Shtypi në Shqipëri, Kosovë pjesërisht i lirë

FreedomHouseOrganizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë.

Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të mërkurën, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.

Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.  Nga vendet e rajonit,  vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë.

Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova  ishin radhitur në vendin e 98-të.

Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.

Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë.

Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar edhe mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.

Në Sërbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike, gjë që ka ndikuar në shtimin e auto-censurës. Serbia ka shënuar rënie në renditje për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së (Aleksandër) Vuçiçit kundrejt gazetarëve hulumtues, censurës dhe zvogëlimit të mundësive për raportim kritik e të pavarur.

Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre tndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.

Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.

Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet.

Sipas Freedom House vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë. (voa)

Brukseli me masa të reja për Maqedoninë

MAJA-BEBrukseli nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reja ndaj Maqedonisë pas dështimit të Marrëveshjes politike dhe mospërmbushjes së reformave urgjente prioritare.

Madje, situata në vend sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq vazhdon të përbëjë shqetësim të madh për Brukselin.

Unioni, i cili ka mbetur pa opsione për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës, në dorë ka vetëm vendosjen e sanksioneve ndaj vendit, raporton Alsat-M.

“Situata mbetet ende shumë shqetësuese për ne. Ne mbetemi në dispozicion, por siç e përsëritëm disa herë tashmë përgjegjësia për zgjidhjen e krizës politike në vend është në duart e liderëve politik. Ne nënvizuam shqetësimet tona dhe gjithashtu në deklaratën e një jave më parë theksuam se jemi të detyruar të konsiderojmë veprime të mëtejshme me qëllim që të plotësohen kërkesat e parashtruara nga Këshilli, Komisioni dhe Parlamenti. Megjithatë siç thash më herët unë nuk do të spekulojë rreth tyre”, tha Kocijançiq.

Përveç masave të reja ndaj vendit, gjithnjë e më të zëshme bëhen kërcënimet e Brukselit për pezullimin e rekomandimit për çeljen e negociatave me Maqedoninë si dhe futjen në listën e zezë të Shengenit të politikanëve të pushtetit.

Komisioneri evropian Johanes Han, pak kohë më parë theksoi se nëse vendi organizon zgjedhje jo të besueshme, qeveria e re nuk do të njihet ndërkombëtarisht. Ndërkaq, për të vlerësuar klimën politike dhe atë parazgjedhore në Shkup qëndron edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vlerësimi i tyre do të shpaloset pas përfundimit të takimeve me kryetarin e Parlamentit, ministrin e brendshëm, partitë politike, Komisionin Shtetëror Zgjedhor, si dhe me Prokurorinë Speciale. (ina)

Sejdi Thaçi, i zhdukur më 1999 kthehet i gjallë tek familja

autoblinda serbeSejdi Thaçi nga fshati  Zajm i komunë së Klinës,  i zhdukur që 17 vjet, është kthyer i gjallë në shtëpi. Familjarët e tij deklaruan se Sejdiu është zhdukur në Pejë me 6 janar 1999.

Në atë kohë ai është marrë nga forcat serbe pas rastit në kafiterinë ‘Panda’ kur u vranë disa të rinj serbë. Më vonë, për këtë vrasje u mor vesh se ishte kryer nga vetë forcat serbe për të krijuar pretekst për të vrarë shqiptarët.

Hysen Thaçi, djali i vëllait të të kthyerit Sejdi Thaçi, deklaroi në Klan Kosova se të afërmin që deri më tash ishte i zhdukur, e kishin kërkuar gjithkund.

“Kemi kërkuar gjithkah  me ADN  dhe nëpër organizata të ndryshme por nuk e kemi gjetur”, tha Hysen Thaci.

Sipas tij, axha është kthyer në shtëpi javën e kaluar rreth orës  8 e 30 minuta, por që aktualisht është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore e tij nuk është aq e mirë as psikikisht as fizikisht”, tha ai.

“Nuk ka shumë njohuri se ku ka qëndruar por vetëm i kujtohet kur është arrestuar”, tha Hysen Thaçi, nipi i të kthyerit.

“Nuk mundet të tregojë  nga fillimi deri në fund se çfarë ka bërë, ku ka jetuar e si është kthyer apo si ka shpëtuar”, tha ai.

“Aq sa ka treguar, axha ka ardhur deri në kufi në veri të Kosovës, pastaj deri në shtëpi me një taksist nga Skenderaj”.

Për më tepër, Hysen Thaçi tregoi se sipas fjalëve të axhës së tij, deri para pesë muajve ka qenë bashkë me një person tjetër gjithashtu i zhdukur.

“Ai thotë se ka qenë me një person tjetër i cili ka vdes para 5 muajve. Nuk mund të flasim për persona të tjerë apo me emra sepse nuk duam të japim shpresa, por organet përkatëse duhet të merren me të”, tha ai.

Familja Thaçi, sot i ka njoftuar organet përkatëse për këtë rast, pasi kanë pritur derisa gjendja e tij shëndetësore është forcuar pak.

“Deri më sot nuk kemi dashur të japim më shumë shpresë askujt. Por tash duhet që organet përkatëse që merren me të pagjeturit të merren me këtë rast”, tha ai Hysen Thaçi.

Ky është rasti i parë që pas 17 vjetësh, një persin që konsiderohej i zhdukur, kthehet i gjallë në shtëpi.

Madje emri i Sejdi Thaçit, figuron i gdhendur edhe në pllakën përkujtimore në Klinë, ku janë të vendosur emrat e të pagjeturve.

Hysen Thaçi, djali i vëllait të të kthyerit, Sejdi Thaçi duke dhënë intervistë në Klan Kosova./KlanKosova

Rama, për “Sky News”: Ne nuk duam konfederatë, por aspirojmë BE-në

skyramaEditoriali plot ironi i kryeministrit Edi Rama për gazetën “The Times” ka ngjallur interesin e medias britanike. Në një lidhje direkte nga Tirana me televizionin “Sky News”, në emisionin politik “Tonight” të Adam Boulton, kryeministri u pyet për debatet që ka ngjallur në Britani deklarata e ministrit të Drejtësisë, Michael Gove, që sugjeronte se Britania mund të braktiste partneritetin e saj me Europën e ta zëvendësonte atë me një partneritet jashtë BE-së me Shqipërinë.

“Duke njohur e respektuar inteligjencën e zotit Gove, unë u surprizova. Duket diçka shumë e çuditshme për mua, që zoti Gove po fliste për një konfederatë të tillë dhe si model, ai solli atë që ne shqiptarët nuk e pëlqejmë, pasi ne duam të jemi pjesë e BE-së. Ne nuk duam të vuajmë jashtë BE-së nga kushte të tjera që kjo situatë sjell. Më duket shumë e çuditshme, që vendi i Churchillit, me një prej shoqërive më të jashtëzakonshme në Europë dhe në botë, është përfshirë në debate për ta lënë ose qëndruar në BE, duke harruar gjërat thelbësore në këtë debat, pasi BE-ja u ndërtua si një projekt i madh i paqes”, tha Rama.

Adam Boulton e pyeti kryeministrin, përse kjo dëshirë e madhe e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së, në një kohë kur Greqia fqinje u fut në krizë.

“Faktet dhe e vërteta nuk janë aq të thjeshta. BE-ja është forca udhëheqëse kur flasim për reformat. Shikoni vendin tim, shikoni Ballkanin. Nëse Greqia vuajti atë që vuajti, nuk ishte pse BE-ja ka probleme ekonomike, por sepse reformat nuk ishin përmbushur dhe se kishte plot gjëra të pavërteta, që ia ushqyen vetes e më pas u përballën”, tha Rama.

Për frikën britanike të dyndjes së shqiptarëve në shtetin ishull, pasi Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, Rama dha këtë përgjigje:

“Nuk është se një ditë ju do të kemi miliarda e miliarda shqiptarë, që do të fluturojnë në qiejt britanikë, duke iu pushtuar njësoj si në filmat fantastiko-shkencorë. Jo, jo. Shqiptarët, serbët dhe të tjerët në këtë rajon për shumë vite kanë një regjim të lirë vizash, duke lëvizur në Europë, por pyesni gjermanët, francezët, danezët e të tjerët, nëse ata kanë parë qiejt e tyre të pushtuar nga ‘shqiponjat e zeza shqiptare’, duke u ndalur atje e duke sulmuar popullatën. Kjo është e pakuptimtë, tërësisht e pakuptimtë. Nuk e imagjinoj dot, sesi shoqëria juaj mund të orientohet në këtë debat shumë fëminor”, u shpreh Rama.

/ Top Channel

Kuvendi heziton ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi

Kuvendi i ksKryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancën e radhës më 28 prill, por as kësaj radhe në rend të ditës nuk është paraparë çështja e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit.

Marrëveshja për demarkacionin është nënshkruar në Vjenë më 25 gusht të vitit të kaluar. Ajo ishte prezantuar nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës sishumë e rëndësishme, pasi që Kosova po shënonte vijat kufitare me shtetet fqinje.

Mirëpo, subjektet politike opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi këtë marrëveshje, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, në Kuvend, por edhe jashtë tij, opozita ka organizuar protesta, duke kërkuar anulimin e marrëveshjes.

Marrë parasysh shqetësimet e opozitës dhe qytetarëve që kishin protestuar në Prishtinë dhe qytete tjera, ish-presidentja e Kosovës, Aitifete Jahjaga, pati angazhuar një ekip ndërkombëtar të ekspertëve për të shqyrtuar marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ky ekip iekspertëve ndërkombëtarë, në fund, nuk kishte gjetur shkelje në marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, pavarësisht këtij fakti, opozita nuk e njeh si valide marrëveshjen. Po ashtu, edhe te partitë në pushtet, një pjesë e deputetëve shprehen pesimistë se ajo do të kalojë nëse vihet për ratifikim në Kuvend.

Deputeti Nait Hasani, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se kjo çështje ka shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë dhe para se të vijë në Kuvend duhet të punohet më shumë rreth saj.

“Ajo [marrëveshja] duhet të përgatitet mirë që të vijë në Kuvend me ato ndryshime që janë kërkuar, ose që duhet të bëhen për demarkacionin. Nuk ka kuptim të vijë [marrëveshja] në Kuvend edhe të kthehet dhe të prishen marrëdhëniet diplomatike me Malin e Zi”, ka thënë Hasani.

Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, thotë se deri më tash nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se si apo kur do të procedohet kjo marrëveshje.

“Si deputetë të Kuvendit të Kosovë nuk kemi ndonjë informacion të saktë zyrtar, qoftë ai edhe material i shkruar, në këtë proces të rëndësishëm deri më tani. Besoj se edhe arsyeja e procedimit të saj është kjo, marrë parasysh edhe të gjitha ato që kanë ndodhur, që janë debatuar dhe çka janë kërkuar nga të gjithë ata që kanë ngritur shqetësime, por edhe si rezultat i punës ligjore që është bërë rreth përcaktimit të demarkacionit më Malin e Zi”, ka thënë Zemaj.

Sipas deputetit Zemaj, çështja e demarkacionit duhet të kalojë në Kuvend për debat, ngaqë deputëve nuk u është dhënë ende rasti të diskutojnë për të.

“Besoj se nuk do të anashkalohet kontributi dhe nuk do të anashkalohet edhe vendimi dhe mendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Zemaj.

Kurse deputeti Hasani thotë vendimet lidhur me shënimin e vijës kufitare duhet të merren në bazë të analizave të ekspertëve kosovarë.

“Ekspertët tanë që janë njohës, doktorë të shkencave të gjeografisë, edhe ata kanë dhënë mendimin e tyre. Ata janë edhe deputetë. I kemi kolegë, të gjithë ata i kanë dhënë mendimet e tyre. Këto mendime të tyre duhet të respektohen, sepse janë njohës të shkencës, e jo të politikës.”

“Prandaj, unë i besoj versionit shkencor që e kanë dhënë profesorët tanë dhe aty do ta presim dhe do ta kuptojmë se a është mendimi i tyre apo nuk është i tyre. Nëse është i tyre, do ta votojmë, nëse nuk është i tyre do ta kthejmë prapa”, ka thënë Hasani.

Sa i takon kësaj çështjeje, as partitë politike opozitare nuk kanë shumë informacione. Në subjektin më të madh opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se nuk kanë shumë informacione se ku ka ngecur procesi.

“Ky proces, që Kosovës ia humb mbi 8 mijë hektarë të territorit, duhet të ndërpritet dhe të nis një demarkacion i vërtetë me Malin e Zi, ku Kosova nuk humb territor. Në të kundërtën, çdo tentim për vazhdimin e këtij procesi në formën aktuale do të ndeshet me rezistencë të pa kompromis nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e LirëFrashër Krasniqi, zëdhënës i këtij subjekti politik.

Edhe një pjesë e banorëve të brezit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi kishin deklaruar se nuk kanë tokë t’i falin askujt, derisa kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që të merren masa në këtë drejtim, që, sipas tyre, të mos i lejojnë autoritetet e Malit të Zi të bëjnë ndarje kufitare sipas dëshirës së tyre.

Ekspertët e Kosovës, të fushave që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufijve, kanë vlerësuar se rezultati që ka dalë nga ekipi ndërkombëtar, i emëruar nga ish- presidentja Jahjaga, lidhur me aspektin ligjor dhe teknik të demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ka qenë i pritshëm.

Ata kanë thënë se për përcaktimin e vijave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është përdorur vetëm kriteri i të dhënave kadastrale, i cili i takon kritereve sekondare apo terciare, në kuptimin e kritereve shkencore. (rel)

Asociacioni i komunave serbe pritet të hyjë në fazën e themelimit

KosovaQeveria e Kosovës mund të inicojë së shpejti procedurat e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se fillimisht kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, duhet të formojë grupin i cili do të analizojë vendimin e muajit dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me këtë asociacion.

Në atë vendim, thuhej se disa parime të marrëveshjes për Asociacionin të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Më pas, sipas Gecajt, do të formohet ekipi menaxhues, në përbërje dy serbë nga veriu dhe dy nga jugu të cilët bashkë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe personelin e misionit të OSBE-së, do të punojnë në hartimin e statutit të Asociacionit.

“Statuti i Asociacionit do të procedohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese. Edhe në të ardhmen, nëse do të ketë amendamente, të gjitha do të jenë lëndë shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gecaj.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Mbi bazën e saj, më pas ishte arritur edhe marrëveshja tjetër për themelimin e këtij Asociacioni më 25 gusht të vitit 2015, por parimet e të cilës, nga Gjykata Kushtetuese, u konstatua se bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Andaj, tani mbetet që çështja e themelimit të Asociacionit të procedohet tutje përmes statutit.

Ky Asociacion, parashihet të ketë në vete përfaqësues të dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, por sipas zotimeve të Qeverisë së Kosovës, nuk do të ketë edhe kompetenca ekzekutive.

Lista Serbe, paraqit aktualisht subjektin më të fuqishëm politik që përfaqëson komunitetin serb në këto komuna dhe në institucionet qendrore të Kosovës.

Lubomir Mariq, nga Lista Serbe, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “çështja e themelimit të Asociacionit nuk është përmbushur sipas marrëveshjes së Brukselit”.

Po ashtu, ai rikujton se “themelimi i këtij Asociacioni ishte pika e parë edhe e marrëveshjes për koalicionin qeverisës”, që Lista Serbe ka lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas pritjeve të përfaqësuesve të Listës Serbe, tani me përmbylljen e procesit zgjedhor në Serbi dhe sidomos pas formimit të qeverisë së re atje, mund të pritet që Prishtina dhe Beogradi mbi bazën e marrëveshjes së Brukselit të bëjnë hapin tutje drejt themelimit të këtij organi.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kundërshtuar ashpër nga opozita në Prishtinë e cila po e konsideron atë si hap të parë drejt ndarjes etnike dhe bosnjëzimit të Kosovës. (rel)

Servantes dhe Shekspir – 400 vjetori i vdekjes

Uilliam Shekspir e Miguel de Servantes kanë të përbashkët 23 prillin 2016 si 400 vjetori i vdekjes së tyre. Megjithatë dy shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë angelze dhe asaj spanjolle nuk kanë vdekur në të njëjtën ditë.

Shekspir &ServantesPër ta theksuar qysh në fillim Uilliam Shekspir dhe Miguel de Servantes nuk kanë shumë të përbashkëta. Ata vetëm kanë jetuar në të njëjtën kohë, kanë lënë gjurmën e tyre në breza dhe konsiderohen që të dy deri më sot si virtuozë gjenialë të letrave e penës, por jeta u hodhi atyre gurë të ndryshëm përgjatë rrugës. Për Servantesin pengesat ishin sigurisht më të mëdha krahasuar me Shekspirin.

Ndërsa Uilliam Shekspir lindi më 1564 më Stratford-mbi-Avon, Miguel de Servantes kishte lindur 17 vjet më parë në Alcalá de Henares, në afërsi të Madridit. Shekspiri ndoqi shkollën prestigjoze të latinishtes në qytetin e tij të lindjes dhe mësoi atje bazat e retorikës e poezisë. Servantesi në të kundërt vinte nga një familje e varfër dhe studioi teologji në Universitetin Salamanca në Madrid.

Vitet e hershme të të dy shkrimtarëve

Në përgjithësi Servantesi ka pasur një jetë aventureske. Ai më 1569 u vendos në Romë, me sa duket për t’i shpëtuar drejtësisë spanjolle, e për t’iu bashkuar atje Kardinalit Giulio Acquaviva si shërbyes. Në moshën 22 vjeçare ai iu përgjigj detyrimit ushtarak në marinën spanjolle dhe përfundoi në betejën detare të Lepantos (1571) kundër Perandorisë Osmane. Në betejë ai u prek dy herë prej plumbave dhe iu plagos dora e majtë, të cilën nga ky moment e kishte të mpirë. Prej kësaj rrjedh edhe epiteti ndaj tij si “Doraci i Lepantos” (origjinal: el manco de Lepanto).

Ndërsa Uilliam Shekspir asnjëherë nuk studioi në universitet dhe për shtatë vjet të rinisë së vonshme të tij kanë humbur gjurmët e dokumentuara. Në vitin 1592 ai shafqet sërish në një dokument të shkrimtarit Robert Green, si një i ri në ngjitje të karrierës, gjë që i çon studiuesit në konkluzionin, se deri në këtë periudhë ai duhej të kishte bërë një farë emri. Ai ishte anëtar i trupës së njohur të aktorëve “Chamberlain’s men”, e cila më vonë nën mbretin Jakob I mori emrin “King´s men”.

Tregtar dhe ushtar

Që nga ky moment Shekspiri me shfaqjet e tij teatrore, pjesët e novelat e shkruara prej tij bëri bujë. Në të kundërt i moshuari Servantes bashkë me të vëllanë në vitin 1575 gjatë rrugës për në atdhe me marinën spanjolle u zunë rob dhe u mbajtën pesë vjet si skllevër në Algjeri. Babai shpenzoi të gjithë pasurinë dhe motra pajën e saj për të paguar me para lirimin e dy vëllezërve. Vetëm pas katër tentativave të dështuara për arratisje Servantesi më 1580 u lirua në këmbim të parave prej urdhërit të Trinitarierve.

Servantesi pjesën e parë teatrore të tij “Los Tratos de Argel” ia kushtoi përjetimeve gjatë mbajtjes rob, vepër me pak rëndësi që me kalimin e kohës u zhduk. Për shkak të dështimeve të tij të vazhdueshme dhe mungesës së parave ai sërish shkoi ushtar më 1580 deri në vitin 1583. Ndryshe nga Shekspiri, Servantes asnjëherë gjatë jetës nuk mundi të jetojë prej letërsisë. Bashkëkohasi i tij ishte një shkrimtar dhe tregtar i suksesshëm gjatë jetës. Shekspiri ishte bashkëpronar i Globe Theatre dhe më vonë edhe i Blackfriars Theatre. Si bashkëpronar i teatrit Shekspiri bëri pasuri dhe mundi që të ndërtojë shtëpinë e dytë për nga madhësia në qytetin e tij të lindjes.

Servantesi në të kundërt punoi përkohësisht si zbulues dhe furnitor në flotën luftarake spanjolle dhe për shkak të bizneseve të dështuara në vitet 1597/98 dhe 1602 disa herë përfundoi në burg. Gjatë burgut Servantesi nisi të shkruajë kryeverpën e tij Don Kishoti (origjinal: El ingenioso Hidalgo Don Quijote de la Mancha).

don Kishot Sanco PancoSkulptura e Don Kishtotit dhe Sanço Pançës para shtëpisë ku lindi Servantesi në Alcalá de Henares

Don Kishoti – libri më i mirë në botë

Edhe pse Don Kishoti menjëherë ishte i sukseshëm, paratë e përftuara prej shitjes i mbetën botuesit dhe atyre që e ribotuan veprën. Don Kishoti është një parodi ndaj romaneve asokohe të preferuar kalorsiake dhe më 2002 ndër 100 shkrimtarët e njohur ai u zgjodh si “libri më i mirë në botë”. Përzgjedhja u organizua nga Instituti Nobel. Në historinë e letërsisë perëndimore romani konsiderohet si lindja e zhanrit “roman”. Por ka një sërë interpretimesh për këtë vepër dhe deri më sot kritikët ende nuk janë të një mendjeje, se çfarë mesazhi ka në fakt dhe cilit grup i drejtohet ky roman.

Pavarësisht distancës gjeografike dhe biografive të ndryshme Servantesi dhe Shekspiri tematizojnë në veprat e tyre çështje: se çfarë është në fakt ëndrra? Të dy ata nxjerrin në pah konfliktin mes ideales dhe realitetit dhe preferojnë të luajnë me dykuptimësinë. Tek Don Kishoti Servantesi e lë lexuesin në dyshim, nëse kemi të bëjmë me një palaço qesharak, apo me një idealist të humbur. Tek “Endrra e një nate vere” (origjinal: A Midsummer Night’s Dream) e Shekspirit p.sh. kemi të bëjmë me një lojë të tjetërsimit, në të cilën kalohet nga e vërteta tek gënjështra dhe anasjelltas. (dw)

Trump arrin 50% mbështetje mes republikanëve

trumpU.S. Republican presidential candidate Donald Trump holds up a newspaper with a headline reading “Clinton, Trump Lead” at a campaign rally in Warwick, Rhode Island, April 25, 2016.

Ditën që ai pritet të fitojë në të pesë shtetet ku zhvillohen të martën zgjedhje paraprake, kryesuesi i garës republikane Donalt Trump, kapi 50 për qind të mbështetjes mes votuesve republikanë ose atyre që anojnë nga republikanët,  sipas një ankete të  “NBC News/Survey Monkey”, (departamentit të lajmeve të rrjetit televiziv NBC dhe platformës të specializuar për anketa përmes internetit Survey Monkey).

Kjo është hera e parë që Donald Trump arrin këtë shifër që kur NBC News/Survey Monkey filluan të organizojnë anketa të përjavshme në dhjetor të vitit të kaluar.

Rivalët e zotit Trump, senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe guvernatori i Ohios, John Kasich, kanë humbur mbështetje sipas anketës dhe ndodhen mbi 10 për qind më poshtë se zoti Trump.

Mbështetja për zotin Trump ka qënë mesatarisht në nivelin 40 për qind që nga mesi i marsit. Por ajo që është e rëndësishme në anketën e fundit është fakti se mes republikanëve mbështetja për të është shtuar me 6 përqind. Anketa u realizua përmes internetit në periudhën 18 – 24 prill dhe në të morrën pjesë 10 mijë e 707 të rritur mbi 18 vjeç, mes tyre 9405 votues të regjistruar.

Të martën votimet zhvillohen në pesë shtete – Connecticut, Delaware, Maryland, Pennsylvania dhe Rhode Island. Dy ditë para votimit, rivalët e tij Cruz dhe Kasich njoftuan se do të bashkërendonin strategjitë e tyre elektorale për të mos lejuar Trumpin të sigurornte numrirn e duhur të delegatëve.

Trump, me gjuhën tipike që e karakterizon, i quajti përpjekjet e tyre “mjerane”, dhe kritikoi përsëri procesin e emërimit të partisë.

Ai e akuzon Partinë Republikane se po e trajton atë padrejtësisht dhe sistemin e emërimit si të “manipuluar”.

Të djelën kandidatët Cruz dhe Kasich njoftuan për një marrëveshje: zoti Kasich nuk do të bëjë fushatë në zgjedhjet paraprake të Indianës më 3 maj dhe zoti Cruz ra dakord të mos bëjë fushatë në Oregon dhe New Mexico.

Duket se disa votuesve nuk u ka pëlqyer ky plan.

Në shtetin e Indianës, Kathy Hiel, tha se ajo nuk kishte vendosur se për kë do të votonte më 3 maj, por tani pas marrëveshjes Cruz-Kasich, ajo tha se do të votojë për Trumpin.

Trumpi shkon në zgjedhjet e së martës me 845 delegatë, i ndjekur nga Cruz me 559 dhe Kasich me 148.

Siç ka qënë rasti edhe në garat e tjera, diferenca e fitores të martën ka rëndësi, pasi sa më e thellë, aq më shumë delegatë siguron kandidati. Në se Trump nuk e kap shifrën magjike 1237 deri në fund të votimeve paraprake, rivalët Cruz dhe Kasich do të kishin një mundësi emërimi në kuvendin e partisë që zhvillohet në korrik.

Në kampin demokrat, ish sekretarja e shtetit Hillary Clinton kryeson nëpër anketa në 4 nga 5 shtetet ku zhvillohen votimet. Senatori nga Vermonti Bernie Sanders kryeson vetëm në shtetin Rhode Island.

Një dalje e mirë të martën në votime nga Hillary Clinton do ta çonte atë shumë pranë sigurimit të emërimit nga Partia Demokratike. Deri të martën ajo kishte siguruar 1944 delegatë, përfshirë qindra super-delegatë që janë zotuar ta mbështesin.

Pesë shtetet e së martës do të nxjerrin 463 delegatë dhe rreth 285 të tjerë do të përcaktohen javën e ardhshme, ç’ka do të thotë që Clinton mjafton të marrë vetëm gjysmën e tyre për të siguruar numrin e duhur prej 2383 delegatësh për emërimin.

Megjithëse matematikisht po bëhet përherë e më e vështirë për kandidatin Sanders, i cili ka vetëm 1192 delegatë deri tani, ai ka theksuar se do të qëndrojë në garë deri në fund, deri në kuvendin e partisë në korrik.

Kandidati demokrat, i vetëquajtur socialist, ka bërë fushatë mbi një platformë me premtime për paga më të larta, për të eliminuar nga politika paratë e grupeve të interesit, kundër bankave të mëdha dhe për të zgjeruar kujdesin shëndetësor. Ai ka një ndjekje të madhe mes të rinjve.  (voa)

Krizë dhe protesta në Maqedoni

protesta mkNë Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë po zhvillohen për çdo ditë protesta për të kundërshtuar vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e dhjetra politikanëve, bashkëpunëtorëve të tyre dhe funksionarëve qeveritarë, të dyshuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.

Ekspertët thonë se presidenti është ai që duhet ta tërheqë vendimin, sepse në të kundërt, vendi do të zhytet në krizë edhe më të thellë.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar dy herë brenda një kohe të shkurtër duke i rekomanduar presidentit që t’i lërë organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. (voa)

Birra gjermane gjendet në mbarë botën

Birra gjermane mund të gjendet gjithandej në botë. Shumë prodhues përdorin edhe formulat e vjetra gjermane të pastërtisë. Ajo prodhohet edhe pse në disa vende ndalohet me ligj.

birraShekujt e kaluar shumë gjermanë të zhvendosur në kontinente e kanë gjetur vendin e vet. Shumë prej tyre kanë fituar njohuri të reja dhe i kanë përdorur ato. Ndaj nuk është habi që shumë birrari, si në Kanada apo SHBA, mbajnë emra me origjinë gjermane: Haffenreffer, Hudepohl-Schoenling, Schaefer… Disa kanë mbetur të vogla, e disa janë shndërruar në fabrika të njohura në mbarë botën.

Me 1857 gjermani Adolphus Busch u vendos në St. Louis. Ai prodhoi birrë të vërtetë gjermane për kombin e ri amerikan. Cilësia ishte në rend të parë. Busch-i e mësoi këtë zanat prej mjeshtrit Eberhard Anheuser, u martua me vajzën e tij dhe ata të dy së bashku themeluan një sipërmarrje e cila më vonë u shndërrua në prodhuesin më të madh të birrës në mbarë botën.

Mbi 150 vjet më vonë, William K. Busch Breing Company, i përket stërnipit të Adolphus, Billy. Ai edhe sot respekton cilësinë gjermane të pastërtisë së birrës. Por krahas kësaj edhe William K Busch Company është pjesë e koncernit Anheuser-Busch-InBev, me 21 % të tregut.

Edhe Boston Beer Company ka origjinë gjermane. Kjo është fabrika më e madhe e birrës në SHBA dhe është pronë amerikane. CEO Jim Koch e zbuloi në vitin 1984 formulën e stërgjyshit të tij Louis Koch. Ai u përpoq që këtë formulë ta përdorë në kuzhinën e tij. I ftoi shokët për të provuar dhe një ditë vendosi të themelojë Boston beer Company dhe të prodhojë birrë sipas formulës së stërgjyshit. Birrën ai e quajti “Samuel Adams Boston Lager” dhe e shpërndau në të gjithë Bostonin më 4 korrik 1985, në Ditën e Pavarësisë. Gjashtë javë më pas, “Sam Adams” u shpall birra më e mirë e Amerikës.

Dy vjet me radhë, Koch së bashku me teknikat e prodhimit bavarez të birrës në “Weihenstephan” – më e vjetra në Gjermani – kërkoi mënyra të reja prodhimi, por pa e dëmtuar prodhimin e vjetër. Nga kjo u arrit të prodhohej një cilësi Champagne midis birrave: “Infinium”, një birrë me 10% alkool. Një litër kushton 22 euro.

Reliktet nga koha e kolonializmit gjerman

Me 1897 në Kinë u vranë dy misionarë gjermanë. Për mbretin gjerman Wilhelm II, i cili kaherë ishte i interesuar për Kinën, ky ishte një shkak që e priti me qejf, për të dërguar anijet luftarake në rajonin bregdetar Kiautschou në Detin e Verdhë. Dhe vërtetë gjermanët arritën të dëbojnë kinezët nga atje. Vendi Tsingtao u shndërrua në qendër të pushtimit gjerman në Kinë. Dhe atje ku janë gjermanët, as birra nuk është larg. Kështu filloi prodhimin fabrika e parë në Tsingtao me emrin “Germania”, në vitin 1903.

Por kjo nuk zgjati shumë, sepse me 1914 filloi Lufta e Parë Botërore. Japonezët i dëbuan gjermanët. Por vazhduan prodhimin e birrës tani me emrin “Tsingtao”. Më në fund, këtë fabrikë e morën kinezët dhe “Tsingtao” sot është ndër birrat më të njohura në botë.

Brazili si komb i birrës?

Kur përmendet Brazili, njeriu mendon për kokteje freskuese si Caipirinha. Por edhe këtu ka depërtuar birra gjermane. Louis Bücher nga Visbadeni shkoi më 1885 në Sao Paolo dhe ka hapur fabrikën Antárctica. Gati njkohësisht me prodhimin e birrës u mor edhe zvicerani i vendosur atje Joseph Villiger, i cili prodhonte birrë me emrin “Brahma”-Cerveja. Gjurmët e këtyre birrave i gjejmë edhe sot, sepse fabrika “Eisenbahn” ofron sot 15 lloje birrash. Shumë emra të këtyre birrave janë me prejardhje gjermane: Dunkel, Weizenbock, Lust dhe Eisenbahn Kölsch.

Kölsch në Mount Everest

Birra e Kölnit ofrohet në sasi prej 0,2 litra dhe ka një shije të lehtë, por është e dashur në mbarë botën. Në radhë të parë kanadezët janë ata të cilët e pëlqejnë birrën nga Kölni. Fabrika Mt. Begbie prodhon “High Country Kölsch” dhe emrin e shënon me “ö”. Në disa vende ka dhe rregulla që ndalojnë prodhimin e birrës gjermane, por kjo nuk i intereson kujt. Këtë birrë e prodhojnë edhe shumë birrari të vogla. Një birrari e vogël ekziston edhe në Himalaje, në Khumbu, buzë Mount Everestit, me emrin “Khumbu Kölsch”. (dw)