“The Internet of Things”

TabletsDuke filluar nga orët inteligjente dhe deri tek paisjet shtëpiake, vazhdimisht po shtohet numri i paisjeve që lidhen me njëra-tjetrën, si dhe me internetin, duke nxjerrë të dhëna. Ky rrjet ndërlidhjeje e ka çuar në një fazë më të përparuar shfrytëzimin e Internetit dhe ndarjen e të dhënave. Ekspertët thonë se rrjeti i ndërlidhjes së pajisjeve elektronike po na bën më të vetëdijshëm.

T’i japësh makinës në trafikun e Los Anxhelosit ngjason shpesh me një video-lojë ku të duhet të shmangësh shoferët e pakujdesshëm.

 “Duhet t’i mbash sytë hapur pasi këtu makinës i jepet me shumë ndalime dhe nisje, siç e shikoni vetë,” thotë Jordi Ortega.

Ai po teston një aplikacion në telefonin e tij për të parë se si i jep makinës. Aplikacioni i quajtur ‘The Driver Feedback’ në pronësi të kompanisë së sigurimeve ‘State Farm’, e shndërron celularin e zotit Ortega në një paisje që gjurmon aftësitë e tij në timon. Programi përdor GPS-in e telefonit dhe akselerometrin për të mbledhur informacion ndërkohë që makina lëviz. Në fund, shoferit i jepet një notë vlerësuese.

“Programi përqëndrohet tek proçeset e përshpejtimit, frenimit dhe marrjes së kthesave, si faktorë rreziku,” thotë Rene Henry, nga kompania e siguracioneve “State Farm”.

Pra, një aplikacion që e shndërron telefonin në një paisje sensorësh në rrugë që masin edhe volumin e trafikut dhe shpejtësinë e makinave. Janë këto pjesë të teknologjisë, ku paisjet lidhen me njëra-tjetrën dhe me internetin.

Të dhënat mblidhen dhe analizohen.

Eksperti Bhaskar Krishnamachari thotë se kjo teknologji e ndërlidhur mund të ndihmojë planifikuesit urbanë.

 “Sensorë që masin çdo gjë; që nga ndotja dhe kushtet e rrugëve, ose të cilët monitorojnë strukturat e ndërtesave dhe të urave. Pra, paisje që ndodhen kudo duke monitoruar mjedisin dhe të lidhura me njëra-tjetrën, për t’i ndihmuar vendimmarrësit të kuptojnë më mirë gjendjen e infrastrukturës.”

Rrjeti ndërlidhës jo vetëm që jep një botëkuptim më të plotë, por edhe i ndihmon njerëzit ta shikojnë veten në një mënyrë të re. Kjo pasqyrë dixhitale, me një kamera në krye, e kap imazhin tënd nga çdo kënd dhe madje mundet të ndryshojë ngjyrën e rrobave që ke veshur. Videoja mund t’u dërgohet miqve me email për të marrë përshtypjet e tyre. Themeluesi i kompanisë MemoMi, Salvador Nissi Vilcovsky, që ka krijuar këtë pasqyrë, foli për Zërin e Amerikës.

 “Në të ardhmen nuk do të ndryshojmë vetëm ngjyrat, por do të shtojmë edhe aksesorë. Do të jemi në gjendje të sugjerojmë gjëra që gjenden në raftet e dyqaneve, ose që mund t’i blesh në internet.”

Ai thotë se influenca dixhitale në shitjet e mallrave do të rritet, sepse tashmë të gjithë posedojnë paisje.

 “Deri në vitin 2020, mendojmë se do të ketë 50 miliardë paisje elektronike në treg. Pra, rreth 6 paisje për çdo person të planetit,” thotë Bridget Karlin e korporatës “Intel”.

Ka megjithatë shqetësime për privatësinë dhe sigurinë.

 “Nëse do ta ndërlidhnim infrastrukturën, jo vetëm të shtëpive tona, por edhe të qytetit me këtë ‘rrjet ndërlidhës’, duhet të sigurohemi se nuk mund të thyhet, se askush nuk do të mundet të kontrollojë infrastukturën tonë pa dijeninë tonë dhe pa autorizimin tonë,” thotë Bhaskar Krishnamachari.

Sidoqoftë, Jordi Ortegas i pëlqen ideja e teknologjisë që e bën më të vetëdijshëm. Nota e tij përfundimtare është 8,8.

Atij i duhet të përmirësojë mënyrën e frenimit. (voa)

Funksionarët e BDI-së po stolisen me tituj shkencorë

diplomaSiç mëson INA, janë me dhjetëra funksionarë që duke shfrytëzuar benefitet e pushtetit po pajisen me tituj shkencorë.

Funksionarët e BDI-së vazhdojnë të stolisen dhe pajisen me tituj shkencor, derisa po vazhdojnë paralelisht mandatet e tyre zyrtare nëpër ministri, komuna, Parlament dhe funksione të tjera.

Siç mëson INA, janë me dhjetëra funksionarë që paralelisht duke shfrytëzuar benefitet dhe pozitën e pushtetit po kryejnë magjistratura dhe doktoratura.

Kjo konfirmohet edhe nga vetë zyrtarë të lartë të integristëve, që dëshmojnë se si funksionarë të kësaj partie po pajisen me tituj në Tetovë, Strugë, Shkup, Prishtinë, Tiranë, e deri në Paris, Uashington, Berlin, etj.

Një nga funksionarët e fundit të kësaj partie është edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili sot mori titullin Doktor Shkence në lëminë e Shkencave Sociale. Dehari mbrojti titullin e doktoroaturës me temë “Papunësia në grupet Etnike të Maqedonisë, Marrëveshja e Ohrit, Rasti i Kërçovës në fushën e punës dhe politikës sociale” në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Disa muaj më parë disa deputetë dhe funksionarë të tjerë partiak u pajisën me tituj shkencor. Një pjesë e madhe e tyre tashmë kanë zënë edhe pozita në Universitetin Shtetëror të Tetovës duke u pajisur edhe me vendime pune.

Zëra brenda kësaj partie theksojnë edhe funksionarë të njohur partiak, sidomos në nivele lokale që janë pajisur me diploma shkolle, duke nisur nga arsimi i mesëm dhe që sot nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, pra pas 14 viteve ata kanë tituj magjistrature. Flitet për emra të caktuar që po synojnë të pajisen edhe me doktoratura. (M.P/INA)

Lajçak: Maqedonia, vendi i vetëm ku është më keq se para 10 viteve

lajcakMinistri i jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak në Luksemburg në Këshillin e ministrave të punëve të jashtme të BE-së, ku u nxorën konkludimet për Maqedoninë, për mediumet përshkroi debatin ministror për Maqedoninë.

“Duhet hetim i pavarur dhe objektiv. Nëse ajo nuk bëhet atëher është e mundshme që të ketë destabilizim në Maqedoni”-kështu ka deklaruar ministri i jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak për situatën e fundit në Maqedoni.

“Më shumë shqetësim e ndjek situatën, pasi prezantimet e liderit të opozitës janë shumë serioze dhe Maqedonia është shtetë kandidat për në Bashkimin Evropian, mendoj se ajo është çështje që shefat e diplomacive të BE-së duhet t’a diskutojnë. Patjetër të zbulojmë se ku është e vërteta. Ajo është me rëndësi, jo vetëm për ne, por edhe për gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka deklaruar Lajçak duke shtuar se hetimet janë mënyra e vetme që të pengohet destabilizimi”.

Ministrat e jashtëm të BE-së dje pasdite miratuan konkludimet për Maqedoninë ku shprehën “shqetësimin e thellë”, por edhe mbështetjen e tyre për marrëveshjen e 2 qershorit si bazë për marrëveshje përfundimtare dhe kërkuan zgjidhje afatgjatë të arrihet deri në fund të muajit. (lajm)

Lazarat, qëllohet për vdekje efektivi i RENEA-s; plagosen dy të tjerë

renea lazaratAjo që nuk ndodhi gjatë operacionit antidrogë të një viti më parë, fatkeqësisht ndodh tani. Një efektiv i forcave speciale RENEA ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në Lazarat.

Gjithçka ka nisur gjatë natës, kur një grup personash të armatosur kanë qëlluar në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit me detyrë në Lazarat.

Për pasojë, policia lokale ka kërkuar ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe atyre RENEA. Si FNSH ashtu edhe RENEA kanë nisur herët në mëngjes një operacion për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë.

Gjatë operacionit, në momentin që policia ka bllokuar makinën me disa persona të dyshuar si të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga dy banesa aty pranë. Të dhënat e para flasin për një kurth të grupit që kundërshtoi me armë policinë, që besohet se përbëhet nga 10-15 vetë, pasi breshëria ka zënë në befasi efektivët e RENEA-s.

Për pasojë ka humbur jetën efektivi, Ibrahim Basha, 31 vjeç, ish-pjesëtar i Batalionit Special të Ushtrisë me disa misione në Afganistan, i cili prej 6 muajsh ishte bërë pjesë e Forcave Speciale RENEA. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Adnand Xholi.

Uniformat blu kanë rrethuar zonë duke ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të fshatit dhe duke kontrolluar imtësisht çdo lëvizje të dyshimtë, deri në gjetjen dhe kapjen e autorëve.

/ Top Channel

“Baku 2015”, dy medalje për atleten Luiza Gega

Luiza GegaVetëm 24 orë nga medalja e argjendtë e fituar në 800 metra me kohën 2:02:36, Luiza Gega, ka shkruar emrin e saj me të arta në garën e saj të preferuar.

Ditën e djeshme mes 14 konkurrentëve, Gega, do të mbante lart flamurin kuqezi siç pritej teksa u kurorëzua kampione e Lojërave Europiane njëherësh duke fituar edhe medaljen e artë e para për Shqipërinë në këtë event.

Koha e realizuar nga atletja shqiptare ishte 4:11:58 pas një gare të fortë. Falë këtij triumfi, 26-vjeçarja kontribuoi edhe me 14 pikë (maksimalet) në renditjen e përgjithshme epikore.

Kujtojmë datën 21 qershor, e cila rezultoi një ditë e suksesshme për Shqipërinë olimpike. Flamurin kuqezi e nderuan me dy medaljet e para të Olimpiadës Europiane të Bakut 2 atletë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.

Dy garuesit shqiptarë shkëlqyen në disiplinat e ndryshme të mbretëreshës së sporteve, atletikës duke koleksionuar dy vende të dyta, çka përkthehen në dy medalje argjendi.

22-vjeçari nga Shkodra, Izmir Smajlaj ai që arriti të garojë deri në fund për medaljen e artë në hedhjen së gjati, por distanca e tij më e gjatë 7 metra e 52 cm ishte 12 cm larg performancës më të mirë të pasdites që u dhurua nga gjeorgjiani Khorava.

Dy sukseset e arritura në pistën e atletikës e zhvendosin Shqipërinë në vendin e 35 në tabelën e vendeve me medalje, po aq sa edhe Maqedonia.

/Shekulli Online/

Kuvendi i kthehet Gjykatës Speciale, revoltohet opozita

skenderbeu prishtineKuvendi i Kosovës pritet të nxjerrë për miratim, të premten më 26 qershor, amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Ky amandament i propozuar nga Qeveria e Kosovës, është ri-proceduar për miratim në Kuvend, pasi që më 29 maj, ishte shtyrë për një seancë tjetër.

Në atë kohë, shtyrja ishte arsyetuar me faktin se amandamenti do të miratohej bashkë me projektligjin e negociuar me Bashkimin Evropian për dhomat e specializuara.

Projektligji për dhomat e specializuara tashmë është final. Ai i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës nga Brukseli pa të drejtën e ndërhyrjes në të.

Por, ky projektligj nuk është proceduar për seancën e 26 qershorit, ngase qeveria ua kishte përcjellë deputetëve vetëm si informatë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosova ka mbërritur deri në këtë fazë të pavarësisë duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, andaj ai është vënë në favor të themelimit të Gjykatës Speciale, pavarësisht sfidave.

“Historia e çlirimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës është histori e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe ne duhet në mënyrë të vendosur ta ruajmë këtë partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, kisha apeluar veçanërisht që në gjithë këtë situatë të cilën do ta kalojë populli ynë, një pjesë e historisë, e luftëtarëve të UÇK-së, të mos na ndaj, të mos na përçaj”, ka thënë Veseli.

Procedimi me themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ka revoltuar partitë opozitare. Përfaqësuesit e këtyre partive, në mënyrë demonstrative kanë lëshuar mbledhjen e kryesisë duke u zotuar se nuk do të votojnë themelimin e saj.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se ndryshimi i kushtetutës me ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës është i papranueshëm.

Kështu që sipas tij, një veprim të tillë duhet ta refuzojnë të gjithë deputetët e Kosovës.

“Po kërkohet që Kushtetuta të ndryshohet dhe që sistemi gjyqësor të gjymtohet në tri nivelet e tij, që të krijohen hapësira të reja juridike të udhëhequra nga të huajt, nga ndërkombëtarët, dhe në të cilat nuk do të ketë kurrfarë ingerence Republika e Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Kundërshtimi i opozitës u përshkua edhe me nervozë dhe emocione. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka shqyer me këtë rast para mediave të pranishme letrën ku ishte shtypur projektligji për gjykatën speciale.

“Përgjigja e jonë në këtë projektligj do të jetë që ne, ashtu sikurse sot që simbolikisht po e shqyejmë para mediave dhe opinionit atë, edhe në ditët e ardhshme do t’i bëjmë të gjitha veprimet e duhura që këto veprime bizare nga ana e qeverisë dhe mazhorancës, të ndalen”, ka theksuar Kadaj – Bujupi, ndërsa shqyente letrën ku ishte shtypur projektligji për Gjykatën Speciale.

Përballja me Gjykatën Speciale për krime lufte, e cila pritet të ketë në shënjestër disa nga figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e do të jetë e lehtë ka thënë, në nën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, ai ka shprehur edhe bindjen e tij se me këtë gjykatë do t’u jepet fund edhe spekulimeve dhe dyshimeve të ngritura për luftën e UÇK-së.

“Kemi një situatë në të cilën jemi mes emocioneve dhe arsyes. Emocionet janë ato të cilat neve na bëjnë krenar me luftën e lavdishme të UÇK-së. Të njëjtën kohë kemi arsyen ngase janë shumë akuza e mjegulla të cilat janë vënë mbi këtë luftë dhe bartësit e luftës së UÇK-së”, ka thënë Veseli.

Gjykata Speciale për krime lufte, apo siç do të emërohet me ligj si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit.

Këto dhoma do të jenë nën kompetencë të plotë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtar. (rel)

BE, thirrje Maqedonisë t’i japë fund krizës

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u ka këruar të marten drejtuesve politikë të Maqedonisë që t’i japin fund krizës politike dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, në bazë të marrëveshjes së 2 qershorit.

Këshilli ka miratuar konkluzionet për Maqedoninë, duke kërkuar realizimin e shpejtë të reformave dhe hetime mbi veprimet e mundshme kriminale që dalin nga skandali i përgjimeve.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, vendi i të cilit është kryesues i
radhës me Bashkimin Evropian, ka thënë se shpreson që mesazhi i Këshillit të Ministrave do të dëgjohet në Shkup, “por nëse gjendja nuk ndryshon atëherë BE do të shikojë se ç’farë masash mund të ndërmarrë”, është shprehur ai.

Ministri letonez ka shtuar se marrëveshja e 2 qershorit do të kthente vlerat demokratike në vend, përfshirë marrëdhëniet e mira ndëretnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe forcimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve fqinjë. Ministri Rinkēvičs ka nënvizuar nevojën për reforma në fushën e sundimit të së drejtës, pavarësinë e gjyqsorit, median, reformat zgjedhore, çështjen e korrupsionit dhe atë të politizimit të institucioneve shtetërore.

Kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet që t’i miratojnë këto konkluzione ditën e enjte dhe të premte.

Katër drejtuesit e partive kryesore në Maqedoni do të takohen sërish më 29 qershor, në pritje të një marrëveshjeje për formimin e një qeverie të përkohëshme, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohëshme të planifikuara për muajin prill të vitit 2016.

Burime të afërta me dy partitë rivale maqedonase, VMRO dhe Lidhja Social Demokrate thonë se kryeministri aktual Nikolla Gruevski mund të largohet nga detyra gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme. (voa)

Raundi “vendimtar” në Bruksel përfundon pa marrëveshje

Në Bruksel përfunduan pa ndonjë marrëveshje përfundimtare bisedimet mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Por ndërmjetësja në bisedime pohon se janë bërë përparime.

MogheriniRaundi i së martës (23.06) i bisedimeve në Bruksel, i cili zgjati më shumë se tetë orë, mes delegacioneve nga Kosova dhe Serbia, të udhëhequra nga kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, ishte paralajmëruar si vendimtar për procesin e afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Evropian. Por bisedimet përfunduan vetëm me hapjen e çështjeve më të rëndësishme, ndonëse thuhet se janë shënuar “përparime”.

“Në të gjitha pikat e bisedimeve mes delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi janë shënuar përparime: në energjetikë, telekomunikacion, vendosjen e bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe lirinë e lëvizjes mbi lumin Ibër”, kumtoi përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, lehtësuese e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në kumtesën e lëshuar nga kabineti i saj thuhet se bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, me qëllim që sa më parë të arrihen zgjidhje për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Në margjinat e bisedimeve është nënshkruar një marrëveshje për njohjen e sigurimeve të automjeteve.

Mustafa refuzon të deklarohet

mustafa mogheriniKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk është deklaruar për mediat as para dhe as pas takimit të zhvilluar në Bruksel. Ndërsa ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se marrëveshja për sigurimin e makinave paraqet edhe një marrëveshje tjetër ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete. “Marrëveshja për sigurimin e automjeteve, apo njohja e kartës së sigurimit mes dy shteteve, nënkupton që tarifat do të jenë të ulëta. Pra, shuma e njëjtë që përdoret për të udhëtuar në Maqedoni dhe karta e njëjtë që përdoret atje, do të përdoren për udhëtim edhe nëpër Serbi”, theksoi Tahiri.

“Nuk ka shanse për marrëveshje”

vucic mogheriniNë dallim prej Mustafës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq foli gjerë e gjatë gati për të gjitha çështjet. Ai deklaroi se në takimin e zhvilluar të martën në Bruksel nuk ka pasur shansae të arrihen marrëveshje përfundimtare për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, telekomunikacionin, energjetikën dhe “parkun e paqës”, mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Vuçiq tha se për çështjen e komunave me shumicë serbe është arritur përparim, por bisedimet do të vazhdojnë ditën e hënë (29.06). “Për disa çështje jemi afër marrëveshjes, ndërsa për disa të tjera shumë larg. Por me rëndësi është që kemi nisur dialogun për çështjet më të rëndësishme dhe tani palët kanë një përfytyrim më të qartë për qëndrimet e palës tjetër”, theksoi Vuçiq. Kryeministri i Serbisë shpreson se megjithë faktin që nuk është arritur asnjë marrëveshje e parashikuar, Beogradi do të hapë së shpejti kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vuçiq shpreson se marrëveshje për “çështjen më të rëndë mes palëve”, bashkësinë e komunave me shumicë serbe, është e mundur në ditët në vijim. Sipas tij, kjo çështje përbën 40 % të Marrëveshjes së Brukselit. Por pala kosovare, sipas tij, është “frikësuar pak” nga hapja e kësaj teme. “Pikërisht për këtë çështje është shënuar përparimi më i madh”, theksoi Vuçiq, i cili nuk saktësoi se në cilat pjesë janë shënuar përparimet më të mëdha për bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Ndërsa dallimet më të mëdha sipas kryeministrit serb, janë në çështjen e energjetikës, sepse këtu bëhet fjalë “për çështje pronësie”. Sa i përket telekomunikacionit, Beogradi vazhdon të insistojë që Serbia të kërkojë prefiksin e Kosovës dhe që numri i thirrjes për Kosovën të regjistrohet në emër të Serbisë. Serbia poashtu kërkon që të ketë një operator të saj në Kosovë. Deri ditën hënë, kur pritet takimi i ardhshëm në nivel kryeministrash, bisedimet do të vazhdojnë në nivelin teknik. (dw)

 

 

Greqi: Frikë nga falimentime të mëtejshme

Propozimet e reja për reforma të qeverisë greke ngjallin frikëra sidomos tek industria e turizimit.

greqiaIshte një apel thuajse dramatik i shoqatave greke të biznesit drejtuar së fundmi kryeministrit Tsipras. Ai duhet të arrijë një marrëveshje me huadhënësit dhe t’i japë fund “ekuilibrit të tmerrit”. Sipërmarrësit paralajmëruan ndaj rritjeve të reja të taksave dhe taksave speciale. Ato do të kenë ndikim negativ ndaj kompanive, punësimit dhe ekonomisë në tërësi.

Frikë nga mbyllje të mëtejshme ndërmarrjesh

Që nga nata e së hënës njihen propozimet e reja për reforma të qeverisë greke – ato përbëhen kryesisht nga shkurtimet, për shembull, të pensioneve dhe shpenzimeve për mbrojten, si dhe rritja e taksave. Ekonomia greke ndjehet si viktimë e paketës së reformës. Tatimi fitimet e sipërmarrjeve pritet të rriten nga 26 për qind në 29 për qind. Fitimet vjetore prej më shumë se 500 milionë euro, qeveria në Athinë do t’i taksojë me një taksë të veçantë prej 12 për qind. Dhe tvsh-ja për kafenetë, restorantet dhe hotelet pritet të rritet në 23 për qind.

Edhe pse biznesi dhe ekonomia e duan shumë një marrëveshje me huadhënësit, “këto rritje taksash do ta pengojnë shumë ekonominë” mendon Kostas Michalos, presidenti i Federatës së Dhomave të Tregtisë greke – ESSE. Sidomos në rrezik prej taksave janë sipas tij bizneset e vogla dhe sikurse tha ai për Deutsche Welle-n, taksat do të çojnë në më shumë falimentime. Që tani drejt falimentimit janë 600 ndërmarrje greke. Në vend të masave të parashikuara, qeveria greke duhet t’i bindë huadhënësit që lufta kundër ekonomisë informale dhe përmirësimi i menaxhimit të sistemit të mbledhjes së taksave do të sjellin më shumë para në arkat e shtetit.

Turizmi në rrezik

hotel greqiEdhe Andreas Andreadis, president i Shoqatës së Turzimit SETE, mendon se ngritja e taksave nuk ka vlerë në rast se ato nuk mblidhen. Sipas tij rreth 40% e taksave nuk paguhen, dhe në rast se taksa për turizimin do të rritet në masën 23% kjo do të thotë vdekje për turzimin grek, sepse ai nuk do të jetë në gjendje të përballojë konkurrencën. Vendet e tjera kanë taksa shumë të ulëta për industrinë e turzimit, Turqia 8%, Italia apo Spanja 10%, Qiproja 9%. Sipas tij edhe niveli prej 13% që ishte propozuar më parë, është maksimumi që mund të përballojë turizmi grek. Andreas Andreadis thotë se nuk e kupton se si BE-ja, BQE-ja apo FMN-ja ngulin këmbë për një taksë prej 23%.

Edhe Thanassis Syrianos, nga Zyra e Tregtisë dhe Industrisë Gjermano-Greke mendon se ngritja e taksave nuk do ta shtojë atraktivitetin e Greqisë për investitorët e huaj. Të vetmit që interesohen për Greqinë janë fondet hedge që spekulojnë me bonot greke të thesarit. Investitorët e huaj që duan të investojnë në fushën e turizmit do të presin sa të stabilizohet gjendja dhe deri sa qeveria greke të ofrojë ” kushte të arsyeshme”. Sipas tij ngritja e taksave nuk bën pjesë në kushte të tilla. (dw)

Jeta mes Gjermanisë dhe Shqipërisë – zgjedhja e duhur

Gerard Chakmakjian – njëri nga të rinjtë që vrau frikën e u fut në territorin e ambasadës gjermane në 2 korrik 1990. Ai e ka të pashlyer kujtimin e ardhjes në Gjermani e ndjesinë e të qënit në një vend me shanse.

Gerardi ishte 20 vjeçar në verën e vitit 1990. Student në vitin e parë të fakultetit të Gjeologji-Minierave në Tiranë, ai ndjehej i mbushur me adrenalinë dhe me bindjen se gjërat kishin “marrë udhë” edhe në Shqipërinë e izoluar komuniste. Zhvillimet e shpejta në ish-Bllokun Lindor kishin bërë tërë “sy e veshë” dhe shqiptarët, pasi pakënaqësia popullor vlonte. Gerardi ishte rritur në kryeqytet, në një familje me origjinë armene, por për shkak se nga i ati dhe e ëma kishte të trashëguar tituj pronësie, kjo për atë periudhë absurde përbënte një “thumb” në biografi, që ushqente një mendim jo të mirë të autoriteteve për Chakmakjian-ët.

Pasditen e 2 korrikut 1990 ai ishte jo rastësisht në afërsi të Bllokut të ambasadave perëndimore, në afërsi të qendrës së Tiranës, ku kishte grumbullime masive të qytetarëve. Megjithë shtimin e forcave të sigurisë dhe të agjentëve të veshur civilë, të cilët ushtronin presion për shpërndarjen e njerëzve, pjesa më e madhe e tyre gjente shkak për t’u afruar më shumë hyrjeve dhe mureve rrethuese të selive diplomatike.

“Kishte dhe kureshtarë, por ne gjendeshim aty me një qëllim. Nuk them se kishim bindje të qartë, pasi situata ishte e mjegullt dhe e tensionuar. Lajmet në formën e thashethemeve kalonin me shpejtësi. Disa thonin që do të hapeshin ambasadat për të pritur ata që dëshironin të ikin në perëndim. Të tjerë flisnin për rrezik, madje për rrezik me kokë, sepse policia mund të bënte reprezalje tek kundërshtarët e regjimit dhe ata që nuk do të bindeshin urdhërave të saj. Unë e mbaj mend që numri i njerëzve rritej çdo minutë. Kur mësuam për çarjen e murit të pasëm të ambasadës gjermane me një skodë morrëm zemër dhe u afruam më afër. Rreshti i policëve na u duk si liliput dhe inekzistent, pasi dhe ata e kuptonin se njerëzit nuk mund të ndaleshin. Të shtënat në ajër, efekti i armëve të zjarrit, vetëm pak metra me tutje, nuk ndikonin te njerëzit e paarmatosur, por të vendosur për sakrificë ekstreme, duke mos bërë asnjë hap prapa.”

Gerardi kujton se si së bashku me shok të fëmijërisë, Tan Berberin, po ashtu nga një familje shumë e persekutuar dhe e përndjekur politikisht nga regjimi i Enver Hoxhës, arritën të depërtojmë brenda territorit të Ambasadës. “Edhe sot e kam në mëndje emocionin e atyre momenteve: ishim në një realitet tjetër, kishim prekur ëndrrën. Jo vetëm ëndrrën tonë, por dhe të familjarëve, shokëve dhe miqve. Megjithëse në territorin e një ambasade ne morëm mesazhe kërcënuese nga jashtë, që dhe me forcë do të na nxirrnin prej andej. Por nga personeli i ambasadës, veç kujdesit maksimal për secilin, na u dha garancia se askush nuk do të prekej nga forcat policore dhe agjentët e fshehtë të regjimit që ndodheshin disa metra më tutje”.

Gjermania, hapësirë e shanseve konkrete

E pashlyeshme është për Gerardi mbërritja në Gjermani, vështirësitë e familjarizimit në një hapësirë të paimagjinueshme. Anglishtja ishte shpëtimtare në javët e para, por gjuha gjermane bëhej e domosdoshme për integrimin social, ekonomik dhe kulturor. “Trajtimi i autoriteteve gjermane ishte me vëmendje maksimale për secilin nga ne, duke na strehuar në banesa, duke na akorduar të ardhura bazike për jetesë, por dhe duke na ofruar që në momentet e para kurset e gjermanishtes, sipas nivelit që gjithësecili dëshironte të ndiqte. Mësimi i gjuhës na hap shteg për t’u angazhuar me punë. Fillimisht provova picerinë. Ditën e kisha shumë të ngarkuar, deri dhe 15 orë isha i angazhuar. Dilemat, pasiguritë, pikëpyetjet për të ardhmen sfumoheshin në atë mënyrë jetese. Pas vitit të parë provova ndjesinë e të qënit në një hapësirë për shanse konkrete. Mund të punoja, mund të studioja në universitet, për të rigjetur veten pas ndërprerjes së studimeve në Tiranë. Ishim të rinj dhe plot energji dhe na mundonte ‘kapja e kohës së humbur’, ndaj dhe duhej të bënim shumë gjëra njëherësh”.

Në vitin 1994 Gerardi zhvendoset në Këln, ku kreu një vit studimesh parauniversitare për konvertim të diplomës, gjë që i hapi rrugë ndjekjes së Universitetit po në Këln. Përzgjedhja e degës gjermanistikë, etnologji dhe filozofi ishte sfida e parë reale e jetës. “Kisha krijuar familje, isha bërë dhe me djalë, rrethanë kjo që nuk më lejonte të shkëputesha nga puna. Vijimi i degës që e kisha zgjedhur me aq dëshirë m’u bë i pamundur, ndaj vendosa të ndryshoj orinetimin e studimeve. Kisha mësuar se në Gjermani sistemi arsimor profesional dual ishte mjaft perfekt dhe i dobishëm për të rinjtë gjermanë. Kështu u pa ngurim u regjistrova në një shkollë 3 vjeçare për Administrim Biznesi. Regjimi që kanë shkollat duale gjermane, që alternojnë programin e mësimit me atë të praktikës, më ndihmoi që menjëherë pas diplomimit të filloja punë në një kompani të prodhimit të saraçineskave për industrinë e rëndë.

Transferimi i eksperiencës gjermane në Shqipëri

Gerardi tregon për Deutsche Welle-n se pas vitit 2002 nisi të mendojë edhe mundësinë e kthimit në Shqipëri. Ishte për një zgjedhje ndërmjetëse, që të angazhohej në të dy vendet, të transferonte përvojën e grumbulluar për më shumë se një dekadë në vendlindje. “Im atë në Tiranë kishte përparuar me një biznes në fushën e mjeteve mësimore dhe didaktike për shkollat. Unë me njohjet dhe kontaktet në Gjermani arrita të siguroj furnitorë seriozë dhe cilësore. Kjo kënaqi më shumë dhe klientët në Shqipëri pasi u rrit ndjeshëm cilësia dhe standardi i mallrave dhe shërbimit. Nga ana tjetër, një ndërtesë të hershme, në mes të Tiranës, pronë e familjes, vendosëm ta rikosntruktojmë dhe ta kthejmë në hotel. Këto dy fronte pune ishin argumente të mjafta për zgjedhjen e bërë, që të jetoja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në hotelin që bashkëmenaxhoj kemi si bujtës të huaj më shumë nga Gjermania, por dhe nga vende të tjera. Përvoja dhe eksperienca në Gjermani ka ndikuar fuqishëm që ta shoh me kujdes këtë biznes, duke synuar tregues të qëndrueshëm në shërbimin ndaj klientëve dhe për këtë ne jemi vlerësuar dhe nga institucione ndërkombëtare. Në partneritet me Dhomën Gjermane të Tregëtisë në Shqipëri ne përpiqemi të jemi aktivë, duke nxitur bashkëpunimin mes dy vendeve në biznes. Sa më shumë gjermanë të vijnë për investime në Shqipëri aq më i sigurtë është transformimi ekonomik i vendit, duke u bërë dhe atraktivë për sipërmarrës nga vende të tjera të zhvilluara”.

Gerardi nuk e fsheh faktin që aktiviteti rreth dy dekada e gjysmë pas vendimit për të hyrë në ambasadën gjermane më 2 korrik 1990 ja ka vlejtur për atë personalisht, por dhe familjen. “Megjithëse të lindur në Këln, fëmijët e mi, djali 20 vjeçar dhe vajza 4 vjet më e vogël, udhëtojnë me kënaqësi për në Shqipëri, flasin perfekt shqip dhe kanë shumë shokë e miq. Ata le të vendosin vetë se ku do të jetojnë dhe punojnë. Për këtë jam realisht krenar. Para 25 viteve hyrja në Ambasadën e Gjermanisë këtë dhuratë më dha dhe mua: të jem i lirë, të zgjedh atë ofertë ku ndjehesha më mirë. Ndaj dhe jam me fat që ndoqa ëndrrën gjermane, për të qenë i lirë”. (dw)