Maqedonia vijon të mbetet jashtë NATO-s

Autoritetet e Shkupit  nuk e humbin optimizmin për anëtarësimin e vendit në NATO, megjithëse akoma nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për problemin që me vite po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të veriut.

Pasi uroi zyrtarët e Malit të Zi për ftesën e marrë për anëtarësim, ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, tha se Maqedonia ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e NATO-s që në vitin 2008, por vijon të mbetet jashtë aleancës për shkak të problemit pazgjidhur me Greqinë rreth emrit kushtetues.

“Ne do të vazhdojmë rrugën tonë për anëtarësimin e plotë në NATO. Parlamenti dje solli vendim për dërgimin e një kontingjenti të ri në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s, që dëshmon se jemi tërësisht të përkushtuar në këtë proces. Jam i sigurt se ftesa e NATO-s për Maqedoninë do të vijë së shpejti sepse ne po punojmë intensivisht për këtë”, u shpreh Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

Por, përveç zgjidhjes së problemit të emrit, NATO kërkon nga Maqedonia edhe përmbushjen e Marrëveshjes së 2 Qershorit për normalizimin e situatës në vend dhe organizimin e zgjedhjeve demokratike.

Po ashtu, Aleanca e Atlantikut të veriut pret që Shkupi, të vazhdojë përpjekjet për krijimin e një shoqërie funksionale multientike bazuar në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

/ Top Channel

Ymeri: Të anulohen marrëveshjet, s’ka zgjidhje të ndërmjetme

Visar Ymeri“Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme, përveç anulimit të marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi, për ta kthyer normalitetin në institucione”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë Opozita nuk po heq dore nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Çfarë synoni të arrini me këso veprimesh?

Visar Ymeri: Kjo është pjesë e protestës sonë e cila është e drejtuar kundër marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në Bruksel, me 25 gusht dhe po ashtu, kundër asaj të nënshkruar me Malin e Zi për caktimin vijës kufitare, për demarkacionin. Ne konsiderojmë se këto dy marrëveshje janë jashtëzakonisht të dëmshme Republikën e Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për territorin e saj.

Pra, edhe cungojnë si territor, edhe e shkurtojnë dhe e pamundësojnë si republikë. Si të tilla, ato marrëveshje janë të papranueshme. Ky nuk është vetëm qëndrim i opozitës së bashkuar, edhe pse opozita e bashkuar ka qenë bartëse e këtij kundërshtimi.

Por, është qartazi edhe qëndrim i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili është shprehur dhe materializuar në forma të ndryshme: përmes peticionit të nënshkruar më herët nga 205 mijë qytetarë , të cilët i kanë kundërshtuar këto marrëveshje; përmes manifestimit që e patëm me 28 nëntor, këtu në sheshin e Prishtinës, “Zahir Pajaziti”, ku u pa një masë e madhe e njerëzve – mbi 35 mijë njerëz ishin aty të pranishëm- dhe po ashtu edhe përmes sondazheve të ndryshme , të cilat për do ditë e më shumë, po tregojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë kategorikisht kundër këtyre marrëveshjeve.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, gazi lotsjellës po konsiderohet si armë. A është kjo shkelje e ligjit?

Visar Ymeri: Këto bombolat ose kapsollat e gazit lotsjellës që i kemi përdorur ne, nuk janë armë. Kjo, mendoj se është një shkarje që po e bën qëllimisht pushteti, përmes institucioneve që i ka kapur, pra, përmes prokurorisë dhe policisë. Në konsiderojmë se kjo ka qenë një metodë e protestës, e cila ka qenë e domosdoshme duke e pasur parasysh qëndrimin arrogant dhe shpërfillës të këtij pushteti karshi interesit të Republikës dhe qytetarëve. Pra, ne kemi thënë që nuk mund të ketë normalitet institucional, as në Kuvend apo në të tjera, për sa kohë që këto marrëveshje e e abnormalizojnë ose rrezikojnë ta abnormalizojnë Republikën.

Dhe, si deputetë të Republikës së Kosovës, ne e kemi për obligim dhe detyrë dhe detyrë që ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, gjë që po e bëjmë tash me këto metoda. Jam i vetëdijshëm që metodat nuk janë konvencionale, veçanërisht gazi lotsjellës apo ndezja e bombolave të gazit lotsjellës në Kuvend, mirëpo, duhet ta kemi parasysh që qeveria ka sjellë një gjendje të një jashtëzakonshmërie të madhe në Republikën e Kosovës me vendimet dhe marrëveshjet e saj dhe si e tillë, natyrisht që ne i jemi përgjigjur kësaj gjendjeje me metodat, të cilat i kemi pasur në dispozicion.

Pushteti është ai, i cili përmes policisë – ku e ka instrumentalizuar këtë polici, përmes kapjes që i ka bërë përmes komandantëve të saj- dhe po ashtu përmes instrumentalizimit të gjyqësisë, përmes disa prokurorëve dhe gjykatësve, është ai që vazhdimisht dhe pafundësisht po e përndjekë opozitën. Po i përndjek deputetët e opozitës, po i përndjekë subjektet opozitare, duke filluar nga arrestimi i deputetëve, suspendimi i djeshëm i të gjithë deputetëve të opozitës nga seancat e Kuvendit, e deri te intervenimi, jashtëzakonisht brutal i së shtunës, në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast, pa kurrfarë urdhri, jo vetëm se u arrestuan mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe Albin Kurtin, por edhe u demoluan dhe u bastisën zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Është e paprecedent në botën demokratike, që pushteti përmes policisë bën kësi lloj demolomi të zyrave të një subjekti opozitar, në këtë rast të subjektit më të madh opozitar që është lëvizja Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, ju tashmë e përmendët. Si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, është suspendimi ditor i pjesëmarrjes së opozitës në seanca. Çfarë do të veproni më tutje?

Visar Ymeri: Natyrisht që ne nuk e pranojmë këtë suspendim. Ne konsiderojmë që moslejimi i pjesëmarrjes tonë në seancat e Kuvendit është shkelje flagrante edhe e parimeve bazë të demokracisë, por edhe e frymës së Kushtetutës dhe rregulloreve të punës së Kuvendit. Sepse, në një vend, i cili ka sistem shumëpartiak dhe i cili pretendon të jetë vend demokratik, nuk mund të bëhet i tillë nëse pushteti në mënyrë arbitrare merr vendim që ta përjashtoj opozitën nga punët e institucioneve.

Tek e fundit, ne jemi deputetë aty për shkak se na kanë votuar qytetarët dhe natyrisht që unë nuk i përfilli urdhrat e Kadri Veselit (kryetar i Kuvendit të Kosovës) dhe të tjerëve për rreth tij.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, ju keni paralajmëruar protestë tjetër. A keni frikë se mund të përshkallëzojë situata edhe më shumë?

Visar Ymeri: Protestat tona janë protesta, të cilat kanë kërkesa të qarta. Kërkesat e këtyre protestave që po i bëjmë bashkë me subjektet opozitare -me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me Nismën për Kosovën – i kanë dy kërkesa jashtëzakonisht të qarta, të cilat mendoj dhe ne në fund të fundit edhe jemi të bindur- dhe çdo herë e më shumë po ka edhe qytetarë që po binden për këtë – që janë kërkesa që janë në mbrojtje të Republikës.

Pra, krejt ky angazhim i yni politik e ka një qëllim të vetëm politik, që ta shpëtojmë Republikën nga kthetrat, në njërën anë, të Serbisë përmes “Zajednicës” (Asociacioni i komunave me shumicë serbe) dhe në anën tjetër, të Malit të Zi, përmes faljes ose shitjes së territoreve që është bërë atje. Por, veçanërisht ta shpëtojmë këtë Republikë nga keqpërdorimi që po ia bën qeveria.

Pra, që prej momentit kur kjo qeveri e ka vendosur tërë arsenalin e vet – në fakt, tërë arsenalin institucional të Kosovës – në përdorim të vetin, kemi një qeveri, e cila më nuk mund të konsiderohet as e Republikës, as e atdheut e as e qytetarëve, sepse është shndërruar në një qeveri policësh. Kjo qeveri policore, dje e pamë që edhe Kuvendin e shndërroi në Kuvend policësh. Jo vetëm në seancat e kaluara, por veçanërisht dje (të shtunën) , numri i policëve që kanë qenë në ndërtesën dhe në sallën e seancave plenare, ka qenë pakrahasueshëm më i madh se sa deputetët bashkë me stafin e Kuvendit.

Në këtë drejtim, konsiderojmë që kjo nuk është rruga përpara për Republikën dhe kjo, natyrisht që është shkelje flagrante e sovranitetit që buron nga qytetari dhe në anën tjetër, i parimit bazë të demokracisë. Protestat tona i kanë kërkesat e qarta, mirëpo përshkallëzimi i situatës mund të vije vetëm nëse qeveria insiston në një gjë të tillë.

Qeveria deri më tash, e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, në bashkëpunim me Kadri Veselin, ish shefin e SHIK-ut (Shërbimi Informativ i Kosovës), deri më tash kanë treguar që në fakt, këta janë të gatshëm që ta keqpërdorin pafundësisht këtë republikë, për interesa të veta personale. Mirëpo, duhet ta kenë parasysh që sa më shumë që qeveria bëhet polici, aq më tepër populli do të bëhet vullnet për liri.

Radio Evropa e Lirë: Nga njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, ka pasur mendime se po përplasen dy të drejta: e drejta e opozitës që të reagojë ose kundërshtojë dhe e drejta e pushtetit që t’i mbrojë institucionet. A është mënyrë e arsyeshme që institucionet të sulmohen me gurë dhe a i keni paraprirë kësaj?

Visar Ymeri: Në fakt, duhet ta keni parasysh që institucioni nuk është godina. Duhet ta bëjmë një ndarje në mes të institucionit dhe godinës ku gjendet ai institucion. Institucioni është një rregullim i caktuar shoqëror, i cili i ka rregullat e veta dhe i cili i ka pastaj edhe asetet e veta, përfshirë ato fizike, në të cilat ndodhen institucionet.

Në këtë drejtim, mendoj se lufta më e madhe dhe sulmi më i madh që u bëhet sot institucioneve të Republikës së Kosovës bëhet nga vet kjo treshe qeverisëse, për shkak të kapjes dhe keqpërdorimit që e bëjnë ata. Natyrisht që pastaj në protesta nganjëherë ka edhe reagim të qytetarëve karshi sjelljeve të policisë. Në këtë drejtim, mendoj që kjo është pjesë e protestës, e cila natyrisht që nuk vlerësohet, mirëpo as nuk mund të demonizohet ashtu siç po e bën pushteti.

Edhe një herë po e them që dëmin që ia sjellin marrëveshjet Republikës së Kosovës, janë pakrahasueshëm më të mëdha se sa çfarëdo xham i thyer apo se sa çfarëdo makinë e demoluar në Republikën e Kosovës, po flas për pronën e qeverisë apo pronën publike. Kështu që, në këtë drejtim konsideroj që është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të heqë dorë nga kjo kokëfortësi, të heq dorë nga shndërrim i vetes në vegël të “Zajednicës” dhe të reflektojë për të mirën e Republikës dhe ti anulojë këto marrëveshje.

Ç’farëdo vonese e qeverisë në këtë drejtim, vetëm sa do ta përkeqësojë situatën në Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër vetëm sa do ta përkeqësojë Republikën e Kosovës si të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, a mund të konsiderohet si kokëfortësi ose këmbëngulje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pasur parasysh që kryeministri Isa Mustafa ka shprehur gatishmëri për rishqyrtim të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë është në Gjykatën Kushtetuese.

A e shihni këtë si mundësi për tu ulur dhe diskutuar me partitë në pushtet?

Visar Ymeri: Partitë në pushtet – veçanërisht Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi – ia kanë demoluar zyrat Lëvizjes Vetëvendosje, të shtunën. Pra, këta janë ata, të cilët kanë dërguar policë të armatosur, njësitin luftarak të policisë, i cili përdoret në raste shumë të rralla. Edhe përshkrimin e punës e ka jashtëzakonisht të saktë, është njësit elitar i policisë, i cili përdoret në raste të luftës kundër terrorizmit apo eliminimit të elementeve terroriste brenda një situate. Dhe këtë e kanë sjellë në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, forcës më të madhe opozitare në Kosovë.

A po e shihni se ky pushtet nuk është i interesuar për dialog? Ky është pushtet, i cili po do që me dhunë ta zbatojë “Zajednicën”. Në anën tjetër, nuk mund të ketë kurrfarë dialogu, për sa kohë që pushteti vendoset njëqind për qind në funksion të interesave të Serbisë. Pra, këtu nuk e kemi situatën, siç është thënë shpesh, një situatë ku do të luftonte pushteti me opozitën. Këtu e kemi një situatë shumë tjetër.

Opozita e bashkuar është në kundërshtim të lejimit të ndërhyrjeve politike dhe institucionale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që pushteti – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi – janë vendosur në funksion të kësaj ndërhyrje të Serbisë. Kjo i bie që ata e kanë tradhtuar, në njëfarë mënyre, interesin e Republikës së Kosovës dhe janë vendosur në shërbim të Vuçiqit dhe Daçiqit (kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë).

Si i tillë, dialogu me ta – për sa kohë që ata janë në këto qëndrime- do të nënkuptonte dialog me Vuiqin dhe Daçiqin. Ne nuk jemi të interesuar dhe as nuk do ta bëjmë kurrë, të flasim me Vuçiqin dhe Daçiqin për atë se si do të duhej të zhvillohej Kosova.

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo që janë mbyllur të gjitha rrugët, të gjitha dyert, për dialog? Ku e shihni zgjidhjen dhe a mund të ketë ndonjë zgjidhje të ndërmjetme ?

Visar Ymeri: Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme. Çfarëdo kompromisi në këtë drejtim, për kërkesat tona, përveç anulimit të marrëveshjeve, do të nënkuptonte lehtësim në zbatimin e tyre. kërkesa jonë është shumë e qartë, e realizueshme, e drejtë dhe legjitime, që këto marrëveshje të anulohen. Anulimi i këtyre marrëveshjeve do ta hapte pastaj edhe rrugën e normalitetit institucional, por n anën tjetër edhe rrugën e debatit dhe diskutimit për çështjet, për të cilat po flasim.

Për sa kohë që këto marrëveshje qëndrojnë të nënshkruara, nëpër tavolinat e këtyre dy personave, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës dhe për sa kohë që ata i mbrojnë këto marrëveshje, përkundër faktit që i tërë opinioni publik tashmë e ka dëshmuar që janë në kundërshtim me këto marrëveshje, mendoj se këtu nuk ka mes. Çfarëdo mesi do të ishte tradhti ndaj interesit të qytetarëve dhe interesit të Republikës.

Prandaj, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, janë personat kryesorë që sot do të duhej ta merrnin vendimin për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Po se bën këtë, atëherë, natyrisht, që këta nuk mund të qëndrojnë në ato pozicione ku janë.

Kerry: Dhuna është e papranueshme – debati në parlament

Kerry GargameliSekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën në Prishtinë Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën në Prishtinë se parlamenti duhet të jetë vend i debateve e jo i gazit lotsjellës dhe dhunës, ndërsa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin kurrë asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe dy zëvendësit e tij Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviç, me të cilët u takua ne aeroportin e Prishtinës.

Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha e marrëveshjet e arritura në këtë proces ishin vendime të vështira politike.

“Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha sekretari Kerry.

Ai bëri thirrje që debatet të zhvillohen në parlament që duhet të jetë tempull i demokracisë dhe jo vend ku hidhet gazi lotsjellës.

“Dhuna është e papranueshme dhe Parlamenti duhet të jetë vendi ku duhet të debatohet”, tha sekretari Kerry, duke theksuar se Kosova ka shënuar përparime në procesin e integrimeve euroatlantike dhe nënshkrimi i MSA-së paraqet një të arritur të rëndësishme.

Ai tha se Kosova duhet të përmbushë zotimin e saj për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Sekretari Kerry beri thirrje që udhëheqësit e Kosovës të luftojnë korrupsionin, ndërsa u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah Kosovës në të gjitha proceset.

“Kosova ka dhënë shembull të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit”, tha zoti Kerry, i cili nga Prishtina shkon në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku pritet të mbizotërojë gjendja në Siri, përballja me grupin militant Shteti Islamik dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga gjendja në Lindjen e Mesme. (voa)

Mali i Zi merr ftesën për në NATO

NatoMinistrat e jashtëm të Natos ftuan Malin e Zi sot të bashkohet në aleancën ushtarake në zgjerimin e saj të parë që nga viti 2009, duke sfiduar paralajmërimet e Rusisë se zgjerimi i bllokut  të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara më tej në Ballkan do të shihej si një provokim.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg tha se ftesa për Malin e Zi nuk ka të bëjë me Rusinë:

“Vendimi për të ftuar Malin e Zi nuk është kundër askujt, por për të ndarë sigurinë tonë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të nënvizojmë se çdo vend ka të drejtën të vendosë rrugën etij, marrëveshjet e tij të sigurisë dhe pyetja nëse Mali i Zi do të bëhet anëtar i Natos është në dorë të vet Malit të Zi dhe të 28 aleatëve të Natos për t’u vendosur. Askush tjetër nuk ka të drejt të ndërhyjë në këtë vendim”.

Por diplomatët e Natos kanë thënë se vendimi i dërgon një mesazh Moskës se nuk ka forcën e vetos për zgjerimin e Natos në lindje, edhe nëse mundësia e anëtarësimit të Gjeorgjisë u komplikua nga lufta e saj me Rusinë në vitin 2008.

Moska kundërshton çdo zgjerim të Natos në zonat ish komuniste në lindje dhe juglindje të Evropës, pjesë e një lufte lindje-perëndim për influencë mbi ish satelitët sovjetik që është në qendër të krizës në Ukrainë.

Ministri i jashtëm i Malit të Zi Igor Luksiç u tha homologëve të tij pas ftesës së anëtarësimit se vendi i tij është gati të qëndrojë i bashkuar me aleancën:

“Këto janë kohë shumë sensitive dhe sfiduese për aleancën. Ne e kuptojmë se bashkimi dhe solidariteti janë të nevojshëm tani më shumë se kurrë. Mund t’u siguroj që Mali i Zi vepron tashmë si anëtari i 29-të duke dhënë kontribut në stabilitetin euro-atlantik. Jemi të gatshëm të ndajmë sfidat dhe të qëndrojmë krah për krah me aleatët”.

Agjencia ruse e lajmeve RIA citoi një senator rus të ketë thënë se Rusia do t’u japë fund projekteve të përbashkëta me Malin e Zi në se vendi ish komunist bashkohet me aleancën. Mali i Zi me 650 mijë banorë  pritet të bëhet zyrtarisht anëtar vitin e ardhshëm.

Zoti Stoltenberg tha se pret që bisedimet e anëtarësimit të kryehen me shpejtësi. Kjo sugjeron se Mali i Zi mund të bëhet anëtar në takimin e nivelit të lartë të Natos në muajin korrik në Varshavë. (voa)

Zbulimi i një kure kundër kancerit

infusioniKanceri ka qenë një hije e frikshme gjatë gjithë ekzistencës së njerëzimit. Në shumë vende të botës kanceri po shndërrohet në sëmundjen me ritmet më të larta të vdekshmërisë. Ndërsa zyrarët e shëndetit publik u bien këmbanave të alarmit për koston njerëzore e financiare në rritje të kësaj sëmundjeje, në laboratore kërkimore po punohet për kura të reja që premtojnë t’i gjejnë një zgjidhje sëmundjes.

Prej shekujsh diagnostikimi me kancer ishte ogur i një vdekjeje të parakohëshme për pacientin. Por prognoza ka ndryshuar. Sot pacientët jetojnë më gjatë se kurrë, dhe në shumë raste i kthehen një jete normale, pas kurimit të plotë nga kanceri.

Dr. William Nelson, drejtor i Qendrës Kërkimore për Kancerin pranë Universitetit Johns Hopkins, thotë se kurimi i kancerit nuk është më utopi:

“E ardhmja e trajtimit të kancerit është jashtëzakonisht e shkëlqyer. Mendoj se terapitë që kemi zhvilluar prej mbi 50 vjetësh kanë filluar të japin rezultat dhe shoh mundësi të pafundme në avancimet që mund të arrijmë në të ardhmen”.

 

Teknologjia moderne ka ofruar një njohje shumë më të thellë të kancerit nga pikëpamja biologjike dhe patologjike. Dr. Elizabeth Platz është epidemiologe në Qendrën Kërkimore Sidney Kimmel. Ajo thotë se studimet gjenetike kanë zbërthyer të fshehtat e sëmundjes dhe kanë hapur pista për të parandaluar kancerin si dhe për gjetjen e kurave për shërimin e tij:

“Tani jemi në një etapë të re. E kuptojmë gjenomin shumë më mirë. Vazhdimisht dalin zbulime të reja mbi elementë specifikë në përbërjen gjenetike që lidhen me rrezikun nga kanceri”.

 

Një armatë onkologësh, epidemiologësh, imunologësh e specialistësh të fushave të tjera analizojnë patologjinë e llojeve të ndryshme të kancerit, ku fshehen edhe misteret e kurave për të ardhmen:

“Kancerat, siç e kemi ditur prej kohësh, janë defekte që shfaqen në gjenet e pacientit. Gjenet janë elementët përbërës të qelizave dhe të gjithë indeve të trupit; kur gjenet kanë defekte, qelizat kanceroze shtohen; ato përhapen në pjesë të trupit ku nuk duhet të jenë në një masë të tillë që përbën kërcënim për jetën. Megjithëse e dinim këtë fakt prej kohësh, vetëm gjatë 10 vjetëve të fundit kemi arritur të përdorim teknologjinë  për të identifikuar të gjitha gjenet defektoze për një kancer të caktuar dhe ta përdorim këtë informacion për të përgatitur një regjim mjekësor për të kuruar atë pacient të caktuar”.

Kura kundër kancerit nuk do të jetë një ilaç i vetëm, por një kombinim terapish e praktikash për parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe përfundimisht kurimin e sëmundjes:

“I think that ultimately we will be able to cure all cancers in all people”.

Nuk është larg dita, thotë doktori, kur mjekësia do të arrijë të kurojë të gjitha llojet e kancerit tek të gjithë pacientët. (voa)

Qeveria sot mori 72 milionë euro borxh nga bankat vendore

euroLideri i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se huamarrja e sotme e qeverisë në bankat vendore është e paligjshme. Ai nga bankat kërkoi të nisen nga interesi i shtetit dhe i qytetarëve dhe mos ta financojnë qeverinë. Zaev porositi se Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve, me refuzimin e vetos, por edhe bankat do të përballen me përgjegjësi penale.

“LSDM-ja do të bëjë çmos për të parandaluar korrupsionin zgjedhor dhe keqpërdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale. Bankat duhet të mbajnë llogari për çfarë qëllime financojnë”, tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Ndaj akuzave të Zaevit, reagoi Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.

“Partitë politike mos të përziejnë bankat në betejat e tyre politike. Bankat komerciale kanë lirinë e plotë dhe të drejtën për të vendosur se ku do ti destinojnë pasuritë e tyre likuide në përputhje me politikat e veta të biznesit”, deklaroi Dimitar Bogov, guvernator i BPRM.

Një reagim i ngjashëm erdhi nga Ministria e Financave.

“LSDM-ja opozitare të mos ndërhyjë në politikat e biznesit të bankave dhe bizneseve. Me realizimin e sotëm të ankandit sigurohet likuiditeti i nevojshëm për zbatimin e buxhetit, siç është planifikuar”, thuhet në reagimin e ministrisë së financave.

Megjithatë, bankat nuk e dëgjuan LSDM-në. Ata donin të blejnë bono shtetërore dhe obligacione shtetërore në shumën prej 93.4 milionë euro, ndërsa Ministria e Financave lëshoi vetëm letra shtetërore në vlerë prej 72.6 milionë euro.

Sonja Jankovska

Kerry si ndërmjetësues i dyfishtë

Albin-KurtiS’do mend që pasnesër Vuçiq e Daçiq do t’i bëjnë kërkesa John Kerry-t për Serbinë në kurriz të Kosovës. S’do mend edhe që Mustafa e Thaçi nesër do t’i bëjnë kërkesa Kerry-t për pushtetin e tyre kundër opozitës. Në fund, Kerry me ekipin e tij do ta nxjerrë një mesatare të qëndrimit të tij në Beograd dhe në Prishtinë. As Mustafa e as Thaçi nuk do t’ia përmendin Kerry-t krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe borxhin që Serbia ua ka shqiptarëve. Në anën tjetër, Vuçiq e Daçiq do të flasin qysh serbët janë të rrezikuar në Kosovë dhe se ndaj tyre janë bërë krime të shumta. Opinioni publik në Beograd do të angazhohen t’i thonë diçka Kerry-t e në Prishtinë do të përgatiten të dëgjojnë se çfarë Kerry na tha. Mediet e regjimit tashmë po e përgatisin situatën që vizita e nesërme në Prishtinë të jetë vizitë nga doktor Kerry për pacientin e quajtur Kosovë.

Nuk është çështja vetëm e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe diplomatët e politikanët e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë me nga dy kapela. Njëra kapelë e tyre është e shtetit që na ka njohur e me të cilin do të duhej t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale, ndërsa kapela tjetër është e ndërmjetësuesve në dialogun e përhershëm Kosovë-Serbi. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, me vetë faktin që pas Prishtinës shkon edhe në Beograd, nuk do ta ketë vetëm njërën kapelë por të dyja. Po nuk u kuptua kjo, dëmi është gati. Natyrisht që tema është lufta globale kundër terrorizmit, mirëpo aty jemi pak të rëndësishëm. Çështja themelore është ajo e marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe rezistenca e opozitës së bashkuar në Kosovë.

Kësisoj, Kerry do të jetë dyfish ndërmjetësues: midis Kosovës dhe Serbisë dhe midis qeverisë së Kosovës dhe opozitës në Kosovë. Ndërmjetësimi në rastin e dytë është pasojë e rastit të parë. Po të ishte Qeveria e Kosovës përnjëmend qeveri dhe me të vërtetë e Kosovës nuk do t’i kishim te dera as ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe as demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Por, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ato janë tanimë te pragu ynë. Dhe, sërish, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ajo do të ketë shumë më tepër vëmendje për Kerry-n si ndërmjetësues në rastin e dytë (kundrejt opozitës) sesa në rastin e parë (kundrejt Serbisë). Për Mustafën e Thaçin shumë më e rëndësishme është që Kerry të flasë ndonjë gjë (që mandej interpretohet) kundër opozitës në Kosovë sesa kundër kësaj Serbie të pasardhësve të drejtpërdrejt politikë të Milosheviqit e Sheshelit. ‘Zajednica’ e Serbisë dhe demarkacioni me Malin e Zi janë dëshmi që Mustafa e Thaçi e duan shumë më tepër pushtetin e tyre sesa shtetin e Kosovës.

Objektivisht, si treg me fuqi blerëse, si burim njerëzor e si kapacitet industrial e zhvillimor, si aleate historike dhe tradicionale e Rusisë, Serbia peshon shumë më rëndë se Kosova për superfuqitë botërore. Kur kësaj i shtohet edhe pesha subjektive e Serbisë si udhëheqje politike radikale, pakrahasimisht më radikale sesa ajo te ne, atëherë del se Kosova nuk ka shansë të përparojë pa e ndërruar udhëheqjen dhe pa u vendosur në peshoren gjeopolitike si pjesë e kombit shqiptar në tërësi. Me të drejtë thotë një mik imi nga Shkupi se ne shqiptarët i bëjmë tifozeri ShBA-ve. Ky s’është partneritet politik dhe ekonomik. Kjo s’është aleancë ushtarake dhe strategjike. Kosova që të fillojë të peshojë më rëndë në arenën ndërkombëtare duhet që ta përfytyrojë veten si pjesë të kombit shqiptar shtatëmilionësh në Ballkan dhe ta ketë një udhëheqje radikale në diskurs dhe veprim politik që nuk sprapset para vuçiqave e daçiqave. Kot jemi të urtë e të sjellshëm. Durimin e shqiptarëve faktorët ndërkombëtarë e konsiderojnë fakt të përhershëm njerëzor e jo koncesion të përkohshëm politik që duhet shpërblyer.

Të gjithë e dimë se NATO-ja nuk e bombardon më Serbinë. NATO-ja madje as që ka armatim të vetin. NATO-ja e ka armatimin e shteteve anëtare. Shtetet kanë armatim. E, Kosova s’ka ushtri për shkak të kundërshtimit të Listës serbe, përkatësisht të Beogradit. NATO-ja e KFOR-i nuk mund të jenë zëvendësim për ushtrinë tonë. Ku ishte NATO-ja kur 11 shqiptarë u vranë, 11.364 u dëbuan ndërsa 80 u plagosën e lënduan në veri të Mitrovicës në shkurt në vitin 2000? Po pra, NATO-ja, si KFOR francez, ishte në vendin e ngjarjes! Ajo bënte sehir teksa të ashtuquajturat ‘roje të urës’ dhe formacione të tjera të armatosura serbe po i shndërronin shqiptarët në popullsi pakicë në veri të Mitrovicës.

Kroacia po blen armatim nga ShBA-të kurse Serbia po e bën të njëjtën gjë nga Rusia. Mustafa e Thaçi kanë vetëm një kërkesë për faktorët ndërkombëtarë: liberalizimin e vizave! 16 raketa balistike që i bleu Kroacia së fundmi e çmendën Serbinë dhe bënë që Vuçiq të vrapojë te Putini sepse na qenka prishur balansi ushtarak rajonal. Për këto raketa balistike Kroacia i mori falas lansuesit dhe ato bëhen operative në vitin 2017, pra një vit para se të mbahet referendumi i paralajmëruar në Republikën serbe në Bosnje. Ish presidenti kroat (nga viti 2000 deri në vitin 2010) Stipe Mesiq, në ditët e fundit të tij në postin e presidentit, më 19 janar 2010, pat dhënë një deklaratë testament që atëbotë njësoj e pat çmendur Serbinë, duke thënë që nëse Republika serbe mban referendum për t’iu bashkuar Serbisë atëherë tankset kroate shkojnë në Brçko! Kroacia nuk mund të lejojë që atje lart te Banja Lluka, Serbia t’i afrohet Zagrebit në 50 kilometra distancë!

Sllovenia dhe Kroacia patën dalur nga Jugosllavia sepse ikën nga Serbia. Shpallja e tyre e pavarësisë në vitin 1991 ishte praktikisht pavarësi nga Serbia e Madhe. Procesi i Berlinit i vazhduar në Vjenë, afron e integron me njëra-tjetrën gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor si zëvendësim për anëtarësimin e munguar në BE edhe për një dekadë. Pasojë e kësaj do të jetë tendenca për njëfarë mini-Jugosllavie ku hyn Shqipëria në vend të Sllovenisë e Kroacisë. Kjo padyshim që do t’i jep zemër forcave pro-jugosllave në Kosovë në krye të të cilave do të jetë dueti Mustafa-Thaçi. Të rinjtë e këtyre gjashtë shteteve Bosnje, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Serbi e Maqedoni do t’i lodhin në seminare e konferenca të përbashkëta, prej mbrëmjeve poetike e deri te diplomacia ndërkombëtare.

Bosnja për shkak të Republikës serbe dhe Maqedonia për shkak të regjimit proserb të Gruevskit nuk i vunë sanksione Rusisë pasi që ajo pushtoi Krimenë. Duke qenë proserbe ato u bënë edhe proruse meqenëse shpërfillën direktivën e ShBA-ve dhe të BE-së për sanksione Rusisë. Kreu i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik, është bërë më i lidhur e më i afërt me Putinin dhe Rusinë sesa me Vuçiqin dhe Serbinë. Asaj rruge do të shkojë edhe presidenti i ardhshëm i ‘Zajednicës’ po e lejuam instalimin e saj në Kosovë. Ndërkohë, Mustafa e Thaçi duan liberalizim vizash për qytetarët dhe burgosje e shtypje të opozitës…

1 dhjetor 2015

 

(Autori është deputet i Lëvizjes Vetevendosje në Kuvendin e Kosovës. Aktualisht ai gjendet në paraburgim, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për shkak të hedhjes së gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për ta detyruar Qeverinë dhe Kuvendin që të anulohen marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave nme shumicë serbe dhe për Demrakacionin me Malin e Zi).

Shkrirja e akullit në Groenlandë

shkrirja e akullitShkencëtarët ka vite që vëzhgojnë shtresat e akullit të Groenlandës për të parë se si po përshtaten ato me ndryshimet klimatike. Duke mbuluar më shumë se 1.7 milionë kilometra katrorë, ato janë pjesa e dytë më e madhe e akullit në botë, pas shtresave të Antarktikut. Për të matur se sa shpejt po shkrijnë shtresat e akullit në Grenlandë dhe ku po shkon uji, studiuesit po përdorin disa mjete të pazakontë.

Një fokë me një instrument të sofistikuar të ngjitur në kurrizin e saj është gati të zhytet nën shtresat e akullit në fjordin Ilulissat në Groelandë. Duke kërkuar ushqim, ajo do të  zhytet deri në 500 metra, ku sensorët e instrumentit do të mbledhin të dhëna të rëndësishme rreth temperaturës së ujit dhe kripësinë.

Të dhënat do të transmetohen përmes satlitit tek një stacion metereologjik në Universitetin e Nju Jorkut.

“Arsyeja që njerëzit janë kaq të interesuar për temperaturën e ujit në thellësi të këtyre akullnajave është pasi uji është praktikisht ose i ftohtë në nivelin e ngrirjes ose i ngrohtë disa grade mbi pikën e ngrirjes.”

Nëse uji është i ftohtë, akulli në sipërfaqen e tij do të rritet, por në se është disa gradë më i ngrohtë, do të vazhdojë të shkrijë dhe të rrisë nivelin e detit.

“Ne kemi vëzhgime nga satelitët që tregojnë se shtresa e akullit në përgjithësi po humbet çdo vit, më shumë akull  se sa c’po fiton. Ajo nuk është në fazën e shtimit, por në atë të zvogëlimit.”

Transmetuesit janë vendosur në lëkurën e fokës me një ngjitës të posacëm. Pas gati një viti ato bien dhe kafshët nuk dëmtohen prej tyre.

Shkencëtarët që masin humbjen e shtresave të akullit në Groenlandë nga toka thonë se në përgjithësi, Groenlanda po humbet më shumë akull sesa ç’po fiton. Që nga viti 1840, niveli i humbjes është rritur me 60 përqind, shumica brenda dekadës së fundit. Procesi është shumë i ngadalshëm por…

“Edhe nëse një e dhjeta e tij do të shkrinte në njëqind vitet e ardhshme, atëherë do të ketë qytetete të mëdha, një pjesë e madhe e popullatës së së botës që do të ketë problem për shkak të rritjes së nivelit të deteve.”

Informacioni është një pjesë më shumë e të dhënave që shkencëtarët e klimës shpresojnë se do të shtyjë botë të marrë hapa për të luftuar ndryshimet klimatike.   (voa)

Dita Ndërkombëtare e Sidës

sidaOrganizata Botërore e Shëndetësisë po shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Sidës, duke e vënë theksin tek nevoja për ta bërë terapinë antiretrovirale të mundur për të gjithë ata që kanë virusin e HIV-it.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin thotë se rreth 16 milionë prej 37 milionë vetëve që jetojnë me HIV, virusi që shkakton Sidën, aktualisht marrin atë kombinim ilaçesh dhe se përdorimi universal i tij është rrugazgjidhja për t’i dhënë fund epidemisë së Sidës brenda një brezi.

OBSH-ja përmend studime që tregojnë se personat që fillojnë kurën pak pasi kanë marrë virusin, kanë më pak gjasa që t’ia transmetojnë të tjerëve, ndërkohë që edhe shëndeti i tyre përmirësohet.

Si rezultat Organizata po bën thirrje që njerëzit të bëjnë analizat në mënyrë që ta dinë nëse kanë HIV dhe që ata që marrin rezultate pozitive t’i fillojnë kurat më herët. OBSH thotë se trajtimi universal antiretroviral mund të parandalojë 21 milionë vdekje nga Sida dhe 28 milionë raste të reja infektimi deri në vitin 2030.

Dita Botërore e Sidës shënohet çdo vit më 1 dhjetor, që nga 1988-a për të shprehur mbështetje për ata që jetojnë me HIV.Sida, për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe për ta përqendruar vëmendjen tek përpjekjet për ta luftuar atë. (voa)

Teleskopi më i Fuqishëm në Botë

radio teleskopiA ka jetë përveçse në Tokë?  Shkencëtarët janë duke bërë çdo përpjekje për të gjetur një përgjigje për këtë pyetje – duke përdorur një nga radioteleskopët më të avancuara në botë, në Green Bank, SHBA.

Në zonën malore të shtetit West Virginia, në Green Bank, ndodhet radio-teleskopi Robert C. Byrd, më i fuqishmi i këtij lloji në botë.
Manaxheri Michael Holstine thotë se teleskopi zë një sipërfaqe reflektuese shumë të madhe, afër 1 hektar, thuajse sa një stadium futbolli.  Teleskopi është jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe mund të kapë sinjale nga më të lehtat, siç është goditja që i shkaktohet tokës nga rënia e një floku dëbore.

Teleskopi Green Bank ose GBT hyri në internet në vitin 2000 dhe është një nga dy teleskopët kryesorë të  një nisme dhjetë-vjeçare prej 100 milionë dollarësh e ndërmarrë nga manjati rus Yuri Milner dhe shkencëtar britanik Stephen Hawking për të kërkuar për jetë inteligjente në Gjithësi.

Drejtoresha e qendrës Karen O’Neil thotë se kjo është përpjekja e parë e bashkërenduar për kërkimin e sinjaleve jashtëtokësorë.
Përderisa radio-teleskopët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj valëve të radios, Komisioni Federal i Komunikimit ka krijuar një zonë prej 34 mijë kilometrash katrorë në Green Bank, ku ndalohet rreptësisht përdorimi i telefonëve celularë dhe pajisjeve të tjera radiofonike.
Por banorët, megjithatë, i përdorin.

Donnie Ervin që jeton në Green Bank thotë se kufizimi kryesor është për telefonat celularë, “por kur dalim nga zona, ne mund të përdorim çdo gjë”, thotë ai.

“Ne nuk kemi ndonjë sistem telefoni celular, dhe as radio me valë të shkurtra”, thotë Harold Crist, një tjetër banor në Green Bank. “Kjo është sakrificë e vogël, por kur nuk e ke pasur ndonjëherë, nuk ke çfarë humbet”, thotë ai.
Megjithëatë, kufizimet shkaktojnë bezdi për policinë.

Oficeri Samuel Hummel thotë se  kur shërben rreth observatorit është pak i tensionuar pasi nuk e di nëse do të jetë në gjendje të komunikojë me qendrën ose kolegët.
Vizitorët pyesin nëse radioteleskopi ka marrë ndonjë sinjal nga hapësira.
Drejtoresha Karen O’Neal shton se marrja ose jo e ndonjë sinjali nuk do të thotë nëse ka ose jo jetë inteligjente në Univers, por tregon se sa në gjendje është teknologjia që ne punojmë.

 

Pra, a ka jetë inteligjente në hapësirë? Teleskopi në Green Bank mund të ndihmojë në përgjigjen e kësaj pyetjeje. Le të presim dhe të shohim. (voa)