Rama: Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e as nuk do të ngrejë mure

rama mogheriniShqipëria rrezikon të preket nga kriza e refugjatëve. Kryeministri Edi Rama premtoi bashkëpunim për krizën e refugjatëve brenda një plani të përbashkët europian pas takimit me Federica Mogherinin në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi mbrëmë pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherazi edhe Zv. Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, që po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë se “Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj dhe as do të ngrejë mure” duke iu referuar kontributit të Shqipërisë në përballimin e krizës së rëndë të refugjatëve.

Bashkëpunim për krizën e refugjatëve brenda një plani të përbashkët europian

Duke vënë në dukje mundësitë modeste të Shqipërisë për të kontribuar në situatën e rënduar të refugjatëve, kryeministri Rama tha se “Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësisë së vet në çdo sfidë të përbashkët me partnerët tanë, qoftë në NATO, qoftë në BE. Pa as më të voglin dyshim mbetemi të gatshëm që të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në sfidën e refugjatëve. Por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që s’kemi as fuqinë, nuk kemi as delirin që mund të shpëtojmë Europën, apo mund të shpëtojmë botën, të vetëm. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, brenda një plani të përbashkët europian”.

Sfida e refugjatëve- sfidë europiane

Ai i cilësoi jashtë kontekstit të bashkëpunimit vendimet e njëanshme të vendeve të BE për përballimin e krizës së refugjatëve dhe njëherazi që nuk mund t’i imponohen Shqipërisë. “Vendime unilaterale të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë çka na takon të bëjmë të gjithë së bashku dhe nga ana tjetër nuk mund të jenë në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë imponim për ne. Kjo është një sfidë euopiane, nuk është sfida e Greqisë, nuk është sfida e Italisë, nuk mund të jetë dhe s’ka si të jetë sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Kjo është sfida e Bashkimit Europian, brenda të cilit jemi edhe ne”, theksoi Rama.

Mogherini- Kriza e refugjatëve mund të prekë Shqipërinë

Por edhe pse Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj për refugjatët , ajo nuk mund të shmangë mundësinë e prekjes nga kriza e refugjatëve në situatën aktuale kur Maqedonia ka mbyllur kufijtë e saj me Greqinë dhe Serbinë. “Ekzistojnë shenjat e para që kriza e refugjatëve mund të preke Shqipërinë” tha mbrëmë në Tiranë, Federica Mogherini.

Ajo theksoi rrezikun potencial të terrorizmit dhe radikalizmi, që mund të shoqërojë krizën e refugjatëve. “Terrorizmi dhe radikalizmi janë një kërcënim që askush prej nesh nuk mund ta injorojë. Duhet të jemi se bashku dhe jemi së bashku në këtë luftë. Zgjerim i BE do të thotë që jemi të gjithë së bashku dhe gjejmë zgjidhje për problem të përbashkët” tha mbrëmë Federica Mogherini.

Marrëveshje mes BE dhe Shqipërisë për shkëmbim të informacionit të klasifikuar

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë, mbrëmë në Tiranë, Mogherini dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Bushati, nënshkruan një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shqipërisë mbi procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Marrëveshja e krijon kushtet që institucionet shtetërore të Shqipërisë të lidhin marrëveshje me BE për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar të niveleve më të larta të klasifikimit të sigurisë. (dw)

Dekriminalizimi, konsensusi shtyhet për të premten

Shumica dhe opozita duket se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje për aktet normative të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit

parlamenti alNë Shqipëri, shumica dhe opozita duket se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje për aktet normative të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit, i cili u miratua nga parlamenti dhjetorin e shkuar.

Pas bisedimeve të gjatë të nisura që pasditen e së mërkurës duket se pengesat kryesore janë kapërcyer. Madje deputeti socialist Taulant Balla, që së bashku me deputetin demokrat Oerd Bylkbashi, ka qenë protagonist i bisedimeve dypalëshe I konsideroi ato të mbyllura. “Kemi rënë dakort për të gjitha dhe ajo që ka ngelur është që kërkohet një mendim mbi ato që është dakortësuar nga ana e PD”, u shpreh zoti Balla.

Por më i matur është kryetari I parlamentit Ilir Meta. “Mendoj se konsensusi është pothuajse i arritur. Ne kemi punuar mbrëmë për një kohë të gjatë, sikurse ju e keni raportuar dhe ka patur një përafrim mjaft të gjerë. Sot është punuar gjatë gjithë ditës dhe mendoj se është momenti i duhur nesër për të përmbyllur këtë vendim. Pra, miratimin e tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin, pasi kemi edhe një afat kohor, që ky ligj duhet të hyjë në fuqi dhe të fillojë zbatimin e tij në mënyrë të plotë”, deklaroi kryetari i parlamentit Ilir Meta.

Në fakt edhe përfaqësuesi demokrat Bylykbashi nuk foli për një proces tërësisht të përfunduar. “Pres që nesër të kemi një përmbyllje të procesit”, nënvizoi ai ndërsa shpjegoi se ““Janë disa çështje që kanë të bëjnë me mekanizmat që funksionon procesi i verifikimit”

Palët kanë mbyllur modelin e formularit të vetdeklarimit, ku secila kishte një variant të sajin. Duket se ai i dakortësuar është më afër atij të demokratëve, të cilët kanë dhe një kërkesë tjetër, ndryshimin e propozuar në të ashtuquajturin ligj për dekrimnalizimi ku të parashikohet pezullimi nga parlamenti i deputetëve të arrestuar në flagrancë për vrasje apo tentativë vrasje, i kundërshtuar nga shumica. Por sipas kryetarit të parlamenti Meta, urgjente janë plotësimi i akteve, pasi nga data 6 mars, ligji duhet të jetë plotësisht efektiv. Sipas tij, propozimi I demokratëve “mund të diskutohet në çdo kohë siç e parashikon Rregullorja e Kuvendit, por të mos e zhvendosim debatin nga një detyrim imediat që Kuvendi ka edhe për shkak të një afati kohor, në çështje të tjera, pasi Kuvendi ka për detyrë të respektojë afatet dhe detyrimet e tij në zbatim të këtij ligji. Ne, respektojmë çdo kërkesë të drejtë dhe konstruktive të opozitës, por çdo kërkesë duhet të ecë në shinat e rregullores konsensuale”, nënvizoi zoti Meta.

Punimet e parlamentit gjatë ditës së djeshme u pezulluan në pritje të arritjes së konsensusit për aktet normative të dekriminalizimit. Seanca është thirrur sërish nesër paradite në përpjekje për t’I dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj cështjeje. (voa)

Të dëshpëruar në Athinë

Mijëra refugjatë nga Afganistani ndërkohë janë bllokuar në Greqi. Shpresat e tyre për një jetë në liri në Veri të Europës deri tani janë kthyer në zhgënjim. Jannis Papadimitriou bisedoi me disa prej tyre.

refugjatet greqiMohamad Mohamadi dhe djali i tij shtatëvjeçar kanë përshkuar një rrugë shumë të gjatë. Përmes Turqisë ata kanë ardhur në Greqi dhe duan të vazhdojnë rrugëtimin drejt Europës së Veriut, në një vend, “ku mund të jetosh”, siç thotë Mohamad. Netët e ftohta babë e bir i kalojnë në lagjen Hellenikon, në një ish-palestër, që është përshtatur në strehimore refugjatësh. Mohamad, që vjen nga Afganistani, gjatë ditës shkon me djalin në qytet në sheshin Viktoriaz. ky shesh konsiderohet si pikëtakimi dhe si pikë kontakti për shkëmbim informacioni për refugjatët nga e gjithë bota.

Në bisedë për DW 30 vjeçari ankohet, që refugjatët në strehimore marrin ushqim të keq e ndonjëherë të prishur, si rjedhojë shumë sëmuren. Edhe kjo një nga arsyet përse shumë refugjatë mblidhen në qendër të Athinës. “Këtu në afërsi ka dyqane afgane, ose ndonjëherë kalojnë banorë e njerëz, që na ndihmojnë e na sjellin ushqim”, tregon me gëzim Mohamad.

Shumë afganë preferojnë më mirë ta kalojnë natën jashtë në rrugë në sheshin Viktoria. Kështu bën edhe Alem Ayubi, i cili qysh prej njëmbëdhjetë ditësh me gruan e fëmijë pret në Greqi. Në atdhe ai është kërcënuar prej talibanëve, na thotë 32 vjeçari. “Unë kam qenë polic në Afganistan, kam punuar me shefin e policisë Mustafa Mohseni dhe kam ndihmuar për arrestimin e një atentatori që planifikonte një sulm kakimaz. Qysh atëherë talibanët më ndjekin dhe më kërcënojnë me vrasje.”

Shpresat e tij për një jetë në liri në Veri të Europës deri tani janë kthyer në zhgënjim. Arsyeja: pasi Austria vendosi të aplikojë pranimin me kufizime të refugjatëve dhe një sërë vendesh të Europës Juglindore e kanë kufizuar qarkullimin ndërkufitar, mijëra refugjatë të porsaardhur janë bllokuar në Greqi – porta hyrëse e refugjatëve në BE. Afganët nuk lejohen më të vazhdojnë udhëtimin. E po shtohen gjithnjë e më shumë njerëz: vetëm të mërkurën (02.03) ishin 10.000 migrantë e refugjatë në Idomeni në kufirin me Maqedoninë – në një kuartier, që është ngritur për maksimumi 2.000 vetë.

Arratisur nga Kundushi

Abdullah Arab dhe gruaja e tij kanë një destinacion të qartë, të mbërrijnë sa më parë në Austri. Për këtë ata kanë ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm, nga Kundushi në veri të Afganistanti përmes Iranit dhe Turqisë deri në Greqi. Gjendja në Kundush vazhdon të jetë e tensionuar dhe e rrezikshme. thotë për DW Abdullah. edhe pse qendra e qytetit është nën kontrollin e trupave qeveritare, talibanët vazhdojnë të kenë nën kontroll periferitë e tij. “Kudo mbizotëron lufta, një nga vëllezërit e mi është vrarë në këtë rajon. Kjo ishte arsyeja, përse unë duhej të largohesha nga Afganistani”, thotë 30 vjeçari.

Prej disa ditësh ata qendrojnë në sheshin Viktoria. Edhe qindra migrantë të tjerë qendrojnë natë e ditë në këtë shesh të mbuluar me batanie të pista dhe pa akses në mjedise sanitare. Në mëngjes vijnë punonjësit e pastrimit dhe më pas organizata e ndihmave që japin ushqime. Çdo refugjati i jepet një sandwich, një frut dhe një shishe ujë. (dw)

Frika e Europës nga Donald Trump

Mediat europiane i ndjekin me shqetësim sukseset e njëpasnjëshme të Donald Trump në fushatën parazgjedhore. Nëse Trump arrin të futet në Shtëpinë e Bardhë, kjo do të kishte pasoja për Europën e vjetër.

trumpAi vetë do ta votonte – kështu është shprehur ekstremisti i djathtë francez, Jean-Marie Le Pen përmes twitter-it për Donald Trump. Nëse do të ishte amerikan, themeluesi Front National do të zgjidhte Donald Trump. Por lajmi nuk ishte i habitshëm, sepse shpesh krerë të Front National disa herë kanë qenë pro Trump. Marine Le Pen deklaroi se edhe ajo angazhohet për “të harruarit”. “Trump dhe Sanders si nga ana republikane dhe ajo demokrate bëjnë një figurë të mirë në zgjedhje. Kjo është prova që edhe në Amerikë po sfidohet “establishmenti” – politika e vjetër”, u shpreh zëvendëspresidenti i Front National, Florian Philippot.

Ëndrra për popullin autentik

“Të harruarit” dhe “establishmenti”: Me këto deklarata Le Pen dhe Philippot kanë konfirmuar frikën e Europës nga një kandidaturë gjithnjë e më suksesshme e Donald Trump. Nëse kjo udhë e suksesit vazhdon dhe Donald Trump vërtet futet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, atëherë kjo do t’u japë një shtysë të fortë forcave populiste në Europë, shkruan gazeta franceze “Le Monde”. Mund të pritet që populizmi i tipit Trump të zëvendësojë kulturën politike të kontintentit të vjetër. Me këtë mund të shpërbëhej dhe pluralizmi politik, për të cilin ishte aq e njohur Europa në këto dhjetëvjeçarë. Sepse një populist, shkruan “Le Mond”, quan të vlefshëm vetëm programin e tij. “Një populist i vërtetë nuk kënaqet me atë që të kritikojë elitat. Sepse ai është edhe kundërshtar i pluralizmit. Ai pretendon që të jetë i vetmi, që e përfaqëson ashtu si duhet popullin autentik.”

Të kujtohet Berlusconi

Tendenca të tilla përhapen në Europë. “Populistët europianë gjithmonë kanë dyshime për procesin demokratik, që nuk sjell atë rezultat, të cilin ata e shohin si rezultatin e vetëm korrekt.” Kështu edhe Geert Wilders, që e cilëson dhomën e dytë të parlamentit holandez si “parlament fallco”, po ashtu edhe Donald Trump, kur fitoi rivali i tij republikan Ted Cruz në Iowa.

Gazetares Gloria Orrigi në gazetën “Il fatto quotidiano”, Trump i kujton manovrat e Berlusconit në fushatë. Ashtu si Berlusconi, ish-kryeministri italian dhe bosi i medias, edhe Trump kujdeset për të krijuar imazhin e një “të veçuari”, por përdor njëkohësisht të gjitha shanset që i ofron sistemi politik. “Nuk dihet se çfarë do të bëjë ai me suksesin politik që ka, sigurisht nuk ka të bëjë me atë që duan qytetarët në moment, kur ata shqiptojnë të magjepsur emrin “Trump” . Ai nuk shet gjë tjetër vetëm emrin, dhe sa më mirë ta shesë tani emrin, aq më mirë do ta shesë edhe më vonë.”

Program politik i paqartë

Vështirë të kuptosh strategji konkrete nga politika e Trumpit, shkruan edhe revista britanike “The Spectator”. “Nuk kemi asnjë ide se ç’profil do të ketë një qeveri e Trumpit”, citon kjo revistë politologun amerikan, Anthony Cordesman. Deri më tani Trump shtron kërkesa. Por në rast të fitores në zgjedhje ai duhet të qeverisë.” Do ta ulë apo do ta ngrejë Trump buxhetin ushtrarak? Kush e di këtë? Ai herë shprehet pro ngritjes së buxhetit, herë thotë të hedhë më shumë bomba në Siri, por ka raste kur shprehet edhe kundër.” Sido që të vendosë Trump, vendimet e tij kanë pasoja për Europën.

“Politikë e frikës”

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier krijoi një lloj distancimi, megjithëse pa emër, kur bëri fjalë për një “politikë të frikës” në SHBA. Shqetësimi më i madh i politikanëve europianë është kalimi i panikut edhe në kontinentin e vjetër. Gati në të gjithë Europën gjen parti që propagandojnë izolimin. Por pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në SHBA, europianët duhet të përgatiten t’i thonë lamtumirë diçkaje tjetër, shkruan “Le Monde”, lamtumirë doktrinës së Obamës. Një doktrinë që synonte vetëpërmbajtje në politikën e jashtme dhe bashkëpunim. (dw)

Kriza e imigrantëve mes Greqisë e Maqedonisë

emigrantetNë Kufirin  e Maqedonisë me Greqinë vazhdon të mbizotërojë një gjendje e rëndëuar me rreth 10 mijë imigrantë të grumbulluar nga ana greke në pritje për t’u lejuar të hyjnë në Greqi. Presidenti i Komisionit Europian Donald Tusk u bëri thirrje vendeve anëtare të BE të punojnë së bashku për zgjidhjen e krizës së imigrantëve, duke thënë se mungesa e unitetit po dëmton besimin mes tyre.

Presidenti i Komisionit Evropian paralajmëroi imigrantët se rreziku i udhëtimit në Evropë nuk ja vlen. Pas një takimi me kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras sot në Athinë, zoti Tusk u bëri thirrje imigrantëve të paligjshëm të qëndrojnë larg Evropës:

“Mos hajdeni në Evropë. Mos u besoni kontrabandistëve. Mos rrezikoni jetën dhe kursimet tuaja. Nuk ia vlen. Greqia apo çdo vend tjetër evropian nuk do të jetë më vend tranziti”, – tha zoti Tusk.

Situata në kufirin e Maqedonisë me Greqinë vazhdon të jetë e rënduar. Mijëra emigrantë presin të hyjnë në Greqi për të vazhduar më tej udhëtimin drejt vendeve të Evropës veriore. Autoritetet maqedonase lejojnë shumë pak të kalojnë.

Imigrantët thonë se autoritetet maqedonase po i kthejnë pas për shkak se dokumentet e tyre kanë një vulë nga policia greke, që nuk pranohet nga Maqedonia.

Shqetësime kanë filluar të ndjehen edhe në Shqipëri, pasi mbyllja e kufirit të Maqedonisë, mund t’i detyrojë emigrantët të kalojnë nga Shqipëria. Zyrtrja e lartë e BE Federica Mogherini pritet të diskutojë sot në mbrëmje me autoritetet shqiptare në Tiranë për çështjen e refugjatëve. Çështja e emigrantëve kërkon një zgjidhje gjithë-evropiane, tha sot ministri  i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri, në prag të një vizite në Itali ku nesër pritet të takohet me homologun italian për të diskutuar rreth rrezikut të imigrantëve:

“Ne jemi përgatitur për të gjitha. Besojmë që asnjë vend i vetëm nuk ia del dot kësaj krize, që është sa humanitare, ashtu edhe krizë reale e marrëdhënieve të shteteve tona, të vendeve tona me njerëz që ikin nga arenat e luftës. Nuk besoj se asnjë vend i vetëm nuk ia del dot, kështu që duhet bashkëpunim. Nuk ka vend për asnjë lloj alarmi. Ne jemi të përgatitur dhe mbi të gjitha po koordinojmë ngushtësisht me partnerët”.

Në kufirin e Greqisë me Maqedoninë, ndodhen rreth 10 mijë emigrantë të bllokuar.  Një grup prej tyre bllokoi sot një linjë hekurudhore për të protestuar ndaj refuzimit të Maqedonisë për t’i lejuar të vazhdojnë rrugën e tyre në Evropën Perendimore:

“Ne nuk duam asnjë tjetër, vetëm të kalojmë. Ne po ngrijmë nga të ftohtit. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz. Në këto tenda ka fëmijë. Ne erdhëm në Evropë pasi menduam se Evropa është vendi i humanizmit. Shikoni këtu. Ne jemi të rritur por shikoni fëmijët”, thotë një refugjat.

Autoritetet maqedonase kanë thënë se do të lejojnë aq imigrantë sa mund të pranojë shteti tjetër tranzit, Serbia. (voa)

Bashkëpunim Google – UNICEF për Zikën

google zikaGjiganti i teknologjisë “Google” tha se po bashkëpunon me UNICEF-in për të ndihmuar në “skicimin e hartave dhe parashikimin” e përhapjes së virusit Zika, që është e lidhur me defektet në lindje.

Një ekip vullnetar inxhinierësh, projektuesish dhe shkencëtarësh të dhënash po ndihmon UNICEF-in për të ndërtuar një platformë për të përpunuar të dhëna nga burime të ndryshme, në mënyrë që të krijohet një hartë e epidemive të mundshme.

Google deklaroi gjithashtu se po dhuron 1 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet e UNICEF-it për të luftuar sëmundjen. (voa)

Ambientalistët: Jugohromi duhet të mbyllet!

JugokromKombinati i Jugohromit duhet të ndërpres punën deri në vendosjen e filtrave, vlerësojnë ambientalistët duke komentuar rifillimin me punë të ndotësit më të madh në rajonin e Pollogut. Ata mirëpresin hartimin e projektit për vendosjen e filtrat nga Jugokromi, por e vlerësojnë si jo të plotë mëqë parasheh eliminimin e grimcave, por jo edhe të gazrave helmuese.

“Unë kisha rekomanduar se meqë tash më ekziston nisma për instalimin e filtrave, kjo punë e Jugokromit të ndërpritet dhe të mos bëhet pazarllëk i pandershëm me më tepër se 200 000 njerëzve në llogari të, e zëmë 500 apo 1000 të punësuarve apo mos themi edhe interesin e shefave të atij institucioni këtu nuk ka rrugë tjetër, ose do të eliminohet Jugohromi ose lihet me qëllim helmimi permanent i popullatës”, deklaroi Murtezan Ismaili, ambientalist.

Nga Komuna e Tetovës nuk komentojnë nisjen me punë të kombinatit, por shprehen të gatshëm për të përmbushur obligimet tjera sa i përket ndotjes së ajrit.

“Komuna e Tetovës vazhdon me ato masa që i ka votuar këshilli komunal paraprakisht, pra tanimë organet komunale sikurse ndërmarrja për pastrim dhe sektorë tjerë të komunës po punojnë në vazhdimësi për t`iu përmbajtur obligimeve dhe ingerencave që kemi si komunë, pra pastrimin e rrugëve, sistemimin e deponive të egra. Por po ashtu punojmë edhe në ndërtimin e lokacionit për ngarkim shkarkim të mbeturinave por edhe në masat afatgjate siç është ndërtimi i deponisë regjionale në Pollog”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i këshillit të komunës.

Ndotja e ajrit, përveç deponisë në Tetovë, ndodh edhe në komunën e Tearcës dhe të Brvenicës, ku si pasojë e vërshimeve të vitit të kaluar, janë formuar deponi të egra me materiale të forta si dhe mbeturina që sollën vërshimet e 3 gushtit të vitit të kaluar. Por, ndotësi kryesor sipas vlerësimeve të ekspertëve është kombinati Jugohron andaj edhe kërkojnë zgjidhjen urgjente të problemit, mbylljen e tij deri në vendosjen e filtrave kundër ndotjes së ajrit.

Bashkim Sulejmani

Der Standard: As milionat e BE-së e të SHBA-ve, nuk e ndalin korrupsionin në Kosovë

korrupsionGazeta austriake “Der Standard” ka botuar një shkrim të cilin ia ka kushtuar situatës aktuale në Kosovë.

Në këtë shkrim, thuhet se  Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin qindra miliona euro në adresë të shtetit më të ri në Evropë, por ky vend nuk po e gjen zgjidhjen e problemit sesi të dilet nga korrupsioni.

Përfaqësuesi i BE-së Samuel Zbogar i ka thënë kësaj gazete se BE-ja i ka dhënë 70 milionë euro dhe SHBA-të mbi 20 milionë për të luftuar këtë dukuri në baza vjetore, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Por, këtë ndihmë “Der Standard” e quan të pashoqe, porse pos në luftimin e korrupsionit, përshkruhet se as në aspektin ekonomik Kosova nuk po gjen dalje nga kriza.

Si shpresë për rritjen ekonomike shihet privatizimi i “Brezovicës” por edhe këtu prestigjiozja austriake shkruan se po humbet durimi.

Si shpjegim për situatën, thuhet se janë negative edhe shifrat që BE-ja  i jep për papunësinë në Kosovë, më 2014 thuhet se niveli i përgjithshëm i papunësisë ishte35 për qind  derisa sipas gazetës 65 përqind e popullatës nga 15 deri në 24 vjeçar kurrë nuk e kanë pasur një punë.

(Kosova Sot)

Ata na frikësohen sepse nuk po iu frikësohemi

VV Albin KurtiLëvizja VETËVENDOSJE! kërkoi lirimin e menjëhershëm të kryetarit Visar Ymerit. Në një konferencë ku folën deputeti Albin Kurti dhe nënkreytari Driton Çaushi u tha se gjyqësia, prokuroria dhe policia po vazhdojnë të jenë shumë aktive e të zellshme në rastet dhe proceset kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

“Sot, policia e regjimit arrestoi hiç më pak se Visar Ymerin, kryetarin e Lëvizjes sonë, deputetin më aktiv të gjithë legjislaturës së katërt në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e subjektit më të madh të opozitës së bashkuar, liderin e opozitës. Kjo është kështu e mundshme vetëm në regjimet autoritare ku shteti i kapur bëhet shtet policor. Veçse neve po na frikësohen sepse ne edhe po shtohemi edhe nuk po iu frikësohemi atyre”, tha Kurti.

Ai vazhdoi më tej duke thënë “I ashtuquajturi sistem i drejtësisë në Kosovë e ka për prioritet persekutimin e VETËVENDOSJE!-s dhe jo drejtësinë për qytetarët. Mbi 400.000 lëndë që flejnë nëpër sirtaret e atij Pallati të Padrejtësisë mund të presin, por arrestimi i Visar Ymerit, sikurse më herët edhe ai i Glauk Konjufcës, duhet bërë menjëherë dhe qysh herët në mëngjes”.

Arrestimi i kryetarit Ymeri u bë në kohën kur fjalimi i tij i fundit në Kuvend ishte kundër regjimit Mustafa-Thaçi që me zgjedhjen e këtij të fundit për president po e kapnin edhe majën e shtetit tonë. Ky persekutim ndaj Lëvizjes sonë është hakmarrje e kriminelëve të veshur me pushtet dhe uniforma për padëgjueshmërinë tonë ndaj këtyre tregtarëve që shtiren politikanë teksa bëjnë pazare me Serbinë për shtetin e Kosovës kurse pazare me Malin e Zi për territorin e shtetit.

Ndërkaq, nënkryetari Driton Çaushi tha se ky arrestim vjen në kohën e fushatës së arrestimeve të aktivistëve të Lëvizjes. “Në 6 muajt e fundit Regjimi në Kosovë ka arrestuar qindra aktivistë, dhjetra deputetë, një pjesë e të cilëve ende po mbahen nën arrest. Gjatë kësaj kohe ndaj aktivistëve është përdorur dhunë si dhe janë përdorur metoda të kualifikuara si torturë.

Së fundmi, në kuadër të kësaj fushate janë arrestuar Sekretari organizativ i LVV, Dardan Molliqaj, shefi i grupit parlamentar te LVV, Glauk Konjufca dhe Drejtuesi i Sekretariatit për Media, Frashër Krasniqi. Sot në mëngjes policia arrestoi edhe Kryetarin e LVV, Visar Ymerin”, tha Çaushi gjatë kësaj konference.

Ne kërkojmë lirimin urgjent të Visar Ymerit dhe braktisjen e këtij persekutimi ndaj tij dhe aktivistëve e deputetëve të tjerë opozitarë. Nuk mund të na gjykojnë ata që do të duhej të ishin në burg për paligjshmërinë e papërgjegjësinë e tyre, për nënshtrimin e tyre ndaj regjimit autoritar dhe shërbimin që po ia bëjnë shtetit policor. Nuk ka ligj të drejtë pa demokraci në shtet. Neve na duhet ndihma sa më e gjerë e qytetarëve për të sjellë demokraci në Kosovë. Kurrë nuk kemi qenë më të fortë e më të fuqishëm se tash.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
2 mars 2016

“Mbi 90 mijë shqiptarë u shpërngulën nga Maqedonia”

zgjedhje fyromMbi 90 mijë shqiptarë janë shpërngulur nga Maqedonia, shkruan sot gazeta “Dnevnik”, duke cituar burime të KSHZ-së, e cila ka nisur verifikimin e të dhënave të MPB-së dhe krahasimin e tyre me të dhënat e institucioneve të tjera.

Sipas kësaj gazete, bëhet fjalë për 100 mijë banorë, prej të cilëve siç thuhet 90 mijë janë shqiptarë. Por nuk dihet se cila është tendenca e shkrimit të kësaj gazete për të problematizuar numrin e elektoratit shqiptar në Maqedoni, që do të dalë shumë i madh dhe do të rrezikojë përqindjen e votuesve të komunitetit maqedonas.

 / INA /