FMN, inkurajim ekonomisë: Shenja pozitive, por ende punë për kreditë

FMNFondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se, ekonomia shqiptare vazhdon të rimëkëmbet gradualisht nga një periudhë e gjatë me rritje të ngadaltë, si pasojë e politikave të kujdesshme dhe rikthimit të besimit.

Sipas FMN-së, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një sërë reformash ambicioze dhe të vështira, si reforma e pensioneve, ajo e energjisë dhe pagesa e borxheve të vjetra, të cilat kanë dhënë efekte pozitive duke përmirësuar gjendjen financiare të vendit.

Por, edhe pse vlerëson me nota pozitive progresin në pjesën dërrmuese të rekomandimeve, FMN vëren se reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe uljen e kredive të këqija kanë pasur një ecuri të pamjaftueshme.

/ Top Channel

Fajon: Demarkacioni kusht absolut për liberalizim

Tanja FajonRaportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën,Tanja Fajon, i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes sëprocesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha se brenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit të Evropës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, do të debatojë për herë të parë për një raport që ajo e ka përgatitur për liberalizim të vizave për Kosovën.

Në një bisedë me Radion Evropa e lirë, Fajon tha se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”.

“Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ajo.

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar vitin e kaluar, por e pa ratifikuar në Parlament, duhet të miratohet para se BE-ja të vendos për liberalizim të vizave.

Autoritetet në Prishtinë i kanë siguruar, ndërkaq, zyrtarët evropianë, se do ta kalojnë marrëveshjen në Parlament, dhe besohet se brenda muajit do të provojnë ta miratojnë me votat e partive në koalicion.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se në çështjet e adresuara nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave, autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar rezultatet.

“Komisioni Evropian ka adresuar vetëm dy çështje. Në kuadër të sundimit të ligjit ne duhet të vazhdojmë të dëshmojmë rezultate, dhe në kohën e fundit ka pasur përpjekje të shtuara të organeve të rendit dhe ligjit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”

“Ndërkaq, kushti tjetër ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që është një çështje e cila ka nxitur debat të ndjeshëm në Kosovë dhe e cila është duke u trajtuar përmes dialogut politik”, ka theksuar Ilazi.

Por, për partitë politike në opozitë, çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet ende e pazgjidhur.

Në fundvitin e kaluar opozita ndërpreu shumë herë punimet e Kuvendit, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe protestat në rrugë,ndërkohë që paralajmëroi se çdo përpjekje për ta futur në rend dite çështjen e demarkacionit do të ngjallë reagime të forta.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se është shumë normale që Bashkimi Evropian të kërkojë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, para se të bëhet liberalizimi.

Por, sipas Nitaj, BE-ja dhe askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka kërkuar që demarkacioni me Malin e Zi të bëhet keq dhe në dëm të Kosovës.

Ai i konsideron të padrejta akuzat që po i bëhen opozitës se janë ata që po e bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave.

“Unë besoj që të gjitha këto telashe i ka shkaktuar Qeveria e Kosovës dhe Komisioni shtetëror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ata duhet të reflektojnë dhe ata duhet ta heqin këtë pengesë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin peng i një procesi të vendosur keq nga ana e qeverisë dhe Kosova ta fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave”, thekson Nitaj.

Ai tha se një komision i ri për përcaktimin e kufirit do ta niste nga e para gjithë procesin dhe kufiri do të shënjohej drejtë dhe saktë dhe jo në dëm të Kosovës apo në dëm të dikujt tjetër.

Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ka legjitimitet ta ratifikojë jo vetëm Kuvendi aktual, por asnjë përbërje tjetër.

Në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Ymeri ka theksuar se nuk ka kurrfarë kuptimi të formohen komisione të reja nëse nuk anulohet marrëveshja aktuale.

“Pra, çfarëdo komisioni që formohet, siç ishte edhe ai që e formoi ish-presidentja Atifete Jahjaga, me ata që i quanin ekspertë ndërkombëtarëdhe e vlerëson këtë marrëveshje sipas dokumentacionit që është përdorur, do të dalë rezultati thuajse njëjtë”, ka theksuar Ymeri.

Ndryshe, përveç kriterit për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova duhet të përmbushë edhe një kriter tjetër, që është thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (rel)

Ish-kryeministri Gruevski merret në pyetje

Gruevski

Ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, është marrë në pyetje nga Gjykata penale e Shkupit lidhur me përfshirjen e tij në rrënimin e një objekti të një afaristi, rast ky që ishte pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Gruevski në pyetje është marrë nga prokurorët e prokurorisë speciale e themeluar për hetimin e dhjetëra zyrtarëve të përfshirë në vepra të rënda penale, ku bën pjesë ai së bashku me disa ministra të kabinetit të tij.

Ish-kryeministri ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij duke thënë se janë konstruktime të opozitës.

“Sot u thirra në Gjykatë sepse Katica Janeva (prokurorja speciale) ka dyshuar se do ta lëshojë vendin dhe nuk do të paraqitem në gjykatë. Nuk e di nëse dikush beson diçka të tillë, apo nëse është vetëm një dëshirë e porositësve të Janevës. Njeriu që tha se nuk e njeh gjykatën është i vetëdijshëm për popullaritetin e tij dhe mbështetjen nga populli, prandaj përmes kontrollit të Prokurorisë Speciale tenton që mua dhe bashkëpunëtorët e mi t’i paraqes si vet ai”, ka deklaruar Gruevski.

Pas marrjes në pyetje, Gjykata penale duhet të vendos lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale nëse Gruevskit do t’ia konfiskojë dokumentet e udhëtimit.

Hetimet ndaj Gruevskit dhe zyrtarëve kanë rifilluar pas anulimit të plotë të vendimin për faljen e tyre nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Tërheqja e tij pasoi reagimet e shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe protestave të revolucionit shumëngjyrësh, të cilat aktin e kreut të shtetit e vlerësuan si rrënues të sistemit të drejtësisë.

Prokuroria Speciale ka nisur hetime për pesë raste ku janë përfshirë 56 zyrtarët të lartë të akuzuar për mashtrime zgjedhore, presione ndaj pushtetit gjyqësor, afera korruptive dhe vepra tjera. (rel)

“This One’s For You” – Hapja e Kampionatit Evropian

Paris euro 2016 1Kampionati Evropian në Francë fillon me ndeshjen Francë – Rumani. Por që në ditën e dytë në fushën e blertë pritet edhe kombëtarja shqiptare, në paraqitjen e saj historike.

“Plot dy vjet jemi përgatitur për këtë ndeshje”, thotë trajneri i Francës Didier Deschamps, në prag të ndeshjes së parë të Kampionatit Evropian në Stade de France në Paris, kundër Rumanisë. “Është një privilegj dhe shumë kënaqësi e madhe”.

Kombëtarja e Francës është nën presion dhe çdo gjë tjetër përveç fitores kundër Rumanisë konsiderohet nga tifozët si dështim. Kjo sepse Grande Nation pret nga Equipe tricolore titullin në këtë kampionat. “Qëllimi ynë është që të mbetemi në kampionat deri në fund dhe që në finale të fitojmë titullin e kampionit evropian”, pohon sulmuesi anësor nga Bajerni i Mynihut Kingsley Coman, i cili mbase nuk do të jetë në formacionin që fillon ndeshjen.

Franca do të sulmojë

Deschamps do të luajë me sulmuesit Olivier Giroud, Antoine Griezmann nga Atletico Madrid dhe Dimitri Payet në sulm, me qëllim që sa më parë të shënojë golin e parë kundër Rumanisë. Por Rumania gjatë kualifikimeve ka pësuar vetëm dy gola dhe deri para disa ditësh kishte luajtur 18 ndeshje pa asnjë disfatë. Në mesfushë do të luajë një prej yjeve më të njohura në botë Paul Pogba, si dhe N’Golo Kanté dhe Blaise Matuidi. Ndaj mendohet se të gjithë ata do të forcojnë lojën ofensive të Francës. “Ne duhet të vrapojmë pandërprerë dhe të jemi 100% të gatshëm”, kërkon Deschamps. Edhe Rumania mendon se Franca do të sulmojë qysh në fillim. Kështu pohon trajneri, Anghel Iordanescu. Por Rumania nuk do të dorëzohet para ndeshjes, thekson qendërmbrojtësi Vlad Chiriches, i cili luan për Napolin në Itali.

Pritjet dhe prognozat

Në Kampionatin Evropian të vitit 2008, në Austri dhe Zvicër, Rumania dhe Franca kanë barazuar 0:0. Ndaj askush nuk mendon që Franca do ta ketë të lehtë në ndeshjen hapëse të kampionatit. Ndeshja tjetër e këtij grupi të shtunën (11.06) do të jetë një duel me karakter të veçantë, pasi takohen Shqipëria dhe Zvicra, ku luajnë gjashtë shqitparë. Ndërsa në ndeshjen e dytë Shqipëria luan me Francën.

Në ndeshjen e fundit francezët takohen me Zvicrën. Ndaj mendohet se Franca duhet të fitojë që në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, për të pasur një kampionat sa më të qetë në vazhdim. Edhe Deschamps pohon: “Ndeshja e parë nuk do të jetë vendimtare, por është shumë e rëndësishme.”

Para ndeshjes Francë – Rumani, para 80.000 shikuesve në stadiumin Stade de France do të ketë edhe një ceremoni hapëse, me qindra valltarë në ngjyra të ndryshme. DJ shumë i njohur francez David Guetta, së bashku me këngëtaren suedeze Zara Larsson, do të këndojë këngën e Kampionatit Evropian: “This One’s For You”. (dw)

Lammert – fjalë të qarta kundër Presidentit turk

Presidenti i Bundestagut gjerman Norbert Lammert pozicionohet me fjalë të qarta kundër Presidenti turk Erdogan: kërcënimet kundër disa deputetëve janë të papranueshme dhe një sulm mbi gjithë parlamentin.

Presidenti i Bundestagut Norbert Lammert (CDU) e kritikoi ashpër Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për deklaratat e tij lidhur me rezolutën e Parlamentit gjerman për Armeninë. “Dyshimet se disa anëtarë të këtij Parlamenti janë zëdhënës të terroristëve, i hedh poshtë në të gjitha format”, deklaroi Lammert në Berlin në emër të të gjitha grupeve politike të parlamentit dhe i shoqëruar nga duartrokitje të mëdha.

Parlamenti gjerman e dënoi masakrën ndaj armenëve rreth 100 vjet më parë si genocid dhe pas votimit përë këtë rezolutë Erdogani i quajti deputetët gjermanë me prejardhje turke si dorë e zgjatur e partisë kurde PKK për shkak se këta kishin votuar pro rezolutës. Ai gjithashtu kërkoi që ata të bëjnë në laborator analizat e gjakut të tyre.

Lammert tha se nuk i kishte vajtur në mendje që një president i zgjedhur në mënyrë demokratike do të bënte deklarata të tilla. Disa organizata turke në Gjermani i quajtën deklaratat e Erdoganit “si të neveritshme dhe absolutisht pa vend.” (dw)

Ndeshja Shqipëri – Zvicër dhe një kapiten me tri pasaporta

Lorik CanaAi luan kundër vendit, në të cilin është rritur e punon dhe për vendin, në të cilin s’ka jetuar asnjëherë. Lorik Cana ka tri pasaporta, e megjithatë ajo shqiptare është më e rëndësishmja për 32 vjeçarin.

Kombetarja“Qëllimi im ka qenë gjithmonë, të luajë në skenën e madhe për Shqipërinë”, i tha agjencisë franceve të lajmeve AFP, Lorik Cana, kapiteni i ekipit që merr pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian.

I lindur në Prishtinë në Kosovë, Cana emigroi si fëmijë me familjen në Zvicër, ku u rrit në Lozanë. Vendi i rinisë së tij, nënshtetësinë e të cilit mban ai, të shtunën (11.06) në orën 15:00 do të luajë kundër Shqipërisë, që ka premierën e saj në Kampionatin Europian – po kështu ka qenë për të edhe para 13 vjetësh, kur Cana luante për herë të parë në një ndeshje ndërkombëtare në Gjenevë. Ndërsa tani që ai ka përvojën e 89 ndeshjeve ndërkombëtare, ai luan për Lens të Francës, ku “është shtëpia ime e dytë, e ku jeton familja ime”, thotë ai.

Në moshën 17 vjeçare lojtari i mbrojtjes kaloi në ekipin e Paris St. Germain, ka luajtur në Marseille dhe vitin e kaluar pas dy sezonesh në Sunderland e në Stamboll si dhe katër vjetësh tek Lazio Rom u kthye në Francë në ekipin e Nantes. Cana ka edhe një pasaportë franceze.

Të luajë në Francë me Shqipërinë kundër Zvicrës, kjo është diçka krejt e veçantë, thotë ai duke shtuar: “Nëse do të dëshiroja të shkruaja një skenar, nuk do të kisha mundur ta bëja më mirë se kaq”. Por do të bëhet edhe më mirë: më 15 qershor ai luan kundër Francës, në stadiumin Velodrome Marseille, ku ai ka luajtur katër vjet radhazi dhe ku vazhdon të jetojë familja e tij – “një buzëqeshje e fatit” kjo për Lorik Canën. (dw)

 

Francë, sonte fillon turneu Euro 2016

Paris euro 2016Sytë e kontinentit janë tek Franca, ku sonte fillon turneu Euro 2016. Rreth 1.5 milionë të huaj pritet t’u shtohen të paktën një milion tifozëve francezë për këtë ngjarje sportive që zgjat një muaj. Por siç njofton nga Parisi Lisa Bryant, njerëzit thonë se e ndiejnë veten mirë nga masat e forta të sigurisë në rrugët e qyteteve.

Rreth 90 mijë policë, ushtarë dhe agjentë privatë janë mobilizuar për të siguruar stadiumet dhe zonat e tifozëve, ku miliona të tjerë pritet të mblidhen për të parë ndeshjet nga ekranet e mëdha.

Në Paris, zona e tifozëve në afërsi të Kullës Eifel do të jetë e mbyllur deri në 4 pasdite, orë në të cilën pritet të mblidhen shikuesit për të parë ndeshjen e hapjes mes Francës dhe Rumanisë, e cila fillon në orën 9.

Por tifozët që vijnë në Francë për Euro 2016-n mund të zhgënjehen nga shija e asaj për të cilën Franca është e njohur: grevat. Pilotët e kompanisë Air France kanë kërcënuar se do të ndërpresin punën të shtunën, një ditë pas fillimit të ndeshjeve.

Grevat e tanishme të hekurudhave e lanë tifozin Tawfik Naaji të priste më shumë se një ditë për të marrë trenin nga Lyoni për në Paris:

“Francezët janë të njohur për greva dhe për t’u ankuar. Ata presin ngjarje të tilla të mëdha për të bërë grevë në mënyrë që qeveria t’u kushtojë vëmendje. Është diçka normale,” – thotë ai.

Turisti amerikan Michael Morales, i cili do të bëjë tifo për ekipin francez të futbollit, nuk është dhe aq i shqetësuar:

“Çdo gjë këtu është e bukur. Qyteti funksionon. Po e kaloj shumë mirë.”

E megjithatë ekziston shqetësimi i madh për një tjetër sulm terrorist si ai i vitit të kaluar në Paris. Qeveria nuk ia ka lënë asgjë rastësisë. Prandaj janë mobilizuar aq shumë forca sigurie.

“Natyrisht, ne duhet të mendojmë për këtë. Por në qoftë se shqetësohemi më shumë se duhet, atëherë askush nuk do të shkojnë në stadiume,” – thotë një banor i Parisit.

Presidenti François Holland dëshiron që Euro 2016-a të jetë një festival i Evropës. Por, pavarësisht nga të gjitha problemet, në rrugët e Parisit ka një atmosferë feste, jo vetëm për kampionatin, por edhe për kthimin e motit me diell. (voa)

SHBA e BE ofruan plan kompromisi

rama bashaReforma në Drejtësi, burime ndërkombëtare i thanë Zërit të Amerikës se para takimit Rama-Basha, palëve iu paraqit një variant i ri ku kërkohej që secili të përshtaste pozicionet. Rama në parlament: Gati të negociojmë sërish me opozitën

Zëri i Amerikës ka mësuar arsyen se përse ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi dje se ndërsa “Qeveria shfaqi fleksibilitet, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”, në takimin e realizuar të hënën mes kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë demokratike. Burime ndërkombëtare shpjeguan se SHBA-të dhe BE-ja i paraqitën qeverisë dhe opozitës, javën e shkuar një plan kompromisi për reformën në drejtësi. Plani, i cili i paraprinte takimit mes dy udhëheqësve politik shqiptarë, iu kërkonte të dy palëve të përshtasnin pozicionet e tyre. Burimet saktësuan se “Qeveria e pranoi planin e kompromisit 100%. Opozita pranoi shumë nga aspektet e propozimit por këmbënguli për metodën e vendeve të rezervuara për përzgjedhjen e këshillave të ndryshme”. Pikërisht kjo këmbëngulje nga ana e PD është motivi pse Ambasada e SHBA-ve u shpreh se opozita nuk dëshmoi fleksibilitet.

Fjalën e tij sot në parlament kryeministri Edi Rama e nisi duke ju referuar pikërisht deklaratës së ambasadës amerikane, e cila sipas tij “konfirmon pa asnjë ekuivok se drafti që tanimë ka hyrë në rrugën për të ardhur drejt sallës nuk është drafti i Partisë Socialiste, nuk është drafti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk është drafti i partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nuk është drafti i shumicës parlamentare, por është drafti i përbashkët i yni, i shqiptareve, i SHBA dhe i BE. E faktikisht deklarata e djeshme ishte shprehja kuptimplotë e bashkautorëve të një drafti ku mungon vetëm Partia Demokratike”

Duke përsëritur dhe një herë se projekti i Reformës do t’i shkojë tanimë parlamentit për votim, sic e kishte deklaruar dhe të hënën në përfundim të takimit me zotin Basha, kryeministri u shpreh megjithatë i hapur për dialog, duke saktësuar se variantin e vendeve të rezervuara nuk e pranon: “Ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit, duke mbajtur hapur derën e negociatave. As nuk diskutohet se reforma me ju ose pa ju do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim. Vendet e rezervuara ne nuk i pranojmë. Ju kemi dhënë dy të tretat që i keni kërkuar pa pushim. Jemi gati të negociojmë një zgjidhje të arsyeshme dhe ti japim Shqipërisë një reformë që është reforma themelore në këtë proces ku gjendet sot Shqipëria”.

Formula e vendeve të rezervuara do të thotë një ndarje proporcionale mes shumicës dhe opozitës të emërimeve që do të realizohen nga parlamenti. Ashtu si dhe mbrëmë, kur si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së ambasadës amerikane, publikoi komunikimet me email në periudhën shkurt prill me misionin amerikan Opdat, edhe sot deputeti Oerd Bylykbashi nënvizoi se “ajo që ne propozojmë është e propozuar e zezë mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias, paragrafi 17 i raportit final, fusnot-i 4, thotë: 2 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga opozita dhe 3 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga mazhoranca. Kaq e thjeshtë”.

Sipas zotit Bylykbashi deklarimet e kryeministrit për të cuar drejt votimit projektin e reformës, në kushtet kur shumica nuk i ka numrat e nevojshëm në sallë dëshmojnë se “ose parlamenti do të gëlojë nga koprrupsioni politik nëpërmjet blerjes së deputetëve dhe ky do të ishte një turp i madh dhe një rrënim jo për këtë parlament por për politikën shqiptare, ose ky zotëri që do të ishte më e mundshmja që mund të ndodhë, nuk i ka këto vota dhe duke mos i patur këto vota kjo i intereson atij dhe partnerëve të tij në qeveri. Sepse me 94 vota të pabëra reforma në drejtësi dështon dhe kushtetuta e përcakton të zezë mbi të bardhë, në nenin 177 “reforma në drejtësi për kënaqësi të kryeministrit do të shtyhet me një vit”.

Për zotin Bylykbashi, “zgjidhja është fare e thjeshtë. Mjafton që kryeministri të pranojë variantin e vendeve të rezervuara. Për shumë pak, ne mund të arrijmë një marrëveshje historike dhe ta bëjmë gati këtë reformë për votim në parlament. Por kryeministri këtë nuk e do. Ndoshta i intereson dështimi me 94 vota që të shtyhet një vit reforma në drejtësi. Sepse Edi Rama ne te vertetë nuk do reformën në drejtësi, por do thjesht të kapë drejtësinë”.

Ambasada amerikane në deklaratën e saj të djeshme shprehej se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë. Sot pasdite parlamenti njoftoi se projekti i Reformës është përfshirë në rendin e punimeve të tre javëve të ardhshme të tij. Por kryetari I gupit parlamentar demokrat Edi Paloka mohoi që kjo çështje të ishte diskutuar në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. Sipas tij futja fshehur e projektit të Reformës në kalendar “përbën një skandal”. (voa)

Ligji i të drejtës për të vdekur

ligji per te vdekurKalifornia u bë të ejten (9 qershor) shteti i pestë amerikan që i lejon mjekët t’u japin ilaçe pacientëve në gjendje të rëndë për t’i dhënë fund jetës, kur ata vuajnë nga sëmundje të pashërueshme. Ligji i ri mori shkas nga historia e një 29-vjeçareje nga Kalifronia, Brittany Maynard, e cila vuante nga kanceri, së cilës ju desh të shkonte në shtetin Oregon, për t’u dhënë fund vuajtjeve.

Veterani i ushtrisë amerikane, tani në pension, Matt Fairchild, është bërë ekspert për të mposhtur dhimbjen. Ai vuan nga një tip i avancuar i melanomës, që është përhapur me tumore në tru. Ai është veteran i Luftës së Dytë të Gjirit Persik. Tani përdor rreth 20 ilaçe në ditë për dhimbjet.

Fairchild thotë:

“Nuk mund të përdoret më rrezatimi për tumoret, sepse kam bërë më parë rreze dhe ato u rritën përsëri.”

Ai e ka të qartë se jeta e tij është vetëm çështje kohe, muajsh, apo ndoshta vitesh. Kjo pasiguri po ja shton traumën emocionale familjes së tij.

“Sa mund të rëndohet gjendja ime? Mund të kem goditje në tru, apo kushedi çfarë. Kjo është e frikshme.”

Gruaja e tij, Ginger Fairchild, mendon si ai:

“Nuk mund ta lësh njeriun që e do të vuajë. E kam parë deri tani të vuajë shumë.”

Terry Petrovich është një tjetër paciente, e cila përpiqet ta shijojë jetën deri në fund. Ajo pa nënën e saj që vuajti për një kohë të gjatë nga kanceri në vezore:

“Arriti që nuk çohej dot më nga krevati, as për nevojat e saj. Më tha një ditë me dhimbje në shpirt: Po të mund të ngrihesha nga krevati, do të gjeja një armë për të vrarë veten.”

Tani edhe Terry Petrovich është me kancer. Ajo ka limfoma të fazës së katërt që i është përhapur në palcën e kurrizit. Ka merak se edhe e bija do të kalojë të njëjtën gjendje të dhimbshme që ajo përjetoi me të jëmën.

Ashtu sikurse Matt Fairchild, Terry Petrovich është e kënaqur që Kalifornia miratoi vitin e kaluar ligjin e të drejtës për të vdekur. Më 9 qershor ligji hyri në fuqi dhe Kalifornia bëhet shteti i pestë që i lejon pacientët në gjendje të rëndë me sëmundje të pashërueshme t’i japin fund jetës së tyre me ilaçe me recetën e doktorit.

Dr. Lynette Cederquist është mjeke dhe profesore në Universitetin e San Diegos në Kaliforni. Ajo thotë se ligji i Kalifornisë shoqërohet me më shumë mbrojtje për pacientin se sa ligji i Oregonit. Pacientët me sëmundje vdekjeprurëse duhet të konsiderohen në gjendje mendore normale dhe duhet t’i kenë mbetur 6 muaj, ose më pak jetë, që të përfitojnë nga ky ligj.

Ata duhet të shkojnë tek dy mjekë të ndryshëm në një diferencë kohore prej dy javësh për të marrë recetën e ilaçit vdekjeprurës. Ata duhet të jenë të aftë ta marrin vetë ilaçin.

Ligji është mbi baza vullnetare për mjekët dhe farmacistët, të cilët mund të zgjedhin për të mos u bërë zbatues të tij. Por Dr. Cederquist mendon se ka disa pasiguri:

“Shumë mjekë nuk janë të sigurtë se çfarë u lejon ligji përsa u përket hapave që duhen ndjekur”.

Ende ka mendime shumë të ndryshme për këtë çështje. Marilyn Golden punon për Fondin e Edukimit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Personave të Pamundur. Ajo thotë se falë këtij ligji mund të bëhen abuzime me pacientët që inkurajohen t’i japin fund jetës para kohe, sepse familjet kanë një ngarkesë së madhe, ose ngaqë kompanitë e sigurimeve përpiqen t’i mbajnë të ulëta faturat mjekësore.

“Në se sigurimet mjekësore mohojnë, ose vonojnë miratimin e një trajtimi ato mund mendohet se po e përshpejtojnë vdekjen. A do të bëjnë ato atë që duhet për të sëmurin, apo çfarë kushton më pak?- shtron pyetjen zonja Golden.

Por mbrojtësit e ligjit shpresojnë se një ditë të gjithë amerikanët do të kenë mundësi të vendosin vetë për t’i dhënë fund jetës, në se janë të sëmurë rëndë.

“Ashtu sikurse edhe për çështje të tjera, sapo Kalifornia të tregojë eksperienca pozitive, shembullin e saj do ta ndjekin edhe shtete të tjera. Aktualisht ka mbi 20 shtete të gatshme ta shqyrtojnë ligjin”, thotë Matt Whitaker i grupit “Mëshirë dhe Zgjedhje”.

Për veteranin Matt Fairchild, fakti që tashmë ai mund t’i japë fund vuajtjeve që po përjeton ai dhe familja, duket se po u jep një lloj qetësie atij dhe familjes. (voa)

Monumentet, në kopje virtuale

kopje virtualeShkatërrimi i monumenteve të lashta në Siri ishte një kujtesë për botën se objektet e pazëvendësueshme të trashëgimisë botërore mund të humbasin përgjithmonë, si rezultat i luftërave apo ndonjë katastrofe natyrore. Duke përdorur teknologji me kosto të përballueshme, studiuesit e Universitetit të Indianës, në bashkëpunim me ekspertë të artit nga Galeria e famshme Uffizi (Ufici) në Firence, ka nisur një projekt 5-vjeçar për të krijuar kopje virtuale të skulpturave të lashta greke dhe romake të muzeut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic sjell hollësitë.​

Shumë nga 1,250 skulpturat e lashta të ekspozuara në Galerinë Uffizi kanë shërbyer si frymëzim për artistët dhe si objekte studimi për historianët dhe antropologët. Shkatërrimi i njërës nga këto skulptura do të ishte një humbje e përhershme.

Ruajtja ultra-afatgjatë e objekteve fizike në formë dixhitale, e quajtur fotogrametri, në të kaluarën ka qenë një proces i ngadaltë dhe i shtrenjtë. Por tani kjo ka ndryshuar, thotë udhëheqësi i projektit, profesori i Universitetit të Indianës, Robert Frischer. (voa)