Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç nis vizitën zyrtare dyditore në Tiranë.

vucic ramaKryeministri Aleksandar Vuçiç dhe delegacioni serb, që e shoqëron atë, mbërrin sot në mesditë në Tiranë me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ceremonia shtetërore e pritjes, bisedimet mes dy kryeministrave dhe konferenca e përbashkët e shtypit, zhvillohen në pallatin Presidencial të njohur edhe si pallati i Brigadave.

Si vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri ardhja e Vuçiç vlerësohet nga diplomatë dhe studiues të zhvillimeve ndërkombëtare e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal me qëllim përshpejtimin dhe lehtësimin e rrugëtimit drejt BE. Ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, tha për DW se ”kjo vizitë hap një kapitull të ri dhe dinamik të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, një etapë të re emancipimi dhe perpjekjesh të përbashkëta për arritjen e qëllimeve, që për momentin janë identike: futja në familjen e madhe të Bashkimit Europian »

Vizita e sotme zyrtare në Tiranë e kryeministrit serb Vuçiç vjen pas vizitës së kryeministrit shqiptar Rama në Beograd, në nëntor të vitit të kaluar. “Kjo vizitë do t’u japë një shtysë përpara marrëdhënieve dhe dialogut politik mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat tanimë kanë dalë nga stanjacioni historik për të ecur drejt një komunikimi më të madh tregjesh, kontaktesh, marrëdhëniesh kulturore”, tha për DW, Dr. Albert Rakipi, studiues i zhvillimeve politike ndërkombëtare.

Pas përfundimit të bisedimeve me kryeministrin Rama dhe konferencës së përbashkët për shtyp në Pallatin Presidencial, sot pasdite Kryeministri Vuçiç do të zhvillojë takime me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarin e parlamentit, Ilir Meta dhe liderin e opozitës, kryetarin e PD, Lulzim Basha. Nesër, në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, kryeministri serb do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vienës, ku marrin pjesë 11 kryeministra të vendeve të rajonit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se Vuçiç do të marrë fjalën në këtë forum.

Temat kryesore të bisedimeve – investimet strategjike të përbashkëta

Burime diplomatike thanë sot për DW se tema kryesore në bisedimet Rama-Vuçiç do të jenë projektet për investime të përbashkëta strategjike si autostrada, linja hekurudhore, investime në energji, që shtojnë komunikimin me dy vendet, rajonin dhe Europën. Këto projekte pritet të paraqiten në tryezën e bisedimeve në takimn e Vienës, në vijim të atij të Berlinit, në kuadër të Nismës së re të BE për Ballkanin Perëndimor, të lançuar në Berlin nga kancelarja Merkel në gusht të vitit të kaluar.

Të njëjta burime bëjnë të ditur se bashkëpunimimi për stabilitetin dhe sigurinë në rajon do të jetë një temë tjetër e rëndësishme në bisedimet dypalëshe. Vizita e sotme në Tiranë e kryeministrit serb Vuçiç bëhet dy javë pas tensioneve në Maqedoninë fqinje, ku policia maqedonase u përlesh me një grup të armatosur shqiptarësh, kryesisht nga Kosova, ku mbetën të vrarë tetëmbëdhjetë vetë , mes tyre 8 policë.

Masa të rrepta sigurie në Tiranë

Vizita e kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Burime zyrtare nga pohuan sot për DW se “janë angazhuar rreth 1500 policë, shërbimet inteligjentë dhe të antiterrorit, ndërkohë që helikopterë të forcave të armatoruara të Shqipërisë monitorojnë Tiranën”. Qarkullimi i automjeteve është i kufizuar dhe në itinerarin nga aeroporti ndërkombëtar ”Nënë Tereza” në pallatin Presidencial dhe deri ne pasditen e vonë, kur përfundon dita e parë e vizitës së kryeministrit serb, është ndaluar parkimi i automjeteve në rrugë, pranë trotuareve. (dw)

Paisje që mbikëqyrin të moshuarit në shtëpi

moshuaritKompanitë e ndërtimit të shtëpive inteligjente tashmë po shikojnë përtej kontrollit të masave të sigurisë dhe temperaturës nëpër shtëpi, duke krijuar paisje që ndihmojnë të mbajnë nën vëzhgim të moshuarit në shtëpi. Synimi është që përmes këtyre paisjeve të balancohet përkujdesja për prindërit e moshuar duke respektuar njëkohësisht edhe pavarësinë e tyre.

Sa herë që 81 vjeçari Bill Dworsky apo gruaja e tij 80 vjeçare Dorothy nga San Fancisco, California, hapin kutinë e ilaçeve, frigoriferin, ndezin sobën e gatimit apo shkojnë në banjë, sensorë tejet të vegjël, mbajnë shënime në një libër dixhital.

Sistemi i sensorëve i ndihmon fëmijët e tyre që të vëzhgojnë nga distanca gjendjen e prindërve të moshuar dhe për t’i lajmëruar ata nëse ndryshonë rutina e përditshme ose ka ndonjë emergjencë.

Djali i tyre, Phil 53 vjeçar, kontrollon gjithçka nga telefoni i tij inteligjent. Nëse nuk ka aktivitet gjatë një kohe të caktuar, atij i vjen një email automatik nga sistemi, kështu që ai mund të vendosë nëse të marrë në telefon apo të shkojë tek ata.

“Prindërit e mi janë të pavarur. Do të vijë koha kur ata vërtetë do të kenë nevojë për kujdes nga afër, por tani po përpiqemi të gjejmë një mënyrë që ata t’ia dalin vetë.” 

Shefi ekzekutiv në Luginën e Silikonit jeton në anën tjetër të qytetit dhe sensorët e ndihmojnë atë të vëzhgojë prindërit e tij të moshuar ndërkohë që rrit një vajzë adoleshte dhe udhëton shpesh për punën.

Një palë sensorë që dallojnë lëvizjet nga kompania e re Lively me bazë në San Fancisco, janë pikërisht ato që ka nevojë familja Dworsky. Para se të dëgjonte për to, Phil kishte shtruar idenë e kameras por prindërit kishin kundërshtuar sepse donin të kishin privaci, pavarësisht se e kanë humbur pak nga sensorët, thotë Dorothy.

“Nuk duam të shkojmë në shtëpi pleqsh sepse nuk ndihemi pleq edhe pse jemi.” 

Këto sisteme janë diçka e re në këtë drejtim dhe përdorin sensorë me kosto të vogël që ndihmon familjet, thotë David Glickman bashkëthemelues i Lively.

“Ofron qetësi për ata që kanë prindër të moshuar duke i siguruar se nëna është mirë por pa ndërhyrë shumë në punët e tyre.” 

Instituti për të Moshuarit në San Francisco ka ndihmuar sipërmarrësit të testojnë paisjet si Lively për të kuptuar se si teknologjia mund të ndihmojë apo jo të moshuarit.

Drejtoresha e programit, Kristina Lugo thotë se programi ishte i mirë në rastin e një klinti që vuan nga alcajmeri.

“Na ndihmoi në vëzhgimin e sjelljeve të tij. Mësuam se ai dilte nga shtëpia në orën 1 të natës në 2 dhe 3 të natës. Na tregonte se kur i merrte ilaçet apo nuk i merrte. Kështu ndryshuam sherbimet që t’i plotësonim atij të gjitha nevojat.” 

Manaxheri i programit, Daniel Lin, paralajmëron se sistemi në fjalë nuk duhet të përdoret për të zevendësuar ndërveprimet jetike njerëzore.

“Nuk zëvendëson kontaktin me klientin. Nuk zëvendëson faktin që i nxjerr për drekë apo hani darkë sëbashku. Vetëm ofron të dhëna mbi ato që ata po bëjnë.” 

Gjurmimi elektronik ngre çështje lidhur me dinjitetin dhe privacinë, thotë Dr. Christine Ritchie, profesoreshë e kujdesit shëndetësor në Universitetin e Kalifornisë në San Francisco.

“Sensorët kanë të mirë se lejojnë të moshuarit të jenë të pavarur në shtepitë e tyre për periudha të gjata, por problemi qendron tek ndërhyrja në privacinë e tyre.”

Profesoresha beson se disa prej shqetësimeve do të zbehen ndërsa njerëzit mësohen me përdorimin e paisjeve të tjera si sahatët inteligjentë, termostatët dhe paisje të tjera që gjurmojnë jetët e tyre të përditshme. (voa)

Këshilli i Sigurimit debaton mbi Kosovën

thaci dacicKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi sot mbledhjen e radhës për Kosovën. Në takim folën ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Në komentet e tyre, vend të veçantë zunë ngjarjet në Kumanovë si dhe çështja e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm:

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç tha se incidentet e fundit në Zvornik të Bosnjes dhe në Kumanovë të Maqedonisë, që ai i quajti sulme terroriste, janë një demonstrim i qartë se sa i brishtë është stabiliteti në rajon. Ai bëri thirrje që të gjitha vendet e rajonit dhe faktorët ndërkombëtarë të investojnë përpjekje shtesë për ruajtjen e qendrueshmërisë.

Këto ngjarje, tha zoti Daçiç kanë vërtetuar vlerësimin e Serbisë se prania e pandryshuar e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka rëndësi të dorës së parë për qendrueshmërinë dhe krijimin e kushteve për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Serbia, tha ministri i jashtëm Daçiç, e trajton dialogun me Prishtinën në mënyrë të hapur dhe dëshiron gjetjen e zgjidhjeve praktike që do t’u mundësonin të gjithë njerëzve në Kosovë një jetë normale në suazën e procesit më të gjerë të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Zoti Daçiç tha se procesi i pajtimit të ndërsjellë nuk mund të realizohet pa ndjekjen ligjore të ish anëtarëve të UÇK-së, përgjegjës në përndjekjen e serbëve, të romëve dhe jo-shqiptarëve të tjerë. Ai tha se Serbia shpreson që të krijohen kushtet e nevojshme për gjykimin e personave të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se Serbia i vë rëndësi të posaçme gjykimit të çështjeve që rrjedhin nga gjetjet e Komisionit të Posaçëm Hetues të Bashkimit Evropian lidhur me trajtimet çnjerëzore dhe trafikimin e paligjshëm të organeve. Zoti Daçiç tha se pret që vendimi për ngritjen e gjykatës së posaçme për këtë qëllim të merret sa më shpejt që të jetë e mundur.

 

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në komentet e tij se Kosova ka njohur një rritje mesatare ekonomike prej 4 përqind në shtetë vitet e fundit, ndër më të lartat në Evropë. Por Kosova, tha ai, ka nevojë për shtimin e vendeve të punës dhe kjo ka çuar në migrimin e paligjshëm të njerëzve.

Zoti Thaçi kritikoi Serbinë, që, sipas tij, ka lënë të hapur kufirin me Hungarinë, ndërkohë që policia ka marrë para nga njerëzit që janë përpjekur të emigrojnë. Tani, tha ai, niveli i emigracionit ka rënë ndjeshëm. Si arsye tjetër për largimin e njerëzve, zoti Thaçi përmendi faktin që Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkan pa viza Shengen.

Lidhur me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ai i bëri thirrje palës serbe që të jetë e angazhuar në këtë proces dhe të mos ndërmarrë veprime destabilizuese.

Ministri i jashtëm Thaçi tha se qeveria e tij e dënon dhunën e përdorur në Kumanovë dhe bëri thirrje që zgjidhja të kërkohet përmes dialogut. Ai tha se qeveria e tij nuk përkrah asnjë prirje destabilizimi në rajon dhe shtoi se në Maqedoni është i nevojshëm zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Thaçi bëri thirrje për një hetim të pavarur për Kumanovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës i quajti të pabaza akuzat për Shqipërinë e madhe dhe tha se për Shqipërinë e madhe flitet më shumë në Beograd se sa në Tiranë dhe Prishtinë.

Ata që janë kundër Natos dhe BE-së, tha ai, përpiqen të krijojnë mjegull për integrimin evropian, tha ai.

Zoti Thaçi tha se numri i personave nga Kosova që luftojnë në Siri dhe Irak ka rënë në rreth 50. Ai tha se Kosova ka propozuar veprime konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Duke folur për çështjen e gjykatës së pavarur për krimet e luftës në Kosovë, zoti Thaçi tha se “ne duam të pastrojmë emrin e UÇK-së”, por askush në Ballkan nuk do ta harrojë terrorin e ushtruar nga Sllobodan Millosheviçi. Luftën në Kosovë, tha ai, e ka shkaktuar Serbia dhe shteti serb është përgjegjës direkt i krimeve. (voa)

Zgjedhjet në Turqi dhe kurdët

AKP ndodhet para zgjedhjeve të vështira, sepse nëse partia do të mund të vazhdojë të qeverisë, siç dëshiron, varet nga rezultati i partisë prokurde HDP në zgjedhje.

erdoganNë zgjedhjet në Turqi ekziston pragu i 10 % për partitë. Për ta anashkaluar këtë ligj, shpesh për partitë e vogla kandidojnë “kandidatë të pavarur”.

Këtë vit është ndryshe. Të paktën në partinë prokurde “Partia Demokratike e Popujve” (HDP). Sepse kjo në zgjedhjet, që do të mbahen me 7 qershor, garon zyrtarisht si parti. “Do të jetë interesante, sepse në qoftë se HDP arrin pragun 10 për qind, atëherë do të ndryshohet shpërndarja e vendeve në parlament”, thotë Behlul Özkan, profesor i politikës në Universitetin Marama në Stamboll.

Proces paqeje me PKK

Armëpushimi i brishtë, që u arrit në vitin 2012 në mes “Partisë Punëtore të Kurdistanit” (PKK), të ndaluar, dhe Turqisë, është në rrezik. Konflikti mes tyre ka marrë tashmë jetën e 40.000 njerëzve dhe askush nuk dëshiron një kthim prapa tek armiqësitë. HDP konsiderohet jozyrtarisht si krahu politik i PKK-së, e cila është në listën e grupeve terroriste në Turqi, në BE dhe në SHBA.

hdp DemirtasZëvendëskryeministri turk Yalcin Akdogan tha të enjten se hyrja e HDP-së në parlament, do të lëkundë paqen gjithsesi të brishtë. “Sikur AKP të humbasë vota, sepse HDP e tejkalon pragun, kjo nuk do të ndihmojë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit”, tha Akdogan në fjalimin e tij televiziv. Sidomos në Turqinë juglindore, zonë ku jetojnë shumë kurdë, HDP ka një rritje të madhe të popullaritetit.

Udhëheqja e PKK-së me të vërtetë që ka hequr dorë para ca kohësh nga dhuna, por refuzon të dorëzojë armët, derisa qeveria të mos miratojë reformat e premtuara për pakicat.

Simpatizantët e PKK në HDP

Profesori i dikurshëm i juridikut, kandidati i HDP-së, Mithat Sancar, deklaroi së fundmi se hyrja e mundshme e partisë në parlament do të ishte një shans për zgjidhjen e konfliktit. Kjo është e mënyra e vetme për të bindur nacionalistët kurdë, se konflikti me Turqinë duhet të zgjidhet politikisht. Një zgjidhje ushtarake, e dhunshme, nuk vjen në konsideratë. “Ne duhet të marrim pjesë në parlament, për të parandaluar një shpërthim të dhunës”, thotë Sancar në intervistë me DW. “Baza e partisë sonë simpatizon PKK. Ky është një fakt sociologjik dhe jo një zgjedhje politike, që ne kemi.”

Si kundërpeshë ndaj HDP partia në pushtet AKP ka vendosur në juglindje të vendit kandidatë, të cilët kanë lidhje të fortë me lëvizjen kombëtare kurde. Pasi partia prokurde u ndalua me gjyq në vitin 2009, Orhan Miroglu nuk lejohet të jetë politikisht aktiv. Këtë vit ai është kandidat për AKP-në në provincën Mardin, në juglindje. Tensionet janë të larta dhe ekziston mundësia, që përsëri të ketë shpërthime të dhunës, thotë Miroglu.

E ardhmja e Erdoganit është në rrezik

Por edhe qëllimet e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme. Rexhep Taip Erdogan u zgjodh me shumicë absolute president në vitin 2014. Ai tha atëherë se dëshiron të jetë një president i fortë “ekzekutiv”. Kushtetuta e tanishme parashikon vetëm një hapësirë të kufizuar për manovrim. Që atëherë ai përpiqet të ndryshojë kushtetutën e të zgjerojë pushtetin e tij si president.

Por AKP-së do t’i duheshin të paktën 400 nga 550 vendet në parlament për të ndryshuar kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Dhe këtë nuk e premtojnë parashikimet e kohëve të fundit. Mendohet se AKP do të marrë 40,5 deri 42 për qind të votave. Shumë më pak se sa dëshiron presidenti.
Nëse HDP do të hyjë në parlament, kjo do të dobësonte pozitën e AKP-së dhe do të pengonte planet për karrierë të Erdoganit. Aleatët e tij ndoshta nuk do të jenë më në gjendje për të parandaluar një hetim parlamentar për akuzat për korrupsion në qarqet e brendshme të Erdoganit.

Në qoftë se në parlament hyjnë më pak se 276 deputetë, AKP duhet të bëjë koalicion. Atëherë akuzat për korrupsion do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese”, thotë politologu Behlul Özkan. Dhe meqenëse tri parti opozitare kanë kërkuar hetim, kjo do të sillte probleme të mëdha për Erdoganin dhe partinë e tij.

Ky artikull u krijua me mbështetjen logjistike të Platformës për Gazetari të Pavarur (p24) -http://platform24.org/en/about-us – një organizatë me qendër në Stamboll , që angazhohet për raportim të pavarur në Turqi. (dw)

Maqedonia – një peng i ri në arenën gjeopolitike të Rusisë

mk putinMaqedonia s’ka qenë kurrë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme ruse. Por zhvillimet e fundit tërheqin vëmendjen e Moskës. Disa analistë besojnë se për kryeministrin Gruevski është e mirëseardhur mbështetja ruse.

“Anëtarësimi në BE dhe në NATO mbetet prioritet ynë më i lartë”, deklaroi kryeministri Nikola Gruevski gjatë manifestimit të partisë së tij VMRO-DPMNE më 18 maj në Shkup, ndërkohë që dhjetra përkrahës të tij në radhët e para të demonstruesve mbanin t-shirts me portretin e Putinit dhe valëvisnin flamuj rusë.

Shumë mendojnë se kontradikta mes fjalëve të Gruevskit dhe folklorit pro-rus në radhët e përkrahësve të tij reflekton skizmën aktuale të shoqërisë së Maqedonisë, e cila është përfshirë muajt e fundit nga një krizë e thellë politike, e shoqëruar me incidente të rënda sigurie, që u përshkallëzuan së fundi me ngjarjen në Kumanovë, ku gjetën vdekjen 18 vetë.

mk srPor ajo që në dukje është një konflikt tipik i brendshëm Ballkanik, shumë shpejt mori trajtat e një shkalle të re të konfrontimit mes Rusisë dhe Perëndimit. Së fundi Moska zyrtare deklaroi se “ngjarjet në Maqedoni janë orkestruar duke ushtruar presion nga jashtë”, me këto fjalë u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov më 20 maj duke marrë në mbrojtje qeverinë konservatore në Shkup. Kjo ishte deklarata e fundit në një varg pozicionimesh zyrtare nga Rusia gjatë këtij muaji, gjë që i ka befasuar shumë në vendin e varfër ballkanik me dy milionë banorë. Qëkurse ka marrë fund konflikti i armatosur mes forcave maqedionase të rendit dhe guerrilasve shqiptarë në vitin 2001, komentet nga Ministria e Jashtme e Rusisë lidhur me situatën e brendshme politike në Maqedoni kanë qenë të rralla. Ndryshe nga vendet fqinjë Serbia dhe Greqia, që kanë lidhje të ngushta historike me Rusinë, Maqedonia asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen e Moskës.

“Maqedonia nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë aktive e politikës së jashtme ruse”, thotë për DW Julija Brsakoska-Bazerkoska, profesore në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Gazsjellësi “Turkish Stream”

Sipas Lavrovit, refuzimi i Gruevskit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vullneti i tij për të bashkëpunuar në ndërtimin e linjës gazsjellëse “Turkish Stream”, janë arsyeja e trazirave të nxitura, sipas tij nga “Perëndimi”.

kerry lavrov“Nëse shihni pozitën gjeografike të rajonit, Maqedonia ka pozicionin më të përshtatshëm për të ndërtuar zgjerimin e projektit më të ri të infrastrukturës së energjetikës në rajon, të ashtuquajturin ‘Turkish Stream”, tha në një intervistë për televizionin Bloomberg, Vladimir Chizhov, ambasadori rus në BE.

Por disa analistë dyshojnë se ‘Turkish stream’ do të ndërtohet. Nikola Kjurchiski nga akademia presidenciale në Moskë, thotë në intervistë për DW, se ka shumë arsye të besosh, që ky projekt do të përfundojë në Turqi, sepse në rast të kundërt ai do të binte ndesh me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së. Për më tepër, siç shpjegon më tej Kjurchiski, Rusia ndërkohë ka mjaft linja për ta sjellë gazin në Europë, të cilin është duke e shitur me çmim gjithnjë e më të ulët, kësisoj ajo nuk ka nevojë për një linjë tjetër.

“Turkish stream është një projekt mjaft i kushtueshëm dhe jo rentabël. Vlera e tij NVP (Net Present Value) është kalkuluar me një kurs negativ në miliona dollarë e në këto rrethana vështirë se mund të realizohet njëproket i tillë”, vëren Kjurchiski.

Nisur nga fakti që kriza politike në Maqedoni nuk ka shenja që të marrë fund së shpejti, reagimi i Rusisë duket më shumë si një përpjekje e Moskës për të forcuar influencën në Ballkan, me ose pa projektin e premtuar për energjinë.

Duke folur në mbledhjen e një komisioni të senatit më 24 shkurt, sekretari i Shtetit për Marërdhëniet me Jashtë, John Kerry, theksoi se SHBA mendon, që një numër vendesh europiane, përfshirö edhe Maqedoninë, ndodhen në “linjën e zjarrit”, kur është fjala për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Gruevski nën presion në rritje

Kryeministri i Maqedonisë Gruevski e gjen veten nën presion të madh prej opozitës në vend dhe pas skandalit të krizës në Kumanovë duket se ai e ka humbur mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja. Nëntë vjet në pushtet ai rëndom përshkruhet prej medias vendase dhe asaj perëndimore si dhe analistëve politikö si një njeri autoritar. Pikëpamje të tilla nuk gjejnë hapësirë në median pro-qeveritare dhe analistët e saj në Maqedoni, të cilët shprehin entuziazëm për stilin e qeverisjes sipas modelit Putin e veçanörisht qëndrimit të këtij të fundit ndaj medias dhe OJQ-ve. Ndërkohë që opinioni publik në Maqedoni e kërkon mbështetjen e gjerë dhe integrimin e qytetarëve në BE dhe NATO, disa analistë besojnë se Gruevski e mirëpret mbështetjen nga Rusia dhe është duke u përpjekur ta pozicionojë veten në mesin e lojës së madhe gjeopolitke për ta nxjerrë veten nga kriza.

“Qëkurse ka humbur mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së, Gruevski është duke kërkuar i dëshpëruar mbështetje nga fuqitë botërore, e kjo është arsyeja, përse ai i është drejtuar Rusisë. Ai nuk ka alternativë tjetër”, thotë Kjurchiski.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije, se së fundi Moska e ka shtuar dukshëm stafin e ambasadës ruse në Shkup. (dw)

Kriza në Maqedoni kërkon masa të shpejta dhe domethënëse

mkKriza politike në Maqedoni është bërë burim shqetësimi për Shtetet e Bashkuara dhe interesa të tjera ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje udhëheqësve të Maqedonisë të ndërmarrin hapa konkrete në mbështetje të demokracisë me synim dhënien fund të krizës.

Senatori i Shteteve të Bashkuara, Chris Murphy, u shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës se është shumë i shqetësuar nga kthimi prapa në Maqedoni, për sa i përket “respektimit të shtetit ligjor, të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së shtypit”.

Në lidhje me skandalin e përgjimeve që ka përfshirë vendin gjatë këtij viti, Senatori Murphy tha se qeveria duhet të ndëmarrë “një angazhim absolut për të respektuar të drejtat e qytetarëve të saj, për të riparuar dëmin e bërë nga këto zbulime vërtet të dëmshme rreth sjelljes së tyre”.

Skandali ka zbuluar të dhëna se qeveria e Maqedonisë ka përgjuar telefonat e rreth 20 mijë personave, përfshirë dhjetëra gazetarë, në një periudhë disa vjeçare.

Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta marrin të mirëqenë se Ballkani është tashmë një rajon në paqe, tha zoti Murphy, por duhet të luajë një rol më aktiv se ç’po luajnë aktualisht, për të parandaluar rritjen e tensioneve dhe shtrirjen drejt vendeve fqinje. “Valët e tensioneve që shpërthyen në një luftë rajonale vetëm një dekadë më parë, janë ende në lëvizje”, tha ai.

Rajon me rëndësi të veçantë

Ka shumë punë të pambaruara në Ballkan, thotë Luke Coffey, studiues në Fondacionin “Heritage”. Ai shton se: “Në këtë moment do të ishte tragjedi për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që t’i kthenin shpinën një rajoni, i cili është jo vetëm i rëndësishëm për Evropën nga pikëpamja historike, por i cili është i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e Evropës”.

Shtetet e Bashkuara duhet ta shikojnë si mundësi situatën aktuale “për të ringjallur debatin brenda Evropës në lidhje me anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, si NATO dhe Bashkimi Evropian”, thotë zoti Coffey. Ai shton se “nëse Maqedonia do të ishte anëtarësuar në këtë institucione vite më parë, shumë prej problemeve politike me të cilat përballet vendi sot, nuk do të ishin të tilla”.

Daniel Serwer, profesor për menaxhimin e konflikteve në Shkollën Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, thotë se “Maqedonia është qartazi në një krizë”. Megjithëse vendi është një demokraci, momentalisht “nuk ka një funksionim normal të demokracisë”, thotë ai.

Ndërkombëtarët kanë ravijëzuar se çfarë duhet të bëjë Maqedonia për të dalë nga gjendja aktuale, thotë zoti Serwer. Vendi duhet të ndëmarrë veprime konkrete në mbështetje të demokracisë, si p.sh. të nxisë shtypin e lirë, gjykatat e pavarura, dhe t’i japë fund abuzimit me pushtetin, shton ai. Shkarkimi i dy ministrave të qeverisë dhe të kreut të shërbimit të zbulimit janë një lëvizje në këtë drejtim, por duhen ndërmarrë më tepër hapa konkrete, thotë zoti Serwer.

Një krizë serioze

Maqedonia gjendet në një krizë serioze, thotë Edward Joseph, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështjet Aktuale Botërore. “Kjo është një pasqyrë e tmerrshme e gjendjes së demokracisë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin, kur situata vjen në përplasje të tilla. Duhet të presim se çfarë do të bëjë qeveria për të trajtuar akuzat serioze që i janë bërë”, thotë zoti Joseph.

Ai shton se për t’i dhënë fundi krizës, Maqedonia duhet të pranojë përgjegjësitë e saj për të gjitha pikëpyetjet shumë serioze që u ngritën për përgjimet. “Nëse këto përgjime janë të vërteta, dhe nëse ato që thuhen aty janë të sakta, atëherë gjërat janë jashtëzakonisht serioze dhe një akuzë e hatashme ndaj angazhimit të qeverisë për demokracinë”, thotë zoti Joseph, për të cilin është absolutisht e domosdoshme një hetim i plotë i këtyre akuzave.

Kryeministri Nicola Gruevski duhet të marrë konsideratë menjëherë dhënien e dorëheqjes, thotë zoti Joseph, dhe se në sistemin parlamentar të Maqedonisë, situata aktual tregon “një mungesë të plotë, të hapur, dhe masive të besimit në qeverisjen e tij”.

Skandali i përgjimeve ngriti pikëpyetje për nivelin e kontrollit të ushtruar nga qeveria mbi mediat, gjykatësit, dhe proçeset zgjedhore gjatë nëntë viteve në pushtet të qeverisë Gruevski.

Si pasojë e këtij skandali, përplasje ndërmjet personave të armatosur dhe policisë në qytetin e Kumanovës gjatë këtij muaji, lanë 22 persona të vdekur. (voa)

Bashkimi Evropian po rrëshqet gjithnjë e më thellë në një krizë politike. Skepticizmi rritet dhe aftësia për reforma zvogëlohet, mendon Bernd Riegert.

beSukseset e fundit elektorale të euroskeptikëve dhe eurokritikëve në Poloni, Spanjë, Britaninë e Madhe dhe Finlandë, duhet t’ua bëjnë të qartë edhe romantikëve të fundit të integrimit se Bashkimi Evropian ka probleme serioze, që do të përkeqësohen në muajt e ardhshëm.

Për arsye shumë të ndryshme në disa shtete anëtare zien. Në thelbin e ngushtë të BE-së, në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Luksemburg dhe në një farë mase në Francë, qeveritë bazohen në mënyrën “të vazhdojmë si zakonisht!”. Kjo në fund nuk do të mjaftojë. Sepse forcat centrifugale janë forcuar shumë.

Presion nga majtas dhe djathtas

Greqia e qeverisur prej radikalëve ndodhet gjithë kohën para falimentimit dhe përjashtimit, së paku nga Eurozona. Britania ndodhet para një referendumi për daljen nga BE, me rezultat të pasigurtë. Në Spanjë dhe Portugali shtohen lëvizjet e majta, që u krijojnë vështirësi mbështetësve konservatorë të kursit të deritanishëm evropian. Në Poloni fiton papritur një kandidat presidencial, i cili në qëndrimin skeptik ndaj BE-së nuk i lë asgjë mangët britanikëve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Poloni mund të sjellin përsëri në pushtet skeptikët ndaj BE-së.

Në Finlandë një parti kritike ndaj BE-së hyn për herë të parë në qeveri. Në Hungari qeveris një skeptik i BE-së, të cilin Presidenti i Komisionit Evropian – e ka quajtur diktator – edhe pse me shaka. Vetëm në Itali kryeministri socialist ka arritur t’i mbajë eurokritikët në kontroll. Çfarë po ndodh me Evropën? Kritikët e BE-së, të majtë dhe të djathtë, kanë popullaritet më shumë se kurrë.

Më shumë Europë?

Po të shohësh në hartë, Gjermania praktikisht mbyllet. Qeveria reagon ndaj rritjes së skepticizmit në skajet e BE-së me një politikë mbrojtëse. Në samitin e ardhshëm të BE-së kancelarja gjermane Angela Merkel do të propozojë së bashku me Presidentin francez Hollande thellimin e bashkëpunimit në Bashkësinë me monedhën euro, që përmban 19 shtete. Një plan të tillë shtetet e Eurozonës e patën ndërmarrë në kulmin e krizës së euros dy vjet më parë, sot askush nuk dëshiron të dëgjojë më për të.

Angela Merkel refuzon ndryshimin e traktateve të BE-së, siç kërkohet nga kryeministri britanik David Cameron. Cameron ndjehet i fortë nga zgjedhjet, që i ka fituar bindshëm. Merkel është për të si një erë, që e bie direkt në fytyrë. Një ndryshim në traktatet e BE-së në situatën e tanishme të tensionuar, parë realisht, është thuajse i pazbatueshëm, sidomos për faktin se do të nevojiteshin referendume në shtetet e ndryshme anëtare.

Më shumë solidaritet?

Një reformë e madhe e Bashkimit Europian është e vështirë, edhe për shkak se kërkesat e kritikëve dhe arsyet e kërkesave janë shumë të ndryshme. Britanikët duan më pak Evropë, dhe në fund edhe të paguajnë më pak. Ata janë në një situatë deri diku të mirë ekonomike dhe mendojnë se nuk kanë nevojë për BE-në. Polonia dhe Spanja përfitojnë nga BE, ekonomia e tyre është në rritje. Megjithatë njerëzit e projektojnë pakënaqësinë e tyre te Evropa. Shtetet anëtare jugore kërkojnë nga Gjermania më shumë solidaritet në kuadër të BE-së, menaxhim të përbashkët të borxhit, me fjalë të tjera më shumë para. Por për këtë gjermanët nuk janë të gatshëm. Gjermania ka ekonomiki të mirë. Tendenca për të ndihmuar fqinjët e varfër është megjithatë e kufizuar.

Një rrugëdalje të qartë nga situata të bllokuar nuk ka. Komisioni Evropian vazhdon të përpiqet të financojë planin e tij të investimeve, që do të sjellë vende pune. Shtetet anëtare presin. Komisioni i BE-së propozon një shpërndarje më të barabartë të refugjatëve. Shtetet anëtare e refuzojnë. Komisioni Evropian përpiqet të negociojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Veçanërisht popullsia gjermane është skeptike. Kudo që të shikosh, dallon gjithmonë e më pak qëllime vërtet të përbashkëta tek 28 kryetarët e shteteve dhe qeverive.

Pa fuqi para humnerës politike?

Tendenca për një reformë themelore, që të kënaqë njokohësisht britanikët, spanjollët, grekët, polakët dhe gjermanët, nuk mund të priten. Të vazhdojnë kështu disi, është zgjidhja më e mundshme. Të paktën deri në zgjedhjet presidenciale në Francë në pranverën e vitit 2017, në të cilat Fronti Nacional, me orientim të djathtë dhe armiqësor ndaj BE-së, ka shpresa se do të arrijë një sukses shumë të madh. Më së voni, nëse Franca kalon në kampin euroskeptik, Bashkimit që është rritur dhe zgjeruar për 60 vjet, do t’i vijë fundi. Prandaj edhe Gjermania duhet të lëvizë. Vetëm mbrojtja defensive në kufijtë e jashtëm, nuk do të jetë e mjaftueshme. (dw)

UÇK: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe disa politikanë nga Kosova do ndëshkohen për tradhtinë në Kumanovë!

uck-mNë media është shpërndarë dhe është publikuar  një komunikatë e një grupi që e quajnë veten Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e nëpërmjet së cilës paralajmërohet se drejtësia do e ndëshkojë rëndë  bandën e Ali Ahmetit, Menduh Thaçit dhe disa politikanëve të Kosovës, të cilët, në bashkëpunim me vrasësit e popullit shqiptar, Nikolla Gruevskin, Sasha Mijallkovin dhe Gordana Jankullovskën, organizuan masakrën e 9 dhe 10 majit.

Në këtë komunikatë thuhet se UÇK-ja ka analizuar gjithçka që ka ndodhur në Kumanovë dhe se tradhtia ka vrarë 10 luftëtarë dhe ka burgosur dhjetëra të tjerë, të cilët vazhdojnë të torturohen egërsisht në burgjet sllavomaqedone.

“Këtë nuk do ta harrojmë dhe nuk do ta falim kurrë. Ne kemi besim që populli shqiptar në IRMJ do të dijë të kërkojë të drejtat e tij, duke e flakur tej me zemërim këtë klasë politike bandite, të shitur dhe tradhtare. Dënojmë me përbuzje të gjitha manovrat politike që po bëhen për të mbuluar gjurmët e krimit dhe të tradhtisë, për të ruajtur një pushtet gjakatar në IRMJ”, thuhet në komunikatën e UÇK-së.

/ Top Channel

Ohridsky: “Monstra” publikohet të mërkurën, dyshime për vendin e vrasjes

smilkovcPortali lokal “Ohridsky” ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovës.

Sasho Denesoski nga ky portal shkruan se “bomba” e masakrës në Smillkovë do të “shpërthejë” të mërkurën dhe se e njëjta definitivisht do t`i varrosë VMRO-në dhe BDI-në.

“Zaev paralajmëroi 102 bomba prej të cilave, vetëm njëra që do të publikohet të mërkurën, e vërteta për masakrën te liqeni i Smillkovës, dashtë e padashtë, do të kontribojë që Maqedonia të mos jetë e njëjta prej asaj dite”, shkruan Denesoski.

Ai hedh dyshime lidhur me mënyrën e vrasjes së të rinjve maqedonas, madje lë të kuptohet se të njëjtit janë vrarë në vend tjetër dhe jo në Smilkovë.

“Pas kësaj “bombe” do të bëhet më se e qartë se kush e dha urdhrin, ku janë vrarë fëmijët, si është vrarë roja te liqeni i Smillkovës, informata rreth veturës së famshme të gjetur jo larg nga vendi i krimit, të cilën sipas informatave më parë e kanë përdorur njësitë speciale Alfa dhe të tjerë”-shkruan Sasho Denesovski nga Ohridsky.

Sasho Denesoski njihet si gazetar që me deklarata të guximshme shpeshherë ka akuzuar qeverinë për skandale të ndryshme. Kohë më parë ai pyeti publikisht ish-ministren e brendshme Jankullovska, se si 500 kilogramë kokaine të konfiskuara, përfunduan në tregun e Strugës, si pasojë e të cilës dolën milionerë të rinj në atë rajon. Bëhet fjalë për kokainën e kapur në vendkalimin kufitar Tabanocë, aksionin më të madh të këtij lloji dhe të cilën nga MPB thanë se e dogjën, por që sipas Denesoskit vetëm një sasi e vogël u dogj oara kamerave, tjetra ka përfunduar në Strugë. (INA)

Dëshmitë për Kumanovën dhe sulmin në Burgun e Sigurisë së Lartë

burguBeg Rizaj e Mirsad Ndrecaj, si drejtues të një grupi prej 44 personash, kishin planifikuar të sulmonin Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdofc të Podujevës, shkruan sot Koha Ditore.

Plani ishte të liroheshin dy prej njerëzve që konsiderohen ndër më të rrezikshmit në Kosovë. Të burgosurit – B.K. e B.B. – janë duke vuajtur dënime të rënda për krime, përfshirë dhe vrasje. Kështu thuhet në dokumente të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe të Policisë së Kosovës, të siguruara nga gazeta.

Detajet e këtij komploti të cilësuar si “sulm kundër rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës” dhe “mundësim i arratisjes së personave të dënuar” janë zbuluar gjatë vëzhgimit dhe përgjimit që u kishin bërë Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës, për shkak të dyshimeve se takoheshin me të dyshuar për lidhje me islamikë radikalë. Hetimet kishin nisur në vitin 2013.

E, gjatë kësaj kohe është zbuluar se po planifikoheshin incidente të armatosura në Maqedoni. Plani nuk ishte që të shkaktonin viktima, por incidente të ngjashme me atë në Gushincë të Kumanovës.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia kanë siguruar dëshmi se katër persona nga grupi i Kumanovës – tre kosovarë dhe një shtetas i Maqedonisë – kishin bashkëpunim me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërinteligjencë të Maqedonisë (Direkcija za Bezbednost i Kontrarazuznavanje – DBK). (kd)