Sulmi në stacioni policor në Goshincë, incident i montuar?

policijaPas incidentit në Gushincë Kanë reaguar edhe ekspertët e sigurisë, që besojnë se ngjarja e Goshincës mund të jetë përpjekje për tërheqjen e vëmendjes nga kriza politike.

Policia e ka quajtur “sulm terrorist” incidentin, për të cilin njoftoi të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit (21.04.2015) në pikën kufitare në fshatin Gushincë të Komunës së Likovës, pavarësisht se nuk ka pasur as krisma e as të lënduar. Sipas versionit të policisë një grup prej rreth 40 personash, me uniformë të UÇK-së dhe armatim të rëndë, kanë hyrë nga Kosova dhe kanë marrë nën kontroll pikën kufitare, duke mbajtur peng edhe 4 policët maqedonas. “Maqedonia ishte shënjestër e një sulmi terrorist. Rreth orës 2:30 pas mesnate një grup i madh prej rreth 40 personash sulmuan kullën kufitare të Gushincës në afërsi të kufirit verior. Personat kanë qenë të armatosur me uniforma dhe maska me shenja të UÇK-së, si dhe kanë folur shqip mes tyre. Gjatë sulmit janë mbajtur peng 4 policë, të cilët në atë moment kanë qenë kujdestarë në pikën e kontrollit”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Gjithnjë sipas Kotevskit grupi i armatosur është tërhequr, duke iu lënë afat gjysmë ore, që edhe policët të linin pikën e kontrollit.

Duraku: Nuk kemi vërejtur grupe të dyshimta

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, zyra e të cilit gjendet dhjetë kilometra nga vendi i incidentit, thotë se nuk ka informacione se persona të armatosur kanë qëndruar në rajonin e Karadakut të Kumanovës. “Ne si këshill komunal do të kërkojmë nga MPB ndriçimin e këtij incidenti. Ne nuk kemi informata, që persona të armatosur janë vërejtur në fshat. Në komunë nuk është paraqitur askush të ankohet për diçka të tillë”, thotë kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku .

Partitë politike me apel për qetësi

Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në koalicionin qeveritar, përmes një kumtese me shkrim reagoi ndaj incidentit në Goshincë. Sipas BDI-së, ato dëmtojnë rëndë axhendën e shqiptarëve në Maqedoni.
“Ky incident dëmton axhendën e shqiptarëve në Maqedoni, në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi. BDI fton qytetarët, që të mos te shqetësohen dhe mos te bien pre e provokimeve të tilla”. BDI kërkon nga institucionet kompetente, që të marrin përgjegjësi për të garantuar siguri për qytetarët dhe sa më parë të zbardhin këtë rast.

VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim e dënon këtë akt terrorist, i cili ka për qëllim destabilizimin e Maqedonisë
“I ftojmë institucionet, që në mënyrë të vendosur të veprojnë për zbardhjen e këtij rasti dhe ta sigurojnë ligjin, sigurinë dhe stabilitetin. Të gjithë bartësit politikë, individët dhe partitë duhet që në mënyrë të përgjegjshme të veprojnë në këto momente, të përmbahen nga manipulimet dhe të mos nxisin tensione për qëllime të ngushta partiake dhe personale”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Lëvizja BESA e dënon ashpër incidentin në Goshincë dhe i fton të gjitha subjektet relevante vendore dhe ndërkombëtare për qetësimin e situatës dhe izolimin e grupeve destabilizuese. Lëvizja BESA në këtë sulm vëren një inskenim të radhës për zhvendosjen e vëmendjes dhe krijimin e gjendjes së tensionuar, që në fund kjo të kthehet në përfitim politik për subjekte të caktuara në Maqedoni.

LSDM-ja opozitare ka dënuar sulmin në stacionin policor në Gushincë të Komunës së Likovës. Nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski, vlerëson se incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale. Remenski thotë se të gjithë ata, që ndihmojnë këtë skenarë, janë bashkëpunëtorë në tentativën për shfajësimin e pushtetit nga veprat e mundshme kriminele, që po zbardhen me anë të bombave të opozitës.
“Tentativa për të përfshirë Maqedoninë në konflikt etnik të paguar, drejtuar dhe iniciuar me vetëdijesi skenarë për shmangien e pushtetit nga përgjegjësia penale, është akt tradhtar dhe anti-shtetëror i të gjithë të përfshirëve kundër popullit dhe shtetit të vetë”, vlerëson Frosina Remenski, nënkryetare e LSDM-së.

Analistët: Kujdes me marrëdhëniet ndëretnike

Ekspertët e sigurisë besojnë se ngjarja e Goshincës mund të jetë përpjekje për tërheqjen e vëmendjes nga kriza politike. Eksperti për çështje të sigurisë, Ivan Babanovski, ka hedhur poshtë insinuatat e MPB-së se sulmi është bërë nga shqiptarët . “Këtë skenar nuk e mbështesin pjesa më e madhe nga rradhët e BDI-së. Përcillini këto ngjarje dhe gjeni vetëm një njeri në Maqedoni, që do të besojë në këtë punë dhe lojëra qesharake”, thotë eksperti për siguri, Ivan Babanovski.

Edhe opinionisti Milazim Mustafa thotë, se ky incident i ngjan më shumë një ngjarjeje të fabrikuar, se sa një sulmi të organizuar nga ndonjë formacion i uniformuar. “Qytetarët u shqetësuan nga ky incident, sidomos pas komenteve të ditëve të fundit, se partia maqedonase në pushtet do të përpiqet të krijojë ndonjë incident për të tërhequr vëmendjen nga afera e përgjimeve dhe një terren i përshtatshëm është pikërisht rajoni i Likovës, shkaku i pozitës strategjike dhe afërsisë me Kosovën. Por popullata nuk duhet të bjerë pre e provokimeve, që mund të vijnë nga faktorë të ndryshëm, sepse për momentin asnjë faktori shqiptar nuk i shkon për shtati hapja e një krize të re”, vlerëson Milazim Mustafa.

Analisti politik Albert Musliu mendon se kriza momentale nxitet nga grupe të caktuara, me qëllim tërheqjen e vëmendjes kah vetvetja dhe të shfrytëzohet rasti për interesa personale. “E para, mirë është që nuk kemi pasoja më të rënda dhe viktima në njerëz. Ka pasur tortura, por nuk ka pasur viktima. E dyta, situata momentale është e tillë, që grupe të ndryshme do të provojnë që ta tërheqin vëmendjen kah vetja dhe ta shfrytëzojnë për qëllime të tyre. Por nuk e dimë, se kush është ky grup i armatosur”, deklaron Albert Musliu
Vendi i incidentit është vizituar edhe nga përfaqësues të OSBE-së. Stacioni policor në Gushincë është përsëri nën kontroll të MPB. (dw)

Qetësi dhe forca të shtuara policore në rajonin e Likovës

tanketNë rajonin e komunës së Likovës po mbretëron një situatë e qetë, por me një prani më të shtuar policore.

Incidenti i djeshëm në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë kur një grup i armatosur mori nën kontroll postën kufitare policore në fshatin Goshincë ka shtuar tensionet dhe mëdyshjet tek qytetarët se çfarë në të vërtetë po ndodhë, duke qarkulluar informacione kontradiktore.

Policia theksoi se bëhet fjalë për një atak terrorist ndaj institucioneve të sigurisë dhe se ajo është në kërkim të personave që kanë ndërmarrë sulmin dhe kontrollin e postës, e cila u la e lirë pas disa orëve.

Lidhur me këtë sulm dje  organizatë e thirrur në UÇK përmes një komunikate shpërndarë mediave mori përsipër kryerjen e këtij sulmi, por duke mos dhënë detaje dhe zbuluar identitetin e tyre.

Situata po vazhdon të nxis kurreshtje dhe pikëpyetje të ndryshme.  Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kanë dhënë komente dhe vlerësime kontradiktore mbi incidentin. VMRO këtë akt e quajti sulm terrorist, derisa BDI ka theksuar se sulmi dëmton agjendën e shqiptarëve dhe kërkon siguri dhe izolimin e këtyre grupeve edhe përmes aktiviteteve rajonale, duke nënkuptuar Kosovën.  Partia opozitare maqedonase LSDM ka akuzuar se incidenti është skenar i pushtetit me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale, pas aferës së pëgjimeve për skandale korruptive dhe kriminale.

“Skenari i paguar dhe i përgatitur mediatikisht i pushtetit për nxitjen e mos tolerancës ndër-etnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodh dhe që mund të ndodhë”, deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Frosina Remenski.

Derisa po vazhdojnë reagimet, njësitet speciale dhe forcat e rregullta policore me jelekë antiplumbë dhe kallashnikovë po patrullojnë në një hapësirë me perimetër prej 15 kilometrave në këtë zonë që është disa kilometra nga kufiri me Kosovën.

Zona kufitare vazhdon të ndiqet edhe nga helikopterë të policisë, ndërsa nga orët e para të mëngjesit në terren janë edhe ekipet e OSBE-së. (INA)

Samiti i Ballkanit në Bruksel, konkretizohet Berlini, përcaktohen projektet e përbashkëta

konferenca ballkanikeGjashtë kryeministrat e Ballkanit u mblodhën në Bruksel nga Komisioneri austriak, Johannes Hahn, dhe Komisionerja sllovene, Violeta Bulc, për të pranuar larg kamerave angazhimet e marra në fund të Marsit në nivel ministrash në Prishtinë, përmes të cilave synohet ndërlidhja e kryeqyteteve të rajonit, çfarë mendohet të sjellë zhvillim dhe punësim.

Deklarata e përbashkët përfundimtare përmend “përmirësim të bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit ekonomik, si mjet të përbashkët për arritjen e standardeve europiane dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE”.

“Projektet gazsjellëse duhet të reflektojnë interesin e projekteve të komunitetit energjetik, që ka rëndësi për agjendën ndërlidhëse”, nënvizon qëndrimi i përbashkët dhe 6 vendet e rajonit angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në këtë kuadër.

Ndërkohë që do të rishqyrtohet përfshirja e hekurudhës për “Korridorin 8”, siç shpjeguan të dy komisionerët kur u pyetën nga Top Channel mbi këtë çështje, por dhe mbi mënyrën e vendosjes së kufijve të Kosovës në hartën e projekteve të përbashkëta rajonale.

“Nëse do të lindë nevoja për të ngjyrosur korridoret e ndryshme në një hartë europiane, siç mund të jetë rasti, ne do të ndjekim procedurën e deritanishme për Kosovën, siç është vepruar përgjatë këtyre viteve, në pritje të marrjes së vendimit mbi këtë çështje në Bashkimin Europian”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Fqinjësinë europiane dhe Negociatat e zgjerimit.

“Ne do të japim mbështetje teknike për këtë korridor (8) dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, do mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qëndror të ndërlidhjes”, tha Violeta Bulc, Komisionere e BE-së për Transportin.

Aeroporti i Tiranës dhe Porti i Durrësit luajnë rol kyç për ndërlidhjen qëndrore rajonale. Në projektet e përzgjedhura për investime, Shqipëria përfshihet në “Korridorin 8”, me rrugën Durrës-Elbasan, që lidhet më pas me Tetovën e Shkupin deri në kufi me Bullgarinë, si dhe me dy rrugë të “Korridorit 10”, Lezhë-Prishtinë-Nish dhe Podgoricë-Durrës-Fier-Tepelenë-Qafë Botë.

Por vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë/Durrës-Podgoricë). Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro për këtë vit dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e para-anëtarësimit (IPA 2014-2020). Rezultatet konkrete mbi projektet specifike pritet të qartësohen në samitin e Vjenës, që mbahet më 27 Gusht.

Përgatiti: Arta TOZAJ
/ Top Channel

Ambasada e SHBA: Flamuri shqiptar do valëvitet mbi “Capitol Hill” për nder të Kadaresë

KadareAmbasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu është takuar të martën me shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare.

Ambasadori e ka vlerësuar maksimalisht shkrimtarin shqiptar, duke thënë se ‘Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë dhe një thesar kulturor për Shqipërinë’.

“Ndihem i nderuar për mundësinë që mu dha për ta njohur nga afër”, tha Donald Lu.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka konfirmuar se flamuri shqiptar do të valëvitet jashtë Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në Washington D.C. në nderim të Ismail Kadare.

“Ceremonia është traditë në “Capitol Hill”, për të nderuar kongresmenë dhe senatorë të shquar, por këtë herë do të jetë e veçantë, pasi do të nderojë një personalitet të shquar të kulturës së një vendi të huaj”, thuhej në njoftimin e ambasadës. / Top Channel

Kosova dhe Serbia – pa ndonjë marrëveshje të re

Kosova SerbiaRaundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, përfundoi pa ndonjë marrëveshje të re.

Në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje të re edhe një raund i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se të dyja palët folën për përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ne bisedime, veçanërisht zbatimin e marrëveshjes së drejtësisë dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për organizatën e njohur si mbrojtja civile që vepron në veriun e Kosovës.

Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet e pazgjidhura si energjia, telekomi dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë kuadër ata u pajtuan për hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën deri në takimin e ardhshëm, thuhet në komunikatën e zonjës Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se takimi është shfrytëzuar për të përcaktuar rrjedhën e mëtejme të bisedimeve.

Po punojmë që institucionet e Kosovës sa më shpejtë të veprojnë në plotësinë e tyre në pjesën veriore të vendit. Të gjendet zgjidhje për kodin telefonik, lëvizjen mbi urën e Ibrit, energjetikën. Të gjitha këto zgjidhje do të jenë në dobi të qytetarëve tanë, të të gjitha etnive, dhe ura që na lidhin me familjen evropiane”, tha kryeministri Mustafa

Kryeministri serb tha se pret më shumë përparim deri në muajin maj kur pritet raundi i ri i bisedimeve. Ai tha se palët janë pajtuar për të hapur edhe dy vendkalime kufitare: një në veri dhe një ne lindje të Kosovës. Ai tha se palët nuk janë pajtuar per krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa është diskutuar edhe mundësia e kthimit të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, të cilët u larguan në shenjë mospajtimi me shkarkimin e një ministri serb i cili mohoi krimet e luftës në Kosovë.

Takimi i fundit ndërmjet Kosovës e Serbisë është mbajtur më 9 shkurt kur ishte arritur marrëveshja për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet gjatë këtij viti, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve është kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime për hir të integrimeve evropiane. (voa)

Turqi, 100 vjetori i betejës së Gallipolit

turqiaMë 24 prill, Turqia përkujton 100 vjetorin e betejës së Galipolit në Luftën e Parë Botërore, kur turqit otomanë mposhtën një forcë pushtuese të udhëhequr nga britanikët. Në të njëjtën ditë, armenët në mbarë botën do të shënojnë 100 vjetorin e vrasjeve masive, një ngjarje që armenët e përshkruajnë si gjenocid të otomanëve ndaj tyre. Këto ngjarje historike janë përmbledhur në një libër me kujtime të një oficeri armen të ushtrisë turke, Kapitenit Sarkis Torossian. Por libri ka shkaktuar polemika në Turqi.

Historia e kapitenit Torossian trajton shumë çështje tabu dhe kapituj të errët të historisë otomane. Edhe pse ai ishte një oficer i dekoruar i ushtrisë osmane, ky fakt nuk e shpëtoi nënën dhe motrat e tij, që u vranë gjatë deportimit masiv të armenëve nga ana e sunduesve  otomanë: një deportim masiv që atëherë është cilësuar si një gjenocid, por që Ankaraja e mohon fuqishëm.

Pjesa më e debatueshme e historisë së tij, sipas profesorit Ayhan Aktar të Universitetit Bilgi të Stambollit, është se Torossian ka luftuar në betejën vendimtare të Galipolit në Luftën e Parë Botërore. Ai thotë se historia e kapitenit Torossian është në kundërshtim me versionin zyrtar të ngjarjeve, sipas të cilit vetëm turqit luftuan në Betejën e Galipolit si dhe interpretimin më të fundit islamik të betejës.

“Kur formohet një republikë turke e bazuar në nacionalizmin etnik, historia rishkruhet. Në 15 vitet e fundi ka filluar të shkruhet një version islamik i historisë. Ata kanë filluar të flasin për shenjtorë që vijnë nga qielli për të mbrojtur ushtrinë e lavdishme islamike, kundër të pafeve. Në të dy këto versione të historisë, kapiteni Torossian është person i padëshiruar, ai nuk ka ndonjë vend në asnjërën prej tyre, ai nuk është turk për të qenë pjesë e historisë turke dhe nuk është mysliman. Ai është i krishterë dhe rrjedhimisht nuk i përshtatet versionit islamik të historisë”.

Profesor Aktar thotë se rëndësia e historisë së kapiterin Torossian është arsyeja pse botuesit u bindën ta botonin atë në Turqi. Ndërsa Aktar thotë se ai është i vetëdijshëm se libri është i debatueshëm, ai është i habitur nga aleanca e nacionalistëve turq laikë, islamistëve dhe madje edhe e ushtrisë turke në sulmet kundër këtij libri.

Presidenti turk Erdogan pranoi vërtetësinë e historisë, duke e cituar atë në një komunikatë dërguar homologut të tij armen Serzh Sargsyan në një përpjekje për ta bindur atë që të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për Betejën e Galipolit. Oferta u refuzua. Profesor Aktar thotë se polemika mbi librin ka krijuar një atmosferë shqetësuese për pakicën e vogël armene të Turqisë.

“Një mik Armen në Facebook më ka shkruar një mesazh ku thoshte se gjyshi i tij Hacik Beu ishte plagosur në Betejën e Galipolit. E pyeta atë nëse mund ta përdor këtë histori, ai ra dakord por mu lut që të mos publikoja emrin e tij. Kjo rritje e shpejtë e nacionalizmit kundër një oficeri armen i cili luftoi në ushtri ka krijuar një lloj ndjenje ankthi mbi një qytetar të zakonshëm turko-armenas, i cili ende është i ndikuar nga trauma e gjenocidit dhe unë kurrë nuk e fal këtë”.

Profesor Aktar thotë se debati ka hapur derën për nxjerrjen në dritë të historive të tjera të oficerëve armenë që kanë luftuar në Gallipoli.

“Ky debat mbi kapitenin Torossian ka nxitur edhe një shtim të shpejtë të studimeve, për të mësuar se kush ishin këta oficerë të Ushtrisë Osmane. Në fakt, unë jam shumë krenar për këtë. Ndërsa ne jemi duke përkujtuar një betejë, rezistencë apo heroizëm, ne kurrë nuk duhet t’i harrojmë ata që luftojnë për ne. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne duhet t’i kushtojmë respektin e duhur”.

Roli dhe madje edhe prania e oficerëve armenë në radhët e ushtrisë otomane në betejën e Galipolit mbetet e debatueshme. Por, vëzhguesit thonë se debati mbi kapitenin Torossian dhe botimi i historive të ngjashme do të thotë se një tjetër tabu historike në Turqi është sfiduar dhe është duke u diskutuar. (voa)

UÇK: Të mobilizohemi kundër shtypjes së shqiptarëve

UCKUshtria Çlirimtare Kombëtare përmes një komunikate për media të nënshkruar nga “Komandant Flamuri” e ka marrë përseripër aksionin e sotëm në fshatin Gushincë, ku katër policë të Maqedonisë u zunë rob në stacionin e këtij fshati kufitar.

Lexojeni të plotë komunikatën e UÇK-së:

Diskriminimi dhe shtypja e shqiptarëve në Maqedoni është bëre e padurueshme.

Dekadenca dhe paaftësia politike, diskriminimi ekonomik, kulturor e social e ka bërë të pashmangshëm rizgjimin e U.Ç.K-së.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë policëve, sidomos atyre shqiptarë që menjëherë të dorëzojnë uniformat dhe te bashkëngjiten kryengritjes.

Thirrje e veçantë i bëhet dhe ushtarëve që menjëherë të marrin anën e popullit e jo te oligarkëve fashistë qe do i dërgojnë drejt vdekjes.

I bëjmë thirrje gjithë faktorit politikë që menjëherë të ngrijnë aktivitetin e vetë në Maqedoni.

Fitorja e parë e U.Ç.K-së në Gushincë na jep vullnet për fitore të tjera dhe më të mëdha e të lavdishme.

Popullin shqiptarë po e presin ditë të mira.

Presim përkrahje të shqiptarëve kudo që janë.

Komandant Flamuri

Maqedoni

21.04.2015

Incidenti në Gushincë, Ivanov thirrë mbledhje

Presidenti Gjorge Ivanov thirri një mbledhje, në të cilën të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me mbrojtjen, sigurinë e vendit dhe shërbimet e kundërzbulimit, do të informojnë krerët e shtetit për ngjarjet aktuale.

Takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentit, pas kthimit në vend edhe të kreut të Qeverisë dhe të Kuvendit. Data e mbajtjes së takimit do  të njoftohet në të ardhmen, në një njoftim të radhës nga Presidenca. Alsat-M

LSDM: Gushinca, skenar në regji të pushtetit

LSDM-ja opozitare ka dënuar sulmin e sotëm në stacionin policor në Gushincë të Komunës së Likovës.

Nënkryetarja e LSDM-së Frosina Remenski vlerëson se incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti me qëllim shmangien e pushtetarëve nga përgjegjësia penale. Remenski thotë se të gjithë ata që ndihmojnë këtë skenarë, janë bashkëpunëtorë në tentativën për shfajësimin e pushtetit nga veprat e mundshme kriminele që po zbardhen me anë të bombave të opozitës.

“Tentativa për të përfshirë Maqedoninë në konflikt etnik të paguar, drejtuar dhe iniciuar me vetëdije si skenarë për shmangien e pushtetit nga përgjegjësia penale, është akt tradhtar dhe anti-shtetëror i të gjithë të përfshirëve, kundër popullit dhe shtetit të vetë. Çfarëdolloj përgatitje, mundësim, ndihmë ose pjesëmarrje e vetëdijshme në dhunë të tillë, por edhe të formave të tjera, përbën akt ndihmese të drejtpërdrejtë në anashkalimin e përgjegjësisë të këtij pushteti kriminal. Skenari i paguar dhe i përgatitur mediatikisht i pushtetit për nxitjen e mos tolerancës ndër-etnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodh dhe që mund të ndodhë”, tha Frosina Remenski, Nënkryetare e LSDM-së. Alsat-M

Incidenti në Gushincë, autoritetet kosovare mesazh Maqedonisë

Kosovës hedhin poshtë pretendimet e homologëve nga Maqedonia se grupi i dyshuar që ka sulmuar stacionin policorë të Goshincës, mund të ketë qenë nga Kosova.

Pavarësisht se një gjë e tillë nuk theksohej në mënyrë të prerë, autoritetet e Maqedonisë aluduan se sulmuesit flisnin shqip, me serbizma, duke lënë të ku7ptohej se ata mund të ishin formacion UÇK-je nga Kosova

“Policia e Kosovës ka planin operativ për mbulimin dhe kontrollin e vijës kufitare, duke përfshirë patrullimet e përbashkëta me zyrtarët kufitarë të Maqedonisë dhe mund të konfirmojmë se gjatë realizimit të detyrave policore nuk është vërejtur asnjë element apo lëvizje e individëve apo grupeve të dyshuara nga Republika e Kosovës drejt Maqedonisë dhe anasjelltas”.

Sipas policisë së Kosovës, forcat e saj vazhdojnë të përmbushin detyrën për menaxhimin dhe kontrollimin kufitar, me qëllim parandalimin e krimit trans-kufitar. Nga ana tjetër, edhe Ministria e Jashtme e Kosovës e dënuan aktin, duke ofruar madje edhe ndihmë në hetimin e rastit.

“Ministria e Jashtme dënon ashpër çdo akt të dhunshëm ndaj organeve të rendit në Republikën e Maqedonisë, dhe njëkohësisht bën thirrje për hetim të paanshëm dhe profesional. Ministria e Jashtme shpreh edhe gatishmërinë të ndihmojë autoritetet maqedonase në gjetjen e autorëve të këtij akti”.

Sipas reagimit të Prishtinës Zyrtare, Republika e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon, mbetet e përkushtuar në avancimin e frymës së fqinjësisë së mirë duke respektuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Maqedonisë si shtet fqinjë, si dhe të implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.  Alsat-M