Përmbytjet në Maqedoni, ja emrat e viktimave të identifikuar

permbytjetMPB e Maqedonisë ka konfirmuar se si shkak i përmbytjeve, numri i viktimave në Maqedoni ka arritur në 25 persona. Deri më tani janë identifikuar disa viktima, raporton “Alsat-M”.

Viktimat e identifikuara deri tani nga përmbytjet:

 

    1. Bajram Mustafa, i lindur më 02.09.1949, rruga “Anton Popov” nr.10.

 

    1. Enes Mustafa, i lindur më 06.06.2014, rruga “Anton Popov” nr.10

 

    1. Katerina Mitrova, lindur më 14.08.1933, rruga “Kostandin Petroviç”, nr.31.

 

    1. Gjillmez Muharremi, lindur në vitin 1940, rruga “Avdija Avdoviç”, nr.22.

 

    1. Nade Ilievska, lindur më 1955, në rrugën “35”, fshati Stajkovcë.

 

    1. Bllaga Jovevska, lindur në vitin 1941 nga fshati Smillkovcë.

 

    1. Murat Saiti, lindur më 1957, nga Hasanbegu.

 

    1. Zemrije Sinani, e lindur më 1985 me vendbanim në rrugën “Alija Avdoviç”.

 

    1. Marina Velinovska, e lindur më 1977 nga Kriva Pallanka

 

    1. Jovan Velinovski, fëmijë nga Kriva Pallanva.

 

    1. Zhaklina Bozhinovska, e lindur në vitin 1973 nga Kumanova.

 

    1. Furkan Fejzullahu, lindur më 1987 në Hasanbeg.

 

    1. Sasho Mitkovski, lindur më 1971 nga fshati Creshevë

 

    1. Qazim Iseni, lindur më 1933, nga Hasanbegu.

 

    1. Lubica Dimcevska, lindur më 1935, nga fshati Creshevë

 

    1. Sllavska Iliç, e lindur më 1956, me vendbanim në rrugën “Sipo Cerrne” numër 73.

 

    1. Tomislav Iliç, lindur më 1950.

 

    1. Mirko Mitkovski, lindur më 1949 nga fshati Creshevë.

 

    1. Dostana Dimitrievska, e lindur në vitin 1974, në fshatin Crnotravska, Tetovë.

 

    1. Ubavska Jovevska, e lindur më 1965, në fshatin Stajkovc.

 

    1. Një fëmijë tetë vjeç.

 
16:30 – Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se deri më tani 25 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Shkup dhe rrethina. Gjithashtu, njoftohet se 5 persona janë të zhdukur.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka pasur dëme të mëdha materiale. Probleme janë shfaqur edhe në trafik.

MPB e Maqedonisë njofton se si pasojë e përmbytjeve, deri tani janë zhvendosur më shumë se 1.000 banorë nga banesat e tyre. Drejtuesit e Komitetit për Menaxhim dhe Kriza i kanë propozuar qeverisë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për 15 ditë në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës.

/D.Xh/

Albin Kurti: “Të huajt, pse nuk bëjnë reformë edhe në Serbinë e krimeve?”

albin-kurtiIntervista/ Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë analizon debatin për ndarjen e kufirit me Malin e Zi, veprimet e qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve: Shqipëria e prishi marrëveshjen e detit me Greqinë, por kjo nuk e pengoi që të jetë pjesë e NATO-s

Elton METAJ

Albin Kurti flet qartë dhe ndoshta ashpër. Ai nuk përpiqet të thotë gjëra që mund të kuptohen në mënyra të ndryshme. Deputeti i “Vetëvendosje”-s në Kosovë nuk ngurron dhe këtë e ka dëshmuar, si në aksionin politik, ashtu edhe në fjalimet në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kurtit, me marrëveshjen e firmosur nga Hashim Thaçi, Kosova ka humbur 8.200 hektarë sipërfaqe. Në intervistën e tij për “Shekulli”-n, politikani 41-vjeçar flet edhe për marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, ndërsa analizon edhe zhvillimet në Shqipëri për sa i përket reformës në drejtësi.

Kuvendi i Kosovës zhvilloi një debat të zgjeruar për çështjen e caktimit të kufirit me Malin e Zi. Sa i vlefshëm ishte ky debat? A ishte ai në kohën e duhur?

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës nga 25 qershori i vitit 2015, thoshte që duhet të ketë debat parlamentar para nënshkrimit qeveritar për demarkacionin me Malin e Zi. Debat nuk pati fare dhe pas dy muajve, saktësisht me 26 gusht 2015, në Vjenë të Austrisë, asokohe ministrat e Jashtëm e të Brendshëm, Hashim Thaçi e Skënder Hyseni, nënshkruan demarkacionin me homologët e tyre nga Mali i Zi, Igor Lukshiç e Rashko Konjeviç. Pra, ky debat gjithsesi është tepër i vonuar, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Debati ku u përfshinë ekspertë dhe përfaqësues të grupeve të interesit, u mbajt pra në Kuvendin e Kosovës me një vit vonesë. Këta pushtetarë do të duhej të konsultoheshin me ekspertët dhe me grupet e interesit para se ta lidhnin këtë marrëveshje. Por fatkeqësisht janë kujtuar për organizimin e këtij debati vetëm një vit më vonë, dhe vetëm për shkak të protestave të mëdha, brenda e jashtë parlamentit, të organizuara nga opozita e qytetarët.

Debati gjithsesi e pati një vlerë të vetën. Në këtë debat u dëshmua gjerësisht dhe thellësisht se linja e demarkacionit e propozuar nga qeveria dhe nga komisioni zyrtar shtetëror për demarkacionin, është e gabuar dhe ia humb Kosovës së paku 8.200 hektarë, që është një hapësirë tokësore shumë, shumë e madhe, mbi 80 kilometra katrorë. Ekspertë të shquar gjeografë, hartografë, gjeodetë e historianë kanë dëshmuar me dokumente e me harta, historike apo bashkëkohore, prej burimeve të ndryshme, se kufiri i vërtetë është ai që pretendojmë ne, pra që qeveria e ka gabim. Për të argumentuar këtë gjë profesorët kanë paraqitur harta të ish-Jugosllavisë, të vetë Malit të Zi, harta të ekspertëve të ndryshëm të vendeve evropiane, harta të përdorura zyrtarisht nga SHBA-të, harta të përdorura nga institucionet në Kosovë para dhe pas çlirimit, etj. Po ashtu, grupet e interesit kanë paraqitur dokumentacione të llojllojshme që provojnë se ato 8.200 hektarë kanë qenë vazhdimisht të Kosovës. Pra, është dëshmuar tashmë pa asnjë dyshim, për të gjithë deputetët dhe për të gjithë publikun që e ka ndjekur çështjen në televizion se kufiri i propozuar nga qeveria është i gabuar. Ky debat ka shërbyer që të konfirmohet e vërteta, jo të kërkohet ajo.

Demarkacioni me Malin e Zi është bërë në kushtet kur Serbia nuk e ka kthyer dokumentacionin kadastral dhe ato që ia ka dhënë qeverisë së Kosovës në vitet e fundit ishin kopje (gjithnjë sipas mëshirës së saj) një pjese të paktë (të cilën ajo e posedon të plotë) të dokumentacionit kadastral. Po ashtu, sipas gjeodetit Salih Ahmetaj, të dhënat e mbetura (lëna) nga Serbia në vitin 1999 janë dokumentacion shumë i vjetër i cili nuk e reflekton gjendjen në terren dhe ku grafikja (që është më e vjetër) nuk përputhet me tekstualen (sepse kanë origjina kohore të ndryshme).

Para së gjithash e mbi të gjitha, demarkacioni i kufirit nuk bëhet me libra kadastralë, siç ka bërë Komisioni i Kosovës dhe e ka nënshkruar Thaçi. Kadastri është elementi i fundit, sepse, siç ka theksuar prof.Zejnullah Gruda, demarkacioni është çështje e ndarjes së sovraniteteve midis shteteve e jo e kufijve të arave midis kushërinjve. Kosova ka negociuar keq dhe mbi bazë të gabueshme. Ajo është vënë në pozitën e atij që merr barrën e provës: tokat janë të Malit të Zi, përveç nëse nuk dëshmohet e kundërta nga Kosova!

Pavarësisht kundërshtimit të “Vetëvendosje”-s, qeveria e Kosovës po avancon me dërgimin e marrëveshjes në Kuvend. Cila do të jenë hapat tuaja të mëtejshme?

Kundërshtimi nuk është vetëm i VETËVENDOSJE!-s. Profesorët dhe akademikët më të mirë të sferës së hartografisë, gjeodezisë e gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda, Florin Isufi, Sali Ahmetaj, Përparim Ahmeti etj. por edhe akademikët nga Shqipëria, Ksenofon Krisafi, Myslym Pasha, Lisjen Bashkurti etj. kanë dalë tashmë në mënyrë të prerë kundër kësaj linje kufitare. Banorët e zonave përreth, të fshatrave të Rugovës, të gjithë janë shprehur se kjo marrëveshje i dëmton. Po ashtu forcat opozitare si AAK dhe Nisma kanë thënë se do ta kundërshtojnë çdo përpjekje të qeverisë për ta kontrabanduar këtë marrëveshje në Kuvend. E, ç’është më e rëndësishmja, janë qytetarët ata që e kanë treguar me protestat më masive që janë organizuar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, se nuk janë gati të lejojnë qeveritarët të dhurojnë apo të shesin tokën e Kosovës që është çliruar me gjakun e dëshmorëve e me djersën e sakrificën e shumë gjeneratave. Ky lloj demarkimi është tradhti dhe krim. Një deputet i VETËVENDOSJE!-s, Rexhep Selimi, ka thënë në një intervistë këto ditë se ata që dëshirojnë të luajnë me kufirin e Kosovës, luajnë me paqen. Ne nuk kemi për t’i lënë këta pushtetarë të papërgjegjshëm të na i kërcënojnë qoftë kufirin e qoftë paqen. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që ta ndalim ratifikimin e kësaj marrëveshje. Demarkimi i kufirit duhet të rinegociohet, në mënyrë të drejtë e transparente, pa i marrë tokë asnjë shteti e pa i dhuruar territor asnjë shteti tjetër, duke i marrë parasysh të gjitha hartat, dokumentet dhe argumentet e sjella nga ekspertët që përmenda.

A do t’i kthehet “Vetëvendosje” protestave apo veprimeve të dhunshme në Kuvend apo jashtë tij?

Nuk ka veprim më të dhunshëm se sa t’ia heqësh një vendi një copë të territorit të tij padrejtësisht dhe pa vullnetin e popullit të tij. Nëse një populli, cilitdo popull në botë, shkoni dhe provoni t’ia ndryshoni kufijtë pa vullnetin e tyre, keni për të parë se ata do të jenë gati të nisin edhe luftë. Pra, unë gjykoj se veprimin më të dhunshëm ndonjëherë ndaj Kosovës së pavarur, do ta kryente qeveria nëse e ndryshon kufirin e Kosovës pa vullnetin e popullit të saj, duke ia falur a shitur Malit të Zi mbi 8.200 hektarë. Përballë një dhune të tillë nga ana e pushtetarëve, për të mbrojtur vendin e tokën tonë, ne kemi legjitimitetin për çdo lloj veprimi. Nuk mund të sillesh krejt butë e paqësisht kur në qeveri i ke dhunuesit më të mëdhenj të Kosovës.

Filozofi francez Jean Baudrillard ka pasur një tekst fantastik mbi atë se si lufta e vitit 1991 në Gjirin Persik nuk ka ndodhur! Për Bjeshkët e Rugovës do të mund të thuhej e kundërta. Në vitet e fundit aty ka ndodhur një luftë e Kosovës me Malin e Zi, të cilën ne nuk e kemi parë. Në atë luftë ne jemi mundur dhe tash si palë e humbur kemi nënshkruar kapitullimin. Sepse pala humbëse tërhiqet në brendi të territorit, duke ia lënë majat e maleve, kurrizin e vargmaleve, kuotat strategjike ushtarake palës fituese.

Mendoni se mosmiratimi i kësaj marrëveshje mund të rrezikojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës?

Jo. Kosova i ka të gjitha kapacitetet të rinegociojë për kufirin me Malin e Zi, në mënyrë transparente e profesionale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mjaft të përfshihen ekspertët më të mirë dhe të negociohet nga negociatorë të denjë, e jo nga pazarxhinjtë si Mustafa e Thaçi. Këta të dy e mbrojnë këtë marrëveshje, ashtu siç kanë mbrojtur e nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera të dëmshme që e sulmojnë Kosovën, pasi “ua kanë zënë bishtin me derë”, domethënë janë të shantazhuar. Përgjimet që po publikohen, por edhe shumë dokumente e dosje që vetë ne i kemi dorëzuar në prokurori dëshmojnë se këta pushtetarë janë të stërkequr në korrupsion, dhe për pasojë janë lehtësisht të shantazhueshëm. Ata janë gati të nënshkruajnë pra çdo gjë, sado e dëmshme për Kosovën, sepse dosjet e tyre i mbajnë peng.

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës më shumë dëmtohen prej qëndrimit në pushtet të këtyre dy pushtetarëve dhe të të tjerëve si ata. Sa i përket demarkacionit, edhe vetë Mali i Zi e pranon se do të mund të rinegociohej pa problem, e ne s’po kërkojmë gjë tjetër. Pra nuk ka asnjë dëm ndërkombëtar nga ndalimi i kësaj marrëveshjeje. Qysh më 15 dhjetor 2015 Qeveria e Malit të Zi pat shprehur gatishmërinë për rishqyrtimin e demarkacionit, por Qeveria e Kosovës nuk ishte e interesuar për këtë gjë në mënyrë që të mos merrej vesh konkretisht përmbajtja e tradhtisë dhe krimit të tyre.

A ka mundësi klasa politike dhe institucionet e Kosovës t’i thonë “Jo” një marrëveshjeje që ka marrë edhe bekimin e SHBA, NATO e BE-së?

Shpesh abuzohet me këto “bekimet”. Në debatin me ekspertët që u bë në Kuvendin e Kosovës, ambasadori amerikan në Kosovë tha se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA mbeten të forta, pavarësisht votimit apo jo të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu edhe përfaqësuesit e BE kanë thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet nga kjo marrëveshje dhe me gjasë nuk do të ndodhë edhe nëse marrëveshja miratohet. Në rajonin tonë, e kemi rastin e Kroacisë me Slloveninë, të dyja vende të cilat janë anëtarësuar në NATO, janë anëtarësuar në BE, dhe kanë marrëdhënie shumë të mira me SHBA, megjithatë vazhdojnë të kenë probleme me kufirin, për të cilin nuk kanë rënë dakord as sot e kësaj dite dhe e kanë çuar në arbitrazh ndërkombëtar. Po ashtu kemi rastin e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë. Edhe atëherë, ju e mbani mend mirë, u lidh një marrëveshje e cila ishte në dëm të Shqipërisë. Marrëveshja u prish, sajë aksionit opozitar dhe popullor, por kjo nuk e pengoi Shqipërinë që të jetë pjesë e NATO-s, që të ketë marrëdhënie të mira me SHBA, apo që të vazhdojë rrugën e integrimit për në BE. Pra, kur ka pasur mundësinë t’i thotë jo një marrëveshjeje të tillë Kroacia, Sllovenia apo edhe Shqipëria, pse mendoni se Kosova nuk e paska këtë mundësi? Është shumë naive të mendosh se marrëdhëniet strategjike të Kosovës me NATO, SHBA dhe BE, varen prej një vije kufitare me Malin e Zi. Pushtetarët e korruptuar e të shantazhuar të Kosovës i keqpërdorin faktorët ndërkombëtarë për t’u shfajësuar për servilitetin e tyre ndaj ndërkombëtarëve e për të justifikuar zullumin e tyre ndaj qytetarëve.

Shikoni, SHBA-të i duan edhe qeveria e Kosovës edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!. Mirëpo, dallimi midis nesh është që ne i duam SHBA-të e Franklin Delano Roosevelt, Martin Luther King, Jr., e të vëllezërve John e Bobby Kennedy, ndërkaq Qeveria e Kosovës i do SHBA-të e Al Kapones e të Senatorit Joseph Mçarthy. Pra, çështja është se cilën Amerikë e do.

Edhe në Shqipëri ka një debat publik mbi sovranitetin. Si duhet trajtuar sovraniteti, në kushtet aktuale të integrimit në strukturat euro-atlantike, si për Shqipërinë dhe për Kosovën?

Debati në Shqipëri nuk është për sovranitetin territorial, por për një sovranitet politik mbi një pushtet, siç është gjyqësori. Nuk mund të shprehem gjatë në këtë intervistë mbi atë çka po ndodh në Shqipëri, me amendimin e Kushtetutës dhe me “Reformën në Drejtësi”, por mund të them vetëm se, pavarësisht integrimeve në struktura të sigurisë apo në tregje, përgjithësisht pushteti i gjyqësorit e ka ruajtur sovranitetin e vet në të shumicën e vendeve që njohim, dhe kjo e ka një arsye. Drejtësia dhe vetë ligjet janë të suksesshme vetëm atëherë kur janë të kultivuara prej vetë komunitetit (homegrown). Kolonializmi, por edhe eksperimentet e kohëve të fundit me “eksportin” e vlerave institucionale, siç janë ndarja e pushteteve apo funksionalizimi i gjyqësorit, përgjithësisht kanë dështuar. Kam frikë se, në fund fare, edhe kjo përpjekje për të sjellë drejtësi për popullin e Shqipërisë do të dështojë, dhe gjërat do të mbeten njësoj me përjashtim të faktit që sovraniteti do të mbetet përgjithnjë i cënuar. Unë pandeh se drejtësinë nuk mund ta sjelli një klasë thellësisht e korruptuar dhe e kriminalizuar. Nuk është e mundur që vetë ata që dyshohen për korrupsion e krim të stërmadh, të votojnë unanimisht biletën e tyre për në burg. Këtë unë e di me eksperiencë, pasi në Kosovë shumë shpesh është shpresuar se organe ndërkombëtare si UNMIK, EULEX apo Gjykata Speciale do të ndëshkonin kriminelët që janë në pushtet lokalisht. Mirëpo këta kriminelë, të cilët i kanë votuar vetë mandatet e këtyre ndërkombëtarëve, para se të votonin kanë marrë garanci. Dhe faktet tregojnë se të gjitha këto misione ndërkombëtare kanë dështuar të sjellin drejtësi në Kosovë. Nuk shoh ndonjë arsye se pse do të duhej të kishin sukses në Shqipëri.

Që të vinte drejtësia në Shqipëri, do të duhej së pari një ndryshim në elitën politike, dhe orientime të reja politike e ideore, që janë më kombëtare, më përfaqësuese, më sociale, më pranë vetë qytetarëve, më radikale. Beteja politike do ta përcaktonte edhe kthimin e timonit të shoqërisë e të shtetit drejt funksionalizimit të drejtësisë. Por edhe kjo do të merrte shumë kohë. Sepse duhet kuptuar, zhvillimi ekonomik dhe shteti i së drejtës nuk mund të vijnë lehtë, për pak vite. Duhet shumë punë e shumë beteja, dhe ndoshta për 15-20 vite mund të ndërtohet një ekonomi funksionale e një drejtësi e kënaqshme. Ata që propozojnë zgjidhje të shpejta, gënjejnë. Ajo çka përpiqemi të bëjmë ne si VETËVENDOSJE!, nuk është të japim zgjidhje të shpejta, pasi ne nuk kemi formula magjike, siç është për shembull kjo formula për Reformë në Drejtësi. Ne kërkojmë që të nisim një betejë me krimin e me padrejtësinë, duke e ditur që kjo betejë do të marrë shumë kohë. Ne kërkojmë që sot të kthejmë timonin dhe të ndërrojmë rrugë, pasi po ecim në rrugën e gabuar dhe duhet të nisemi në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe shtetndërtimit. Ama, edhe kur të hyjmë në rrugën e drejtë, rruga nuk do të jetë e shkurtër.

Në veçanti më erdhi keq që asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk ua tha diplomatëve amerikanë e evropianë pse nuk po bëjnë Reformë të këtillë të Drejtësisë edhe, ta zëmë, në Serbi, kur dihet se atje Kuvendi e Qeveria janë të mbushur përplot, jo vetëm me kriminelë të paqes, por edhe me kriminelë të luftës. Në këtë Ballkanin Perëndimor, të cilin ndërkombëtarët po e mbiquajnë me akronimin WB6, nuk po na trajtojnë aspak njëjtë. Në Serbi po rritet homogjenizimi serbomadh, ndërsa në Shqipëri po zvogëlohet pavarësia shtetërore.

Së fundmi, në Kosovë janë publikuar edhe disa përgjime të politikanëve. Mendoni se do të ketë hetime serioze për këtë rast?

Përgjimet e publikuara kanë një vlerë të vetme, ato tregojnë për të disatën herë fytyrën e vërtetë të atyre që qeverisin Kosovën. Sidomos, dëshmojnë para publikut se PDK nuk është grup politik, por mafioz, që e ka kapur shtetin përmes strukturave paralele. Në këto përgjime dallohet se si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, përmes Adem Grabovcit, emërojnë gjyqtarë e prokurorë, drejtorë e anëtarë bordesh, dhe tallen e bëjnë skema me ambasadorë e njerëz të medias. Kuptohet, këta që e kanë kapur shtetin e që i kanë emëruar vetë prokurorët e gjykatësit, nuk ka se si të gjykohen prej tyre. Vetë kryeprokurori u shpreh publikisht se përgjimet nuk përbëjnë bazë për hetim, pasi janë të vitit 2011, pra i ka kaluar koha. Po ashtu ambasadorët nuk i kanë komentuar këto përgjime, duke lënë të kuptohet se nuk e kanë problem të kenë partneritet me mafiozë e të korruptuar, për sa kohë ata janë gati të shesin gjithçka për të mbetur në pushtet. Kuptojeni vetë se sa joserioze është situata institucionale. Joserioze, por tragjike, fatkeqësisht. Zaten, aty ku s’ka demokraci qytetare e institucionale dhe zhvillim social e ekonomik, drejtësia ngjan vetëm si aksident.

Megjithatë, publikimi i këtyre përgjimeve nuk do të shkojë dëm. Ne tashmë kemi filluar të punojmë me qytetarët, e të organizohemi për angazhimet politike protestuese, të cilat janë të domosdoshme në vendet ku drejtësia nuk e bën punën e saj. (shekulli)

Maqedoni, përmbytjet shkaktojnë viktima të shumta dhe dëme

Stuhi tepër të fuqishme kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 17 personave në Shkup dhe rrethinat e tij.​

Të paktën gjashtë njerëz janë zhdukur, rreth 60 të tjerë janë shtruar në spital dhe rreth 1,000 janë evakuuar.

Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov tha se numri i të vdekurve mund të rritet dhe qeveria ka në plan të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për dy javë në zonat më të prekura.

Shirat e rrëmbyer të shoqëruar nga erëra me shpejtësi prej më shumë se 70 kilometrash në orë shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje toke. Meterologët thanë se shiu që ra brenda dy orësh ia kaloi sasisë mesatare të rreshjeve gjatë gjithë gushtit. U regjistruan gjithsej 800 goditje rrufe.

Qindra shtëpi dhe automjete janë shkatërruar nga përmbytjet. Disa rrugë janë ende të bllokuara dhe disa zona kanë mbetur pa energji elektrike.

Kryebashkiaku Koce Trajanovski e përshkroi dëmin nga stuhitë si “më të rëndin që Shkupi ka parë ndonjëherë.”

Zonat e goditura më rëndë ishin fshatrat pranë kryeqytetit, Haraçinë, Singelic, Smilkovci dhe Stajkovci.

Policia dhe helikopterë të ushtrisë kanë bërë evakuimin e njerëzve nga shtëpitë dhe kanë vazhduar përpjekjet për kërkimin e personave të zhdukur.

Metereologët parashikojnë më shumë shi dhe erëra të fuqishme.

Komisioneri i zgjerimit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn tha në Twitter se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të ndihmuar Maqedoninë, e cila është kandidate për anëtarësim në bllokun 28 anëtarësh.

Hera e fundit që Shkupi përjetoi përmbytje shkatërrimtare ishte viti 1962, një vit para se një tërmet i fuqishëm ta shkatërronte pothuajse krejt qytetin.​ (voa)

Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë në Lojërat Olimpike

MajlindaSportistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, fitoi të dielën medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo për femra në Lojërat Olimpike në Rio Janeiro.

Ajo ngadhënjeu në finale kundrejt italianes Odette Giuffrida.

Kjo është edhe medalja e parë olimpike për Kosovën e cila sivjet për herë të parë po mer pjese me tetë sportistë në këto lojëra.

Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014.

Ajo shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës. Fakti që ajo nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara vazhdon të vështirësojë pjesëmarrjen e sportistëve të saj në shumë fusha të konkurrencës ndërkombëtare.

Në muajin maj të këtij viti ajo megjithatë u bë pjesë e Federatës Evropiane dhe asaj botërore të Futbollit, duke shënuar hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar përfaqësim të barabartë në botë. (voa)

Erdogani tek Putini – Një kthesë në kohë rekord

putin erdoganMe një takim të presidentëve të Rusisë dhe Turqisë merr fund ngrirja e marrëdhënieve midis dy vendeve për shkak të goditjes së nja avioni luftarak rus. Ritmi i ndryshimeve i habit ekspertët.

Ngrirja në raportet mes Rusisë dhe Turqisë zgjati vetëm rreth shtatë muaj, riafrimi vetënmgjashtë javë. Kur presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan të martën (09.08) do të udhëtojë për në Rusi për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, që të dy do të kenë bërë një kthesë prej 180 gradë. Vizita e presidentit turk faktikisht përfundon në qytetin e Putinit Shën Peterburg. Atje Erdogani do të shprehë keqardhjen për goditjen e bombarduesit rus të tipit Su-24 në kufirin turko-sirian më 24 nëntor 2015 nga ushtria turke dhe do të kërkojë falje prej familjeve të viktimave.

Incidenti, prej të cilit gjetën vdekjen dy ushtarakë rusë, i ftohu marrëdhëniet mes dy partnerëve të ngushtë. Rusia reagoi ndër të tjera me ndalimin e importeve të produkteve ushqimore turke dhe anuloi të gjitha fluturimet charter për në Turqi, aq e frekuentuar prej turistëve rusë. Përveç kësaj Moska pezulloi dy projekte të mëdha: ndërtimin e një linje gazsjellësi përmes Detit të Zi dhe një centrali atomik. Lidhur me këto do të vendosin tani personalisht Putini dhe Erdogani.

Sulmet verbale me sa duket janë harruar

Riafrimi është për më tepër i papritur, nëse ke parasysh, se si të dyja palët kanë shkuar me njera-tjetrën para pak kohësh. Ndonëse Erdogani shprehu menjëherë keqardhjen për sulmin e avionit luftarak rus, ai theksoi, se vendi i tij nuk toleron shkeljen e kufirit. Në javët që kishin paraprirë disa herë Turqia kish protestuar për shkeljen e hapësirës ajrore turke në kufirin me Sirinë prej bombarduesve rusë. Në Perëndim u rrit shqetësimi nga një konflikt eventual ushtarak mes Rusisë dhe Turqisë, e cila është anëtare e NATO-s.

Putini e quajti goditjen e avionit rus si “thikë në shpinë”. “Allahu ka vendosur, ta ndëshkojë klikën qeverisëse në Turqi dhe i ka hequr asaj arsyen”, shfreu ai në një fjalim në fillim të dhjetorit 2015. Veç kësaj Moska e akuzoi udhëheqjen turke, se është e implikuar në bizneset e naftës me milicët terroristë të “Shtetit Islamik”. Pothuajse çdo ditë televizioni shtetëror rus ngrinte akuza kundër Erdoganit. Një populist i djathtë me emër, propozoi madje në parlament, që të hidhej një bombë atomike në Bosfor, për ta “shpëlarë” metropolin milionësh turk.

Por me sa duket që prej disa javësh është shpëlarë indinjata ruse. Vetëm pak ditë pas letrës drejtuar Putinit Erdogani sërish telefonoi me presidentin rus. Gjatë kësaj telefonate u ra dakord për takimin, që do të zhvillohet tani. Putin shfuqizoi ndalimin e fluturimeve charter për turistët rusë drejt Turqisë. Pas puçit të dështuar të ushtrisë turke kundër Erdoganit ka pasur edhe një telefonatë tjetër, kësaj here me nismën e Moskës. Putini në mënyrë demonstrative e mështeti Erdoganin.

Ankaraja përmbush kushtet e Moskës

Të tilla “kollotumba në marrëdhëniet ruso-turke” çorodisin edhe vëzhgues me përvojë, shkruan eksperti i Moskës për politkën e jashtme, Fjodor Lukjanov, në një artikull në gazetë. “Në rast nevoje fjalët më të ashpra mund të harrohen”, vëren kryeredaktori i revistës “Rusia në politikën globale”.

Ndër të tjera është e mundur që krahas të kërkuarit falje, Turqia ka përmbushur edhe dy kushte të tjera të Moskës, të paktën pjesërisht, thonë vëzhguesit rusë. Pilotët ushtarakë turq përgjegjës për goditjen e avionit rus janë në burg. Veç kësaj Ankaraja ka sinjalizuar se është e gatshme, të flasë për zhdëmtim.

Afrim jo pa pengesa

Ekspertët rusë parashikojnë, që zhvillimet aktuale në Turqi do ta nxisin tani këtë vend më fort drejt Moskës. Me këtë ata kanë parasysh kritikët e BE-së, të SHBA-së dhe të Perëndimit në përgjithësi ndaj kufizimeve të demokracisë që ka ndërmarrë Erdogani si pasojë e puçit të dështuar. Rusia madje mund të bëhet një mbrojtëse e re e Turqisë, mendon Viktor Nadein-Rajevskij nga Instituti rus për Studimet politike e sociale të Hapësirës së Detit të Zi dhe rajonit të Kaspikut. “Kohët e fundit bëhej fjalë për një antarësi të Turqisë në Organizatën e Shangait për Bashkëpunimin dhe në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik”, i tha ai Deutsche Welle-s. Në të dyja organizatat Rusia është forca drejtuese.

Nadein-Rajevskij beson, se marrëdhëniet ekonomike ruso-turke mund të ripërtërihen “relativisht shpejt”. Riafrimi politik në të kundërt do të jetë i vështirë. “Problemi kryesor është Siria”, thekson eksperti. Turqia do një ndryshim qeverie në Damask, ndërsa Rusia e mbështet presidentin sirian Bashar al Assad edhe ushtarakisht. (dw)

Vazhdojnë planet për udhëtim në planetin Mars

raketaDrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Jan Woerner thotë se udhëtimi për në Mars përbën një sfidë të madhe për shkak të gravitetit të lartë të planetit. Por ai mendon se Hëna mund të shërbejë si planet provë apo stacion tranzit për një mision në Mars.

Nëse ëndërron të udhëtosh në planetin Mars duhet të presësh të paktën 15 vjet, deri sa të zhvillohet e gjithë teknologjia e nevojshme për një sipërmarrje të tillë, thotë kreu i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Jan Woerner.

“Duhen rreth dy vjet rrugë vajtje-ardhje… por është një sfidë e madhe edhe për të zbritur në Mars, sepse planeti i kuq ka një gravitetit më të lartë se Hëna. Është shumë, shumë e vështirë për të lënë përsëri Marsin dhe për t’u kthyer në Tokë”, thotë zyrtari në një intervistë për agjencinë Reuters.

Miliarderi amerikan Elon Musk ka thënë se planifikon të fluturojë me anijen pa pilot në Mars aty nga viti 2018, dhe synon të nisë një mision me njerëz në Mars në vitin 2025. Ndërsa synimi i Agjencisë amerikane i hapësirës, NASA është që astronautët amerikanë të mbërrijnë në Mars nga mesi i viteve 2030.

Drejtori i ESA-s, Woerner thotë se mund të duhet më shumë kohë sesa parashikon Elon Musk për të zhvilluar teknologjinë e nevojshme për një udhëtim të tillë dyvjeçar. Së pari për të dërguar një anije në Mars do të duhen raketa të fuqishme dhe karburant për t’u nisur nga Marsi për udhëtimin e kthimit, ndërsa njerëzit brenda anijes do të kenë nevojë për mbrojtje nga sfidat fizike dhe mendore, si dhe nga rrezatimi.

Ndërkohë, Jan Woerner mbështet idenë e krijimit të një rrjeti ndërkombëtar publik e privat të laboratorëve kërkimorë në Hënë, që ai e quan “fshat hënor”, që do të zëvendësonte Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës kur këtij t’i vijë fundi dhe për të provuar teknologjitë e nevojshme për të realizuar udhëtimin në Mars.

Ideja e “fshatit hënor”, thotë Jon Woerner, është “për të sjellë së bashku interesat e ndryshme të kompanive dhe vendeve, për shembull robotët dhe njerëzit, por edhe interesa krejtësisht të ndryshme si minierat, turizmi, dhe sidomos shkenca”.

“Fshati hënor është një ndalesë në rrugën për në Mars”, thotë Woerner, duke shtuar se teknologjia 3D e shtypjes mund të përdoret për të ndërtuar materiale dhe struktura nga shkëmbinj dhe pluhuri, duke hequr dorë nga mënyrat e kushtueshme për të transportuar çdo gjë të nevojshme për një mision.

Në muajin mars Evropa dhe Rusia filluan misionin ExoMars, në të cilin një anije do të përdorë një pajisje atmosferike për të çliruar shenja të jetës në Mars dhe për të vendosur një robot për të provuar teknologjitë e nevojshme për një Rover që është planifikuar për t’u lëshuar në Mars në vitin 2020.

Drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Woerner gjithashtu thotë se Evropa nuk ka plane për të rivalizuar me përpjekjet e SpaceX të Elon Musk për të krijuar mjete relativisht të lira, dhe të ripërdorëshme për nisjen e raketave.

“Ne duhet të shmangim një garë të re në hapësirë. Konkurrenca është e mirë, por gara në hapësirë duhet të shmanget për shkak të prestigjit” thotë Jan Woerner. (voa)

Shkrepësja në hambar – 25 vjet www

Interneti mbush 25 vjeç. Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee. Sot në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë

pcRrjete kompjuterike globale sigurisht që ekzistojnë prej më shumë se 25 vjetësh. Që në vitet 1960 kompjuterat në SHBA këmbenin të dhëna mes tyre përmes linjave telefonike.

Serveri i parë dhe faqja e parë e internetit (web site), që përdorën standardin e zakonshëm sot “Hypertext Transfer Protocol” (http), dolën online për herë të parë pak përpara Krishtlindjeve të vitit 1990 në Qendrën Kërkimore Bërthamore Evropiane, CERN në Zvicër.

Ky zhvillim është meritë e fizikantit britanik Tim Berners-Lee, i cili punonte në atë kohë në CERN. Ai ishte autor i faqes Po ashtu ai zhvilloi edhe browser-in e parë dhe standardet themelore si protokollin e transmetimit dhe gjuhën e programimit HTML.

Fillimisht qasje në këto risi kishin vetëm shkencëtarët që punonin në CERN. Më 6 gusht 1991 Berners-Lee e prezatoi konceptin e përgjithshëm të World Wide Web (WWW) në disa grupe lajmesh on-linë, ndër ta edhe alt.hypertext. Kjo datë konsiderohet tani si data kur www u vu në dispozicion të publikut. Kështu pra lindi interneti, që njohim ne sot.

Heqje dorë nga paratë e mëdha

Berners-Lee nuk pranoi ta patentonte dhe komercializonte konceptin e tij dhe bëri të mundur në këtë mënyrë përhapjen e shpejtë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. “Atë që bëra unë, mund ta kishte bërë kushdo”, thotë babai i WWW sot. “Ideja e për ta bërë publike World Wide Web, ishte sikur të hidhje një shkrepëse në një hambar plot me kashtë. Web-i është përhapur, për shkak se shumë individë kanë ndihmuar fuqishëm për përhapjen e tij.”

Shpesh atë e pyesin nëse nuk është i zhgënjyer që interneti është bërë kaq komercial. Berners-Lee nuk mendon në këtë mënyrë: “Interneti duhet të jetë një hapësirë universale – aty nuk mund të përjashtojet ndonjë fushë. Ka shumë që më pyesin: a nuk jeni të zhgënjyer që në internet përhapen kaq shumë marrëzi, por askush nuk është i detyruar që t’i lexxojë të gjitha. Interneti është në tërësi vetëm një pasqyrim i jetës. ”

Gjëja më e natyrshme

Të pasurit e një faqeje interneti është bërë sot pothuajse një gjë e natyrshme. Shoqata gjermane e IT Bitkom thotë se 86 për qind e sipërmarrjeve me më shumë se dhjetë të punësuar kanë faqen e tyre të internetit. Nga kompanitë e vogla me më pak se dhjetë të punësuar 43 për qind nuk janë të përfaqësuara në rrjet. “Në të gjithë botën internetin e përdorin më shumë se tre miliardë vetë. Ka edhe shumë individë që kanë faqen e tyre në internet,” thotë drejtori ekzekutiv i Bitkom-it Bernhard Rohleder.

Prapashtesa më e përhapur në adresat e internetit është “.com” me 120 milionë adresa të regjistruara. Ndër adresat me domain që i referohet vendit, adresat me “.de” kapin një shifër prej 16 milionë dhe renditen në vendin e dytë pas atyre me “.cn” për Kinën. (dw)

Orav, optimist për zgjidhjen e krizës politike

orav-Çështja e listës zgjedhore dhe ajo e mediave, duhet të zgjidhen deri më 31 gusht. Kështu ka deklaruar, euroambasadori në Shkup, Aivo Orav, i cili po numëron ditët e fundit të mandatit të tij. Orav, gjatë një interviste për portalin MKD, është shprehur optimist sa i përket zgjidhjes së krizës,  duke thënë se marrëveshja e 20 korrikut ishte shumë e qartë dhe se këto elemente do të zbatohen para 31 gushtit. Ai beson  se askush nuk do të ketë asnjë arsyetim që të tërhiqet nga marrëveshja dhe shpreson që kriza do të përfundoj këtë vit.

“Ajo do të thotë se kjo krizë politike zgjat dy vite apo nëse llogarisim nga 24 dhjetori i vitit 2012, tashmë 4 vjet. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë reformë gjatë këtyre viteve. Vendet tjera përparojë, ndërsa i juaju ka ngelur në vend. Ka shumë probleme në BE, shumë vështirësi jashtë nga BE, bota rreth nesh ndryshohet. Edhe vendi juaj dhe politikanët duhet të vendosin nëse janë të bindur që BE dhe NATO janë qëllim prioritar, ndërsa për atë nuk mjaftojnë fjalët, por edhe puna”, tha Aivo Orav.

Duke folur për shkurtimi i mjeteve të fondeve IPA, Orav ka deklaruar se njëra ndër arsyet për shkurtimit e këtyre mjeteve ka qenë edhe kriza politike. (ina)

Turisti rus, Prokuroria do të kërkojë 30 ditë burg për Fatmir Kuçin

hetime vdekja e turistit rusProkuroria e Vlorës i është drejtuar gjykatës duke kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg, me afat 30-ditor” për shtetasin Fatmir Kuçi, derisa të përfundojë ekspertiza në mjetin lundrues tip skaf, për të konfirmuar nëse turisti rus u godit për vdekje prej tij apo jo.

Masa do të shqyrtohet të shtunën nga Gjykata e Vlorës për dyshimet e “vrasjes nga pakujdesia” të Denis Kaiumov, 43 vjeç. Ndërkohë, në këtë qëndrim zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme shpjegon të gjithë dinamikën e këtij aksidenti të ndodhur në det, në zonën e Himarës.

Prokuroria e Përgjithshme shpjegon se Denis Kaiumov kishte ardhur si pushues, së bashku me familjen prej 15 ditësh, ndërsa frekuentonin zonat përreth Himarës. Denisi, – shton prokuroria, – ka hyrë në det të notojë, ndërsa bashkëshortja me vajzën janë larguar drejt shtëpisë së pushimit. Ky moment ka qenë kontakti i fundit i të ndjerit me familjarët, të cilët janë njoftuar më vonë gjatë kohës që trupi i tij po dërgohej drejt Spitalit të Vlorës.

Nga të dhënat e deritanishme, sipas prokurorisë, personi i parë që ka konstatuar të dëmtuarin me plagë prerëse në trup dhe që e ka transprotuar në Spitalin e Himarës është shtetasi Fatmir Kuçi. Por, duke mohuar se është ai personi që e aksidentoi shtetasin rus, i arrestuari ka shpjeguar se kishte dalë xhiro me skafin e tij, kur e ka gjetur rastësisht të ndjerin në det, dhe bashkë me një tjetër person e ka ngjitur në skaf.

Prokuroroia i referohet në qëndrimin e saj edhe 3 dëshmitarëve okularë, mes tyre edhe e djalit të Fatmir Kuçit, Joni Kuçi, i cili shpjegon se ka qenë duke lundruar me një motor uji, kur ka konstatuar të atin të hipte një person të dëmtuar në motoskaf.

Sipas dëshmisë, i ati i ka kërkuar më pas të dilte në breg dhe të njoftonte ambulancën. Gjatë hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Përgjithshme thotë se janë këqyrur edhe regjistrat që adminisrtohen nga Policia Kufitare Himarë, ndërkohë që janë nën hetim 4 efektivë të policisë, mbi dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pohon se shtetasi Fatmir Kuçi nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi për mjetin që drejtonte, por për mjete lundruese me peshë totale deri në 10 tonë.

/ Top Channel

Ekonomia shqiptare në vështirësi

BIRN GjergjEkonomia shqiptare vazhdon të përjetojë një nga vitet më të vështira të ecurisë së saj, ndërsa treguesit kryesorë janë në rënie dhe madje parashikohen me ulje nga vetë qeveria në rishikimin e buxhetit.

Vëzhguesit e ekonomisë pohojnë se të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore janë planifikuar më të ulëta se në fillim të vitit, inflacioni është vetëm një për qind, kur duhet të ishte 2.3 për qind.

Prodhimi i brendshëm bruto nga fillimi i vitit në këtë rishikim parashikohet nga qeveria me rreth 160 milionë euro më pak.

Ndërkaq evazioni fiskal vazhdon të jetë shumë i lartë, thotë Gjergj Erebara, redaktor i rrjetit ballkanik të raportimit investigativ BIRN në Tiranë.

“Barra fiskale është mbi 40 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Të ardhurat e mbledhura nga qeveria janë rreth 25 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Diferenca prej 15 për qind është e barabartë me 1.5 miliardë euro. Ky është evazioni fiskal ose detyrimi ligjor i papaguar” – thotë zoti Erebara.

Shqipëria vazhdon të ketë një evazion të lartë, që llogaritet sa 45-50 për qind e GDP-së, pohon Gjergj Buxhuku, përfaqësues i grupimit të bizneseve Alb-Konfindustria.

Kjo gjendje, sipas tij, nuk rregullohet me fushata, por duhet të jetë një punë e përditshme.

Zoti Buxhuku thotë se administrata tatimore nuk kontrollon mirë territorin e vendit, dhe nga ana tjetër është e paaftë dhe me një shkallë të lartë korrupsioni në rradhët e saj.

“Fakti që edhe këtë vit po vihet re një mosrealzim i theksuar i të ardhurave në buxhetin e shtetit tregon që së pari këtu kanë dështuar politikat ekonomike, (ose nuk ka patur politika ekonomike që të lehtësojnë pasojat e krizës globale), së dyti, politikat fiskale në tre vitet e fundit janë tërësisht të gabuara dhe së treti administrata është përfshirë nga një korrupsion i lartë” – thotë zoti Buxhuku.

Vëzhguesit pohojnë se borxhi publik mbetet i lartë në rreth 72 për qind, dhe qeveria ka vendosur ta ulë përmes shkurtimit të shpenzimeve, jo prej rritjes së të ardhurave, gjë që sjell pasoja negative në ekonomi.

Reformi i sistemit fiskal nuk po jep rezultate. rritja e taksave nuk ka sjellë rritje të të ardhurave të qeverisë. të ardhurat buxhetore nuk realizohen, ose shtyhen për më vonë.

“Barra e taksave është rritur me 2-3 për qind të GDP-së dhe të ardhurat e qeverisë janë rritur me 1,5 për qind, ndaj reforma nuk po jep fryte por po krijon evazion të ri nga barra e re fiskale e vendosur gjatë viteve të fundit” – thotë zoti Erebara.

Mosmbledhja e taksave erdhi prej rritjes së tyre, thotë nga ana tjetër, zoti Buxhuku.

Sipas tij, potenciali i ekonomisë shqiptare ka rënë, konkurrenca e vendeve fqinje është forcuar dhe firmat kanë ulur prodhimin dhe nuk kanë me se të paguajnë taksat e rritura më tej.

“Ka rënë potenciali fiskal i ekonomisë shqiptare dhe ajo nuk po ritmet, që pritej. Ndërkohë, janë marrë borxhe të mëdha deri 1 miliardë e 200 milionë euro, ose 72 për qind, të cilat duhet të prodhonin zhvillim ekonomik. Të gjithë treguesit pohojnë se ky do të jetë një vit shumë i vështirë në fund” – thotë zoti Buxhuku.

Vitin e kaluar u arrit një deficit rekord prej 450 milionë dollarësh në mosmbledhjen e taksvae dhe këtë tremujor ka sërish një mosrealizim të theksuar, ndonëse plani është shumë më i ulët se ai i vjetshëm.

Në rrethin vicioz të vështirësive, borxhi duhet ulur, por të ardhurat nuk rriten, rriten taksat, por ato nuk mblidhen dhe qeveria shkurton shpenzimet, por kjo vështirëson shlyerjen e borxhit, sepse ekonomia nuk rritet, thonë vezhguesit e saj. (voa)