Rusi, edhe Shqipëria në listën e zezë të importeve perëndimore

produkte ushqimoreRusia ka bërë publike planet për të përfshirë edhe vende të reja në listën e atyre, prej nga ku është e ndaluar të importohen produkte ushqimore, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të Perëndimit të vendosura kundrejt Moskës për shkak të ndikimit të saj në krizën e Ukrainës.

Zëvendëskryeministri Arkady Dvorkovich nuk i përmendi emrat e shteteve që do të shtohen në listë. “Mendoj se vendimi pritet të merret në një periudhë tepër të afërt kohore”, cituan agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë zëvendësi i Medvedevit.

Agjencia e lajmeve “Interfax” tha se lista mund të zgjerohet me 7 shtete, ndërkohë që Rusia ndaloi importet e produkteve ushqimore nga shumica e vendeve të Perëndimit që prej gushtit të vitit të kaluar.

Ukraina, Mali i Zi, Shqipëria, Islanda, Lihtenshtajni, Gjeorgjia dhe Norvegjia janë vendosur në të njëjtën linjë me vendimin e fundit të BE-së për të zgjeruar sanksionet e unionit kundër Rusisë të paktën edhe për një tjetër vit, ndaj dhe ka shumë mundësi të jenë këto shtete, bën të ditur Bashkimi Europian në një deklaratë të fundit.

Prej këtyre shteteve, vetëm Norvegjia është pjesë e kundërsanksioneve ekzistuese ruse ndaj ushqimeve, ku përfshihen gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia si dhe Bashkimi Europian.

BE dhe fuqitë e tjera perëndimore vendosën sanksione kundër firmave dhe individëve rusë në kundërpërgjigje të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë prej Kievit në 2014-n.

Ndalimi i importeve të ushqimeve nga Rusia, që mbetet në fuqi deri më 5 gusht 2016, përfshin një gamë të gjerë importesh, ku mund të përmenden mishi, peshku, produktet e bulmetit, frutat dhe perimet.

Dvorkovich tha gjithashtu se, Rusia pritet të eksportojë rreth 25-27 milionë tonë drithëra përgjatë sezonit tregtar 2015-2016.

/ Top Channel

Samsung do të nxjerrë një model të ri telefoni

Samsung celularSiç duket, kompania koreano-jugore Samsung do të vazhdojë ta mbajë, së paku për të ardhmen e afërt, titullin e prodhuesit më të madh global të telefonave inteligjentë.

Samsungu do të nxjerrë së shpejti në treg një model të ri telefoni, në kategorinë ndërmjetëse mes tabletit dhe telefonit, pra me përmasa më të mëdha se telefonat tradicionalë.

Gjatë muajve të fundit kjo kompani shënoi rënie në konkurrencën me gjigandin amerikan Apple, pasi doli në treg telefoni iPhone 6 i Apple-it. Tani Samsungu do të nxjerrë një variant të ri të produktit të tij Galaxy Note me një eveniment special të enjten në Nju Jork.

Galaxy Note do të ketë një ekran shumë të madh, thuajse të ngjashëm me ekranin e tabletave elektronike, për përdoruesit që tashmë duan të shohin video-klipe në çdo moment dhe çdo vend ku ndodhen. Megjithë përmasat produkti premton të jetë një pajisje elegante dhe e sofistikuar si nga kapacitetet ashtu edhe nga pamja. (voa)

Grupi egjiptian merr përgjegjësinë për ekzekutimin e kroatit

isis kroatiNjë grup egjiptian që ka lidhje me Shtetin Islamik mori sot përgjegjësinë për ekzekutimin e një shtetasi kroat të rrëmbyer muajin e kaluar.

Organizata ekstremiste publikoi përmes një mesazhi elektronik një fotografi ku thotë se duket ekzekutimi me prerje koke.

Agjencia kroate e lajmeve HINA tha se nuk mund të konfirmonte nëse Tomislav Salopek, një 30-vjeçar i martuar, baba i dy fëmijëve, me punë në Egjipt, ishte ekzekutuar. Nëse konfirmohet, vrasja e tij dote shënonte rastin e parë të një pengu perëndimor të ekzekutuar nga grupi Provinca e Sinait, një organizatë që ka deklaruar besnikëri ndaj Shtetit Islamik.

Fotoja, e publikuar në llogarinë e kësaj organizate në Twitter, tregon kokën e një personi të shkëputur nga një trup pa jetë, një thikë të përgjakuar si dhe një flamur të Shtetit Islamik në sfond.

Mesazhi shoqërohej me diçiturën “ekzekutuar si rezultat i përfshirjes së vendit të tij në luftën kundër Shtetit Islamik, pas skadimit të afatit”. Organizata kishte kërkuar lirimin e grave myslimane nga burgjet egjiptiane, si kusht për lirimin e pengut kroat. (voa)

Mirësevini në normalitet, Google!

Google do të quhet Alphabet. Vetëm ndryshim emri, apo fshihet më shumë pas tij? Koncerni, që dominon jetën tonë digjitale, bëhet pak më normal. Më shumë jo, mendon Henrik Bëhme.

google alphabetTani merrni të gjithë frymë thellë. Jo se gjatë natës është krijuar një botë e re. Edhe pse u ndje një dridhje në këtë, uh internet, ndërsa evropiani normal ishte ende në gjumë. Ajo që ka ndodhur është diçka krejtësisht normale. Një kompani i jep vetes një strukturë të re. Një gjë e tillë i përket jetës së përditshme të çdo firme, qoftë e madhe apo e vogël.

Kush do të mbijetojë, duhet të jetë në gjendje të ndryshojë.

Po, keni të drejtë: google nuk është një firmë normale. Google është dera e hyrjes në rrjet, google na çon nga A në B dhe na tregon, kur kemi mbërritur. Na tregon se ku bëhet piza më e mirë aty pranë. Google mbledh edhe gjurmët digjitale të këmbëve tona dhe bën një profil prej tyre. Të na ofrojë në këtë mënyrë gjëra, që nuk dinim se donim t’i blinim. Google do ta çojë internetin në skajet më të largëta të botës, nga bamirësia e pastër për tjetrin kuptohet. Google do të ndërtojë makinën vetëlëvizëse dhe me buxhetin saj financiar për rastet emergjente mund të blinte fare mirë Volkswagen-in. Dhe Google ka blerë mjaft firma, që ndërtojnë produkte të së ardhmes: termostate, që mund të kyçen një rrjetin e shtëpisë. Apo ilaçe, që zgjasin jetën tonë, me qëllim që ne të mund të përdorim googlen më gjatë. Që google bleu dikur edhe youtube është harruar pothuajse.

Ka ardhur koha për të dalë nga garazhi

Por në këto 17 vitet e fundit, që kur ekziston, firma është një dyqan i madh me mallra të përziera. 66.000 të punësuar, 66 miliardë dollarë amerikanë të ardhura. E gjitha jo shumë transparente.

Gjë që nuk i pëlqen fort bursës, dhe me sa duket nuk është e mundur të kontrollohet më nga dy themeluesit dhe shefat, Larry Page dhe Sergey Bryn. Pra, të gjithë firmës i hiqet një herë pluhuri, me Alphabet krijohet një kompani holding, nën çatinë e së cilës mund të ndahen më mirë zonat. Në një zonë, ku fitohet paraja dhe në një zonë, ku ajo shpenzohet. Ky është thjeshtë një vendim komercial dhe nuk vjen krejt papritur. Sepse edhe një sipërmarrje si goggle duhet të jetë në gjendje për të ardhmen. Kush thotë se është e vetëkuptueshme që google ka për të ekzistuar edhe pas dhjetë vjetësh? Ndoshta ekziston tashmë në Silicon Valley ndonjë sart-up, për të cilin ne nuk dimë asgjë, por që ka algoritme shumë më të mira se google, apo ide krejt të ndryshme për ndërlidhshmërinë e botës.

Jo, nuk ka ndodhur me të vërtetë diçka dramatike këtë natë. Google duhej të reagonte, për shkak se kërkimi në internet ka kohë që nuk është më makina e madhe fitimprurëse. Biznesi me reklamat zvogëlohet, buxhetet e reklamave zhvendosen në aparaturat mobile. Dhe atje facebook është thjesht më prezent se google. Këtë nuk mund ta pranojnë Page, Bryn dhe të tjerët në Mountain View. Alphabet është një etapë e re. Google, jo më falni Alphabet, është tani një firmë normale, një firmë me ambicie shumë të veçanta. (dw)

 

Kosova, Serbia fillojnë zbatimin e marrëveshjes për sigurimin e automjeteve

vetura srQë nga mesnata në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka filluar zbatimi i marrëveshjes për njohjen e dokumenteve të sigurimit të automjeteve të të dyja vendeve. Kjo marrëveshje pritet të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilët deri më tani kanë janë detyruar të paguajnë sigurimet e makinave, çmimi i të cilave ishte nga 60 deri në 100 euro, për dy javë qëndrim.

Marrëveshja parasheh që automjetet të cilat janë të regjistruara në Kosovë  të kalojnë në territorin e Serbisë me dokumentin e sigurimit (TPL plus), i njëjti që përdoret edhe për të shkuar në Maqedoni, që mund të arrijë shumën deri në 60 euro për një vit, ndërsa automjetet me targa serbe mund të hyjnë në Kosovë me sigurimin që vlen për Serbinë.

Ndonëse kjo marrëveshje qe arritur që më 23 qershor, zbatimi i saj u shty për shkak të paqartësive lidhur me tabelat e regjistrimit.

Me marrëveshjen e re parashihet që automjetet me targa RKS duhet ti marrin targat e përkohshme në kalimet kufitare me Serbinë, me të cilat do të mund të udhëtojnë në atë vend.

Një problem tjetër mbeten targat e vjetra të ish Jugosllavisë, të cilat ende përdoren nga qytetarët serb në veriun e Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se targat e tilla janë të ndaluara në Kosovë dhe se të njëjtat mund të konfiskohen nëpër rrugët e Kosovës.

Marrëveshja për sigurimin e automjeteve ishte rrjedhojë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. (voa)

 

Kosovë: Opozita në Kushtetuese për Gjykatën Speciale

Opozita në Kosovë e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese lëndën, me të cilën do të provojnë ta rrëzojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kuvendi KTri partitë politike opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, të cilat ishin kundër themelimit të Gjykatës Speciale, iu drejtuan të martën më (11.08.) Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretim, nëse gjatë votimit në kuvend për Gjykatën Speciale ka pasur apo jo shkelje të Kushtetutës. Deputetët e këtyre subjekteve politike janë të bindur se në këtë rast është shkelur kushtetuta, sepse me 26 qershor i njëjti amendament, që mundësonte themelimin e Gjykatës Speciale nuk është votuar në parlamentin e Kosovës. Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që së bashku me dy kolege të saj opozitarë iu drejtuan Kushtetueses, thotë se qeveria është dashur të reflektonte dhe ta merrte për bazë vendimin e 26 qershorit të parlamentit të Kosovës, që nuk u votua amendamenti në kuvend.

“Qeveria është dashur të reflektonte dhe ta merrte për bazë vendimin e 26 qershorit. Ky amendament është dashtë të dërgohet në fillim në Gjykatën Kushtetuese. Ky amendament suspendon Kushtetutën e Kosovës. Kemi kërkuar që ky amendament të shfuqizohet. Presim që Kushtetuesja të marrë një vendim të duhur”, tha Albulena Haxhiu.

Amendamenti tashmë i njohur 24 ishte hedhur në votim me datën 26 qershor, por nuk kishte siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, sa janë të nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese. Pas kësaj me (03.08.) qeveria riprocedoi në Kuvend amendamentin, i cili edhe mori votat e mjaftueshme, 82 nga 120 deputetë, sa i ka kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës ndërkaq në po të njëjtën ditë dërgoi për miratim në kuvend dy ligjet, që mundësojnë funksionimin e Gjykatës Speciale, ligje këto të cilat edhe u miratuan. Mirëpo, që të jenë të plotfuqishme këto dy ligje, ato duhen dekretuar nga presidentja e Kosovës e Kosovës, Atifete Jahjaga. Arbër Vllahiu, Kkëshilltar i presidentes, i tha DW, se “dy ligjet e miratuara në kuvend, ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit dhe ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara akoma nuk kanë ardhur në zyrën e presidentes.”

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndonëse asaj akoma nuk i kanë arritur në zyrë ligjet nga kuvendi, nga dita e pranimit të ligjit nga kuvendi ka afat tetë ditë për ta nënshkruar, për të mos e nënshkruar, ose për ta kthyer mbrapsht në kuvend një ligj. Ndërsa paraprakisht kuvendi ka tetë ditë afat për ta dërguar në zyrën e presidentes një ligj, që është miratuar në kuvend.

Sidoqoftë tash për tash akoma është e paqartë, nëse Gjykata Kushtetuese do ta shpallë të pranueshme apo jo për shqyrtim lëndën e dërguar nga partitë opozitare lidhur me votimin në kuvend të datës (03.08.) për Gjykatën Speciale. Votimi i ndryshimeve kushtetuese në kuvend, që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale u përshëndet nga pothuaj të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendorë.

Gjykata Speciale për krime lufte do të gjykojë pretendimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj disa civilëve serbë gjatë luftës së fundit. Gjykata Speciale në përbërjen e saj do të ketë tërësisht gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtare, ndërsa selia e saj me gjasë do të jetë në Holandë, ndonëse akoma nuk ka konfirmim zyrtar. (dw)

Kosovë: Opozita i drejtohet Kushtetueses kundër Gjykatës së Posaçme

peshorja e drejtesisePërfaqësuesit e tri partive politike në opozitë kanë dërguar sot një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse amendamentet kushtetuese për themelimin e gjykatës së Posaçme janë në pajtim me Kushtetutën.

Përfaqësuesit e opozitës thanë se themelimi i kësaj gjykate paraqet edhe shkelje të sovranitetit të Kosovës.

Albulena Haxhiu nga lëvizja Vetëvendosje tha se parlamenti ka miratuar amendamentet kushtetuese pa i përfillur procedurat ligjore kushtetuese.

“Ky amendament është dashur që fillimisht të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për tu vlerësuar nëse i njëjti pakëson të drejtat e njeriut dhe për shkak të aspektit përmbajtës sepse i njëjti amendament e suspendon në tërësi kushtetutën e Kosovës sepse në fillim të këtij amendamenti thuhet se pavarësisht dispozitave të kësaj kushtetute. Pra nuk mund të thuhet që i njëjti amendament është në përputhje me kushtetutën për sa kohë vet fillimi i amendamentit tregon që ky amendament e suspendon kushtetutën e Kosovës. Krijon sistem paralel, pra cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe konkretisht bie ndesh me kapitujt një, dy, katër, pesë, shtatë dhe dymbëdhjetë”, tha zonja Haxhiu.

Kërkesa e partive opozitare, pason votimin e një jave më parë të parlamentit të Kosovës ku me 82 vota miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Me gjithë kundërshtimin e partive opozitare, miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për ngritjen e gjykatës së posaçme nga parlamenti i Kosovës, nga diplomacia euro perëndimore është vlerësuar si një hap me rëndësi për të ardhme e shtetit të ri.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Miratimi i gjykatës hap rrugën për fillimin e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Holandës ku pritet të jetë selia e gjykatës, e cila do të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës, por do të drejtohet në tërësi nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. (voa)

Demiraj: Flisni o politikanë tradhtarë të Maqedonisë, po ju rrihen dhe vriten djemtë!

dritan-demiraj“Te nderuar bashkekombas! Vellezer Shqiptare! Mbreme ne sheshin “Makedonia” ne Shkupin e trimave, kriminelet te drejtuar nga falangat shteterore sulmojne femije dhe gra te pafashem, deri ne demtime serioze fizike, aq dhunshem njelloj sic goditen njerezit nga Shteti Islamik ne Irak. 

Deri kur politikanet tradhetare te Shqiptareve te Maqedonise do te rrine pa folur, reaguar, pa kundershtuar dhe pa i kerkuar Gruevskit dhe Ministrit te Brendshem te denojne me seriozitet tifozet bandite te Vardarit. 

Vellezerit kjo lloj politike Maqedonase nuk po ben asgje tjeter por vecse po pershpejton me deshiren e Maqedonasve ate qe prej shume kohesh Perendimi po mundohet ta shmange.

Deri kur do te vazhdojme te behemi viktima te nje shteti qe nuk ka as integritetin me te Vogel per tu quajtur i tille. 

Nese kjo politike shoviniste antishqiptare do te vazhdoje, Fyromasit shume shpejt do te vulosin me deshiren e tyre fundin e bashke ekzistences me Shqiptaret”, – shkruan koloneli i famshëm Dritan Demiraj nga Shqipëria. (ina)

Dëmshpërblime qesharake për shqiptarët e torturuar nga Serbia

torturaGjykata Themelore në Beograd ka marrë një vendim me të cilin e detyron Serbinë të dëmshpërblejë me para gjashtë shqiptarë nga Drenasi të cilët gjatë vitit 1999 u torturuan nga MUP-i serb.

Mediet kosovare raportojnë se dëmshpërblimet për Behram Sahitin, Elmira Musliun, Enver Balecijun, Faton Halilin (13) dhe Sadik Limanin së bashku me nipin e tij Agimin, do të jenë nga 1041 deri në 3080 euro.

Sipas Qendrës për Ligj Humanitar në Serbi (FHP), viktimat ishin marrë nga pjesëtarë të MUP-it serb dhe ishin dërguar në një burg në Lipjan e pastaj në Zabel të Pozharevacit. Që nga momenti i arrestimit ata ishin të ekspozuar ndaj torturave dhe abuzimeve ditore.

“Për shkak të torturave dhe trajtimit joadekuat, që të gjashtë viktimat sot vuajnë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike”, thuhet në deklaratën e FHP-së, e cila në vitin 2010 në emër të viktimave kishte ngritur një aktakuzë kundër Serbisë, duke kërkuar dëmshpërblim prej 3330 dhe 4100 eurosh për vuajtje psikologjike si pasojë e përkeqësimit të aktiviteteve jetësore nga tortura dhe arrestimi i pabazë.

FHP-ia vlerëson se vendimi i Gjykatës ka bazë, për shkak të shkeljeve themelore të të drejtave të njeriut, por nuk e ka justifikuar dëmshpërblimin e vogël ndaj të dëmtuarve, duke shtuar se mënyra e gjykimit tregoi qëllimin për minimizimin e marrjes së përgjegjësisë për torturat e ushtruara nga Serbia ndaj shqiptarëve në masë te gjerë në vitin 1999. (shekulli)

“Le Monde” në admirim për Ismail Kadarenë

kadareE përditshmja më e madhe franceze “Le Monde” i ka kushtuar kësaj vere një faqe të madhe ekskluzive shkrimtarit më të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare. Nën penën e Florence Noiville Hirsch (bashkëshorte e një ish-ministri të Sarkozisë), artikulli i “Le Monde” i bën një analizë me superlativa romanit më të fundit të Kadaresë, “Kukulla”. Përkthyer në frëngjisht nga Tedi Papavrami dhe botuar nga e famshmja shtëpi botuese “Fayard”, besnike e veprës së Kadaresë, “Kukulla” (“La Poupée”) ka dalë në libraritë franceze në prill të këtij viti. Pak ditë pas daljes në botim, vdiq dhe ai qe e bëri të njohur Kadarenë në Francë dhe ndoshta në mbarë botën, Klod Durand, ish-drejtuesi historik i shtëpisë botuese “Fayard” dhe autoriteti më i njohur në sferën e botuesve francezë.

Kadare dhe Durand ishin miq të vërtetë dhe që respektoheshin shumë. Ikja e Klod Durand në moshën 76-vjeçare fill në momentin kur sapo Fayard nxirrte në botim librin më të fundit të Kadaresë, është si një “shkelje syri” miqësore e “Papës” së botuesve francezë ndaj gjigandit të letrave shqipe, kandidat periodik për çmim “Nobel”. Nuk është e pamundur që një personazh të tillë me një rol të veçantë në itinerarin fantastik të veprës së Kadaresë, ta gjejmë një ditë të mishëruar në ndonjë nga librat e Kadaresë. Pasi pas “Kukullës”, Ismail Kadare, i cili feston 80-vjetorin e lindjes vitin e ardhshëm, me siguri që do të vazhdojë të na mrekullojë me krijimtarineëe tij homerike. Lexuesit në mbarë botën, e veçanrëisht ata francezë, e duan Kadarenë. Dhe Kadareja i duhet shqiptarëve.

Sot më shumë se kurrë. Në kulmin e globalizimit dhe të informacionit pa kufij, Kadareja është për shqiptarët si ai fari që tërheq vëmendjen ndaj një porti të humbur në skajin e një gadishulli famëkeq për luftëra e ndasi. Kadare është aset i shqiptarëve. Ashtu si Felini simbolizon Italinë nëpërmjet kinematografisë apo Xhokoviç Serbinë nëpërmjet sportit. Ndërsa shqiptarët që patën alfabetin e tyre dhe shkollat e para të tyre më vonë se të tjerët, marketohen pikërisht nga një gjeni letrar. A ka metaforë më të bukur, të mishëruar për më tepër nga vetë mjeshtri i metaforave? Nga një e keqe lind modemos një e mirë thonë legjendat popullore.

Obskurantizmi otoman do të ishtë njëkohësisht dhe shtysa që i dha forcë e flatra Kadaresë për të treguar me artin e tij të paarritshëm se ky popull meriton shumë më tepër. Populli shqiptar rikthehet në djepin e civilizimit europian me dy handikapet më të rënda në krahasim me popujt e tjerë: pesë shekuj robëri anadollake dhe pesë dekada diktaturë izolacioniste. Një vonesë të tillë astronomike nuk mund të arrish ta kompensosh vetëm me punë e reforma. Na duhen gjeni të kalibrit botëror, na duhen personalitete të jashtëzakonshme që të vazhdojnë të mirëmbajnë në sytë e botës mitin se shqiptarët janë popull të kulturës dhe zakoneve europiane, për t’u dhënë kështu kohë bashkëkombasve të tjerë të punojnë për ta kthyer mitin në realitet. Kadare është ky personazh me dimensione përtej normales.

Kadare është pararoja jonë, rrufepritësja jonë kur bëhemi pre e klisheve, sa të panumërta, aq të padrejta, që qarkullojnë mbi shqiptarët. Ai është i vetmi nga “ne” që mund të matet me “ata”. Me europianet me “rrënjë” që kanë mbrapa mbi 500 vjet shtypshkronja e botime enciklopedish, kur ne kemi 500 vjet bashkëjetesë me anti-europianë e përpjekje për mbijetesë. Pse e patëm këtë fat të zi? Kjo nuk është më çështja. Sot kemi fatin të gëzojmë figura si Kadareja dhe çështja është se, a jemi vërtetë të ndërgjegjshëm për këtë mrekulli? Më 2016-n, diamanti ynë kombëtar mbush 80 vjeç.

Le ta shpallim atë vit të Kadaresë, vit të kulturës shqiptare, ashtu siç qe 2012, 100-vjetori i shtetit shqiptar. Suedezët dhe norvegjezët kanë çmimin “Nobel”, gjermanët kanë institutet “Gëte”, italianët kanë institutet (societa) “Dante Aligheri”, Franca ka “Aleancat franceze”. Le të inaugurojmë më 2016-n institutet “Kadare” të gjuhës e kulturës shqipe kudo ku kemi përqëndrime të bashkëkombasve tanë në Europë e SHBA. Një investim i papërfillshëm përballë suksesit që thithim si komb nga fama e Kadaresë, por dhe një përfitim real, sepse me anë të këtyre qendrave kulturore, të huajt dhe fëmijët e diasporës shqiptare do të mbruheshin me gjuhen dhe kulturën tonë dhe do të krenoheshin, duke thënë: Kam frekuentuar institutin “Kadare” të Berlinit, të Romës, të Parisit apo të Nju-Jorkut…

Nuk mund të bëhemi europianë pa adoptuar reflekset e europianëve : kultura mbi të gjitha… Artikulli i mëposhtëm i “Le Monde” është një tjetër dëshmi sesi simpatia për veprën e Kadaresë transformohet natyrshëm në simpati për Shqipërinë e shqiptarët dhe ndikon pozitivisht mbi imazhin tonë. Është dëshmi sesi Kadare sapo nxjerr një libër të ri, analizohet, vëzhgohet, zbërthehet, si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës së sotme. Pak ose askush shqiptar tjetër, përveç Kadaresë, s’mund të mobilizojë një faqë të tërë te “Le Monde”. Çfarë reklame e shkëlqyer, falas dhe “chic” në një gazetë prestigjoze! Mirënjohje Maestro!

“Ismail Kadare në tokë amësore”

Nga Florence Noiville,

“Le Monde”

Jemi në “trekëndeshin e origjinës”: nëna (ose babai), shtëpia, qyteti (ose fshati). Një ditë, medoemos, të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë hyrë në këtë trekëndësh. Mund të bënim dhe një lojë gjëagjëzash me të. Një prind, një shtëpi, një vend: gjeni autorin që fshihet prapa këtij kombinimi. Një at me fustan të bardhë si një fantazëm, në një kështjellë mesjetare, në Komburg? Pena e Shatobrijanit. Një nënë, e butë dhe që të ngushëllon, në shtëpinë e hallës Leonia, në Kombrej? Është Prusti sigurisht. Por nëse ju thonë: një nënë “joreale”, si të ishte një kukull; në një shtëpi tepër të madhe me çati me rasa, “me të cilën çdo pjestar i familjes duket sikur ka bërë një pakt”; një qytet po ashtu, i cili nën perandorinë bizantine njihej me emrin Argiropolis, ose “qyteti i argjendë” dhe që sot thirret me emrin Gjirokastër?

Prapë s’po e gjeni autorin? Ja një shenjë që t’ju ndihmojë. E regjistruar në thesarin kulturor të Unesko-s, Gjirokastra ka qenë nën sundimin e otomanëve. Është qyteti “më i pjerrët në botë”. “Çatia e një shtëpie prek nganjëherë themelet e një tjetrë”. “Po të biesh në një rrugë, rrëshqet dhe përfundon mbi një çati”. “Duke ecur mund të varësh kapelen tek maja e një minareje”. Doni prapë një shenjë? E përshkruar në librin “Kronikë në gur” (botimi në frëngjisht tek “Hachette” më 1973), Gjirokastra është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha, ajo ndodhet 200 km nga Tirana, në jugun malor të vendit… Kësaj here e gjetët me siguri se për kë bëhet fjalë.

Për më tepër që nuk njohim në Francë shumë shkrimtarë me origjinë shqiptare. Është Ismail Kadare, autori i “Kukullës” , ky tregim i shkurtër dhe magjepsës, ku ai flet për rininë e tij. Aty ai jep në sfond momentet kryesore të biografisë së tij – lindja më 1936, vendosja e komunizmit kur s’ishte as 9 vjeç, fëmijë “i obseduar nga ideja për të zhbiruar kuptimin e fjalëve”, poet që nxjerr në moshën 12-vjeçare vargjet e tij të para, fakulteti i Tiranës dhe më pas Instituti “Gorki” në Moskë, ku dërgohen të rinjtë e kalibrit të tij, ata që bëjnë pjesë tek “trupa e elitës së realizmit socialist”.

Ai përfiton për të dhënë aty po ashtu disa data kyçe të historisë së Shqipërisë, si për shembull vitin 1960, prishja me Bashkimin Sovjetik për t’u afruar me Kinën – një prishje e treguar me detaje në librin “Dimri i vetmisë së madhe” (botimi “Fayard”, 1978). “Ishte surealiste të shihje një vend komunist të linte “familjen” për të qëndruar zyrtarisht stalinist! Ishte komunizmi kundra komunizmit”. Por asgjë nga këto nuk përbën këtu themeloren.

Këndvështrimi i zgjedhur është pikërisht trekëndëshi magjik nënë- shtëpi-qytet, mbi të cilin mbahet e gjithë ngrehina e kujtimeve. Jemi larg “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” (Fayard) që e bëri të suksesshëm në vitet 1960, ose më vonë “Mosmarrëveshja” (Fayard 2013), eseja e tij mbi Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën. “Kukulla”, tregim i shkurtër, është intim, i prerë , eliptik. Dominon aty personazhi i paharrueshëm i nënës. Dobësitë, komplekset, misteret e saj të padepërtueshme dhe krejtësisht marramendëse. Nëna, “kukulla”. Me këtë fjalë thirrej ajo në familjen Kadare. Fytyra e saj e pudrosur kishte pamjen e një maske.

“Ajo dukej si e bërë me laps kopjativ që s’mund t’i fshihej kurrë nga fytyra”. Si ta përshkruash këtë “irrealitet të një filmi vizatimor”? Si ta bësh të ndjehet një prani pikërisht e lidhur me “një mungesë pranie”? Nën penën e prerë dhe pa zbukurime, ndjehet trishtimi i pafund i fëmijës së mplakur që nuk arriti kurrë t’i afrohet këtij prindi të pakapshëm. Deri në arkivolin e saj “e veshur e tëra në të bardhë, me faqe të ngjyera me të kuqe“, nëna ruajti atë “pamje gravurash”. Ashtu si “një kukull e vërtetë në kutinë e saj”. Spikatëse janë tabllotë psiqike. Nëna gjithmonë në atë botën e saj, fëminore, por pa moshë, që vuan nga fakti se nuk është “aq e zgjuar”.

Ndërsa ai, shkrimtari i ri mburravec dhe me bujë që e kqyr nënën e tij thuajse si një objekt studimi. Rrugët e tyre që marrin drejtime të kundërta. Frika e nënës për të mos qenë në lartësinë e duhur, frika se mos e mohojnë një ditë, frika se mos djali i saj “zgjedh një nënë tjetër, më të zgjuar”. Tmerri i të birit se çfarëdo që të bëjë ai, hendeku përsëri do të mbetet. Frustrimi i të dyve për hasjen në një pengesë, por të kujt lloji? Si shumë shqiptarë të gjeneratës së tij, Kadare lexon dhe flet rusisht. Ai vë re se në rusisht nënës i thuhet “mat”, ndërsa “tma” përkthehet “errësirë”.

Që për të do të thotë se sido që të jetë rendi i gërmave, nëna dhe nata do të jenë “gjithmonë të padeshifrueshme”, siç shkruan ai. Dhe në fund fare, kur njëra gëlltit tjetrën – dhe kur shtëpia në Gjirokastër bëhet shkrumb nga zjarri – mbetet ndjenja e fajësisë për gjërat që nuk janë thënë hapur. Ose që nuk janë dëgjuar mirë? Ose që nuk kanë qenë të dëgjueshme? Mbetet gjithashtu ideja tërheqëse se mund të ushqehesh dhe nga mungesa e diçkaje.

“Së paku në këto çaste do të doja të të siguroja dhe një herë se keqkuptimi midis nesh, jo vetëm që s’më kishte penguar në asgjë, por kishte qenë ndoshta më i duhuri se gjithë kuptimet. Sepse siç kisha dashur të ta shpjegoja kaq herë çështjen e dhuntisë, ajo mund të shfaqej pikërisht si e kundërta e vetvetes, një diçka e mangët në vend të reprize”. Duke e falenderuar kështu këtë grua që i dhuroi atë dhunti që ajo nuk e zotëronte, Kadare arrin kështu t’i kthejë këto kujtime në një reflektim prekës mbi dhurimin dhe faljen. (Genc Burimi / Shekulli)