Salih Zyba akuzohet për ngritje të flamurit kombëtar

Salih ZybaSot, nga mediat mësuam që aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Salih Zyba, i është ngritur aktakuzë për pjesëmarrjen e tij në aksionin për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në hyrje të Prishtinës.

Salih Zyba është aktivist shembullor. Ai është luftëtar i lirisë, pjesëmarrës në tre luftëra çlirimtare, në Kosovë, Luginë e Maqedoni. Përveç kësaj, ai është edhe zyrtar shembullor i Komunës së Prishtinës. Përmes përkushtimit të tij vetësakrifikues, Salih Zyba si drejtues i sektorit të inspeksionit, ka qenë një prej njerëzve më të rëndësishëm për ndaljen e degradimit urban, dhe për ndaljen e mafisë së ndërtimit.

Për shkak të aktiviteteve të veta të pandërprera, Salih Zyba ka krijuar armiqësi në dy grupe. Grupi i parë është ai i personave që janë pjesë e projektit antishqiptar në Kosovë. Grupi i dytë është ai i personave që kanë interesa në mafian e ndërtimit dhe në degradimin urban të Prishtinës. Të dyja këto grupe kanë interesa të përbashkëta, dhe kontrollojnë politikisht gjyqësorin dhe policinë në Kosovë.

Aktiviteti i Salih Zybës nuk do të ndalet prej këtyre gjykimeve të urdhëruara politikisht. Aktiviteti patriotik i shqiptarëve në Kosovë i ka rezistuar stuhive të mëdha, dhe ka për t’i rezistuar edhe dhunës së dëshpëruar, që urdhëron pushteti aktual, injorant e i korruptuar.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Salih Zybës. Ngritja e flamurit kombëtar nuk është krim. Ndalimi i mafisë së ndërtimit nuk është krim.

4 mars 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Astronauti Scott Kelly zgjatet në hapësirë

astronautiAstronauti amerikan, Scott Kelly duket se është kthyer nga qëndrimi pothuajse njëvjetor në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, 5 centimetra më i gjatë sesa vëllai i tij binjak, Mark.

Që kur Scott u kthye këtë javë, kjo është ndër rezultatet e para të analizës së pasojave të ekspozimit afatgjatë të mungesës së gravitetit tek trupi i njeriut.

Astronautët shpesh zgjaten në hapësirë spese disqet në shtyllën kurrizore, shtypen lehtë për shkak të gravitetit në tokë.

Misioni i Kellyt ishte pjesërisht, një shans për agjencinë amerikane të hapësirës NASA për të vëzhguar se si mund ta përballonin astronautët një mision në mars, që gjasat janë se do të zgjaste rreth një vit. (voa)

Dokumentar për krimet në Kosovë

dokumentari krimetNë Uashington u shfaq më 3 mars filmi “Të paidentifikuarit”, rezultat i punës dyvjeçare të një gazetareje nga Serbia, e cila ka mundur të mbledhë dëshmi të paraushtarakëve serbë, që morën pjesë në krime gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999. Në një diskutim pas shfaqjes, u fol edhe për rastin e tre vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanëve që shkuan në Kosovë për të luftuar dhe u vranë nga forcat serbe. Megjithë premtimet, autoritetet e larta në Serbi ende nuk i kanë shkuar deri në fund të vërtetës lidhur me zyrtarët që urdhëruan vrasjen e tyre.

Filmi dokumentar “Të Paidentifikuarit”, na kthen në vitin 1999 në disa fshatra rreth Pejës, ku paraushtarakë serbë vranë më shumë se 118 shqiptarë. Trupat e tyre ose u dogjën, ose u zhvendosën dhe një pjesë e tyre u gjet dy vjet më vonë në disa qendra të trajnimit policor në Serbi.

Gazetarja dhe regjisorja nga Serbia, Maria Ristic, është përpjekur shumë për të marrë dëshmi nga paraushtarakët serbë që u sollën para gjyqit për rastin në fjalë, mes tyre një dëshmitar i mbrojtur dhe një tjetër i akuzuar për krime.

“Secili prej dëshmitarëve kishte interesin e tij personal. Për shembull, dëshmitari i mbrojtur dëshironte që historia e tij të dëgjohej nga të tjerët, sepse kjo ishte arsyeja kryesore që ai doli të dëshmonte. Personi tjetër, ndaj të cilit u ngritën akuza për krime, kishte si qëllim të tregonte se ai nuk ishte i vetmi që duhej të mbahej përgjegjës,”- thotë Ristic.

Shfaqja e këtij filmi, i realizuar nga rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, u organizua nga Komisioni Tom Lantosh i të Drejtave të Njeriut dhe heton disa prej krimeve më të egra dhe të pazgjidhura gjatë luftës së Kosovës.

Gazetarja Ristic ka sjellë në dokumentar edhe dëshmi nga civilë shqiptarë që u bënë viktima të krimeve.

Diane Orentlicher, profesore e Universitetit Amerikan, është ndër ekspertet më të njohura për gjykatat e krimeve të luftës:

“Mendoj se Maria Ristiç ka bërë një film jashtëzakonisht të rëndësishëm që do të ketë një audiencë të gjerë, sepse ai përmban dëshmi të drejtpërdrejta lidhur me disa krime shumë të rëndësishme që ndodhën në Kosovë, të cilat ngritën shumë çështje bashkëkohore. Shpresoj se do të ketë gjithnjë e më shumë njerëz që do t’i shohin ato dhe do të flasin për to,”- thotë ajo.

Në diskutimin me rastin e shfaqjes së filmit, ishte edhe Fatos Bytyçi, vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, shtetas amerikanë të ekzekutuar në Serbi:

“Çështja e vëllezërve është një prioritet midis dy shteteve, qeverisë amerikane dhe asaj të Serbisë. Besoj se do të kemi sukses në zgjidhjen e këtij rasti. Kemi premtime të mëdha prej qeverisë amerikane dhe prej Kongresit. Besojmë se do të ndriçohet rasti.”

Por Kryeministri serb Vucic nuk i ka mbajtur premtimet që u ka dhënë zyrtarëve më të lartë amerikanë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes Bytyçi. Një nga të dyshuarit kryesorë, Goran Radosavljevic, vazhdon të jetë anëtar i rëndësishëm i partisë së kryeministrit Vucic dhe të Presidentit Tomislav Nikolic:

“Çështja Bytyçi ka mbështetje në qarqet e larta të qeverisë amerikane. Kongresi amerikan ka një rezolutë për këtë çështje. Ne kemi bërë trysni sa kemi mundur dhe zyrtarët e lartë të Serbisë e pranojnë se fjala është për një akt kriminal. Por disa njerëz në Serbi mund të kenë mbrojtje brenda sistemit. Kjo ndoshta do të kërkojë trysni të vazhdueshme dhe ne nuk do të tërhiqemi, në mënyrë që drejtësia të fitojë,” tha Robert Hand, i cili drejtoi edhe diskutimin e mbrëmshëm.

Maria Ristic: “Mendoj se çështja Bytyçi nuk po zgjidhet sepse njerëzit që e bënë këtë krim ose që janë të përfshirë, janë ende në pozita të larta në Serbi dhe shumë të afërt me qeverinë. Arsyeja tjetër është se në fazën e procesit gjyqësor fillestar ka patur mjaft frikësime të dëshmitarëve, prandaj mendoj se dëshmitarët nuk ndihen të sigurtë për të folur mbi atë që ndodhi në Petrovo Sello, ku u vranë vëllezërit Bytyçi.”

Gjatë diskutimit u ngrit çështja që edhe një gazetar në Kosovë të bëjë një film të ngjashëm ku të flitet për krimet e kryera nga shqiptarët kundër serbëve.

Gazetarja Ristic tha se një pyetje të ngjashme ia kanë bërë edhe asaj:

“Së shpejti do të ketë një gjykatë të re për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shumë njerëz e shohin si të pajustifikuar, nëse krahasohet niveli i krimeve të ushtrisë serbe me ato të UÇK-së. Unë përgjithësisht kurrë nuk bëj krahasime mes krimeve. Unë mendoj se çdo krim është diçka e tmerrshme dhe duhet të ndiqet penalisht. Unë bëra një film për kriminelët që kryen krime dhe ende shëtisin të lirë.”

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, tha se mes krimeve nuk mund të vihet shenja e barazimit:

“Krime u bënë nga të gjitha palët e përfshira. Por ekziston një ndryshim i madh mes krimeve të nxitura nga shteti dhe akteve individuale. Ajo që kishim në rastin e Serbisë, ishte një krim i mbështetur nga shteti. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci dhe ishte e njëjta infrastrukturë institucionale, e njëjta udhëheqje. Kjo do të ishte sikur të krahasonim krimet e rezistencës franceze me krimet e nazizmit.”

Ariton Ismajli nga Kosova banon në Uashington. Ai ka humbur disa pjestarë të familjes gjatë konfliktit:

“Ne e dimë se në të gjithë botën ka krime; krime ka edhe këtu në Uashington. Por më vjen mirë që dikush ngrihet dhe ngul këmbë që ato krime të dënohen, pavarësisht se ku ndodhin dhe sa larg ndodhin. I jam gjithashtu mirënjohës qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila nga ana tjetër e botës ngrihet të kërkojë drejtësi për gjëra të tilla. Nuk ishin gjëra dosido, por ishin ngjarje shumë brutale,”- tha ai.

Filmi të “Paidentifikuarit” është planifikuar të shfaqet edhe në vende të tjera. (voa)

Rëndohet situata e emigrantëve në kufirin Greqi – Maqedoni

refugjatet greqiDita e sotme i ka gjetur mijëra emigrantë të bllokuar në baltë dhe shi në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë. Pasiguria e tyre për të ardhmen po shtohet në mënyrë dramatike, ndërkohë që një tensionim i ri kërcënon të rëndojë më tej marrëdhënien e acaruar të Greqisë me Evropën.

Pas një nate me reshje, emigrantët u gdhinë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë në një kamp të zhytur në ujë. Tendat, rrobat dhe batanijet janë të gjitha të lagura dhe pothuajse nga çdo tendë dëgjohen të kollitura. Shumë prej tyre u munduan në mëngjes t’i zhvendosnin tendat në tokë më pak të lagur. Pas një udhëtimi të gjatë për të arritur deri këtu, qëndrimi i gjatë në kushte të tilla reflekton qartë dëshpërimin në sytë e një emigranteje shtatëzënë në muajin e nëntë të barrës:

“Gjithçka është mbushur me ujë dhe është shumë ftohtë. E shikoni që rrobat e njerëzve janë të gjitha të lagura tashmë.”

Sipas agjensisë Reuters, mbi 500 emigrantë të tjerë mbërritën sot me autobuzë. Kampi i përkohshëm strehon pothuajse 12 mijë emigrantë në kushte dramatike, ndërkaq që marrëdhëniet e Greqisë me Evropën vazhdojnë të përkeqësohen.

Sipas policisë greke, gjatë 24 orëve të fundit, 320 emigrantë u lejuan nga autoritetet maqedonase të kalojnë kufirin, ndërsa disa të tjerë u kthyen mbrapsht. Krahas rreth 30 mijë emigrantëve që mendohen se janë të bllokuar në Greqi pas mbylljes së kufijve dhe kontrollit të rreptë që po ushtrohet që nga Austria deri në vendet e Ballkanit Perëndimor, përllogaritet se çdo ditë 3 mijë emigrantë të tjerë vazhdojnë të kalojnë detin Egje nga Turqia:

“Sigurisht që po shtohet zemërimi. Familje të tëra, me gra dhe fëmijë, kanë qëndruar në vend për ditë të tëra. Shqetësimi ynë është se as nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont,”- thotë një imigrant.

Shumë sirianë thonë se u janë larguar sulmeve ajrore të qeverisë siriane dhe aleates së saj, Rusisë. Komandati i NATO-s në Evropë, Gjenerali Philip Breedlove, ka paralajmëruar se Moska po e përdor si armë krizën e refugjatëve:

“Është shumë e qartë se Rusia po e shfrytëzon krizën e refugjatëve për të përçarë Evropën.”

Duke qenë se armëpushimi delikat i arritur në Siri duket se po qëndron,

Presidenti i Francës tha sot se do të përshpejtohen diskutimet për një tranzicion politik në vendin e shkatërruar nga lufta.

Pasi bisedoi me udhëheqësit e Rusisë, Gjermanisë, Britanisë dhe Italisë, zoti Hollande tha se ka dakortësi për shfrytëzuar armëpushimin e arritur për të koordinuar ndihmat humanitare dhe çeljen e proçesit të tranzicionit politik. (voa)

Buteli nuk heq dorë nga kryqi gjigand

kryqiKomuna e Butelit nuk do të tërheqë vendimin për vendosjes e kryqit por akuzon Ministrin e brendshëm Spasovskin se nuk ka reaguar për të shpërndarë turmën e protestuesve dhe të çliroj hapësirën nga pushtuesit e panjohur. Kështu deklaroi sot kryetari i Komunës së Butelit duke thënë që policia ka pasur kapacitet për t’u përballur me ngjarje të tilla.

“Kërkojmë që Oliver Spasovski të japë asistencë për çlirimin e hapësirës që ndodhet mes rrugës Aleksandar Uderevski dhe Boce Ivanova. Pjesëtarët e BDI-së i dimë. Mendoj se kjo që thash pak më parë se apeloi dhe vlerësoj se nuk është e drejtë që dikush nga ndonjë komunë tjetër të vij dhe t’i zgjidhë problemet e komunës tonë”, deklaroi Petre Llatinovski, kryetari i Komunës së Butelit.

Deputeti i VMRO-së, Aleksandar Gjorçev gjithashtu akuzoi Ministrinë e Brendshme për sehir në protestën e mbrëmshme të BDI-së në Butel. Ai duke mos përmendur në asnjë momentin emrin BDI tha se Spasovski do të bartë përgjegjësinë për çdo veprim të mund të paraqitet nga mos verpimi i MInistrisë së brendshme.

“Oliver Spasovski dje ka lejuar masën e tubuar që të merr ligjin në duart e tyre, të djegin palmat, të rrënojnë gardhin dhe të uzurpojnë pronën e territorit të komunës së Butelit. MPB ka obligim kushtetues që t’i mbrojë ligjet, rendin, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve. Nëse Oliver Spasovski nuk lëshon një urdhër për asistencën e policisë që do të rivendosë rendin në kryeqytet, atëherë Oliver Spasovski do të bëhet bashkëfajtor në skenarin për t’u derdhur gjak në rrugët që e paraqiti këshilltari i tij dhe koleg i LSDM-së Edmond Ademi”, tha Aleksandar Gjorçev, Deputet i VMRO DPMNE-së.

Por, ministri Spasovski gjatë takimit të tij me sekretarin shtetëror të departamentit të SHBA-së Brajan Hojt Li tha se keqpërdoren simbolet fetare dhe etnike po keqpërdoren për pikë politike. Ai ftoi partitë që t’i përmbahen nga skenarë artificial që shkojnë në dëm të sigurisë së qytetarëve.

“Keqpërdorimi i simboleve etnike dhe fetare, që është aktuale këto ditë, mund të kenë jo vetëm ndikimeve negative politike dhe në siguri por edhe të pengojnë procesin për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. Të gjithë subjektet duhet të përmbahen nga krijimi i skenarëve artificial me të cilat përfitohen pikë politike në llogari të sigurisë së qytetarëve”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Punëve të brendshme.

Partitë opozitare LSDM dhe PDSH protestën e djeshme të BDI-së e kanë vlerësuar si skenar për fitimin e pikëve politike. Thaçi ka kërkuar nga qytetarët që të mos bien pre e provokimeve ndërsa nga partia e Ahmetit ka kërkuar që të veproj institucionalisht pasi është pjesë e qeverisë. Zoran Zaev nga ana tjetër tha se partitë në pushtet skenarë të tillë të tensioneve ndërntike përdorin çdo herë para zgjedhjeve që mbahen në vend. Edhe Zaev ftoi qytetarët që mos ti nënshtrohen provokimeve të tilla.

Fatlume Dervishi

Opozita dërgon çështjen e presidentit në Kushtetuese

opozitaAida Dërguti, Bali Muharremaj e Enver Hoti nga opozita e bashkuar kanë dërguar çështjen e zgjedhjes së presidentit, Hashim Thaçi, në Gjykatën Kushtetuese.

Së pari ishte paralajmëruar se dorëzimi i kërkesës në gjykatë do të bëhet në ora 14:00, por ata e kanë dorëzuar kërkesën rreth orës 15:40, pak para përfundimit të orarit të punës nga institucionit, në ora 16:00, transmeton Koha.net.

Aida Dërguti në prononcim për medie para objektit të Gjykatës Kushtetuese ka thënë se një nga shkeljet e detektuara nga opozita dhe që është pjesë e kërkesës, është prania e 120 deputetëve në sallë e në fakt, aty ishin 119, ngaqë Ramush Haradinaj ka dorëzuar mandatin një seancë më herët.

Kurse pauza mes rundit të dytë dhe të tretë të votimit në zgjedhjen e Hashim Thaçit president është përmendur nga Bali Muharremaj i AAK-së, si një prej pikave tjera të kërkesës.

Deputetja e VV-së, Aida Dërguti gjithashtu ka folur edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën, që kanë qenë të pakënaqshme sipas saj, por që edhe kësaj radhe do të testojnë këtë gjykatë.

Opozita: Protesta e radhës më 26 mars

Opozita e bashkuar ka vendosur që protestën e ardhshme ta mbajnë më 26 mars, kundër dy marrëveshjeve dhe largimit të Qeverisë Mustafa-Thaçi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se si opozitë do të vazhdojnë protestën e tyre pasi ngjarjet në Kosovë vetëm se po e shtojnë atë që kjo Qeveri duhet të shkoj.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar që më 26 mars të bashkohen dhe t’i japin mesazhin regjimit të Thaçit dhe Mustafës që të shkoj.

Kurse, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha nuk ka shanca që regjim të vazhdojë por do të ketë zgjedhje të parakohshme./KosovaPress/

Imigracioni, Rama: JO, vendimeve të njëanshme

rama mogherini1Kryeministri shqiptar pret Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini: Nuk do hapim kufijtë e nuk do ngremë mure. Të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian

Në Shqipëri, kyeministri Edi Rama tha sot në mbrëmje se “vendime të njëanshme të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë cka na takon  të bëjmë së bashku e nuk mund të jenë në asnjë formë e mënyrë imponim për ne”. Këto deklarata, kryeministri shqiptar i bëri në përfundim të takimit me Përfaqësuesen e Lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian Federica Mogherini.

“Shqipëria është një vend i vogël, por ne nuk i kemi bërë bisht përgjegjësisë në cdo sfide të përbashkët me partnerët, qoftë në Nato qoftë në BE”, u shpreh zoti Rama duke theksuar se “jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë sfidë, por nga ana tjetër jemi të vetdijshëm se nuk kemi as mundësinë dhe as delirin se mund të shpëtojmë Europën të vetëm.  Nuk do hapim kufijtë e nuk do ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian” nënvizoi kryeministri. Sipas tij, kriza e refugjatëve “është një sfidë europiane, jo e Greqisë apo Italisë, dhe as e Ballkanit e aq më pak e Shqipërisë”. (voa)

Rrugët alternativë të refugjatëve në Ballkan

Itinirari ballkanik i refugjateveItinerari i deritanishëm ballkanik është thuajse i mbyllur për refugjatët – për këtë Austria ra dakord me shtetet përkatëse ballkanike në Vjenë. Si rrjedhojë refugjatët dhe kontrabandistët kërkojnë rrugë alternativë.

“Hapni kufirin!”, thërrisnin sërish qindra njerëz para gardhit kufitar maqedonas në anën greke të kufirit Idomeni. Sërish refugjatët e grumbulluar këtu bllokuan linjën hekurudhore Selanik-Shkup. Kjo për arsyen, se Maqedonia lejon të kalojnë vetëm sirianët dhe irakianët. Edhe këta me kufizime, vetëm pak qindra në ditë. Afganët, që kanë mbetur në kufirin me Serbinë në Tabanovce, nuk kanë më asnjë shans. Siç konfirmon edhe një afgan, me të cilin bisedojmë: “ne nuk e dimë, përse nuk i lejojnë afganët. Policia vetëm na thotë, se nuk lejohet të na e hapin rrugën për të kaluar. Ne nuk e dimë përse.”

Kjo ka të bëjë me një marrëveshje të shefave të policive të shteteve përgjatë itinerarit ballkanik. Me insistimin e Austrisë kalojnë kufirin çdo ditë më pak se 600 refugjatë . Për këtë arsye rrugët ballkanike janë mbyllur afganët dhe të tjerët. Ky është pikërisht një program punësimi për kontrabandistët, mendon shefi i UNHCR-së në Beograd, Hans-Friedrich Schodder. “Përderisa tani shumë e shohin që nuk kanë më mundësi të udhëtojnë më tej legalisht, nxiten drejt kontrabandistëve dhe si rrjedhojë shfrytëzohen. Këtë ne e shohim çdo ditë…”

Shqipëria si vend i mundshëm tranziti

Por sa më e mbyllur që të jetë itinerari kryesor, aq më joshëse bëhen rrugët e tërthorta. Shqipëria po përgatitet për më shumë refugjatë, po përforcon patrullimet në kufirin me Greqinë, Ministri shqiptar i punëve të brendëshme Saimir Tahiri pak para nisjes në një udhëtim shërbimi për në Itali deklaroi: “Unë besoj, se asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm këtë krizë. Ne duhet të bashkëpunojmë. Por nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Ne jemi të përgatitur dhe po bashkëpunojmë me partnerët tanë. Për një problem europian duhet të ketë një zgjidhje europiane.”

Deri tani në Shqipëri janë kapur vetëm pak pakistanezë. Krejt ndryshe qendron puna në kufirin serbo-hungarez. Policia hungareze ka regjistruar qysh nga fillimi i vitit rreth 3.200 kalime ilegale të kufirit. Qeveria në Budapest do tani ta zgjerojë gardhin kufitar 175 km. të gjatë edhe në drejtim të Rumanisë. György Bakondi, këshilltar sigurie i kryeministrit shton: “Ne kemi dërguar përforcime me ushtarë e policë në kufirin jugor. Nëse ka tentativa për ta çarë gardhin apo për të kapërcyer në të, ndaj këtyre personave do të hapen procese.”

Qoftë përmes Bullgarisë për në Serbi, apo përmes Ukrainës ose nga Greqia në Shqipëri e që këtej drejt Italisë – ata që kanë nevojë për mbrojtje e gjejnë një rrugë. Një autostradë refugjatësh si në itinerarin kryesor nuk ka, por siç tha për ARD Berndt Körner, zëvendësshef i Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufirit, FRONTEX: “Eshtë e vërtetë, që grupe të caktuara, që nuk vijnë më dot përmes itinerarit kryesor, do të ndryshojnë itinerarin dhe do të vijnë përmes rrugëve të tjera. Unë kam konstatuar, se migracioni përmes Hungarisë është sërish në rritje. Ndërkohë ne – me një përjashtim të vetëm – në të gjitha itineraret, që mbikqyrim në hapësirën europiane, vërejmë sërish rritje. Nuk mund ta them saktë, nëse këto janë brenda të njëjtit kontekst, por kudo ka rritje të lëvizjes së migrantëve.” (dw)

Mogherini: “Reforma në drejtësi, thelbësore për negociatat me BE-në”

MogheriniPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogerini, deklaroi gjatë një fjale në parlamentin e Shqipërisë se ky vend dhe ky rajon i përket Europës. “Për 25 vjet kam besuar se ju duhet të gjeni vendin tuaj në BE. Unë gjithnjë kam menduar se kjo është në interesin tuaj dhe tonin. Përgjegjësia e brezit tonë ta bëjmë të mundur këtë: Të futim vendet e Ballkanit perëndimor në BE” – tha zonja Mogerini në Parlamentin e Shqipërisë.

Ajo shtoi se Ballkani perëndimor do të ketë ndryshim dhe se kjo është në duart e drejtuesve të këtyre vendeve. “Kjo është një përgjegjësi që ne e ndajmë bashkë. Rrugëtimi në BE nuk ka formula të gatshme. Këtë rrugë ne duhet ta bëjmë së bashku. Ne duhet të punojmë së bashku për përgjigje të përbashkëta” – tha zonja Mogerini. Ajo renditi si sfida të kontinentit sigurinë, punësimin, mbrojtjen e refugjatëve, duke theksuar se ato janëçështje që nuk zgjidhen vetëm, por me punë së bashku mund të vijnë edhe rezultatet.

“Shqipëria ka ecur përpara. Ishte vend i izoluar 25 vjet më parë dhe ishte vendi i tretë më i varfër në botë. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidat për në BE. Jeta juaj ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në një sërë fushash ka shumë për të bërë dhe një numër rezultatesh janë arritur” – citoi ajo raportin e progresit të vitit të kaluar. Ekonomia shqiptare po rritet, ndonëse jo ende me ritmet e pritura.

Konkurrueshmëria duhet të përmirësohet dhe, sipas saj, vendet e Ballkanit perëndimor duhet të rilidhen në gjithë mënyrat e mundshme; me investime në infrastrukturë dhe tek të rinjtë. “Rritja e vërtetë është rritja e kapaciteteve. Këtu ka shumë të rinj që punojnë shumë. Kemi nevojë për shkolla më të mira. BE do të japë 30 milionë euro për trajnimin profesional të tyre. Ky është investimi më i mirë për të ardhmen” – tha ajo.

Zonja Mogerini bëri thirrje për miratimin e reformës në sistemin gjyqësor, si e quajti ajo “një reformë e thellë dhe tërësore”. Kjo reformë, sipas saj, ka të bëjë me barazinë e gjithë qytetarëve para ligjit, që qytetarët të besojë tek institucionet, ka të bëjë me ekonominë, me investitorët e huaj, që duan të punojnë me të njëjtat ligje. “Qytetarët duhet të dinë që vetem idetë e mira mund të sjellin zhvillim. Kjo reformë do të hapë rrugën për të filluar negocitatat e antarësimit në BE, dhe kjo mund të jetë një fillim i ri për të ardhmen. Kjo reformë është nga më të plotat, më tërësoret që është propozuar ndonjëherë. Të gjithë duan të ecin përpara” – tha zonja Mogerini.

Ajo u kërkoi politikanëve shqiptarë që të lënë pas mungesën e besimit dhe mos-dialogut. “Të pranosh kundërshtarin tënd legjitim është thelbësore për çdo demokraci. Interesat e popullit janë më thelbësore se sa ato të partive. Kemi nevojë që politika dhe institucionet të japin rezultate.

Duhet të përqëndrohemi të gjejmë zgjidhjen e sfidave bashkarisht” – tha zonja Mogerini, duke theksuar se me luftërat dhe regjimet totalitare është humbur shumë kohë. Bosnja sapo ka propozuar një hap, Serbia dhe Kosova janë në një dialog dhe Shqipëria ka luajtur një rol për rajonin, për të cilin duhet të jetë krenare.

“Pajtimi dhe dialogu nuk mund të vonohen më tej. Terrorizmi nuk e ka kursyer as Shqipërinë dhe rajonin. Duhet të jemi së bashku. Kriza e refugjatëve është në prag dhe e ardhmja nuk është e lehtë për të gjithë. Duhet të përqafojmë një qasje bashkëpunuese brenda rajonit dhe institucioneve tuaja” – tha zonja Mogerini.

Ajo theksoi se zgjerimi i BE është jetik për ata që hyjnë rishtas dhe për ata që janë anëtarë. “Zgjerimi kërkon që ne të jemi së bashku dhe të gjemë zgjidhje së bashku. Duhet të tregojmë që bashkëjetesa funksionon” – tha zonja Mogerini, duke kujtuar traditën e bashkëjetesës fetare të Shqipërisë. Ajo tha se emigrantët shqiptarë në 91 e zgjuan Italianë, e cila harroi se si emigruan italianët. Emigrantët studiuan jashtë dhe arritën të jenë në shtresën e mesme.

“Ky parlament ka përgjegjësinë të japë rezultate për punën që po bëjmë. Sugjerimi im është:

Çlirohuni nga ajo pjesë e të kaluarës që ju pengon të ecni përpara drejt BE-së” – theksoi zonja Mogerini në mbyllje të fjalës para deputetëve shqiptarë. (voa)