Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së në Shkup

okbNdihmës sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Ivan Shimonoviç, i cili ishte për vizitë në Shkup, vuri në dukje nevojën për hetime transparente dhe të besueshme për rastin e Kumanovës dhe skandalin e përgjimeve. Ai tha se në këtë proces duhet të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar.

Zoti Shimonoviç bëri të ditur se ka biseduar me Prokurorin e përgjithshëm të Maqedonisë dhe ka mësuar për fillimin e hetimeve, ndërkohë që tha se për këtë duhet një ndihmë ndërkombëtare. Ai u tha mjeteve të informimit në Shkup se ky hetim, përveç dimensionit ligjor ka edhe atë politik dhe se më me rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë.

Zyrtari i OKB-së ka shprehur shqetësime për liritë dhe të drejtat e njeriut në Maqedoni, duke lënë të kuptohet se rasti i Kumanovës dhe ai i përgjimeve ngrejnë dyshime për shkeljen e këtyre të drejtave. “Përmbajtja e bisedave të përgjuara në mënyrë joligjore dëshmon se këtu mund të jenë shkelur të drejtat e qytetarëve”, tha ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ai bëri vërejtje edhe për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe për politizimin e gjyqësorit.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, i cili do të shkojë në Bruksel javën që vjen, do të bisedojë me zyrtarët evriopianë, mes tjerash, edhe mbi Maqedoninë. (voa)

Ndikimi rus dhe ekstremizmi fetar në Ballkan

viena konferencaProcesi i komplikuar dhe i gjatë i integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor ka krijuar hapësirë për shtrirjen e ndikimit rus dhe ekstremizmit fetar, thonë analistët. Në një diskutim mbi rëndësinë e angazhimit amerikan në Ballkan, ekspertët thanë se një rritje e angazhimit amerikan dhe evropian është e nevojshme për integrimin e plotë euro-atlantik të Ballkanit.

Në Ballkan po ndodhin dy ndryshime të rëndësishme në krahasim me vitet e mëparshme, ndikimi i rus dhe ekstremizmi fetar, thonë analistët.

“Për shkak se procesi i integrimit euro-atlantik është më i komplikuar se ç’kemi menduar, do të jetë më i gjatë se sa ç’do të donim ne, ekzistojnë sfera të tjera të influencës. Rusia duket se dëshiron të bëjë manovra politike në rajon.  Ekziston një nivel i influencës që po vjen nga Lindja e Mesme që duket tërheqëse për njerëzit të cilët nuk kanë shumë mundësi ekonomike. Historikisht roli i fesë islame në Ballkan nuk ka qenë radikal. Megjithatë, ka një shfaqje të influencës nga jashtë që ndoshta mund të shfrytëzojë rrethanat e vështira ekonomike dhe sociale. Pra ka sfera të tjera të influencës që para dhjetë vitesh nuk kanë ekzistuar në rajon”.

Mungesa e një angazhimi më të madh të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ka bërë që vendet e rajonit të mendojnë për alternativa të tjera. Ekspertët thonë se duke marrë parasysh veprimet e Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në NATO dhe BE. Analisti i Fondacionit Heritage, Luke Coffey përmend Maqedoninë si një shembull.

“Mendoj se jo vetëm në Maqedoni por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë lënë anash rajonin sikur gjithçka të ishte e zgjidhur dhe mirë. Por e vërteta është se, siç po e shohim në rrugët e Shkupit ose në vende të tjera të Ballkanit, ka ende shumë punë të pambaruara. Unë mendoj se tani do të ishte një tragjedi për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që t’i kthejnë shpinën rajonit i cili, është i rëndësishëm jo vetëm për historinë por edhe qëndrueshmërinë e Evropës”.  

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të përdorin situatën e tanishme në Maqedoni për të intensifikuar përpjekjet e integrimit të këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

“Ne duhet të nxisim palët që të kenë dialog, që protestat të jenë paqësore dhe që të mos ketë dhunë. Por ne gjithashtu duhet të përdorim këtë si një mundësi për t’i dhënë energji debatit brenda Evropës për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike si NATO dhe Bashkimi Evropian sepse unë mendoj se, nëse Maqedonia do të ishte në gjendje të bëhej anëtare e këtyre institucioneve vite më parë, shumë probleme politike me të cila po ndeshet vendi tani nuk do të krijonin tensione”.

Vendet e Ballkanit Perendëmorë nuk janë pjesë e institucioneve euro-atlantike pasi nuk kanë përmbushur kushtet për anëtarësim. Por analistët thonë se është në interesin strategjik të instutucioneve euroatlantike që t’i kenë këto vende në gjirin e tyre.

“Unë mendoj se ne duhet t’i ndihmojmë zërat pro-perëndimorë dhe ata që duan të integrohen. Nuk duhet t’u japim atyre kushte të cilat është e pamundur të plotësohen duke marrë parasysh nivelin e tyre të zhvillimit. Ne duhet të punojmë me ta. Nuk ia vlenë të sakrifikohen arritjet e mira për hir të përsosmërisë”.  

Analistët janë dakord se për të parandaluar shtrirjen e ndikimit rus dhe për të rritur sigurinë dhe qendrueshmërinë e Ballkanit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të intensifikojnë përpjekjet për integrimin e plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike. (voa)

Koment: Fundi i shpresave

Samiti i BE me vendet fqinjët lindorë në Riga patjetër që do të përfundonte me zhgënjim. Sepse Rusia nuk u lë evropianëve aspak hapësirë, mendon Barbara Wesel.

rigaBukuria njihet- edhe në politikë. Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, mori përsipër ta thotë me zë të lartë atë, që kancelarja gjermane e shmangu në mënyrë absolute. Ai foli hapur për mysafirin e gurtë në samitin në Riga, e përmendi me emër dhe iu duk i shëmtuar. Fjala është për Rusinë dhe me të presidentin Vladimir Putin dhe “mangësitë e tij, të cilat ai i kompenson me taktika destruktive, agresive dhe shqetësuese ndaj vendeve fqinje”. Trazovaçi polak tematizoi në këtë mënyrë konfliktin, që e paralizoi në masë të madhe këtë takim të Partneritetit Lindor.

Të gjitha diskutimet mbi përparimet në Drejtim të Evropës, demokratizimit, luftës kundër korrupsionit, për të drejtat e njeriut, apo sistemin e drejtësisë në vendet në skajin lindor të Evropës, bëhen me rezervën, për të mos acaruar Moskën. Balancën e vështirë, që evropianët kanë arritur në negociatat për Ukrainën lindore dhe me të cilën e kanë transformuar konfliktin e armatosur në një lloj konflikti të ngrirë, nuk do ta vërë askush në rrezik.

Vetëm të mos bëhen premtime

Prandaj fjala e ndaluar në Riga është: perspektiva e anëtarësimit. Në deklaratën e përbashkët të samitit evitohet me kujdes gjithçka, që i vjen vetëm në afërsi perspektivave më konkrete, apo premtimeve. Në vend të kësaj flitet në mënyrë të vagullt për afrim dhe bashkëpunim. Kështu për shembull marrëveshja tashmë e nënshkruar për tregtinë e lirë me Ukrainën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit, që vjen. Por nuk ka as një gjysëm premtimi për lehtësimin e shpejtë të regjimit të vizave. Tepër e madhe është frika nga migracioni masiv në drejtim të Evropës.

Dhe ky shembull tregon se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit me idenë fillimisht të madhe të politikës së Partneritetit Lindor. Një sërë masash të veçanta politike dhe marrëveshje për hapat e vegjël të bashkëpunimit dhe të kortezisë. Sunduar nga frika e reagimeve të Moskës.

Zhgënjimi ishte i programuar

Që para fillimit të takimit pati ankesa, se ky takim do të përfundonte me një zhgënjim, dhe se politika e partneritetit ka dështuar. Kjo është e drejtë. Por arsyeja për këtë është, se kanë ndryshuar në mënyrë të paparashikueshme raportet politike. Përballë fqinjëve me orientim më tepër perëndimor qëndrojnë tre të tjerë, që i qëndrojnë besnikë Moskës. Dhe tek shumë prej tyre ka konflikte të pazgjidhura rajonale nga intervenimi i Moskës.

Nga ana tjetër tani edhe Bjellorusia, e cila është e rrënjosur fort në orbitën ruse, ka frikë nga forca shumë e madhe e Vladimir Putinit. Shembulli i Ukrainës lindore e frikëson madje edhe diktatorin Lukashenko. Dhe ky ka fituar disa pikë në Perëndim për ndihmën e tij në bisedimet e Minskut. Prandaj BE lë një deriçkë të hapur edhe në drejtim të regjimit të tij autoritar. Vetëm Azerbajxhani po bëhet gjithnjë e më shumë diktatorial dhe largohet nga çdo e përbashkët. Dhe kështu përgjigja e BE-së ndaj situatës komplekse, të ndryshueshme dhe të diferencuar në vendet në skajin lindor është një lloj politike e fqinjësisë à la carte. Për secilin ka një qasje të veçantë, programe të veçanta ndihme, koncesione të vogla, apo edhe paralajmërime. Por për perspektiva, apo edhe vizione të së ardhmes nuk bëhet më fjalë.

Është e qartë se vende si Ukraina, apo Gjeorgjia, janë të frustruara dhe të zhgënjyera. Edhe pse presidenti Poroshenko i fsheh ndjenjat e tij. Fundja ai e di, se sa hapa konkretë reformues duhet të bëjë, para se të ekzistojë edhe mundësia më e vogël, që Ukraina t’i afrohet më shumë Evropës. Për zhvillimin e shoqërisë civile dhe përparimin demokratik jo vetëm në vendin e tij, ky është një sinjal shkatërrues. Qytetarët do ta ndjejnë se ata gjithsesi nuk kanë asnjë shans dhe se dëshirat e tyre nuk luajnë ndonjë rol. Por evropianët janë të mbërthyer në një dilemë mes marrjes në konsideratë të Moskës dhe ndihmesës së vendeve fqinje. Ata veprojnë me kujdesin maksimal. Nga optimizmi fillestar i themelimit të Partneritetit Lindor para gjashtë vjetësh nuk ka mbetur më asgjë. Evropa nuk guxon në këtë kohë të dërgojë një sinjal të forcës në lindje. Kjo është për të ardhur keq – por i thonë politikë reale. (dw)

Kosovë, gati për autopsinë e dytë të viktimave të “Kumanovës”. Priten ende raportet e para

ardhja-trupave-pajeteProkuroria e Shtetit në Kosovë ka miratuar kërkesën e familjarëve të kosovarëve të vrarë në Kumanovë, që trupave të pajetë t’u kryhet një autopsi e re nga Mjekësia Ligjore kosovare.

Top Channel ka mësuar se, 3 nga 9 të vrarët janë masakruar deri në shpërfytyrim dhe do të jetë pikërisht autopsia e re, ajo që pritet të japë përgjigje ndaj dyshimeve të familjarëve, nëse ndonjë prej tyre është vrarë dhe masakruar, pasi është kapur i gjallë.

“Medoemos, që autopsia tregon çdo gjë. Çdo gjë do të filmohet, çdo gjë do të shenjëzohet dhe ajo do të tregojë gjithçka. Ajo që do të mësohet, në formën e një raporti të autopsisë së dytë, do t’i prezantohet prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Gërxhaliu tha se, ekipet e tij janë gati për nisjen e autopsisë, por shtoi se janë duke pritur raportet mjekoligjore maqedonase, për të parë dhe krahasuar ndërhyrjet, që kanë bërë gjatë autopsisë së parë.

“Stafi  i mjekëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo mori vendimin që, me të ardhur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, ne jemi të gatshëm në çdo minutë, të hyjmë dhe t’i kryejmë brenda ditës, autopsitë e të gjithëve, në departamentin tonë”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.

Mësohet se Ambasada e Kosovës në Maqedoni është duke punuar me autoritetet në Shkup, që të merren sa më parë raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore atje, e t’u dorëzohen mjekëve në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Trupat e pajetë të 9 të vrarëve në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes, ku u pritën me flamuj kombëtare nga të afërm dhe shumë qytetarë, në pikën kufitare në Hanit të Elezit.

/ Top Channel

 

Murphy: Maqedonia të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve

Senatori MurphyShtetet e Bashkuara nuk duhet ta lënë në harresë Ballkanin, paralajmëron Senatori demokrat Chris Murphy, i cili ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në fundit në Maqedoni. Ai u bën thirrje autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve të tyre. Këto komente Senatori Murphy i bëri gjatë një intervistë për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës, mbi qëndrimin  e Rusisë ndaj vendeve fqinje të ish Bashkimit Sovjetik.

Senatori demokrat nga shteti Konektikat thekson se Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare duhet t’i përgjigjen me vendosmëri agresionit rus:

“Nëse nuk dërgojmë një mesazh të qartë në lidhje me veprimet në Ukrainë se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë për agresionin e saj, kjo prirje nuk do të ndalë. Vladimir Putin e ka bërë shumë të qartë: ai mendon se tragjedia më e madhe që i ka ndodhur Rusisë gjatë 100 vjetëve të fundit ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Ai do të rikrijojë një version të ish-Bashkimit Sovjetik apo të perandorisë ruse. Sot Vladimir Putin është përqëndruar tek Ukraina, por ai mund të vazhdojë edhe më tej, në vende si Moldavia, Gjeorgjia, apo edhe në Baltik dhe në Ballkan, nëse nuk e paguan për ato që po bën sot”.

Zoti Murphy i ndjek me vëmendje edhe zhvillimet në Ballkan. Ai zhvilloi në tetor një turne pune në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni për të diskutuar nevojën për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike të Shteteve të Bashkuara me Ballkanin. Në intervistën e djeshme, ai ndalet tek zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe u bën thirrje autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet e një qeverie demokratike ndaj qytetarëve:

“Unë e kam ngritur me të madhe gjatë vitit të fundit shqetësimin për hapat prapa që kemi vërejtur në Maqedoni lidhur me respektimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, apo lirinë e shtypit. Incidentet e javëve të fundit janë shumë shqetësuese. Qeveria e Maqedonisë duhet të angazhohet plotësisht për të respektuar të drejtat e shtetasve të saj, për të riparuar dëmin që kanë shkaktuar të gjitha këto që kemi dëgjuar kohët e fundit për aktet e autoriteteve”.

Senatori demokrat foli edhe për nevojën që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë vëmendje më të madhe rajonit të Ballkanit. Ai thotë se shumë nga tensionet që ushqyen konfliktet e dekadave të fundit në Ballkan ende nuk janë shuar.

“Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen aktivë dhe të pranishëm në zhvillimet në Ballkan. Ne e konsiderojmë si të mirëqënë se Ballkani është një rajon në paqe sot. Tensionet që u shpalosën në luftrat rajonale mbi dhjetë vjet më parë vazhdojnë të ziejnë, prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv në atë rajon se ç’po luajnë aktualisht. Për këtë arsye shkova në Ballkan në vjeshtë të vitit të kaluar dhe shpresoj se kolegët e mi do të bëjnë të njëjtën gjë”.

Senatori Chris Murphy është anëtari më i lartë demokrat i Nënkomisionit të Senatit për Lindjen e Afërme dhe Antiterrorizmin. (voa)

Kthehen në Kosovë trupat e të vrarëve në Kumanovë

Nëntë shtetas të Kosovës janë vrarë gjatë përleshjeve të 9 e 10 majit në Kumanovë të Maqedonisë, që nxitën reagime në shkallë të gjerë. Shkupi reagon ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

fotoNë orët e hershme të së premtes, arritën në Kosovë trupat e nëntë shtetasve të Kosovës të vrarë gjatë një përleshjeje të armatosur më nëntë dhe dhjetë maj në Kumanovë të Maqedonisë.

Autoritetet maqedonase u dorëzuan trupat familjarëve në natën ndërmjet të enjtes dhe premtes në Shkup.

Përleshjet në Kumanovë lanë pas vetes 18 të vrarë, nga të cilët tetë pjesëtarë të policisë maqedonase dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, nga i cili u arrestuan 26 veta, 21 prej të cilëve shqiptarë të Kosovës.

Hollësitë e përleshjeve vazhdojnë të mbeten të paqarta.

Familjarët e të vrarëve kanë kërkuar një ekspertizë të re ligjore në Prishtinë, me shpresën se kjo mund të hedhë më shumë dritë në atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë.

Ata u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të ushtrojnë trysni mbi palën maqedonase për të ndriçuar rrethanat e ngjarjeve në Kumanovë, por edhe për të mbrojtur të arrestuarit, për të cilët ata thanë se po u nënshtrohen torturave.

Prishtina zyrtare ka bërë thirrje për një hetim të pavarur e gjithëpërfshirës të ngjarjeve në Kumanove, duke nënvizuar se hetimi duhet të mbështetet nga organet e drejtësisë ndërkombëtare. Autoritetet kanë mohuar çdo mundësi që të kenë pasur njohuri për mundësinë e shpërthimit të incidenteve të tilla, ndërsa kanë nënvizuar se Kosova nuk ka nxitur as mbështetur veprime kundër Maqedonisë.

MPJ e Maqedonisë reagon ndaj vlerësimeve të kryeministrit Rama

Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme reagoi të premten lidhur me debatet që kanë nxitur ngjarjet në Kumanovë.

Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se “bllokadat dhe kërcënimet nuk janë në frymën e vlerave evropiane dhe nuk i kontribuojnë qëndrueshmërisë së rajonit”. Ky reagim ndaj, siç thuhet në komunikatë, “deklaratave të përfaqësuesve të huaj nga fqinjësia dhe më gjerë që kanë të bëjnë me Maqedoninë”, vjen pas deklaratave të që kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri të mërkurën, duke thënë se Maqedonia s’mund të bëhet pjesë e NATO-s pa garantuar në frymë dhe në germë vlerat dhe parimet e Aleancës dhe pa garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Autoritetet maqedonase thanë është synim strategjik i Maqedonisë që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se kjo është në interes të qytetarëve të saj, dhe në të mirë të paqes dhe qëndrueshmërisë në vend dhe në rajon.

Bashkëjetesa ndëretnike dhe respektimi i dallimeve kulturore, etnike dhe fetare dhe i të drejtave të njeriut janë themeli i shoqërisë së Maqedonisë dhe i rendit kushtetues”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet “nevoja për bashkëpunim të sinqertë dhe mbështetje pa rezervë nga fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Reagimi i Shkupit, po ashtu pasoi deklaratën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se Shqipëria dhe Bullgaria kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, pohime që u hodhën poshtë nga të dyja këto vende. (voa)

BB, 1.2 mld USD për Shqipërinë deri në 2019

Miratohet program i ri 5 vjecar. Mbështetje për reformat lidhur me qëndrueshmërinë makrofinanciare, nxitjen e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme.

banka boteroreBanka Botërore njoftoi miratimin e një Programi të ri 5 vjecar 2015-2019 me Shqipërinë, Kuadri i Partneritetit, i cili parashikon një hua deri në 1.2 miliard dollarë për të mbështetur synimet e vendit për arritjen e një rritjeje të të drejtë dhe për integrimin europian. Bordi i Drejtorëve ekzekutivë, mirëpriti përparimet e fundit në zbatimin e refromave makro-fiskale dhe strukturore, ndërsa vuri ne dukje vendosmërinë e fortë të qeverisë ndaj këtyre reformave të pritura prej kohësh.

Programi i ri është në linjë me objektivin e dyfishtë të Bankës Botërore për uljen e varfërisë dhe rritjen e begatisë së përbashkët. “Banka do të rrisë dhe do të thellojë mbështetjen e saj ndaj reformave në Shqipëri që kanë për qëllim qëndrueshmërinë makrofinanciare, nxitjen e rritjes së sektorit privat dhe një qeverisje të përgjegjshme. Rruga e ndjekur për reformat dhe rezultatet inkurajuese përbëjnë shtysën për rritjen e nivelit të mbështetjes së Bankës Botërore për vendin”, nënvizon një deklaratë e Bankës.

“Shqipëria ka një mundësi historike për t’u ndarë nga e shkuara dhe të përshpejtojë ecjen e saj drejt begatisë dhe integrimit europian. Kuadri i ri i Partneritetit me Shqipërinë i përgjigjet kësaj mundësie dhe mbështet përparësitë e vendit”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore, duke shtuar se “ne presim vijimin e reformave te nisura dhe zbatimin efektiv të tyre, në mënyrë që të arrihen rezultat në të mirë të qytetarëve shqiptarë”.

Programi i ri mbështet tre fusha. E para ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale dhe stabilitetin financiar, për të cilën Banka do të mbështesë masat për përmirësimin e konsolidimit fiskal, forcimin e menaxhimit të investimeve publike në sektorin e Transportit, dhe përmirësimin e stabilitetit financiar.

Fusha e dytë është ajo e nxitjes së rritjes së sektorit privat, për të cilën Banka Botërore do të ofrojë mbështetje për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e vendeve të punës, dhe për reduktimin e pengesave në klimën e biznesin dhe mungesave në infrastrukturorë, si për shembull ato që mbizotërojnë në sektorin energjetik.

Fusha e tretë ka të bëjë me forcimin e menaxhimit të sektorit publik dhe të shërbimeve. Mbështetja e Bankës Botërore synon krijimin e besimit të qytetarëve te qeverisja, forcimin e shërbimeve dhe të ofrimit të tyre si dhe aksesin ndaj shërbimeve bazë.

“IFC-ja do të mbështesë sektorët strategjikë në Shqipëri, si infrastruktura dhe energjia, përmes përmes shërbimeve këshillimore dhe investimeve të partneritetit publik-privat (PPP), do të ndihmojë forcimin e mbështetjes së sektorit bankar nga Ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe industrive të orientuara drejt eksporteve, si dhe të do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së investimeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shpjegoi Tomasz Telma, Drejtor i IFC-së për Europës dhe Azinë Qëndrore.

Aktualisht Banka Botërore ka në zbatim në Shqipëri tetë projekte me një vlerë të përgjithshme prej 512 milion dollarësh. (voa)

Perëndimi i heronjve

Në shumë vende të botës ka ditë në kujtim të heronjve. Trimëria dhe sakrifica çmohen ende lart. Në Bullgari “Dita e trimërisë” është madje festë kombëtare. Kjo nuk është më aktuale, mendon Aleksandër Andreev.

permendoreTrimëria, heroizmi dhe gatishmëria për vetësakrificë janë vlera, që janë vlerësuar shumë në Evropë që nga antikiteti. Në kohët e luftës dhe rrezikut ato edhe e kanë dëshmuar justifikuar. Por në të njëjtën kohë ato edhe janë instrumentalizuar shpesh prej atyre, që janë në pushtet. Duke bërë fjalë për “një ideal më të lartë” (for the greater good) mbretër dhe kryeministra, politikanë dhe klerikë, udhëheqës revolucionesh dhe diktatorë kanë kërkuar rregullisht trimëri dhe sakrificë prej pasuesve të tyre. Qoftë për të mbrojtur atdheun, apo besimin, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, ose krejt banale për të siguruar pushtetin e tyre.

Po që prej disa dekadash është duke u zhvilluar një mendësi tjetër, të paktën në shumicën e demokracive të zhvilluara me një nivel të lartë mirëqënieje. Janë strukturat dhe institucionet demokratike ato, që duhet të kujdesen “për idealet e larta”. Kjo është bindja, që po dominon. Është përgjegjësia e tyre për të garantuar paqen dhe sigurinë e njerëzve. Me fjalë të tjera shteti dhe institucionet e tij duhet ta çlirojnë qytetarin nga detyrimi për të qenë vetë i guximshëm dhe vetësakrifikues.

Kush mund të më detyrojë mua të rrezikoj jetën time?

Paralelisht me këtë zhvillim ka zënë vend edhe respekti për të drejtat e njeriut si një vlerë bazë e shoqërive demokratike. Kjo ngre edhe pyetjen: Nëse e drejta për jetën dhe integritetin fizik është ideali më i lartë, që shteti duhet të mbrojë, si mund të presë ai pastaj nga qytetarët e vet heroizëm dhe gatishmëri për vetësakrifikim? Përfundimi logjik është: Në shoqëritë moderne në parim nuk mund të pritet që qytetaret dhe qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre për komunitetin. Vetëm nëse ata kanë zgjedhur vullnetarisht një profesion, në natyrën e të cilit bëjnë pjesë rreziqet e tilla – për shembull, ushtarë, policië, forca të shpëtimit.

Sigurisht që ka situata, ku secili prej nesh mund të vendoset para një vendimi ekzistencial: të rrezikojë jetën, për shembull për të shpëtuar fëmijën e vet nga shtëpia, që po digjet, ose “vetëm” për të ndihmuar një të huaj, që është në nevojë. Ky vendim është gjithmonë i vështirë, ai është pothuajse jonjerëzor. Por ai është edhe një vendim shumë intim, që mund ta marrë secili individ nga situata konkrete dhe mbi bazën e vlerave të tij personale. Vendime të tilla merren zakonisht në mënyrë spontane dhe pa u menduar, dhe jo për shkak të detyrimit të shoqërisë. Sidomos pasi shumica e njerëzve nuk janë patjetër të guximshëm dhe të gatshëm për sakrificë, por drejtohen kryesisht nga instinkti i tyre për të ruajtur vetveten. Kështu që është pothuajse çnjerëzore të kërkosh diçka të tillë nga dikush, që përpiqet ta evitojë atë me shpirt e me zemër.

Heroizmi shpesh vetëm në kurriz të tjetrit

Në shumë shoqëri – për shembull në Ballkan – trimëria dhe vetësakrifica deri sot vazhdojnë të çmohen shumë lart. Shpesh atje flitet edhe për një “të kaluar heroike”. Por shpesh janë “heronjtë e tryezave të kafeneve”, që flasin me zë të lartë për heroiken. Ka shpesh njerëz, të cilët kurrë nuk do ta rrezikonin jetën e tyre, por që përpiqen t’i imponojnë gjithë shoqërisë ide e vlera arkaike.

Dhe “e kaluara heroike”, së cilës ata i referohen, në shumë raste nuk është me të vërtetë heroike. Sepse heronjtë e një kombi janë shpesh xhelatët e popullit fqinj. Prandaj do të duhej që diskutimet për trimëritë e dhe heroizmat të lihen në arkivat e historisë për t’ia lënë njeriut modern të drejtën, që t’i marrë vetë vendimet dramatike për rrezikimin me vetëdije të jetës së tij. Çdo gjë tjetër është e vjetëruar, e dalë nga koha. Dhe shpesh gjithsesi vetëm e shtirur dhe e gënjeshtërt. (dw)

Familjarët kërkojnë kthimin e djemve të tyre nga Maqedonia

protesta prishtineArian Ukshini së bashku edhe me disa familjarë tjerë ishin pozicionuar sot para ndërtesës së Qeverisë dhe kërkonin një përgjigje për familjarët e tyre që janë burgosur në Maqedoni.

Babai i Arianit, Ukshini është burgosur nga policia e Maqedonisë në konfliktin e para dyjavësh që u zhvillua në Kumanovë.

Përgjigje kërkonte edhe Ylber Ndrecaj, për vëllain e tij Mirsadin i cili është vrarë në po të njëjtin vend.

E po ashtu edhe Fatime Krasniqi, nëna e Lirim Krasniqit, i cili rezultoi i vrarë sipas listës së autoriteteve maqedonase.

Në mbështetje të këtyre familjarëve dhe kërkesa të njëjta kishin sot edhe disa zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Të gjithë së bashku thanë se ata që shkuan në Kumanovë nuk shkuan për para, por për ideale dhe të drejta të shqiptarëve në Maqedoni.

Ariani e kërkonte nga Qeveria e Kosovës që babai i tij të kthehej në Kosovë, pasi ka dyshime se atje po maltretohen.

E, Ylber Ndrecaj, vëllai i Mirsad Ndrecajt i cili u vra në incidentin e Kumanovës, thotë se qëllimi i protestës së tyre është që institucionet t’i marrin parasysh kërkesat e tyre, pasi asnjë informacion nuk u kanë dhënë deri me sot.

Ndrecaj tregon arsyet se pse vëllai i tij shkoi në Kumanovë dhe dyshimet për tradhti që iu ka bërë grupit.

Ai i quan dezinformata ato që kanë dal në opinion se ata kanë shkuar atje për para, pasi që të gjithë kanë pasur jetë të mirë dhe asnjëri nuk ka pasur nevojë për para.

Fatime Krasniqi, nëna e Lirim Krasniqit, i cili rezultoi i vrarë sipas listës së autoriteteve maqedonase, thotë se djali i tij, ka shkuar për ideale në Maqedoni, e jo për gjëra tjera, sepse ai ka pasur jetë të mirë, meqë ka jetuar në Gjermani.

Ajo tregon se djali i saj u kthye nga Gjermani me 5 maj, por që nuk u kishte treguar se po shkonte në Maqedoni, por u kishte thënë se po shkonte në Tiranë tek një shok i tij.

“Kur erdh në Kosovë me 5 maj, na tha neve prindërve se do të shkoj të një shok në Shqipëri, do të shkoj ta vizitoj, nuk do të rri shumë, vetëm një natë, i thamë shko. Pritem dy, tri ditë, nuk kishim lidhje më me të, nuk e qonte telefonin….Ka shkuar për popullin e vet, për shqiptarët, ju ka bashkangjitur vendit të vet, po për qata, për atdheun e vet ka shkuar, se e ka pasur në gjak dhe shpirt, qysh i vogël kur e kam kthyer qysh në vitin 2000, kur kemi shkuar në Prekaz të familja Jashari, me ka thënë, a bre nanë të kisha qenë i rritur iu kisha bashkangjitur Jasharëve dhe e ka pasur në shpirt qata…po së bashku me shok…tash për çka ka shkuar neve s’na ka treguar, sepse ka shkuar pa na vet neve”, tha ajo.

Në përkrahje të familjeve të të vrarëve dhe të arrestuarve ishin edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari tha se janë tubuar sot për të quar një mesazh duke filluar nga vet ata e deri te institucionet e vendit për të kryer detyrat. /KosovaPress/

Zaev: Partitë shqiptare bashkëpunojnë me Gruevskin

ZaevKreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka akuzuar partitë shqiptare, BDI në qeveri dhe PDSH në opozitë se bashkëpunojnë që të dyja me kryeministrin Gruevkski.

Në një intervistë që ka dhënë për “Capital” ai ka thënë se nuk është momenti i duhur që BDI të largohet nga qeveria, pasi përveç faktit që Ali Ahmeti ka frikë nga Gruevski, edhe PDSH është partnere e qeverisë dhe mund të bashkëpunojë për formimin e një qeverie të re.

“Mendoj se për momentin nuk është zgjidhje që BDI-ja ta lëshojë qeverinë. Partia tjetër shqiptare PDSH, është gjithashtu partner i qeverisë. Është fakt se partitë parlamentare të shqiptarëve janë bashkëpunëtor me Gruevskin dhe shohim se sijanë të lidhur me Sasho Mijallkovin. Prandaj nga partitë parlamentare shqiptare nuk mund të presim diçka që është në kundërshtim me qeverinë. Kështu që për momentin nuk është zgjidhje dalja e qeverisë nga BDI-së, nuk do të thotë se në të ardhmen një prej zgjidhjeve të mundshme nuk do të jetë edhe ajo. E di që secili e mban dikë me diçka, në një mënyrë, me kërcënime ose të ngjashme, por nga ajo që e kam si informacion, e di që Ali Ahmeti nuk është i varur nga Gruevski dhe nuk frikësohet nga ai. Kështu që, edhe pse, edhe nga BDI kanë vepra kriminale, vepra jashtëligjore, të cilat do të publikohen, megjithatë ata janë reprezent të etnisë të dytë më të madhe dhe sigurisht që kjo do t’iu ndikojë në të ardhmen. Ata mund të ndihmojnë me deklarata, me qëndrime, dalje në opinion etj” është shprehur Zaev.

Ditë më parë edhe analisti amerikan Daniel Serwer tha se nuk është moment i i duhur që BDI të dalë tani prej qeverie, raporton Zhurnal.

“Me sa kuptoj unë, edhe nëse Ali Ahmeti do të largohej nga Qeveria, Gruevski përsëri do të kishte mundësinë që të krijon një shumicë. Dhe, edhe nëse Gruevski bie, ai mund të dal mirë në zgjedhjet e ardhëshme. Atëherë, çfar arrihet me daljen? Bile mund të rezultojë me hyrjen në Qeveri të një partie tjetër shqiptare. Pa marrë parasysh se sa nuk janë të lumtur me situatën politike, shumica e liderëve do të përpiqen që të përfitojnë, jo të humbasin” ka thënë Serwer.