Nisen protestuesit nga Gjakova

Protestuesit janë nisur nga qyteti i Gjakovës, për tu mbledhur para Qeverisë së Kosovës.

Sot kanë paralajmëruar protesta për shkak të Kumanovës organizatat e dala nga lufta dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka sqaruar kërkesat e familjarëve.
Pas aksionit të Qeverisë së Gruevskit mbi shqiptarët në Lagjen e Trimave të Kumanovës, ku mbetën shumë të vrarë, të plagosur, të arrestuar, dhe shumë shtëpi të rrënuara, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret as për identifikimin dhe kthimin e trupave të të vrarëve, e as për ndaljen e torturave ndaj të burgosurve.

Tashmë është e qartë se të burgosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po kalojnë nëpër tortura çnjerëzore nga regjimi i Gruevskit. Madje, as në këtë gjendje atyre nuk iu mundësohet mjekimi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se kërkesat e familjarëve të të burgosurve janë të drejta dhe legjitime. Prandaj, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që urgjentisht të reagojë përballë Qeverisë së Gruevskit, duke kërkuar llogari për gjithë atë që ndodhi në Kumanovë; identifikim dhe konfirmim zyrtar për secilin nga të vrarët; si dhe të kërkojë që menjëherë të ndalen torturat ndaj të burgosurve”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /Indeksonline/

Ahmeti i papërfillur për rastin e Kumanovës, nuk largohet nga Qeveria

ali ahmetiKryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar publikisht se nuk ka qenë i informuar për aksionin policor në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Ahmeti ka theksuar se për sulmin është njoftuar në ora 05.00 të mëngjesit të së shtunës nga ana e funksionarëve lokal të BDI-së në Kumanovë dhe Likovë, ndërsa këtë gjë nuk e ka mësuar nga autoritetet zyrtare apo funksionarët përgjegjës.

Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për “Opinion” të Blendi Fevziut i pyetur se përse si pjesë e Qeverisë dhe që ka zyrtarë të saj në institucione nuk është informuar për një operacion ka të madh policor që lëkund edhe stabilitetin e vendit.

Ahmeti i ka ikur përgjegjësisë edhe pse është pjesë e Qeverisë. Blendi Fevziu e ka pyetur se si është e mundur që për një aksion të tillë nuk është informuar.

“Unë nuk flas a ka ditë a s’ka ditë edhe po ta kishte ditë sigurisht a e ka parë të arsyeshme a se ka parë që ai të më tregoj mua…para se fillon operacioni sepse pasi filloi operacioni…kjo mbetet të sqarohet në të ardhmen”, tha Ahmeti.

Ali Ahmeti i pyetur nga Blendi Fevziu se përse nuk i ndaluan personat e grupit të armatosur pa hyrë në qytet dhe përse operacioni u krye në zemër të qytetit, duke mos pasur përgjigje konkrete tha kështu:

“Pse nuk u vra asnjë civil? Kjo më gëzon mua se nuk u vra asnjë civil, se dëmi material do të riparohet, të gjitha këta që i thoni ju janë pjesë operative”.

Më pas Ahmeti pyetet se a vlen jeta e një kumanovari sa e një maqedonasi, dhe se a janë të barabartë? Ali Ahmeti u përgjigj kështu: “Sigurisht që janë të barabartë”.

“Dhe prandaj Jankullovska hyn në një lagje civile shqiptare dhe kryen aksion policor” ia kthen Blendi Fevziu. Ai pranon se është informuar për operacionin vetëm pas pesë orëve nga përleshja e armatosur.

Ahmeti ka sqaruar në fillim se grupi i armatosur përmes telefonit kishte kërkuar fillimisht korridor për t’u tërhequr në Kosovë, ndërsa më pas ka kërkuar që të dorëzohet, por siç thotë “jo me kërkesë të tij”.

Ahmeti sqaron më pas se ka komunikuar me Nikola Gruevskin dhe i ka kumtuar lajmin se grupi do të dorëzohet dhe se nuk duhet të vriten, dhe se sipas tij, Gruevski e ka pyetur se a do ta bëjnë këtë ata.

Ai më tej ka theksuar se Grupi i Armatosur është ngut dhe këtë gabim të tyre e kanë pranuar vetë.

“Mendoj që ata janë ngutur dhe ata vetë e pranuan që kanë bërë gabim”, tha Ahmeti në emisionin ‘Opinion’ në tvKlan. Më pas tha se disa prej tyre edhe mund të ishin mashtruar.

Ali Ahmeti i pyetur nga Blendi Fevziu se si ngjau me telefonatat e personave të armatosur, dhe si ka vepruar ai në ato raste, ai është përgjigjur se “pas 5 orëve të fillimit të luftimeve, kur janë vrarë personat e parë nga grupi i armatosur, u lajmërua një pjesëtar i grupit që nuk e njoha dhe më tha ku je kryetar, na ndihmo dhe na hap rrugë se do të digjemi” tha Ali Ahmeti.

“E kemi thirrur OSBE-në, kemi analizuar çështjen në Seli, dhe përsëri na erdhi telefonatë, pastaj na thanë na hapni një rrugë se u dogjëm. Unë u thash se nuk mund ta bëj një gjë të tillë se kam frikë që dikush të më vdesë në besë” është shprehur kështu Ahmeti.

“Dërguam Artan Grubin që të vizitojë zyrat e OSDBE-së dhe në MPB, dhe i thash Grubit se këta njerëz nuk duhet të vdesin. Pasi kanë shkuar në MPB pas 2 orësh është paraqitur Nikolla Gruevski, dhe i thash : ça do bëjmë me këtë gjendje, s’është mirë për gjendjen tonë, të shohim se çfarë do të ndodhë me shtetin tone, të shohim a pranojnë të dorëzohën, bisedova kështu me Gruevskin. Pas një orë kam paraqitur vetë, Muhamet Krasniqin, jam i plagosur më tha,  jemi 4 të vrarë, një u vetëvra, na shpëtoni se u dogjëm të gjallë brenda, dhe un këtu i thashë se s’mund të bëj një gjë të tillë” deklaroi kështu Ahmeti në emisionin Opinion.

Ali Ahmeti tha se nuk do të jap dorëheqje nga qeveria, sepse e ndal interesi për shqiptarët, ai deklaroi se nuk braktisë qeverinë se është më i dobishëm në qeveri.

“Më të dobishëm jemi të menaxhojmë në institucione të vendosim agjendë për zgjidhje të problemeve të shqiptarëve. Është interes i shqiptarëve të qëndrojmë në qeveri”, transmeton Klan Kosova.

“Unë nuk bëj teatër, shqiptarët janë të rëndësishëm në këtë vend, dhe po braktisëm ne qeverinë atëherë instalohet krizë e thellë”.

Maqedonia nuk mund të ndahet është e pandarë.

“Asnjëherë nuk më shkon mendja që Maqedonia duhet të ndahet, është në dëm të shqiptarëve çdo tendencë për ndarjen e këtij shteti sepse nuk ka vija demarkacioni, popullata është e përzier”.

Ali Ahmeti ka treguar se takimin me Kryeministri Edi Rama në Pogradec e ka realizuar me ftesë të Ramës.

“Më ftoi për të dal me një deklaratë se kemi të gjitha partitë agjendë të përbashkët”.

Ali Ahmeti duke folur për përgjimet në Maqedoni, të cilat i publikoi Zoran Zaev tha se nuk ndjehet i frikësuar, sepse nuk e ka problem të publikohen përgjimet e tyre.

“Sa për mua le të dalin të gjitha bisedat e mija, edhe bisedat private bile. E sa u përket natarëve të BDI-së, kush ka faj do të përgjigjet”, theksoi Ahmeti, duke diskutuar edhe për tema tjera. (INA)

Gruevski – Zaev negociuan mbi 10 orë, nuk ka detaje

gruevski zaevNegociatat midis dy liderëve të partive kryesore maqedonase VMRO-DPMNE dhe SDSM (Lidhja Social Demokrate Maqedonase) kanë zgjatur për rreth 10 orë, por dyja palët nuk kanë dhënë detaje mbi takimin, që u zhvillua prej dje pasdite në Strasburg.

Burime pranë Parlamentit Europian deklaroi se bisedimet kanë zgjatur deri në orën 3.30 të mëngjesit dhe se ndërmjetësues të tyre ishin eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Hoëitt, por edhe eurokomisioneri për zgjerim Johannes Hahn, transmeton IBNA.

Eurodeputeti Ivo Vajgl në një deklaratë të shkurtër për mediat ka theksuar se takimi ka qenë i vlefshëm dhe se sipas tij, sot të dyja palët do të dalin me një deklaratë të përbashkët për përmbajtjen e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhje të krizës politike në Maqedoni. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa pjesë e delegacioneve ishin edhe zyrtarë të lartë të të dyja partive politike. Në radhët e palës së partisë në pushtet ishin edhe ministri i jashtëm

Nikola Popovski, por edhe shefi i shkarkuar i shërbimit sekret Saso Mijalkov.

Ndërsa nga ana pala e SDSM-së ishin Zoran Zaev bashkë me Renata Deskoska dhe Robert Popovski. (INA)

Rama: Maqedonia nuk mund të jetë pjesë e NATO-s

ramaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur për ngjarjet e fundit në Kumanovë, tha se Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s pa respektuar Marrëveshjen e Ohrit. Duke folur në Samitin Rajonal kundër Dhunës Ekstreme, Rama dënoi terrorin ndaj shqiptarëve duke thënë se është e patolerueshme që termat “shqiptar” të njehsohet me “terrorist”.

Rama u shpreh se, tragjedia e Kumanovës është shprehje e qartë e degradimit të demokracisë së një vendi. “Është shumë e rrezikshme përzierja e termave. Termi “terrorizëm” dhe termi “shqiptarë” në Maqedoni u bashkuan dhe kjo është e patolerueshme në një kohë kur shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten një faktor thelbësor shtetformues për Maqedoninë”, tha kryeministri i Shqipërisë.

“Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodh të gjithëve ne sesa të ngatërrojmë terrorizmin me etninë. Lufta ndaj terrorizmit duhet të na bashkojë të gjithë popujve të Ballkanit për të qenë një ndaj fenomeni që kërcënon paqen rajonale dhe globale.”

Më tej, Rama theksoi se, ashtu siç është e patolerueshme bashkimi i termave “shqiptarë” dhe “terrorist”, ashtu do të jetë nga shteti shqiptar e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për dëmet dhe terrorin e Kumanovës. Ai tha se, Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe vendi fqinjë të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit.

Ndërsa më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri i ndal tek procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se BE duhet të veprojë pasi nesër mund të jetë vonë. “Duhet të bëjë gjithçka që nesër të mos jetë vonë. Të merret me pasojat dhe jo me shkaqet e atyre që ndodhin”, u shpreh Rama.

Rama tha se vendet e Ballkanit janë më pranë BE-së se sa njëri-tjetrit duke theksuar nevojën e bashkëpunimit rajonal. “Një studim i Observatorit Ballkanik i vitit 2003 thuhet se vendet e Ballkanit janë më pranë me BE-në. Jemi të gjithë më pranë Brukselit se mes veti. Këtë mund ta zgjidhim me bashkëpunim rajonal”, u shpreh ai. (shekulli)

“Kumanova”, Rama: E patolerueshme që termat “terrorizëm” dhe “shqiptar” u bënë bashkë

edi ramaKryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ministerialin rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, foli për çështjen e Kumanovës, duke e konsideruar si një çështje që nuk kishte lidhje me terrorizmin, por me mungesën e demokracisë.

“Fatkeqësisht, në Kumanovë, fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë. Iu dha terrorizmit një prapashtesë etnike dhe kjo është e papranueshme, për ne dhe për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë të qartë që shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në Maqedoni. Nuk duhet përzier termi terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por demokracinë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se është “e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për terrorin që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”.

/ Top Channel

Mahmuti: Problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave.

Politologu Bardhyl Mahmuti ka thënë se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Ben Blushi do të duhej ta kuptojë se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave.

Por sipas tij, përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.

Mahmuti në një opinion ka shkruar se Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.
Ja opinioni i plotë:

Vizita që i bëri deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben BlushiLagjes së Trimave në Kumanovë është vizitë që zuri vendin e merituar në mediet e vendit. Krahas asaj se ishte vizitë tejet domethënëse për banorët e terrorizuar nga një shtet terrorist mediet aktualizuan qëndrimin e z. Blushi se “zgjidhja e mundshme e problemit etnik në Maqedoni do të bëhet përmes martesave të shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Ajo që më bëri përshtypje nga deklaratat e tij kanë të bëjnë me konstatimin e z. Blushi se “banorët e Kumanovës u sulmuan nga një shtet i pabesë” dhe se kjo “ditë e shëmtuar në historinë e Ballkanit modern, që nga koha e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë u përsërit në Kumanovë për arsye që ende janë të pashpjegueshme”!

Fillimisht desha të theksoj se pabesia mund të vij nga dikush që nuk e pret. Sa u përket shqiptarëve Maqedonia ka pasur një politikë konsekuente të aplikimit të terrorit shtetëror dhe shqiptarët e kanë pritur dhe presin vetëm të këqija nga ky shtet terrorist.

Po sqaroj për lexuesit që nuk e dinë se me shtet terrorist në shkencat politikedefinohen ato shtete që nuk synojnë legjitimitetin e popullit në përgjithësi, apo të një grupi të caktuar etnik, racor, kulturor apo fetar në veçanti.

Që nga themelimi i saj, Maqedonia nuk e ka dëshiruar legjitimitetin e shqiptarëve. Përkundrazi, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti Maqedonia ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarë.

Madje, ky diskriminim vazhdoi edhe pse më 18 janar 1994 Maqedonia nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Përkundër zotimeve se nuk do të kryej asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe u zotua se do të heq diskriminim racial, që me Konventat ndërkombëtare nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë Megjithatë, në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh.

Përkundër nënshkrimit dhe ratifikimit të Kartës Evropiane për gjuhët nga shteti i Maqedonisë (25 korrik 1996) gjuha shqipe, si kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politikë shqiptarë, nuk u zyrtarizua në nivel shtetëror. Asgjësimi i gjurmëve ilire, që dëshmonin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje, vazhdoi, ashtu siç vazhdoi ndërrimi i toponimeve dhe imponimi që toponimet të shkruhen dhe shqiptohen vetëm në gjuhën maqedonase. Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe simboleve tjera me të cilat identifikohen shqiptarët; u shkatërrua Instituti për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku duhej të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar për statusin politik të shqiptarëve, dhe u krijua «Muzeu i Lirisë», hipokrizi e pashembullt për një popull të robëruar!…

Të gjithë e dinë se për shkak të dhunës dhe politikës së diskriminimit racial, që Maqedonia aplikonte ndaj shqiptarëve, shpërtheu Lufta e vitit 2001. “Marrëveshja e Ohrit” përfundoi luftën por nuk ndërtoi paqen!

– Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes

institucionale të familjarëve të tyre, kemi privilegje të panumërta për “branitelët maqedonas”;

– Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës në territoret shqiptare, u zhdukën gjurmët e 500 milion eurove, që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;

– Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, nuk u bë asnjë investim në vendbanimet shqiptare;

– Në vend të paqes dhe sigurisë, u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptare (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara pas përfundimit të luftës);

– Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, kemi burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;

– Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, ndodhi montimi i procese të reja gjyqësore gjatë të cilëve u dënuan me burg të përjetshëm me dhjetëra persona të pafajshëm…

Zoti Blushi e di se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve. Neni i 16 i kësaj konvente përcakton qartë se “asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi …”

Megjithatë, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001 dhe ardhjes së VMRO-së në pushtet, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit u ushtrua dhunë dhe terror shtetëror në Tanushë, në Brodec dhe në Kumanovë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë në prezencën e familjarëve të tyre. Posaçërisht fëmijët shqiptarë përjetuan tmerret, duke qenë dëshmitarë të dhunës shtetërore edhe ndaj prindërve të tyre.

Vizita e z. Blushi në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një vizitë me vlerë të madhe simbolike për popullin e terrorizuar. Shpresoj se ai gjatë kësaj vizite e kuptoi hendekun e madh ndëretnik që ka krijuar pushteti maqedonas përmes politikës së diskriminimit racial kundër shqiptarëve. Shpresoj se ai është bindur se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave por përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.

Zotit Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.

Në Kumanovë janë ekzekutuar njerëz të grupit të armatosur shqiptar që u dorëzuan;

Në Kumanovë janë ekzekutuar edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me grupin e armatosur;

Në Kumanovë janë torturuar çnjerëzisht të arrestuarit, pjesëtarë të grupit të armatosur;

Në Kumanovë janë torturuar njerëz që nuk kanë lidhje me grupin e armatosur vetëm e vetëm për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë.

Bashkimi Evropian e ka për obligim të ndriçojë këtë krim të rëndë që pushteti i VMRO-së dhe BDI-së e bënë kundër shqiptarëve në Kumanovë.

Ajo që është tepër urgjente e që z. Blushi mund të ndikojë të bëhet është krijimi i një ekipi mjeko ligjor të ekspertëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të kërkojnë ndihmën e BE-së në këtë drejtim për të vërtetuar pohimet se të dorëzuarit janë ekzekutuar dhe gjymtuar pas dorëzimit. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për ndriçimin e një pjese të asaj që ndodhi gjatë terrorit shtetëror në Kumanovë.

Bardhyl Mahmuti

20 maj

Vrasje me stil të KGB-së!

helm kgbHelmi Gelsemium ose “bari që ndalon punën e zemrës” është një bimë që rritet vetëm në Azi dhe një metodë e vrasjes që përdoret nga kontraktorët rusë dhe kinezë.

Aleksandr Perepilichny ka qenë oligark rus dhe kritik i Kremlinit, i cili ka kërkuar strehim në Britani në vitin 2009. Ai ka ndihmuar një hetim të Zvicrës për shpëlarje të parave në Moskë, si dhe ka siguruar prova kundër disa zyrtarëve rusë, të lidhur me vrasjen e avokatit Sergei Magnitsky, në një burg të Moskës.

Pak para se të vdiste në moshën 44-vjeçare, derisa bënte ushtrime jashtë shtëpisë së tij, Perepilichny u ka thënë kolegëve se ka marrë kërcënime me vdekje.

Edhe pse ai ka qenë personi i katërt i lidhur me rastin Magnitsky që ka vdekur në rrethana të çuditshme, policia në Surrey fillimisht ka thënë se vdekja e tij nuk është e dyshintë.

Por, më 18 maj, autoritetet britanike kanë rihapur hetimet, pasi testet e reja kanë zbuluar gjurmë në stomakun e tij, të cilat mund të vijnë vetëm nga bima toksike Gelsemium.

Poloniumi po ashtu është një element i rrallë dhe shumë radioaktiv. Poloniumi-210 është rreth 250,000 herë më toksik se hidrogjeni cyanide, i cili edhe vetë është lëng helmues që mund të vrasë shpejt.

Aleksandr Litvinenko, ish-zyrtar i shërbimit rus të sigurisë, i cili është vendosur në Britani në vitin 2000, është helmuar në një restorant në Londër më 2006.

Autoposia ka zbuluar gjurmë të poloniumit-210 në trupin e tij. Ekspertët britanikë kanë thënë ai mund të jetë personi i parë që ka vdekur nga efektet e poloniumit-210.

Para se të vdiste, Litvinenko ka shkruar një letër dhe ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e vdekjes së tij.

Element kimik hekmues është edhe thalliumi.

Ish-agjenti sovjetik i KGB-së, Nikolai Khokhlov, i cili ka dezertuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1953 dhe ka dëshmuar për operacionet e KGB-së, është trajtuar për helmim nga thalliumi në Frankfurt të Gjermanisë, më 1957. Përpjekja për ta vrarë atë ka dështuar.

Në fund të vitit 2004, nga helmi është trajtuar edhe politikani ukrainas, Viktor Yushchenko. Ai është helmuar me TCDD në kohën kur konkurronte për president kundër kandidatit të favorizuar nga Rusia, Viktor Yanukovych.

Testet kanë treguar se ai ka pasur përqëndrimin e dytë më të lartë të TCDD-së. Për pasojë, fytyra e tij ka qenë e deformuar për vite të tëra.

Yushchenko, i cili ka favorizuar integrimin evropian dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ka thënë se helmimi nuk ka qenë një “akt privat” dhe ka akuzuar zyrtarët rusë për sulmin ndaj tij.

Gazetarja dhe kritikja e Kremlinit, Anna Politkovskaya, është sëmurë po ashtu rëndë në vitin 2004, pasi ka pirë një çaj në fluturimin nga Moska në jug të Rusisë, gjatë krizës me pengje në Beslan.

Politkovskaya ka thënë se është helmuar nga shërbimi rus i sigurisë. Ajo ka mbijetuar, por është vrarë dy vjet më vonë.

Miliarda për përmirësimin e mbrojtjes së klimës

klimaDy ditë u përgatit në Berlin konferenca e OKB-së për mbrojtjen e klimës, e cila do të mbahet në fund të vitit në Paris. Në fund kancelarja premtoi më shumë mbështetje financiare për vendet në zhvillim.

Me elikën në majë të një kulle të Eifelit të vendosur para portës së Brandenburgut në Berlin Greenpeace demonstron për kthesën energjetike në botë pa atom dhe pa qymyr. Organizata e mjedisit ka zgjedhur kullën e Eifeit, sepse në fund të vitit në Paris do të mbahet konferenca botërore e klimës. Se çfarë mund dhe duhet të vendoset atje, për këtë ka mendime të ndryshme. Se sa të ndryshme janë ato e tregon „dialogu i 6-të i Petersbergut për klimën“.

Dy ditë debatuan 37 ministra nga të gjitha vendet e botës në një takim jozyrtar në Berlin. Vendet industriale, vendet me ekonomi në ekspansion dhe vendet në zhvillim janë në parim dakord, se ngrohja e Tokës me dy gradë – matur nga temperaturat mesatare në fillim të industrializimit – duhet të kufizohet. Ekziston vullneti politik për të arritur suksesin, thanë në fund ministrja gjermane e Mjedisit, Barbara Hendricks, dhe ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius. Por kush duhet të vetëmohohet më shumë, për të arritur këtë ojektiv? Kujt i bie pjesa më e madhe e përgjegjësisë? Kush duhe të paguajë për mbrojtjen e klimës?

Merkel dhe Hollande duan përgjegjësi

Pyetje, të cilave u duhen dhënë përgjigje në mënyrë unanime, sepse një marrëveshje e re për klimën në botë mund të hyjë në fuqi, vetëm nëse nënshkruhet nga të gjitha 195 shtetet. Në vitin 2009, në konferencën e klimës në Kopenhagë gjërat shkuan huq, konferenca përfundoi me grindje. Një katastrofë për mbrojtjen e klimës, gjë që nuk duhet të përsëritet në Paris. Franca dhe Gjermania duan që konferenca e ardhshme e klimës të jetë e suksesshme. Prandaj presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel erdhën vetë personalisht në „dialogun pe Petersbergut ër klimën”.

“Detyra jonë është që të dalim me sukses“, tha Hollande në Berlin. “Ne mund t’ia dalim që Parisi të jetë një sukses”, tha me optimizëm kancelarja. Çmimet për parqet eulike dhe ato diellore kanë rënë shumë në gjithë botën, duke i bërë të përballueshme energjitë e ripërtëritshme. Megjithatë mbetet pyetja, se si do ta gjejë bota rrugën drejt një zhvillimi pa emisione. Shkencëtarët kanë llogaritur, se ekonomia në mbarë botën që nga mesi i shekullit duhet të punojë kryesisht pa emetime të dioskidit të karbonit, që të mund të arrijë objektivin me dy gradët deri në fund të shekullit.

Shumë emisione

Ende emetimi i gazrave të dëmshme serë është shumë më i lartë se objektivi i synuar. Deri në verë secili shtet duhet të paraqesë objektiva kombëtare ambicioze për mbrojtjen e klimës. Zyrtarisht 40 vende, në mesin e tyre dhe shtetet e BE, i kanë përcaktuar planet e tyre, të cilat do të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme globale. Kina dhe Japonia duan t’i prezantojnë planet e tyre muajin e ardhshëm, Brazili në gusht.

Shtetet anëtare të BE duan t’i pakësojnë emetimet e gazrave të efektit serë deri në vitin 2030 së paku 40 përqind në krahasim me vitin 1990. Për këtë arsye pjesa e energjisë së rinovueshme duhet të rritet së paku 27 përqind. Në të njëjtën kohë efikasiteti i energjisë duhet të rritet po ashtu me 27 për qind. Megjithatë këto synime janë së paku baza e kontributit të Bashkimit Europian për marrëveshjen ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës, deklaroi Merkel. Fjala ”së paku” mban në çdo rast një derë çelur, që në dritën e negociatave ndërkombëtare të mendohet edhe një herë, nëse jemi në gjendje që të shkojmë më tej se objektivat e BE.”

Pa ambicie nuk ka sukses

Ambicia e Gjemanisë është, që në vitin 2020 t’i ulë emisionet me 40%. “Deri në vitin 2050 ne duam të arrijmë 80 deri 95 përqind”, premton Merkel. Një qëllim ambicioz, zbatimi i të cilit është i shoqëruar me shumë pikëpyetje. Këtë e pranon hapur edhe kancelarja. “Ne punojmë shumë për ta zbatuar, sepse nuk e kemi arritur ende objektivin. Ne duhet që vazhdimisht ta realizojmë, që t’i vendosim nën një strehë të përbashkët performancën ekonomike dhe kontributin ambicioz për klimën.“

Por jo vetëm Gjermania e ka këtë problem dhe Merkel e di se kontributet kombëtare për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit të paraqitura deri tani nga Gjermania, nuk do të jenë të mjaftueshme. „Ne do ta përjetojmë në Paris, se nevojitet angazhim edhe më i madh, nga ky që kemi arritur sot në këtë tryezë.” Kancelarja dhe presidenti francez duan që në Paris të bihet dakord për një reduktim të gazrave të efektit serë së paku 60 përqind në krahasim me vitin 2010.

Ku mbeten miliardat e premtuara?

Shumë, sidomos vendet e varfëra do ta pranojnë marrëveshjen për mbrojtjen e klimës, vetëm nëse marrin mbështetje financiare. Vendet e industrializuara kanë premtuar 100 miliardë dollarë amerikanë në vit. Është me rëndësi për krijimin e besimit, që më në fund të arrijë diçka në vendet në fjalë, theksoi Angela Merkel.

“Nëse ne nuk arrijmë që të merremi vesh për financimin, nuk do të ketë marrëveshje në Paris”, profetizon presidenti francez Hollande. Gjermania do të ecë përpara me shembullin e saj dhe të kontribuojë me një pjesë të madhe për financimin e objektivave për mbrojtjen e klimës në botë. Merkel njoftoi se deri në vitin 2002 do të japë dyfishin e kontributit të vitit 2014 për financimin e klimës në botë. Kjo do të korrespondojë me një rritje vjetore nga dy në katër miliardë euro.

Kësaj i shtohet edhe dyfishimi i kredive të bankës shtetërore KfW në tre miliardë euro nga 1,5 miliardë euro, që ishin së fundi. “Gjermania do ta mbajë premtimin e saj dhe ne do të marrim përsipër një pjesë të mirë”, thekson Merkel.

Kancelarja e klimës Merkel?

Kancelarja ka kontribuar edhe që tema e mbrojtjes së klimës të jetë fare lart në agjendën e takimit të G7 nën presidencën gjermane në fillim të qershorit. Kjo fillimisht nuk ishte parashikuar, të paktën jo në një vend të tillë qendror. Organizata për mbrojtjen e ambjentit Greenpeace është pak e impresionuar prej kësaj. Gjermania duhet të tregojë më shumë angazhim dhe të dalë përpara me shembullin e mirë. Sikur në Gjermani të mbyllen 35 termocentralet e vjetra me qymyrguri, Gjermania mund të kursente çdo vit 70 milionë tonë emetime CO2. Kancelarja Angela Merkel duhet të jetë e qartë dhe të vendosë, nëse do të hyjë në librat e historisë si kancelarja e klimës, apo kancelarja e qymyrit. (dw)

 

Duhet të hiqen paratë kesh?

paraEkonomistë të njohur kërkojnë heqjen e parave kesh. Kujt do t’i shërbejë kjo? Dhe çfarë lidhjeje ka kjo me krizën financiare?

Gjermanët i duan fort paratë kesh. Këtu akoma më shumë se gjysma e shitjeve në dyqane (53 për qind) bëhen me para në dorë. Ky është konstatimi i një studimi të Bankës Federale gjermane për mënyrën e pagesës në Gjermani. Madje në restorante paguhet 70 % me para në dorë, në kafe, bare dhe në restorantet e ushqimit të shpejtë 94 %.

Prandaj ekonomisti i Harvardit Kenneth Rogoff nuk do të hasë shumë mirëkuptim te popullsia në Gjermani me propozimin e tij për të hequr pagesën me para kesh – edhe në qoftë se ai dëshiron të luftojë në këtë mënyrë kriminalitetin. “Anonimiteti i parasë kesh perdoret shpesh për transaksione të paligjshme, apo për të shmangur taksat”, tha Rogoff në gazetën Handelsblatt.

Për Carl-Ludwig Thiele, anëtar i kryesisë së Bankës Federale gjermane, kjo nuk është bindëse. “Unë mendoj se me heqjen e parasë kesh, do të gjendeshin alternativa të tjera për spostimin e parasë”, tha Thiele që në fillim të vitit. “Redkutimi efektiv i ekonomisë së zezë nuk arrihet me heqjen e parave kesh dhe kriminaliteti i organizuar mund t’ia dalë edhe pa euro kesh. Ai mund të sposotohej në monedha të tjera, metale të çmueshme dhe në valuta natyrore.”

Madje edhe heqja e banknotave të mëdha, si 200 dhe 500 euro, nuk do të ndihmonte shumë, mendon Thiele. “Një reduktim të ndjeshëm të aktiviteteve kriminale në shtetet, që heqin dorë nga emertimet e mëdha, si për shembull SHBA, nuk kam mundur të konstatoj deri tani.”

Lamtumira nga paraja kesh nuk është kërkesë e re. Një grup bankierësh suedezë e ka kërkuar që para pesë vjetësh një gjë të tillë. Vitin e kaluar ish-ministri amerikan i Financave dhe sot ekonomist i Harvardit Larry Summers, si dhe Rogoff u shprehën vetë për këtë.

“Anakronizëm”, apo “liri”?

Në Gjermani ata mbështeten nga Peter Bofinger, ekonomist në universitetin e Würzburgut dhe anëtar i këshillit të ekspertëve, që këshillon qeverinë gjermane në çështjet ekonomike. “Me mundësitë e sotme teknike monedhat dhe banknotat janë me të vërtetë një anakronizëm”, i tha Bofinger revistës “Der Spiegel”.

Profesori i ekonomisë nga Freiburgu Lars Feld, i cili i takon po ashtu këshillit të ekspertëve për ekonominë, e kundërshton kolegun e tij. “Bofinger lë pas dorë në mënyre evidente aspektet politike kushtetuese të këtij propozimi”, thotë ai për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Paratë kesh janë një “liri e madhe” dhe u japin mundësi qytetarëve, që t’u shmangen kthetrave të shtetit, thotë Feld.

Në disa vende niveli maksimal për pagesat me para në dorë është i kufizuar me ligj. Në Itali ai është te 1000 euro, edhe në Francë do të jetë së shpejti, në Greqi në 500 euro. Edhe këtu argumenti është: Lufta kundër terrorizmit dhe evazionit fiskal. Mbrojtësit e të dhënave e kritikojnë këtë dhe paralajmërojnë nga rreziku i “qytetarit transparent”, në një kohë që gjërat duhet të shkonin në drejtimin e bërjes transparente të veprimeve të shtetit.

Arsyeja kryesore për diskutimin aktual të temës duhet të jetë një tjetër, politika e parasë së lirë, që ndjekin bankat qendrore në Europë dhe në SHBA. Në qoftë se njerëzit mund të spostohen në para kesh, “atëherë banka qendrore nuk mund ta ulë aq shumë nën zero normën bazë të interesit, edhe sikur kjo të ishte e arsyeshme, për të vënë pësëri në lëvizje një ekonomi të ngadaltë”, thotë Rogoff.

Norma interesi dënimi

Nuk është rastësi që konferenca e Londrës, në të cilën Rogoff dhe të tjerë diskutuan të hënën (18.05.2015) për heqjen e parasë kesh organizohet nga Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB). Sepse zviceranët janë ndër pionierët e normave negative të interesit, norma e tyre është tashmë minus 0,75 përqind.

Këtë normë dënimi duhet ta paguajnë bankat, që preferojnë t’i ruajnë paratë e tyrë të sigurta në bankën qendrore, në vend që t’ua japin në formë kredish firmave dhe individëve. Edhe Banka Qendrore Europiane (BQE) ka një normë dënimi, por ajo është minus 0,2 %, më e ulët se ajo në Zvicër.

Çështja tani është, nëse dhe se si bankat t’ia kalojnë këto norma dënimi klientëve. Deri tani janë të prekur vetëm klientët e mëdhënj, si fondet e investimeve dhe sipërmarrjet, që kanë më shumë se një gjysmë milioni euro në xhirollogari ditore. Thuhet se klientët normalë do të kursehen.

Ka njoftime se në Zvicër disa fonde pensionesh kanë pasur idenë, që t’i vendosin paratë kesh në kasafortë, më mirë sesa të paguajnë normën e dënimit.

“Bankat kombëtare nuk dinë çfarë të bëjnë”

“Sikur të ishte nevojitur edhe një dëshmi, që qeveritë dhe bankat kombëtare të botës nuk dinë më ç’të bëjnë në përballimin e krizës. Dëshmia është: Ndalimi i parasë kesh kërkohet hapur”, shkruan konsulenti i biznesit Daniel Stelter në blogun e tij.

“Të supozosh se duhet t’i ulësh normat e interesit fort në minus, për t’i dhënë hov investimeve, është mjaft naive”, thotë Stelter. “Kompanitë investojnë në projekte, që ia vlejnë, jo sepse u dhuron dikush para.”

Sipas Stelter normat dënuese të interesit dhe detyrimi për rritjen e kreditimit e shtojnë më shumë rrezikun e “investimeve të gabuara dhe të flluskave në tregun e kapitalit, që e bëjnë edhe më të keqe krizën e ardhshme.”

Euro si para kesh është mjet ligjor pagese në BE – për ta hequr këtë mënyrë pagese duhen ndryshuar shumë ligje. Edhe vetë Rogoff beson se kjo mund të “ishte e mundur pas një periudhe të gjatë kohe”. Nëse do të gjenden politikanë, që i mbështesin këto plane, është shumë e diskutueshme duke pasur parasysh votuesit në Gjermani, që preferojnë të paguajnë me para në dorë. (dw)

Gruevski dhe Zaev, takime intensive në Strasburg

parlamenti strasburgNë vazhdim e sipër janë bisedimet  intensive të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit opozitarë Zoran Zaev me euro-deputetët.

Për një orë këtu në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg do të fillojnë një sërë takimesh në të cilët protagonistë kryesor do të jenë lideri i opozitës Zaev dhe kryeministri Gruevski.

Nikoqirët dolën me një agjendë interesante nëse jo diç ndoshta do të kontribuojë në krijimin e atmosferës më të mirë për bisedime të mëtejme për tejkalimin e krizës politike. Në fillim lideri i LSDM-së do të ketë takim me treshen europarlamentare Hovit- Kukan- Vjagell. Pas tij Gruevski hyn në takim me deputetët dhe pas përfundimit të atij takimi sipas burimeve të Alsatit do të takohet eurokomesarin për zgjerim Johanes Han. Pas tij Han do ta pranojë edhe Zaevin. Për sonte është paraparë takim në përbërje më të gjerë ku përfaqësuesit ndërkombëtar në një tavolinë sërish do ta ulin liderin opozitës dhe shefin e qeverisë. Vlerësimet këtu në Strasburg janë të përmbajtura nëse do ketë ndonjë lëvizje nga qëndrimet e të dyjave palëve dhe afrim i mundshëm i tyre. Nga kabineti i Hanit tani për tani, e refuzuan mundësinë të prononcohen dhe me këtë edhe porositë publike të eurokomesarit pas vazhdës së takimeve. Është paralajmëruar vetëm një njoftim për mediat. Është shumë e vështirë të thuhet si do të përfundoi dita nëse merret parasysh takimi i djeshëm i liderëve në Shkup që nuk dha asnjë rezultat. Ku pas së cilit kryetari i LSDM-së tha sa ka pasur propozim me shkrim me tema për tu diskutuar në tavolinë por se për ato nuk është biseduar fare, sepse paraprakisht duhet të zgjidhen disa çështje sikur: parimi i vetë propozimeve, barazi në participimin e të gjithëve dhe garanci për zbatimin e marrëveshjes.

Gruevski nga ana tjetër nga tubimi i mbrëmshëm se mbetet në qëndrimin e vet dhe se ka plan për tejkalimin e krizës- një pako masash që do të zbatohen me ose pa LSDM-në. Nisur nga kjo nëse diçka dihet ajo është se kjo ditë e bisedimeve intensive me formate të ndryshme do të jetë gjithçka por jo diçka e lehtë dhe e thjeshtë.  Vlladimir Mirçevski.