Këshilli i Sigurimit do mbajë seancën e rregullt për Kosovën

okbKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shyqrtojë sot raportin tremujor të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet në Kosovë.

Gjithashtu do të dëgjojë vlerësimet dhe komentet e përfaqësueve të Kosovës, të Serbisë, dhe të vendeve anëtare të cilët do të reflektojnë për raportin si dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon.

Një nga vlerësimet që dallohet në raportin më të ri i cili përfshin periudhën nga 15 janari deri më 15 prill është ‘marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri’ e arritur në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën Sekretari i Përgjithshëm e konsideron ‘të një fryme të bashkëpunimit konstruktiv ku theksi vihet mbi interesat e përbashkëta.’ “Një çështje thelbësore për të ardhmen e Kosovës,” Sekretari Ban e quan themelimin e Gjykatës Speciale dhe në këtë kuadër ka përshëndetur hapat e autoriteteve të Kosovës drejt themelimit të saj. Çështje të tjera që përmenden në observimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara janë ato rreth stabilitetit në veriun e Kosovës, për nevojën e krijimit të asociacionit të komunave, për kthimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës si dhe për nevojën e përmirësimit të raporteve midis pushtetit lokal në komunat e veriut me atë qendror në Prishtinë.

Diskutimet e sotme pritet të orientohen edhe kah ngjarjet e fundit në Kumanovë ku sigurisht nga vendet jo shumë miqësore ndaj shtetësisë së Kosovës nuk do të kursehen akuzat për rolin e shtetasve të saj. Rreth këtyre ngjarjeve ekziston edhe një shpresë e një iniciative për një hetim të paanshëm nderkombëtar dhe këtu sigurisht se nuk do të mungojë qasja konstruktive e vendeve perëndimore.

Seanca do të fillojë në ora dhjetë paradite sipas kohës në New York ndërkaq kryesuese për këtë muaj e Këshillit të Sigurimit është Lituania, anëtare me një mandat rotativ dyvjeçar.  (rtk)

Aleksandër Vuçiç – kryeministri i parë serb që viziton Tiranën

Vizita në Tiranë e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 27 Maj vlerësohet si një ngjarje historike për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Të dyja vendet kanë rol kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.

vucic ramaAleksandër Vuçiç është kryeministri i parë serb që pritet të vizitojë Shqipërinë (27.05). Faktorë të shumtë që kanë të bëjnë me historinë e shkuar dhe atë postkomuniste mes dy vendeve, nacionalizmin, ideologjinë, kulturën dhe mbi të gjitha me çështjen e Kosovës kanë bërë, që marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë të kenë qenë tepër të dobta, por sidomos të vështira. Por në pesë vitet e fundit nisi një dialog politik në rritje, i frymëzuar nga perspektiva e përbashkët e anëtarësimit në BE, e cila, po dëshmon se është më e fuqishme sesa rikthimi tek paragjykimet dhe stereotipet e së shkuarës. Argument “par excellence” është edhe kapërcimi nga të dyja palët i incidentit të dronit apo “përleshjes për flamurin” në ndeshjen e futbollit Shqipëri- Serbi, në Beograd, në vjeshtën e kaluar.

Vuçiç në Tiranë – një kapitull i ri në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Ilir Boçka, ambasador i Shqipërisë në Beograd, diplomat i mirënjohur karriere, e vlerëson vizitën e kryeministrit Vuçiç si fillimin e një etape të re emancipimi dhe përpjekjesh të përbashkëta të dy vendeve në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. “Kjo vizitë është një ngjarje e shënuar, që vjen krejt natyrshëm, si një hap i dytë pas vizitës në Beograd, në nëntorin e kaluar, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Këto vizita dypalëshe si edhe kontaktet e tyre të shpeshta në forume e tribuna ndërkombëtare, dëshmojnë se tashmë jemi në një kapitull të ri dhe dinamik të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Më vjen mirë që tashmë po lemë pas rekorde të trishtuara intervalesh kohore të gjata të mospasjes së marrëdhënieve apo të marrëdhënieve të zbehta, për të hyrë në një etapë të re emancipimi e perpjekjesh të përbashkët për arritjen e qëllimeve, që për momentin janë identike: futja në familjen e madhe të Bashkimit Europian » thotë për DW, ambasadori Boçka.

Fillimin e një etape të re duket se e dëshmuan edhe punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore ( SEECP) që përfunduan fundjavën e kaluar në Tiranë, ku morën pjesë 11 vende të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Në deklaratën përfundimtare Serbia ishte dakort që Kosova “të inkurajohet” të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e kësaj Asambleje.

Forcat proeuropiane në gjirin e shoqërisë serbe në rritje

Dr. Albert Rakipi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare e konsideron të rëndësishme vizitën në Tiranë të kryeministrit Vuçiç. “Ajo do t’u japë një shtysë përpara marrëdhënieve dhe dialogut politik mes dy vendeve, që në pesë vitet e fundit kanë dalë nga stanjacioni historik, flas për një komunikim më të madh mes dy tregjeve, kontakte dhe shkëmbime kulturore. Kjo ka treguar se qëndrimet diametralisht të kundërta që kanë Serbia dhe Shqipëria për Kosovën, nuk po bëhen pengesë në marrëdhëniet mes tyre.”

Sipas tij, udhëheqësit politikë të Shqipërisë kanë treguar qartësi dhe vizion kur kanë qenë të vendosur dhe kanë ndërmarrë hapa konkretë për të thelluar marrëdhëniet, pavarësisht nga marrdhëniet e Serbisë me Kosovën”.

Por nuk është vetëm Kosova molla e sherrit mes dy vendeve. Dy vendet fqinjë nuk janë dakort edhe për çështje të tjera ku më spikaturat janë qëndrimi i Serbisë ndaj NATO-s dhe politikave të BE ndaj Rusisë, pas ngjarjeve në Ukrainë. Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka shprehet se për këto çështje të diskutueshme Shqipëria ka shprehur qartë dhe fort qëndrimin e saj duke synuar njëkohësisht të mos mbetet peng i tyre. “Synojmë edhe urojmë që neser të kemi më pak çështje të tilla dhe më shumë vlera e interesa të përbashkëta zhvillimi në vendet tona dhe në rajon. Shqipëria ka njohur shtetin e ri, të pavarur të Kosoves si kanë bërë më shumë se njëqind shtete të tjera anëtare të OKB-së. Urojmë që edhe Serbia ta kalojë këtë pengesë, për të ecur më tej në rrugen e integrimit të plotë në BE. Jemi të inkurajuar nga fakti që forcat proeuropiane në gjirin e shoqërisë serbe janë në rritje dhe mbështesin kursin e vlerave të demokracisë dhe lirisë”, thekson Ilir Boçka.

Rruga për në BE- më e shkurtër, më e sheshtë nëse Ballkani ka bashkësi interesash

Nisma e re e BE për Ballkanin Perëndimor, e lançuar nga kancelarja Merkel, në Berlin në gushtin e vitit të kaluar, ka pasur ndikimin e saj për të thyer akullin historik mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe për të mbërritur tek vizita e Vuçiç në Tiranë, të mërkurën, më 27 maj.

“Ky është nje moment i ri, i përvetësuar me shpejtësi nga lidershipi politik në të dyja vendet. Perspektiva e përbashkët, integrimi europian, është themeli i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë dhe besoj edhe i kuptuar mirë. Rruga për në BE është më e shkurtër dhe më e sheshtë, në rast se do të kemi më shumë bashkëpunim në rajonin e Ballkanit , me pak probleme e divergjenca, më shumë bashkësi interesash e lidhjesh” shprehet në bisedë për DW ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka .

Shqipëria dhe Serbia rol kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan

Nisma e BE për Ballkanin Perëndimor ka ridimensionuar edhe rolin e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Serbisë në stabilitetin dhe paqen e rajonit. “Në qarqet politike e diplomatike, këtu në Beograd, kohët e fundit, pas këtij fillimi premtues në marrëdhëniet shqiptaro-serbe po përsëritet përherë dhe më shumë teza e peshës së veçantë që kanë për paqen e stabilitetin në rajon perspektiva e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ne duhet që më tej të punojmë që ta justifikojmë këtë nominacion që vërtetë të kontribuojmë për paqen e stabilitetin në rajon » thotë ambasadori Boçka.

Roli kyç i dy vendeve për stabilitetin dhe paqen ne Ballkan ka të bëjë me një kontekst gjeo-strategjik. Sipas ekspertit Albert Rakipi ka ndryshime në politikën e jashtme të dy vendeve. Nëse «Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron për t’u anëtarësuar në BE. Ajo është tepër e artikuluar në politikën e saj të jashtme dhe ka mbështetur pa ekuivoke dhe mëdyshje politikat e Perëndimit: BE, NATO, SHBA. Ndërsa Serbia ka hezitim kur është fjala për të mbështetur politikën e jashtme të BE dhe fton në Ballkan, një faktor tjetër, si është Rusia. Konteksti i zhvillimeve ndërkombëtare me Ukrainën e bën problematik këtë qëndrim të Serbisë. ”

Nga tjetër në Serbi ka hezitime, thotë Rakipi, jo vetëm të udhëheqësve politikë që veprojnë sipas interesave politike afatshkurtëra por edhe në shoqërinë serbe, ku nuk mungojnë idetë, edhe pse jo mbizotëruese, për një aleancë me Rusinë dhe rol të Rusisë në Ballkan. “Mendoj që Serbia kërkon të ketë ndikim në Ballkan. Por ajo duhet të përballet me të kaluarën dhe të kontribuojë për pajtimin e popujve në Ballkan pasi pajtimi dhe komunikimi është një vlerë themelore e BE” thotë për DW, Dr. Albert Rakipi.

Krijimi i Europës në vendet e Ballkanit

Në kuadrin e kësaj situate gjeo- politike, tregues domethënës i prirjes në marrëdhëniet Serbi-Shqipëri do të jenë paraqitja ose jo e projekteve të përbashkëta në takimin e Vjenës, që pason takimin e Berlinit, gushtin e kaluar. “Kam informacioneve që në takimin e Vienës do të hidhen në tryezën e diskutimit projekte të rëndësishme që lidhen me shtimin e lidhjeve e komunikimin midis të dy vendeve, në formën e autostradave, linjave hekurudhore dhe të tjera projekte, për të cilat palët kanë kohë që bashkëpunojnë. Besoj shumë se kjo do të jetë edhe tema kryesore e këtij takimi të rëndësishëm, i cili njëkohësisht do të shfrytëzohet edhe për shkëmbimin e ideve e pikëpamjeve për ta bërë këtë pjesë të Evropes më të begatë e më të sigurtë” thotë për DW, ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka.

Fryma dhe temat e bisedimevetë në Tiranë, mes palëve, këtë të mërkurë, do të jetë një tregues sesi do të ecin marrëdhëniet Serbi –Shqipëri. « Nëse vijohet me teorite e “Shqipërisë së Madhe” dhe të konspiracionit atëhere kjo është një shenjë që elitat politike nuk janë të gatshme për t’u shkëputur nga e kaluara. Në bazë të marrëdhënieve të reja mes Serbisë dhe Shqipërisë duhet të jenë projektet të përbashkëta strategjike, në infrastrukturë, energji të financuara nga BE. Me të tilla investime strategjike mund të shkohet drejt stabilitetit, sigurisë dhe krijimit të Europës në vendet tona. Ky është një komponent shumë i rëndëssihëm që kryeministri Rama dhe Vuçiç e kanë diskutuar në takimet e tyre në Bruksel” thotë për DW, Albert Rakipi. (dw)

Mediet turke nën presion

Më pak se dy javë para zgjedhjeve parlamentare, mediet turke e shohin veten në një situatë të vështirë. Kur i pyet për lirinë e shtypit, organizata gazetarësh e krahasojnë madje gjendjen me kohën e Hitlerit në Gjermani.

erdoganNeutraliteti politik për Presidentin e Shtetit, Recep Tayyip Erdogan me sa duket edhe më tej nuk vjen në diskutim: gati përditë i kritikon ai me ashpërsi të madhe kundërshtarët politikë njësoj si edhe opozitën e partisë në pushtet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Premtimet e opozitarëve në fushatën elektorale kthehen në qesharake me fjali të tilla si “ose ata nuk dinë të bëjnë llogari ose nuk i kanë rrahur kurrë”.

Ditët e fundit ai e ashpërsoi tonin kundër shtypit turk dhe e përdori aparatin e drejtësisë kundër gazetarëve të caktuar si dhe kundër shtëpive të tëra mediatike. Shembulli më i fundit është konflikti me sa duket i inskenuar prej tij me gazetën e përditshme “Hürriyet”. Gazeta me traditë e Republikës pati tërhequr vëmendjen në raportimin për dënimin me vdekje të ish-presidentit egjiptian, Muhamed Mursi të zgjedhur në mënyrë demokratike se ai pati fituar 52 përqind të votave në zgjedhje. Por meqenëse edhe ai, në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta të një kryetari shteti turk në gusht të vitit të kaluar u zgjodh me 52 përqind të votave në post, Erdogani pa aty përpjekjen indirekte të një thirrjeje për ta rrëzuar atë.

Avokatët e Erdoganit kërkojnë arrestimin e kryeredaktorit të Hürriyetit, Sedat Ergin dhe drejtuesve të tjerë të gazetës më përfaqësueve të grupit mediatik Dogan. Sipas fjalëve të tij, Erdogani do të kujdeset, që mediet “të mos rrëzojnë si deri tani, pa u penguar, qeveritë dhe të krijojnë qeveri të reja”. Shumë gazetarë me emër druhen për humbjen e funksionit të kontrollit të medieve në sqarimin e opinionit publik. Presidenti i sindikatës së gazetarëve TGC, Ugur Güc, ankohet që populli ka kohë që nuk ka më burime të pavarura demokratike të informacionit: “21 gazetarë janë arrestuar. Reporterët e harxhojnë një pjesë të madhe të energjisë së tyre nëpër prokurori, për t’u shprehur kundër mijëra procedurave hetimore që i kërcënojnë ose kanë nisur”.

Krahasime me kohën e nazistëve

Për Güc-in është e kuptueshme që para së gjithash në mediat sociale bëhen gjithnjë e më shpesh krahasime me rrethanat në kohën e Gjermanisë së Hitlerit: “Atëherë, kundërshtarët politikë dhe ata që mendonin ndryshe iu mbyll goja me propagandë dhe me frikësim. Sot ne vërejmë padyshim përpjekje të tilla”.

Veç kësaj, gjithnjë e më shumë koncerne janë në kërkim të porosive me leverdi të shtetit, për të siguruar aktivitetet e tyre ekonomike dhe për të rritur shanset. Në këtë atmosferë nuk mund të bëhet fjalë për gazetari të pavarur, thotë Güc.

Profesori Mehmet Altan, gazetar, shkrimtar dhe profesor për politikën ekonomike në Universitetin e Stambollit nuk e pranon dot që aktualisht “kushtetuta praktikisht nuk është në fuqi” dhe që ka ndodhur “një grusht shteti civil”. Altani shpreson se vendi i tij do t’i kapërcejë kohët e “mungesës së ligjit” dhe do të kalojë në “një fazë të restaurimit demokratik”.

Por deri atje, rruga është e gjatë. Turqia zë vendin e 149 nga 180 vende për lirinë e shtypit në listën e Reporterëve pa Kufi. Kjo është dëshmi për hendekun midis pretendimit dhe realitetit në Turqi, përsa i përket pretendimit të Erdoganit “askund nuk është më i lirë shtypi se në Turqi!”. (dw)

Personi më i moshuar në botë

116Personi më i moshuar në botë, Jeralean Talley, festoi 116-vjetorin e lindjes, me një ceremoni në kishën ku ajo është anëtare, në shtetin verior amerikan  të Miçiganit.

Talley, e cila jeton në lagjen Inkster në periferi të Detroitit, ja dedikon jetëgjatësinë e saj ndjenjës së besimit të thellë që ka. Ajo u përcaktua si njeriu më i moshuar i botës nga Grupi Kërkimor i Gerontologjisë, që vlerëson moshën e njerëzve që jetojnë më gjatë.

Jeralean Talley thotë se nuk ka pirë kurrë cigare dhe alkool dhe ndërhyrja e vetme kirurgjike që ka patur në jetën e saj të gjatë është heqja e bajameve. (voa)

Vdekja e papritur nga ajri

Sulmet me drone vrasin terroristë, të dyshuar por edhe njerëz të pafajshëm pa asnjë proces. Sulmet kryhen nga baza ushtarake e Ramshtajnit në Gjermani. Për herë të parë të mbijetuarit po dëgjohen para gjykatës.

droneFaisal bin Ali Jaber nuk do ta harrojë kurrë mbrëmjen e 29 Gushtit 2012. Ai po festonte me farefisninë në një dasmë në Kashamir, një fshat në Lindje të Jemenit, kur ata u goditën nga pesë raketa të lëshuara nga dronet amerikane. Ndërsa inxhinieri Faisal bin Ali Jaber i mbijeton goditjes, nipi Valid dhe kunati Salim vriten. Këto viktima të pafajshme janë dëme kolaterale të “luftës kundër terrorit”. SHBA asnjëherë nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e dy viktimave jemenitase. Ndërkaq ngjarja është nën gjykim në një gjykatë gjermane. Më 27 Maj do të zhvillohet për herë të parë një seancë dëgjimore në gjykatën administrative të Këlnit për të vrarët jemenitas si pasojë e sulmit me drone.

Sipas Andreas Schüller është hera e parë në botë që të prekur nga sulmet e droneve do të dëgjohen përpara gjykatës. Së bashku me European Council for Constitutional and Human Rights (ECCHR)Schüller ka ndihmuar jemenitasit në parashtrimin e padisë së tyre. Juristi e gjen Gjermaninë bashkëfajtore për shkak të bazës amerikane në Ramshtajn. Këtu amerikanët kanë instaluar një stacion relesh për satellitë, që është i domosdoshëm për komandimin e droneve. “Çdo sulm me drone mbi Pakistan ose Jemen ka një lidhje me Ramshtajnin”, thekson Schüller në një bisedë për Deutsche Welle-n.

Gjermania si pikë për sulmet me drone

Baza ushtarake në afërsi të Kaiserslauterit ka një sipërfaqe prej 1400 hektarësh. Në bazë të marrveshjes së vitit 1993, zyrtarët dhe politikanët gjermanë nuk mund të hyjnë aty pa lejen e komandantëve amerikanë. Ramshtajni është aeroporti amerikan më i madh ushtarak jashtë territorit të SHBA-së dhe këtu ndodhet edhe Air and Space Operations Centre. Sipas informacioneve të stacioneve televizive NDR dhe WDR si edhe të gazetës Süddeutsche Zeitung në këtë bazë ushtarake të sigurisë së lartë janë dislokuar 650 ushtarë që punojnë me 1500 kompjuter me monitorë të mëdhenj sa një trup njeriu. Kështu koordinohen sulmet ajrore kundër objektivave në Jemen, Somali, Afganistan dhe Pakistan. Me ndihmën e satelitëve dronet transmetojnë në Ramshtajn të dhëna dhe fotografi. Prej andej ato iu dërgohen pilotëve të droneve që ndodhen në më të shumtën e rasteve në SHBA. Andreas Schüller citon ish-pilotë të droneve, sipas të cilëve sulmet me drone do të ishin të pamundura pa Ramshtajnin. Jürgen Todenhöfer e njeh bazën ushtarake ajrore të Ramshtajnit. Ai ka qenë gjykatës në afërsi të Kaiserslauternit dhe anëtar i Bundestagut. Vrasjet e qëllimshme të administratës amerikane, doktori në fushën e jurisprudencës i vlerëson si krim.

Rolin e Gjermanisë Todenhöfer e dënon me vendosmëri: “Me ndihmën e Ramshtajnit po vriten njerëz në të gjithë botën, dhe asnjë gjykatës nuk e ka aprovuar këtë”. Në funksionin e tij si publicist Todenhöfer ka udhëtuar në shumë vende të botës, ku operojnë dronet. Ai është në kontakt me një avokat që mbron viktimat e droneve në rajonin Vaziristan në kufirin afgano-pakistanez. Todenhöfer raporton që avokati i ka konfirmuar përpara pak kohësh në telefon se 90 për qind e viktimave nga sulmet e droneve janë të pafajshme.

41 objektiva, 1147 të vrarë

Dyshime akoma më të mëdha për të ashtuquajturin “precizion kirurgjikal” vijnë nga një studim i raportit të organizatës joqeveritare britanike “Reprive”, e cila kishte analizuar materiale të publikuara rreth luftës me drone. Rezultati: për të eliminuar 41 persona nga lista e presidentit Obama për njerëzit që duhen eliminuar janë vrarë 1147 persona. Listën e njerëzve të vrarë pa qëllim e kryeson aksioni për vrasjen e kryetarit islamik të fisit nga Pakistani, Baitullah Mehsud. Gjashtë herë kanë lëshuar pa rezultat dronet amerikane raketat-hellfire, por arritën të vrasin Mehsudin vetëm në verën e vitit 2009 me tentativën e shtatë. Gjithsej janë vrarë 147 njerëz nga këto sulme.

Amrith Singh që punon për Open Society Justice Initiative ka botuar në prill një studim për viktimat civile si pasojë e sulmeve me drone. 128 faqet e “death by Drone” i kushtohen rasteve në Jemen. Në bisedë për DW Singh shpreh dyshime serioze që sulmet me drone të jenë në përputhje me Drejtën Ndërkombëtare ose edhe vetëm me parimet bazë të politikës së SHBA-së. Singh kujton se presidenti amerikan Obama kishte deklaruar në vitin 2013 se përpara se të lëshohen raketa nga dronet duhet thuajse të përjashtohet rreziku që të vriten ose plagosen civilë jashtë Afganistanit. Më tej thuhej se terroristët mund të vriten vetëm në rastin kur do të jetë e pamundur kapja e tyre. Raportet e Singh-ut vërtetojnë se të sulmuarit nuk qendronin të fshehur dhe as nuk ishin në rajone të pakontrollura. Ata mund të arrestoheshin nga autoritetet jemenitase.

Një kusht tjetër i vendosur nga Obama ka qenë që mund të sulmohen vetëm ata persona, që paraqesin rrezik direkt dhe të vazhdueshëm për sigurinë e popullit amerikan. Edhe ky kusht është cënuar disa herë, mendon Singh. Në asnjë rast të dokumentuar deri më tani nuk ka pasur indikacione të qeverisë amerikane apo jemenitase që ato të kenë paraqitur rrezik për popullin amerikan. Studimi i Singh-ut përmban deklarata të viktimave dhe të të afërmve të tyre. “Këta njerëz përsërisin se ata duan që atyre t´u njihen vuajtjet. Ata duan të dinë se pse janë sulmuar dhe mbi të gjitha duan drejtësi.” Ndoshta jemenitasi Faisal bin Ali Jaber arrin të marrë drejtësi në Këln. Është ironi e fatit që vetëm disa ditë më parë se të vritej nga sulmi me drone, kunati në predikimin e tij kishte sulmuar ashpër Al-Kaidën. Ky nuk ishte predikimi i tij i parë i këtij lloji, por për fat të keq i fundit. (dw)

Autopsia ndriçon mënyrën e vrasjeve në Kumanovë: U vranë pas dorëzimit

Disa nga të vrarët në Kumanovë janë ekzekutuar pasi që janë dorëzuar tek policia maqedonase. Burimet e sigurta të Tribuna Channel brenda Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë thënë se në trupat e disa nga nëntë të vrarëve në Kumanovë janë gjetur edhe plumba e gëzhoja granatash.

“Në bazë të gjetjeve vërtetohet se disa nga të vrarët janë ekzekutuar pasi që janë dorëzuar autoriteteve maqedonase. Kjo është vërtetuar në bazë të përcaktimit të kohës së vdekjes. Ndoshta janë bërë lëshime, ndoshta edhe nuk i kanë pasur mjetet e nevojshme për të bërë autopsinë”, kanë thënë burimet e Tribuna Channel brenda Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Po sipas këtyre burimeve, trupat e të vrarëve kanë qenë tejet të dëmtuar.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një komunikate për media kishte thënë se dyshon se disa nga nëntë shtetasit kosovarë, të vrarë në konfliktin në Kumanovë, janë vrarë pasi janë dorëzuar.

Të dielën pasdite është bërë varrimi i Beg Rizajt në kompleksin memorial të Gllogjanit, ndërsa, organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë vendosur që tetë të vrarët e tjerë të varrosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Prishtinë, ditën e martë.

Në konfliktin e armatosur të ndodhur në Kumanovë janë vrarë 18 persona, prej të cilëve 8 policë dhe 10 nga grupi i armatosur. Nëntë nga të vrarët janë nga Kosova, trupat e të cilëve u sollën nga Maqedonia mëngjesin e së premtes. /Tribuna Channel/

Vringëllimë shpatash në Kiev

Dy ushtarë të kapur rob nga Rusia do të ofrojnë dëshminë përfundimtare, se Rusia lufton me trupa të rregullta në Ukrainën Lindore dhe kundër Kievit.

ukrainaShtasje është një vend i vogël në veri të bastionit të skryengritësve Luhansk në Lindje të Ukrainës. Është një qytezë e trishtuar e viteve ’50-të, e cila ekziston vetëm, sepse në Veri të saj ndodhet një central energjetik. Atje prodhohet energjia elektrike për të gjithë rajonin – edhe për bastionin e kryengritësve Luhansk të separatistëve prorusë më tej në jug. Shtasje në gjuhën ukrainase do të thotë lumturi. Por situata duket pak e lumtur: në tabelën, që tregon hyrjen për në këtë vend, syri të sheh ushtarë ukrainas të regjimentit të Kievit në një pikë kontrolli – një urë më poshtë drejt jugut janë separatistët e Luhanskut. Centrali duket qartë. Pikërisht në këtë vend ukrainasit thonë se në luftimet e 16 majit arrestuan dy ushtarët rusë, të cilët ndërkohë ndodhen në Kiev. Sipas interpretimit ukrainas, ata kanë qenë pjesë e një njësie speciale ruse. Për presidentin ukrainas Poroshenko, kjo është një dëshmi e qartë se vendi nuk është në luftë me separatistët prorusë, por direkt me fqinjin e madh, Rusinë. Moska e kundërshton këtë si gjithmonë – dy ushtarët kanë qenë dikur më parë ushtarë të rregullt, por tani me siguri që nuk janë më.

Përgatitje për sulmin e përgjithshëm

Tani vringëllijnë shpatat: të enjten, (21.05) kryekëshilltari i Shërbimit të Fshehtë ukrainas SBU, Markiyan Lubkivsky tregoi armët e dy të arrestuarve, granata dore dhe dokumenta, të cilat thuhet se konfirmojnë përkatësinë e tyre në batalionin e dytë të brigadës së tretë ruse për detyra speciale. Kjo brigadë drejtohet nga një major Kostjantyn Napolskych, i cili në luftë mban emrin “Fagot”. Kjo trupë besohet se ka ardhur më 20 mars në Ukrainë. Synimi i saj: përgatitje për një sulm kundër zonës së mbajtur nga trupat e Kievit, në centralin e rëndësishëm strategjik të Shtasjes, qytetit të fatit dhe lumturisë. Regjistrime në video me intervista me dy rusët e arrestuar Kievi i ka nxjerrë në internet, të shoqëruar me nëntituj në anglisht, në mënyrë që ta marrin vesh të gjithë në Perëndim. Por nëse arrestimi i Shtasjes do të rezultojë vërtet fat për Kievin, kjo mbetet të shihet.

Kritikë nga Amnesty International

“Në përpiqemi t’i trajtojmë në mënyrë sa më njerëzore që të jetë e mundur”, thotë shefi i shërbimit të fshehtë, Lubkivsky. Dhe gjen për këtë aprovimin e Amnesty International: “Në fakt kushtet janë me të vërtetë të mira”, thotë drejtuesja e zyrës në Kiev, Tatjana Masur. Por këtu merr fund mböshtetja e versionit të këshilltarit të Shërbimit të Fshehtë. “Ne kemi mundur t’i vizitojmë ata të dy, por vetëm në praninë e oficerëve të shërbimit të fshehtë.”

Kjo nuk është mënyra e zakonshme, se si punon Amnesty. Sipas standardeve të të drejtave të njeriut nuk duhet ndërmarrë asgjë “kundër interesave të të dyve”. Të treguarit e të burgosurve në internet nuk hyn në këto standarde. “Dhe sigurisht as filmimi i tyre”, thotë përfaqësuesja e Amnesty në Kiev, e cila paraqiti të premten (22.05) një raport, që dokumentojn rastet e trajtimit jonjerëzor të ushtarëve të kapur, si nga ana e Kievit, ashtu edhe nga ana e rebelëve.

Moska nuk i lë Kievit rrugë tjetër

Është e paqartë, nëse të dy kanë qenë dakord me xhirimin. “Nëse ka qenë kështu, nuk ka asgjë të keqe, nëse jo “kjo nuk është në rregull”, thotë zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së, Alexander Hug. Njëri nga dy të burgosurit rusë është filmuar në shtrat i sëmurë. Kjo nuk është shumë e bukur, thotë një diplomat evropian në Kiev, “por Rusia nuk u lë ukrainasve rrugë tjetër”. Për më tepër “amerikanët kanë për t’i thënë, se nuk duhet të publikojnë shumë nga këto intervista.” Pra një dilemë.

Poroshenko do që të jetë presidenti i paqes

Presidenti i vendit do që të jetë i miri i kësaj lufte për Ukrainën Lindore. “Unë jam presidenti i paqes”, tha me zë të sigurtë kryetari i shtetit Petro Poroshenko në intervistë me kanalin e dytë televiziv gjerman në kuadër të vizitës së tij tek kancelarja gjermane në Berlin javën e kaluar. Por misioni i vëzhguesve të OSBE-së akuzon edhe ushtarët e tij, se e shkelin herë pas here marrëveshjen e shkurtit të Minskut. Ata e kanë përmisëruar ndërkohë armatimin. Këtë javë një nga avionët e zbulimit të OSBE-së mundi të dokumentojë një sistem të tipit Strela në territorin e rebelëve, në afërsi të qytetit të madh Mariupol, në jug të Ukrainës në detin Azov. Rreziku i një shpërthimi të ri të dhunës në fakt nuk është kapërcyer.

Telefonim i bashkëshortes

Pika kulmore e konferencës së shtypit në selinë e shërbimit të fshehtë në Kiev – kryekëshilltari i Shërbimit të Fshehtë Lubkivsky merr telefonin celular. Pas tij një person i armatosur i sigurimit me maskë të zezë. Lubkivsky i bie një numri. Ai është numri bashkëshortes të njërit prej të burgosurve, që me sa duket sapo është intervistuar nga televizioni rus. Përgjigjet sekretaria telefonike, punonjësi i shërbimit sekret e mban aparatin te mikrofoni, për t’ia dhënë pastaj numrin gazetarëve. Metoda interesante. Nëse ato i ndihmojnë Kievit në luftën për autoritetin moral në këtë konflikt, mbetet e hapur. Ashtu si edhe nëse të zënët rob në Shtasje do t’i sjellin me të vërtetë fat në fund “presidentit të paqes”.

Mbrojtja e biodiversitetit në liqenet Prespë, Ohër, Shkodër

Zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria, dhe Maqedonia shikojnë mundësitë e kooperimit ndërsektorial dhe ndërkufitar në menaxhimin e ujërave dhe burimeve natyrore.

liqeni i prespesShoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ GmbH) prej vitit 2012 ka zbatuar projektin për “Ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe atë të Shkodrës”, CSBL, me iniciativa, procese dhe projekte të vendeve kufitare që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujrave dhe burimeve natyrore.

Këto liqene ndahen mes shteteve fqinje, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë duke përfaqësuar një pjesë unike dhe mjaft të spikatur të trashëgimisë natyrore të Evropës. Në këtë fazë të parë të projektit, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, BMZ, ka shpenzuar një formd preh rreth 2 milion eurosh. Manjola Lala, zyrtare e marrëdhënieve me publikun për këtë projekt, thotë se mbështetja gjermane në të tre vendet lidhet me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të këtyre burimeve natyrore të çmuara e njëkohësisht vulnerable.

Mbështetja në dy fazat 5 milionë euro

“Krahas vënies në zbatim të një menaxhimi të përshtatshëm të ekosistemit në nivel kombëtar, është me rëndësi thelbësore, që këto tre vende të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të bashkëpunojnë në nivel rajonal në zbatimin e përbashkët të kuadrit rregullator të BE-së në menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen e natyrës, i cili është i detyrueshëm për tre vendet në rrugën e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”.

Ditët e fundit në Tiranë ishin në një diskutim të përbashkët zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia në një hapësirë debati dhe shkëmbimi idesh mbi praktikat dhe përvojat më të mira botërore në menaxhimin e baseneve të lumenjve, si dhe për të rënë dakord lidhur me hapat e mëtejshëm që do të përmirësojnë menaxhimin ndërkufitar të burimeve në të tre liqenjtë, në përputhje me objektivat e BE-së në mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit. “Synimi ishte ndërtimi i një plani të përbashkët veprimi në përcaktim të masave që duhen zbatuar për të garantuar konsolidimin e strukturës organzative të institucioneve dhe për të rritur kapacitetet në menaxhimin ndërkufitar të burimeve natyrore”-thotë Lala për Deutsche Welle-n.

Për vijueshmërinë e projektit, BMZ parashikon mbështetjen e një faze të dytë të CSBL, me një investim 3 milion euro, duke e ҫuar faturën e ruajtjes dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve në tri liqenet në 5 milion euro.

Projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor

Inxhinieri Arjan Jovani, drejtor i Departamentit të Sigurisë së Digave të kaskadës së lumit Drin i shikon të lidhura tre liqenet me ujërat e lumit Drin. Sipas tij, ujrat e Prespës rrjedhin përmes nëntokës së zonës në drejtim të liqenit të Ohrit në zonën e Tushemisht dhe nga Ohri del Drini i Zi, i cili mbërrin në Kukës dhe pasi bashkohet me Drinin e Bardhë, i cili vjen nga Kosova, kalon tre liqenet e hidrocentralit të Fierzës, Komanit dhe Vau të Dejës për t’u bashkuar me lumin e Bunës në dalje të liqenit të Shkodrës. Pra, projektet për menaxhimin e rezervave ujore të këtyre tre liqeneve duhet të shikohen si projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor që fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkodër, thotë inxhier Jovani për Deutsche Welle-n.

“Ndaj projektet rajonale kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e rezervave ujore. Mjafton të përmendesh bashkëpunimin shumëplanesh të vendeve të Danubit, të cilat e kanë kthyer në një sistem ujor shumë të dobishëm për të gjithë zonën ku kalon ky lum. Në planin konkret projektet shumëpaleshe rajonale në menaxhimin e rezervave ujore kanë rendësi edhe sepse rezervat ujore të këtyre vendeve mund të përdoren për energji, turizëm, peshkim, transport dhe zhvillim urban, me ndikim në zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve tona”.
Eksperti Jovani përmend dhe njërin prej projekteve kryesore të GIZ, përgatitjen e një modeli hidrologjik të pellgut ujëmbledhës të lumit Drin, i cili fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkoder dhe ku përfshihen 4 shtete (Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë). Përmes ndërtimit të këtij modeli dhe monitorimin dhe menaxhimin e të dhenave hidrologjike të këtij pellgu bëhet e mundur një menaxhim shumë më i mirë i këtyre ujrave, duke bërë të mundur edhe zvogëlimin e rrezikut të përmbytjeve.
“Shpërndarja e informacionit në kohë reale përmes teknologjive moderne të informacionit bën që në rastet e prurjeve të mëdha në kaskadën e Drinit Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, e ka shumë të nevojshëm informacionin mbi prurjet që vjen nga Maqedonia. Po kështu Shqipëria ka detyrim të shkëmbejë informacion me Malin e Zi për rastet kur mund të ketë shkarkime të mëdha nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Pra, mosbashkëpunimi rajonal ka pasoja të konsiderueshme”- thotë për Deutsche Welle-n, inxhinier Jovani. (dw)

Sulmohet gazetari Sashe Ivanovski-Politiko

Gazetari Sashe Ivanovski – Politiko, i cili dje ishte rrahur nga disa personave të maskuar pohon se akti është rezultat i regjimit dhe nën organizimin e pushtetit të cilin ai e kritikon gjithnjë e më zëshëm. Ivanovski ka zbritur rreth orës 21.00 pranë makinës së parkuar para ndërtesës ku jeton, kur personat e maskuar e kanë sulmuar.

“Ishte qetësi, dëgjova vrapimin e dy njerëzve drejt meje, që vraponin shumë shpejt, kur u ktheva pashë se mbanin maska në fytyrë dhe shufra të ngritura. Më shkaktuan disa goditje në duar, kokë dhe shpinë, si dhe disa prerje. Mendoj se kjo është përshëndetje nga Gruevski, dëgjuam në video-regjistrime se si ai kontraktonte rrahje me shuplaka për Andrej Zhernovskin dhe si shefi i Kabinetit të tij kishte dërguar maskarenj dhe vagabondë në Ohër për të rrahur. Mendoj se pyetjet e mia ndaj Gruevskit, të cilat ishin të palakmueshme, i lënduan shumë ata. Nuk janë mësuar ashtu. Shenja e parë erdhi kur nuk më lanë të hyja në klubin e deputetëve, ndonëse kisha akreditim dhe kartën e gazetarit, si dhe pasi vazhdova aktivitetet dhe ndërpreva lidhjen e Kanal 5. Ja dje mbërriti edhe kjo përshëndetje për të cilën jam i sigurt se është urdhër i Gruevskit dhe Martin Protugjerit”, deklaroi Sashe Ivanovski, gazetar.

Ndonëse, një pjesë e profesionit e kritikon Ivanovskin lidhur me respektimin e standardeve profesionale nga ana e tij, megjithatë të gjithë janë të njëzëshëm se askush nuk guxon të jetë i rrahur apo t’i rrezikohet jeta. Ivanovski, nga ana tjetër, shprehet se çdo gazetar ka stilin e vet të punës.

“Këto janë çështje shijesh, secili e bën punën ashtu siç e do. Në Amerikë ka gazetarë që janë më të përmbajtur, më të zëshëm dhe më vulgarë”, u shpreh Sashe Ivanovski, gazetar.

Incidentin e konfirmojnë edhe nga Ministria e Brendshme. Nga ky dikaster thanë se rasti është denoncuar, dhe se policia ka marrë masa për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Natasha Stojanovska

Rama: Bashkimi i shqiptarëve nën kulmin e BE-së

prishtina ismail qemaliKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka qëndruar të shtunën në Kosovë, me rastin e ceremonisë së vendosjes së shtatores së heroit Ismail Qemali, në Prishtinë, ka folur për bashkim kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

Ai ka deklaruar se shqiptarët nuk do të shkelin fjalën që u kanë dhënë amerikanëve dhe evropianëve se bashkimi do të ndodhë në Bashkimin Evropian.

“Ne, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk e kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën e me Evropën, për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim, përveç se si kulmim të bashkimit shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror me Bashkimin Evropian dhe kurrsesi jo, si përçmim, si për anë ndaj fqinjëve, me të cilët duam po ashtu të bashkohemi në çatinë e përbashkët të Evropës”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në një hapësirë lirie e demokracie, ku askush asnjëherë nuk do të mund të imagjinojë, që siç është shprehur ai, “t’i përpijë” shqiptarët.

Rama ka folur për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe ata që jetojnë në Luginën e Preshevës, vend ky i cili gjendet në jug të Serbisë.

“Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë t’i imponojnë një faturë të padrejtë një shteti të vobektë, por rreken, besoj, shpesh edhe kundër të besueshmes, se fjala dhe besa as nuk nëpërkëmben as nuk poshtërohen, as nuk pushkatohen e as nuk treten jo. Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa çfarë kanë serbët e veriut të Kosovës”, ka theksuar Rama.

Edhe kryetari i Komnunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili takon subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, ka folur për bashkimin e shqiptarëve.

Ai ka theksuar se shqiptarët, që të jenë më të fortë, u duhet bashkimi dhe uniteti.

“Ne duam vetëm bashkimin e shqiptarëve me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për t’i kundërshtuar ata që synojnë të na përpijnë ne”, është shprehur Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e zbulimi të shtatores së heroit Ismail Qemali, që ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, ka thënë se vendosja e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes ndërmjet komunës së Prishtinës dhe asaj të Vlorës.

Hapi i dytë, sipasAhmetit, është vendosja e shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë.

Shtatorja e Ismail Qemalit është zbuluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shtatorja është vendosur para objektit të ri të Qeverisë së Kosovës, aty ku më parë ka qenë Pallati i Medieve. (rel)