Dy HEC-et u shitën, por huaja e marrë për rehabilitimin e tyre do edhe 28 vjet të paguhet

bisrica-hecHEC-et “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, i janë shitur në  maj të 2013-s, në masën e 100% të kapitalit, shoqërisë “Kurum International”. Vlera e shitjes ishte 52 milionë euro. Ndërkohë në vitet 1999-2011 nga shteti shqiptar, në këtë vepër, për rehabilitimin e plotë të saj, është financuar rreth 21 milionë euro, shumë kjo e marrë hua nga shteti. Edhe pse sot këto dy vepra janë privatizuar, huaja vazhdon të paguhet nga KESH-i. Pagesat do të vazhdojnë deri në vitin 2044.

Procesi i shitjes së “HEC Bistrica 1 dhe 2” nisi mbështetur në vendimet nr. 152 dhe 153, të Këshillit të Ministrave të datës 29.02.2012. Kontrata e blerjes u përmbyll me 21 maj 2013 dhe marrëveshja për blerjen e 100% të aksioneve të këtyre shoqërive është lidhur midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në cilësinë e pronarit dhe shoqërisë “Kurum International”, në cilësinë  e fituesit të tenderit.

Të dy hidrocentralet, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, janë rehabilituar plotësisht në kuadër të projektit “Furnizimi me energji i Shqipërisë së Jugut BiSaBu”, që nisi 24 qershor 1999 dhe përfundoi me 31 dhjetor 2011. Më konkretisht, investimet konsistonin në rehabilitimin e pajisjeve mekanike hidrike dhe instalimet ndihmëse, punime civile, rehabilitimin e pajisjeve shpërndarëse, rehabilitimin e pajisjeve elektrike përfshi modernizimin dhe sistemin e ri të kontroll-monitorimit.

Vlera totale e projektit “Furnizimi me energji i Shqipërisë së Jugut BiSaBu””, financuar nga banka gjermane “KfW- Bankengruppe” është rreth 33.2 milionë euro. Nga ky financim, 21 milionë euro janë përdorur për rehabilitimin e plotë të HEC-eve “Bistrica 1 dhe 2”, ndërsa diferenca për investime të tjera në sektorin energjetik. Periudha e shlyerjes së huasë 33 milionë euro sipas planit të pagesës ka nisur 31 korrik 2007 dhe përfundon më 30 dhjetor 2044.

Deri më tani KESH-i ka shlyer rreth 10 milionë euro principal dhe rreth 2.2 milionë euro interes. Në përfundim të afatit të shlyerjes së kësaj kredie, me dt.30.12.2044 parashikohet që KESH-i të shlyejë rreth 2.6 milionë euro interesa dhe principalin e mbetur prej rreth 23.7 milionë eurosh.

Fiks Fare” ka kontaktuar edhe me KESH-in dhe ish-administruesin e këtyre 2 HEC-ve. KESH-i konfirmoi se vazhdon të paguajë huanë e marrë për rehabilitimin e veprës.  Ndërsa që nga momenti i kalimit të pronësisë tek “Kurum International”, nuk ka më informacion për prodhimin e këtyre HEC-ve apo tregtimin e energjisë.

Në lidhje me këtë çështje, zv.ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Ilir Bejtja, deklaron se pas një auditi të detajuar, studimit të hollësishëm të dosjeve të privatizimit të HEC-ve, jo vetëm “Bistricës 1 dhe 2”, por edhe atij të Shkopetit dhe Ulzës, çështja i ka kaluar prokurorisë.

Sipas auditit të kryer nga Ministria e Energjetikës, për HEC-et “Bistrica 1 dhe 2” nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes. Ku do të përfshihej edhe vlera e investimit e kryer nga shteti shqiptar, vetëm dy vjet para shitjes. Në këto kushte, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale, kërkoi nga organi i akuzës regjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasve Florjon Mima dhe Enno Bozdo, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.

Megjithatë ky audit zgjati më shumë se dy vjet. Sipas zv/ministrit kjo për shkak të volumit të dosjeve, dhe për faktin se i gjithë dokumentacioni nuk ishte më në dorë të shtetit, por të një subjekti privat. Sipas tij, kundërshtimi i kontratave të lidhura nga shteti me privatin, kanë një afat kohor për rreth tre vjet. Ai theksoi se janë duke punuar ngushtë me prokurorin, pasi mendohet se dëmi mund të jetë më i madh. “Nëse llogaritet edhe fitimi i investimit  të kryer nga shteti që do të kthehej në rreth 15-17 vitet e ardhshme atëherë, dëmi shkon deri në rreth 110 milionë euro, vetëm për Bistricën.”

Ndërsa “Kurum International” nuk i është përgjigjur interesimit të gazetarëve të “Fiksit”, të cilët kanë kërkuar informacion mbi prodhimin e këtij hidrocentrali pas shitjes dhe investimet e bëra nga kjo kompani në këtë vepër pas blerjes. (shekulli)

Reforma në drejtësi, Rama: PD-ja kërcen si prifti nga belaja

ramaKryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me reformën në drejtësi dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Rama shprehet se PD-ja kërcen si prifti nga belaja për reformën në drejtësi, të cilën në të vërtetë nuk e do, por i duhet të bëjë sikur e do.

“Vajmedet PD, që kërcen si “prifti nga belaja” e di mirë ky popull sa e do reformën në drejtësi, po e di edhe ti që do s’do, do bësh sikur do!..

..Dhe jo vetëm do bësh sikur do, po do bësh edhe sikur po na bind edhe neve! Bëj ç’të duash e thuaj ç’të duash, po nxito se duhet të votojmë!

E sa për vizitën në SHBA ka një dallim vajmedet PD: Dje ambasada bënte zhurmuesin në takimet e opozitës, sot opozita mikpritet në ambasadë:-)”, shkroi Rama në postime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale.

/ Shekulli Online / 

Takimi Rama-Meta, Vasili: Për të avancuar reformën në drejtësi

vasiliKryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një bashkëbisedim me mediat pasditen e së premtes ka deklaruar se takimi i grupit qeveritar të koordinimit ka patur në fokus ecurinë për reformën në drejtësi.

“Kryesisht vëmendja ishte për të rritur intensitetin e ecjes përpara të reformës në drejtësi. Në sensin e qenies sa më efektiv të komisionit të reformës, sigurisht jo vetëm në një anë, sepse komisioni i reformës është i përbërë nga dy krahët politikë. Për arsye sepse reforma, siç ju e dini, është një kusht kyç në rrugën tonë drejt integrimit evropian dhe patjetër që dhe vizita e ardhshme dhe shumë e rëndësishme e komisionierit Hahn është një moment që na imponon të gjithëve, gjithë spektrit politik, jo vetëm mazhorancës, por dhe opozitës të ecim sa më shpejt dhe të kemi një rezultat të prekshëm në çështjen e reformës në drejtësi, pasi kjo do të ndikonte shumë në ecurinë pozitive të hapjes së negociatave për anëtarësim”, ka deklaruar Vasili.

Ai ka nënvizuar se ky shqetësim detyrimisht do të reflektohet në punën e komisionit të reformës. “Pra, duhen ritme dhe një përgjegjshmëri akoma më e lartë dhe sigurisht një sens mirëkuptimi dhe dialogu. Unë kam theksuar edhe më parë, kjo nuk është çështja e takimit, por një qëndrim i yni, duhet një dialog, një dialog  absolutisht pa paragjykime”, ka thënë Vasili.

Ai ka shtuar se, ky duhet të jetë një dialog ku nuk duhet të ulet me kushte, por nën frymën e opinionitë të Komisionit të Venecias dhe me frymë mirëkuptimi, “sepse besoj se jemi më afër se kurrë”, ka vijuar kreu i grupit të LSI.

Deklarata e Vasilit bie disi ndesh me atë të homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, i cili në fund të mbledhjes tha se,takimi ishte sesi të qeverisim më mirë vendin”.

/ Top Channel

Opozita në Kosovë shtyn protestën

opozitaPartitë opozitare në Kosovë shtynë protestën e paralajmëruar për të shtunën për të kërkuar largimin e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi për shtyrje pasoi këshillimet ndërmjet tyre, por burime edhe brenda partive opozitare thonë se ka mospajtime për hapat e ardhshëm për të kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se shtyrja e protestës po ndodhë për shkak të siç tha ai seriozitetit të temave.

Duke e ditur që Kosovën po e presin ditë të rënda dhe të vështira, kapja e shtetit është më e thellë dhe që problemet që vijnë nga marrëveshjet e gabuara vetëm sa po e rëndojnë Kosovën, pra në Kosovë kemi edhe komisionin ndërkombëtarë për shënimin e vijës së kufirit, ne vendosëm për të kundërshtuar këto procese kemi marr vendim që protestën e paralajmëruar për nesër ta shtyjmë për një datë tjetër, pra shtyrja është me qëllim të seriozitetit të temave për të mos ndërhyrë as me data, as me festë e as me rrethana tjera që mund të jenë të ndjeshme në këto rrethana çfarë po i kalojmë”, tha zoti Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në parlamentin e Kosovës, ndërsa lëvizja Vetëvendosje ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në seancat e parlamentit në raste kur siç thonë ata rrezikohet shteti i Kosovës.

Kosova po përballet tash e më shume se një gjysmë viti me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Parlamenti i Kosovës është shndërruar në skenë përplasjesh për shkak të mospajtimeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Partitë opozitare kanë hedhur vazhdimisht gaz lotsjellës në seancat e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Përleshje të dhunshme kanë ndodhur në disa prej protestave të opozitës edhe në rrugët e Prishtinës.

Udhëheqësit e institucioneve u kanë bërë thirrje partive opozitare që të kthehen në parlament dhe të bashkëbisedojnë për të zgjidhur të gjitha shqetësimet e tyre. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se partnerët e koalicionit janë të gatshëm për të biseduar me opozitën.

Jemi të gatshëm në çdo moment që të bisedojmë, por të bisedojmë për problemet reale, për problemet që na shqetësojnë të gjithë neve dhe jo për tema dhe ultimatume sepse me ultimatum nuk mund të zgjidhen çështjet. Ne kemi thënë se nuk paragjykojmë që të ulemi e të diskutojmë, presim që opozita duhet të kthehet në parlament”, tha kryeministri Mustafa.

Edhe nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimit të mërkurën me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, në Washington, ka shtruar nevojën emergjente që të gjitha partitë politike në Kosovë të përfshihen në dialog paqësorë dhe të punojnë në kuadër të parlamentit të zgjedhur për të çuar përpara reformat dhe për të punuar për nevojat e qytetarëve të Kosovës. (voa)

 

Arrestime të reja në Bruksel

polici belgjikeGjatë bastisjeve në shumë pjesë të Brukselit janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Gjithnjë e më e qartë se terroristët kishin në plan sulme shumë më të përgjakshme.

Seria e sulmeve në Bruksel, me qindra viktima, mund të kishte qenë edhe shumë më e përgjakshme. Televizionet VRT dhe RTBF njoftojnë se i arrestuari Salah Abdeslam, i vrari gjatë një bastisje Mohamed Belkaid dhe një person tjetër planifikonin një gjakderdhje edhe më të madhe. Abdeslam akuzohet për përgatitjen e sulmeve në Paris, ku janë vrarë në vende të ndryshme 130 persona.

Autoritetet belge njoftojnë për arrestime të tjera

Prokuroria belge ka kumtuar se janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë. Siç thuhet, arrestimet janë bërë në disa pjesë, ku planifikoheshin sulme. Gjatë ditës së premte duhet të vendoset se çfarë do të ndodhë me të arrestuarit. Agjencia Belga njofton se në arrestime kanë marrë pjesë forca speciale të pajisura edhe me helikopterë. Tre persona janë arrestuar në afërsi të godinës së Prokurorisë në qendër të Brukselit.

Të martën në Bruksel janë vrarë si pasojë e disa shpërthimeve 31 njerëz dhe janë plagosur 300 të tjerë. Atentatori në metro Khalid El Bakraoui duket se nuk ka qenë vet. Kamerat për vëzhgime tregojnë edhe një person tjetër me një çantë në dorë. Është pak e besueshme që ky person të jetë vrarë gjatë shpërthimeve.

Ishin pesë vrasës?

Policia është duke hetuar edhe njerëz nga sfondi i sulmit në aeroport. Mendohet se ka pasur gjithsej pesër persona që kanë marrë pjesë në sulme. Tre atentatorët kamikazë kanë qenë shtetas belgë dhe kanë pasur lidhje me sulmet në Paris. Bëhte fjalë për vëllezërit Ibrahim (29) dhe Khalid (27) El Bakraoui dhe 24-vjeçarin Najim Laachraoui.

Khalid El Bakraoui është në kërkim nga dhjetori, sepse në Paris kishte marrë një banesë me emër fals, të cilën e kanë shfrytëzuar terroristët. Vëllai i tij Ibrahim El Bakraoui është arrestuar në korrik të vitit 2015 dhe është larguar nga Turqia për në Amsterdam. Asokohe ai nuk ishte në të dhënat holandeze dhe ndërkombëtare për terrorizëm, ndaj nuk është arrestuar.

Ibrahim El Bakraoui është dënuar në vitin 2010 në Belgjikë me një dënim të gjatë me heqje lirie, por është liruar para kohe. Në qershor të vitit 2015 është arrestuar në kufirin turko-sirian. Presidenti Recep Tayyip Erdogan thotë se Turqia ka paralajmëruar se ai ishte “një luftëtar terrorist”.

Dorëheqjet e ofruara

Por edhe pas kthimit në Belgjikë ai nuk arrestohet. Për shkak të lëshimeve të mundshme në rastin e Ibrahim El Bakraoui, ministri i Brendshëm Jan Jambon dhe ai i Drejtësisë Koen Geens kanë ofruar dorëheqjen. Por kryeministri belg Charles Michel i ka refuzuar këto dorëheqje.

Në Bruksel të enjten ka pasur bastisje të reja, por deri tani nuk njoftohet për arrestime. Ndërkohë është ulur prej katër në tre shkalla e rrezikut nga terrorizmi. Por fluturimet ndërkombëtare nga Brukseli janë shtyrë deri të dielën.

Shtohen masat e sigurisë në Frankfurt

Më aeroportin më të madh gjerman, në Frankfurt janë forcuar masat e sigurisë në javën e festave të Pashkëve. Por ekspertët thonë se deri tani nuk ka nevojë për shtyrje të ndeshjes Gjermani-Angli të shtunën në Berlin. Ndërsa ministri i Jashtëm amerikan John Kerry pritet të premten në Bruksel. Kerry dhe kryeministri Charles Michel do të takohen edhe me njerëz të rëndomtë, të cilëve do t’u shprehin ngushëllime për sulmet e fundit terroriste.(dw)

Procesi kundër gazetarëve kritikë në Turqi

gazetar turqiNë Stamboll duhet të përgjigjen sot në gjyq kryeredaktori dhe drejtori i zyrës në Ankara i gazetës “Cumhuriyet”. Një goditje tjetër kundër lirisë së mediave në Turqi, thonë kritikët.

Spiunim, bërje publike e sekretit të shtetit, përgatitje e aktiviteteve kundër shtetit dhe bashkëveprim me grupet terroriste – këto janë fajësimet në aktakuzën kundër Can Dündar, kryeredaktor i gazetës kritike ndaj qeverisë “Cumhuriyet” dhe Erdem Gül, drejtor i zyrës së gazetës në Ankara.

Gazetarët janë arrestuar në fund të nëntorit, sepse kanë raportuar për dërgimin e armëve nga shërbimet sekrete turke për kryengritësit islamikë në Siri. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan tha se kjo ishte një vepër penale dhe ai personalisht e ka paraqitur rastin kundër Dündar dhe Gül. Pas tre muaj hetimesh, ata janë liruar përkohësisht në fund të shkurtit. Tani fillon procesi dhe gazetarët rrezikohen me burgim të përjetshëm.

Gazetarët kritikojnë shumë Erdoganin

Kryeredaktori Dündar i ka hedhur poshtë të gjitha kritikat, por edhe vetë e di se mbase do të dënohet.

Në një intervistë me DPA ai tha: “Turqia nuk ka qenë kurrë një parajsë për gazetarë. Vetëm gazeta ku punoj unë ka dhënë katër martirë të profesionit, pra katër gazetarë të vrarë (…) por t’ju them sinqerisht, një presion kaq të madh nuk kemi pasur as në kohën e puçit ushtarak.” Presidenti i quan Dündarin si “bos të madh të mediave në Turqi”. Erdogani ka ushtruar presion ndaj biznesmenëve që ta blejnë këtë gazetë, e madje edhe vetë është angazhuar për këtë.

Edhe organizata “Reporterët pa Kufij” e sheh kështu gjendjen. Ajo ka kërkuar nga drejtësia turke që të mbyllë menjëherë procesin kundër gazetarëve. Ky është një skandal, tha Christian Mihr të mërkurën në Berlin. Rasti është “simptomatik për përvojat e Turqisë në luftën kundër gazetarëve të padashur”, tha Mihr, i cili kërkon lirimin e gazetarëve dhe liri për shtypin.

Nuk ka shtyp të lirë

Në listën e lirisë së shtypit, Turqia është në vendin e 149 nga 180 vende – pas vendeve të Afrikës Nigeri, Liberi, Zambi dhe Mali. Edhe në raportin më të fundit të organizatës amerikane Freedom House për gjendjen e lirisë së shtypit, Turqia llogaritet ndër vendet “jo të lira”.

Muajt e kaluar janë shtuar dukshëm masat represive kundër mediave në Turqi. Prokuroria në fund të tetorit e ka vënë nën mbikqyrjen e shtetit koncernin “Koza Ipek”. Gazeta “Zaman” dhe “Today’s Zaman” në fillim të marsit kanë qenë nën mbikqyrjen e shtetit. “Zaman” ka ndryshaur së fundi linjën dhe tani e mbështet qeverinë. Edhe gazetarët e huaj në Turqi janë nën presion. Së fundi korespondeti i mediave “Spiegel” dhe “Spiegel Online”, Hasnain Kazim është larguar nga Stambolli, pasi autoritetet nuk i kanë vazhduar akreditimin. (dw)

Sulmet në Belgjikë dhe të metat e zbulimit

robot minaKonfuzioni që pasoi sulmet terroriste në Bruksel e ka vënë sistemin belg të zbulimit në një pozitë shumë të vështirë, nën kritika nga e gjithë bota. Sulmet zbuluan të meta të shumta në grumbullimin dhe shkëmbimin e informacionit nga autoritetet e sigurisë.

Ndërkohë që u vunë në lëvizje të gjitha strukturat për të gjetur të dyshuarit për sulmet e Brukselit, autoritetet belge ishin nën presion të madh. Vetë ministri i brendshëm ofroi të jepte dorëheqjen:

“Nëse i analizojmë një nga një gjërat, mund të ngrihen pyetje të mëdha për një numër aspektesh, për departamentin e drejtësisë, për zhvillimet që pasuan si dhe për policinë”.

Autoritetet belge janë nën kritika nga mbarë bota. Presidenti turk tha se një nga të dyshuarit duhet të ishte nën mbikqyrjen e belgëve:

“E kishim informuar ambasadën belge me një notë diplomatike për deportimin e të dyshuarit më 14 korrik 2015. Autoritet belge e liruar personin”.

Kritika kanë bërë edhe disa zyrtarë amerikanë. Por edhe më shqetësuese për ta është fakti se këto probleme nuk janë asgjë e re për Belgjikën dhe vende të tjera evropiane dhe disa mangësi janë vërejtur që në sulmet e Madridit dhe Londrës në 2004 dhe 2005.

“Duhet të përshpejtojmë disa nga propozimet që kemi paraqitur për ndjekjen e fondeve, për të garantuar që terroristët nuk do të përdorin karta krediti dhe karta të parapaguara; për të ndjekur nga vijnë armët,”shprehet Zëvendës Presidenti i Parë i Komisionit Evropian Frans Timmermans.

Ka shpresa për përmirësim nga ngritja e Qendrës Evropiane për Kundër Terrorizmin, por zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm të anti terrorizmit thonë Evropa duhet të ishte zgjuar prej kohësh.

“Vetëm një numër i vogël nga miqtë tanë evropianë e luajnë këtë lojë në nivelin ku jemi ne; problemi qëndron tek shkëmbimi i informacionit,”thotë ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden.

Një tjetër shqetësim është fuqizimi i agjencive evropiane të sigurisë, për t’u dhënë atyre kapacitetet ligjore dhe teknologjike për të grumbulluar të dhënat e zbulimit në kohë.

“Parashikoj se do të krijojë stres të madh në Evropë kur secili nga vendet të fillojë ta kuptojë se duhet të gjejnë një baraspeshë të re mes të drejtave të qytetarëve për privaci dhe të drejtës për jetën,” shprehet zoti Hayden.

Bota është përballë një realiteti të ri; siç e përshkruan një zyrtar amerikan, Shteti Islamik “ka ndezur shkrepsen” që po i detyron agjencitë e sigurisë të rendin për t’i shpëtuar flakes. (voa)

Karaxhiç – fajtor për gjenocid dhe krime lufte

KaraxhixhIsh udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u shpall fajtor nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës, që synonte vrasjen e “të gjithë burrave të aftë për luftë” dhe shfarosjen e komunitetit mysliman boshnjak në atë zonë në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe e morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Radovan Karaxhiç u dënua për përndjekje, shfarosje, deportim, zhvendosje të dhunshme dhe vrasje – por u lirua na akuza për gjenocid lidhur me një fushatë për të përzënë myslimanët boshnjakë dhe kroatët nga fshatrat e pushtuara nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1992- 1995.

Radovan Karaxhiçi, është zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e para 21 vjetëve, në të cilën mbi 100 mijë veta humbën jetën.

Karaxhiç u arrestua në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje.

Ish psikiatri 70 vjeçar, ende në gjendje të mirë shëndetësore, që dikur drejtonte të vetëshpallurën Republikë e Serbëve të Bosnjës, mbante titullin e komandantit suprem të forcave të saj të armatosura.

I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç,  cili vdiq në Hagë dhjetë vjet më parë para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

Ratko Mladiç, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, është i fundit i të arrestuarve për masakrën e Sebrenicës dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, që ishin pjesë e akuzave kundër Karaxhiçit, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995. (voa)

Në kërkim të një të dyshuari tjetër për sulmet në Bruksel

polic bruxelAutoritetet në Bruksel janë tani në kërkim të një të dyshuari tjetër në lidhje me sulmet vdekjeprurëse terroriste të së martës në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion metroje afër selisë së Bashkimit Evropian. I dyshuari është parë në videot e survejimit duke mbajtur një valixhe të madhe pranë Kalid el-Bakravit, personit që kreu sulmin vetvrasës në stacionin e metrosë të Maelbeekut.

Përveç të dyshuarit të ri, policia vazhdon kërkimin e personit të tretë që duket në video duke ecur nëpër aeroport me vëllain e Kalid el-Bakravit, Ibrahim, dhe Naim Lakravin, të cilët vranë veten duke kryer sulmin në terminalin e nisjes në aeroportin Zaventem.

Zyrtarët e inteligjencës thonë se 25-vjeçari Lakravi ishte ndërtues bombash i grupit Shteti Islamik i cili ishte i përfshirë edhe me sulmet terroriste të nëntorit të kaluar në Paris. ADN-ja e tij u gjet të martën në një apartament të Brukselit, ku autoritetet besojnë se ndërtoheshin bomba.

Personi i identifikuar si i dyshuari kryesor në sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, u arrestua të premten e kaluar gjatë një kontrolli në Bruksel. Avokati i tij tha se nuk do të përpiqet për ta penguar ekstradimin në Francë, ku ai do të përballet me akuza të mundshme për terrorizëm.

Televizioni publik belg, RTBF, njoftoi se shenjat e gishtave të Abdeslamit u gjetën në një apartament të marrë me qira nga Bakravi gjatë një kontrolli të kryer nga policia franceze dhe belge javën e kaluar në lidhje me sulmet e Parisit.

Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë nga i gjithë Bashkimi Evropian u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar kundërpërgjigjen ndaj sulmeve terroriste, nga të cilat u vranë të paktën 31 persona – 11 në aeroport dhe 20 në stacionin Maelbeek – si dhe u plagosën 300 të tjerë. Të paktën 60 prej të plagosurve janë nën kujdesin intensiv.

Ndërkohë, zyrtarët turq thonë se njëri nga personat e identifikuar si vetëvrasës me bombë në aeroportin e Brukselit, Ibrahim el-Bakravi, ka qenë ndaluar më parë nga Turqia. Pasi kthimit në Evropë, ai u lirua rreth tetë muaj më parë.

Recep Tayyip Erdogan President i Turqisë:

“Dëbimi u bë më 14 korrik 2015 dhe u regjistrua nga zyrtarët. Ambasadës në Bruksel iu dërgua një memo, dhe belgët e lanë këtë person të lirë.”

Zoti Erdogan tha se qeveria e tij i paralajmëroi autoritetet në Belgjikë për Bakravin, por Belgjika nuk mundi të idenfikojë ndonjë lidhje të tij me terrorizmin.

Ndërkohë, Kryeministri belg tha se sulmet e së martës ndaj kryeqytetit btë Bashkimit Evropian kishin në shënjestër “lirinë e jetës së përditshme” dhe lirinë mbi të cilën ishte ngritur projekti evropian.

Në një fjalim me tone emocionale drejtuar vendit përpara parlamentit, zoti Charles Michel bëri homazh për viktimat e sulmeve dhe të afërmit e tyre. (voa)

Përvjetori i bombardimeve të NATO-s

helikopteri natoShtatëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.(voa)