Ndotja në Shkumbin, mbetjet urbane shkarkohen në lumenj

mbeturinat shkumbiniNdotja katastrofike që ka përfshirë brigjet e lumenjve në vend, burimin kryesor e ka tek vendet e papërshtatshme që përdorin bashkitë për grumbullimin e mbetjeve urbane.

Zakonisht këto vende ndodhen përgjatë brigjeve të lumenjve duke bërë që prurjet e lumit të marrin me vete gjithçka gjejnë.

“Në pamje të parë Bashkia e Librazhdit duket sikur ka bërë zgjedhjen e duhur duke i grumbulluar mbetjet larg shtratit të lumit. Prej disa vitesh ato depozitohen në shtratin e këtij përroi i cili gjithësesi i përcjell drejt lumit Shkumbin. Pas zgjidhjes së problemit të mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit, ky duket së është burimi kryesor i ndotjes së lumit Shkumbin, ndërsa situata bëhet edhe më e rëndë për shkak se këtu grumbullohen edhe mbetje spitalore”, raporton korrespondentja e Top Channel, Bruna Kërçuku.

“Unë e kam kundërshtuar dhe kur isha kryetar i komunës Qendër, se këto mbetje hidhen në territorin e ish komunës. Janë menduar disa variante. Një nga variantet është transporti drejt Elbasanit,në landfillin që është ndërtuar. Por pse jo, ne po hartojmë dhe një projekt tjetër që do të jetë në territorin e bashkisë së re Librazhd”, thotë Enver Shkurti, nënkryetar i Bashkisë Librazhd.

E gjithe kjo ndotje largohet me rrjedhën e lumit, por ajo ka shkatërruar tërësisht bregdetin. Çdo mbetje destinacionin e fundit ka plazhet shqiptare.

/ Top Channel

Një komunë e re serbe, për zgjedhjen e Thaçit?

Serbia thaciBashkësia serbe në Kosovë mund ta krijojë edhe një komunë të re me shumicë serbe, të njëmbëdhjetën me radhë.

Nenad Rashiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje.

Në këtë kontekst, katër fshatrat : Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, do të mund të formonin komunën e re. Këto fshatra aktualisht i takojnë komunës së Vushtrrisë dhe komunës së Obiliqit.

Megjithatë, Rashiq mohon se një gjë e tillë ka qenë kusht nga Lista Serbe për të dhënë mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen eHashim Thaçit president i ri i Kosovës.

Sipas tij, kjo më shumë ishte një lloj kompromisi rreth kësaj, siç e ka quajtur, ideje të vjetër, e cila është ringjallur tash.

“Ditëve të fundit kemi intensifikuar disa kontakte dhe për shkak të një nisme të vendosur dhe të pjekur, kemi arritur deri aty që kjo nismë mund të jetë e realizueshme. Sipas procedurës, kjo fillimisht duhet të miratohet në qeveri si propozim e më pas edhe në Kuvend. Mendoj se kjo nuk do të duhej të paraqiste ndonjë problem, për shkak se fuqia politike nuk do të ndryshonte e as interesat e shumicës shqiptare nuk do të cenoheshin”, ka theksuar Rashiq..

Ai ka shtuar që në rast se ekziston vullneti i mirë, një gjë e tillë do të mund të realizohej deri në fund të këtij viti.

Se a kanë votuar ose jo dhjetë deputetët e Listës Serbe për Thaçin, kjo mbetet ende e panjohur, duke pasur parasysh që votimi ka qenë i fshehtë, por e sigurt është që prania e tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës, e ka mundësuar kuorumin për zgjedhjen e Thaçit president të ri të Kosovës.

Një nga njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, vlerëson se në rast që zgjedhja e Thaçit ka kaluar pa ndonjë kusht apo marrëveshje, atëherë Lista Serbe ka probleme të mëdha dhe do të ndëshkohet nga votuesit e saj.

“Do të ishte krejtësisht e papranueshme në rast se nuk janë marrë vesh dhe që pa ndonjë kusht kanë marrë pjesë në zgjedhjen e tij. Ajo komunë e re nuk është asgjë e re, sepse është nismë e mëhershme. Por, nëse ndodhë, gjithsesi që është hap pozitiv”.

“Prandaj, për këtë shkak, mendoj që serbët është dashur të kenë kushte mjaft të qarta dhe ato në fund t’ua dëshmojnë votuesve, gjegjësisht, popullit të vet, që ai ta di se cilat janë kushtet dhe pse u është dashur t’i japin votim e tyre Hashim Thaçit”, ka theksuar Nojkiq.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që për një kohë të shkurtë të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që sipas tij është dashur të ndodhë deri më tash, por edhe marrëveshjet tjera si telekomi, etj.

Petar Miletiq, ish nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nuk pret shumë nga presidenti i ri i zgjedhur, Thaçi, kur bëhet fjalë për bashkësinë serbe. Kjo, sipas tij, para së gjithash, për shkak se funksioni i presidentit nuk ka mjaftueshëm pushtet ekzekutiv.

Ai, megjithatë, dyshon se Lista Serbe ka arritur ta imponoj agjendën e vet, “ashtu sikurse nuk ka pasur sukses as më herët, atëherë kur mbështetja e tyre në Kuvend ka qenë e nevojshme”.

Sipas tij, çështja e komunës së re, mund të jetë vetëm një dëshirë.

“Lista Serbe ia mundësoi zgjedhjen Thaçit. Se a kanë ndonjë marrëveshje apo jo, unë thjeshtë, dyshoj, duke pasur parasysh që i njoh mirë zhvillimet. Mbase, siç kanë thënë edhe ata vet, është për stabilizimin e zhvillimeve në Kosovë”.

“Në këtë moment, as ajo që është nënshkruar në Bruksel dhe që qëndron në dokumentet e Brukselit, madje as ajo në Kushtetutën apo ligjet e Kosovës, kur kjo nuk respektohet, kam frikë se kjo është vetëm ëndërr dhe nuk ndodhë diçka që nuk ekziston në letër”, ka thënë Miletiq.

Në Kosovë, tashmë ekzistojnë 10 komuna me shumicë serbe, prej të cilave 5 janë formuar me procesin e decentralizimit. Në pjesën veriore të lumit Ibër, janë 4 komuna, ndërkaq, 6 të tjera janë në pjesën jugore.

Pushteti i decentralizuar është krijuar në bazë të Dokumentit të Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. (rel)

Loja cinike me refugjatët

Në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë po mbretëron një gjendje shumë e rëndë e refugjatëve. Njerëzit po poshtërohen në mënyrën më të vrazhdtë. Politika cinike duhet të ndërpritet menjëherë, analizon Bernd Riegert.

stop refugjatetBE ka dalë gjithmonë më i fortë nga krizat. BE ka gjetur zgjidhje dhe ka bërë kompromise vetëm kur është shtuar presioni, në momentin e fundit. Me marrëveshjet e fundit mes Austrisë dhe vendeve të Ballkanit për refugjatët, ato kanë shtuar jashtëzakonisht presionin ndaj Greqisë, që më në fund të veprojë. Njëkohësisht shihen edhe pamje të tmerrshme të refugjatëve, të cilët përpiqen me dhunë të kalojnë gjembat mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ndërsa policia përdor gazin lotsjellës për t’i shpërndarë ata. Kjo i detyron presidentët dhe kryeministrat e BE që edhe njëherë të përpiqen në samitin e 7 marsit të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkon një zgjidhje evropiane, por është e qartë që deri më 7 mars situata në Greqi do të ashpërsohet më shumë.

Qeveria e Austrisë do të donte që me pamjet e refugjatëve dhe migrantëve të rrethuar t’i frikësojë ata që të mos nisen nga Siria, Iraku, Afganistani. Por harrohet se në kufirin me Greqinë, në Athinë apo në ishujt e atjeshëm ka njerëz që vuajnë shumë nga kjo gjendje dhe varen nga vendimet e BE. Kjo është një politikë cinike, e cila duhet të ndërpritet menjëherë.

Dëmtimi i Greqisë nuk është zgjidhje e mirë

Problemi nuk mund të zgjidhet duke e hedhur atë mbi Greqinë. Greqia nuk guxon të lihet në baltë, tha edhe kancelarja Angela Merkel, në një interivstë të dielën. Por pikërisht kjo po ndodhë Një alternativë tjetër Evropa ende nuk e ka treguar. Ministri austriak i Mbrojtjes i ka sugjeruar kancelares Merkel që t’i transportojë refugjatët nga Greqia në Mynih. Kjo tregon qartë se fati i njerëzve është shndërruar në një mjet për presione politike. Kjo është thjesht e paturpshme.

Po çfarë duhet të bëj Greqia? A thua duhet të dështojë totalisht? Kryeministri grek Alexis Tsipras ka kërcënuar me bllokadën e vendimeve të BE. As vendet e Mesdheut nuk duhet të tregojnë me gisht në drejtim të Greqisë. Ka 15 vite që migrantët dhe refugjatët jetojnë në Calais në kampe. Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë gjetur deri tani një zgjidhje, veçse ngritjes së mureve dhe gjembave. Natyrisht që Calais është një dramë shumë më e vogël në krahasim me Greqinë. Por edhe ky vend mbetet një njollë në politikën ndaj refugjatëve.

Humaniteti nuk merret parasyshë

Politikbërje në kurriz të refugjatëve kemi edhe në Maqedoni, Greqi, Francë dhe në shumë vende të Evropës. Dhe kjo duhet të ndërpritet. Komisioneri i lartë i OKB për refugjatë ka kritikuar BE-në për provokimin e një gjendje katastrofale në Greqi dhe për këtë BE mban një pjesë të fajit. Këtu nuk ke çfarë të shtosh.

Nga samiti mund të presësh shumë. Por njerëzit kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm. A thua duhet të ketë sërisht ë vdekur për të treguar më shumë gatishmëri veprimi. Refugjatët edhe ashtu nuk mund të mbahen mbyllur në Greqi për një kohë tepër të gjatë. Ata do të gjejnë rrugë të reja nëpër Bullgari, Shqipëri, Egjip, Libi apo Itali. Shresa që problemi të zgjidhet me një marrëveshje me Turqinë të mashtron. Pa një ofertë evropiane, për të marrë refugjatët drejt nga Turqia, as Ankaraja nuk ka kurrfarë shkaku për bashkëpunim dhe mbylljen e kufirit me BE. (dw)

Clinton, Trump fitues në zgjedhjet e Super së Martës

Kandidatja demokrate për president Hillary Clinton ka fituar në 5 shtete jugore, sipas parashikimeve të medias, duke mundur rivalin  saj, Bernie Sanders, në zgjedhjet e Super të Martës, në ditën më të rëndësishme të votimeve paraprake.

Ish Sekretarja e Shtetit Clinton, parashikohet të ketë fituar në  shtetet Alabama, Arkansa, Xhorxhia, Tenësi dhe  Virxhinia, si dhe në Teksas, sipas anketave në mbyllje të votimeve në këto shtete. Deri tani kandidati Sanders, i etiketuar si socialist demokrat, pritet të ketë fituar vetëm në shtetin e tij, Vermont.

Në kampin republikan, biznesmeni republikan, Donald Trump, parashikohet të ketë fituar në Alabama, Xhorxhia, Masaçusets, Tenësi dhe Virxhina, duke çimentuar më tej statusin e tij si kandidat republikan për president.

Senatori nga Teksasi Ted Cruz ka fituar në shtetin e tij si dhe në Oklahoma.

Trump dhe Clinton priteshin të fitonin në parapraket e Super të Martës, gjatë të cilave do të përcaktohen një-e-katërta e votave të nevojshme për të fituar emërimin nga partitë përkatëse si kandidatë për president.

Duke folur para një grupi të madh përkrahësish në shtetin e tij të Vermontit, Sanders tingëlloi optimist.

“Kjo fushatë, siç mund ta dini ju të gjithë, nuk është thjesht për të zgjedhur një president, por për të transformuar Amerikën. Ajo është për ta bërë vendin tonë një vend të madh, ashtu siç ai ka mundësi të bëhet.

Duhet ta ndalojmë Trump-in. Ndoshta nuk do t’ia arrijmë, por nuk dua ta shoh Trump-in në garë“, thotë një votuese. “Më pëlqen Kasich, ai është më pak ideologjik se gjithë të tjerët.”

Anketat

Super e Marta është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve paraprake amerikane, kur përcaktohen 25 për qind e delegatëve që kandidatët duhet të sigurojnë për të fituar emërimin e partisë si kandidat për president.

Anketat lënë të kuptohet se Donald Trump, miliarderi republikan, mund të fitojë në 10 nga 11 shtetet në votimet  e së martës.

Pretendenti tjetër republikan, Senatori i Floridës Marco Rubio, synon të sigurojë fitoren e tij të parë në një shtet.

Në kampin demokrat, Clinton kryeson në anketa ndaj rivalit Sanders, në shumicën e 11 shteteve.

Gjatë ditës së djeshme, Trump i bëri thirrje rivalit  Rubio të tërhiqej nga gara në se nuk arrinte të fitonte në një shtet të vetëm.

Rubio vazhdoi ta godiste kandidatin Trump, duke theksuar se “Trump përfaqëson një rrezik real për të ardhmen e partisë dhe të vendit”.

Rubio ka thënë se do të qëndrojë në garë deri në kuvendin e partisë në muajin korrik, kur vendoset kandidati zyrtar dhe shpreson të fitojë në shtetin e tij të Floridas, gjatë zgjedhjeve paraprake më 15 mars, ku sipas rregullave të votimit në këtë shtet, fituesi i merr të gjitha votat.

Zgjedhjet presidenciale

Duke shpresuar të jenë kandidatët zyrtarë, që do të përballen në zgjedhjet e 8 nëntorit, Trump dhe Clinton kanë filluar të shkëmbejë akuza ndaj njeri tjetrit qysh tani.

Trump tha gjatë një takimi në Ohajo se, “Clinton nuk ka as fuqinë as vendosmërinë të jetë presidente”.

Clinton tha se Trump, me komentet e tij të shpeshta negative ndaj kundërshtarëve dhe ndaj kolegëve të tij republikanë, “po zhvillon një fushatë të bazuar në fyerje”, të papranueshme për një fushatë presidenciale.

Sipas një ankete të fundit të rrjetit NBC, të martën, Trump gëzon  40 për qind mbështetje mes votuesve të regjistruar si republikanë, Rubio gëzon 21 për qind dhe Cruz 18 për qind.

Në frontin demokrat, sipas të njejtës anketë, Clinton gëzon 51 për qind, ndaj 41 për qind të kandidatit Sanders.

Cruz paralajmëroi se “treni i Trump-it” nuk mund të ndalet në se ai arrin fitore të madhe të martën. (voa)

Byroja, miratimi me Reformën në Drejtësi

Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, struktura e re e hetimit pritet të jetë në varësi të Prokurorisë speciale antikorrupsion.

byrojaNë Shqipëri, burime të parlamentit i thanë Zërit të Amerikës së Byroja Kombëtare e Hetimit do të shqyrtohet nga Komisioni i Reformës në Drejtësi së bashku me paketën e ndryshimeve kushtetuese. Ashtu sic ishte paralajmëruar disa javë më parë nga Zëri i Amerikës, Byroja pritet të jetë në varësi të Prokurorisë speciale antikorrupsion, në rolin e një policie gjyqësore. Për krijimin e saj në fillim të shkurtit pati një debat të zjarrtë, të nxitur nga opozita sipas së cilës, shumica po zvarriste aprovimin e kësaj strukture, pavarësisht së ekzistonte një projekt i hartuar me asistencën amerikane, e për të cilën palët kishin rënë dakort.

Fillimisht kryeministri Edi Rama, deklaroi në parlament më 4 shkurt se projekti do i kalonte Komisionit të Reformës për të parë nëse duhej pritur apo jo paketa e ndryshimeve kushtetuese. Por 6 ditë më vonë, papritur ai miratoi projektin në qeveri, një lëvizje që duket se ishte më tepër një përgjigje ndaj opozitës. Kjo e fundit e kundërshtoi duke këmbëngulur më pas se do të jepte mbështetjen e saj vetëm nëse do të ishte në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.Në të vërtetë, Komisioni i Venecias nuk është marrë fare me këtë strukturë, por vetëm me Prokurorinë special antikorrupsion.

Tanimë, Komisioni i Reformës, do të duhet të rishikojë projektin e Qeverisë, për të përshtatur varësinë e Byrosë, direkt nga Prokuroria special antikorrupsion. Në të njejtën kohë, duhet që të ndërhyhet edhe në Kodin e Procedurës penale, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi variantin e parë të Byrosë, kërkon që kjo strukturë të parashikohet dhe në këtë Kod, i cili që prej afër dy vjetësh i është nënshtruar një rishikimi nga ana e ministrisë së Drejtësisë, e cila ende nuk e ka përmbyllur punën e saj. (voa)

Bill Gates kryeson listën e miliarderëve

Bill GatesRevista “Forbes” botoi listën e miliarderëve të botës, e cila këtë vit është pak më e shkurtër se vitin e kaluar.

Lista kryesohet nga themeluesi i kompanisë “Microsoft”, Bill Gates, pasuria e të cilit në mesin e shkurtit kishte vlerën neto prej 75 miliardë dollarësh.

Në vend të dytë është spanjolli Amancio Ortega, me pasurinë me vlerën e 67 miliardë dollarëve. Ai e ka vënë pasurinë me biznesin e tij në industrinë e veshjeve; Ortega është edhe themeluesi i firmës Zara, që ka dyqane në vende të ndryshme të botës.

Investitori amerikan Warren Buffet është i treti në listën e më të pasurve të botës, me një pasuri me vlerën neto 60.8 miliardë dollarë.

Gruaja më e pasur e botës është Liliane Bettencourt, themeluesja e kompanisë së prodhimeve kozmetike L’Oreal. Ajo ka 36,1 miliardë dollarë.

Miliarderët janë ndarë edhe sipas moshës. Miliarderi më i ri është investitorja norvegjeze Alexandra Andresen, e cila në moshën 19-vjeçare ka 1,2 miliardë dollarë. Në mesin e 1,810 më të pasurve të botës ajo është në vendin e 1,476.

Ndërsa miliarderi më i vjetër është David Rockefeller Sr., që e ka vënë pasurinë me biznesin e tij me naftën dhe bankat. Në moshën 100 vjeçare ai ka një pasuri me vlerën e 3 miliardë dollarëve dhe renditet në vendin 569 në listë.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi me numrin më të madh të miliarderëve, 540 të tillë.

Kina renditet në vend të dytë, me 251 miliarderë.

Invesitori amerikan në fushën e pasurive të patundshme Donald Trump, një figurë dominante në politikën amerikane të këtij viti, si pjesëmarrës i rëndësishëm në garën presidencaile, është në vendin 324 të listës së personave më të pasur të botës. Sipas revistës Forbes ai ka një pasuri me vlerën neto 4,5 miliardë dollarë. (voa)

Kriza e refugjatëve: Maqedonia mbrohet, Greqia dëshpërohet

refugjatetGjendje e tensionuar në kufirin greko-maqedonas. Pas shkallëzimit të situatës të hënën, Greqia përgatitet për një grumbullim masiv refugjatësh në ditët e ardhshme, deri në 100.000 vetë. Steinmeier për zgjidhje europiane.

E hëna (29.02) ishte një ditë e trishtë për Europën që ende nuk po gjen një zgjidhje të përbashkët në krizën e refugjatëve. Qindra refugjatë u përpoqën të hënën në Idomeni të thyenin barrierat në kufirin greko-maqedonas. Policia përdori gazin lotsjellës, situata u shkallëzua, refugjatë të lënduar lehtë, fëmijë që qanin, zemërim, thirrje “Hapni kufijtë”. Nga ana tjetër e kufirit, policia maqedonase shtoi forcat. Përpjekja e refugjatëve për të prishur gardhin me gjemba që ndan Greqinë me Maqedoninë këtë herë dështoi. Gjendja të martën (01.03) paraqitet e qetë.

Presidenti maqedonas, Gjorgji Ivanov e mbrojti veprimin e forcave maqedonase të sigurisë. “Ne kemi marrë vendimet tona. Në kohë krize çdo vend duhet të marrë vendimet e tij”, është shprehur Ivanov për revistën gjermane Spiegel Online (29.02). Sipas Ivanov po qe se vendi i tij do të kishte pritur për urdhrat e BE-së, “Maqedonia do të ishte përmbytur me refugjatë”. Presidenti maqedonas i lidh vendimet e vendit të tij me bashkëpunimin në rajon. “Gjithmonë nëse një vend më në veri i mbyll kufijtë, atëherë edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë.”

Steinmeier: Duhet zgjidhje europiane për refugjatët

Pamjet nga kufiri greko-maqedonas kanë sjellë edhe reagime në Gjermani. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier është shprehur se “pamjet janë prova për atë se vërtet bëhen përpjekje për veprime të veçuara kombëtare, por ato nuk të çojnë tek zgjidhja. Tani duhet vepruar me shumë intensitet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta europiane.” Edhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras është shprehur se Athina do të mbështesë në samitin e 7 marsit BE-Turqi në Bruksel vetëm një zgjidhje europiane dhe një shpërndarje të drejtë të refugjatëve brenda BE-së.

Maqedonia praktikisht e ka mbyllur kufirin, ky vend lejon vetëm pak qindra refugjatë në ditë të kalojnë kufirin, vetëm refugjatë sirianë dhe irakianë. Edhe vendet e tjera ballkanike përgjatë itinerarit kanë vendosur kontigjente ditore. Më shumë se 580 njerëz në ditë nuk lejon as Serbia, Kroacia e Sllovenia. Kjo bën që të rritet bllokada në Greqi, ku mijëra vetë presin të kalojnë kufirin për t’u ngjitur në veri. “7000 vetë para meje presin Më duhet të pres, kjo është një jetë e tmerrshme”, thotë një refugjat irakian.”

100.000 refugjatë në Greqi në ditët e ardhshme

Ndërkohë mediat greke duke u bazuar në njoftimet e rojes bregdetare greke, bëjnë të ditur të martën (01.03) se në portin grek të Pireut priten sërish të vijnë 1000 refugjatë, ndërkohë që në kufirin greko-maqedonas presin më shumë se 8.000 vetë. Ushtria greke po punon me intensitet të lartë për ngritjen e kampeve të reja të pranimit të refugjatëve.Nëse Austria e arrin kufirin maksimal që ka vendosur atëherë kjo nënkupton mbyllje të itinerarit ballkanik dhe grumbullim masiv të refugjatëve në Greqi, prandaj ushtria po ngre 7 kampe të rinj për 20.000 vetë.

Athina ndërkohë ka kërkuar 470 milionë euro ndihmë tek Bashkimi Europian për refugjatët. Qeveria greke llogarit me atë që mbyllja e kufirit me Maqedoninë do të bëjë që në ditët e ardhshme të rritet deri në 100.000 numri i refugjatëve në Greqi. Për të përballuar këtë sfidë të re, duhen rreth 8.200 policë dhe punonjës civilë grekë që të regjistrojnë dhe ofrojnë kujdesin e parë për refugjatët. (dw)

Intervistë me drejtuesin e Vetvendosjes Visar Ymeri

Visar VVKryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës është përshkuar me ndërhyrje e shantazhe ndaj deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke ritheksuar kundërshtimin e kësaj lëvizjeje ndaj zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit, zoti Ymeri në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, hedh dyshimet për lëshime të reja ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb nga ana e koalicionit qeverisës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri, Kosova u bë me president të zgjedhur në një periudhë krize politike dhe përkundër kundërshtimeve tuaja. Megjithatë, a ka ndonjë rrugë që të bashkëpunoni me të për tejkalimin e situatës aktuale?

Visa Ymeri: Së pari, mënyra se si është zgjedhur presidenti është absolutisht e papranueshme. Ne e kemi thënë vazhdimisht se këto institucione qendrore lëngojnë për nga legjitimiteti demokratik, veçanërisht pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, se si kjo qeveri udhëhiqet nga dy njerëz të cilët e kanë shkelë kushtetutën duke e kërcënuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit. Dhe në këtë drejtim, konsiderojmë që kjo maskaradë që e pamë të premten, të këtij që po e quajmë proces të zgjedhjes së presidentit, është bërë nga një institucion, së pari me legjitimitet të cunguar, e në anën tjetër edhe vet procesi ka qenë proces i cili është lehtë i kontestueshëm, duke pasur parasysh mënyrën se si është trajtuar çështja. Pra, në njërën anë me intervenim karshi deputetëve të opozitës, intervenim ky brutal që na tërhoqi zvarrë nga salla përmes policisë dhe në anën tjetër edhe për nga shantazhi, kërcënimet dhe në përgjithësi ato pauzat që shfrytëzoheshin për t’ua ndryshuar mendjen deputetëve të cilët siç u pa, në fazën e parë të votimit nuk ishin për ta zgjedhur këtë person president të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk e legjitimuat ju në njëfarë mënyrë me faktin që kishit anëtarin tuaj, anëtar të komisionit të votimeve?

Visa Ymeri: Jo, në fakt prania e deputetit Ilir Deda, ka qenë vetëm sa për ta vështruar procesin në mënyrë që të pamundësohen keqpërdorimet procedurale në sallën e kuvendit, për të cilat natyrisht kishim dyshime. Ndërkohë që në anën tjetër dihet që kuorumi është ai që numërohet në kutitë e votimit dhe jo prania në sallë në rastin e zgjedhjes së presidentit dhe e keni parë që fletëvotime kanë qenë 81, ndërkohë që deputetët në sallë kanë qenë 82. Pra nuk është llogaritur kjo si pjesë e kuorumit. Në anën tjetër ne e kemi parë vazhdimisht dhe ka pasur madje edhe në publik zëra që flisnin për shantazhin që po ushtrohet karshi deputetëve nga kreu i LDK-së veçanërisht, i cili është përgjegjësi kryesor për mendimin tonë, që i mundësoi zgjedhjen Thaçit president të Republikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ymeri, por ai kishte një marrëveshje politike të cilës nuk mund t’i shmangej?

Visar Ymeri: Po, sidoqoftë, cilado që të ketë qenë tash arsyetimi i LDK-së ose i Isa Mustafës në këtë rast, mendoj që duhet të etablohet si e vërtetë e pakontestueshme se ishte Isa Mustafa që i mundësoi Thaçit zgjedhjen si president. Duhet të kemi parasysh që këtu jo vetëm që është zgjedhur një person president, ose përmes kësaj procedure që e kapi majën e shtetit në njëfarë mënyre, por duhet ta kemi parasysh po ashtu, që është folur për një kohë të gjatë rreth kësaj çështjeje që ka një tendencë të vazhdueshme për blerjen e votave të deputetëve. Gjë që u pa që edhe ka ndodhur. Pra, një pjesë e deputetëve që kanë ndërruar mendje jo vetëm ditën e votimit por edhe para saj. Dhe në këtë drejtim konsideroj që këtu është ngritur në një nivel më të lartë kjo blerja e votës, që e kemi parë të ndodhë në proceset elektorale në Kosovë. Kjo e ka vendosur në krye të shtetit një person i cili është i dyshuar për krime të shumta të pasluftës, pra të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të cilin mbetet një prej personave kryesor, që i bie se praktikisht sot  Kosova në krye të vendit e ka një njeri të korruptuar dhe njeri të përfshirë në krimin e organizuar, në uzurpimin e pronës dhe në afera të tjera të kriminalizuara dhe në këtë drejtim, bashkëpjesëmarrës në këtë krim është bërë edhe Isa Mustafa përmes mundësimit të kontrabandimit të Hashim Thaçit si president i Kosovës. Kjo, praktikisht e sjell Kosovën në një situatë jashtëzakonisht të vështirë për procesin demokratik, sepse këtu demokracia është shndërruar jo në vullnet politik edhe në fuqi të votës, por në fuqi blerëse.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk ishte fuqia e votës që vendosi në parlament kësaj radhe. Koalicioni i kishte votat?

Visar Ymeri: Po, kjo votë ishte e ndërmjetësuar me para. Mendoj që njëra prej mekanizmave që e ka mundësuar këtë votë, ka qenë edhe paraja, blerja e votave, tjetra ka qenë kërcënimi dhe shantazhi dhe për të gjitha këto është folur edhe publikisht edhe pse nuk ka konfirmime, sepse, natyrisht që ata persona nuk do ta konfirmojnë mbase kurrë. Por, ka material të bollshëm për ta dyshuar një ndërhyrje të tillë. Pra, nuk ka kurrfarë logjike, mendoj unë dhe nuk ka se si të arsyetohet ndryshimi prej 50 votave në raundin e parë deri në 71 vota në raundin e dytë. 21 deputetë u bindën për gjysmë ore që Hashim Thaçi qenka personi i duhur për të qenë president, kur nuk ishin bindur për gjithë këto vite, mendoj se kjo vetvetiu e shpjegon se çfarë ka ndodhur atë ditë në kuvend.

Zëri i Amerikës: Ju e keni lënë të hapur mundësinë që ta kontestoni zgjedhjen e zotit Thaçi në Gjykatën Kushtetuese. Mbi çfarë baze?

Visar Ymeri: Po, këtë jemi duke e shqyrtuar dhe jemi në konsultim edhe me dy subjektet tjera opozitare edhe me ekspertët kushtetues e juridik, jo vetëm brenda subjekteve, por edhe jashtë në mënyrë që ta shqyrtojmë mundësinë nëse ka bazë dhe nëse kjo është e mundur që kjo të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Zgjedhja e zotit Thaçi në postin e presidentit mund të krijojë një situatë të re në skenën politike ku partitë identifikohen kryesisht me udhëheqësit e tyre. Sa krijon hapësirë për ju kjo situatë?

Visar Ymeri: Kauza e opozitës së bashkuar është kauzë e cila është jashtëzakonisht e madhe dhe e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Dhe në këtë kauzë kemi pasur, si të them kështu, etapa të ndryshme në të cilat kundërshtimi ynë ka qenë i bazuar edhe në rrethanat edhe në domosdonë e të vepruarit. Ne do të jemi të vendosur në kauzën tonë, pra për ta pamundësuar në njërën anë bosnjëzimin e Kosovës dhe në anën tjetër për të pamundësuar cungimin e integritetit territorial të vendit. Por, kjo kauzë natyrisht që në rrugëtimin e saj i ka edhe kundërshtimet ndaj proceseve tjera që janë të ndërlidhura me këto dy çështje. Për shembull ju e keni parë se çfarë reagimi ka pasur ta zëmë Lista serbe dhe padroni politik i kësaj liste që është (Aleksandër) Vuçiçi karshi kësaj zgjedhjeje por edhe (Ivica) Daçiçi, i cili tha se tash pozita jonë në Kosovë vetëm sa është forcuar. Ndërkohë që janë paraqitur disa kushte për të cilat as nuk ka pasur pohim as mohim dhe të cilat supozohet që mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje të re në mes të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës me Listën serbe, për ta kushtëzuar qëndrimin e tyre në sallë. Duhet ta kemi parasysh një gjë: Hashim Thaçit ju mundësua që të votohet për president me praninë e Listës serbe aty.

Zëri i Amerikës: Po ishte pjesë e marrëveshjes së koalicionit zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Në fakt, marrëveshja e koalicionit që është bërë, marrëveshja e Rashkës, që e ka marrë emrin, aty Lista serbe me koalicionin tashmë të arritur mes PDK-së dhe LDK-së, ishin marrë vesh për modalitetin dhe kohën e themelimit të “zajednicës”  së komunave me shumicë serbe. Ndërkohë që tash, prap po flitet për një rikonfirmim të zotimit të këtyre dy personave për ta themeluar këtë zajednicë. Dhe kjo bie ndesh drejtpërsëdrejti, jo vetëm me interesin dhe sovranitetin e vendit, por tash edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, që zajednicën praktikisht e shpalli të vdekur, duke e shndërruar atë në një organizatë joqeveritare.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të ndalem tek kjo. Mendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe gatishmëria e Podgoricës zyrtare për të ri diskutuar çështjen e demarkacionit  a nuk ishin “momentume” të reja politike që nuk i shfrytëzuat ju si opozitë për t’i zgjidhur çështjet brenda institucioneve që është kërkesë edhe faktorit ndërkombëtarë drejtuar juve?

Visar Ymeri: Në të vërtetë ky ka qenë një momentum i rëndësishëm politik në të cilin qeveria e Republikës së Kosovës është dashur që të reflektojë. Pra, në të dyja këto raste, veçanërisht karshi aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku etablohet se zajednica nuk mund të themelohet sipas marrëveshjes së 25 gushtit, po që besa nuk mund të themelohet as sipas disa prej pikave të marrëveshjes së 18 prillit të vitit 2013, ka qenë një moment i jashtëzakonshëm që qeveria e Kosovës si nënshkrues e kësaj marrëveshjeje ta bëj një hap prapa në insistimin e saj për ta zbatuar marrëveshjen.

Zëri i Amerikës: Nëse ishte moment i mirë që ata të tërhiqeshin, siç thatë ju, një hap prapa, a nuk ishte moment i mirë që ju të bënit një hap para, por brenda institucioneve?

Visar Ymeri: Po, shihe, në periudhën në të cilën jemi dhe në të cilën kemi qenë që prej fillimit të vitit, duhet ta kuptojmë një gjë: është qeveria ajo e cila është zënë në flagrancë. Dhe është qeveria ajo e cila do të duhej të marr vendime në përputhje me vullnetin politik të qytetarëve, interesat shtetërore të Republikës së Kosovës dhe bazën juridike të kësaj republike. Asnjërën prej këtyre nuk e ka bërë qeveria e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim mendoj se nuk është këtu çështja e një lloj kompromisi, siç po quhen, të dyja palët, por është çështja e vendimeve nga ekzekutivi, në mënyrë që demokracisë së brishtë në Kosovë sadopak t’i kthehet një shpresë.

Zëri i Amerikës: Dhe ju zgjodhët metoda më të dhunshme për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokracinë në Kosovë. A janë demokratike këto mjete zoti Ymeri?

Visar Ymeri: Veprimi jonë si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka qenë në përputhje me betimin tonë. Pra, betimi i secilit deputet të kuvendit i thotë pak a shumë, këto fjalë: zotohem që do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kjo i bie se do ta mbrojë në çdo rast, sa herë që kërcënohet nga kushdo që kërcënohet. Aty nuk flitet aspak për metodat. Tash, e di që metodat që i kemi përdorur, veçanërisht brenda kuvendit të Republikës së Kosovës, disa herë janë problematizuar, qoftë nga opinioni publik i brendshëm, qoftë jashtë Republikës së Kosovës, si metoda jo konvencionale të veprimit institucional. Mirëpo, duhet të kemi parasysh që ne nuk veprojmë në rrethana konvencionale edhe të zakonshme demokratike. Pra, ju e keni parë që në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për një kohë të gjatë janë diskutuar këto dy çështje: edhe zajednica edhe demarkacioni në anën tjetër. Disa herë kuvendi edhe ka nxjerrë rezoluta për këto çështje. Të gjitha këto janë shpërfillur nga institucionet e Kosovës.  Dhe opozita e bashkuar ka qenë e detyruar që të ndërmarrë këto masa në mbrojtje të republikës, sepse nuk kishte mundësi tjetër që të mbrohet republika nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, të cilët ishin të vendosur që në marrëveshje me Vuçiçin ta cenojnë rëndë interesin e republikës dhe mundësinë e sovranizimit të saj.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk po ua paguani çmimin këtyre mjeteve, posaçërisht lëvizja Vetëvendosje por edhe opozita në përgjithësi që në një mënyrë është izoluar edhe nga faktori ndërkombëtarë për shkak të këtyre mjeteve dhe metodave?

Visar Ymeri: Mendoj që së pari kjo çështja e gazit lotsjellës është e ngutshme që të klasifikohet si metodë e dhunshme, duke pasur parasysh që gazi lotsjellës i përdorur në kuvend, ka pasur për qëllim pamundësimin e normalizimit të punës në kuvend, në ndërkohë që zajednica e abnormalizonte Republikën e Kosovës. Nuk e ka pasur për qëllim lëndimin e askujt dhe nuk ka qenë e drejtuar ndaj asnjë personi. Dhe në këtë drejtim konsideroj se kjo nuk mund të konsiderohet si dhunë. Ndërkohë që motivi, arsyeja, pse është bërë kjo, mendoj që është shumë më i lartë sesa pamja që e ka paraqitur, ta zëmë seanca e kuvendit me gazin lotsjellës, e cila natyrisht nuk është një pamje normale dhe nuk është një pamje që nuk tërheqë vëmendje.

Zëri i Amerikës: Krahas gazit lotsjellës, kemi parë në rrugë shihe me benzinë apo si njihen “koktej molotov”. A është kjo metodë e dhunshme? A jeni ju autorët dhe a është kjo rruga për ndryshimin në vend?

Visar Ymeri: Në protesta ka pasur nganjëherë edhe dalje nga skenari, në kuptimin e njerëzve të caktuar, të cilët për arsye të ndryshme, tash nuk dua t’i gjykoj,  kanë përdorur disa masa të cilat nuk kanë qenë të paramenduara. Mendoj që kjo arsyetohet, ose duhet të trajtohet nga dy perspektiva të mundshme që mund të lidhen me njëra tjetrën. Në njërën anë, duhet të kuptojmë një gjë që pushteti me mënyrën se si është sjellë veçanërisht karshi këtyre dy marrëveshjeve është shndërruar në një pushtet të dhunshëm. Ndërkohë që ky pushtet, i njëjti, shpeshherë këtë dhunë implicite edhe e ka bërë eksplicite edhe brutale, në kuptimin e ndërhyrjes ndaj protestuesve, ndërhyrjes në zyrat e subjekteve politike, në këtë rast lëvizjes Vetëvendosje, siç e keni parë me policë me armë të zhveshura dhe të armatosur deri në dhëmbë. Dhe ndërhyrja e fundit e shesh që na i konfiskoi të gjitha tendat që i kishim vendosur aty për ta organizuar protestën tonë paqësore. Në anën tjetër kemi në Kosovë një numër jashtëzakonisht të madh të njerëzve të cilët janë të mllefosur dhe të cilët po e humbin durimin me këtë gjendje që ka stagnuar tash e 16 vite pa ofruar kurrfarë mundësie të perspektivës, qoftë ekonomike, politike, sociale etj.

Zëri i Amerikës: Kjo pakënaqësi a nuk mund të shndërrohet në vota në zgjedhjet në afatet kushtetuese për të ndryshuar gjendjen, në vend të përdorimit të mjeteve të dhunshme që shpesh është thënë se janë përpjekje e Vetëvendosjes që me njëfarë revolucioni ta ndryshojë gjendjen në vend?

Visar Ymeri: Po shihe, ne kemi insistuar vazhdimisht që kjo qeveri duhet të jap dorëheqje që Kosovës t’i hapet rruga për një proces demokratik të zgjedhjeve të lira që do të prodhonin një legjitimitet të ri institucional në nivel qendror. Dhe vazhdojmë të insistojmë sepse vlerësojmë se nuk mund të flitet fare për demokraci as në Kosovë e askund tjetër, nëse në krye të saj janë njerëzit që kanë shkelur kushtetutën. Në këtë drejtim, zgjidhja e vetme në Kosovë është që zgjedhjet e reja të prodhojnë institucione të reja dhe këto institucione të reja do të prodhonin pastaj edhe vendime të reja, president të ri, qeveri të re dhe politika të reja. Mirëpo, pushteti është barrikaduar në pozicionin e vet. Për çdo herë e më shumë po e merr ne fakt epitetin e një regjimi autoritar, gjë qe e keni parë që tash po përdoret edhe në mediat ndërkombëtare si i tillë. Mendoj që është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm që qytetarët e republikës t’i dalin në mbrojtje jo vetëm republikës, por edhe hapësirës publike për pjesëmarrjen e tyre politike, që është baza e demokracisë.

Zëri i Amerikës: Kosova ato që i ka arritur i ka arritur me mbështetjen e aleatëve perëndimore posaçërisht Shtetet e Bashkuara. Duke pasur parasysh marrëdhëniet tuaja me diplomacinë euro perëndimore, si mendoni t’i bëni ndryshimet, meqë juve ju rrah emri i njerëzve që nuk janë të afërt me atë pjesë të aleatëve që kanë pasur aq shumë peshë për zhvillimet politike në Kosovë?

Visar Ymeri: Po mendoj që së pari legjitimiteti politik dhe institucional, buron nga qytetarët. Kjo është çështja më e rëndësishme dhe nëse ka një lëvizje shoqërore që kërkon ndryshime në Kosovë, atëherë natyrisht që edhe shtetet që kanë qasje miqësore karshi Kosovës e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që historikisht i kanë ndihmuar shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, mendoj që duhet të ishin dhe janë në fakt, nëse ua vëreni edhe deklarimet e tyre publike, në miqësi dhe në partneritet me popullin e Kosovës më shumë sesa me këdo në Kosovë. Në këtë drejtim mendoj që ky është ai partneriteti i shëndoshë që do të duhej ta ndërtonim. E dyta është që shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe që e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës por edhe popullin shqiptar gjatë luftës, janë shtete që natyrisht nuk do të merrnin asnjëherë pozicion që do të ishte në kundërshtim me interesat e Kosovës. Dhe në këtë drejtim në duhet ta kemi parasysh që kjo aleancë, ky partneritet që duhet ta ndërtojmë, me SHBA por edhe me vendet tjera që e kanë njohur Kosovën, do të duhej të ishte një aleancë dhe partneritet që ia mundëson Republikës së Kosovës zbatimin dhe avancimin e interesit të vet, natyrisht duke mos e dëmtuar pastaj edhe interesin e dyanshëm, por edhe si të them, kështu situatën rajonale në përgjithësi. Dhe në këtë drejtim, konsideroj që aktualisht problemi qëndron më njerëzit që i kemi në qeveri. A nuk është për shembull kërkesë e vazhdueshme e miqve tanë që të kemi një vendosmëri më të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, duhet të kemi parasysh një gjë. Kjo nuk luftohet vetëm më fjalë, nuk luftohet vetëm me konferenca. Kjo nuk luftohet vetëm me paraqitje publike të kujtdo qoftë i cili flet kundër krimit dhe korrupsionit. Krimi dhe korrupsioni në Kosovë kanë emër. Duhet t’ia vëmë emrin dhe duhet të kemi institucione të gjyqësisë së pavarur dhe të fuqishme mjaftueshëm, në mënyrë që ta luftojmë këtë krim dhe korrupsion. Është dëshmuar tashmë që me këto politika të deritashme nuk mund të avancojmë tutje. Pra, ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të politikbërjes në Kosovë dhe në anën tjetër ka nevojë për institucione të fuqishme që janë më të fuqishme sesa emrat e përveçëm brenda sistemit. Aktualisht nuk e kemi një gjë të tillë. Pra, u pa edhe në rastin e fundit që personat me pushtet politik dhe financiar në këtë rast zoti Thaçi, bëjnë çmos që të uzurpojnë një post të ri për vete dhje për këtë janë të gatshëm të shkelin çfarëdo rendi institucional dhe çfarëdo vullneti të qytetarëve, përfshirë edhe qytetarin në protestë, siç veproi policia. Kështu që në këtë drejtim të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova nëse ecën kështu do të behët një shtet që do t’i ngjasojë shumë Bosnjës. Dhe natyrisht një shtet të tillë të dështuar nuk e do askush, e nuk e donë as aleatët dhe miqtë tanë.

Opinioni i Venecias, palët të kënaqura

Reforma në Drejtësi, kryetari i Komisionit të posacëm Xhafaj: Rikonfirmoi modelet dhe zgjidhjet e propozuara. Emërimet nga parlamenti jo të kënaqin interesin politik. Opozita: Venecia pranoi shqetësimet tona për kapjen politike të sistemit

veneciasNë Shqipëri, palët politike vlerësuan me tone pozitive projekt opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias lidhur me variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese për Reformën ne Drejtësi. Pavarësisht këndëvështrimeve të ndryshme, ata shprehen dakort me rekomandimet e paraqitura dhe me nisjen e një dialogu politik për vënien e tyre në jetë. Kryetari i komisionit të posacëm parlamentar Fatmir Xhafaj theksoi megjithatë se emërimet nga parlamenti nuk duhen të mbajnë parasysh interesin politik

Projekt opinion i Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, duket se i ka lënë të gjithë të kënaqur. Të paktën për momentin, pavarësisht pjesëve të ndryshme të dokumentit, të cilave u mëshojnë, palët shprehen entuziaste. Kryetari i komisionit të posacëm parlamentar për Reformën, Fatmir Xhafaj, u shpreh se “Drafti i Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara në lidhje me reformën në drejtësi, qartësisht e pa asnjë ekuivok ka rikonfirmuar pozitivitetin e iniciativës kushtetuese për të reformuar sistemin e drejtësisë si edhe përfundimisht, ka konfirmuar strukturën institucionale me modelet dhe zgjidhjet teknike të propozuara në projektin kushtetues”.

Zoti Xhafaj theksoi se Komisioni i Venecias “ka vlerësuar pozitivisht të gjithë procesin dhe procedurën e deritanishme të përgatitjes së draftit të amendamenteve kushtetuese” si dhe “ka vlerësuar shumë pozitivisht kontributin dhe punën e të gjithë Ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe në përgjithësi të të gjithë njerëzve që janë angazhuar në këtë proces”.

Opozita ka qenë mjaft kritike ndaj procesit, dhe dërgoi një dokument me vërejtje në Venecia. Angazhimi i saj është përcaktues në miratimin e reformës, e për këtë arsye, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar disa herë kanë ndërhyrë në rolin e ndërmjetësit. Edhe sot ishte ambasadori amerikan Donald Lu dhe shefi i zyrës së Opdat-it të cilët i dorëzuan drejtuesve të Partisë Demokratike projekt opinionin përfundimtar. Për deputetin demokrat Eduard Halimi “Partia Demokratike është e inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ka ngritur opozita që në fillim për draftin e parë të Ramës, për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Shqetësime të cilat adresohen pothuajse në të gjitha paragrafet e draft-opinionit të Komisionit të Venecias”.

Pas miratimit zyrtar të projektit nga Komisioni i Venecias, më 12 mars, nis faza delikate e procesit, ajo politike e zbatimit të rekomandimeve të bëra. “Eshtë detyrë e qeverisë dhe mazhorancës që të krijojë kushtet për dialog politik i cili ti japë zgjidhje të gjitha çështjeve për të cilat komisioni i Venecias flet qartë për nevojën e domosdoshme të një dialogu politik në çështjet e miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh zoti Halimi.

Nga ana e tij zoti Xhafa saktësoi se “në përmbushje të këtyre rekomandimeve, ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo zgjidhje që opozitën e bënë pjesë reale të procesit të ndërtimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, por me kushtin që këto organe të mos jene “të balancuara politikisht” dhe ose emërimet e anëtarëve të këtyre organeve të mos kënaqin vetëm interesin politik. konsiderojmë shumë të drejtë konkluzionin e shprehur për këtë gjë në opinionin e Komisionit të Venecias ku thuhet se “Ky proces emërimi duhet të garantojë që Parlamenti të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar, dhe jo midis të përzgjedhurve politikë”.

Sipas zotit Xhafaj, “Venecia nuk rekomandon që organet e reja që do të krijohen të konsiderohen si një parcelë të cilën palët politike, pavarësisht se kush janë, kanë të drejtën ta ndajnë sipas peshës politike që kanë apo sipas oreksit të momentit”.

Komisioni i Venecias  vlerëson pozitivisht variantin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, dhe punën e bërë nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të cilët u angazhuan në mbështetje të Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Sipas Venecias, dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar. Teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane” nënvizon Komisioni i Venecias, ndërsa konsideron “të justifikuara e të nevojshme” ndërhyrjet drastite të parashikuara. (voa)

Tiranë: Opozita bashkohet për dekriminalizimin

bashaPartitë e opozitës deklaruan sot njëzëri se dekriminalizimi i politikës është për to kërkesa kryesore e vendit, së bashku me një proces zgjedhor të lirë e demokratik.

Partia Demokratike mblodhi sot në një tryezë aleatët e saj për të bashkërenduar veprimtarinë e mëtejshme të tyre, duke zyrtarizuar tryezën opozitare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi pas takimit të opozitës në emër të përfaqësuesve të forcave opozitare se ngritja e tryezën e opozitës po i paraprin organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hartimit të platformës së re politike në to.

Po ashtu u bashkuan në një qëndrim të njëjtë për dekriminalizimin e qarqeve politike.

“Unifikuam qëndrimin për dekriminalizimin e politikës. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është një domosdoshmëri urgjente për stabilitetin politik të Shqipërisë, në kushtet kur personat me rekorde të tmerrshme kriminale dhe banditët e armatosur me mandat deputeti në gjirin e mazhorancës përbëjnë një rrezik të përditshëm për shëndetin dhe jetën e qytetarëve” – tha kryetari i Partisë Demokratike.

Zoti Basha tha se incidentet dhe sulmet e fundit fizike ndaj përfaqësuesve të opozitës në disa qytete po frymëzohen nga kryeministri Edi Rama, sepse ai nuk po zbaton ligjin mbi dekriminalizimin, mban afër dhe nxit për dhunë politike kundër opozitës personat me të dhëna kriminale, të cilët e sollën në pushtet.

Aleanca opozitare po kërkon zgjedhjeve të lira, ku votuesit të mos kërcënohen, ku të mos shtrembërohet vullneti i tyre dhe ku të ndalohet shit-blerja e votës.

Opozita ka hartuar propozime konkrete, të cilat do t’i paraqesë në dialogun politik me koalicionin e majtë.

Nga ana tjetër partitë e majta kanë shprehur gadishmëri si për dekriminalzimin ashtu edhe për plotësimin e rekomandimeve të OSBE mbi përmirësimin e procesit zgjedhor.

Forcat kryesore parlamentare u përfshinë në kundërshtime të reja seancën e fundit për amendamente në ligjin e sapomiratuar të dekriminalizimit, madje deputetët e opozitës kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre në parlament me zbatimin e dekriminalizimit, por ende mungojnë disa akte nënligjore për ta realizuar këtë. (voa)