Gjuriq për zgjedhjet serbe në Kosovë: Askujt nuk i mohohet e drejta

MarkoMarko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se Serbia pret organizimin e zgjedhjeve të saj edhe në Kosovë. Ai thotë se modeli i organizimit të zgjedhjeve përmes OSBE-së do të zbatohet edhe me 24 prill.

Në një intervistë për TopChannel, Gjuriq ka thënë se në këto zgjedhje do të kenë mundësi të votojnë të gjithë ata qytetarë që kanë të drejtë vote.

“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në territorin e Kosovës e Metohisë dhe ato do të mbahen mbi parimet e njëjta sikurse në vitin 2014. Pra vendvotimet do të jenë të hapura dhe të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote dhe janë në lista, do të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, tha ai.

Gjuriq, i cili mjaft shpesh viziton Kosovën dhe është një nga njerëzit më aktiv rreth kësaj çështjeje, thotë se Serbia është e interesuar të krijoj marrëdhënie të mira me të gjithë shqiptarët, duke i konsideruar si popujt më të mëdhenj në Ballkan.

Më tej, ai foli edhe për Asociacionin e komunave serbe, për të cilin tha se mëton të mbrojë dhe garantojë mbijetesën e serbëve në Kosovë, e jo t’i mohoj të drejta dikujt.

“Asociacioni i Komunave Serbe është një mekanizëm i domosdoshëm mbrojtës dhe garantues i mbijetesës së serbëve. Ajo nuk do t’ia mohojë askujt të drejtat. Asociacioni nuk pretendon të vendos për të tjerët dhe ajo nuk ka për qëllim të ndaj njerëzit apo territoret apo diçka tjetër. Ai ka për qëllim vetëm të jap serbëve pak më shumë të drejta”, potencoi Gjuriq.

Gjuriq thotë se është krenar që shqiptarët dhe serbët tani kanë marrëdhënie më të mira, lëvizin lirshëm, por sipas tij mund të bëhet më shumë, pavarësisht çështjeve statusore. Fajësinë për të shkuarën ia lenë politikës së gabuar dikur, por thotë se e ardhmja duhet të ketë një imazh tjetër.

Duke folur për bisedimet Kosovë – Serbi, Gjuriq tha se në këto bisedime “jemi për të krijuar në stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të rajonit tonë dhe në pjesën, siç e konsiderojmë ne, të territorit tonë”.

“Ne duam marrëdhënie funksionale me institucionet në Prishtinë, e cila do t’ua mundësojë qytetarëve të etnive të ndryshme të jetojnë në mënyrë normale dhe të funksionojnë pavarësisht nga mosmarrëveshja e dukshme rreth statusit. Ne duam që qytetarëve të mos u dhëmb koka për shkak të qëndrimeve të politikanëve rreth statusit. Mendojmë se mjaft rrjedh nga plagët e së shkuarës”, u shpreh drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. (koha)

Intervista e Boiken Abazit në gazetën “Shekulli”

Boiken AbaziZotëri Abazi, para se të na flisni për dëbimi tuaj nga Policia e Kosovës a mund të na thoni shkurtimisht kur ka filluar aktivizimi juaj në Lëvizjen Vetëvendosje, pasi opinioni në Shqipëri nuk ka shumë informacion për ju, për Vetëvendosjes dhe për politikën e Kosovës në përgjithësi ?

Unë kam qenë pjesë e shoqërisë civile në Tiranë, kam punuar për disa organizata në Shqipëri si dhe kam dhënë mësim në universitet, pasi u ktheva prej studimeve të mia në ShBA. Prej studimeve dhe prej leximeve të mia, prej aktivizmit gjatë universitetit në SHBA, si dhe prej viteve të aktivizmit në Shqipëri, ku kam punuar edhe në disa nga zonat më të varfra të Shqipërisë, kam formuar bindjet e mia për politikën. Thelbësore në këto bindje janë parimet e barazisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit mes popujve e njerëzve.

Si këndvështrim, kam qenë dhe mbetem tepër kritik ndaj neoliberalizmit, politikës që unë mendoj se ka shkaktuar krizë dhe shkatërrim kudo që është aplikuar.

Këto bindje e parime i gjeta në masë të madhe të shprehura në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe kam filluar të interesohem për të dhe të kem kontakte dhe bashkëpunime që prej vitit 2006. Në vitin 2010 kjo Lëvizje vendosi të marrë pjesë në zgjedhje. Në atë kohë, ata kërkuan ndihmë nga kushdo që dëshironte të bashkëpunonte si vullnetar për fushatën zgjedhore. Kemi qenë një grup vullnetarësh që shkuam në Kosovë të ndihmonim për zgjedhjet e 2010.

Më pas, ka qenë ftesa e Lëvizjes që disa prej nesh të ndihmonim në mënyrë më sistematike. Kështu që, prej 2010, më është dashur ta vizitoj shumë shpesh Kosovën, si aktivist i Lëvizjes dhe si pjesëtar i strukturave të saj. Prej 2011 deri në 2014 kam qenë koordinator i sekretariateve. Prej 2015 jam anëtar i kryesisë së Lëvizjes, si Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë. Lëvizja VETËVENDOSJE ka në Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të saj, përveç shqiptarëve nga Kosova, edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, nga Lugina e Preshevës etj. Unë i vlerësoj idetë ekonomiko-politike te Lëvizjes, të barazisë mes popujve, të antikolonializmit, të vetëvendosjes, të solidaritetit, të shtetit zhvillimor. Ndaj dhe jam aktivist.

 

Pas deportimit nga Kosova ju jeni shprehur se Policia nuk ka pasur asnjë flet arrest. Si ka ndodhur arrestimi dhe cila është vërteta në të gjithë këtë histori sipas jush?

Ditën e mërkurë, rreth orës 13;15, më janë afruar tre policë civilë në një lokal afër Selisë së Lëvizjes, ku po bisedoja me një kolege. Policët e veshur civilë nuk paraqitën fletëarrest edhe pse unë ia kërkova që në fillim. Ata më thanë që fletarrestin do ma jepnin ne stacionin e policisë, por kjo nuk ndodhi as aty. Unë e konsideroj këtë akt si një rrëmbim personi.

Në stacionin e policisë ata kanë printuar shpejt e shpejt një urdhër dëbimi nga Kosova. Aty kanë shkruar akuza të pavërteta. Nuk më kanë dhënë mundësinë të kontaktoj me një avokat (duke shkelur konventat ndërkombëtare), nuk më kanë dhënë mundësinë të kontaktoj me Ambasadën e Reublikës së Shqipërisë, nuk më kanë dhënë mundësinë as të shkoj në shtepi për të marrë rroba me vete. por më kanë sjell direkt ne kufirin me RSh. Sot policia e Reublikës së Kosovës zyrtarisht ka deklaruar se akuzat për vepra penale që janë numëruar në atë urdhër dëbimi paskan qenë “gabim teknik i përvjedhur”. Por ata këmbëngulin që unë duhet të dëbohem nga Kosova. Unë jam angazhuar për realizimin e idealeve mbi të cilat Kosova është çliruar, ashtu siç angazhohet edhe çdo aktivist tjetër i Lëvizjes.

Që prej gushtit 2015, regjimi autoritar që është instaluar në Kosovë ka arrestuar 348 aktivistë të Lëvizjes. Vendime dhe praktika të tilla janë akte të një shteti policor. Servilizmi i të korruptuarve që qeverisin Kosovën, i ka çuar ata në shërbim të Serbisë në marrëveshje që e copëtojnë Kosovën, në mënyrë që të ruajnë pushtetin e tyre.

 

 

Çfarë duhet të bëj shteti shqiptar, sipas jush, pasi keni deklaruar se prisni një përgjigje nga Ministri Bushati?

Shteti shqiptar ka për detyrë që të interesohet për çdo qytetar të vetin, kudo në botë. Në botën demokratike është e papranueshme që një qytetar i një vendi të deportohet nga një vend tjetër, vetëm për shkak të bindjeve dhe angazhimeve të veta politike që janë në përputhje me parimet e shprehura edhe në Kartën e OKB-së.

Besoj se Shqipëria do të kishte reaguar nëse kjo do të ndodhte në ndonjë vend tjetër. Por afërsia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të jetë arsye për të mbyllur sytë ndaj abuzimeve, ndaj autoritarizmit, apo ndaj deportimeve arbitrare, siç më ndodhi mua.

Para disa vitesh, rasti i fundit i një qytetari të Shqipërisë të dëbuar për arsye politike, ka qenë ai i një gazetari të dëbuar nga Greqia. Ai rast ishte skandaloz, dhe u reagua deri në Parlamentin Evropian. Është normale të besoj se edhe për rastin tim, do të reagohet e do të kërkohet drejtësi. Mes Kosovës e Shqipërisë nuk duhet të kishte as kufij, e lëre më deportime.

 

Edhe pse Vetëvendosje (opozita e bashkuar) gati prej një viti ka bërë përpjekje titanike për të frenuar funksionimin e koalicionit PDK-LDK, që sipas jush është i dëmshëm për Kosovën nuk ia ka arritur. Thaçi është votua President, këto dy parti vijojnë të qeverisin. A mund të themi se beteja juaja ka rezultuar jo e suksesshme dhe cila do të jetë karta juaj e radhës për të rrëzuar këtë koalicion?

Thaçi u votua president me votimin e tretë, duke marrë në votimin e parë një numër shumë të vogël votash, e duke shtuar 21 vota brenda 30 minutash, të cilat sipas gjasave i ka blerë. Postet e blera na kthejnë në mesjetë. Të gjitha vendet e zhvilluara evropiane po na tregojnë se si nuk mund të blihen votat, nuk mund të blihen postet. Pra, nuk është çështje strategjie. Sigurisht, ata që kanë vjedhur për vite me radhë, kanë fuqi blerëse e mund të blejnë shumëçka. Por beteja jonë, edhe strategjia jonë, nuk ka të bëjë vetëm me postin, por me transformimin rrënjësor të pushtetit, në mënyrë që shteti të bëhet më demokratik. Dhe mendoj se jemi shumë pranë suksesit tani që qytetarët e Kosovës janë ngritur në protesta mbarëpopullore dhe është krijuar një front më i gjerë rezistence që përfshin edhe shoqërinë civile. Mos të harrojmë se kjo qeverisje e diktaturës së numrave, po e mban pushtetin vetëm me dhunë policore, me arrestime, me gjyqe të inskenuara dhe me deportime, por nuk do ta kenë të gjatë.

MASHT njeh diplomat e universiteteve private në Shqipëri

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) ka marrë vendim që t’i pranojë të gjitha diplomat e lëshuara nga institucione të akredituara dhe licencuara nga shteti i Shqipërisë.

MASH KosoveSipas një njoftimi të lëshuar nga MASHT, departamenti për Arsimin e Lartë obligohet për zbatimin e procedurave për vlerësim dhe njohje të diplomave të shkollave të larta profesionale dhe të gradave universitare, të fituara në institucionet jopublike (private) të arsimit të lartë, të akredituara dhe të licencuara në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 8/2010 Parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave të shkollave të Iarta profesionale dhe gradave universitare të fituara

“Në përputhje me pikën 1 të këtij Vendimi, kërkesat për vlerësim dhe njohje të diplomave të shkollave të larta profesionale dhe të gradave universitare dorëzohen dhe shqyrtohen në Divizionin për Njohje dhe Barasvlerë në MASHT. Obligohen Këshilli Kombëtar për Njohje dhe Komisionet e Ekspertëve të Divizionit për Njohje dhe Barasvlerë për zbatimin e këtij vendimi në përputh je me legjislacionin në fuqi. Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i MASHT për zbatimin e këtij vendimi në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Vendimi hyn në fuqi nga dita e nënshkrimit. (rtk)

Bushati: Rinovim Traktatit të Miqësisë. Kotzias: S’kemi ligj lufte me Shqipërinë

bushati-kotziasPlot 20 vjet nga firmosja e Traktatit të Miqësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë, më 21 mars 1996, ministrat e Jashtëm të dy vendeve janë takuar në Athinë.

Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias janë shprehur të gatshëm të adresojnë një sërë temash dhe problemesh mes dy vendeve, për të mbyllur atë që presidenti grek Prokopis Pavllopullos më herët e quajti “mbylljen e kapitullit të së kaluarës në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Gjatë takimit, dy ministrat thanë se dy vendet kanë një pakt miqësie, për të cilin tashmë ka ardhur koha të rinovohet, modernizohet dhe të përshtatet me situatat aktuale.

Kotzias përshëndeti bashkëpunimin dypalësh dhe u shpreh i vendosur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Athina mbështet Shqipërinë në rrugën e saj europiane dhe do të vazhdojë ta bëjë atë”, deklaroi Kotzias.

Nga ana e tij, Bushati përsëriti qëndrimin e Tiranës për adresimin e çështjeve të së kaluarës, për t’i dhënë një energji pozitive marrëdhënieve dypalëshe.

I pyetur nga Top Channel se, kur do të dërgojnë në Parlament aborgimin e ligjit të luftës mes dy vendeve, Kotzias u shprej se, dy vendet nuk janë në gjendje lufte dhe kjo konfirmohet, sipas tij, nga firmosja e Traktatit të Miqësisë.

“Të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe ndajnë mes tyre pikëpamje dhe bashkëpunim reciprok”, tha Kotzias.

“Por, nëse ekzistojnë terma juridikë për të cilat pala shqiptare kërkon një interpretim tjetër, atëherë ekziston mekanizmi për zgjidhjen e kësaj”, shtoi ministri grek.

/ Top Channel

“Bankers Petroleum” do shitet te kinezët e “Geo-Jade Petroleum”

Bankers“Bankers Petroleum Ltd.”, kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës bën të ditur sot se ka hyrë në një marrëveshje definitive me “Alberta Ltd.” (blerësi) dhe “Charter Power Investment Limited” për blerjen e të gjitha aksioneve të “Bankers” (“Bankers Shares”) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share).

Blerësi dhe “Charter Power” janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë.

Në bazë të marrëveshjes “Bankers” është vlerësuar me 575 milionë dollarë (C$) pa përfshirë detyrimet. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë.

Çmimi për aksion C$2.20

1. Marrëveshja është miratuar unanimisht nga Bordi i Drejtorëve të “Bankers” dhe ka mbështetjen e plotë të ekipit menaxhues të “Bankers”.

2. Blerësi sjell një fokus të ri tek investimet tek portofoli i aseteve të “Bankers”.

3. Zyrat qendrore të korporatës dhe ato teknike të “Bankers” do të vijojnë të jenë në Calgary, Canada me zyra operacionale në Shqipëri, Hungari dhe Rumani/

Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën e aksioneve të “Bankers” në mbylljen e Bursës së Toronto-s prej $1.11 në 18 mars 2016 dhe një premium prej 109% mbi vlerën e aksioneve përgjatë tregtimit 30 ditor të fundit (deri në 18 mars 2016) ku aksionet janë tregtuar mesatarisht me $1.05.

David French, presidenti dhe shefi ekzekutiv i “Bankers” tha se “Transaksioni i propozuar i jep “Bankers” mundësinë t’u kthejë vlerë aksionerëve tanë me një premium të konsiderueshëm ndaj vlerësimit aktual të tregut, ndërsa i ofron “Bankers” burime financiare shtesë për të përshpejtuar aktivitetin në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve të produktit. Ky transaksion do të gjenerojë përfitime domethënëse ekonomike për Shqipërinë dhe komunitetin lokal, ku vepron “Bankers”.

Blerësi

Geo-Jade është një nga kompanitë më të mëdha të pavarura të prodhimit dhe eksplorimit, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadez. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme nafte dhe gazi në mbarë botën dhe asetet e saj kryesore janë të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe Kinë.
Marrëveshja gjithashtu parashikon një tarifë prej 20 milionë dollarë nëse marrëveshja ndërpritet në rrethana të caktuara. Kjo përfshin pagesën në favor të Blerësit nëse “Bankers” hyn në një marrëveshje në lidhje me një propozim më të lartë, ose nëse Bordi i “Bankers” e tërheq apo e ndryshon rekomandimin e tij në lidhje me marrëveshjen. Pagesa do të bëhet në favor të “Bankers” në qoftë se Blerësi nuk është në gjendje për të përfunduar financimin e detyrimit të tij, për të blerë aksionet e “Bankers” ose në rrethana të tjera.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Mbledhja Vjetore e Përgjithshme e lajmëruar më parë do të shtyhet. Informacion në lidhje me Marrëveshjen do t’u dërgohet aksionerëve të “Bankers” në prill për një Mbledhje Speciale që pritet të mbahet në fund të majit.

Konflikti i “Bankers” me qeverinë shqiptare

Deri në fund të vitit 2014, “Bankers” ishte kompania më e madhe në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh. Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015 për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në fund të vitit 2015, “Bankers” u përfshi në një konflikt me qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën “Bankers” 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi. Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore. Në shkurt 2016, pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me “Bankers Petroleum”, u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011. “Bankers Petroleum” është dakorduar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me “Bankers Petroleum” kanë rënë dakord gjithashtu për nisjen e një procesi negociatash për amendimin e marrëveshjes hidrokarbure, me synim përmirësimin e termave financiare të marrëveshjes, duke korrigjuar problematikat e hasura deri më tani dhe përmirësuar procedurat për një kontroll më efikas të strukturave të shtetit.

/ Ora /

Ndikimi i vizitës së Presidentit Obama në Kubë

ObamaNjë moment që menjëherë hyn në histori: Barack Obama bëhet i pari president amerikan që viziton Kubën që prej afro 90 vjetësh.Në Havana, entuziazmi është i prekshëm.

“Një ditë historike, kanë kaluar shumë vjet që kur një president amerikan ka ardhur në Kubë”, thotë Melanie De La Caridad Antunes, një studente kubaneze.

“Mendoj se do të ketë shumë ndryshime pozitive, përmirësime në ekonominë e Kubës, turizëm dhe mundësia për të hyrë dhe dalë nga vendi”, thotë Mario Lazaro, një banor i Havanës.

Zoti Obama do të takohet me qytetarë të Kubës, do të shohë një lojë miqësore bejsbolli dhe do të flasë para popullit kubanez në një fjalim televiziv.

“Ai është shumë i pëlqyer në vend dhe njerëzit do ta dëgjojnë me vëmendje”, thotë Ted Piccone i Instututit Brookings.

James Cason drejtonte Seksionin e Interesave Amerikane në Havana, kur ishte president George W. Bush.

“Ai duhet t’i flasë popullit kubanez, të bëjë thirrje për zgjedhje të lira, për një sistem më liberal ekonomik”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Obama do të flasë qartë.

“Ai do të mbajë bisedime me udhëheqësin e Kubës dhe do t’i thotë që duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të popullit të tij”.

“Në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ketë negociata për ndryshime të brendshme në Kubë, që janë dhe do të mbeten një çështje sovrane e popullit tonë”, thotë Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez.

Qeveria kubaneze ka programin e vet.

“Nëse qeveria amerikane do me të vërtetë të ndihmojë popullin e Kubës, ashtu siç po thotë, atëherë duhet të heqë embargon”, thotë ministri Rodriguez.

Por Presidenti Obama nuk mund ta heqë vetë embargon ekonomike amerikane që zgjat prej dekadash.

“Embargoja jonë tregëtare ndaj Kubës së Castros, që u miratua në Kongres në vitin 1959, vazhdon të jetë e paprekshme dhe në fuqi. Pavarësisht nga përpjekjet e Presidentit për ta sabotuar këtë embargo me urdhër ekzekutiv, ai në fund të fundit është i detyruar ta zbatojë, në bazë të ligjit”, thotë Paul Ryan, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresi amerikan.

Përtej simbolikës së pamohueshme, analistët kanë mendime të ndryshme për efektivitetin e vizitës.

“Sigurisht që po mbyllet një kapitull i Luftës së Ftohtë dhe politikave të izolimit, dhe embargove dhe po hapet një epokë e re e angazhimit konstruktiv”, thotë zoti Piccone.

“Pikëpamja ime është se asnjë politikë nuk do të funksionojë sa të jenë gjallë Castrot. Gjithmonë kam thënë që e vetmja zgjidhje, do të jetë ajo e natyrshmja, kur ata të kenë vdekur”, thotë ish-diplomati Cason.

Presidenti Obama nuk do ta takojë ish-udhëheqësin e Kubës, Fidel Castro gjatë këtij udhëtimi. Askush nuk e vë në dyshim faktin se udhëtimi po e konsolidon hapjen e Amerikës ndaj Kubës, por se çfarë do të sjellë kjo askush nuk mund ta thotë me siguri. (voa)

Pikëpyetje dhe dyshime për planin BE-Turqi

BE TurqiMarrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë në përpjekje për të ndalur dyndjen e refugjatëve drejt Evropës hyri dje në fuqi. Imigrantët e rinj që mbërrijnë në Greqi do të kthehen në Turqi; BE më pas do të marrë të njëjtin numër refugjatësh sirianë nga kampet në territorin turk. Por siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell nga ishulli grek i Lesbosit ku mbërrijnë pjesa më e madhe e refugjatëve, marrëveshja shihet si një akord i pazbatueshëm dhe i pamoralshëm dhe po shkakton revoltim në rritje:

Anije luftarake të NATO-s dhe anije të rojes bregdetare greke patrullojnë ngushticat përreth ishullit të Lesbosit. Evropa dhe Turqia po përpiqen të parandalojnë dyndje të reja refugjatësh, pas nënshkrimit të marrëveshjes. Në brigjet e ishullit, vullnetarët janë në gatishmëri 24-orë në ditë për të parë për lëvizje anijesh me refugjatë:

“Nuk mendoj se vendimet politike sjellin ndryshime të mëdha për refugjatët. Ata do të vazhdojnë të mësyjnë, pasi ky udhëtim zgjat për muaj ose vite, pra do të vazhdojnë të përpiqen,” thotë Samuel Radber, Agjencia “Kryqi Zviceran”

Për ditë me radhë moti i keq e ka penguar lëvizjen e shumë anijeve. Por ekipet e shpëtimit besojnë se ka qindra, ndoshta mijëra refugjatë që presin në brigjet turke për t’u nisur drejt Greqisë.

Refugjatët fshihen në zguvat dhe shkëmbinjtë në bregdetin turk. Policia turke thotë se arrestoi të shtunën 1700 migrantë, si dhe 16 persona të dyshuar si trafikantë.

Shumë nga migrantët që arritën të shkojnë në Lesbos akuzuan rojen bregdetare turke se kishte sulmuar anijen e tyre. Ankaraja e hedh poshtë akuzën. Një burrë thotë se policia turke e ka rrahur.

Greqia vazhdon t’i lëvizë refugjatët nga ishulli për në pjesën tjetër të vendit. Refugjati somalez Abdi Yare Mousseh po priste të shtunën tragetin për në qytetin Kavala.

“Kam shumë miq në Stamboll që duan të vijnë, por nuk është e lehtë. Disa prej tyre vajtojnë, disa janë në burg. Mua më mbajti gjashtë ditë nën arrest policia turke. Më bënë fotografi dhe morën shenjat e gishtave. Pastaj u përpoqa përsëri të shkoj në Lesbos,” thotë një refugjat somalez.

Në mes të refugjatëve janë përhapur zëra për deportime të mënjëhershme në Turqi, në varësi të shtetësisë. Megjithë komentet nga Brukseli për trajtim të drejtë, në vijën e parë të krizës refugjatët ngrenë pikëpyetje mbi bazën ligjore të planit dhe shanset e tij për të funksionuar. (voa)

Jeta e Nënë Terezës së Kalkutës

Nene TeresaAn Indian Catholic woman offers prayers as she touches a portrait of Mother Teresa on her 17th death anniversary at the Missionaries of Charity in Kolkata, India, Sept. 5, 2014.

Nënë Tereza e Kalkutës, murgesha që ia kushtoi jetën ndihmës për të varfrit, do të shpallet shenjtore e Kishës Katolike në një ceremoni më 4 shtator, siç bëri të ditur Papa Françesku. Shqiptarët kanë një ndjenjë krenarie të thellë për bamirësen e madhe e cila para se të ishte Nënë Tereza ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhi. Të ndjekim një përmbledhje të jetës së saj.

Nënë Tereza e filloi aktivitetin e saj të bamirësisë e vetme para mbi 50 vjetësh në në lagjet e varfra të Kalkutës, qyteti më i varfër dhe më i populluar i Indisë, por puna e saj ka prekur zemrat e njerëzve të të gjitha besimeve në gjithë botën.Nënë Tereza u lind nga prindër shqiptarë në Shkup të Maqedonisë më 27 gusht 1910, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.

Në vitin 1929, ajo shkoi në Kalkuta si një murgeshë e re e urdhrit të Loretos dhe ishte mësuese gjeografie në shkollën e manastirit.

20 vjet më pas ajo hapi shkollën e pare në lagjet e varfra të Kalkutës dhe krijoi urdhrin e Misionereve të Bamirësisë që kishte shtëpi për viktimat e neglizhencës, varfërisë dhe sëmundjeve në gjithë botën.

Ndjenja e saj e mirësisë dhe mëshirës, e bëri Nënë Terezën që t’u shtrinte dorën e ndihmës të varfërve, të uriturve dhe të sëmurëve me Sida dhe në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel të Paqes.

Ajo është nderuar nga shumë udhëheqës botërorë dhe fetarë, përfshirë Papën, kryeministrat indianë Indira Gandhi dhe Narasimha Rao, si edhe Mbretëresha Elizabet që i akordoi asaj një nga çmimet më prestigjioze të Britanisë, Urdhrin e Meritës.

Në vitin 1985, ajo bashkëpunoi me këngëtarin britanik Bob Geldof për të organizuar një fushatë botërore ndërgjegjësimi për krizën e urisë në Etiopi dhe në gusht 1989, Nënë Tereza personalisht ndihmoi në evakuimin e fëmijëve handikapatë nga Beiruti i përfshirë nga lufta.

Në vitin 1991, Nënë Tereza shkoi në atdheun e prindërve të saj në Shqipëri, ku mori pjesë në Tiranë në një shërbesë për rishugurimin  e Kishës Katolike që ishte mbyllur në vitin 1967.

Në dhjetor 1991, gjatë një turneu botërore për misionin e saj, nënë Tereza pati një atak në zemër dhe u operua në Kaliforni. Pas një kontrolli të hollësishëm mjekësor në Romë, ajo u kthye në Kalkutë.

Pas trazirave mes hinduve dhe myslimanëve në Indi në vitin 1992, gjatë të cilave humbën jetën të paktën 1200 vetë. Nënë Tereza u lut për paqe dhe harmoni në përkujtimoren kushtuar Mahatma Gandit në Nju Delhi.

Megjithëse dha dorëheqjen si Kryemurgeshë e urdhrit të saj fetar në vitin 1990 për shkak të problemeve me shëndetin, ajo vazhdoi përpjekjet për të ndihmuar të varfrit në gjithë botën, duke fituar çmime të mëdha ndërkombëtare.

Në tetor 1994 ajo mori pjesë në një tubim në Sheshin e Shën Pjetrit me Papa Gjon Palin për të shënuar Vitin Ndërkombëtar të Familjes të Kishës Katolike dhe një vit më pas në një mesazh të posaçëm për 85 vjetorin e lindjes, ku bënte thirrje për dashuri për zotin.

Pak para 86 vjetorit të lindjes në gusht 1996, Nënë Tereza hyrë në një shtëpi të moshuarish në Kalkuta, me zemër të dobët, malarje dhe phenumoni. Megjithëse e sëmurë rëndë, trupi i saj reagoi pozitivisht ndaj kurave të forta dhe me kërkesën e saj ajo doli nga spitali në kohë për të festuar më 10 shtator 1996, 50 vjetorin e themelimit të urdhrit katolik që ajo krijoi.

Ky rast shënoi “Ditën e Frymëzimit”, ditën kur 50 vjet më herët laureatja e çmimit Nobel tha se kishte marrë udhëzim nga Zoti që të punonte për të varfrit dhe të mjerët.

Në vitin 1997, urdhri zgjodhi motr Nirmalën për të pasuar Nënë Terezën e cila mbajti emrin Nënë por i dorëzoi kompetencat administrative.

Ajo ia prezantoi pasuesen e saj në Vatikan në vitin 1997 Papa Gjon Palit duke thënë me shaka se në moshën 86 vjeçare ajo ishte më në fund një grua e lire.

Në qershor 1997, Nënë Tereza erdhi në Uashington ku iu tha Medalja e Artë e Kongresit, nderi më i lartë që akordon Kongresi amerikan.

Para se t’ia dorëzonte medaljen, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich tha se jeta e Nënë Terezës kishte demonstruar se “të thjeshtët mund të bëheshin të famshëm, të dobëtit të fuqishëm, të brishtët mund të kenë force dhe dashuria mund ta mundë urrejtjen”.

Pas ceremonisë, Nënë Tereza bëri një turne të qendrave të Misionereve të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara. Në Nju Jork ajo u takua me Princeshën Diana dhe së bashku me të, u shfaq në Bronx për t’u takuar me admiruesit e të dyja grave, të cilat vetëm një kohë të shkurtër më pas vdiqën. Princesha Diana vdiq në gusht.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997.

(voa)

10-vjetori i Twitterit

TwiterTwitter feston sot 10 vjetorin. Kjo platformë mediatike, që ka miliona përdorues, thotë se nuk ka ndërmend ta rrisë kufirin e vendosur fillimisht, për të mos i kaluar 100 germat në mesazhet e publikuara.

Përdoruesit e përditshëm të kësaj mediaje sociale e përdorin Twitter-in për t’i komunikuar botës hollësitë dhe ndryshimet mëdha në jetën e tyre.

Bizneset e ndryshme, të vogla dhe të mëdha, e përdorin Twitterin për të njoftuar të rejat më të fundit rreth organizatave të tyre.

Twitteri është bërë gjithashtu një mjet mjaft popullor për njoftimin e ndryshimeve politike dhe sociale. Lëvizja e Pranverës Arabe në vitin 2011 e përdori shërbimin për të organizuar dhe informuar anëtarët e kësaj mediaje sociale për aktivitetet e tyre. (voa)

Pasojat e zgjerimit të industrisë së dronëve

shqiponja dronetAn eagle of the Guard from Above company, grasps a drone during a police exercise in Katwijk, on March 7, 2016. The bird of prey can get drones from the air by catching them with his legs.

Rreth një milion dronë janë shitur gjatë Krishtlindjeve të vitit 2015 vetëm në Shtetet e Bashkuara. Rritja e popullaritetit dhe ulja e çmimit të dronëve ka shkaktuar shqetësime lidhur me rreziqet e mundshme që ato mund të përbëjnë. Por analistët po theksojnë edhe përfitimet që kjo teknologji mund të sjellë.

Policia holandeze po teston një metodë të re të luftimit të krimit në ajër. Ajo po trajnon shqiponjat për të kapur dronët që përbëjnë një kërcënim për sigurinë publike. Zyrtarët thonë se kjo nuk përbën asnjë rrezik për vetë shqiponjat.

Sjoerd Hoogendoorn është Themelues i kompanisë “Guard from Above”
“Zogjtë janë natyrisht të mbrojtur nga kafshimet e grabitqarëve pasi ata kanë luspa në kthetrat e tyre që ju jep një mbrojtje të natyrshme “.

Policia holandeze thotë se do të fillojë përdorimin e shqiponjave kundër dronëve që fluturojnë në hapësirat ajrore të ndaluara, ose mbi vendet ku ka aktivitete publike.

Autoritetet janë të shqetësuara se teknologjia mund të shfrytëzohet nga kriminelët.

Hulsey Smith, i kompanisë  AERO Kinetics thotë:
“Dronët e vegjël mund të përdoren për të krijuar frikë, pavarësisht nëse ata përdoren për të nxitur një sulm terrorist apo për aktivitete të tjera. Ata aksidentalisht mund të përplasen në një turmë njerëzish”.

Eksperti i dronëve, Hulsey Smith thotë se një nga rreziqet më të mëdha është përhapja dronëve që përdoren si lodra.

“Përplasja e një droni lodër me një helikopter, si helikopterët e emergjencave mjekësore ose të tjerë, mund të jetë fatale. E njejta gjë mund të ndodh edhe me avionët. Në qoftë se një dron lodër do t’i ngjitej një avioni pasagjerësh gjatë ngritjes, kjo do të rezultonte në një dështim katastrofik të motorit”.

Por kjo teknologji ka edhe një potencial të madh. Në garën e dytë të përvitshme “Drones for Good” që u zhvillua në shkurt në Dubai, fokusi ishte tek përfitimet që mund të sjellë teknologjia e avionëve të telekomanduar. Fituesi i garës, i cili mori 250,000 mijë dollarë, ka ndërtuar një dron i cili nga distanca mund të riparojë një rrjedhje të rrezikshme në tubacionet e naftës dhe të gazit.

Talin al Hanai është fitues i garës “Drones for Good”.
“Ne donim të ndërtonim një dron, i cili jo vetëm do të zbulonte rrjedhjet, por edhe do të mund t’i riparonte ato duke mbrojtur jetën e njerëzve”.

Potenciali është i madh, thotë Hulsey Smith.

“Imagjinoni mundësinë e dërgimit të nje defibrilatori me shpejtësi tek një person që është duke  përjetuar një goditje në zemër. Imagjinoni aftësinë e inspektimit të çatisë pas një stuhie, pa detyruar punonjësit e ndërtimit të hipin në çati dhe aftësinë për të gjetur fëmijët e humbur në natyrë, ku nuk mund të përdoren avionët me ekuipazh”.

Kjo aftësi tashmë është duke u testuar. Ky dron përplaset në objekte dhe mund të vazhdojë fluturimet. Ai është dërguar në shpella akulli në Zvicër si një mjet për misione të kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë që kjo industri po zgjerohet me shpejtësi, ekspertët thonë se përfitimet dhe rreziqet e mundshme ende janë duke u analizuar. (voa)