‘Putini nuk ka asgjë për t’i ofruar Evropës Lindore’

Putin

Putini është i fiksuar tek arritja e një “barazie” me SHBA-në dhe ka si qëllim zgjerim të hapësirës natyrore perandorake dhe kuadrin e Rusisë “mijëvjeçare”. Gerd Koenen për Putinin dhe ish-BS.

Në deklarën e tij të vitit 2005 me rastin e marrjes së pushtetit ai tha se qëllimi i tij ishte të ndiqte rrugën e “mbledhjes së territoreve ruse” si quheshin në të terminologjinë e mitologjisë së vjetër perandorake ruse.Shpesh thuhet se Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet “të rikrijojë Bashkimin Sovjetik”. Në të njëjtën kohë në Rusi vihet re një nacionalizëm i ri rus në rritje. Por sipas mendimit të Gerd Koenen, gazetar dhe historian, Putini nuk dëshiron të “rivendosë BRSS-në”, sepse a nuk ka nostalgji as për socializmin dhe as për “internacionalizmin socialist”. Sipas Putinit “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit 20″, siç e quan ai kolapsin e Bashkimit Sovjetik, ishte vetëm dobësimi i Rusisë. BRSS-në ai i konsideron si një zgjerim të hapësirës natyrore perandorake dhe kuadrin e Rusisë “mijëvjeçare”.

Gerd Koenen, fusha kryesore e studimeve të të cilit janë marrëdhëniet gjermano-ruse në shekullin XX dhe historia e komunizmit, thotë se Putini përbën një kombinim eklektik mes carit dhe Stalinit. Shumë rusë e vënë re këtë dhe kjo i lehtëson, sepse ka një nevojë të madhe për të ribashkuar në kujtesën historike, ato që në historinë e vërtetë të Rusisë sovjetike kanë qenë të ndara në mënyrë radikale dhe vdekjeprurëse, pra Stalini dhe carit, të bardhët dhe të kuqët, xhelatët dhe viktimat , ateistët dhe priftërinjtë, etj. Kjo është e kuptueshme dhe në një mënyrë edhe e nevojshme dhe e arsyeshme. Fatale është kur kjo gjë bëhet prej autoriteteve publike të ideologjisë dhe nga vetë Putin që si mësues suprem i kombit përpiqet të harmonizojë çdo gjë. Ky kitsch patriotik dhe vetëidealizimi përgatisin terrenin për përfytyrimin e Rusisë së madhe që ecën nga fitorja në fitore në mes të një bote me armiq ziliqarë, të cilëve ajo u ka rezistuar vazhdimisht heroikisht.

Fiksime pa bazë

Problemi është se Putini është i fiksuar tek një “paritet” me SHBA-në dhe ky qëndrim qe edhe një nga shkaqet se pse u rrënua edhe BRSS-ja, e cila nga pikëpamja social-ekonomike kishte një shtrirje të gjerë, thotë Gerd Koenen. Vërtet që evropianët dhe SHBA janë të bashkuar në NATO, kurse Traktati i Varshavës është shpërbërë, por ata që thonë se NATO po e rrethon Rusinë, mjafton të shikojë hartën dhe e kupton që kjo është marrëzi. Edhe deklaratat e Kremlinit se në Ukrainën lindore tani vendi gjendet përballë trupave të NATO-s është manipulim i popullsisë ruse, thotë Koenen.

Politika e tanishme e qeverisë së Rusisë është vazhdim i politikës së vetëizolimit dhe tensionimit global, prej së cilët erdhi kryesisht edhe kolapsi i ish-BRSS-së, mendon Koenen. Edhe lojërat gjeostrategjike me vendet baltike, sikur ato kanë rëndësi të madhe strategjike për Rusinë apo kundërshtarët e saj lidhen me një shpërfytyrim të persektivës. Këto vende i aneksuan në vitin 1940 nga Stalini (si sot Krimeja) dhe u bënë të pavarura në vitin 1991. Ato janë anëtare të NATO-s, por aty nuk ka baza dhe trupa të NATO-s.

Rrezik për Evropën Lindore dhe Juglindore?

Po për vendet e ish-Bllokut Lindor, a ka rreziqe? Sipas Gerd Koenen Putini dhe këshilltarët e tij nuk duket se kanë ndonjë strategji të madhe dhe koherente për vene të tilla si Rumania, Bullgaria, Polonia apo vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore. Ka vetëm përpjekje të përsëritura vazhdimisht për të gjetur ndonjë shteg dhe për të nxitur disa grupe interesi, parti politike, nostalgjikë apo të frustruar. “Unë nuk shoh ndonjë gjë aq të madhe që mund t’u ofrojë Rusia këtyre vendeve. Sigurisht mund të bëhen përpjekje për të tërhequr pjesë të elitës politike, apo të vendosur lidhjet e lashta të ortodokssisë, si në Moldavi, Bullgari, Serbi apo Greqi. Por Moska nuk është në gjendje ta “shpëtojë” Greqinë nga falimentimi kombëtar dhe ta tërheqë përherë në orbitën e saj.

Fituese është – Kina!

Ka përpjekje mjaft intensive për të krijuar një rrjet të majtistëve të vjetër dhe grupeve të të djathtëve të rinj, platforma, media, etj, dhe një projekt fantazmë si “Eurasia”, si një alternativë për lidhjet transatlantike në Evropë. Por si politikë kjo është e gjitha në një masë të madhe shkatërruese dhe më shumë në ajër dhe pa bazë. Madje që sot mund të thuhet se në aspektin e orientimeve euroaziatike të Rusisë dhe përfshirjen e saj në luftën e Ukrainës, fituese është Kina, mendon Gerd Koenen. (dw)

Shtet Shatrapollësh

fatmir_sujmani1Jeta në një shtet si Maqedonia është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të shpellës ku nuk ndrit asnjë xixë shprese për ndonjë të ardhme ndryshe. Kështu ka qenë një dajm, të paktën për brezin tim. Dallimin e bën rrënimi i përnjëhershëm aktual i mitit mbi baballarët e virtytshëm të shtetit komb, zhveshja publike e prijësit të suitës së harambashëve, filozofia e të cilit nuk e njeh nevojën e të tjerëve për jetë të dinjitetshme nën dritën e diellit.

Në kësi konditash, në kësi biçim shteti, me këso kushtetute, që ishte dhe mbeti gjenerator krizash të kushtueshme dhe që, natyrisht, nuk do të ndryshohet as nesër prej Zaev-ëve, në veçanti është keq të jesh shqiptar, sepse në kreatura të këtilla, ku askush nuk ka takat të ndryshojë me mjete demokratike gjendjet horror, të gjitha ëndrrat njerëzore bien coftë si korbi i Edgar Alan Po-së në poezinë e Ali Podrimjes. Prandaj: as partia shqiptare në pushtet, as partitë opozitare, as ato që pretendojnë të ngrihen sërish në këmbë të qëndrueshme, as ato që mund të vijnë nesër, nuk do të mund të bëjnë asgjë prej gjëje, pavarësisht premtimeve dhe moralitetit të vetëdeklaruar ideologjik. Kjo, sepse çështja shqiptare nuk është çështje morali a filozofishë të mëdha, sepse të drejtat kombëtare nuk fitohen me beteja subjektesh të përçara politike pa një vijë të kuqe, sepse me numër gishtash parlamenteve s’do t’ia dalin kurrë të përmirësojnë thelbesisht statusin e etnisë, e cila, për çudinë e çudirave të kësaj bote, prej subjektit shtetformues në SFRJ-në 22 milionëshe, është katandisur në pakicë të madhe, të sunduar për marre nga shumica e vogël konglomerate.

Hej bela! Si ta mendojë njeriu të ardhmen në vendin, prijësit e të cilit paralajmërojnë dhe mund të inskenojnë konflikte ndëretnike, me idenë se vetëm ato mund t’ua prolongojnë qelitë e merituara. Si të flejë rehat kur e di se siguria e tij është zero me xhufkë? A i lexoni memoaret e pushtetarëve të djeshëm që zbardhin marifetet e dekompozimit të vullneteve shqiptare; që shpalosin hartat ricopëtuese të trungut tim, tëndit, tonit… nga Akademia e shkencave garashaniniste; që ndriçojnë korridoret e errëta të rahmetliut nëpërmjet të cilave u planifikua dëbimi ynë masiv për maxhirhan… Nëse po, atëherë sigurisht e keni më të qartë absurdin e optimistëve të Saharasë.

Për këtë dhe për shumë gjëra që s’i nxe një kolumnë si kjo, më duhet ta them atë që ma thotë loçka e shpirtit: nëse shteti është pronë shatrapollësh të papërgjegjshëm politikë, kushdoqofshin ata; nëse drejtësinë e bëjnë gjyqtarët kukulla të tyre; nëse mafia ia ka marë krahun shtetit të së drejtës; nëse sigurinë time dhe të fëmijëve të mi e ruan një police që ma thotë emrin me përbuzje dhe me terma fyes; nëse çelësat e hapsanes dhe hekurat ndëshkues janë në dorën e saj; nëse fati im është viktimë hipotekash që nuk mund të jenë të miat për asnjë hatër të rremë, qofshin ato edhe të vëllait tim; nëse nuk arrij të shohë qartë perspektivën e më të dashurve që më ka falur Zoti…, ky nuk është shtet, po çerdhe gangsterësh të shtirrur në burrështetas dhe njerëz të ndershëm.

Natyrisht, një shtet si ky: nuk mund të jetë shteti im.

Shekerinska: Fillojmë me fazën e protestave

Zv/kryetarja e LSDM-së Radmilla Shekerinska, në emisionin “Rruga Drejt” theksoi se me protestat e mbrëmshme në Kumanovë, LSDM-ja ka filluar fazën e dytë të veprimit, që nënkupton organizimin e protestave paralelisht me publikimin e bombave. Ajo paralajmëroi protesta të tjera ditëve në vazhdim edhe në qytete tjera të Maqedonisë, si hap të domosdoshëm pas gjithçka që zbardhën bombat.

‘Pajtohem me juve, publikimi dhe pritja nga ana jonë, në ndonjë sallë të konferencave për shtyp, nuk do të jetë e mjaftueshme. Fillimi ynë i sotshëm i organizimit të tubimeve dhe marsheve protestuese në disa komuna, është fillimi i mënyrës së dytë të funksionimit. Qytetarët në Maqedoni duhet të dalin në rrugë dhe të thonë nuk duam shtet të tillë, siç e ka shndërruar Gruevski Maqedoninë. Nuk pajtohemi të jetojmë me frikë’, tha Radmilla Shekerinska, zv/kryetare e LSDM-së.

E pyetur për bisedimet në Bruksel, Shekerinska nuk demantoi nëse kërkesa kryesore e opozitës ka qenë shkarkimi i Prokurorit Publik. Ajo shpjegoi se pse shkarkimi i Marko Zvërlevskit është i nevojshëm dhe arsyeshëm në këtë moment.

‘Edhe në shtetet e tjera ka pasur kryeministra dhe ministra të korruptuar. Problemi ndodh kur institucionet e obliguara për sanksionim dhe për mbajtje nën mbikëqyrje të politikanëve, shndërrohen në organin e tyre ekzekutiv. Sipas meje, një prej bisedave më të tmerrshme, që ndoshta nuk nxiti vëmendje aq sa duhej, ishte biseda kur ministrja e brendshme tregon se ka kryer punë me Prokurorin, se ai ka marrë urdhër të ndërpret një padi penale dhe ai e din se çfarë pune ka. Ashtu thotë ministrja e brendshme, ai e din detyrën e tij’, u shpreh Radmilla Shekerinska, zv/kryetare e LSDM-së.

Lidhur me skandalin e fundit të drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov për marrje ryshfet qindra mijëra eurosh, Shekerinska theksoi se arsyetimet dhe reagimet e pushtetit jo vetëm që nuk janë të vërteta, por edhe jo-logjike. Megjithatë sipas saj, Qeveria më në fund konfirmoi vërtetësinë e bisedave telefonike.

‘Ajo që është pozitive në këtë zhvillim të ngjarjeve është se Ministria e Brendshme, DSK-ja, Qeveria disa herë me radhë në mënyrë indirekte, ndërsa tani edhe drejtpërdrejt, e konfirmojnë autenticitetin e bisedimeve. Tashmë kjo është një vazhdë arsyetimesh se si është e mundur që Mijallkovi ka negociuar për qindra mijëra euro provizion’, deklaroi Radmilla Shekerinska, zv/kryetare e LSDM-së.

Shekerinska theksoi gjithashtu se për çdo ditë, njerëz nga eshaloni i parë i VMRO DPMNE-së, trokasin në derën e opozitës me pendesë dhe distancim nga ajo që publikohet për Nikolla Gruevskin dhe grupin rreth tij. Benjamin Arifi

Fyle: Ardhmëria e Maqedonisë në pikëpyetje!

fule

Ish komisionari evropian për zgjerim, Shtefan Fyle ka shprehur brengosje jashtëzakonisht të madhe për zhvillimet në Maqedoni. Në një intervistë të dhënë për “Utrinski Vesnik”, Fyle ka vlerësuar se Maqedonia po kalon krizën më serioze dhe se ardhmëria e vendit është në pikëpyetje.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për atë se Maqedonia sërish gjendet në krizë, por se kjo krizë është shumë më serioze se ato të mëhershmet, kurse trendi është shqetësues,  ka theksuar Fyle.

Mes tjerash ai ka vlerësuar se kërkesat e BE-së janë që kjo krizë të hetohet përmes një procesi transparent dhe përmes gjyqësisë së pavarur. Fyle ka shigjetuar me kritika të ashpra politikanët në Maqedoni.

“Problem paraqet moskuptimi nga ana e politikanëve se situate është aq serioze, prandaj nevojitet të shikojnë mbi linjat personale dhe politike, sepse ajo që është në pikëpyetje është ardhmëria e vendit dhe aspiratat tuaja evropiane. Pikërisht kjo duhet t’i bashkojë politikanët në kërkimin e daljes nga kriza, pa marrë parasysh a janë të pushtetit apo opozitës”, ka deklaruar Fyle. (INA)

INSTAT: Rritja ekonomike në 2014 ishte 1.9%. Parashikimi 2.1%

Instituti i Statistikave raportoi se ekonomia u rrit me 2.42 për qind në tremujorin e katërt të vitit, e udhëhequr nga sektori i ndërtimit.

Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it, Gjergj Filipi listoi degët më kontributin më të madh në rritjen ekonomike.

“Kontributi kryesor jepet nga degët e ekonomisë, si ndërtimi me 1.56 për qind, shërbimet e tjera me 0.95 për qind, tregti-hotel-restorante me 0.54 për qind”, tha Filipi.

I vetëm, sektori i ndërtimit ka dhënë mbi 65 për qind të rritjes ekonomike në tremujorin e katërt dhe shkaku kryesor është përqëndrimi i lartë i investimeve publike në fund të vitit.

“Kjo ka të bëjë më shpërndarjen vjetore të proceseve të ndërtimit. Përsa kohë që ne krahasohemi me një situatë të lartë apo të ulët qoftë ajo, të tremujorit të njëjtë të vitit pararendës, ne këtu do reflektojmë ritmikën sipas secilit tremujor”, tha drejtuesi i INSTAT-it.

Ndërkaq, bujqësia dhe postkomunikacioni dhanë kontribut negativ në ekonomi gjatë tremujorit, pasi u rrudhën krahasuar me një vit më parë.
Tremujori i katërt përmbyll dhe gjithë vitin 2014, duke i lejuar INSTAT te publikoje keshtu shifrën paraprake të rritjes ekonomike  vjetore.

“Ky është momenti i parë, por ne kemi një ritmikë vjetore për vitin 2014, në kontektin e vlerës së shtuar bruto. Dhe, ky tregues shënon për vitin 2014, vlerën prej 1.89 për qind”, tha Filipi.

Qeveria dhe FMN patën parashikuar një rritje prej 2.1 për qind gjatë vitit 2014, nga 1.9 që rezulton ajo sipas tremujorëve. Megjithatë INSTAT thotë se shifra e raportuar prej tij i referohet vlerës së shtuar bruto, e cila nuk përfshin kontributin e taksave dhe subvencioneve në ekonomi dhe paralelisht është subjekt rishikimi gjatë muajve në vijim.
/ Top Channel

Peshëngritje, pezullime të rënda për Godellin, Begajn dhe Pulakun

Peshëngritja shqiptare gjunjëzohet përfundimisht pas telenovelës së krijuar prej Federatës për pozitivitetin e tre sportistëve shqiptarë në Botërorin e Kazakistanit vitin e shkuar.

Top Channel mëson se Daniel Godelli dhe Romela Begaj e kanë humbur betejën e tyre për të mbrojtur veten përballë pozitivitetit të analizave A dhe B. Të dy këto sportistë janë pezulluar me 2 vjet nga Federata Botërore e Peshëngritjes (IWF) pasi rezultuan pozitivë dhe siç pritej, përgjigjia e analizave ishte e pakthyeshme, ndërkohë që Hysen Pulaku si përsëritës, pasi është dënuar edhe në Olimpiadën e Londrës për përdorim substancash të ndaluara, këtë herë dënohet me 8 vjet.

Tentativat për t’i fshehur këto lajme të publikuara nga mediat dhe të kamufluara nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes kanë marrë fund pas disa muajsh me vendimin që ka mbërritur tashmë zyrtarisht.

Në këtë mënyrë, rezultati historik i peshëngritjes shqiptare, me Daniel Godellin kampion bote, jo vetëm që zerohet, por ai duhet të dorëzojë medaljet dhe do të vuajë një pezullim 2-vjeçar, për përdorim të substancave të ndaluara.

Stanozolol ishte substanca e përdorur nga të tre sportistët shqiptarë. Po me të njëjtin pezullim do të përballet edhe Romela Begaj, e cila në këtë Botëror arriti të marrë medaljen e artë në stilin e shkëputjes, që duhet ta dorëzojë.

Ndërkohë, Hysen Pulaku, pavarësisht rezultatit jo në zonë medaljeje në këtë Botëror, është futur në testin antidoping si sportist që rikthehej pasi vuajti pezullimin prej 2 vjetësh që mori në “Londër 2012”, por që doli sërish pozitiv. Si përsëritës, ai dënohet këtë herë me 8 vjet pezullim.

Në këtë mënyrë, Federata Shqiptare e Peshëngritjes goditet si kurrë më parë dhe po si asnjëherë më parë askush nuk mban një përgjegjësi për këtë ngjarje kaq të rëndë.

Ndërkohë që për këtë Botëror, si asnjëherë më parë, është paguar një fond prej rreth 200 mijë eurosh për përgatitjen e sportistëve shqiptarë në Greqi nga trajneri i përfaqësueses greke, ish-peshëngritësi shqiptar, Luan Shabani.

Në momentin e daljes së rezultatit e mbërritjes së sportistëve në Shqipëri, të shumtë ishin ata që morën meritat për atë rezultat historik, por që rezultoi i gënjeshtërt dhe tani askush nuk përgjigjet më. / Top Channel

Deputeti Frroku mbetet në qeli

Gjykata e Lartë pranon kërkesën e Prokurorisë. Gjykata e Krimeve të Rënda shpall të pafajshëm, Arben Frrokun, vëllanë e deputetit, i cili akuzohej për vrasjen e Komisarit të policisë Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë konfirmoi sot masën e sigurisë arrest me burg për deputetin Mark Frroku, i cili u ndalua një ditë më parë, pasi parlamenti votoi në favor të një kërkese të Prokurorisë, sipas së cilës deputeti akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë

Deputeti Frroku u paraqit në gjykatë pak pas mesditës. Seanca për masën e sigurisë zgjati për më shumë se tre orë. Në ndryshim nga një javë më parë, kur pas ndalimit për Cështjen Doshi, ai u la në arrest shtëpie, sot Gjykata e Lartë vendosi se ai duhet të qëndrojë në qeli.

Këtë herë edhe akuzat ndaj tij janë më të rënda. Përvec asaj për vrasje me paramendim në Belgjikë, mbi të rëndojnë dhe dy akuza të tjera për Pastrim parash dhe Refuzim apo fshehje të deklarimit të pasurisë. Avokatët e deputetit Frroku e kundërshtuan me forcë vendimin duke deklaruar se ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Po sot, një tjetër gjykatë, ajo e Krimeve të Rënda në Tiranë, deklaroi të pafajshëm Arben Frrokun, vëllain e deputetit. Ai ishte akuzuar për vrasjen e një komisari policie. Pas një procesi që zgjati 13 muaj, prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm, por gjykata vlerësoi se provat e paraqitura prej saj kishin qenë të pamjaftueshme për të vërtetuar akuzën. (voa)

Konfirmimi i ri: avionin e rrëzuan me qëllim

Autoritetet ajrore franceze japin konfirmimin e dytë: piloti i Germanwings e rrëzoi me dashje avionin. Kjo rezulton nga vlerësimi i regjistrimit të kutisë së dytë të zezë, të gjetur dje.

Në Paris u bë vlerësimi i regjistrimeve të kutisë së dytë të zezë të avionit të rrëzuar të Germanwings-it. Sipas regjistrimit, konfirmohet teza se avionin piloti e rrëzoi më qëllim. Piloti i dytë përcaktoi në autopilotin e avionit një zbritje të avionit në një lartësi rreth 30 m. Këtë e deklaruan autoritetet ajrore franceze BEA sot (03.04.2015). Pastaj, piloti 27 vjeçar e pati ndryshuar autopilotin “në mënyrë të përsëritur”, në mënyrë që të shtohej shpejtësia e avionit në rrëzim. Kjo rezultoi nga një vlerësim “i parë” i kutisë së dytë të zezë, që u gjet të enjten (02.04.2015).

Avioni Airbus A320 u rrëzua në Alpet franceze më 24 mars në udhëtimin nga Barcelona për në Dyseldorf. Jetën e humbën të 150 personat në bord. Piloti Andreas L. është trajtuar në të kaluarën disa herë nga mjekët, për shkak të problemeve të rënda psikike, me rrezik vetëvrasjen. Prokuroria e Dyseldorfit informoi dje se pak para rrëzimit të avionit, piloti qe informuar në internet për rrugët si mund ta vriste veten. (dw)

Shtëpia e Bardhë dhe marrëveshja me Iranin

Obama

Presidenti Barak Obama e përshëndeti marrëveshjen kornizë për të kufizuar programin bërthamor të Iranit dhe filloi fushatën për ta reklamuar atë përpara publikut amerikan si dhe përpara kongresit të kontrolluar nga republikanët, shumë prej të cilëve janë treguar skeptikë madje mospërfillës ndaj negociatave me Teheranin.

Presidenti Obama me një pamje të kënaqur u shfaq dje pasdite para gazetarëve për të njoftuar se synimi i kërkuar nga Amerika prej dekadash mund të arrihet së shpejti nëse marrëveshja përfundimtare realizohet.

“Kjo kornizë do të mbyllte çdo shteg që Irani të mund të prodhojë armë bërthamore. Irani do të përballet me kufizime të rrepta mbi programin e tij. Irani ka rënë dakord gjithashtu për inspektimet më të fuqishme dhe më transparente të negociuara ndonjëherë për ndonjë program bërthamor në histori,” tha Presidenti Obama.

Zoti Obama foli me hollësi mbi kufizimet përsa i përket materialeve atomike që do të mund të mbajë Irani dhe vendet ku ato do të mund të mbahen. Ai theksoi disa herë se marrëveshja do të bazohet te verifikimi, jo tek mirëbesimi.

“Nëse Irani mashtron, bota do ta kuptojë. Nëse ne shohim diçka të dyshimtë, do të inspektojmë. Me këtë marrëveshje, Irani do të përballet me më shumë inspektime se çdo vend tjetër në botë.”

Sondazhet kanë treguar se amerikanët janë të hapur për një zgjidhje me negociata të çështjeve bërthamore me Iranin. Por jo të gjithë ligjvënësit e mbështesin këtë. Muajin e kaluar, 47 senatorë republikanë i dërguan një letër të hapur Iranit, ku premtonin se do t’i vinin veton çdo marrëveshjeje për këtë qëllim.

Pas lajmit të djeshëm, autori i letrës, senatori Tom Cotton, tha se marrëveshja kornizë është një listë lëshimesh të rrezikshme që da ta vinin Iranin në rrugën e prodhimit të armëve bërthamore.” Në një deklaratë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se Kongresi duhet të shqyrtojë plotësisht hollësitë e çdo marrëveshjeje para se të hiqen sanksionet kundër Iranit”.

Presidenti Obama e mirëpriti debatin por u përpoq ta ruajë marrëveshjen nga kritikat e ashpra.

“Vërtet mendoni se kjo marrëveshje e verifikueshme, nëse zbatohet plotësisht, e mbështetur nga fuqitë e mëdha të botës, është një alternativë më e keqe se rreziku i një tjetër lufte në Lindja e Mesme?” pyeti Presidenti Obama.

Eksperti bërthamor James Acton i cili ka qenë skeptik për negociatat, thotë se është i befasuar nga rezultati.

“Nuk mund të parashikoj se çfarë do të bëjnë ligjvënësit. Ne të gjithë e pranojmë se ligjvënësit janë të motivuar shpesh nga politika e jo nga teksti i marrëveshjes. Nëse ata e gjykojnë marrëveshjen për anët e saj pozitive, ajo e meriton të mbështetet.”

Presidenti theksoi se marrëveshja nuk do të fshijë mosbesimin mes Uashingtonit dhe Teheranit. Por, në një kohë konfliktesh, si Ukraina, Siria apo Jemeni që e kanë vënë në provë politikën e jashtme të administratës, zoti Obama, laureat i çmimit Nobel të Paqes, është shumë pranë një marrëveshjeje historike që, në qoftë se del me sukses, mund të çimentojë trashëgiminë e tij në skenën botërore. (voa)