Ekonomia shqiptare: studiuesit komentojnë uljen e parashikimeve

arben malajStudiuesit e ekonomisë shqiptare theksojnë me shqetësim faktin që rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë akoma më poshtë se parashikimet dhe rishikimi i buxhetit do të bazohet tek realiteti dhe jo tek shpresat apo euforitë e një viti më parë.

Ekonomia është pothuaj në stanjacion, të ardhurat kanë rënë, po ashtu ranë investimet vendase e të huaja, ndërsa borxhi dhe deficiti u thelluan.

Profesor Arben Malaj i Universitetit të Tiranës thotë që ritmet e ulta të rritjes ekonomike do të zgjatin kohën për të ulur borxhin, masat do të jenë më të rrepta dhe pasojat sociale do të shtohen.

Studiuesit thonë se ekonomia po funksionon nën kapacitetet e saj të vërteta edhe për shkak të korrupsionit të përhapur në administratën shtetërore të gjithë niveleve, në sistemin gjyqësor dhe në fushën e pronave dhe respektimit të tyre.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se ekonomia shqiptare është thuajse në të njëjtin prag stanjacioni si 2-3 vjet më parë dhe masat e qeverisë së re nuk dhanë rezultatet e premtuara.

Studiuesit besojnë se politikat fiskale kanë krijuar probleme të reja dhe nuk kanë zgjidhur problemet e vjetra. Ata pohojnë se rritja ekonomike mund të vijë vetëm nga përmirësimi i vërtetë i klimës së biznesit.

Zoti Malaj thotë se qeveria duhet të përmbushë detyrimet e marrëveshjes me FMN për të rritur besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet e huaja dhe për të treguar se vend po punon vërtet për të kapërcyer krizën ekonomike.

Të dhënat e fundit tregojnë se kanë rënë të ardhurat, konsumi, prodhimi vendas dhe investimet.

Sipas ekspertëve, bankat pohojnë se me shtimin e masave të sigurisë për të lëshuar kredi, ka rënë edhe agresiviteti i kompanive për të marrë kredi dhe për të shtuar prodhimin.

Zoti Preçi thotë që krahas politikave ekonomike për të përmirësuar klimën e biznesit, duhen përmirësuar edhe politikat fiskale, sepse taksat dhe detyrimet po bien kryesisht mbi shtresat e mesme dhe të varfëra, ndërsa grupet e pasanikëve janë të mbipërfaqësuar në parlament, janë aty në konflikt interesi dhe nuk mund të bëjnë ligje kundër vetes dhe bizneseve të tyre monopole dhe oligopole.

Analistët pohojnë se përshkallëzimi që u bë në taksën mbi punën, dhe rritja e taksës mbi fitimin dhe kapitalin, rëndoi statusin ekonomik e social të punëtorëve dhe nuk përmirësoi klimën e besimit të investitorëve vendas e të huaj për të rritur teknologjinë dhe vende të reja pune.

Sipas tyre, rishikimi me ulje i të gjithë treguesve kryesorë është shenjë se reformat nuk kanë funksionuar, se ligjet nuk janë zbatuar dhe se administrata duhet të shtojë përpjekjet në gjysmën e dytë të vitit. (voa)

Qytetarët: Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar si duhet

qytetaret shkupQytetarët janë unik në vlerësimin se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar si duhet, 14 vjet nga nënshkrimi i saj. Megjithatë, qytetarët shprehen të ndarë rreth idesë nëse duhet ose jo një marrëveshje të re. Disa thonë që të vazhdohet zbatimi i marrëveshjes aktuale, disa thonë se duhet rishikuar ideja për marrëveshje të re.

“Aspak nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit shihe çka vuan populli, rihen, keqtrajtim, nuk punësohen, ikin të rinjtë, ajo është Marrëveshje e Ohrit? Ndërsa partitë politike tona flenë. Po, po duhet të ketë marrëveshje të re, le të mblidhen liderët politik dhe le ta vendosin atë njëherë e përgjithmonë e jo gjithmonë të kemi mosmarrëveshje. Përse?”.

“Unë nuk jam shumë pas politikës megjithatë vlerësoj se së pari duhet të zbatohet ajo, ndërsa marrëveshje e re nuk vlerësoj se nevojitet. Fillimisht ajo që është nënshkruar, të realizohet e më pas të shkohet në një variant tjetër nëse veç më duhet”.

“Duhet ngadalë sepse nevojitet kohë për gjithçka. Mendoj se duhet të zbatohet ajo që është nënshkruar. Çdo popull kërkon megjithatë ajo nuk mund të bëhet brenda natës, nevojitet kohë për gjithçka.”

“Marrëveshja e Ohrit ka qenë e mirë, ka pasur baza për avancimin e të drejtave të shqiptarëve edhe barazimin deri diku të shqiptarëve në Maqedoni. Sa më tepër që kalon koha, në vend që të avancohet çështja e shqiptareve ajo ngec edhe pse ngec fajtori duhet të kërkohet te ata që duhet ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit”.

“Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua por rezultat s’ka asgjë. Ajo po pret veç me forcë me sjell rezultat, me forcë nuk i përket njerëzisë dhe atëherë është kështu populli nuk e di kah udhëzon e ka udhëton po ka nevojë për marrëveshje të re por më tepër ka nevojë për me vendos si burrat po po, jo jo”.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar në asnjë pikëpamje, prandaj situata është shumë e vështirë. Ka shumë të papunë edhe pse thuhet se ka punësime prandaj edhe gjendja materiale e qytetarëve është e vështirë”.

“Fajtorë janë të dyja palët pasi Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej më herët… Po ashtu të zgjidheshin edhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Ky problem duhet të zgjidhet sa më shpejt që të ketë qetësi në Maqedoni”.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 duke i dhënë fund konfliktit të armatosur. Zbatimi i saj, edhe pse duhej të përfundoj për katër vjet, megjithatë vazhdon të zvarritet dhe të keqpërdoret nga politika.

Gjyltene Rexhallari

Maqedonia ka nevojë për Marrëveshjen e Ohrit

Në përvjetorin e 14-të të marrëveshjes së Ohrit gjithnjë e më tepër del nevoja për implementimin e plotë të këtij dokumenti, i cili ndaloi konfliktin luftarak të vitit 2001 në Maqedoni.

shkupiNga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit thonë se marrëveshja kornizë e Ohrit mbetet dokumenti i paqes që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit dhe tolerancës në Maqedoni. Sipas Sekretariatit, marrëveshja kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, feje apo grupi social.

Edhe në këtë përvjetor, në opinion ka dilema të mëdha se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj. Në përgjithësi vlerësimet e analistëve flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyllë çështjet për të cilat nuk kanë rënë dakord dy etnitë më të mëdha në vend- maqedonasit dhe shqiptarët.

Zyberi: Dokumenti i Ohrit u zbeh, duhet Marrëveshje e re

Një nga protagonistët e periudhës së arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Naser Zyberi thotë se kjo marrëveshje si e tillë, në distancën pas shumë vitesh e ka humbur peshën dhe rëndësinë e saj .

“Implementimi i saj u stërzvarit tejmase, u deformua fryma e dokumentit gjatë implementimit si në Kushtetutë po ashtu edhe në fakte relative”. Sipas Zyberit, në kohën kur është miratuar marrëveshja e Ohrit ajo ka qenë një akt shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit, por sot ky dokument është i zbehtë, i deformuar dhe si i tillë është i pamjaftueshëm për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Ai thotë se shtrohet nevoja për një marreveshje të re, më të nevojshme se marrëveshja e Ohrit.

Çdo shtet normal duhej të krenohet me këtë Marrëveshje

Profesori universitar, Lubomir Fërçkovski, i cili poashtu ka marë pjesë në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ky dokument është një rrëfim i sukseshëm për politikbërjen në Maqedoni. “Çdo shtet normal do të duhej të krenohet me marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa tek ne po ndodh e kundërta. Shumë politikanë, por edhe institucione turpërohen nga ky dokument. Kjo flet për ekzistimin e një politike të ulët në Maqedoni”, thotë Fërçkovski.

“Marrëveshja e Ohrit si dokument e ndërton dhe nuk e shpërbën shtetin, të drejtat etnike nuk i lidh me të drejtat territoriale me çka ruhet karakteri unitar i shtetit, njëherësh marrëveshja e Ohrit i rrit në masë të madhe të drejtat e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni” , vlerëson Fërçkovski.

A siguron barazi Marrëveshja e Ohrit ?

Analisti Nijazi Muhamedi thotë se marrëveshja e Ohrit përveç që nuk është realizuar, teoretikisht dhe politikisht e konsolidon shtetin kombëtar maqedonas dhe e bën këtë mbi baza të ideologjisë nacionaliste maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit nuk mbështetet në parimet e një marrëveshjeje të barabartë , karakteri unitar gjegjësisht ai kombëtar maqedonas i shtetit është i pashkelshëm. Është turp historik të thuhet se kjo marrëveshje i bën të barabartë shqiptarët me maqedonasit apo është një kompromis midis dy popujve”, vlerëson Muhamedi.

Maqedonia ka nevojë të identifikohet me strategji të re demokratike

Analisti politik Denko Malevski thotë se Maqedonia duhet të ketë shumë kujdes për balancimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë një instrument që do të ndihmonte në këtë balancim. Sa është arritur kjo nuk mund të thuhet saktë, thotë ai.

“Marrëveshja e Ohrit e vendosi demokracinë maqedonase në drejtim të ri . Nëse së shpejti realizohet një stil konsensual i ri në politikën maqedonase, i cili do të kujdesej për balansimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike, Maqedonia do mund të përparonte drejt konsolidimit demokratik”, thotë Malevski. Sipas tij Maqedonia ka nevojë për një lëvizje politike, e cila do ta largonte pa rezerva sistemin e vjetër dhe do të identifikohej me një strategji të re demokratike.

Partitë opozitare të pakënaqura me implementimin e Marrëveshjes

Partia opozitare shqiptare PDSH në përvjetorin e 14-të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ajo nuk i avancoi të drejtat e shqiptarëve, por përkundrazi është shndërruar në pengesë kryesore për realizimin e tyre.

“Për çdo ditë konstatohet një e vërtetë e madhe, fakti që deri tani marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar. Për çdo ditë del në pah nevoja imediate për një marrëveshje të re, me të cilën do të realizohen kërkesat për te drejtat e shqiptarëve për barazi të plotë në këtë shtet”, thuhet në reagimin e PDSH-së.

Edhe Partia për Lëvizjen e Turqve, PLT vlerëson se ende ekzistojnë probleme serioze në implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Sipas saj, partitë në pushtet për fat të keq ende nuk e kanë kuptuar vlerën e vërtetë dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

“14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit , statusi i etnisë turke në këtë vend nuk është për t’u lakmuar. Administrata shtetërore është partizuar dhe politizuar, në këto kushte statusi i turqve nuk mund të jetë i mirë”, thuhet në reagimin e PLT-së.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 nga liderët e katër partive me të mëdha në Maqedoni dhe presidentit të atëhershëm të vendit. Ndërsa si garantues të marrëveshjes nga bashkësia ndërkombëtare nënshkrimet e tyre i depozituan përfaqësuesi i BE-së, Francois Leotard dhe ai i SHBA, James Pardew. (dw)

Rusia ndalon importin e ushqimeve nga Shqipëria e vende të tjera

Sanksionet ruse ndaj mallrave ushqimore të katër vendeve të vogla evropiane janë përgjigjia ruse për mbështetjen nga këto vende të sansksioneve perëndimore kundër Rusisë.

MedjedevKatër vende të tjera janë shtuar në listën e vendeve, prej të cilave Rusia do të ndërpresë importin e shumicës së mallrave ushqimore. Ato janë Shqipëria, Mali i Zi, Lihtenshtajni dhe Islanda. Kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedjev e shpalli sot këtë hap në kuadër të përgjigjes ruse ndaj sanksioneve ekonomike perëndimore kundër Rusisë, për shkak të krizës së Ukrainës. Vendet që pasuruan sot listën e ndalim-importit të Rusisë janë të katra vende shumë të vogla. Po sidomos Shqipëria dhe Mali i Zi janë dalluar për një mbështetje të zëshme të sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Shqipëria ka marrë në këtë kuadër disa herë vlerësime nga partnerët perëndimorë, për respektimin e vijës së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Qendrimi i qartë properëndimor i Malit të Zi në mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë erdhi i papritur për disa vëzhgues. Po analistët e shpjeguan atë jo vetëm me interesa të përgjithshme gjeostrategjike të ish-Republikës së vogël jugosllave. Një anëtarësim në NATO ishte shpërblimi konkret që dukej se shpresonte Podgorica nga Organizata e Atlantikut Verior, sidomos në samitin e kaluar të NATO-s. Shpresa për momentin ka mbetur e parealizuar, por Mali i Zi po paguan një çmim të ndieshëm për politikën e tij antiruse.

Në një kohë që dëmi në ekonominë e Shqipërisë nga ndalimi i eksportimit të mallrave në Rusi mendohet i vogël, në Mal të Zi është shënuar edhe një rënie e numrit të turistëve nga Rusia. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi të hënën (10.08.) se kjo rënie e godet ekonominë e Malit e Zi, një e treta e turistëve të të cilit tradicionalisht janë nga Rusia. Çmimet e dhomave në hotele kanë rënë si pasojë e pakësimit të turistëve nga Rusia, zakonisht të gatshëm për të paguar çmimet më të larta ndër evropianët. Kremlini u ka bërë thirrje pushuesve rusë që t’i kalojnë më mirë në shtëpi pushimet.

Moska duket e vendosur për ta zbatuar me rreptësi embargon ruse ndaj mallrave ushqimore perëndimore. Presidenti Putin urdhëroi së fundi asgjësimin e mallrave ushqimore perëndimore, të futura kontrabandë në Rusi nga vende të treta, midis tyre nga Bjellorusia, dhe të konfiskuara në Rusi. Kryeministri rus Medvedjev informoi sot se vendi i tij do të ndalojë më 2016-ën gjithashtu importin e disa mallrave ushqimore nga Ukraina, nëse Marrëveshja Ekonomike midis Kievit dhe BE do të hyjë në fuqi. Në Rusi, qeveritarët rusë e shpjegojnë embargon ruse jo vetëm si shpagim ndaj sanksioneve perëndimore, por edhe si shans që ekonomia ruse të marrë impulse të brendshme zhvillimi. (dw)

 

Shënohet 14-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

marreveshja-e-ohritSekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO) sot do të shënojë 14-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet dokumenti paqësor që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit, tolerancës në vendin tonë. Në këtë përvjetor të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ky dokument na orienton më shumë se kurrë drejt perspektivës të shoqërisë tonë kah integrimi euro-atlantik”, thuhet në kumtesën e SIMO-s.

Sipas SIMO-s, në këtë kohë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni ynë për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, religjioni apo grupi social.

Konferenca për shënimin e 14-vjetorit të MO-së, me temë “Modeli i Pajtimit Evropian – Marrëveshja e Ohrit”, do të mbahet sot me fillim në ora 13:00. (alsat)

Veliaj: Basha la pas 30 milionë dollarë borxhe


veliajIsh-kryebashkiaku Basha ka lënë pas një borxh prej 30 milionë dollarësh. Kjo shumë është kryesisht në trajtën e faturave të papaguara, praktikisht 70 për qind e buxhetit faktik. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari Veliaj tha se paraardhësi i tij nuk ka likuiduar kompanitë e pastrimit apo projektet për investime publike.

“Borxhi aktual është 30 milionë dollarë fatura të prera dhe të papaguara. Sa 70% e buxhetit faktik. Pse kryetari i bashkisë si la një borxh prej 28 milionë euro? Një kompani pastrimi më tha që ne nuk e bëjmë mirë pastrimin por kemi 8 muaj që nuk kemi marrë paratë. Kam marrë overdraft për të paguar tatimet. Pastrimi, 4.5 milionë dollarë borxh. 23 milionë dollarë janë në projekte investime publike. Investimet kanë përfunduar por dorëzimi nuk është bërë pasi nuk janë paguar lekët”, tha Veliaj.

Mblidhet Këshilli Bashkiak 

Ashtu siç pritej, Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot rreth orës 11:30, në mbledhjen e tij të parë konstituimit të tij. Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, ftoi në bashkëpunim të gjithë këshilltarët, ndërsa më pas prezantoi pikat kryesore të rendit të ditës.

Në emër të opozitës, këshilltari Leonard Olli kërkoi shtyrjen e tri pikave të rendit të ditës, kërkesë që pas hedhjes në votë, u hodh poshtë.

Pika e parë e rendit të ditës ka qenë zëvendësimi i dy këshilltareve, Adelina Ibrahimi dhe Brunilda Paskali, të cilat janë emëruar respektivisht në postet e administratores së një prej njësive bashkiake dhe nënkryetares së bashkisë.

Dy këshilltaret Albrahimi dhe Paskali janë zëvendësuar nga Joleza Koka e PS-së dhe Dajana Kalgjoreviç e LSI-së.

Një nga vendimet e rëndësishme të mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak pritet të jetë miratimi i shpërndarjes së banesave sociale, një çështje e bllokuar prej 4 vitesh. Nga miratimi i këtij vendimi përfitojnë 242 familje, ndërsa në fazën e dytë do të shqyrtohet shpërndarja e banesave sociale për familjet rome dhe invalidët.

/ Shekulli Online / G.S.

“A jemi këtu në Gjermani?”

refugjatetPër shumë refugjatë rruga e legalizimit fillon në stacionin e Rosenheim-it. Çdo ditë policia kap aty njerëz, që kanë ikur nga lufta dhe dhuna. Kate Brady ishte në Rosenheim.

Ndërsa treni Eurocity hyn në stacion, rreth 20 policë veshin shpejt dorashkat e gomës. Është shumë vapë në këtë ditë vere në Bavari. Duket se si djersijnë nën uniformën dhe jelekun. Me sa duket puna në tren u është bërë rutinë e përditshme policëve.

Muajin e kaluar 6 400 refugjatë mbërritën në Rosenheim. Shumica e tyre vijnë nga Siria, Eritea dhe Sudani. Vetëm në dhjetë ditët e para të këtij muaji kanë ardhur rreth 2 900 refugjatë – më shumë dyfishi i gjithë vitit 2010.

“A jemi këtu në Gjermani?”

Policët hipin në tren. Duke kërkuar njerëzit, të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin austriako-gjerman, ata u kërkojnë pasagjerëve kartat e identitetit. Ato kërkojnë kudo, në çdo vagon, edhe në tualete.

“Pasaportat ju lutem”, thotë një polic i ri gjerman me edukatë në gjuhën angleze. Pasagjerët marrin me ngut çantat, por jo të gjithë kontrollohen. Shpejt bëhet e qartë se njerëzit nga Afrika, Lindja e Mesme dhe me pamje mesdhetare janë në krye të listës. Në mesin e tyre është një grup të rinjsh, që nuk kanë dokumenta. Jo të gjithë e kuptojnë se çfarë kërkon polici prej tyre. Më në fund njëri nga të rinjtë pyet: “A jemi në Gjermani?”.

“Po”, përgjigjet ky. Të rinjve mund t’ua dallosh lehtësimin në fytyrë. Edhe nëse ato duhet të largohen nga treni tani dhe e ardhmja e tyre është e pasigurt, duken se janë të lumtur që e kanë arritur qëllimin e tyre – qëllimin për të aplikuar për azil. Para se të rinjtë të largohen nga treni, një pasagjer u uron të paçin fat. Pastaj ato zbresin.

Kurrë nuk është vonë

Policët lëvizin – nga vagoni në vagon. Ato i shohin me shumë vemendje pasaportat e atyre, që kontrollojnë. Kryesisht janë burra dhe gra në moshë të re. Por është edhe një grup të moshuarish, të vendosur për të filluar një jetë të re në Evropë.

“Është e padrejtë”, i thotë një vajzë në tren shoqes së saj. “Por do të ishte shumë më keq për to, po t’i lije të vazhdojnë rrugën për në Mynih, pa ditur se ku mund të shkojnë”, i përgjigjet asaj një polic, që e ka dëgjuar. “Por mënyra nuk është në rregull”, përgjigjet ajo. Policët vazhdojnë kontrollin në tren, janë shumë të qetë dhe të sjellshëm.

Disa metra me tej policët gjejnë tre djem të rinj, që janë fshehur në banjo. Ndërmjet sedijve qëndron në këmbë një grua gjermane në mesin e të tridhjetave, e cila shtrëngon fort të birin dhe i përkëdhel kokën. Ajo nuk i përmban dot lotët.

“A mund t’ju ndihmoj?”, pyet gruan një polic. “Jo, jo,” thotë ajo, ndërsa i ikën zëri. “Ne i ndihmojmë këta njerëz”, e siguron ai. “Ne kujdesemi për to dhe pasi të jenë regjistruar, mund të shkojnë në Mynih për të bërë kërkesën për azil atje.”

Vetëm një numër

Kur treni del nga stacioni, jo më pak se 60 refugjatë gjenden në tokë në diellin përvëlues. Pak metra më larg rri ulur një grua e moshuar, që ndjek me sy kritik të gjitha veprimet duke ngrënë gjevrekun e saj.

Burrat dhe gratë presin me durim, derisa t’u vijë radha. Sepse secilit i lidhin në kyçin e dorës një shirit me një numër në të. Telefonat celularë, rripat dhe cigaret, policët i fusin fillimisht në qese transparente plastike, që mban të njëjtin numër si lidhësja në dorë.

“Duhej të largohesha shpejt”

Në rradhë qëndron edhe Charles, i cili ka ikur i vetëm nga Nigeria. “Kam lënë vendin tim, sepse ka aq shumë probleme atje”, thotë ai. 27-vjeçari ishte larguar fillimisht për në Libi. “Por atje ka luftë, kështu që duhej të ikja shpejt që andej. Dhe pastaj mora rrugën për në Lampeduzë”, thotë ai. Charles do të donte të punonte në Gjermani, në ndërtim, ose si murator. Më në fund i vjen radha dhe merr lidhësen në kyçin e dorës.

Një tjetër tren hyn. Por një polic u thotë kolegëve të tij se sot nuk do të kontrollojnë më trena.

Vapa vazhdon

Me numrin në kyçin e dorës njerëzit hipin në një furgon të madh të policisë, që i dërgon në një ish palestër.

Atje u japin për të ngrënë e për të pirë. Por skenat në sallë tregojnë se për të arratisurit nuk është e lehtë t’i shpëtojnë jetës, që donin ta linin pas. Dhjetra familje rrinë të shtrira në krevatë fushorë, duke u përpjekur të çlodhen nga strapacat e arratisë së gjatë. Shumë prej tyre mbajnë të veshur prej ditësh të njëjtat rroba në një temperaturë mbi 30 gradë. Ajri të zë frymën. Para se të mund të nisen për në Mynih, duhet t’u japin autoriteteve gjermane një fotografi pasaporte dhe gjurmët e gishtave. Ata kontrollohen edhe për sëmundje ngjitëse, si tuberkulozi, apo kolla e mirë.

“Te ne nuk ka liri”

Rosina 27-vjeçare është e ulur në një nga krevatët fushorë. Ajo ka ikur nga atdheu i saj Eritrea, duke shpresuar që të arrijë në Suedi. “Atje kam familje”, thotë ajo. Pastaj ajo merr frymë shkurt dhe thotë: “Pasi kryen studimet, nuk gjen punë. Te ne nuk ka as liri, ne nuk mund të themi atë, që mendojmë.”

Vajza e saj shtatëvjeçare është ende në Eritrea. Kur ajo flet për të, i qesh e gjithë fytyra. “Në qoftë se gjermanët e lejojnë, do ta marr këtu”, thotë Rosina. Arratisja do të kishte qenë shumë e rrezikshme për fëmijën. Rosina dhe burri i saj kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm nëpër Mesdhe. 550 njerëz kanë qenë në anije. Të gjithë kanë mbërritur shëndosh, thotë ajo.

Në fund shikon rrotull, sikur do të jetë e sigurt se nuk e dëgjon askush dhe thotë me zë të ulët: “Për sa kohë duhet të qëndroj akoma këtu.” Por, sa kohë duhet të qëndrojë ende, askush nuk mund të thotë me siguri.

Një barrierë: Gjuha

Sepse sa shpejt kryhet procesi i marrjes të të dhënave, varet edhe nga fakti se sa shpejt mund të gjesh një përkthyes. Shpesh është i nevojshëm dikush, që zotëron një dialekt të caktuar. “Kjo ndonjëherë mund të zgjatë me orë”, thotë Rainer Scharf, zëdhënës i policisë në Rosenheim. “Këtu vijnë kaq shumë njerëz.”

Sapo mbaron regjistrimi i refugjatëve, ato marrin një certifikatë, me të cilën mund të udhëtojnë për në Mynih. Ndërsa disa refugjatë tani largohen, trena të tjerë mbërrijnë në stacionin hekurudhor të Rosenheimit me burra, gra dhe fëmijë, gjithë shpresë për azil. Punonjësit e policisë në Rosenheim do të sjellin ndoshta edhe nesër autobuzë me njerëz në palestër. (dw)

Marrëveshja për sigurimet – TPL Plus vlen për Serbi dhe Maqedoni

tabla rk

Autoritetet në Prishtinë thonë se është krijuar një keqkuptim në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve të arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Prishtinës zyrtare, qytetarët e Kosovës të cilët kanë valid sigurimin TPL Plus, nuk kanë nevojë të paguajnë sigurim shtesë për të kaluar në territorin e Serbisë.

Sigurimi TPL Plus, të cilin qytetarët e Kosovës e kanë paguar për Maqedoni, tani do të vlejë edhe për territorin e Serbisë.

Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes, qytetarët nuk ngarkohen me pagesa shtesë, por lirohen nga pagesa prej 100 euro sa detyroheshin të paguanin në të kaluarën vetëm për një udhëtim brenda Serbisë.

“Në rastin e qytetarëve të Kosovës, atë të cilët posedojnë policën e sigurimeve që e kanë përdorur Maqedoni, atë do ta përdorin edhe gjatë kalimit në Serbi. E vetmja çështje që u takon qytetarëve është që t’ju drejtohen kompanive të sigurimeve ku e kanë marrë atë policë, dhe ta ndryshojnë formularin dhe ky shërbim është pa pagesë shtesë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja me Serbinë është reciproke.

Edhe Pacolli ka sqaruar se kjo marrëveshje nuk obligon qytetarët e Kosovës të paguajnë asgjë shtesë, me kusht që të kenë valid sigurimin TPL Plus.

“TPL Plus që ka qenë qe 10 vjet e mbulon edhe territorin e Serbisë. Këtë duhet ta kuptojnë edhe qytetarët, sepse ata më nuk kanë nevojë të paguajnë asgjë shtesë. Me këtë sigurim, ata mund të udhëtojnë sa herë të duan. Kurse, dihet që njerëzit të cilët kanë pasur nevojë vetëm të kalojnë në Serbi, qoftë edhe për një ditë, janë detyruar të paguajnë më shumë se 100 euro vetëm sigurim. Kjo tash është hequr”, ka theksuar Pacolli.

Ndërkaq si zbatim jo reciprok i marrëveshjes, konsiderohet çështja e tabelave të automjeteve. Mirëpo, në lidhje me këtë, ministrja për dialog, Edita Tahiri thotë se ato janë dy marrëveshje.

E para për lëvizjen e lirë ku bën pjesë edhe ajo për tabelat e automjeteve e arritur në vitin 2011 dhe kjo e fundit për sigurimet. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të detyrohen që për kalimin në territorin e Serbisë targat RKS t’i zëvendësojnë me ato ‘prova’, të Serbisë.

Sipas ministres Tahiri, kjo çështje do të diskutohet në një takim që delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit planifikojnë ta zhvillojnë në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në muajin shtator në Bruksel.

“Kemi kërkuar një takim në shtator në Bruksel për të diskutuar këto çështje. Ne në atë takim do të insistojmë në reciprocitet, që nënkupton se Serbia ose duhet t’i heq këto tabela ‘prova’ për automjetet e Kosovës, ose ne do ta zbatojmë të drejtën tonë si shtet për të aplikuar tabela ‘prova’ për automjetet nga Serbia”, ka thënë tutje Tahiri.

Në anën tjetër, Rrahim Pacolli inkurajon qeverinë e Kosovës që nga 1 shtatori, të zbatojë masa reciprociteti ndaj Serbisë në lidhje me tabelat e automjeteve.

Nëse nuk e heqin këtë masë deri më 1 shtator, i kam bërë dhe i bëj apel qeverisë së Kosovës që të aplikon masa reciproke edhe për automjetet që vijnë nga Serbia në Kosovë, në mënyrë që edhe ata të bartin targat ‘prova’ përderisa të qëndrojnë në Kosovë”, ka thënë Pacolli.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka prodhuar disa marrëveshje në funksion të normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar të enjten se së shpejti pritet të finalizohen edhe marrëveshjet për energjinë, kodin telefonik dhe ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. (rel)

 

Nesër 14 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshja që duhej të mbyllej në vitin 2004

marreveshja-e-ohritNesër  mbushen 14 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.

Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit me shumë vështirësi dhe me ndërmjetësimin e të dërguarve nga Uashingtoni dhe Brukseli arriti t’i japë fund një konflikti pesë mujor në fshatrat e Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore e ushtarake të Qeverisë së IRJM.

Kjo marrëveshje  e firmosur 10 vite më parë duhej të mbyllej në vitin 2004 dhe këtë e kishte deklaruar vetë lidieri i BDI-së dhe ish-shefi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti.

Partia e tij nga periudha e luftës e deri më sot ka udhëhequr me gjitha pushtetet, me përjashtim të periudhës 2006 – 2008.

Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje në praktikë përballet me shumë sfida. Partitë shqiptare akoma janë të pakënaqura për shkak të mospërmbushjes së saj.

Realizimi i plotë i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur në shumë institucione të vendit, sa i përket rritjes së përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, transmeton INA.

Probleme në realizimin e saj shkaktohen edhe në aspektin e zbatimit të saj praktik, përmes respektimit të ligjeve.

Ligji për gjuhët dhe flamurin, zyrtarizon pjesërisht si gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, duke mos përfshirë tërë territorin e vendit.

Gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët janë mbi 20 për qind, ndërsa akoma nuk behet implementimi i saj në institucione qendrore. Ligji për përdorimin e flamurit mundëson përdorimin e tij në komunat ku shqiptarët janë mbi 50 për qind, por me ndryshimet e fundit ligjore flamuri shqiptar është me përmasa tre herë më të vogla për dallim nga flamuri shtetëror maqedonas.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që u formua një vit pas konfliktit nga struktura ushtarake e UÇK-së vazhdimisht bazohet në këtë Marrëveshje, duke nënvizuar se janë bërë arritje të mëdha tek shqiptarët.

Por, kjo parti dhe kuadrot e saj rreth 10 vite në pushtet që nga konflikti kanë dështuar në realizimin e saj dhe se tani edhe ata shfaqen të pakënaqur.

Ndërsa, opozita shqiptare vazhdon të shprehë kritika ndaj kësaj marrëveshje, duke e vlerësuar si të parealizuar dhe të skaduar, pasi që nuk ka ndodhur zbatimi i saj i plotë tashmë 12 vite nga përfundimi i konfliktit.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon t’i japë një mbështetje të fortë marrëveshjes. Marrëveshja kornizë u arrit më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Ohër, të cilën e firmosën ish-presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, ish-lideri i VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Lubço Georgievski, kryetari i PPD-së Imer Imeri, kryetari i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski. Garantues dhe firmosës së marrëveshjes ishin edhe përfaqësuesit special të SHBA-ve dhe BE-së, Xhejms Perdju dhe Fransoa Leotar. (INA)

Çfarë thotë Skënder Krasniqi për djalin e tij të njohur si Komandant Malisheva

skender-krasniqiSkënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit – Komandant Malishevës gjithashtu ka shprehur shqetësime për skenaret dhe lajmet e lansuara për gjoja tentimit e vetëvrasjes së djalit të tij në burgun e Prilepit. Të afërm të Skënder Krasniqit kanë theksuar se lajmi është pritur me shqetësim të madh dhe se është kërkuar menjëherë ndërhyrja e avokatëve mbrojtës, por edhe faktorëve ndërkombëtarë.

Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit – Komandant Malisheva pas ngjarjeve të Kumanovës kishte deklaruar se djali i tij gjithnjë do të shkonte në Maqedoni në mbrojtje të shqiptarëve atje.

Megjithatë ai në një intervistë për Interaktiv kishte deklaruar se dyshon që kjo që ka ndodhur ka të bëjë me një tradhti nga ana e Ali Ahmetit dhe se luftëtarët atje kanë rënë në kurthin e tij.

“Ky është terror i shtetit. Është terror i Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Unë jam i bindur se Ali Ahmeti ka tradhtuar. Për maqedonasit të mos flas pasi ata gjithmonë kanë bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë që nga viti 2001 janë të rrezikuar dhe se që nga ky vit ata janë mashtruar vazhdimisht nga maqedonasit.

Skender Krasniqi është shprehur i bindur se djali i tij nuk bënë pjesë në grup terrorist.

“Le të merret drejtësia me ato çështje mirëpo djemtë nuk bëjnë pjesë në asnjë grup terrorist. Ky nuk është grup terrorist. Nëse do të ishin ata do të tmerronin popullatën. Do të kidnaponin njerëz për ta shpëtuar veten, po mendoj unë. Është e pakuptimtë të thuhet se ata kanë shkuar për para. Mua sot, që ndoshta s’i kam edhe 5 vjet jetë me më thënë a po shkon me vdek për 10 milionë nuk shkoj, e lere më ata”, ka përfunduar ai. (INA)