Fred Abrahams: Elita politike në Shqipëri, e prirur tek interesat e veta

FredAutori i një libri të ri për Shqipërinë që botohet sot, kritikon elitën politike shqiptare të 25 viteve të fundit si më e prirur nga  interesat vetjake sesa për t’i shërbyer vendit.

Fred Abrahams, i Organizatës Human Rights Watch, punoi 15 vjet për të shkruar librin  “Modern Albania: From Dictatorship to Democracy in Europe”, “Shqipëria Moderne: Nga Diktatura në Demokraci në Evropë”, që mbulon periudhën nga 1990 deri në 2014. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Abrahams që ka jetuar edhe vetë në Shqipëri, flet për dokumentat e qeverisë amerikane rreth asaj kohe, për gjetjet që e befasuan më shumë dhe këndvështrimin e tij për protagonistët e politikës shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Abrahams, në Shqipëri janë shkruar shkumë libra veçanërisht për gjysmën e parë të viteve ’90. Çfarë të reje mendoni se sjell libri juaj përsa i takon letërsisë së periudhës së tranzicionit në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit?

Fred Abrahams: Mendoj se ky libër është një pjesë e mozaikut. Janë shkruar shumë libra nga shqiptarët dhe nga të huaj dhe do të ketë edhe të tjerë, prandaj ky është një kontribut për të kuptuar këtë periudhë. Në këndvështrimin tim, deri sot askush nuk ka analizuar të gjithë periudhën nga viti 1990 deri në 2014. Gjithashtu unë kisha një avantazh të veçantë: Isha i jashtëm, por disi edhe i brendshëm. Pra unë isha në Shqipëri për shumë nga këto vite, arrita të njoh shumë prej protagonistëve të procesit politik, por isha edhe një vëzhgues i jashtëm. Kështu që shpresoj që libri të sjellë një perspektive të pavarur, por që përfshin të kuptuarin e detajeve dhe nuancave të shoqërisë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Libri përfshin kërkime të shumta për një periudhë të gjatë kohe. Çfarë ndikimi pati qasja tek dokumentat e qeverisë amerikane dhe intervistat me protagonistët amerikanë, tek forma që mori libri?

Fred Abrahams: Pati një ndikim shumë të madh. U deshën 15 vjet që unë ta mbaroja librin dhe avantazhi në këtë drejtim ishte se të jep kohë që të kesh qasje në dokumenta përmes Aktit për Lirinë e Informimit, prandaj unë kërkova dokumenta nga Departamenti i Shtetit, madje edhe nga CIA dhe pas një periudhe 15 vjeçare arrita t’i marr disa prej tyre. Ato ofrojnë një dritare të veçantë dhe një vështrim të brendshëm tek pikëpamjet dhe analiza e qeverisë amerikane për këtë periudhë. E njëjta gjë vlen edhe për të intervistuarit. Unë arrita të flas me pothuajse të gjithë zyrtarët kryesorë amerikanë që nga ambasadori Ryerson, Christopher Hill, shumë  nga ambasadorët e tjerë që shërbyen në Tiranë dhe kjo falë kohës që u desh për të shkruar librin. Unë arrita t’i kontaktoja, të ulesha me ta dhe të flisja me ta. Diçka që duhet të theksoj është se ishte avantazhi i kohës që më dha mundësinë të flisja me shumë nga protagonistët kyçë të Shqipërisë, sepse në një hark të tillë kohor, njerëzit ishin në pushtet, pastaj jo më, u kthyen në pushtet dhe e humbën përsëri dhe unë isha në gjendje që të prisja momentin e duhur që të flisja me ta kur nuk ishin në pushtet dhe ky është një avantazh i rëndësishëm sepse njerëzit janë më lirshëm të flasin dhe sjellin perspektivën e tyre sepse së pari kanë më shumë kohë në dispozicion dhe së dyti nuk janë të kufizuar nga posti.

Zëri i Amerikës: Ju i jetuat vetë disa nga këto ngjarje dhe më pas bëtë kërkimet për të njëjtat ngjarje. Çfarë ju befasoi më shumë nga ato që gjetët?

Fred Abrahams: Një nga befasitë ishte se sa rëndësi kishte rajoni për qeverinë amerikane. E dinim pak a shumë, por në dokumenta kjo doli në pah vazhdimisht. Po sjell një shembull: Në fillimet e hershme të Partisë Demokratike, në ditët e para të vitit 1990, PD-ja po fliste me një gjuhë shumë të fortë për Kosovën, madje edhe për ndryshim kufijsh dhe bashkimin e territoreve me shqiptarë. Kjo nuk u prit mirë në Uashington. Në atë kohë, në kushtet e luftës në ish-Jugosllavi, kishte një presion të madh kundër lëvizjeve nacionaliste. Kur Gramoz Pashko dhe Sali Berisha vizituan për herë të parë Shtetet e Bashkuara në vitin 1991, pati shënime (nga amerikanët) lidhur me atë vizitë ku thuhej se “jemi të shqetësuar nga disa nga qëndrimet e PD-së” në atë kohë. Me kalimin e kohës, Partia (Demokratike) e moderoi qëndrimin në përputhje me komunitetin ndërkombëtar dhe kjo del shumë qartë në dokumentat amerikane.

Zëri i Amerikës: Ju keni edhe një kapitull për luftën e Kosovës në libër në lidhje me zhvillimet në Shqipëri. Le të qendrojmë pak tek rajoni. Gjendja vazhdon të jetë e brishtë edhe pas kaq vitesh dhe tensionet e fundit në Maqedoni e dëshmojnë një gjë të tillë, apo jo?

Fred Abrahams: Kanë kaluar shumë vjet nga marrëveshja e Ohrit dhe lufta në ish-Jugosllavi por tensionet vazhdojnë të jenë shumë të larta dhe dhuna në Kumanovë e tregon qartë këtë. Marrëveshja e Ohrit pothuajse e ngriu konfliktin dhe në Maqedoni nuk është arritur që të zgjidhen problemet kryesore të marrëdhënieve ndëretnike dhe të drejtave të njeriut në atë vend. Prandaj dhuna që pamë në Kumanovë ishte për fat të keq e parashikueshme dhe druhem se do të vazhdojë, nëse thelbi i këtyre problemeve: ndërtimi i Maqedonisë si shtet ligjor, ndërtimi i institucioneve demokratike në Maqedoni, nuk zgjidhet së shpejti.

Zëri i Amerikës: Libri juaj flet për pothuajse të gjithë protagonistët politikë në këto 25 vitet e fundit. Megjithatë më korrigjoni nëse e kam gabim, ju kritikoni më ashpër ish-Presidentin Berisha. Por klima e acaruar politike që vazhdon të ekzistojë në Shqipëri tregon se problemet janë shumë më të gjëra sesa një person i vetëm. Si e arsyetoni portretizimin e zotit Berisha në libër?

Fred Abrahams: Libri është shumë kritik ndaj Sali Berishës, kjo nuk ka diskutim. Unë mendoj se ai bëri gabime kritike, pasojat e të cilave vazhdojnë ende. Por mendoj se është e gabuar të thuhet që libri nuk është kritik ndaj protagonistëve të tjerë. Është kritik ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Është gjithashtu shumë kritik ndaj Partisë Socialiste, Fatos Nanos dhe udhëheqësve të tjerë socialistë. Periudha e qeverisjes socialiste në vitin 1998 ishte e mbizotëruar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni dhe kjo është trajtuar me detaje të hollësishme në libër. Sipas mendimit tim, çështja nuk është a po kritikohet një palë, apo një tjetër, ose një individ apo një individ tjetër Është një vështrim kritik ndaj elitës politike të Shqipërisë dhe kjo për arsyen sepse udhëheqësit e Shqipërisë i shohin së tepërmi postet e tyre, si shanse për mundësi në vend të përgjegjësisë. Dhe kjo është e përgjithshme, i tejkalon përkatësitë politike. Sali Berisha ka qenë lojtari kryesor politik në historinë post-komuniste të Shqipërisë dhe nuk po hezitoj ta kritikoj atë, por unë kritikoj po njëlloj edhe lojtarët e tjerë politikë.

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e komunizmit dhe ende po flasim për tranzicion. A nuk është një periudhë shumë e gjatë për një tranzicion dhe çfarë përgjegjësie ka pikërisht elita politike për mosarritjen ende të objektivave të integrimit dhe demokracisë?

Fred Abrahams: Çdo vend që del nga katër dekada të një diktature aq të errët dhe shtypëse si Shqipëria, do të kalojë një tranzicion të gjatë dhe të vështirë. Është naive të mendosh se demokracia vjen thjesht nga zgjedhjet e lira dhe ekonomia e tregut. Jo, duhet të ndërtosh institucione dhe një kulturë të demokracisë. Unë mendoj se Shqipëria ka përparuar shumë në këto 25 vjet por mendoj se ka ende shumë për të bërë dhe kjo është edhe pika qendrore e librit. Nuk bëhet fjalë të krahasosh Shqipërinë e sotme me Shqipërinë e së kaluarës. Sigurisht që Shqipëria është shumë më mirë sot. Por a ka ecur aq përpara sa ç’mund të kishte ecur? Përgjigjia ime është jo, është që Shqipëria mund të ishte duke u zhvilluar më shumë, mund të ishte më demokratike, më e begatë dhe libri është një përpjekje për ta analizuar këtë, jo për të hedhur fajin. Bëhet fjalë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto 25 vjet, çfarë është bërë mirë, çfarë mund të ishte bërë më mirë dhe shpresa është që të nxirren disa mësime për të nxitur një të ardhme më demokratike dhe më të begatë.

Zëri i Amerikës: Atëherë çfarë duhet të bëjë klasa e sotme politike për të përshpejtuar këtë përparim?

Fred Abrahams: Për mendimin tim, klasa politike duhet të kritikohet ashpër, sepse shumë shpesh ata i shohin postet si një mundësi për t’u pasuruar dhe jo si një mundësi për shërbim publik, ose i shërbejnë një segmenti të ngushtë të shoqërisë, çka do të thotë përkrahësve të tyre politikë ose partisë së tyre dhe jo Shqipërisë si vend dhe kjo është kritika ime themelore e klasës politike shqiptare deri më sot: Mosmarrja e përgjegjësisë për atë që ka nevojë vendi dhe për të ecur përpara. Klima vazhdon të jetë shumë partiake, e shpërqendruar nga lufta politike në vend që të përqendrohet tek një vizion strategjik për ekonominë e Shqipërisë, për ushtrinë, sistemin e arsimit dhe shëndetësisë, çështjet themelore që prekin shumë njerëz, për të cilat interesohen shumë shqiptarë dhe deri tani udhëheqësit politikë dhe partitë politike nuk e kanë pasur atë vizion të gjerë, vizioni ka qenë shumë partiak.

Zëri i Amerikës: Duket se vetë shoqëria ka rënë në një apati, sidomos së fundmi. Cili është mendimi juaj për vetë mentalitetin e shoqërisë dhe se si mund të ushtrojë ajo presion ndaj klasës politike për ta përmirësuar gjendjen?

Fred Abrahams: Për mendimin tim, zhvillimi politik i Shqipërisë varet nga dy faktorë kryesorë. Së pari nga udhëheqës dhe politikanë që të marrin përgjegjësinë dhe ta shohin vendin si një të tërë dhe të veprojnë për të mirën e gjithë vendit. Së dyti është kultura demokratike nga poshtë sepse për një kohë shumë të gjatë tradita e qytetarëve shqiptarë ishte që të prisnin nga lart, kjo është trashëgimia e diktaturës. Dhe deri më sot, aktivizimi i qytetarëve nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ka pasur disa nisma të rëndësishme dhe shumë të mirë por jo të mjaftueshme. Demokracia është më shumë sesa zgjedhje. Udhëheqësit politikë nuk do të ndryshojnë deri kur qytetarët ta kërkojnë këtë ndryshim, në kutitë e votimit por edhe nga një zgjedhje në tjetrën. Dhe deri tani mendoj se marrëdhënia është ende shumë pasive, një trashëgimi e komunizmit, në vend të një marrjeje përgjegjësie që kërkon demokracia.

Zëri i Amerikës: Në gjithë këto vite, Partia Socialiste dhe ajo demokratike e kanë mbizotëruar relievin politik. Por nga ana tjetër është elektorati që ka votuar për to. Pra ç’do të thotë fakti që këto dy parti kanë mbizotëruar skenën politike por edhe fakti që votuesit duket se janë dakord me një gjë të tillë?

Fred Abrahams: Mbizotërimi i këtyre dy partive nuk është i shëndetshëm për demokracinë e Shqipërisë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kontroll politik, por edhe për kontroll ekonomik dhe biznesi nga ana e dy partive. Dhe për mendimin tim, kjo nuk ka lejuar grupe dhe parti më të vogla që të dalin në pah, sepse është e vështirë që të thyesh monopolin e pushtetit që kanë këta dy lojtarë të fuqishëm. Unë e shoh si trashëgimi të komunizmit sepse kishim dy forca kryesore sociale nga katër dekadat e fundit, që do të thotë Partia e vjetër e Punës dhe lëvizja e re, brezi i ri që u shfaq në vitin 1990. Sfida për Shqipërinë tani është krijimi i një hapësire për të pasur një pluralizëm zërash, sepse besoj se qytetarët do t’i mbështesnin grupet e tjera dhe parti të tjera politike nëse do të kishin shansin të dilnin në pah dhe të luanin një rol. Dhe një mendim i fundit: Unë mendoj se megjithëse PD-ja dhe PS-ja gjithë kohës sulmojnë njëra-tjetrën dhe kanë një rivalitet të fortë, ka një lloj marrëveshje të pashprehur mes tyre dhe të dyja palët janë dakord me mbizotërimin e sistemit dypartiak. Në këtë kuptim, ato ndihmojnë njëra-tjetrën sepse mund ta këmbejnë pushtetin mes njëra-tjetrës.

Sergei Lavrov mbështet Serbinë në qasjen ndaj Kosovës

lavrovMinistri i jashtëm rus tha se është “i shqetësuar me shtimin e diskutimeve për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe”.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti në Beograd mbështetjen e Rusisë për qasjen e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, duke i cilësuar, siç tha absurde përpjekjet e atyre që bënë regjinë e shkëputjes së Kosovës nga Serbia pa kurrfarë referendumi, të vënë në dyshim vullnetin e shprehur të qytetarëve të Krimesë që t’i bashkohen Rusisë.

Ministri rus, i cili po qëndron për një vizitë dyditëshe në Beograd tha se deri vonë askush nuk kishte menduar se mund të ndodhnin ngjarje të tilla si në Kumanove, duke ju referuar përleshjeve të fundjavës në atë qytet të Maqedonisë.

“Kam shprehur shqetësimin me shtimin e diskutimeve për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe. Kjo është rrugë drejt konfrontimeve të hapura në Ballkan dhe nuk mendoj që cilido politikan do të guxonte të fliste për këtë dhe të bënte thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Jemi të shqetësuar edhe për Maqedoninë dhe faktit se ngjarjet e atjeshme mund të jenë shprehje e ambicieve terroriste të përgatitura mirë. Jemi të shqetësuar për Kosovën dhe Bosnjën. Shteti islamik tashmë është aktiv në Ballkan dhe jam i sigurt që Brukseli e sheh është por si në turp e pranon se e di çfarë po ndodhë në Ballkan”, tha ministri Lavrov.

Ai i vlerësoi lidhjet e Rusisë me Serbinë, ndërsa mirëpriti sic tha deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, se Serbia nuk do t’i “sakrifikojë” marrëdhëniet e saj me Rusinë, për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Ministri Lavrov falënderoi serbët dhe presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç, për pjesëmarrje në festimet e 9 majit në Moskë, me të cilat u shënua 70 vjetori i fitores së aleatëve kundër Gjermanisë Naziste në Evropë.

Pjesëmarrja në atë manifestim ishte vendim i presidenti serb, me gjithë kërkesat që i ishin bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk morën pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. voa

Shtohet numri i forcave policore në Kumanovë

policia kumanoveTë premten në Kumanovë është shtuar numri i forcave policore nëpër rrugët kryesore dhe para institucioneve shtetërore. Gjendja ka shqetësuar banorët. Autoritetet nuk bëjnë shpjegime, përveç asaj se po marrin masa sigurie. Ndërkaq, një pjesë e medias spekullon se forcat e shtuara të sigurisë ndërlidhen me kërcënimet eventuale të njërit prej pjesëtarëve të grupit të armatosur, i cili mundi t’i arratisej policisë.

Personi i quajtur Sulejman Osmani ka folur për mjete të informimit ku ka thënë se pasi i ishte dorëzuar policisë speciale maqedonase ishte detyruar t’ua zbulojë atyre vendin e armatimit, në një fshat të zonës së Karadakut dhe, ndonëse i prangosur, kishte arritur të arratisej.

Por, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka hedhur dyshim për të kaluarën e këtij personi gjatë konfliktit të vitit 2001, dhe ka shprehur habi se si mundet një njeri me pranga në duar të arratisej!

Zoti Ahmeti në një intervistë dhënë televizionit Alsat-M në Shkup ka bërë të ditur për përpjekjet e tij që të negociojë dorëzimin e grupit të armatosur, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pasi i ishte kërkuar ndihmë me telefon nga vetë grupi. Zoti Ahmeti tha se përmes njerëzve të partisë së tij ka njoftuar institucionet përkatëse dhe Ambasadën e SHBA-së dhe përfaqësinë e OSBE-së, gjithashtu, në lidhje me kërkesën e grupit për t’u dorëzuar pa kushte. Sipas, tij, njëzetë e gjashtë pjesëtarë të grupit të armatosur janë dorëzuar, por gjatë kësaj, ka pasur komplikime, me gjasë mosmarrëveshje tek një pjesë e grupit të armatosur dhe se në këtë kohë janë vrarë edhe dy ose tre policë.

Zoti Ahmeti ka pranuar se qysh para këtij konfikti, kishte pasur dijeni për synimet për krijimin e destabilizimit në Maqedoni dhe kishte dërguar një zyrtar të partisë së tij që të bisedonte me Sami Ukshinin, të njohur si komandant Sokoli, për të hequr dorë nga veprimet e tilla dhe ai, Sokoli, të ishte shprehur se nuk ishte pjesë e ndonjë plani të tillë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Rendit thonë se nuk ka pasur asnjë lloj negociatash me grupin terrorist, siç e quajnë ata, për t’u dorëzuar.
Policia maqedonase ka njoftuar se nga dhjetë të vrarët në Kumanovë kanë arritur të zbulojnë identitetin e dy vetave dhe ata janë Mirsad Ndrecaj me nofkën Komandant Nato dhe Begë Rizaj që është konfirmuar nga zyra e Interpolit në Shkup.

Megjithatë, një pjesë e medias shpreh mosbesim ndaj njoftimeve të zyrtarëve qeveritarë maqedonas lidhur me ngjarjet e përgjakshme në Kumanovë. Ka që shprehin dyshime se rasti mund të ishte i sajuar nga vetë struktura maqedonase të sigurisë për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike dhe skandali i përgjimeve dhe për të frikësuar, njëkohëshisht, popullatën që të mos i bashkohej opozitës në protestat për rrëzimin e pushtetit. voa

Gjermania e shqetësuar për krizën në Maqedoni

kumanoveI ngarkuari për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjemranisë, Ernst Reichlet, gjatë qëndrimit në Shkup(15.05), dërgoi mesazhe për qeverinë dhe opozitën në Maqedonin të përfshirë nga kriza e thellë politike.

Gjermania kërkon nga pushteti hapa konkretë drejt zbardhjes së aferës së përgjimeve, që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe politizimin e institucioneve. Gjermania është thellësisht e shqetësuar për krizën politike që po kalon vendi dhe aksionin në Kumanovë, ka thënë Ernst Reichelt duke shpresuar se zhvillimet e fundit nuk do të tensionojnë mardhëniet ndëretnike. “Jemi të inkurajuar që pamë se si qytetarët në Kumanovë, nga të gjitha bashkësitë etnike, u bënë bashkë gjatë incidentit”, ka thënë Rajhell.

Pozita dhe opozita duhet t’i ndajnë përgjegjësitë

Ai ka zhvilluar takime veçmas me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Popovski dhe zëvëndëskryeministrin për Eurointegrime, Fatmir Besimi. “Gjetja e një rruge për dalje nga kjo krizë e rëndë, kërkon që qeveria dhe opozita të tregojnë përgjegjësi por njëkohësisht edhe ta ndajnë përgjegjësinë. Ndaj ne e kemi mirëpritur dhe e mbështesim takimin e katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni në praninë e BE-së dhe SHBA-së. Kjo është shpresa jonë e sinqertë, se ky format do të çojë në marrëveshje për të rivendosur besimin në institucionet e vendit dhe proceset demokratike”, u shpreh Reichelt.

Reichelt i inkurajoi bashkëbiseduesit në Shkup që të angazhohen në mënyrë më aktive në procesin e ndërmjetësimit të treshes së Parlamentit Europian. Ky angazhim sipas diplomatit gjerman, para së gjithash ka të bëjë me respektimin e standardeve europiane të sundimit të ligjit, transparencës dhe drejtësisë. Si lider europian, Gjermania kërkon që qeveria e Shkupit të marrë në konsideratë në mënyrë konkrete dhe thelbësore, akuzat e shumta për abuzime serioze të qeverisë, që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike. “Dorëheqjet e fundit të ministrave të qeverisë dhe të Drejtorit të Sigurimit mund të jenë hapat e parë të rëndësishëm për të filluar rikthimin e besimit të publikut dhe për t’i adresuar problemet më themelore të cilat janë bërë të dukshme. Që kjo të jetë e mundur, janë të nevojshme masa të tjera në të ardhmen”, shprehet Rajhell.

Ai pret një hetim të pavarur gjyqësor dhe të besueshëm për të gjitha akuzat që janë shpalosur në opinion e në veçanti akuzat që kanë të bëjnë me sjelljen korrupitive të qeverisë, ndikimin në gjyqësor si dhe integritetin e procesit zgjedhor. Të gjithë bashkëbiseduesve në Shkup, Reichelt, me theks të veçantë ia ka apostrofuar rëndësinë e ekzistimit të pavarësisë së mediave, pavarësi e cila do të ndihmonte që të gjitha proceset të zhvillohen në mënyrë transparente dhe të besueshme.

Gjermania mbështet protestat paqësore dhe pa dhunë

Në funksion të paralajmërimit të protestave dhe kundër-protestave të opozitës dhe pozitës, për ditën e dielë dhe të hënë (17.05/18.05), Reichelt thotë se Gjermania mbështet plotësisht të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, duke përsëritur thirrjen për të gjitha palët, që të përmbahen nga dhuna në këto protesta. (dw)

Bieber: Fantazma e Shqipërisë së Madhe shërben për të krijuar frikë

Eksperti i Europës Juglindore Florian Bieber mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, sfondin politik dhe jo etnik të ngjarjeve në Kumanovë dhe rrezikun e një destabilizmi të rajonit.

DW: Shkallëzimi i situatës në fundjavë në Kumanovë risolli ndërmend pamje si ato të vitit 2001 në kohën e shpërthimit të konfliktit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Çfarë mund të thuhet për sfondin e këtij konflikti dhe a ka rrezik që ai të kthehet në një konflikt me afatgjatë?

Florian Bieber: Sfondi i këtij konflikti është në të vërtetë kriza e demokracisë në Maqedoni. Prej muajsh opozita publikon regjistrime kompromentuese të bisedave mes anëtarëve të qeverisë, që tregojnë për korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe manipulimin e mediave e gjykatave. Konflikti në Kumanovë pason këto zbulime dhe protestat e mëdha të qytetarëve. Prandaj atë duhet ta shohim në këtë kontekst. Ndërhyrja e policisë në Kumanovë duket e dyshimtë dhe ngre shumë pyetje. Duket sikur qeveria do që të tërheqë vëmendjen nga kriza. Edhe pse është shumë e vështirë të thuhet se çfarë ndodhi vërtet në Kumanovë, shkaku duhet kërkuar më shumë në krizën e brendshme politike se në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

DW: Zëra se qeveria ka si qëllim të tërheqë vëmendjen nga kriza ka pasur. Sa përgjegjësi mban qeveria Gruevski për gjendjen atje?

Bieber: Nëse qeveria ka përgjegjësi direkte, nuk dihet, por ajo ka krijuar një klimë mosbesimi dhe një linjë nacionaliste që përjashton jo vetëm shumë shqiptarë, por edhe shumë maqedonas. Momenti i konfliktit në Kumanovë pas fajësimeve të opozitës dhe protestave, të le të dyshosh se Kumanova nuk ka ndodhur rastësisht dhe se ka lidhje me krizën e brendshme

DW: Ka rrezik të destabilizimit të Maqedonisë siç përmendet shpesh së fundmi në media?

Bieber: Arsyeja kryesore e destabilizimit në Maqedoni buron nga qeveria e saj. Kumanova është vetëm një përpjekje për t’i ikur problemit të vërtetë. Nëse qeveria e ka planifikuar, toleruar apo Kumanova ishte një rastësi do ta zbulojmë në të ardhmen, por sjellja jodemokratike e qeverisë, fajësimet e besueshme të opozitës tregon se qeveria prej vitesh e keqpërdor shtetin për të ushtruar pushtetin e saj.

DW: Një grup shqiptarësh të armatosur, sipas qeverisë maqedonase, të ardhur edhe nga Kosova planifikonin sulme terroriste në vend. Cili është ky grup, i panjohur më parë në Kumanovë, dhe çfarë duan të arrijnë ata?

Bieber: Ne dimë shumë pak për këtë grup, dhe është ende herët të gjykojmë se sa real është një lloj grupimi i tillë.

DW: A duan vërtet të luajnë rol grupe kosovarësh në një konflikt të ri në Maqedoni?

Bieber: Ajo që mund të thuhet është se nuk ka interesa të dukshme të grupimeve kosovare që kanë interes për një konflikt të tillë. Gjendja sot është ndryshe nga viti 2001, kur lufta në Kosovë kishte vetëm dy vite që kishte përfunduar dhe e ardhmja e Kosovës ishte e paqartë. Dinamika e sotme është ndryshe nga ajo e para 14 viteve.

DW: Megjithatë aktualisht në disa media qarkullojnë sërish zërat për Shqipërinë e Madhe. Mediat serbe shkruajt ën menjëherë: “Lufta për Shqipërinë e madhe filloi”. Politika e Shqipërisë dhe Kosovës nuk shkon në këtë drejtim, orientimi është integrimi në BE. Kemi të bëjmë me fobinë e vjetër, apo është panik i qëllimshëm?

Bieber: Kryetituj të tillë për mua janë nxitje e rrezikshme e panikut. Nuk ka forca politike me peshë në këto vende që e propagandojnë këtë qëllim. Fantazma e Shqipërisë së Madhe shërben në radhë të parë për të krijuar frikë. Veç në Kosovë, ku kemi “Vetëvendosjen” që e propagandon këtë qëllim, nuk ka forca të rëndësishme që duan me dhunë një Shqipëri të Madhe. Prioritetet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, apo Shqipëri janë diku tjetër. Prandaj edhe konflikti i fundit mund të shpjegohet me politikën e brendshme dhe jo me ëndrrat për Shqipërinë e Madhe.

DW: Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç paralajmëroi së fundmi se destabilizimi i Maqedonisë do të destabilizonte të gjithë rajonin. Sa i madh është rreziku i vatrave të reja të ndezura në Ballkan?

Bieber: Deklarata të tilla janë të papërgjegjshme. Konflikti i Maqedonisë do parë brenda kontekstit të tij. Megjithëse shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Serbi komunikojnë me njëri-tjetrin, shqetësimet që ata kanë dhe qëllimet janë të ndryshme. Por sigurisht nuk ka dyshim që një destabilizim i Maqedonisë do të kishte pasoja negative për vendet fqinje, por është e gabuar t’i kërkosh arsyet e konfliktit të tanishëm tek tensionet etnike. Më shumë problemi qëndron tek tendencat autoritare dhe populiste të disa qeverive në rajon.

DW: Megjithatë shqiptarët në Maqedoni ende ankohen se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht. Pas një konflikti si në Kumanovë dhe gjendjes aktuale në vend, çfarë mund të thuhet sot për të?

Bieber: Po, është e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht. Përgjegjësia veçse këtu nuk qëndron vetëm tek partia qeverisëse VMRO-DPMNE, por edhe tek partneri shqiptar i koalicionit, BDI. Kjo marrëveshje paraqet bazën më të mirë për Maqedoninë, por zbatimi i saj ka kaluar në hije në vitet e fundit. Nuk bëhet fjalë për përmbajtje formale, por për substancën. Psh. projekti “Shkup 2014″ që e mbushi kryeqytetin me vepra të reja dhe monumente nxit vetëm identitetin kombëtar, por jo një shoqëri të hapur, siç është parashikuar në Marrëveshjen e Ohrit.

DW: Maqedonia kritikon BE-në që nuk tregon vëmendjen e duhur për këtë vend. Nuk duhet të bien më së voni tani pas ngjarjeve në Kumanovë këmbanat për BE-në në lidhje me Maqedoninë dhe gjendjen në rajon?

Bieber: Reagimet e BE-së lidhur me krizën në vend kanë qenë të dobta. BE e ka interpretuar gjendjen atje kryesisht si një konflikt mes qeverisë dhe opozitës. Në këtë kuptim BE ka çuar ujë në mullirin e qeverisë. Sigurisht që hapësira e veprimit të BE-së është e kufizuar për shkak të bllokadës greke për emrin, që pengon afrimin e Maqedonisë me BE. Pra si besueshmëria ashtu edhe aftësia e saj vepruese janë të kufizuara. SHBA gjen fjalë më të qarta në kritikën e saj ndaj qeverisë, dhe do të ishte mirë sikur edhe BE të ishte kaq e qartë, sepse nuk mund të jetë në interesin e BE-së që një vend kandidat të largohet nga standardet demokratike. Përplasja e përgjakshme në Kumanovë e tregon këtë rrezik, dhe të shpresojmë që më në fund BE do ta kuptojë se kërkohet një qëndrim më i qartë dhe më shumë angazhim.

Ndahet nga jeta Mbreti i Bluzit B.B. King

BBKingBota e muzikës ka humbur një ndër emrat legjendarë  – artistin amerikan të bluzit B.B. King. Ai u nda nga jeta dje në moshën 89 vjeçare, pas një karriere mbi 70 vjeçare si kitarist dhe kantautor, duke marrë famë si Mbreti i Bluzit.​

“Ekzaltimi ka marrë fund” dhe Mbreti i Bluzit s’është më. Por katalogu i tij artistik mbetet i pavdekshëm. Kjo këngë, ndoshta më e njohura ndër interpretimet e B.B.Kingut, mishëron mjeshtërinë e interpretimit në kitarë dhe zërin unik që e bënë atë një ndër artistët më të dashur të bluzit për breza të tërë.

BB King mbylli dje sytë dhe një karrierë që zgjati afro shtatë dekada. Ai ishte një ndër artistët më energjikë që deri në të 80-tat vazhdoi ture të ngjeshura me koncerte, ku elektrizonte turmat me interpretimet e tij. Dhe në çdo prezantim para spektatorëve ai kishte pranë dashurinë më të madhe të jetës: Lucillën, kitarën e tij që në duart e B.B.Kingut shndërrohej në një instrument magjik.

B.B. King kishte një stil unik: ai e pohonte vetë se e kishte të vështirë t’i binte kitarës dhe të këndonte njëkohësisht. Për rrjedhojë ai krijoi një stil interpretimi në formë dialogu – një bisedë intime me Lucillën: këndonte vargjet dhe i pasonte me tingujt e kitarës.

Ai lindi me muzikën në gjak: bir i moçalishteve të Misisipit, ku bluzi ishte kolona zanore e varfërisë dhe padrejtësisë që e shoqëronin jetën e argatëve afrikano-amerikanë. Një fillim modest për një talent që u ngjit në majat më të larta të karrierës muzikore: Ai është anëtar i Hollit të Famës së Bluzit, Hollit të Famës së Rok en Rollit dhe Hollit të Famës së Kantautorëve.

Ai ka interpretuar në shoqërinë e legjendave të muzikës, Atit të Shenjtë e presidentëve. Por ai ishte në elementin e tij para spektatorëve, me kitarën e tij, Lucillën në dorë, ku djali nga Misisipi sillte muzikën e moçalishteve në skenat ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij ai hipi mbi 15 mijë herë në skenë dhe mbetet në kujtesën e atyre që e kanë njohur apo ndjekur në interpretim, një ndër artistët më të ngrohtë dhe më argëtues. Sot bota e muzikës është pak më blu në mungesë të mbretit. (voa)

Zaev: Dëshmi për koalicionin e korruptuar

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev publikoi një tjetër skandal ku përfshihet kryeministri Gruevski. Nga bisedat telefonike të publikuara në bombën e 31-të të opozitës, dëshmohet se Gruevski ka blerë me paratë e Ministrisë së Brendshme, veturë të tipit “Mercedes” në vlerë prej 575 mijë eurosh.

Bisedat e publikuara sot dëshmojnë gjithashtu edhe kurdisjen e një tenderi në vitin 2011 për nxjerrjen e qymyrit, projekt me vlerë prej 20 milion eurosh.

Zaev publikoi edhe një bisedë mes Jankullovskës dhe Nikolla Todorovin, në të cilën pretendohet se synojnë të mbulojnë një shpërdorim prej 400 mijë eurosh në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë kohës kur ky dikaster drejtohej nga Bujar Osmani.

Zaev publikoi edhe një telefonatë mes shefit të shërbimit sekret në dorëheqje Sasho Mijallkov dhe zv/kryeministrit nga radhët e BDI-së Musa Xhaferi, ku ky i fundit kërkon tërheqjen e disa aparateve për pika karburanti, të konfiskuara nga policia.

Zaev publikoi edhe biseda të tjera që dëshmojnë sipas tij, se ministrat e dorëhequr kanë qenë vetëm realizues të përpiktë të urdhrave të kryeministrit Nikolla Gruevski.  Benjamin Arifi

 

MPB: Nuk janë 14 por 10 të vrarë nga grupi i armatosur, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj në mesin e të vrarëve

Mirsad + BeguMinistria e Brendshme ka konfirmuar zyrtarisht shkrimet e Alsat M se trupat e Mirsad Ndrecajt, i njohur si komandant NATO dhe Beg Rizajt, komandant Begu janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës. Identiteti i tyre ishte vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e Interpolit në Shkup. Siç njoftuam jo zyrtarisht dje, nga Ministria e Brendshme sot kanë konfirmuar se tek Ndrecaj janë gjetur edhe dokumentet e tij të identitetit. Policia thotë se është e sigurt edhe për identitetin e një tjetër të vrari, i cili është shtetas i Maqedonisë.

“Deri tani është konfirmuar pozitivisht identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova i ashtuquajtur Komandant NATO për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur. Arriti konfirmimi pozitiv për identitetin e Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova i njohur si komandant Begu. Nga të vrarët, është konfirmuar identiteti i Nusret Kaloshit i lindur më 18.04.1975, shtetas i Maqedonisë”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Në njoftimin publik nga MPB-ja shkruhet se vazhdon identifikimi edhe i trupave tjerë të gjetur. Por, numri i tyre nuk është 14 siç u deklarua fillimisht. Prikoruri publik i cili doli në vendngjarje për hetim, ka gjetur gjithsej 10 trupa të pajetë. Ky informacion vërtetohet zyrtarisht nga Zyra e Prokurorisë Publike që ndjek Krimin e Organizuar. Nga MPB-ja thonë se nuk kishte asgjë të pazakontë, sepse numri 14 i viktimave ishte fillestar, dhe mbështetej në bazë të asaj që ishte parë nga njësiti special, në orët e natës, në luftime. Përveç se është konfirmuar identiteti i Ndrecajt dhe Rizajt, nga MPB-ja thonë se vazhdon identifikimi edhe i 30 të arrestuarve të tjerë. Zyrtarisht, ajo që mund të shihet nga fotografitë e djeshme të aksionit, u konfirmua se në polici është Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli. Alsat M, që dje njoftoi se përveç Sokolit, MPB-ja në Kumanovë ka arrestuar edhe Muhamed Krasniqin i njohur si komandant Malisheva dhe komandant Junikun, Demë Shehun. Deri tani, policia nuk e ka konfirmuar lajmin, për shkak se sipas informatave jozyrtare, Malisheva dhe Juniku kanë dhënë identitet të rremë, dhe ende pritet konfirmim përfundimtar. Siç raportuam edhe dje, është thuajse e sigurt se të pesë personat që janë konsideruar si udhëheqës të grupit të Kumanovës, të gjallë ose të vdekur, janë në duart e policisë. Alsat-M

Seancë kuvendore për zgjedhje të ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Transportit

Kuvendi RMKuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet ta mbajë seancën e 50-të, të në të cilën në rend dite është Propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë. Seanca është caktuar pasi që mbrëmë kryeministri Nikolla Gruevski në Kuvend dorëzoi propozim të ministrave të rinj për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Mitko Çavkov dhe Vllado Misajllovski.

Paraprakisht Gruevski i pranoi dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, si dhe të drejtorit të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim Sasho Mijallkov.

Kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski seancën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë e caktoi për në orën 13:00. Pritet që Kuvendi t’i konstatojë edhe dorëheqjet e dy ministrave, pas së cilës kryetari i Kuvendit do ta elaborojë propozimin e tij deri te Shtëpia ligjvnënëse, Ministrat e rinj do të votohen nëse propozimi pranohet nga shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Mitko Çavkov, i cili është propozuar për ministër të ri është drejtor aktual i Zyrës për siguri publike, ndërsa Vllado Misajllovski, i propozuar për njeriun e parë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve është drejtor i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore.
Jankulloska, Janakieski dhe Mijallkov kanë dhënë dorëheqje pas akuzave të opozitës dhe publikimit të bisedave të përgjuara telefonike dhe krizës së shkaktuar politike në vend.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dha dorëheqje nga funksioni. Për vendimin Jankulloska me shkrim e ka njoftuar kryeministrin Nikolla Gruevski.
Në dorëheqjen e saj Jankulloska thekson se në periudhën e kaluar ka punuar në mënyrë profesionale dhe të përkushtuar duke u udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Maqedonisë. “Në këto ditë të vështira, kur Maqedonia është në krizë të thellë politike, vlerësoj se është koha të tërhiqem, duke besuar se tërheqja ime nga funksioni ministre e Punëve të Brendshme, do të kontribuojë për tejkalimin e saj, qëndron në dorëheqjen e ministres Jankulloska.

Edhe ministri Janakieski në dorëheqjen thekson se vlerëson se me tërheqjen e tij nga funksioni do të kontribuojë për stabilizimin e gjendjes politike në shtet. “Konsideroj se dorëheqja ime do të kontribuojë për stabilizimin e gjendjes politike në RM dhe do të mundësojë që vendi ynë të vazhdojë të hapërojë drejt BE-së dhe NATO-s”, thuhet mes të tjerash në dorëheqjen.

Mbrëmë nuk ka pasur koment zyrtar nga ana e LSDM-së dhe partive të tjera opozitare për dorëheqjen e Jankulloskës, Janakieskit dhe Mijallkovit. Nuk ka informnacion nëse deputetët e bllokut opozitar do të marrin pjesë në punën e mëtutjeshme të Parlamentit, edhe pse atë nga ata dje sërish e kërkuan disa ambasadorë të huaj, të cilët kanë qenë në takim me liderin e LSDM-së Zoran Zaev. (alsat)

Libertas: Ambasada amerikane i shpalosi Mijallkovit dhe Jankullovskës biseda mes DSK-së dhe grupit të armatosur në Kumanovë

gordana sashoDorëheqjet e Jankullovskës dhe Mijallkovit kanë pasuar pas një takimi që ata kanë pasur të hënën në mbrëmje në ambasadën amerikane në Shkup, raporton portali Libertas.

Sipas burimeve të afërta me ambasadën, në këtë takim Jankullovskës dhe Mijallkovit u janë dhënë regjistrime (incizime) nga kontaktet telefonike midis përfaqësuesve të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundëzbulimit (DSK) me grupin e komandant NATO dhe njerëzit e tij.

Siç thuhet më tej, aty u është dëshmuar përfshirja e DSK-së, e cila ka biseduar me grupin e armatosur në Kumanovë.

“Shqiptarë të punësuar në DSK kanë kontaktuar përmes telefonit me grupin, duke thënë se ata kanë kontaktuar me urdhër direkt të shefit të DSK-së, i cili ka pyetur se çfarë kompensimi kërkojnë që të tërhiqen. Praktikisht MPB ka hyrë në bisedime me ta”, thotë burimi i Libertasit.

Paralelisht me këtë, edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në marrëveshje me partnerët e koalicionit ka kërkuar ndihmë nga OSBE për të tërhequr tre persona të afërt me të që ishin pjesë e grupit, që më pas të negocion me ta.

“Gjatë takimit të sotëm në ambasadën amerikanë, edhe Ahmetit iu bë e ditur se komuniteti ndërkombëtar përmes këtyre incizimeve e ka të qartë edhe përfshirjen e Qeverisë në ngjarjet në Kumanovë dhe se aksionin e përgjakshëm MPB-ja e filloi kur veçse në terren kishin humbur jetën disa pjesëtarë të forcave policore”, bën të ditur burimi.

“Dorëheqjet që ndodhin sonte janë logjike pas takimeve të sotme mes ambasadorëve dhe zyrtarëve”, ka thënë burimi diplomatik, duke mos e bërë të qartë nëse edhe kryeministri Gruevski së shpejti do të japë dorëheqje, edhe pse sipas burimit ai ka pasur informatat për kontaktet e kushëririt të tij me grupin kriminal. (Libertas)