Deri ku do të shkojë islamizimi i Turqisë?

Pas propozimit të kryetarit të Parlamentit turk, që të bëhet ndryshimi i Kushtetutës dhe të futet feja në të, është hapur një debat i gjerë në Turqi. Kjo i ka thelluar përçarjet në këtë vend.

protesta turqiKonfliktet për reforma

“Në ndarjen e shtetit nga feja ndikojnë dy parime”, mendon studiuesja e fesë islame, Kathrin Eith nga Universiteti në Halle/Gjermani. “Feja islame me elementet sunite është përkufizuar si një lloj feje shtetërore dhe Sharia, e drejta e fesë islame, e cila përcakton anët e drejtësisë.”

Drejtori i zyrës së fondacionit Friedrich-Naumann në Stamboll mendon se pas iniciativës së presidentit të Parlamentit turk Ismail Kahraman, qëndron një test politik. “Brenda partisë në pushtet AKP, ekzistojnë forca të cilat synojnë që orientimi islamik të jetë jo vetëm pjesë e partisë, por edhe e gjithë Turqisë”, mendon Hans-Georg Fleck. Por ai mendon se shumica në AKP nuk do ta hapë këtë debat, sepse “tani në rendin e ditës janë tema të tjera me rëndësi”.

Ismail Kahraman Kryetari i ParlamentitIsmail Kahraman

Kryetari i Parlamentit Kahraman, në një konferencë në Stamboll, ka kërkuar një reformë kushtetuese: “Ne jemi vend mysliman. Ndaj duhet të kemi një Kushtetutë fetare”. Me këtë deklaratë ai i ka shokuar kemalistët në vend, të cilët duan të kenë një shtet laik. Në preambulën e Kushtetutës thuhet: “Ndjenjat e shenjta fetare nuk lejohet të luajnë asnjë rol në çështjet e shtetit dhe në politikë”. Ky është një prej parimeve të Republikës së krijuar në kohën e Kemal Ataturkut në vitin 1923.

Shteti i ri turk ka zbatuar në mënyrë strikte parimet e shtetit në vitet 1930 dhe 1940. Udhëtimet në Mekë dhe mësimi i fesë në shkolla ishin të ndaluara, sikurse edhe shamia e kokës në vendet publike. Në Turqi ende vlen ndarja strikte e shtetit nga feja dhe ky konsiderohet si një parim i paprekshëm.

Islamizmi në vend të sekularizmit?

Karahman mendon se tani ka ardhur koha për futjen e fesë islame në politikë. Pas fitores së shumicës absolute nga AKP-ja në zgjedhjet e kaluara parlamentare, në nëntor të vitit të kaluar, presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe ithtarët e tij kërkojnë reformën e Kushtetutës.

Erdogan

Erdogani dhe reformat fetare.

Këto propozime i ka kritikuar ashpër lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu: “Sekularizmi është një parim i paqës”, shkruan skryetari i partisë së qendrës së majtë, CHP, në Twitter. “Nuk do të na befasonte sikur ata, që nuk duan paqë, ta shkelin këtë parim.”

Kahraman ka hasur në kritika edhe brenda partisë së tij. Drejtori i Komisionit Kushtetues nga radhët e AKP-së, Mustafa Sentop, tha se sekularizmi duhet të mbetet si parim kryesor. “Kryetari i Parlamentit është i pavarur. Ai po flet në emër të tij dhe jo në emër të partisë.”

Rruga drejt një “Turqie të re”

Një pallat presidencial, më pak alkool, më shumë shami koke në vendet publike – feja islame duket se është kthyer heshturazi në jetën publike në Turqi. Ndërsa tani kërkohet çimentimi i saj në Kushtetutë?

“Shumë zgjedhës të AKP-së janë të mendimit se shteti duhet ta respektojë fenë e qytetarëve të vet”, mendon Hans-Georg Fleck. “Kur Karahman thotë se Turqia ka një popullatë fetare dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës, kjo me siguri që nuk është gabim. Por kjo nuk do të thotë se duhet të rrënohen bazat e shtetit kemalist.

“Përçarje të thella në shoqëri”

Tendencat e islamizimit ekzistojnë edhe në shoqëri. Ajo që ka filluar ngadalë në vitin 2012, me shfuqizimin gradualisht të ndalimit të shamisë së kokës për studente, deputete dhe avokate, është vazhduar me rregullat më të ashpra për përdorimin e alkoolit dhe cigareve, ndërtimin e xhamive dhe ngritjen e shkollave të Kuranit.

Kathrin Eith mendon se këto zhvillime sjellin shumë rreziqe. Turqia mbase nuk do të bëhet kurrë një republikë islamike si Irani, por kjo mund të thellojë polarizimet në shoqëri: “Unë shoh një thellim të përçarjeve në shoqëri, në pjesët e orientuara ndaj Perëndimit dhe atayre që kërkojnë aplikimin e jetesës sipas tradiatave fetare islame.” (dw)

Dhënia e dijes për fenë në arsimin publik – Shqipëria model?

Stephanie Schwandner-Sievers, antropologe dhe njohëse e Shqipërisë thotë për DW, se: “edukimi i të menduarit kritik të nxënësve ndihmon në parandalimin e ekstremizmit”.

 

kishaKëtë shtator, në kurrikulat mësimore të arsimit laik, publik të Shqipërisë, do të futet edhe dhënia e dijeve për fetë. Këtë do ta bëjë të mundur zbatimi i një projekti pilot, në pesë shkolla nëntëvjeçare dhe pesë gjimnaze, të përzgjedhura në të gjithë vendin në rajonet urbane dhe rurale. Synimi i këtij projekti, në bazë të deklaratave të qeverisë, shfaqet afatgjatë dhe strategjik. Kryeministri Edi Rama, që e publikoi atë në një ceremoni të besimtarëve myslimanë për ditëlindjen e Profetit Muhamed, e quajti citoj “një instrument të domosdoshem për rininë, që ajo të mos bjerë pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë ajo: e radikalizmit islamik apo ekstremizmit politik”. Rama siguroi se kjo nuk do të cënojë karakterin laik të shkollës, përkundrazi do të forcojë kulturën laike që ndodhet sot e papërgatitur për të përballuar sfidat e propagandës ekstremiste të çdo lloji. Ferit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme për Politikat dhe Strategjitë, i ngarkuar nga qeveria për konceptimin dhe jetësimin e kësaj nisme thotë për DW: “Koncepti i qeverisë ka në thelb nevojën që ndjejmë sot për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve disa njohuri më specifike dhe të organizuara sipas moshës, mbi besimet fetare, që kanë të bëjnë me çfarë përfaqëson feja në shoqëri, cila është historia, kultura dhe roli i saj. Synohet që fëmijët dhe të rinjtë të pajisen me njohuritë e nevojshme – sidomos kur ata i përkasin një komuniteti të caktuar fetar- të dinë çfarë do të thotë t’i përkasësh një besimi tjetër nga ai që ata vetë kanë. Për një shoqëri me disa besime fetare si kjo e jona, njohja dhe kultivimi i respektit për tjetrin merr rëndësi parësore”, thotë Ferit Hoxha.

Mësime nga historia, situata e sotme gjeopolitike.

Bashkëjetesa në paqe dhe respekti për fenë e njëri- tjetrit, mes banorësh me katër besime të ndryshme fetare e bën Shqipërinë një rast krejt të veçantë, edhe në zbatimin e këtij projekti. Thelbi është që kjo nismë e qeverisë të forcojë klimën fetare të respektit dhe besimit të ndërsjelltë që ekziston në Shqipëri dhe të pajisë me dije nxënësit për të shmangur instrumentalizimin e dallimeve fetare dhe konfrontimin për shkak të tyre. Kjo merr rëndësi jetike kur mësimet nga historia vijnë dhe aktualizohen në dritëne situatave aktuale gjeopolitike. “Të mos harrojmë se vetëm dy dekada me parë, gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Ballkani pagoi një çmim të llahtarshëm nga instrumentalizimi i dasive fetare. Dalja në skenë dhe mizoritë e papërshkrueshme të të ashtuquajturit DAESH, si projekt politik me bazë fetare, amplifikon dasitë fetare, ushqen radikalizimin, dhunën ekstreme të justifikuar me interpretimin abuziv të fesë dhe mështetet pikërisht tek këto fenomene. Shqipëria nuk është e paprekshme apo e imunizuar prej zhvillimesh të tilla. Fakti që rreth 100 qytetarë shqiptarë u bënë pjesë e kultit të vdekjes-DAESH- apo që organet tona ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë po ballafaqohen me shkeljen e ligjit nga individë në baza fetare, siç tregoi gjyqi i imamëve radikalë, muajin e kaluar, tregojnë se është koha për të marrë masat e duhura, ruajtur të sotmen dhe siguruar të ardhmen”, thotë për DW, Ferit Hoxha

Kjo përqasje në futjen e dijeve për fetë në arsimin laik të Shqipërisë bazohet në praktikën e jetës së sotme: adoleshentët kanë akses pakufi në internet, në gamën pa kufi të instrumentave pa kufi të teknologjisë digjitale. Nëse ata nuk kanë dije për të përzgjedhur me vetëdije informacionin pafundësisht të madh që marrin, nuk është e pamundur të joshen nga gjuha e urrejtjes, të bëhen viktima të demagogëve dhe indoktrinimit fetar ekstrem. Që kjo të mos ndodhë dhënia e dijeve për fenë duhet të nxisë dhe frymëzojë kureshtjen, relativitetin, vënien në dyshim të dogmës, të menduarit kritik.

Nxitja e të menduarit kritik të nxënësve domosdoshmëri

Dr. Stephanie Schwandner-Sievers, antropologe gjermane, akademike në Universitetin e Bournemouth në Britaninë e Madhe, që ka kryer studime për Shqipërinë, thotë për DW se ka rëndësi të madhe pikërisht nxitja e të menduarit kritik të nxënësve, përmes dijeve për fenë që do t’u jepen atyre: “Nëqoftëse edukimi fetar është krahasues dhe i inkurajon nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike për ngjashmëritë dhe dallimet mes feve, mënyrat në të cilat besimet fetare janë përdorur për të justifikuar dhunën ose krijuar të ashtuquajturin “superioritetin” të një grupi ndaj një grupi tjetër apo për të parë potencialin e paqes në çdo fe…atëherë kjo mund të ushtrojë dhe forcojë shumë mirë të menduarit kritik. Të edukosh të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike, ndihmon në parandalimin e ekstremizmit. Nxënësit duhet të nxiten të kuptojnë që çështja e besimit fetar dhe fjala e lirë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën në çdo besim fetar, që të dyja janë të rëndësishme. Edukimi i tyre duhet bërë nga mësues të arsimuar shumë të mirë, që nuk kanë ndërmend të preferojnë një fe në krahasim me një tjetër, që dinë sesi ta bëjnë mësimin interaktiv, që nxënësit të mendojnë. Ka rëndësi koncepti i përgjithshëm i mësimeve ku do të jepen dije për fenë, cilësitë e mësuesit, edukimi i nxënësve përtej perceptimeve të vjetëruara, statike të fesë, aftësia e mësuesve për t’i angazhuar nxënësit, të bëjnë pyetje interesante, të cilat i bëjnë ata të mendojnë. Pikërisht për shkak të shoqërisë ekumenike të Shqipërisë, dhënia e dijeve fetare me një frymë të tillë mund të bëhet model”, thekson Dr.Stephanie Schwandner-Sievers.

Si do të ndërtohet modeli i dhënies së dijeve për fenë?

Që kjo frymë të marrë jetë sfidat kryesore që duhet të përballojë qeveria janë modeli që po ngrihet, përmbajtja e teksteve shkollore që po hartohen, përzgjedhja e mësuesve të duhur dhe trainimi i tyre. “Modeli për dhënien e dijeve mbi fenë do të jetë në përputhje me situatën, realitetin dhe nevojat e Shqipërisë. Janë ngritur grupe pune me ekspertë, mësues, studiues, dijetarë shqiptarë që do të përcaktojnë metodologjinë, materialet mësimore, mësuesit dhe formimin e tyre. Mendohet që dijet për fenë të integrohen në lëndën e Edukatës Qytetare. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me vende dhe institucione që kanë një eksperiencë më të madhe sesa Shqipëria: me Ministrinë e Arsimit në Francë, Observatorin Francez të Laicitetit, me Jordaninë për rolin e veçantë dhe aktiv që luan ky vend dhe Mbreti Abdallah, SHBA, OKB, Këshillin e Europës, me Fondacione e individë të vecantë. Por nuk do të replikojmë modele egzistuese në vende të tjera”, thotë për DW Ferit Hoxha.

Pirro Misha, intelektual i mirënjohur në Shqipërti, studiues, Drejtor i Institutit për Dialog dhe Komunikim, thotë për DW se në realizimin e këtij projekti duhet pasur fort parasysh që Shqipëria është e veçantë në çështjet e besimeve fetare: “Modeli nuk mund të bazohet në vende që kanë një fe dhe emigracion si Franca p.sh. Shqipëria ka katër fe, që bashkëjetojnë në paqe dhe harmoni, duhet ruajtur ekuilibri mes tyre pa përjashtuar edhe ateizmin, për të cilin duhen dhënë dije si pjesë e kulturës së Shqipërisë”, thotë Pirro Misha.

Lidhur mer pjesëmarrjen e komuniteteve fetare në konsultimet për modelin dhe konceptin e dhënies së dijeve për fenë ka mendime pro dhe kundër.

“Kemi zhvilluar takime me komunitetet fetare, ku kam marë pjesë edhe unë, ideja është absolutisht e mirëpritur prej tyre. Kemi ndarë konceptin, kemi shkëmbyer mendime për të bërë më të mirën. Nuk duhet harruar që përfaqësuesit e besimeve fetare në Shqipëri kanë meritën e tyre në ruajtjen e forcimin e harmonisë fetare. Por vendimet do të merren nga institucionet e Republikës së Shqipërisë përgjegjëse, për fushat përkatëse”, thotë Ferit Hoxha.

Pirro Misha mendon se komunitetet fetare nuk mund dhe nuk duhet të jenë partnere në këtë nismë të qeverisë. “Ka konflikt interesi. Komunitetet fetare duhet të merren me besimtarët. Çdo ndërhyrje duhet bërë me pasoja afatgjata, për të ruajtur harmoninë fetare, presioni nga ISIS nuk mund të jetë faktori vendimtar, feja nuk duhet përdorur si instrument gjeo-politik”.

Ecuria e projektit pilot në vitin shkollor 2016-2017 do të monitorohet që të korigjohen të metat dhe mangësitë dhe për t’i hapur rrugën zbatimit të në shkallë republike. (dw)

Nato, Nishani takim me Stoltenberg

Vlerësimi për rolin e Shqipërisë. Presidenti Nishani: Mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi e Maqedonisë. Sekretari i Përgjithshëm: Muajin e ardhshëm firma e Protokollit të Anëtarësimit me Malin e Zi

Nishani StoltenbergPresidenti shqiptar Bujar Nishani u takua sot në selinë e Natos në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg, në kuadër të përgatitjeve të Takimit të Nivelit të Lartë të Varshavës korrikun e ardhshëm.

Sekretari Stoltenberg, vlerësoi “angazhimin e fortë në Nato” dhe kontributin e Shqipërisë në misionet dhe operacionet e saj, vecanërisht vazhdimin e përfshirjes së saj në misionet në Afganistan dhe në Kosovë. Zoti Stoltenberg çmoi “rolin e rëndësishëm – siç tha ai – në luftë kundër ISIS-it, dhe kontributin me pajime ushtarake dhe trajnime për forcat special në Irak”, si dhe faktin se Shqipëria ka rritur për këtë vit shpenzimet e saj për mbrojtjen.

Nga ana e tij presidenti Bujar Nishani deklaroi se “Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë”. Kreu i Shtetit shqiptar ritheksoi “mbështetjen pa rezerva për vijimin e politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s” duke konfirmuar “mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh zoti Nishani, i cili gjatë takimit me zotin Stoltenberg ka “inkurajuar dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, si një garanci e shtuar në dobi të paqes në rajon.

Mali i Zi ka marrë ftesën për t’u anëtarësuar në Nato, dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenebrg deklaroi se  “muajin e ardhshëm do të ndërmerret një hap i rëndësishëm me firmën e Protokollit të Anëtarësimit të Malit të Zi. Pasi të gjitha vendet anëtare ta kenë ratifikuar këtë protokoll, Mali i Zi, do të bëhet anëtari i 29 i Aleancës”, shpjegoi zoti Stoltenberg. (voa)

Volkswagen, pasojat e manipulimit teknik

vwProdhuesi gjerman i makinave, Volkswagen bëri të njohur se dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga manipulimi për të fshehur sasinë e gazeve që çlirojnë makinat e saj me naftë,  ishte 18, 2 miliardë dollarë vetëm për vitin 2015. Por dëmi total mund të jetë edhe më i lartë.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Matthias Mueller, kërkoi përsëri falje për skandalin, në konferencën e përvitshme për shtyp në Wolfsburg të Gjermanisë, duke thënë se “ne i zhgënjyem shumë njerëz që kishin besim tek Volkswagen-i.”

Në shtator të vitit të kaluar autoritetet amerikane zbuluan se prodhuesi gjerman I makinave, një nga më të respektuarit e botës, kishte instaluar prograame kompjuterike për të mashtruar testet e çlirimit të gazeve. Janë rreth 11 milionë makina Volkswagen në mbarë botën që kompania duhet t’i rregullojë që pas zbulimit të skandalit. (voa)

IFIMES: BDI një kukull në duart e Gruevskit

bdiZgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat ishin paraparë të mbahen më 24 prill, janë shtyer në deri më muajin qershor.

Zgjedhjet janë pasojë e marrëveshjes së Përzhinës, e arritur mes katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni. Ky dokument

Kështu fillon analiza e Institutit Ndërkombëtar për Studimet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan (IFIMES)  për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, njofton agjencia e lajmeve INA.

“Ndërkohë, partia shqiptare në pushtet në fillim të prillit 2016 taktikisht la koalicionin qeverisës në interes të regjimit  për të “çimentuar” datën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor të vitit 2016 dhe në këtë mënyrë edhe një herë tregoi dhe konfirmoi se është vetëm një kukull në duart e Nikolla Gruevskit (VMRO-DPMNE)”, thuhet në këtë analizë, të cilën e ka siguruar agjencia INA.

Sipas këtij studimi edhepartia tjetër shqiptare PDSH  gjatë gjithë kohës ka vepruar në funksion të regjimit.

“Shqiptarët për shkak të BDI-së dhe PDSH kanë mbetur mbetet pa përfaqësuesit e tyre në institucionet e shtetit maqedonas.

Për këtë arsye kryeministri shqiptar Edi Rama ka vendosur të anuloj cdo mbështetje ndaj Ali Ahmetit dhe Menduh Thacit.

Pas dhjetë viteve në pushtet, Ifimes thekson se koalicioni VMRO-BDI e kanë vjedhur shtetin dhe demokracinë”, thekson ndër të tjera analiza. (INA)

Trump, fjalim për politikën e jashtme

trumpDonald Trump, kandidati kryesor republikan për President bëri të mërkurën thirrje për ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme amerikane duke vendosur interesat amerikane mbi çdo gjë, me pretendimin se aktualisht kjo politikë “është një katastrofë e plotë dhe e përgjithshme”.

Në një fjalim prej 38 minutash në një hotel në Uashington, zoti Trump, sulmoi politikën e jashtme të Presidentit Barack Obama  dhe vendimet e ish-Sekretares së tij të Shtetit Hillary Clinton, kandidatja kryesore demokrate për president me të cilën ai ka gjasa të përballet nëse bëhet kandidati republikan për zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Trump akuzoi Presidentin Obama dhe zonjën Clinton se kanë udhëhequr me një politikë të jashtme “të papjekur, pa orientim dhe pa objektiv”. Ai tha se mungon vizioni, synimi, drejtimi dhe strategjia.

Por ai fajësoi pa e përmendur me emër edhe ish- PresidentinGeorge W. Bush për politika që sollën si rezultat luftën e gjatë në Irak, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Shteti Islamik “do të eliminohet”

Zoti Trump, një biznesmen miliarder që po i afrohet kandidaturës republikane por nuk e ka siguruar atë, tha se gabimet amerikene në Lindjen e Mesme “filluan me idenë e rrezikshme se mund t’i kthejmë në demokraci perëndimore vendet që nuk kanë as përvojë as interes të bëhen demokraci perëndimore”.

Ai premtoi se nëse zgjidhet President dhe zëvendëson zotin Obama, ai do t’i shkatërrojë kryengritësit e Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme.

“ISIS do të eliminohet. ISIS do të eliminohet me shpejstësi”, tha ai.

Gjatë fushatës, zoti Trump ka përmendur disa vepime konkrete që ai do të ndërmarrë, duke thënë se do të ndërtojë një mur me Meksikën, për të ndalyr valën e imigrantëve të paligjshëm, se do të deportojë 11 milionë imigrantë të paligjshëm dhe se do të ndalojë përkohësisht hyrjen e myslimanëve në vend. Po ai nuk përmendi asgjë nga këto sot.

Ai tha në fjalim se “alleatët nuk po paguajnë pjesën e tyre”, duke përmendur se vetëm katër nga 28 anëtarët e NATO-s paguajnë 2 për qind të eknomisë së tyre për programe ushtarake dhe të mbrojtjes. Ai tha se nësa ata refuzojnë, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme që t’i lejojnë të paguajnë për mbrojtjen e tyre, në vend që t’i lejojë të mbrohen sipas paktit të NATO-s. (voa)

Qeveria mbrojti Gërdecin, firma e Petro Koçit: Ishte aksident teknologjik

VENDIMI I GERDECITQëndrimi i Gardës nuk është i pari në radhën e qëndrimeve të qeverisë Rama ndaj çështjeve të bujshme të qeverisë së mëparshme. Një qëndrim të njëjtë ka mbajtur qeveria Rama sikurse qeveria Berisha edhe për çështjen e Gërdecit.

Në ankimimin e dorëzuar në gjykatë një vit më parë, një dokument që mban firmën e zv.ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi, tragjedia e Gërdecit përshkruhet të ketë ndodhur për shkak të një aksidenti teknologjik gjatë demontimit të municioneve.

Por ndërsa shkalla e parë Administrative ka vendosur dëmshëprblimin e familjarëve të Hysen Canit edhe nga Ministria e Mbrojtjes, kjo e fundit kërkon që të rrëzohet ky vendim pasi, sipas saj, ky dëm ka ardhur nga kompania “Albademil” dhe amerikania “Sac”.

Ashtu si edhe në qëndrimin e Gardës, Ministria e Mbrojtjes sjell si arsyetim faktin që ekziston një VKM i kohës së Berishës që i ka dëmshpërblyer këto familje të dëmtuara, çka do të thotë sipas Ministrisë së Mbrojtjes se ato janë trajtuar njëherë me ndihmë financiare.

Nuk rezulton në asnjë dokument, thuhet tek apelimi, që Ministria e Mbrojtjes të jetë implikuar apo të jetë pjesëmarrëse në ndonjë nga kontratat dhe gjykata në vendimin penal i ka gjetur fajtorët përkatës. Rezulton, thuhet më tej, se Ministria e Mbrojtjes, si person juridik, nuk është gjetur me faj për veprimet dhe mosveprimet e saj.

Por, edhe pse politikisht është lakuar mënyra sesi është lidhur kontrata për demontimin, gjyqësisht Ministria e Mbrojtjes ngul këmbë se ajo i ka shitur një sasi  municionesh të dala jashtë përdorimit shoqërisë amerikane “Sac”, e cila meqënëse nuk mund të krijonte aktivitet në Shqipëri krijuan “Albademil”.

/ Top Channel

Maqedonia “fundoset” tutje sa i përket lirisë së shprehjes

liria e shprehjesNë raportin për vitin 2015 të organizatës për të drejtat e njeriut, “Freedom House”, Maqedonia nga vendi “pjesërisht i lirë”, ka kaluar në vendin e 136-të, apo në grupin e vendeve të cilësuara si “aspak të lira”, ku bën pjesë Rusia, Turqia dhe vende tjera aziatike dhe afrikane.

Rënien më të madhe në lirinë e shtypit, njohësit e çështjeve mediatike e vlerësojnë si reale duke marrë parasysh zhvillimet e vitit të kaluar kur në Maqedoni u regjistruan presionet, por edhe sulmet më të mëdha ndaj gazetarëve, një prej të cilëve, Tomisllav Kezharovski, u dënua me dy vjet burg ndërsa shumë media tjera përjetuan presione nga më të ndryshmet për ndryshimin e politikave të tyre redaktuese në favor të politikave të pushtetit.

“Kur kjo ndodhë një një botë të lirë është e qartë se pushteti dhe institucionet dëshirojnë t’ia mbyllin gojën gazetarëve, t’i frikësojnë që të heqin dorë nga shkrimet që kanë për qëllim zbulimin e krimeve të bëra nga pushteti”, thotë Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani.

Nga ana tjetër, Zhaneta Trajkovska, drejtoreshë e shkollës së lartë të gazetarisë, thotë se kur kemi drejtësi selektive, liri të kufizuar dhe media të korruptura, është normale që vendi të ketë rënie të madhe në lirinë e shtypit. Ajo thotë se një raporti i tillë pritej duke marrë pararsysh raportin paraprak që gjithashtu fliste për demokraci të kufizuar dhe shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Ky raport reflekton gjendjen në të cilën ndodhen mediat në vend, ku kemi media në të cilat lajmet redaktohen jashtë zyreve të tyre, përkatësisht në qendrat politike të vendosjes. Pra, raporti nxjerr në pah realitetin e hidhur se partitë janë ato që bëjnë lajmet e mediave. Ne këtu nuk kemi pluralizëm të mendimit, apo kemi pluralizëm virtual të proklamuar në mënyrë të rrjeshme, por që nuk mund të fshihet nga ata që vlerësojnë lirinë e shprehjes në çdo vend”, thotë Trajkoska.

Ndryshe, çështja e mediave është edhe një nga pikat kryesore të debatit mes partive të cilat nuk kanë arritur asnjë zgjidhje për heqjen e ndikimit ndaj tyre edhe pse ato kanë nënshkruar marrëveshje me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Partitë në pushtet kishin refuzuar një propozim të diplomatit belg, Piter Vanhojte, i cili kishte ofruar një zgjidhje për emërimin e ekspertëve të krye të agjencisë së mediave, transformimin e transmetuesit publik, uljen e gjobave dhe çështje tjera më të cilat synohej heqja e ndikimit të partive mbi mediat.

Presionet ndaj mediave dolën në sipërfaqe me atë që njihet si aferë e përgjimeve të publikuar nga opozita vitin e kaluar, ku nga bisedat e përgjuara të zyrtarëve degjoheshin plane dhe urdhëra në adresë të mediave të kontrolluara prej tyre se si të raportojnë për çështje të caktuara në interesin e tyre.

Përveç nga organizata “Freedom House”, Maqedonia vlerësime negative ka marrë edhe nga të gjitha raportet e organizatave tjera ndërkombëtare. Në Indeksin e publikuar të lirisë së mediave nga “Reporterët pa Kufij”, Maqedonia ishte renditur e 118-ta, një vend më poshtë nga viti i kaluar. (rel)

Zgjedhjet paraprake në SHBA: Trump fiton të 5 shtetet, Clinton në 4

trump clintonRepublikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton janë më afër që të sigurojnë kandidaturat e tyre pas zgjedhjeve paraprake të së martës

Kandidati republikan Donald Trump, ka fituar në të 5 shtetet ku u zhvilluan zgjedhjet paraprake të së martës. Fitorja e çon atë një hap më pranë emërimit nga partia si kandidat i saj për president.

Trump fitoi në Kënektikat, Delauare, Mariland, Pensilvani dhe Rode Ajlënd, me më shumë se 55 për qind të votave në secilin prej këtyre shteteve.

Donald Trump shkoi në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.

Duke folur para mbështetësve të tij ai tha se “gara ka përfunduar” dhe cilësoi veten tashmë si kandidat. Pas votimeve të së martës ai ka siguruar 950 nga 1 mijë e 237 delegatët e nevojshëm për të siguruara kandidimin, një numër që nuk duket ta sigurojë para kuvendit të republikanëve që mbahet në mujain korrik.

Rivalet e tij republikanë, Ted Cruz dhe John Kasich, nuk mund të sigurojnë numrin e nevojshëm për kandidim dhe kanë rënë dakord që në shtetet që kanë mbetur në javët e ardhshme, të bashkëpunojnë për të mos lejuar Trumpin të sigurojë numrin e duhur të delegatëve, duke detyruar partinë ta zgjedhë kandidatin gjatë ditëve të kuvendit në korrik.

Gjatë një takimi elektoral në shtetin e Indianës, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen javën tjetër, Ted Cruz e pranoi se ai nuk do të fitonte në ndonjë prej shteteve të martën, por u tha mbështetësve të tij të mos mendojnë se ai nuk ka shanse, pasi ai pret të dalë mirë në Indiana javën tjetër dhe në Nebraska, më 10 maj.

Trump e quajti fushatën kundër tij “Të ndalim Trumpin” një përpjekje “të mjerë” dhe e akuzoi Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht, duke e cilësuar sistemin e emërimit si të “manipuluar”.

Sipas një ankete të fundit, ai gëzon 50 për qind mbështetje mes votuesve republikanë në mbarë vendin. Kjo është hera e parë që ai siguron mbi 50 për qind, sipas anketës së  “NBC Neës/Survey Monkey”,  (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).

ClintonKandidatja e demokratëve Hillary Clinton u drejtohet mbështetësve të saj në Philadelphia, në zgjedhjet paraprake të së martës

Në kampin demokrat, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton, fitoi në shtetet Delauare, Meriland, Pensilvani dhe Kënektikat. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders fitoi në Rode Ajlënd.

Clinton e cila shkoi në garat e së martës me 1944 delegatë, tashmë ka 2 mijë e 141 delegatë, ndërsa për të siguruar emërimin e kandidatit demokrat i duhen 2383 delegatë.

Ajo u tha mbështetësve të ngazëllyer në Filadelfia se do të bashkojë Partinë Demokratike për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor dhe të cojë pëprara traditën përparimtare të saj.

SandersKandidati demokrat Bernie Sanders flet para përkrahësve gjatë një tubimi në Huntington

(voa)

Gjermania ngre ushtrinë kibernetike

13.500 pjesëtarë të Bundeswehrit do të luftojnë në të ardhmen në internet. Pikërëndesa do të jetë në mbrojtjen e sulmeve kibernetike. Në temën e ndërmarrjes së sulmeve, ministrja e Mbrojtjes mbajti qëndrim defensiv.

Ministrja e Mbrojtjes gjermane UrsulaUshtria gjermane, Bundeswehri po armatoset kundër sulmeve që vijnë nga interneti. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shpalli për këtë ngritjen e një drejtorie të përgjithshme me 13.500 punonjës. Si datë për nisjen e punës, ministrja përmendi fundin e këtij viti. Në bazë të planit, drejtoria e re e përgjithshme me emrin “hapësira kibernetike dhe informative” do të zgjerohet deri në vitin 2021 dhe do të “sillet në gjendje të plotë operacionale”.

Me këtë ministrja reagon ndaj rritjes së numrit të sulmeve kibernetike. Aktualisht çdo ditë numërohen rreth 6500 sulme ndaj rrjeteve të federatës. Sektori i ri organizativ i Bundeswehr-it do të ketë një inspektor të vetin. 13.500 vendet e reja të punës nuk do të hapen nga e para – por, në 90 përqind të tyre – do të krijohen nga forcat e IT-së të shpërndara në pjesët ushtarake dhe civile të të gjithë Bundeswehr-it.

Kurs kibernetike në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih

“Ne duhet të pozicionohemi më mirë në temën e kibernetikës” dhe ta “grupojmë më mirë ekspertizën”, tha von der Leyen. Specialistë nga jashtë, në bazë të kësaj, Bundeswehri do t’i tërheqë përballë konkurencës së madhe në treg, para së gjithash me “shanse të qarta për karrierë”. Veç kësaj, në universitetin e Bundeswehrit në Mynih do të ngrihet një kurs kibernetike me disa vende profesorësh, kurs të cilin do ta mbarojnë rreth 70 vetë në vit. Pranë Shkollës së Lartë do të ngrihet edhe një qendër kërkimore.

Von der Leyen pranoi njëkohësisht prapambetje të Bundeswehrit në mbrojtjen kibernetike. Në kuadër të përpunimit të Librit të Bardhë aktual të ushtrisë, vitin e kaluar ministria “i avancoi në mënyrë të konsiderueshme njohuritë e saj” dhe “nëpërmjet një workshopi për kibernetikën, të cilin e ngritëm relativisht vonë” u bë e qartë “sa e rëndësishme është që të fitojmë kohën e humbur në këtë fushë.” Ndihmë ka dhënë në këtë fushë këmbimi i përvojave me “aleatë, që janë më përpara”.

E rezervuar u tregua ministrja për aftësitë e mundshme ofensive të sektorit të ri kibenetik. Bundeswehri do të veprojë “me aftësinë e re kibernetike” njësoj si punon në të gjithë sektorët e tjerë, tha ajo. Ushtria gjermane duhet të jetë në gjendje “të mbrojë veten”, “të ndërtojë aftësi mbrojtëse” dhe që të ketë mundësi “të ushtrohet” për qëllime mbrojtëse. Përgjegjësinë drejtuese në strategjinë e Bundeswehrit në përgjithësi do ta ketë “shumë qartë” Ministria Federale e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, Bundeswehri ka disa vjet që ushtrohet për sulme kibernetike. Një njësi e vogël, e fshehtë, që vepron në Rheinbach pranë Bonnit, me aktualisht 60 ushtarakë është përgjegjëse për këto sulme. Por një angazhim ofensiv i kësaj njësie – si për shembull depërtimi në rrjetin e kundërshtarit – duhet të miratohet nga Bundestagu, njësoj si misionet luftarake në Afganistan dhe Mali. (dw)