm për AKP numrin e 400 mandateve. Edhe sondazhet, që parashikojnë një përsëritje e fitores më të madhe të AKP të vitit 2011, arrijnë në përfundimin se në parlament nuk do të hyjnë më shumë se 375 deputetë. Gjithsesi kjo do të ishte e mjaftueshme për AKP, që të mund të ndryshojë e vetme kushtetutën.

Shumica e sondazheve presin një rezultat më të ulët të AKP-së dhe e vendosin partinë në pushtet diku ndërmjet 40-47 për qind. Edhe me një rezultat të tillë AKP do të mbetet forca më e madhe politike. Por për të qeverisur e vetme do të jetë vendimtare, nëse partia kurde HDP do ta kalojë pragun dhjetë për qind e të hyjë në parlament. Me HDP në parlament AKP sipas disa llogaritjeve mund të humbasë shumicën absolute të vendeve.

Partia kurde ndiqet me kujdes

Edhe vetë zëvendëskryeministri dhe veterani i AKP-së Bulent Arinç pranoi kohët e fundit se 11-12 për qind janë të mundshme për HDP. Rritja e popullaritetit të partisë kurde i dedikohet edhe njërit prej kryetarëve, Selahatin Demirtas, një politikani 41-vjeçar, i cili është një brez më i ri se Erdogan dhe udhëheqësit e tjerë turq. Demirtas bën gjithçka për të rritur potencialin elektoral të HDP përtej votuesve kurdë duke e paraqitur atë si një parti moderne të majtë.

Deri tani duket se kjo funksionon, thotë politologu Behlul Ozkan, nga universiteti i Marmarasë në Stamboll. “Edhe nga gjuha e tij Demirtas është krejtësisht ndryshe nga politikanët më të moshuar, ai ka arritur që të bëjë për vete edhe votues (jo-kurdë) në perëndim të Turqisë”, tha Ozkan në një intervistë me Deutsche Welle. Votuesit e pavendosur ose të pakënaqur me partitë laike dhe nacionaliste opozitare, CHP dhe MHP, si edhe me AKP, përbëjnë një potencial për Demirtasin.

Të çara në AKP

Rritja e popullaritetit për yllin politik Demirtas lidhet ngushtë me një tjetër faktor të rëndësishëm për zgjedhjet: “Vendimtare do të jetë, nëse votuesit janë mërzitur me Erdoganin, apo jo”, thotë gazetari Okay Gënensin, kolumnist në gazetën e përditshme “Vatan” për Deutsche Welle. Erdogani dominon politikën turke prej 13 vjetësh dhe dëshiron ta zgjerojë pushtetin e tij me futjen e postit presidencial. Çështja e sistemit presidencial është “motivi kryesor i zgjedhjeve”, thotë Gënensin.

Anketat japin informacione kontradiktore, nëse Erdogan mund t’i bëjë për vete votuesit me projektin e tij për president apo jo. E qartë është se pretendimi i Erdoganit për pushtet has madje edhe në rezistencën e qeverisë. Për kryeministrin Ahmet Davutoglu thuhet se promovon kundër dëshirës sistemin presidencial.

Polarizimi i shoqërisë

Për ta forcuar sa më shumë të jetë e mundur AKP-në, Erdogan, ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, vazhdon të bëjë një polarizim të fortë mes mbështetësve të qeverisë dhe kundërshtarëve të saj. Sidomos pas pengmarrjes së një prokurori në Stamboll nga ekstremistët e majtë, që përfundoi me vdekjen e tij, vëzhguesit presin tensione të reja. Një gazetë besnike e Erdoganit akuzoi lëvizjen e protestës Gezi. Deri tani Erdogan ka përfituar gjithmonë nga polarizimin e shoqërisë, vë në dukje kolumnisti Gënensin.

Por nuk është e thënë se receta e Erdoganit do të ketë sukses edhe kësaj rradhe. Polarizimi është një mjet për të motivuar pasuesit e tij, i tha anketuesi Tarhan Erdem gazetës “Bugün”. Por kjo nuk do të thotë, se në këtë mënyrë AKP do të mund fitojë votues të rinj. (dw)

Koment: Turqia me shpatulla pas muri

Në Turqi të gjitha shenjat tregojnë për kohë të stuhishme në vend. Kjo për shkak të presidentit Rexhep Tajip Erdogan mendon Bahaeddin Güngör.

Intervalet kohore ndërmjet lajmeve alarmante nga Turqia po bëhen gjithënjë e më të shkurtra. Vështirë se kalon një ditë pa lajme për bomba, sulme të armatosura, kidnapime dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë. Policia tani vepron pothuajse ekskluzivisht më vete e inkurajuar nga ligjet e reja të sigurisë. Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Turqia ka kohë që edhe ekonomikisht nuk e ka më rolin e saj të mëparshëm, si nxënëse shembullore e Evropës. Rënia dramatike e eksporteve është shenjë alarmi për ekonominë. Partia konservatore fetare AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) që qeveris nga viti 2002 me shumicë absolute të padiskutueshme, po përballet me përçarje të brendshme të mëdha.

Turqia, e cila deri pak vite më parë ishte krenare për normat e saj të rritjes ekonomike për t’u patur zili, gjendet me shpatulla pas murit. Kush guxon të kritikojë Erdoganin, humbet rastin më të mirë, punën, si rasti i qindra e gazetarëve. Të tjerët janë arrestuar nga policia dhe kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve apo në burg. Sa i përket lirisë së shtypit dhe të shprehjes Turqia zë tani në rang ndërkombëtar një nga vendet e fundit bashkë me diktaturat e tmerrshme.

Ëndrra e Erdoganit për pushtet presidencial

Çdo përpjekje për ta kujtuar atë për detyrimin e sanksionuar me kushtetutë për neutralitet, Erdogani e hedh poshtë. Në vend të kësaj, ai ende vepron si kryeministër dhe zhvillon me opozitën beteja verbale destruktive për sistemin demokratik pluralist. Pasardhësi i tij, Ahmet Davutoglu, nuk ka asnjë shans për të për ta provuar veten si kreu i qeverisë.

Si presidenti i parë i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli Erdogan ëndërron sot për AKP tij 400 nga 550 vendet në parlamentin turk. Me këtë shumicë që është e nevojshme për të ndryshuar kushtetutën ai dëshiron të fusë një sistem presidencial në Turqi duke ndjekur shembullin e Francës, apo Shtetet e Bashkuara. Nëse Erdogani nuk e arrin këtë qëllim, ai parashikon të zhvillojë një referendum duke rrezikuar përfundimisht shpërthimin e tensioneve të reja me pasoja të pasigurta të rrezikshme për paqen e brendshme.

Paqe e brishtë

Se sa e brishtë është kjo paqe, tregojnë taktikat e Erdoganit në politikën ndaj kurdëve. Oferta për paqe e liderit të burgosur të PKK-së, e cila është e ndaluar që nga viti 1999, Abdullah Oçalan, është ende e pasigurt. Qëllimi të Oçalanit, që pas 40.000 të vdekurish t’i bindte militantët e tij kurdë që nga viti 1984 për ta përfunduar luftën e armatosur kundër Turqisë, ngjalli brenda PKK-së një luftë të rëndë mes krahut pro dhe kundër kursit të paqes. Por më parë, Erdogani e kishte mohuar ekzistencën e një problemi kurd në Turqi në kundërshtim me deklaratat e tij të mëparshme dhe në këtë mënyrë i kishte hedhur benzinë zjarrit.

Republika turke e krijuar në vitin 1923 nga rrënojat e Perandorisë Osmane ka përjetuar disa herë hidhur që nga fillimi i sistemit shumëpartiak 65 vjet më parë, se sa e vështirë është për të ndryshuar një rend të bazuar në shkatërrimin e kundërshtarëve politikë në një rend paqësor. Kjo kërkon kurajo dhe gatishmëri për rrezik. Meqë për këtë në gjashtë dekada kanë qenë të aftë vetëm shumë pak politikanë, Turqia ka përjetuar mjaft ndërprerje të demokracisë dhe gjithmonë është shëruar me shumë vështirësi prej tyre. Erdogani mund t’ja kursejë Turqisë që rrëzim të mëtejshëm të rendit të saj demokratik bazë. Por për këtë ai duhet të tregohet i gatshëm për kompromise, në vend që qëndrimeve të ngrira dhe të paarsyeshme. Vetëm ai mund të mundësojë një ndryshim pozitiv për Turqinë. (dw)

Shpëtohet detari i humbur prej 66 ditësh

Roja Bregdetare Amerikane thotë se ka shpëtuar një detar që kishte humbur në det të hapur prej 66 ditësh.

Lois Jordan u gjet gjallë mbi anijen e tij të përmbysur që pluskonte prej ditësh pa kontroll në ujërat e Oqeanit Atlantik pranë brigjeve të Karolinës së Veriut.

37-vjeçari Jordan u nis më 23 janar nga Karolina e Jugut për të peshkuar. Ai tregon se ishte zgjuar një natë nga gjumi dhe kishte vërejtur se anija po anohej dhe po mbushej me ujë. Ai kishte jetuar për shumë ditë me ushqimet që kishte në anije dhe me peshq që kapte vetë, si dhe duke mbledhur ujë shiu. Të enjten një çisternë gjermane nafte e pa anijen e përmbysur rreth 300 km larg bregut dhe njoftoi rojen bregdetare amerikane, të cilët e nxorën detarin me helikopter. (voa)