Milionerët e Kosovës së varfër

dollarKosova, konsiderohet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë. Por, pavarësisht këtyre fakteve, Kosova ka edhe elitën e vet politike, që në të shumtën e rasteve përbëhet jo vetëm nga biznesmenë, por nga zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, që figurojnë si milionerë me pasuritë e tyre.

Kështu të paktën thonë përfaqësues të subjekteve ekonomike, organizatave joqeveritare dhe disa qytetarë, sipas të cilëve, pasurimi i zyrtarëve shtetërorë është bërë duke zbrazur xhepat e varfër të qytetarëve të vendit.

Një situatë e tillë, sipas tyre, dëshmon për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka vënë lidhje mes politikës dhe bizneseve të dyshimta.

Në Kosovë ekziston Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, në të cilën zyrtarët e lartë e kanë obligim të deklarojnë pasurinë e tyre.

Por, përveç deklarimit të pagës në mënyrë reale, pasuria e patundshme dhe ajo e luajtshme, besohet se paraqitet sipas dëshirës së tyre, ngase askush nuk e verifikon atë.

Kosova është shndërruar në një shtet të varfër të njerëzve të pasur. Kjo për faktin se në Kosovë mund të identifikohen dukuri të shumta negative, si korrupsioni, nepotizmi, burokracia dhe tenderomania, thotë për Radion Evropa e Lirë, Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

Këto dukuri, sipas tij, kanë ndikuar në pasurimin e paligjshëm që vjen si pasojë e mungesës së rendit dhe sundimit të ligjit.

“Sot në Kosovë është krijuar një shtresë, e cila vërtet nuk e di fundin e pasurisë. Por, në qoftë se bëhet një analizë më e thukët e asaj se çfarë të hyrash mujore kanë dhe sa është volumi i pasurisë së tyre, është një diskrepancë, por në të njëjtën kohë është një provokim për sistemin e drejtësisë në Kosovë, që më këto raste të merret në mënyrë serioze”,thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë, tregon se bazë të një hulumtimi të kësaj organizate, rezulton se mbi 50 zyrtarë të lartë të Kosovës kanë tejkaluar vlerën milionëshe vetëm për pasuri të patundshme.

“Prapë se prapë edhe me të gjitha këto të ardhura që marrin zyrtarët, duke i llogaritur pagat, mëditjet dhe të gjitha shtesat tjera, është shumë problem të justifikohet pasuria me pagat që marrin”.

“Nëse një zyrtar ka një të hyrë vjetore nga 30 -35 mijë euro, është shumë problem se si arrin të bëjë pasuri deri në një milion euro. ​Konsideroj se është një mospërputhje e madhe sa i përket pasurisë që kanë dhe pagave që marrin nga buxheti i Kosovës. Pra, është e pajustifikueshme pasuria që kanë, duke krahasuar me të hyrat që i realizojnë’’, thotë Demhasaj.

Por, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit nuk ka numëruar sa zyrtarë kanë pasuri milionëshe. Hasan Preteni, drejtor në këtë agjenci, në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, thotë se nuk është problem të jesh milioner.

“Problemi është nëse je bërë milioner duke e keqpërdorur pozicionin zyrtar apo duke mos respektuar ligjin”, thekson Preteni

Pavarësisht faktit se në mënyrë zyrtare është vështirë të identifikohet pasuria e tyre, në shoqëri vazhdimisht flitet për mënyrën e fituar të milionave të disa zyrtarëve.

Qytetarët thonë se burim i prodhimit të milionerëve janë institucionet doganore dhe prokurimi publik.

Artan Ramizi, me profesion ekonomist, e konsideron mision të pamundur, arritjen e pasurisë milionëshe me paga të sektorit publik dhe fitimet që i sjell sektori privat, nëse punohet në mënyrë ligjore.

“Doganat dhe procedurat për dhënien e tenderëve janë burim kryesor i prodhimit të milionerëve në Kosovë. Kryesisht kompanitë që punojnë me tenderë shtetërorë dhe ato që importojnë produkte me akcizë më të lartë, bashkëpunojnë me politikanë dhe në mënyrë të paligjshme ( apo marrëveshje xhentëlmeni) përfitojnë milionat. Pra, milionerët krijohen direkt nga xhepi i popullit të varfër”, thotë Ramizi.

Profesori Adem Haziri, mbi të 60-at, habitet se sa shumë ka ndryshuar infrastruktura ndërtimore në qytete, duke e marrë si shembull Prishtinën. E për të gjitha këto, nuk beson se janë investuar me para të gatshme të fituara në mënyrë ligjore.

“Ne që jemi rritur në Prishtinë, e njohim kryeqytetin, sa i madh ka qenë, sa njerëz ka pasur, kush ka qenë i pasur dhe kush i varfër. Kurse, tash pas 17 vitesh, janë krijuar milionat e miliardat. Pra, në Kosovë ka pushtet jo shtet. Shteti dallohet nga pushteti. Pra, kjo pasuri është krijuar me hajni e me asgjë tjetër”, thekson Haziri.

Se pasuria e disa personave në Kosovë është krijuar pas periudhës së luftës, dyshon edhe Artan Demhasaj, nga Organizata “ Çohu”.

Është e vështirë të dihet prejardhja e pasurisë. Por, një gjë që thuhet është se shumica e pasurisë është krijuar në vitet 1999 -2000. Dhe, kjo është diskutabile se si kanë mbërritur menjëherë pas përfundimit të luftës të krijojnë këtë pasuri”.

“Ndoshta kanë qenë pronat shoqërore që kanë kaluar në pronë private, këtu më pas duhet të ketë hetim nga organet e drejtësisë që të merren më tepër me prejardhjen e pasurisë”, shton Demhasaj.

Në anën tjetër, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 400 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Kurse shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 32 për qind, ndërkaq varfëria ekstreme 10 për qind.

Duke marrë parasysh vlerën e pagave dhe pasurinë e disa qytetarëve të Kosovës, edhe Safet Gërxhaliu, vlerëson se kjo nuk përputhet me realitetin.

“Me vetë faktin se në Kosovë paga mesatare është 350 euro dhe arrihet ky standard ose ky nivel i jetës së grupeve të caktuara, është vërtet diçka që dëshmon se statistikat në Kosovë, japin më shumë rezultate të sakta të të dhënave të gabuara se sa rezultate të sakta të të dhënave të sakta. Kjo sepse po të jenë të hyrat 350 euro dhe të krijohet pasuri milionëshe është diçka që nuk është koherente me realitetin”, shprehet Gërxhaliu.

Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht ka kërkuar që të krijohet baza ligjore që sanksionon pasurinë e paligjshme dhe në bazë të cilit mundësohet kofiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë joligjore. (rel)

Ekskluzive/ Në Rinas futet tritol

rinasAutoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kane bërë 3 testime të fshehta për sigurinë në aereoport në datën 20 Prill 2016. Testimi 1: futja e eksplozivit; testimi i dytë: futja e armëve të ftohta dhe testimi i tretë: çarja e rrethimit (perimetrit të jashtëm), saktësisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë grabitësit. Në të tre testimet, siguria e aereoportit ka dështuar të detektojë rrezikun. Tritoli është futur, po ashtu edhe thika. Por, më e rënda, është realizuar futja pikërisht në të njëjtën pikë ku u fut edhe makina e grabitësve.

Për 10 minuta simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar. Top Channel posedon të plotë këtë raport tronditës dorëzuar aeroportit dhe Ministrisë së Transporteve në mes të muajit maj. Ai tregon sesa vulnerabël dhe i pasigurtë është aeroporti dhe sesa me indiferencë është trajtuar çështja nga “Airport Partners” dhe kompania ICTS, përgjegjëse për sigurinë e Rinasit.

Testimi sekret i 20 prillit 2016 i është njoftuar drejtuesve të aeroportit në 13 maj, duke ngritur alarmin e rëndë mbi cënueshmërinë e sigurisë së pistës së vetme ndërkombëtare në vend.

“Testimet e fshehta të datës 20 prill 2016 në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, u kryen në mbështetje të Programit Kombëtar të Cilësisë dhe Sigurisë në Aviacionin Civil. Testimet e fshehta u organizuan dhe u drejtuan nga ana e Drejtorisë së Mbikqyrjes së Sigurisë në Aviacion, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë në Rinas. Testimi i fshehtë u mbajt më datë 20 prill 2016, nga ora 10:15 deri në 11:15 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Drejtoria e Mbikqyrjes së Sigurisë në Aviacionin Civil kreu 3 testime njëkohësisht në 3 pika, brenda në terminal dhe në perimetrin rrethues. Një testim ishte i shkallës së lehtë (diktimi i të cilit dhe ndalimi i tij do të duhej të ishte i lehtë) dhe dy të tjerët ishin të shkallës mesatare”.

Sipas kësaj shkrese që Top Channel e disponon të plotë, tre testet e dështuara përfshijnë futjen e eksplozivit në bagazh dore dhe të detonatorëve, futjen e një thike të ftohtë përmes daljes së stafit dhe ekuipazhit dhe më e rënda edhe futjen në perimetrin rrethues, pikërisht aty ku ndodhi grabitja e pak ditëve më parë.

Top Channel disponon edhe fotot e mjeteve me të cilat janë bërë testet, për të cilat kanë qenë në dijeni autoritetet përkatëse: Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit.

“Testimet e fshehta me të cilat testuam sistemin e sigurisë në aeroport ishin: përpjekja për t’u futur në pikën e kalim-kontrollit si pasagjer, me bagazhin e dorës ku ishin fshehur artikujt e ndaluar. Testimi i parë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për pasagjerët, në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë. Testuesja që do të udhëtonte si pasagjere e kishte fshehur artikullin e ndaluar në bagazhin e dorës dhe në tentativë arriti ta kalonte kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se bagazhi i dorës u kontrollua sipas procedurës me anë të skanerit me rreze X. Nga ana e agjentit të skanerit nuk pati asnjë reagim apo dyshim për asnjë nga objektet testuese të fshehura në bagazhin e dorës. Bagazhi u konsiderua i pastër dhe u lejua të kalonte.
Testimi i dytë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për ekuipazhin dhe stafin. Në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë, testuesja, teksa u paraqit me fletëhyrje të rregullt si staf i AAC, e kishte fshehur artikullin e ndaluar në njërën nga këpucët e saj dhe në tentativë, arriti ta kalojë kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se testuesja kaloi WTMD sipas procedurës dhe meqenëse ura dha sinjal alarmi, iu nënshtrua kontrollit me dorë, i cili u krye në përputhje me procedurat e sigurisë. Më pas, agjenti i sigurisë ka përdorur edhe detektorin e dorës, i cili dha sinjal alarmi te pjesa e këpucës së testueses. Por, edhe pas këtij kontrolli, testuesja u konsiderua e pastër dhe u lejua të kalonte në kundërshtim me procedurën, që kërkon zgjidhjen e shkakut të alarmit”. 

Por testi i tretë është padyshim më skandalozi, pasi lidhet drejtëpërdrejtë me ngjarjen e dy ditëve më parë. Ai është bërë pikërisht në pikën ku grabitësit u futën me makinë, me ndihmën edhe të stafit brenda.

“Përpjekja për të kaluar nga zona publike në zonën e kufizuar të sigurisë në aeroport, nga rrethimi i pistës në anën perëndimore, në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant. Testimi i tretë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në shërbim të ruajtjes dhe patrullimit si dhe nga operatorët në sallën e kamerave. Testuesi, artikujt e ndaluar i përdori për mbi 10 minuta në tentativën e tij për të realizuar hyrje të paautorizuar nëpërmjet rrethimit të aeroportit, në zonën ajrore në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant të avionëve. Patrullat e shërbimit në lëvizje dhe sistemi i vëzhgimit me kamera përgjatë rrethimit të sigurisë së perimetrit dështuan në diktimin e tentativës për hyrje të paautorizuar. Për më tepër, u mësua se 2/3 e kamerave të vëzhgimit ishin prej disa ditësh jashtë funksionimit, në kundërshtim me kërkesat e shtojcës 25 të ligjit nr. 9312″. 

Raporti për dijeni edhe të Ministrisë së Transporteve i është dërguar drejtuesit të aeroportit të Rinasit në 13 maj. Por nga ICTS dhe aeroporti nuk u mor asnjë masë, së paku deri në 29 qershor, kur edhe ndodhi grabitja spektakolare në pistën e “Nënë Terezës”.

/ Top Channel

Konferenca e Parisit: Ballkanit i bëhen premtime të dyshimta

konferenca parisitTë hënën në Paris (04.07) fillon konferenca e tretë për Ballkanin Perëndimor. Këto konferenca vetëm fshehin mungesën e gatishmërisë së BE-së për t’i pranuar këto vende, kritikon Thomas Brey, korrespondent i DPA-së.

Konferenca për Ballkanin ka mjaft. Para katër javësh janë mbledhur liderët e rajonit në Sofje dhe kanë festuar 20 vjetorin e “Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore”. Për më shumë se tetë vite mbahen takimet e “Këshillit rajonal për bashkëpunim”. Në fund të majit është mbajtur në Sarajevë takimi i radhës i procesit „Brdo-Brioni“.

Megjithatë Gjermania ka nisur para dy vitesh një proces të ri – Konferencën për Ballkanin Perëndimor. Pas Berlinit (2014) dhe Vjenës (2015), tani të hënën me 4 korrik mbahet në Paris takimi i tretë me radhë. Presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi duhet të takohen me krerët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe vendeve të tjera. Qëllimi zyrtar: afrimi i vendeve të Ballkanit me BE.

Mungesa e gatishmërisë

Problemi është që në një të ardhme të shpejtë nuk do të ketë zgjerim të BE – gjë që e kanë thënë edhe Komisioneri i BE Juncker dhe presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Pas Brexitit nuk ekziston gatishmëria e BE për pranimin e vendeve të tjera. Konsolidimi para zgjerimit – është dogma e fundit në Bruksel. Por në Bruksel ekzistojnë shumë politikanë, diplomatë dhe ekspertë, të cilët e kanë për detyrë të përgatisin vendet e Ballkanit për anëtarësim. Këtë ekip e udhëheq Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Ata thonë se BE ka premtuar zgjerimin dhe pranimin e Ballkanit, në Selanik në vitin 2003, kur është thënë se BE nuk është i plotë pa Ballkanin.

Konferenca e parë e Ballkanit u organizua në Berlin (28 gusht 2014) Kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel me ish-presidentin e KE-së, Barroso

Ekspertët që udhëtojnë rregullisht në Ballkan thonë se “perspektiva e anëtarësimit mbetet e hapur”. Ndonjëherë flasin madje edhe për afate të mundshme. Kështu mediat boshnjake në maj kanë raportuar për mundësinë e anëtarësimit të B-H në BE brenda dhjetë vitesh.

Politika e ndihmave

Konferenca për Ballkanin Perëndimor ka për qëllim që të tejkalojë humnerën mes zgjerimit të ndaluar të BE dhe premtimeve të dhëna. BE do që këto shtete të vogla të ruajnë disponimin për anëtarësim, përmes mbështetjes me miliarda Euro, në periudhën prej 2014-2020. Këtu bëjnë pjesë projekte të ndryshme, siç është autostrada Nish – Prishtinë, apo ajo rreth Adriatikut, modernizimi i hekurudhave etj. Apo dhe me krijimin e rrjeteve për të rinj, të ngjashme me ato gjermano-franceze.

Por politika e derdhjes së parave në 15 vitet e fundit zbulon më shumë probleme se sa zgjidhje. Edhe pse para tri vitesh Brukseli ka arritur një marrëveshje mes armiqve tradicionalë, Serbisë dhe Kosovës, gati asnjë prej këtyre pikave nuk është realizuar në tërësi. BE ende nuk ka arritur të zgjidhë krizën në Maqedoni, e cila po zgjat më shumë se një vit. Brukseli nuk ka zgjidhje as për grindjet mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë.

Kroacia dhe Serbia kanë zhvilluar vitin e kaluar një luftë tregtare. Popujt e grindur shumë keq në B-H nuk kanë arritur marrëveshje për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Gjithnjë e më shumë flitet për shkeljen e të drejtave të mediave, drejtësinë e manipuluar, korrupsionin e lartë. Ndërkohë njerëzit po ikin nga këto vende – drejt Bashkimit Evropian! (dw)

Brexit e pasojat vështruar nga Gjermania

brexitDalja e Britanisë së Madhe nga BE ka sjellë në tryezë të gjitha krizat e pazgjidhura të komunitetit. BE nisi këtë javë rrugën për kapërcimin e tyre. Një informacion nga Auron Dodi, si sfond për bisedën me TV News 24.

Kancelarja gjermane orienton

Në fillim të kësaj jave kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e para lidere evropiane që kërkoi t’i jepet fund “zisë” për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ajo kërkoi që Bashkimi Evropian të mos bllokohet nga shoku e nga trishtimi për Brexit-in. Para Bundestagut Gjerman dhe më vonë para medieve, kancelarja kërkoi të martën (28.06.) të shtrëngohen radhët. Të pranohet realiteti pas votës britanike dhe të shihen interesat evropiane.

Kancelarja foli me një optikë të re për Britaninë e Madhe: duke e parë Britaninë si një vend të tretë, tashmë jashtë Bashkimit Evropian. Në unison edhe me Presidentin francez Hollande dhe me kryeministrin italian Renzi, me të cilët Merkel qe takuar të hënën në Berlin, Merkeli nuk la dyshim se Britania e Madhe duhet ta ndiejë “çdo të thotë të jesh jashtë BE”. Britania e Madhe nuk duhet të presë trajtim special në negociatat për marrëdhëniet e ardhshme, paralajmëroi kancelarja gjermane. Ajo nuk do të zgjedhë dot vetëm ato që i pëlqejnë te Bashkimi Evropian, në marrëdhënien e ardhshme.

Në një kohë që në opinionin publik gjerman Brexit konsiderohej ende i pabesueshëm; kur shumë disi shpresonin se në një mënyrë ose në tjetrën dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian mund të kthehej mbrapsht, kancelarja gjermane tha qartë: “Dëshiroj të them fare hapur se…nuk shikoj ndonjë rrugë si mund të kthehet mprapsht kjo”. Deklarata e saj ishte orientuese dhe si e tillë ushtroi efekt qetësues ndaj ankthit të pakontrolluar te disa politikanë dhe medie.

Në samitin e Brukselit (28.06.-29.06.) u ndoq pak a shumë ajo linjë që parashtroi Merkeli para Bundestagut. Liderët e Evropës kërkuan që procesi pas Brexit të ecë sa më shpejt. Që dëmi ekonomik tek të dyja palët të jetë i kufizuar. Por ky proces do të jetë me dhimbje për Britaninë e Madhe, që të mos inkurajohen shtete të tjera për referendume të ngjashme. Kjo ka rëndësi, pasi mbështetja për Bashkimin Evropian në një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, në Francë p.sh., është vetëm 38 përqind. Pra është edhe më e vogël se në Britaninë e Madhe, ku mbështetja ishte 44 përqind. Kryetarët e shteteve pranuan se për sigurinë, për vendet e punës dhe rritjen ekonomike duhet bërë më shumë. I vetmi propozim vërtet i ri që u bë në Bruksel ishte ai për një samit tjetër të Bashkimit Evropian në shtator, në Sllovaki, ku do të paraqiten plane më konkrete.

Janë britanikët të pazëndësueshëm për BE?

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian konsiderohet moment kthese për komunitetin jo për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të Britanisë së Madhe si anëtare. Sigurisht, sidomos në sektorin e shërbimeve të tregtueshme, britanikët kishin dhe kanë akumuluar aftësi të veçanta.

Që nga bankat dhe investorët, te gjykatësit dhe këshilltarët britanikë; te arkitektët dhe zhvilluesit e programeve dhe lojërave kompjuterike, britanikët qenë padyshim një vlerë e shtuar edhe për Bashkimin Evropian. Preferenca britanike për hierarki të rrafshta në BE, kundër centralizimit të preferuar nga Franca, ka lënë gjurmë dhe është kontribut që mbetet në këtë bashkësi. Kontribute me vlerë i kanë sjellë Bashkimit Evropian edhe shërbimi diplomatik britanik dhe ushtria britanike, të cilët konsiderohen nga më cilësorët në Evropë.

Por: britanikët hynë vonë në Bashkimin Evropian, rreth njëzet vjet pas fillimeve të komunitetit. Si pasojë ata gjithmonë ankoheshin se Bashkimi Evropian ishte ndërtuar si strukturë që më parë nga arkitektë francezë, gjermanë e italianë.

Në të vërtetë, Brexit u quajt moment vendimtar për Bashkimin Evropian, jo vetëm për shkak të largimit të Britanisë së Madhe. Por sepse Brexit solli në tryezë edhe krizat e mëparshme të komunitetit.

Cilat kundërshti e bllokojnë reformën pas Brexit

Ende nuk ka përgjigje të qarta e dakordim për çështje themelore të drejtimit të BE:

A duhet riparuar Bashkimi Evropian me kursime të forta, siç kërkojnë kryesisht gjermanët, apo duke investuar me para të marra borxh, siç kërkon Franca dhe shtetet jugore të Bashkimit Evropian ?

A duhet të jetë Bashkimi Evropian thjesht një zonë tregtie e lirë apo një bashkim gjithnjë e më i ngushtë?

Nga pikëpamja strukturore, çështja qendrore e shtruar për sqarim është: a duhet t’u kthehen disa funksione shteteve nacionale, dhe nëse po, cilat duhet të mbajë Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian?

Të gjithë duan ndryshime. Por përfytyrimet për to i kanë shpesh të kundërta.

Gjermania, Franca dhe shtetet lindore të BE

Gjermania kërkon që Bashkimi Evropian të gjejë zgjidhje pragmatike për problemet brenda kornizës aktuale. Gjermania nuk e shikon Brexit si rast për të bërë një hap të madh drejt thellimit e centralizimit të Bashkimit Evropian. Por pikërisht këtë e kërkon Franca.

Ëndrra e Francës është një shtet federal evropian. Me një udhëheqje politike të vetën në personin e një ministri financash të Eurozonës dhe me buxhet të përbashkët. Një shtet që të investojë me para të përbashkëta evropiane, shumë prej tyre para gjermane. Një strukturë e tillë, do ta ringjallte lidershipin politik francez në Evropë. Dhe do të dobësonte dominancën ekonomike gjermane. Ky nuk është një koncept fair ndaj fuqisë së Gjermanisë. Ndaj gjermanët u thonë francezëve se i vetmi projekt që keni ju është si t’u merren paratë gjermanëve. Dhe gjithçka mbetet në vend.

Si një zë i veçantë në Bashkimin Evropian po përvijohen shtetet e Vishegradit. Polonia, Hungaria, Çekia e Sllovakia kërkuan këtë javë që Bashkimi Evropian të kthehet pas, në fillimet e tij. Që Bashkimi Evropian të kujdeset vetëm për liritë bazë dhe për tregun e përbashkët. Ky ishte pak a shumë koncepti britanik për Bashkimin Evropian. Shtetet e Vishegradit duan që të dobësohet Komisioni Evropian dhe të forcohet Këshilli Evropian, ku shtetet kanë përfaqësinë e tyre.

Deri këtu ky koncept është simpatik edhe për Gjermaninë, e cila nuk është e gatshme të transferojë kompetenca të reja në Bruksel. Por Polonia (dhe jo vetëm ajo) kërkoi këtë javë të hartohet madje një marrëveshje krejt e re për Bashkimin Evropian. Këtë e hodhi poshtë kancelarja Merkel. Kjo do të ishte e komplikuar, tha Merkeli. Kur qytetarët shpesh nuk e kanë të qartë pse e bën diçka Bashkimi Evropian dhe cilat janë objektivat, nuk sjell gjë një marrëveshje krejt e re, tha Merkel. Edhe Franca kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërtohet më tej, jo të ndërtohet nga e para. Një marrëveshje krejt e re për Bashkimin Evropian do të kërkonte miratimin e saj edhe në referendume.

Problemi i referendumeve dhe Gjermania

A janë referendumet forma më demokratike për të vendosur për Evropën? Fati i kryeministrit britanik David Cameron, që me referendumin për Bashkimin Evropian donte të mposhtte kundërshtarët brenda Partisë së vet Konservatore – dhe që dështoi, duke e çuar në kaos vendin dhe përballë copëtimit, në rast se Skocia do të kërkojë pavarësinë, sugjeron që jo.

Të njëjtin fat si referendumi britanik pati referendumi për Kushtetutën Evropiane në vitin 2005 në Francë, me të cilin Presidenti Chirac donte të mposhtte kundërshtarët evropianë në vend. Referendumi i francez i nisur nga Chirac-u, për ta mbështetur Evropën, dështoi dhe çmimin e pagoi Evropa.

Referendumet si mjet në thelb janë vota besimi, “votes of confidence” për subjekte e personalitete politike. Problem del pasi ato i japin mundësi edhe shprehjes së urrejtjes e hakmarrjes dhe kjo e manipulon arsyen. Dhe në referendume për Evropën qytetarët kryesisht lajnë hesapet me qeveritë nacionale. Ose thjesht gjejnë rast të protestojnë, siç thanë se bënë shumë votues të “Leave” tani pas referendumit britanik. Por vota në një referendum nuk është si klikimi “pëlqej” në Facebook, që mund të anulohet kur kupton se të kanë mashtruar.

Gjermania është përsa u përket referendumeve në pozicionin më komod, në sajë të kushtetutës që ka. Kushtetuta gjermane lejon referendume vetëm kur duan të ndryshohen kufijtë e landeve, 16 republikave të Gjermanisë. Në këto raste, referendum mbajnë vetëm dy landet e prekura. Përvoja e keqe e vitit 1934, kur me referendum Adolf Hitleri shkriu postin e kancelarit me atë të presidentit të republikës, shpjegon pozicionimin e kushtetutës gjermane ndaj referendumeve.

Kryengritja e përfituesve kryesorë të Brukselit dhe globalizimi

Pse shtetet që përfitojnë më shumë nga Brukseli, si Polonia e Hungaria, duan ta dobësojnë atë? Një shpjegim mund të gjendet në qendrimin e këtyre shteteve jo thjesht ndaj Brukselit. Por ndaj globalizimit në tërësi, që ua ka afruar të gjitha shteteve problemet në derën e shtëpisë.

Disa vëzhgues janë të mendimit se kufiri midis Botës së Parë, më të pasur, dhe Botës së Tretë, më të varfër, për shkak të globalizimit, po bie. Globalizimi nuk ecën më vetëm nga Veriu në Jug, por kthehet tani edhe mbrapsht: me pamjen e refugjatëve dhe të terrorizmit. Kjo nxjerr në pah fort polarizimin dhe varfërinë. Globalizimi paraqitet edhe si konkurencë ekonomike, sidomos kineze. Kësaj situate shtetet i përgjigjen në forma të ndryshme.

Shtetet me udhëheqës autoritarë, por jo vetëm ato, kërkojnë mbyllje, për të ruajtur identitetin. Ngritje muresh kundër refugjatëve. Mospranim e dëbim myslimanësh. Një nga kërkesat kryesore të referendumit britanik ishte mbyllja e vendit ndaj migrantëve. Kjo pritet të vijë. Kundër interesave ekonomike britanike. Por pro identitetit britanik.

Ka edhe shtete që megjithë tronditjen nga globalizimi, e pranojnë atë. Kërkojnë kapërcim kufijsh e qëndrime konstruktive.

Problemi është se zërat e atyre që duan mbyllje janë më efektivë aktualisht. Kjo sepse mungon një zë i fortë vizionar, që ta pranojë revolucionin e pashmangshëm të globalizimit. Dhe të paraqesë zgjidhje revolucionare. P.sh., duke e transferuar një pjesë të pasurisë perëndimore tek vendet e varfra.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble tha në një intervistë këtë muaj (duke folur për Afrikën) se shtetet perëndimore “nuk kanë nevojë ende për një rritje shumë të madhe ekonomike”. Ato duhet të hapen, edhe duke ndihmuar fuqimisht financiarisht shtetet e Jugut. Po Schäuble ka mbetur i vetëm në thirrjen e tij për një revolucion edhe në shpërndarjen e pasurisë.

Si pritet të ecin punët pas Brexit

Kudo në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian po rritet skepticizmi si për objektivin, ashtu edhe për meritat e Bashkimit Evropian. Që Bashkimi Evropian është një organizatë unikale që i shërben paqes, edhe duke zhvilluar institucionet, si p.sh. në Ballkan, kjo harrohet në shumë vende.
Të gjithë janë dakord se Bashkimi Evropian perceptohet si i distancuar nga qytetarët, pa legjitimim demokratik. Parlamenti Evropian, që u themelua pikërisht për ta dhënë legjitimimin, nuk ka të drejtë p.sh. të propozojë ligje për Evropën. Gjetja e një zgjidhjeje që të kënaqë 27 shtetet anëtare të BE e më gjerë është objektivisht e vështirë.

Interesante është ideja e hedhur në medie edhe nga politologët këto ditë. Ata thonë se detyra për të gjetur zgjidhje është kaq e madhe, sa ajo duhet t’i besohet një konvente ekspertësh dhe zyrtarësh. Me të paktën gjashtë muaj kohë në dispozicion, për të paraqitur zgjidhje. Me interes vlen të pritet samiti i shtatorit i BE, nëse do të paraqiten propozime konkrete. Për momentin emëruesi i përbashkët është i vogël. Ky emërues u evidentua këtë javë në takimin e treshes Merkel, Hollande dhe Renzi në Berlin, që para samitit dyditor të Brukselit.

Emëruesi më i vogël i përbashkët i BE

Së pari, dakordim ka që kufijtë e jashtëm të BE duhen mbrojtur së bashku. Për të luftuar terrorin dhe për të ndalur refugjatët. Dakordim ka për zhvillimin e mbrojtjes evropiane. Të operacioneve të përbashkëta të BE. Përsa i përket ekonomisë: kancelarja Merkel tha se mirëqënia evropiane nuk mbërrin si duhet tek të gjithë qytetarët. Në qytete duhet të investohet kundër varfërisë, që i margjinalizon njerëzit. Pra në Berlin u kërkuan investime strategjike të BE.
Dhe së treti, dakordim ka që një fokus i veçantë të jetë te rinia, e papunë në shumë vende të BE. Në Berlin u kërkua të shtohen inisiativat evropiane për trajnime e për punësim në të gjithë Evropën.Tri liderët evropianë thanë se presin në shtator projekte konkrete të BE, në këto fusha. Dhe kjo është e re.

Brexit dhe Ballkani

A do ta ngadalësojë Brexit afrimin e Ballkanit me Bashkimin Evropian? Kjo është një frikë e artikuluar këto ditë jo vetëm nga shtetet ballkanike. Edhe Uashingtoni druhet se Bashkimi Evropian tani do të merret vetëm me veten.

Shanset janë që Ballkani të mos harrohet. Jo vetëm sepse perspektiva evropiane po sjell ndryshime paqësore në marrëdhëniet midis vendeve. Si p.sh. mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës.

Por edhe për faktin se Bashkimi Evropian sheh me shqetësim afrimin e rusëve dhe të kinezëve në Ballkan. Dhe këta nuk janë thjesht konkurentë. Por janë shtete që investojnë para edhe për ta dobësuar Evropën. Siç bën me sukses Rusia në Serbi ose Bosnjë. Ose investojnë para në Ballkan, pa kërkuar zhvillim institucionesh demokratike, siç bëjnë kinezët. Mënyra veprimi, që nuk garantojnë paqe afatgjatë në Evropë . (dw)

Hidrocentrali çek që tërheq turistët

hidrocentraliNjë prej objekteve turistike më tërheqëse në Republikën Çeke po përgatitet të mirëpresë vizitorin e një miliontë këtë verë. Hidrocentrali Dlouhe Strane krenohet me një liqen i cili reflekton si pasqyrë vargmalet Jeseniky.

Një liqen që shtrihet mbi vargmalet Jeseniky në veri-lindje të Republikës Çeke, është një pamje e rrallë, dhe është krijuar nga dora e njeriut.

Liqeni artificial me sipërfaqe 15 hektarë është përshtatur mjaft mirë në majën e malit mes një pejsazhi magjepsës. Rreth 500 metra poshtë tij gjendet edhe një rezervuar tjetër, një hidrocentral i ndërtuar për të balancuar mungesat e energjisë elektrike dhe tepricat në kohë të ndryshme të ditës.

Burime të ripërtëritshme të energjisë, përfshi këtu centralet me erë dhe me energji diellore, gradulisht kanë filluar të zënë vend më të madh në prodhimin e energjisë në Republikën Çeke. Meqë prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme varet nga moti, hidrocentralet luajnë rol në balancimin e shpërndarjes së energjisë së nevojshme. Uji derdhet përmes tubacioneve në turbinë për të përftuar elektricitetin e duhur dhe balancuar kërkesat. Ndërsa, kur ka elektricitet të tepruar nga burimet e ripërtëritshme, uji pompohet nga rezervuari i poshtëm për në liqenin në majë të malit për të qënë i gatshëm atëherë kur të nevojitet. Këto vepra janë kthyer në një pikë tërheqëse për turizmin.

Projekti i filluar gjatë peridhës komuniste, fillimisht ishte i rrethuar me tela me gjemba. Por pas futjes në shfrytëzim në vitin 1996, kompania CEZ që e ka në pronësi, hapi dyert për vizitorët. Vladislav Sobol është zëdhënës i kompanisë Cez.

“Dikur u debatua nëse ishte i duhur ndërtimi i një strukture të tillë, hidrocentral, më mes të Maleve Jeseniky, nëse do të ndikonte tek ekosistemi. Koha ka treguar që hidrocentrali vërtet përshtatet aty dhe nuk ka ndikuar për keq. Turistët vijnë këtu për të parë hidrocentralin dhe më pas shkojnë në male.”

Kompania CEZ ka rreth 50 centrale që prodhojnë energji elektrike nga burime të ndryshme dhe ky hidrocentral është më tërheqësi për turistët me rreth 80 mijë vizitorë në vit ndërsa këtë verë pritet të shënohet vizitorin e një miliontë.

“Ka dy të veçanta; njëra është mundësia për të vizituar tunelet poshtë tokës ku vizitorët shohin turbinat dhe makineritë ku prodhohet elektriciteti. Tjetra e veçantë është udhëtimi me autobus apo teleferik tek rezervuari i sipërm që ndodhet 1350 metra mbi nivelin e detit. Është një eksperiencë e papërsëritshme kur njerëzit shohin një sipërfaqe kaq të madhe me ujë të rrethuar nga malet,”thotë zëdhënësi Sobol.

Hidrocentrali ka dy turbina me fuqi 325 megavat, që konsiderohen më të mëdhatë në Evropë. Avantazhi i hidrocentralit krahasuar me centralet bërthamore dhe ato me qymyr është se i duhet vetëm 100 sekonda që të vihet në punë dhe të fillojë të prodhojë elektricitet me kapacitet të plotë. Jiri Sveda është inxhinier me përvojë në Hidrocentralin Dlouhe Strane.

Jo vetëm që bëjmë pompimin e ujit natën por edhe ditën. Ka raste që prodhohet energji e tepruar ditën nga burimet e ripërtëritshme. Ndaj përdorim energjinë e tepërt për të pompuar ujin gjatë ditës për në liqenin e sipërm.”

Në vitin 2005, ky hidrocentral u emërua mes shtatë mrekullive të Republikës Çeke. Iveta Floryckova drejton qendrën e informacionit të turistëve në qytetin aty pranë Kouty nad Desnou.

Kjo vepër i përket këtij vendi, Jeseniky. Njerëzit janë mësuar me këtë vepër madhështore dhe nuk mund të imagjinojnë këto vargmale pa të. Tërheq shumë njerëz që shkojnë në rezervuarin e sipërm.”

Turistët kanë disa variante për të shijuar liqenin e sipërm dhe pamjet mahnitëse. Ngjitja dhe zbritja mund të bëhet me autobusë apo teleferik por egziston edhe marrja me qera e biçikletave për të zbritur nga maja e malit në një rrugë prej 17 kilometrash të gjatë. (voa)

Çiklistja me protezë 3D në lojërat verore

protezaAtletja gjermane, Denise Schindler, do të ndërmarrë një hap gjigand në Lojërat verore Paralimpike për atletët me aftësi të kufizuara që zhvillohen në Rio de Zhanerio. Çiklistja me një këmbë, do të pedalojë biçikletën e saj me një këmbë të shtypur me printerat 3D.

Denise Schindler do të hyjë në histori kur të marrë pjesë në gara me një këmbë artificiale të shtypur me printer 3 dimensionalë. Proteza u dezinjua në Shtetet e Bashkuara nga kompania Autodesk, por u prodhua në Gjermani.

“Aktualisht po testojmë protezën e shtypur me printer 3D dhe nëse cilësia e saj do të jetë e nivelit të njejtë me atë të protezave tradicionale. Materiali është i ndryshëm dhe unë ndjejë ndryshimin edhe kur pedaloj si rezultat i cilësisë. Jemi në rrugën e duhur për të arritur ngurtësinë dhe aerodinamikën e duhur”, thotë atletja

Falë përparimeve teknologjike, proteza prodhohet më lehtë se sa në mënyrat tradicionale. Mike Wakefield është inxhinier me kompaninë Autodesk.

“Me printer 3-D, skaner të thjeshtë, laptop jo të kushtueshëm dhe këtë program kompjuteri, do të jetë e lehtë të prodhohen proteza me cilësi të ngjashme, në kohë të shkurtër dhe pa shumë njohuri paraprake.”

Çiklistja humbi pjesën e poshtme të këmbës kur ishte 2 vjeç. Tani në të

30-tat, Schindler paraqiti këmbën e printuar në Hanover Messe, një nga

panairet më të mëdha industriale në botë, para Presidentit Obama.

“Ishte një përvojë mjaft interesante. Isha krenare që paraqita këtë

projekt sepse për mua ka shumë kuptim. U befasova kur pashë se sa i

informuar ishte presidenti për këtë çështje. Ai ishte shumë pozitiv”, thotë

atletja.

Pas skanimit të trungut të këmbës së Schindler, një program

kompjuterik i quajtur Fusion 360, dezinjon protezën, e cila pastaj

prodhohet duke përdorur teknologji të lartë printimi.

Më e lehtë, më e fuqishme dhe më natyrale, këmba e mundëson Denise

që të pedalojë kudo, përfshi Lojërar Paralimpike verore në Rio. (voa)

Aksident fatal me makinë Tesla

tesla

 

A Tesla Model S with version 7.0 software update containing Autopilot features is featured during a Tesla event in Palo Alto, California Oct.14, 2015.

Firma Tesla thotë se një shofer u vra duke përdorur funksionin autopilot të një prej makinave të kompanisë, duke nxitur një hetim federal mbi sigurinë e këtyre makinave në SHBA.

Sipas policisë rrugore, kamion goditi makinën ndërsa kjo po kalonte në një autostradë në Florida më 7 maj. Si rrjedhim makina në autopilot e shtyrë nga goditja u përplas me një shtyllë elektriku.

Administrata Kombëtare e Sigurisë si Trafikut tha se po kryen një vlerësim paraprak rreth sistemit autopilot në 25 mijë makina Tesla të Modelit S.

Kompania Tesla thotë se kjo është përplasja e parë fatale që ka ndodhur, ndërsa shoferi ishte duke përdorur funksionin autopilot.

Kompania e quajti aksidentin një humbje tragjike, por i kujtoi publikut në një deklaratë, se një vdekje ndodh çdo 151 milionë kilometra në SHBA dhe çdo 96 milionë kilometra në mbarë botën.

Ideja e një automjeti me autopilot ka ekzistuar që nga viti 1930, por u deshën 80 vjet që ajo të bëhet më popullore dhe praktike. Megjithatë, industrisë i mbeten shumë probleme për të zgjidhur para se këto makina mund të ofrohen në treg për përdorim të gjerë. (voa)

Ymeri- Mustafës: Kurdo që duhet mbrojtur shtetin ai mungon, dhe kurdo që dëmtohet, ai prinë

Visar Ymeri“Isa Mustafa, si një aparatçik i dëshmuar që është, qenka aktivizuar sërish”, kështu i është drejtuar kryeministrit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Ymeri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Mustafa nuk po flet për ushtrinë e vendit që po e bllokojnë partnerët e tij të koalicionit në Listën Serbe, as për projektin kolonizues të Serbisë “Lugina e Diellit” që po vazhdon.

“Kudo e kurdo që duhet mbrojtur shtetin Isa mungon. Kudo e kurdo që dëmtohet shteti e Republika Isa prinë”, ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë:

Isa Mustafa, si një aparatçik i dëshmuar që është, qenka aktivizuar sërish. Sigurisht, nuk ka marrë mundin të flasë për ushtrinë e vendit që po e bllokojnë partnerët e tij të koalicionit në Listën Serbe, as për projektin kolonizues të Serbisë “Lugina e Diellit” që po vazhdon. Kudo e kurdo që duhet mbrojtur shtetin Isa mungon. Kudo e kurdo që dëmtohet shteti e Republika Isa prinë.

Isa, që i thotë vetes kryeministër, po pret nga qytetarët t’ia tregojnë kufirin. T’ia dëshmojnë atë me tapi. Por lumenjtë nuk janë pronë private, pastaj rruga e asfaltuar deri aty është shtruar nga buxheti publik yni. Pse paskemi shpenzuar para tonat që t’i shtrojmë rrugët e Malit të Zi?

Tek ne kanë ardhur qytetarët Isë, dhe na kanë treguar ku është kufiri, kanë folur edhe ekspertë nga partia jote të cilët s’ke kurajo t’i dëgjosh.

Verzionin aktual të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi do ta luftojmë me çdo kusht. Ai kufi nuk do të jetë asnjëherë i pranueshëm për qytetarët e vendit. Këtë bën mirë ta dijë Isa Mustafa dhe miqtë e tij Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Këta që kërcënimet ndaj qytetarëve (herë me NATO e herë me liberalizim të vizave), e nënshtrimin e plotë ndaj kujtdo tjetër, i kanë bërë modus të rregullt të politikbërjes. (telegraf)

Si në një film, pamjet e para të grabitjes në Rinas

 

Policia sekuestroi të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza” për të zbuluar autorët e grabitjes me armë.
Pamjet tregojnë edhe dinamikën e ngjarjes shumë të rëndë, që shkatërroi tërësisht gjithë sistemin e sigurisë në aeroport ndersa tre personat me maska e armë mundën të hynin e të dilnin qetësisht në pistën e avionëve pasi rrëmbyen një sasi të madhe parash.

Sipas sekuencave të nxjerra nga kamerat e sigurisë, një person me veshje fosforeshente, të ngjashme me ato të punonjësve të aeroportit, ka hapur portën e shërbimit, e cila përdoret vetëm për futjen e mjeteve që furnizojnë avionët me karburant.

Në derë nuk ndodhej asnjë roje, as civil dhe as i armatosur dhe për pak sekonda u shkatërrua dryni i portës. Prej andej hyri një automjet tip “Benz” i modelit 250, me ngjyrë vishnje, i cili eci përgjatë perimetrit të aeroportit, duke u ndalur në vendin ku automjeti i kompanisë “Nazeri 2000” po shkarkonte thasët me para.

Pasi rrëmbyen paratë, pa qëlluar në ajer, automjeti u largua drejt fundit të pistës, u rikthye te porta nga ku dhe doli. Ky automjet u gjet më pas nga policia 2 kilometra larg vendit të ngjarjes i djegur. Sipas policisë, automjeti rezultonte të ishte vjedhur në muajin mars në qytetin e Pogradecit.

/ Top Channel

Autopiloti i Teslës, autoritetet amerikane nisin hetimet

makina teslaAutoritetet amerikane kanë nisur hetimet për vdekjen e parë që mund të jetë shkaktuar nga teknologjia automatike për drejtimin e mjeteve. Drejtuesi i një makine Tesla humbi jetën në Florida në maj, pasi u përplas me një kamion. Në qendër të vëmendjes është opsioni i autopilotit në makinat Tesla, i cili ndërron korsitë automatikisht dhe reagon ndaj trafikut.

Në një komunikatë për shtyp, kompania Tesla tha për rastin në hetim se makina Modeli S nuk mund të bënte dallim mes rimorkios së bardhë të një kamioni dhe qiellit të shndritshëm. Sipas kompanisë, vdekja e drejtuesit të mjetit ishte një humbje tragjike. Viktima ishte piloti testues i Teslës, Xhoshua Braun, 40-vjeçar.

Kompania gjithashtu theksoi se makinat Tesla me autopilot kanë bërë deri më sot 210 milionë kilometra pa asnjë problem.

Rregullatorët amerikanë do të hetojnë nëse opsioni i autopilotit funksionoi siç duhet apo kishte defekt. Ekspertët thonë se ky incident mund të shndërrohet në një goditje të fortë për reputacionin e teknologjisë autonome, në një kohë kur autoritetet në të gjithë botën po përpiqen ta fusin në qarkullim në rrugët publike.

Opsioni i autopilotit u prezantua nga Tesla tetorin e shkuar dhe gjatë konferencës për shtyp, shefi ekzekutiv i kompanisë Elon Musk tha se duhet kujdes në përdorimin e kësaj teknologjie dhe se shoferi nuk mund të çlirohet nga përgjegjësitë.

/ Top Channel