TAP shkarkon 60 milionë euro; vetëm në fazën e parë pritet ndërtimi i 100 km rrugë

gazsjellesi tapGërmimet e para kanë nisur tashmë nga Çorovoda, me ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave. Përgjatë të gjithë gjurmës së gazsjellësit do të ndërtohen dhe përmirësohen rreth 100 kilometra rrugë, është parashikuar rehabilitimi i 42 urave ekzistuese dhe ndërtimi i 3 urave të reja.

Vlera e përafërt e investimit në fazën e parë do të jetë rreth 60 milionë euro. Të gjitha këto me efekt jo vetëm në punësim, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së të gjithë këtyre zonave.

Drejtori Menaxhues i TAP, Ian Bradshow thotë se përfshirja e kompanive shqiptare si nënkontraktore ka nisur që në këtë fazë të parë të punimeve ku 95% e stafit është shqiptar dhe numri i të punësuarve në këtë fazë të parë do të jetë mbi 500 vetë.

“Sic e shihni këtu, sot kompanitë shqiptare janë tashmë të përfshira në kontratat kryesore për këto rrugë aksesi dhe ura që po rehabilitohen dhe ndërtohen në Shqipëri. Kjo është një joint-venture mes një kompanie shqiptare dhe italiane dhe kompania shqiptare është në drejtim të saj, thuajse 95% e stafit në këtë pjesë të punimeve janë shqiptarë”, thekson Bradshow.

Faza e dytë është ndërtimi i tubacionit të gazit në territorin shqiptar që pas përfundimit të plotë të punimeve dhe transportit të gazit të parë nga fushat e Azerbaxhanit drejt Europës perëndimore pritet të përfitojë një pjesë të tij për nevojat e brendshme. Përfituesit e parë, sipas Ministrisë së Energjisë që po harton paralelisht një masterplan dhe studim fizibiliteti për gazifikimin e vendit, janë TEC-i i Vlorës, një investim që prej vitesh nuk funksionin, si dhe industria.

“Po krijojmë një pikë daljeje në Shqipëri, pra po lehtësojmë marrjen e gazit me shpresën që kjo do të lejojë masterplanin shqiptar të gazit të krijojë gjurmë në industrinë e gazit në vend”, vijon Bradshow.

Zoti Bradshow u ndal edhe tek pozicioni gjeostrategjik i gazsjellësit. A mundet gazsjellësi Turkish Stream të konkurojë projektin TAP?

“Jo. TAP është pjesa europiane e korridorit jugor të gazit. Korridori Jugor i Gazit transporton gazin nga Kaspiku, Azerbaxhani, Gjeorgjia, Turqia më pas kalon tek TAP në kufirin turko-grek dhe në e çojmë këtë gaz përmes Greqisë, Shqipërisë, Adriatikut dhe Italisë dhe është totalisht e ndarë nga Turk Stream’, tha Bradshow.

/ Top Channel

Turistët u qëlluan me plumb pas koke; policia shoqëron 35 persona

turistet e vrareJanë zbardhur të tjera detaje nga hetimet për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në afërsi të fshatit Prekal në zonën e Dukagjinit në Shkodër.

Nga hetimet deritanishme mësohet se dy turistët janë vrarë me plumba pas koke, çfarë përforcon dyshimet se një nga autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje ishte personi që po udhëtonte, si shoqërues apo si pasagjer, së bashku me turistët.

Dyshimet e policisë janë se në këtë krim të shëmtuar kanë marrë pjesë dhe persona të tjerë që u kanë ngritur pritë turistëve.

Aktualisht, aksionet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vazhdojnë në gjithë zonën e thellë malore, duke bërë krehjen e gjitha vendeve të dyshimta. Deri në këto momente janë shoqëruar në Policinë e Shkodrës rreth 35 persona, që dyshohet se kanë lidhje apo dijeni për ngjarjen.

Vetëm dy ditë para se të vriteshin, çifti nga Çekia kishte publikuar në faqen e tyre në Facebook një album të titulluar “Përshendetje nga Ballkani”, me fotot më të bukura nga udhëtimi i tyre turistik në malësitë e Shkodrës dhe plazhin e Rrjollit. Më pas ata kanë udhëtuar drejt zonës së Vermoshit dhe pastaj në Dukagjin, që për fat të keq ishte dhe udhëtimi i tyre i fundit.

Çifti i turistëve çekë, që u vranë të premten në mbrëmje, nuk janë të vetmit që kanë pasur Dukagjinin si udhëtimin e fundit.

Në vitin 2001 tre turistë çekë u vranë dhe u zhduken në fshatin Theth, dhe ende sot nuk dihet se ku janë trupat e tyre, ndërsa në gusht të një viti më parë një turiste çeke, Martina Mala, u plagos rëndë me armë zjarri në një lokal nate, në plazhin e Velipojës.

Në muajin qershor të vitit 2014 një tjetër turist çek u aksidentua për vdekje, ndërsa një 26-vjeçar, në muajin maj të këtij viti, humbi jetën në lumë, në zonën e Dukagjnit, aksidentalisht duke bërë rafting.

/ Top Channel

Koment: Merkeli e mban derën një gisht hapur

Si do të vendosin grekët? Edhe në Zyrën Kancelarore përfundimi i referendumit pritet me tension të madh. Në fund të fundit, nga Angela Merkeli varen disa gjëra, mendon Sabine Kinkartz.

MerkelIshte data 1 qershor e këtij viti, kur në mbrëmje vonë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi hynë gati fshehtas dhe të mbrojtur nga errësira në Zyrën Kancelarore. Kancelarja u ishte lutur që të shkonin në Berlin, për të folur – natyrisht – për Greqinë. Ministrit të saj të Financave, Angela Merkeli nuk i pati thënë gjë. Atij kjo nuk iu duk zbavitëse, siç u mor vesh më vonë. Por nuk u ndie. Wolfgang Schäuble është njeri besnik.

Schäuble vetëm do të kishte shqetësuar këtë darkë. Në krahasim me atë që donte të arrinte kancelarja, vështrimi i Schäubles qe shumë pesimist në lidhje me katastrofën greke. Vështrim realist do të thoshte ai tani me këmbëngulje dhe duke u nisur nga gjendja e tanishme ai me siguri ka të drejtë. Për Merkelin, nga ana tjetër, në 1 qershor vlente ende: “Atje ku ekziston vullneti, ekziston edhe një rrugë.” Ajo donte të ishte një europiane e mirë dhe si kryeministre e ekonomisë më të madhe në BE ajo do që ta mbajë të bashkuar Eurozonën.

Merkeli dhe çështja e borxhit

Para të gjithash ajo nuk donte që t’ia linin asaj fajin për dështimin e negociatave. Vërtet që qeveria federale ka theksuar herë pas here muajt e fundit, se jo Gjermania, por treshja e përbërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian janë ata që vendosin, nëse mjaftojnë premtimet për reforma të Athinës. Por thuajse askush nuk ia besoi Merkelit këtë tërheqje në radhë të dytë dhe në Athinë madje askush. Qendrimi, për t’i lidhur ndihmat financiare me kërkesa të rrepta për reforma konsiderohej prej kohësh si gjerman.

Kështu që Merkeli ishte e detyruar të qendronte edhe më tej në fokus dhe prandaj ajo ishte e gatshme deri në fund që të përballonte disa gjëra. Edhe në politikën e brendshme. Shumë i fortë kursi i saj, e akuzuan atë të Majtët, shumë i butë thuhej nga radhët e partive unioniste. Hendeku midis kryetares së CDU-së dhe Grupit të saj Parlamentar nuk mund të mos vihej më re.

Palët ia kanë kthyer unazat njëra-tjetrës

Në këtë kuadër, për Merkelin nuk mund të ketë qenë kaq e pafavorshme, që qeveria greke i ndërpreu negociatat në sekondën e fundit dhe e bëri në këtë mënyrë të panevojshme që të votojë edhe Bundestagu për këtë. Përgjegjësinë tani e kanë përcjellë në Athinë. Merkelit kjo i jep mundësinë për të qenë e pastër me partinë e saj. Sa e nevojshme është kjo, këtë ajo do ta ketë vënë re më e vonta në festën e datëlindjes së CDU-së të hënën e kaluar. Atje, Grupi Parlamentar Unionist brohoriti Ministrin e Financave, Schäuble për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Athinës. Dhe ai nuk e fsheh se ai dhe qeveria e Athinës tashmë ia kanë kthyer unazat njëri-tjetrit.

Kështu që do të varet shumë, si do të përfundojë referendumi grek të dielën. Nëse grekët e ndjekin vullnetin e qeverisë së tyre dhe e refuzojnë programin e dytë, gjithsesi të përfunduar, të ndihmave me kërkesat e tij reformuese, atëherë me siguri nuk do të ketë negociata për kredi të reja. Atëherë do të bëhet fjalë fillimisht për dëmin ekonomik, që i shkakton Evropës falimentimi i zvarritur i Greqisë. Për të cilin bashkëpërgjegjëse është edhe Merkeli.

Të gjitha nga e para

Nëse grekët votojnë me “Po” atëherë vendimtare do të jetë nëse do të japë dorëheqjen qeveria e Alexis Tsiprasit. Nuk është vetëm Wolfgang Schäuble që nuk ka dëshirë të negociojë më. Me partnerë të rinj duhet ngritur një paketë e tretë ndihmash. Një sipërmarrje e vështirë, sepse në atë rast do të veprohet në përputhje me kërkesat e fondit të përhershëm të shpëtimit, ESM. Ai u jep parlamenteve kombëtare, pra edhe Bundestagut të drejta të gjera bashkëvendosëse. Angela Merkeli do të kishte pra shumë më tepër se sot nevojë që partia e saj ta ndjekë pas. Euroja dhe Evropa do të përmenden sërish. Po këtë herë në variantin e ri. Euroja, tani kjo është bashkësia juridike dhe e përgjegjësisë.

Në partitë unioniste fjalët e saj do t’i dëgjojnë me vëmendje. Sepse ato do të implikojnë që Merkeli do të mund ta mbajë derën një gisht hapur për negociata me Greqinë vetëm nëse parashikohet, që ata që do të jenë në pushtet në Greqi, kushdo që të jetë, do t’u përmbahen me të vërtetë këtyre rregullave. Përndryshe kancelarja duhet ta mbyllë derën. (dw)

Kush janë paditësit dhe gjykatësit e Greqisë

drahmaNegociatat e dështuara me Greqinë kanë treguar se pa procedurën e falimentimit për shtetet apo së paku faljen e borxhit, drama në Greqi nuk merr fund.

Kur një ndërmarrje apo një person privat falimenton, hapat e tjerë janë të rregulluar qartë me ligj. Çështja çohet para gjykatësit, dhe rrjedha e mëtejshme përcaktohet pra nga një instancë neutrale dhe jo nga kreditorët e zemëruar.

Me Greqinë nuk është kështu. Këtu janë huadhënësit vetë, ato që i bëjnë gjyqin borxhliut. Ato përpiqen këtu të mbrojnë interesat e tyre dhe e quajnë atë “shpëtim”, ndërsa klima e bisedimeve helmohet prej mosbesimit dhe akuzave.

Filozofi Jürgen Habermas sheh këtu dështimin e politikanëve europianë: “Ata në fakt duken si politikanë, por komunikojnë vetëm në rolin e tyre ekonomik, si kreditorë”, thotë Habermas në një shkrim për gazetën Süddeutsche Zeitung.

Kundërshtimi i bankave

Negociatat e dështuara kanë treguar se sa problematik është roli i shumëfishtë i shteteve evropiane: Si kreditorë ato duan t’i diktojnë debitorit masat e kursimeve dhe të kontrollojnë madje vetë edhe zbatimin e tyre. Që në gjithë këtë merr pjesë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), një organizatë që është e spezializuar për shtete me borxhe të larta, e bën edhe më të dukshëm konfliktin e interesit të europianëve.

FMN-ja që në fillim të vitit 2000 ka këmbëngulur për një ligj të falimentimit të shteteve, deri tani më kot. “Atëherë bankat ndërkombëtare e patën kundërshtuar këtë kërkesë”, thotë Thomas Mayer, drejtor themelues i Flossbach von Storch Research Institute. “Bankave u interesonte më shumë që FMN-ja të ndërhynte me kredi, që t’u kthehen mbrapsht të gjitha paratë”, thotë Mayer për DW. Ai e di pozicionin e industrisë financiare, deri në vitin 2012 ai ka qenë kryeekonomisti i Deutsche Bank.

Ka vërejtje të tjera kundër një ligji të falimentimit. Këto janë le të themi çështje ligjore, se sa thellë lejohet të ndërhyhet në sovranitetin e një shteti. Por ky problem ekziston që në vitin 2011, kur Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të eurozonës ia ndaluan kryeministrit grek Jorgo Papandreu, që të shpallte referendumin për kursin e mëtejshëm të shtetit në krizën e borxhit.

Falimentimi i shtetit konsiderohej prej kohësh si një problem i vendeve në zhvillim. “Procedura e falimentimit për vendet e zonës së Euros është diskutuar, por nuk është përcaktuar”, thotë Mayer. “Është menduar se është e panevojshme dhe se Greqia është rast i vetëm.”

Frika nga zgjedhësit

Meqë nuk ekziston një procedurë për falimentimin, FMN këmbëngulte të paktën për një lehtësim të mëtejshëm të borxhit për Greqinë. Ekonomistët mendojnë se borxhet e larta të këtij vendi nuk do të mund të paguhen kurrë tërësisht.
Por evropianët nuk duan t’ia dinë për këtë. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe homologët e saj merren aq kohë me politikë, saqë e dinë se duhet të kenë frikë nga zgjedhësit. Pasi bankat e mëdha i hoqën qafe kreditë e këqija greke me ndihmën e politikës, Merkel paraqitet si shenjtore mbrojtëse e taksapaguesve gjermanë, të cilët nuk duan që paratë e tyre të humbasin në Greqi.
Propozimin, që të paktën disa prej detyrimeve greke të kalonin nën kompetencën e ombrelës e shpëtimit ESM, Merkel e luftoi gjithashtu, fundja edhe për të përgjigjeshin taksapaguesit. Mesazhi moral i kancelares drejtuar grekëve: borxhet duhet të paguhen.

Leksione nga Gjermania

“Kjo është për të qeshur”, thotë ekonomisti francez Thomas Piketty në një intervistë me gazetën javore gjermane, “Die Zeit”. “Gjermania është vendi, që kurrë nuk i ka paguar borxhet e veta. Ajo nuk mund t’u japë leksione vendeve të tjera.”

Në marrëveshjen e borxhit të Londrës të vitit 1953 kreditorët, duke përfshirë Greqinë, i falën Republikës së re Federale shumicën e borxhit – duke bërë në këtë mënyrë të mundur mrekullinë ekonomike gjermane të periudhës së pasluftës.

Edhe në qoftë se Gjermania dhe vendet e tjera të zonës së euros janë kundër: “Në një farë mënyre do të ketë një falje tjetër të borxhit”, thotë Johannes Mayr, ekonomist në Bayerische Landesbank. “Ai mund të jetë eksplicit – ose dhe kjo është më e mundshme – problemi do të zhvendoset në të ardhmen nëpërmjet një shtyrjeje të mëtejshme.”

Dëm maksimal, pa zgjidhje

Tendenca e politikës evropiane, për të shtyrë problemet dhe për të luajtur me kohën, të çon në probleme shumë të çuditshme. Këtë e tregon shembulli i negociatave të pasuksesshme, që zgjatën shumë muaj ndërmjet Greqisë dhe Eurogrupit.
“Ndërsa ne kemi negociuar për më shumë se 7,2 miliardë euro dhe nuk kemi mundur të biem dakord për kushtet, bankat greke kanë marrë 90 miliard euro kredi emergjente pa kushte”, thotë Thomas Mayer nga Flossbach von Storch Research Institute. Fjala është për kreditë e emergjencës, që u dhanë me miratimin e BQE nga Banka Qendrore e Greqisë.

Mayer pret që në referendumin grek shumica të votojë për masat e kursimit. Pas zgjedhjeve të reja mund të fillonin negociatat për një tjetër program ndihme. FMN-ja vlerëson se Greqisë i nevojiten 50 miliardë euro.
Dëm maksimal pa zgjidhje të problemit – pikërisht kjo është ajo që duhet të pengojnë procedurat e falimentimit, apo falja e borxhit. Do të zgjasë ndoshta disa kohë, derisa kjo të mos pranohet edhe në Evropë. (dw)

 

Interes ndërkombëtar për krizën greke të borxheve

A do të dalë Greqia nga Eurozona? Kjo çështje preokupon prej muajsh Gjermaninë dhe vende të tjera të BE. Po sa i madh është interesi përtej kufijve evropianë për dramën greke të borxheve?

Athina

SHBA

Po i vëzhgojnë me vëmendje zhvillimet në mosmarrëveshjen greke të borxheve. Në biseda me përfaqësues qeveritarë si Kancelaren Angela Merkel ose Presidentin e Francës, François Hollande, Presidenti Obama ngul këmbë që të bihet dakord për ta ndihmuar Athinën për një rritje më të madhe ekonomike brenda Eurozonës. Veçanërisht këmbëngulja për planet e rrepta të kursimit dhe të menduarit duke u nisur nga interesa kombëtare nuk kuptohen në SHBA.

Presidenti i SHBA, Barack Obama paralajmëroi se vazhdimi i krizës financiare greke mund të ketë “pasoja të konsiderueshme” në rritjen ekonomike evropiane. Ai shtoi edhe se ky nuk është shok i madh për sistemin global ose për SHBA. Këto deklarata ai i bëri në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidenten e Brazilit, Dilma Rousseff. Në konferencë ai tha se “nëqoftëse Evropa nuk rritet ekonomikisht ashtu si është e nevojshme, kjo ka pasoja për ne dhe për Brazilin. Këto janë tregjet më të mëdha të eksportit dhe kjo mund të ushtrojë një ndikim frenues në ekonominë botërore”, tha Obama.

Kina

Me shumë vëmendje dhe me mjaft skepticizëm e ndjek Kina përpjekjen për rënie dakord në grindjen për borxhet me Greqinë. Ministria kineze e Tregtisë i kërkoi qeverisë së Athinës që të mbrojë interesat legjitime të sipërmarrjeve kineze. “Ne e këshillojmë qeverinë greke që t’i respektojë të drejtat dhe interesat e justifikuara të firmave kineze në Greqi”, tha një zëdhënës qeveritar.

Koncernit të përzier kinez Cosco, i cili prej vitesh bën një pjesë të madhe të tregtisë në Portin e Pireut, i përkasin tashmë dy terminale me kontenierë. Cosco synon që të blejë edhe pjesë të tjera nga Piraeus Port Authority. Por në masat e para të qeverisë së re greke në Ciprasin ishte ndalimi i privatizimit të portit të Pireut dhe një largim nga kursi i rreptë i kursimeve.

Japonia

Ndër vendet më të zhvilluara, Japonia është vendi me më shumë borxhe. Kriza në Greqi bën që Japonia të reflektojë tani për strategjitë e saj, si mund të pengohet falimentimi shtetëror. Por vendimmarrësit politikë dhe ekonomistët e fuqisë së tretë ekonomike të botës nuk nxjerrin përfundime dhe nuk shohin nevojë për të ndryshuar politikën e tyre fiskale. “Greqia i ngriti taksat dhe i shkurtoi shpenzimet publike. Megjithatë, në tri vitet e fundit të ardhurat nga taksat ranë”, tha ministri i Financave të Japonisë, Akira Amari.

Në dallim nga Greqia, Japonia ka një industri të aftë për të konkuruar, një monedhë të vetën dhe kursime të mëdha. (dw)

Eliot Engel takime në Maqedoni, kërkon nga palët që të tejkalojnë krizën e të gjejnë zgjidhje

E EngelKongresmeni amerikan Eliot Engel, është optimist se kriza politike në Maqedoni të tejkalohet së shpejti.

Pas takimit me kryeministrin Nikola Gruevski dhe krerët e partive kryesore në Shkup, ai tha se thellimi i mëtejmë i krizës do ta të vështirësonte zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi.

“Unë jam gjithnjë optimist. Gjithmonë kam qenë dhe kjo funksionon. Unë nuk kisha ndonjë këshillë për kryeministrin, apo dikë tjetër, por thjesht dua të them se kjo krizë duhet të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur, sa më shumë zgjat kjo krizë, aq më e vështirë bëhet përballja me problemet aktuale. Kështu që shpresoj, se kjo do të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Engel.

Zyrtari amerikan pret zgjidhje të shpejtë edhe për problemin që kanë Shkupi dhe Athina lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë, që po mban të bllokuar integrimin e këtij vendi në BE dhe NATO.

“Duke pas parasysh krizën në Greqi, shpresoj se të gjithë do të kuptojnë se ka shumë çështje më të rëndësishme se emri. Prandaj shpresoj se dy palët do të arrijnë kompromis dhe se problemi me emrin mund dhe të zgjidhet. Shpresoj se kjo që dëgjuat është shenjë e mirë”, u shpreh kongresmeni amerikan.

Duke folur për raportet ndëretnike, zyrtari amerikan, tha se Maqedonia mund të bëhet model për shoqëritë multietnike, nëse institucionet e vendit garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.

/ Top Channel

Avioni “Solar Impulse 2″ ulet në Havai

avioni diellorNjë avion zviceran me energji u ul në ishullin e Havait, për një fluturim rekord rreth botës, prej 35 mijë kilometrash, pa një pikë të vetme karburanti.

Avioni i quajtur Solar Impulse 2 pilotohet nga zvicerani Andre Borschberg, njëri prej konstruktorëve të tij. Me kalimin e Oqeanit Paqësor, që është faza më e gjatë e udhëtimit, Borschberg, thyen rekordin e amerikanit Steve Fossett.

Destinacioni i fundit i avionit është Abu Dabi, nga ku e filloi udhëtimin. Solar Impulse 2 është planifikuar të arrijë në Gjirin Persik në fund të korrikut, ose në fillim të gushtit. (voa)

Sfidat e industrisë së ushqimit të shpejtë

ChipotleKompanitë gjigande të llojit Fast Food po përballen me kërkesat e konsumatorëve për ushqime të shëndetshme që t’u përshtaten kërkesave të tyre individuale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton nga Los Anxhelesi se industria e ushqimeve të çastit po u përgjigjet konsumatorëve që duan më shumë sesa një hamburger dhe patate të skuqura.

Industria e restoranteve “Fast Food” filloi në autostradën historike “Route 66” në San Bernardino, të Kalifornisë, ku vëllezërit McDonald hapën një restorant në vitin 1940. Ata në pas e përqëndruan aktivitetin e tyre tek hamburgerat dhe patatet e skuqura, duke shitur volum të madh me çmime të ulta.  Një i njohuri i tyre, biznesmeni Ray Kroc, ua bleu biznesin dhe e shndërroi atë më pas në një perandori mbarëbotërore.

Një muze privat pranë restorantit të parë McDonald’s festoi 75 vjetorin e kompanisë, ndërsa pronari i muzeut Albert Okura u tregon vizitorëve për idenë e madhe të dy vëllezërve.

“Ata shisnin hamburger dhe patate të skuqura.  Ata kishin ushqimin e duhur në kohën e duhur.”

Ushqimi ishte i shpejtë dhe i lirë. Tommy Bliss shkonte shpesh në ato kohë, kur McDonald ishte një pikë grumbullimi për adoleshentët.

“Këtu i gjeje të gjitha vajzat e bukura, makinat e mira ishin kudo përreth.”

Të rinjtë sot shkojnë në restorante të tjera si Chipotle. Ky rrjet me ushqim të shpejtë meksikan reklamon përbërës të shëndetshëm. Një i tillë në rrethinat e Uashingtonit tërheq klientë si  Yao Odamtten.

“Unë ha ushqim të shëndetshëm. Është shumë e rëndësishme për mua.”

Chipotle është pjesë e një segmenti të ri restorantesh të ushqimit të shpejtë, thotë analisti i kësaj industrie Shon Hiatt.

“Chipotle, Panera, Noodles & Company. Ato që i bën këto restorante ndryshe, është ushqimi sipas kërkesave. Ai është i shpejtë dhe perceptohet si i një cilësie të lartë.”

Hamburgera me mish viçi, me ose pa domate, apo sanduiçë vegjetarian me kërpudha,  është formula e rrjetit Shake Shack, një restorant i ri në Nju Jork, aksionet e të cilit filluan të shkëmbehen në bursë këtë vit për herë të parë.

Hiatt thotë se këto restorante të reja tërheqin grupmoshat e mijëvjeçarit, të rinjtë që u bënë të rritur rreth vitit 2000.

“Statistikat e fundit gjatë katër viteve të fundit kanë treguar se kjo grupmoshë ka shtuar konsumin e këtij lloj ushqimi me pesë përqind në vit, ndërsa komsumi i ushqimit Fast Food ka mbetur aty ku ka qënë.”

McDonald’s përballet me rënie të fitimeve dhe po mëkëmbet nga rënia e vitit të kaluar për shkak të furnizimit me mish të prishur nga një kompani kineze. Skandali ka ndikuar edhe rrjete të tjera si KFC.

McDonald’s ka ndryshuar menunë e saj duke përfshirë më shumë artikuj të shëndetshëm. Kompania po shqyrton edhe automatizimin për ta bërë menunë e saj më të përshtatshme.

Dhe përballë kërkesave të punonjësve për paga më të larta, mund të përdorë automatizimin për të ulur koston e krahut të punës. Analistët e industrisë thonë se gjigantët e ushqimit të shpejtë duhet të gjejnë mënyra për të ndryshuar biznesin e tyre me ndryshimin e shijes së konsumatorëve. (voa)

Policia në Maqedoni ende në gatishmëri të lartë

autoblind mkMinistria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ende mban në fuqi masat e nivelit të lartë të gatishmërisë, pas ngjarjes së Kumanovës.

MPB ka theksuar se masat e sigurisë vlejnë në gjithë vendin, ku policia është në gatishmëri të përballet me çdo sfidë të sigurisë.

“Udhëzime dhe paralajmërime për aksione të mundshme hakmarrëse lidhur me aksionin policor në Kumanovë më 9 maj dhe niveli më i ngritur i masave të sigurisë që përmbahen në telegramin me instruksione që MPB e dërgoi deri tek personat udhëheqës në ministri, edhe më tej janë në fuqi” konfirmoi për “Meta” zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Edhe në vendet fqinje ka gjendje të lartë gatishmërie dhe kjo situatë po ndiqet në Kosovë, ku autoritetet theksuan se kanë ngritur nivelin e sigurisë për shkak të sulmeve të mundshme, masat të ngjashme ndërmarrin edhe organet maqedonase të sigurisë. Masat e larta të sigurisë janë edhe në zonën kufitare Maqedoni – Kosovë, ku policitë kufitare të të dyja vendeve po bashkëpunojnë dhe ndjekin situatën.  (INA)

Nisin punimet për TAP në Shqipëri

TAPKa nisur këtë te premte ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave, nëpër të cilat do të kalojë tubacioni i gazsjellësit TransAdriatik, TAP. Ceremonia e nisjes së punimeve po mbahet në Potom të Çorovodës.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, e quajti këtë projekt një nga investimet më të mëdha të bëra në vendin tonë dhe një perspektivë të re për Shqipërinë. Duke folur për detajet e projektit, Rama tha se faza e parë e ndërtimit të tij do të shtrihet në pesë vite dhe ai do të përshkojë 211 km në vendin tonë.

“TAP nuk është një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të tregut energjitik rajonal dhe më gjerë”, theksoi Rama, duke shtuar se ky projekt do ta rrisë Produktin e Përgjithshëm Bruto të vendit tonë me 160 milionë euro.

Të pranishëm në ceremoni janë edhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe drejtues të lartë të kompanisë “Trans Adriatik Pipline”.

Projekti “TAP” është projektuar për të transportuar gaz nga rajoni i Kaspikut, përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, në Italinë e Jugut dhe deri në Evropën Perëndimore dhe pritet të përfundojë në vitin 2018. Ky projekt do t’i sjellë Shqipërisë përfitime të drejtpërdrejta në fushën e energjisë.

Detaje tenike të Gazsjellësit në Shqipëri

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tre të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.

Ndërtimi i gazsjellësit TAP dhe faciliteteve të lidhura me të do të kryhet në faza dhe do të ndikohet nga kushtet e motit, si dhe në disa raste edhe nga kufizime sezonale. Konkretisht ndërtimi intensiv përgjatë korridorit të së Drejtës së Kalimit (DeK), tipikisht do të segmentohet për t’u kryer në periudha 3 deri në 6-mujore. Megjithatë, aksesi i përgjithshëm në tokë do të nevojitet për një periudhë më të gjatë kohe, për të mundësuar aksesin e vazhdueshëm të DeK për qëllime transporti dhe aktivitete të tjera periferike ndërtimi. Në total, kjo periudhë mund të zgjasë nga 12-24 muaj, ku përfshihet edhe periudha e ndërtimit intensiv. TAP do të paguajë kompensim për të gjithë periudhën e punimeve (periudhën e shqetësimit të jetesës), që do të thotë për të gjithë kohën e shqetësimit ose për 24 muaj (cilado prej tyre të jetë periudha më e gjatë), ndërsa toka është në përdorim.

/Shekulli Online/