Uashingtoni bllokon llogaritë dhe pronat e politikanëve maqedonas?

shba-beShtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për t’i bllokuar llogaritë bankare dhe pronat e politikanëve maqedonas nga të gjitha eshallonet e pushtetit, si dhe të një numri të madh biznesmenësh të afërt me pushtetin, për të cilët ekzistojnë dyshime për krime dhe korrupsion, lajmëroi portali maqedonas “Ohridsky”.

Diplomat i paemëruar i lartë amerikan për portalin e ka konfirmuar lajmin, duke shtuar se rekomandim për të vepruar në mënyrën e njëjtë i është dhënë edhe Brukselit, respektivisht të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Bllokimi i llogarive dhe pronave të krerëve të politikës dhe biznesit në Maqedoni, sipas të njëjtit burim, do të zgjasë deri sa në vend të krijohet klimë stabile politiko-ekonomike dhe “deri në lirimin e organeve gjyqësore nga kthetrat e politikanëve”. /KosovaPress/

U NDANË TRI UNIVERSITETET NGA UP-JA

rektorati upSot u bë nënshkrimi zyrtar i ndarjes së Universiteteve publike të Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me këto marrëveshje do të rregullohet përfundimisht çështja e lëvizshmërisë së stafit akademik, statusit të punëtorëve administrativ, statusit të studentëve, buxhetit dhe çështje të tjera të rëndësishme për funksionimin e këtyre universiteteve.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për ndarjen e universiteteve të reja publike nga Universiteti i Prishtinës, u tha se tani ka ardhur koha që këto universitete të konsolidohen dhe të pavarësohen përmes një procesi, duke marrë përgjegjësitë në aspektin akademik, menaxherial dhe atë financiar. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme, pasi rregullojnë procesin e përfundimit të tranzicionit, ku secili universitet do të jetë plotësisht i pavarur.

“UP është pajtuar që të ndihmojë universitetet edhe më tutje me staf, të tregoj solidaritetin akademik brenda standardeve akademike, duke lejuar secilin profesor të UP-së që ët punojë edhe një ditë pune në një normë të caktuar 6 orë te universitetet e reja…”

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, tha se këto marrëveshje çojnë drejt stabilizimit të universiteteve dhe se është një ngjarje shume e rëndësishme edhe për institucionet të cilat janë në themelim.

“Këtë bartje të kompetencave menaxheriale mbi një pjesë të pasurisë, por edhe të një pjese të stafit ne do të shkëpusim bashkëpunimin, përkundrazi ai bashkëpunim është i nevojshëm edhe për ne, por edhe për institucionet që po themelohen. Natyrisht që përvojat tona gjithmonë do të jenë në përdorimin tuaj sa herë që nevojiten….”

Edhe rektorët e tjerë të Universiteteve Publike të Mitrovicës, Gjilanit dhe Gjakovës, shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm me Universitetin e Prisahtinës, deri sa ato të tejkalojnë të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohen. (rtk)

Prezantohet aplikacioni “Komisariati Dixhital”, Tahiri: Polici në dorën tuaj

aplikacion MPBMinistria e Brendshme, në bashkëpunim me atë të Inovacionit, prezantuan këtë të mërkurë aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ku qytetarët mund të denoncojnë në kohë reale një krim të çdo lloji.

Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se është bërë shumë në këto muaj të qeverisjes së majtë sa i përket rendit dhe integritetit të Policisë së Shtetit dhe këtë e tregojnë shifrat, por shtoi se “Komisariati Dixhital” është “polici inteligjent në dorën e çdo qytetari”.

“Kemi bërë shumë në këto muaj. Shifrat flasin vetë. Edhe shifrat e punonjësve të policisë të dënuar dhe proceduar për shkelje të detyrës dhe korrupsion. Por ne mendojmë që ‘Komisariati Dixhital’ është një epokë krejtësisht tjetër drejt gjeneratës së re të Policisë së Shtetit, policisë moderne”, shtoi Tahiri.

Ai theksoi se tashmë “qytetari ka mundësi jo vetëm të denoncojë, por edhe të mbikëqyrë veprimin e policisë mbi denoncimin e tij përmes këtij aplikacioni, si dhe të shikojë e ndjekë jo vetëm raportimin e tij, por edhe të qytetarëve të tjerë”.

/ Top Channel

Kryeministri serb Vuçiç, më 27 maj viziton Tiranën

rama-vucicKryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, do të zhvillojë më 27 maj një vizitë zyrtare në Tiranë, njofton gazeta “Danas”, duke iu referuar kabineteve të kryeministrave të Serbisë dhe Shqipërisë.

Sipas gazetës, të cilës i referohet KosovaPress, kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e një zyrtari serb në Shqipëri në nivelin më të lartë.

Mikpritës i kryeministrit serb do të jetë kryeministri Edi Rama, i cili më 10 nëntor 2014 qëndroi në Beograd, në vizitën e parë të një zyrtari të Shqipërisë në 68 vitet e fundit.

Duke paralajmëruar vizitën e Aleksandar Vuçiç, në Shqipëri, këshilltari i kryetarit të qeverisë së Shqipërisë (Shkëlzen Maliqi) thotë se kryeministrat Rama e Vuçiç “po trasojnë kthesën e rëndësishme në shtegun që do të jetë bosht paqeje e stabiliteti në rajon”.

/ Top Channel

Nishani pret Erdogan, marrëveshje në fushën e sigurisë

erdogan nishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili mbërriti në Shqipëri këtë të mërkurë për një vizitë zyrtare.

Erdogan kryeson një delegacion zyrtarësh dhe investitorësh turq të interesuar për investime në Shqipëri.

Pas takimit kokë më kokë, dy Presidentët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe u nxit thellimi i bashkëpunimit në fusha të tjera, por edhe përmirësimi i tij në sektorë ku ky bashkëpunim është prezent.

Presidenti Bujar Nishani, pasi falenderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët në rajon, vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Tiranës dhe Ankarasë.

“Marrëveshja për çështjetn e sigurisë e nënshkruar sot mes dy ministrave të Brendshëm të vendeve tona, i shërben bashkëpunimit dhe infrastrukturës në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin dypalësh mes dy vendve aleate në NATO në këtë fushë dhe i shërben aspiratave tona integruese e forcon pozitat tona në aleancën tonë të përbashkët”- deklaroi Nishani.

Nishani u ndal edhe tek ngjarjet e Kumanovës, ku bëri thirrje për transparencë dhe frenim të përpjekjeve për ta shndërruar këtë “incident të izoluar”, si një konflikt ndëretnik. Ai kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Ngjarja ka tronditur jo vetëm rajonin, por gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Bëjmë thirrje për zbardhjen e ngjarjes dhe një hetim transparent. Bëjmë thirrje për frenimin e menjëherëshëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë rast në një konflikt të paqenë ndëretnik dhe të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”- tha Nishani.

Objektiv është që shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë të prekin 1 miliard dollarë në të ardhmen dhe për këtë Nishani kërkoi thellimin e bashkëpunimit. Presidenti shqiptar vlerësoi rolin e Turqisë për ndërtimin e gazsjellësit TAP. “Ramë dakort mbi rëndësinë strategjike të TAP, jo vetëm për diversifikimin e burimeve të energjisë, por dhe mbi ndikimin pozitiv që ky projekt ka mbi ekonomitë e dy vendeve tona” – u shpreh presidenti Nishani.

Në orën 15:00, Erdogan do të përurojë nisjen e punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, ku Komuniteti Mysliman turk ka dhënë 30 milionë euro për ndërtimin e saj.

Më pas, në orët e pasdites Erdogan dhe Nishani do të marrin pjesë në forumin e përbashkët të biznesit Shqipëri-Turqi.

/ Top Channel

Pritet verifikimi i dorëheqjeve në Maqedoni

qeveria e mkKuvendi i Maqedonisë për në orën 13 ka caktuar seancën për votimin e ministrave të rinj, pas dorëheqjeve të ministres së Punëve të Brendshme,Gordana Jankullovksës dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

Ata në këto poste do të zëvendësohen nga Mitko Çavkov, aktualisht drejtor i Byrosë për Siguri Publike, dhe Vllado Misajllovski.

Jankullovska, Janakievski dhe drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, kushëri i kryeministrit, Nikolla Gruevski, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre të martën në mbrëmje, dorëheqje të cilat vijnë pas aksionit policor në Kumanovë dhe aferës së përgjimeve, ku edhe ishin personat më të apostrofuar nga ana e opozitës, për siç thuhet “përfshirje në veprimtari kriminale“.

Jankullovska dhe Janakievski në arsyetimet e dorëheqjeve të tyre nuk kanë përmendur aksionin policor në Kumanovë që përfundoi me 22 të vrarë, por kryesisht atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Në këto ditë të vështira, kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, vlerësoj se është koha të tërhiqem, me bindjen se dorëheqja ime nga funksioni, ministre e Punëve të Brendshme, do të kontribuojë në kapërcimin e saj“, thotë Jankulovska në arsyetimin me shkrim drejtuar kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Duke parë gjendjen politike në Maqedoni dhe të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje me biseda të montuara telefonike, ku nuk janë kursyer as anëtarët e familjes sime, dhe me qëllim që të mos ndikojë ndaj çfarëdo qoftë procesi, paraqes dorëheqje të parevokueshme nga posti i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve. Vlerësoj se me këtë dorëheqje do të kontribuoj për stabilizimin e gjendjes politike dhe vazhdimin e rrugës drejt integrimit të vendit në NATO dhe BE“, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes së Mile Janakievski.

Por, dorëheqjet e Jankullovskës dhe Janakievski janë të pamjaftueshme për liderin e opozitës, Zoran Zaev për zgjidhjen e krizës politike dhe të sigurisë.

Ai kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski,

“Ajo çfarë folëm deri tani, u vërtetua. Kjo është dëshmi jo vetëm për përgjimet, por edhe për autenticitetin e tyre. Kjo është dëshmi për përmbajtjen e bisedave të cilat vërtetojnë të gjithë shkeljet ligjore si dhe krimet e Nikolla Gruevskit dhe rrethit të tij të ngushtë në qeveri. Dorëheqjet e Jankullovskës, Janakievskit e Mijallkovit nuk janë qëllimi ynë final. Ky është vetëm hapi fillestar drejt fundit të Nikolla Gruevskit“, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

Dorëheqjet e dy zyrtarëve më me ndikim në qeverinë e kryeministrit, Gruevski pasojnë takimet që ky i fundit kishte me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shkup, të cilët drejtuan kritika të ashpra në adresë të qeverisë.

Ambasadori amerikan Jess Baily në emër të të gjithë diplomatëve perëndimorë, ka dënuar ashpër dhunën në Kumanovë, duke bërë njëkohësisht thirrje për përmbajtje, durim dhe qetësi gjatë tubimeve qytetare.

Diplomati amerikan nuk la pa përendur as “mos përkushtimin e qeverisë për zbardhjen e aferës së përgjimeve“, gjë që sipas tij do të ndikojë në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Diplomatët perëndimorë kishin takuar edhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev, dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti.

Të parit i dhanë mbështetje për protestat, por kërkuan kthimin e partisë së tij në Kuvend, ndërsa nga BDI-ja kërkuan angazhim për hetimin e kriminalitetit të përfaqësuesve qeveritarë, që u zbardhën nga publikimi i bisedave të përgjuara. (rel)

Dëmi digjital për Gjermaninë

paswordsSpiunazh industrial ka pasur gjithmonë. Por në epokën digjitale vjedhja e sekreteve të sipërmarrjeve është më e lehtë se kurrë. Spiunime bëhen nga shtetet dhe nga sipërmarrjet. Dëmi është gjigant.

Në mbi 50 miliardë euro në vit e vlerëson dega e ekonomisë digjitale Bitkom dëmin vjetor nga spiunazhi ekonomik. Ky është rezultati i një studimi të publikuar pak kohë më parë, i cili përpiqet për herë të parë të ndriçojë fushën e errët të spiunazhit ekonomik.

Për këtë u pyetën 1074 sipërmarrje me më shumë se 10 punonjës. Më shumë se gjysma e tyre bëri të ditur se është bërë njëherë viktimë e spiunazhit, sabotazhit ose e vjedhjes së të dhënave. 28 përqind shprehën dyshimin se i kanë spiunuar. Në vend të parë të objekteve të spiunimit është industria automobilistike, e ndjekur nga degët e kimisë dhe të farmaceutikës. Në vend të dytë dhe të tretë janë degët e financave dhe të sigurimeve.

Lidhja e përbotshme në rrjet e bën spiunimin më të lehtë se kurrë. Hajdutët e të dhënave nuk ka më nevojë që të hyjnë dhe të jenë të pranishëm fizikisht në ndërtesën e një zyre, në një laborator, në një institucion kërkimor. Nëpërmjet kabllove me fibra optike, piratët shtetërorë ose privatë të internetit mund të depërtojnë në sistemet e IT. Bashkëpunëtorë të pëkënaqur mund të kopjojnë sasi gjigante të dhënash dhe t’ia përcjellin ato konkurrencës.

Spiunimi pa kufi

Rritja e rrezikut nga spiunazhi ekonomik ka aktivizuar edhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Një broshurë e publikuar vitin e kaluar paralajmëron që në fjalinë e parë të parathënies, “spiunazhi ekonomik është një rrezik për t’u marrë seriozisht, por i cili megjithatë nëvleftësohet në botën tonë të globalizuar, të ndërthurrur.” Në mënyrë të posaçme Mbrojtja e Kushtetutës Gjermane paralajmëron për rrezikun nga “shërbime informative dhe të sigurisë me shumë bashkëpunëtorë të shteteve të tjera.” Mbrojtja e Kushtetutës përmend në këtë kuadër disa shërbime informative ruse dhe kineze, të cilat besohet se bëjnë spiunazh ekonomik të ngarkuara nga qeveritë përkatëse.

Njëkohësisht tërhiqet vëmendja, se edhe shtetet perëndimore i përgjojnë konkurrentët e tyre përmes shërbimeve informative.

Marcel Dickow është i mendimit se në fushën spiunazhit industrial, shumë gjëra peshkohen “si kapje aksidentale e aktiviteteve të tjera të spiunazhit”. Eksperti i kibernetikës i Fondacionit Shkenca dhe Politika mendon se instanca shtetërore angazhohen veçanërisht kur bëhet fjalë për “sulme të teknologjisë së lartë, ku bëhen përpjekje shumë të qëllimshme për të spiunuar sekrete të caktuara të sipërmarrjeve.”

Kampionë të fshehtë bote si objekt vëzhgimi

Ekonomia gjermane ofron një numër të madh objektesh me vlerë për t’u sulmuar. Shumë sipërmarrje të vogla ose të mesme janë lider në tregun botëror për produktin e tyre. Produktet gjermane përfaqësojnë përparim teknologjik dhe cilësi të lartë. Përgjimi dhe imitimi në këtë kuadër është më i lehtë se zhvillimi në laboratorin tënd.

Krahas dijeve teknologjike teknike, konkurrenca interesohet edhe për strategji marketingu dhe negociimi. Kështu pasja dijeni për oferta konkurruese në tendera ndërkombëtarë për trenat e shpejtësisë së lartë ose për avionë mund të përcaktojë dallimin midis suksesit në biznes ose dështimit. Këtë e pati fiksuar në një raport edhe Parlamenti Evropian që në vitin 2001. Raporti bënte fjalë për sistemin e përgjimit të përbotshëm amerikan, Echelon. Me shembuj konkretë: kështu NSA besohet se përgjoi komunikimin e Airbusit me partnerët arabë sauditë në negociata dhe ia përcolli të dhënat konkurentëve amerikanë McDonell-Douglas dhe Boeing. Në fund, biznesin prej gjashtë miliardash e fitoi McDonell-Douglas.

Në firmat e vogla gjermane, siguria e të dhënave nuk është ende pjesë e politikës së sipërmarrjes. “Por sipërmarrjet që preken njëherë mësojnë shumë shpejt”, thotë Marcel Dickow. Kjo është edhe e nevojshme, përballë tendencës për “Cloud-Computing” dhe “Industrisë 4.0″ me procece prodhimi të ndërthurrura. Sepse me çdo pikë takimi që shtohet, rritet edhe rreziku, që persona të tretë të mund t’i lexojnë të dhënat.

Shkarkohen dy ministra maqedonas

qeveriaMinistrja e brendshme, Gordana Jankulovska dhe ai i transporteve Mile Janakievski largohen nga qeveria. Largohet edhe shefi i shërbimit të zbulimit Sasho Mijalkov

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski shkarkoi ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankulovska  dhe ministrin e transporit, Mile Janakievski.

Mjetet maqedonase të informimit thanë se kryeministri Gruevski i ka propozuar parlamentit për ministër te ri të punëve të brendshme Mitko Çavkovin, aktualisht drejtor i byrosë për siguri publike ndërsa Vlado Misajlovskin për ministër të transportit. Njoftohet se edhe drejtori i drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijalkov ka dhënë dorëheqje.

Parlamenti pritet të mblidhet të mërkurën për të miratuar ndryshimet.

Ndryshimet në qeveri pasuan përleshjet e armatosura në Kumanovë, që lanë pas vetes 22 të vrarë por edhe krizën politike të nxitur nga afera e përgjimeve. (voa)

Mbizotërojnë paqartësitë në Maqedoni

shtepi e shkatruar 2Autoritetet maqedonase nuk japin shumë hollësi në lidhje me identitetin e personave të vrarë, të cilët thotë se i përkasin grupit të armatosur, në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë, ndërkohë që thonë se tre nga pesë udhëheqësit e grupit janë arrestuar.

Sipas organeve hetuese, sulmuesit synonin, mes tjerash, të minonin Urën e Gurit mbi lumin Vardar. Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive të dëmtuara. Ndërsa, diplomatët perëndimorë po përpiqen të ulin tensionet në Maqedoni.
Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur emrat e disa prej atyre që besohet të ishin pjesëmarrës në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë me forcat qeveritare maqedonase.

Autoritetet flasin për një pjesë të drejtuesve të grupit që janë arrestuar dhe, supas tyre, ata janë Muhamet Krasniqi i njohur si komandant Malisheva, Sami Ukshini apo komandant Sokoli dhe Demë Shehu i njohur si komandant Juniku.

Ndërkohë, zyrtarisht nuk thuhet gjë për katërmbëdhjetë trupat e gjetur, sipas policisë, pas operacionit në Kumanovë, por mjete të informimit të afërta me pushtetin spekullojnë se në mesin e të vrarëve të jetë dhe ai, që shërbimet maqedonase të zbulimit e konsiderojnë si udhëheqës të grupit, Mirsad Ndrecaj. Zyrtarët maqedonas thonë se po bëhet identifikimi nga mjeksia ligjore i personave të vrarë.

Nga ana tjetër, në Shkup janë shtuar debatet nëse grupi i armatosur, të cilin zyrtarët e këtushëm e quajnë terrorist, ishte i manipuluar nga qarqe qeveritare të Shkupit për të krijuar një lloj destabiliteti që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik nga kriza reale politike, apo të ishin mercenarë të paguar nga shërbime serbe dhe ruse, ose luftëtarë të kauzës kombëtare.

Faktori politik shqiptarë, si në Maqedoni dhe rajon, e ka dënuar dhunën dhe përpjekjet për destabilizimin e Maqedonisë që nuk përkon, sipas tyre, me interesin e shqiptarëve.

Ndërkohë, diplomatët me ndikim në Maqedoni janë angazhuar për të qetësuar gjendjen në këtë vend. Pas takimeve të djeshme me presidentin dhe kryeministrin , ambasadorët e SHBA, BE, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë e pritën në zyrat e Bashkimit Evropian në Shkup, Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ambasadori italian duke folur në emër të të gjithë kolegëve, tha se BDI-ja mban përgjegjësi për avancimin e vlerave dhe parimeve demokratike. Ambasadori Ernesto Belelli tha se BDI-ja e ka për detyrë të ndihmojë institucionet e vendit dhe të sigurojë hetimin e plotë, transparent dhe të besueshëm mbi manipulimet e zbuluara nga përgjimet.

“Tani, më shumë se kurdoherë BDI duhet të marrë qëndrim dhe të shfrytëzojë ndikimin e saj për të mirën dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi ambasadori italian në Shkup.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti iu shmang gazetarëve pas takimit. Drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare nuk kanë shkuar për t’i parë banorët e dëmtuar në Kumanovë, ndërsa në Kumanovë dje shkoi Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate maqedonase, i cili u mirëprit nga banorët shqiptarë të lagjes.

Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive që u dëmtuan gjatë operacioneve në Kumanovë. Është formuar një komision qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe premtimet janë që dëmshpërblimi i pronave të paluajtshme dhe të luajtshme të bëhet njëqind për qind. (voa)

Kumanovë: Verifikimi i dëmit në terren pas aksionit policor

Qeveria e Maqedonisë: Kompensim i plotë të dëmit, që u shkaktua nga askioni i policisë në fundjavë në Kumanovë. Opozita diskuton për ndryshimin eventualisht të strategjisë së protestës të dielën, por nuk e anulon atë.

shtepi e shkatruar

Gjendja në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku dy ditë me radhë ka pasur luftime dhe ku është zhvilluar aksioni policor, është qetë. Rrugët janë të mbushura me njerëz, banorët e lagjes kanë ardhur për të parë gjendjen e shtëpive të tyre. Pamjet nga objektet dhe pronat e shkatëruara janë më se tmerruese. Nga luftimet janë dëmtuar mbi 30 shtëpi.

Qeveria e Maqedonisë do t’i kompensojë 100 përqind të gjitha dëmet, që janë shkaktuar gjatë aksionit të policisë në Kumanovë, thotë ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, i cili së bashku me një delegacion qeveritar ka qendruar në Komunën e Kumanovës. “Jemi në Kumanovë me qëllim që t`iu vijmë në ndihmë banorëve të Kumanovës dhe të krijohen kushte për banim. Qeveria ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar, i cili brenda 7 ditëve do të dalë me raport dhe në bazë të tij do të kryhet zhdëmtimi i pronës së banorëve të kësaj lagjeje në tërësi, 100 për qind. Qeveria me këtë rast ka ofruar edhe ndihmë strehimi derisa të kryhet restaurimi i shtëpive, kompensimi financiar për qira dhe të tjera”, ka deklaruar ministri Shabani. Sipas planit të miratuar nga qeveria, nga 70 mijë euro kompensim përfitojnë familjet e policëve të vrarë. Kompensime financiare janë planifikuar edhe për të plagosurit, nga 35 mijë për çdo polic të plagosur.
Qeveria në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës dhe ndërmarrjet e ndryshme publike do të punojnë në krijimin e kushteve për banim dhe ndërtim, pastrimin e rrugëve, dezinfektimin e lagjes, rregullimin e rrjetit elektrik e kështu me radhë.

Ministria e Punëve të Brendshme tani për tani nuk e bën publik identitetin e personave të vrarë dhe të arrestuar në Kumanovë.

Ambasadorët kërkojnë përgjegjësi për krizën

Ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Francës Britanisë së Madhe dhe BE-së kanë realizuar një takim me kryeministrin Nikolla Gruevski, të cilit i kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në Maqedoni. Ambasadori i SHBA Jess Baily në emër të të gjithë ambasadoreve dënoi ashpër dhunën dhe bëri thirrje për përmbajtje, durim dhe qetësi.

Ambasadorët kanë kërkuar nga qeveria të jetë më e përkushtuar në zbardhjen e rastit lidhur me aferën e përgjimeve, sepse në të kundërtën e gjithë situata mund të ndikojë negativisht në rrugën e integrimit të vendit. “Shprehim shqetësim brengosje për mungesën e përparimit në drejtim të shumë akuzave ndaj pushtetit, akuza që burojnë nga bisedat e përgjuara telefonike. Mossuksesi për ta demonstruar këtë përkushtim me veprime konkrete do ta rrënojë përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, ka theksuar ambasadori i SHBA-së Jess Baily.

Ai bëri thirrje që qeveria duhet të mendojë reforma specifike, përfshirë inegritetin e procesit zgjedhor, lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes.

Grupi i ambasadoreve ka realizuar edhe takime të veçanta me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Profesori Denko Malevski thotë se deklarata e ambasadorëve deri më tani ka qenë më i ashpëra. “Në fakt me këtë qëndrim, amasadorët kanë kërkuar marjen e përgjegjësisë nga ana e kryeministrit dhe largimin e tij nga politika “, shprehet Malevski.

Nuk anulohet protesta mbarëpopullore e opozitës

Ndërkohë, opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM në mbledhjen e këshillit të partisë, ka vendosur që të mos anulohet protesta mbarëpopullore e caktuar për 17 maj edhe pse ka pasur mendime të kundërta që protesta të anulohet ose të ndryshohet strategjia.

Gjithashtu është vendosur që të vazhdohet me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike me dinamikën që do të vendoset nga udhëheqësit e partisë.

Ndërkombëtarët kanë sygjeruar partinë në pushtet VMRO-DPMNE, që në asnjë mënyrë mostë tentohet të organizohet ndonjë kundër-protestë më 17 maj kur është planifikuar protesta e opozitës, pasi që kjo situatë mund të shkaktojë dhunë. (dw)