Fidel Castro – Heroi e diktatori i Kubës ndërroi jetë

Udhëheqësi kubanez, i njohur si “Máximo líder”, Fidel Castro – ndërroi jetë. Trashëgimia e tij është mjaft e kontestuar. 49 vite qëndroi Fidel Castro në pushtet deri në dorëzimin e tij tek vëllai, Raul Castro.

kastroFidel Castro mund të mbante fjalime disaorëshe, ai ishte një revolucionar karizmatik që mund t’i mbante të ngujuar spektatorët për orë të tëra, një njeri që nuk u lodh së kritikuari armikun tradicional, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. „Yankees nuk do të heqin dorë nga vënia nën kontroll e planetit, marrja nën kontroll e ujit, minierave, dhe burimeve natyrore të vendeve të tjera”, shkroi ish-kreu i shtetit, qeverisë, ushtrisë dhe kryetari i partisë së vetme në vend, PCC në vitin 2012. Fidel, siç thirrej ai nga kubanezët, ishte një socialist i betuar, për të cilin ai luftoi gjithë jetën, për vizionin e tij për drejtësinë dhe pavarësinë e Kubës. Kombet e industrializuara ishin armiq.

Nga jurist në lider të rebelëve

Fidel Alejandro Castro Ruz lindi në vitin 1926 në Birán, në lindje të ishullit, disa historianë shënojnë vitin 1927si vit të lindjes së tij. Fidel dhe vëllezërit e motrat u rritën në mirëqenie. Pas studimit të juridikut, Fidel Castro u bë avokat në Havana. Klientët e tij ishin njerëz të varfër të Kubës. Që kur ishte student, Fidel Castro ishte mjaft i angazhuar politikisht, dhe në vitin 1952 kërkoi të futej në parlament. Zgjedhjet nuk u zhvilluan, sepse Fulgencio Batista – përkohësisht i mbështetur edhe nga SHBA – erdhi përmes puçit në pushtet. Ky ishte momenti, kur Fidel Castro vuri si qëllim rrëzimin e Batistas, duke mbledhur rreth vetes shokë të idealit, ndër ta edhe Ernesto “Che” Guevaran. Përpjekjet e ushtrisë së rebelëve të Castros dështuan fillimisht dhe komandanti doli në mal.

Volker Skierka, autor dhe gazetar thotë se “kur Fidel Castro shpalli qëllimin e rrëzimit të Batistas, shumë vetë nuk e besuan”. Por pas triumfit ai u pa si çliruesi i kubanezëve. Në 1 janar 1959 Fidel Castro erdhi në pushtet në shtetin e Karaibeve, Batista morri arratinë.

Kuba ishte Fidel Castro

Pas ardhjes në pushtet, Castro kërkoi ndërtimin e shtetit socialist duke tërhequr edhe më shumë zemërimin e Shteteve të Bashkuara. Ai gjeti aleatë në vendet komuniste lindore. Sidomos Bashkimi Sovjetik e mbështeti fillimisht Kubën financiarisht dhe stacionoi raketa me rreze të mesme veprimi në vitin 1962. SHBA reagoi, jemi në vitet e “Krizës së Kubës”, e cila përfundoi pa luftë atomike. SHBA vendosi embargon tregtare kundrejt Kubës, e cila rëndon deri më sot marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjendja u vështirësua pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik. Castro investoi mjaft në sistemin shëndetësor dhe arsim, nga më të mirët në rajon deri më sot. Por në të njëjtën kohë ai ndaloi shprehjen e lirë të mendimit dhe lirinë e shtypit. Kundërshtarët politikë u burgosën. Ish-ambasadori gjerman në Kubë, Bernd Wulffen thotë se “Fidel Castro do të mbesë në kujtesë si ai që burgoi qindra vetë vetëm për shkak të angazhimit paqësor politik.”

Pas sëmundjes së rëndë në viin 2006, Fidel Castro u tërhoq nga pushteti duke ia lënë atë vëllait të tij, Raúl Castro. 49 vite në pushtet, asnjë pushtetar, jo-monark nuk ka qëndruar kaq gjatë në post. Raúl Castro filloi në vitin 2008 me hapjen e ngadaltë të vendit. Në dhjetor 2014, Kuba dhe SHBA bënë të ditur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. (dw)

Erdogan Europës: Do të hapim kufijtë për refugjatët

Pas vendimit të Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave me Turqinë, presidenti turk, Erdogan kërcënon me hapjen e kufijve për refugjatët.

erdoganDo të hapim kufijtë, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip, po qe se Europa vazhdon të na kërcënojë. Por është vetë Erdogan që ka kërcënuar Bashkimin Europian me prishjen e marrëveshjes për refugjatët. “Po qe se shkoni më larg, do të hapen portat e kufirit”, tha Erdogan të premten (25.11) në Ankara. Ai reagoi ndaj rezolutës së Parlamentit Europian për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë, megjithëse një rezolutë jo e detyrueshme. 

 

“Kur 50.000 emigrantë të arrijnë Kapikulën (qytet në kufi) ju mos u qani. Çfarë do bëjmë ne, nëse Turqia hap kufijtë, vrisni mendjen ju. Shikoni këtu, nëse kjo vazhdon më tej, këto porta do të hapen, ju duhet ta dini këtë. As unë dhe as ky komb nuk i bëhet vonë nga kërcënimet boshe”, tha Erdogan në një fjalim në Stamboll në adresë të Parlamentit Europian. Turqia ka pranuar 3 milionë refugjatë nga Siria dhe është një nga vendet kryesore tranzit për emigrantë nga Azia dhe Afrika që duan të hyjnë në Europë. Erdogan akuzoi BE se nuk ka qenë asnjëherë e drejtë. “Ju nuk jeni treguar asnjëherë të ndershëm kundrejt njerëzimit.” Pakti me refugjatët i miratuar në mars 2016, parashikon që Europa t’i kthejë në Turqi, emigrantët e hyrë ilegalisht nga Turqia në ishujt grekë. Turqia merr mbështetje financiare nga BE për paktin. Kundrejt kësaj BE ka premtuar se pas plotësimit të 72 kritereve, ajo do të liberalizojë vizat me Turqinë. Procesi ka ngecur në refuzimin që Turqia i bën ndryshimit të ligjeve antiterror në vend, kriter i kërkuar nga BE.

Tirana dhe Prishtina notë proteste Shkupit, kërkohet zbardhja e aktit vandal ndaj Shtëpisë së Alfabetit

manastiri-germatAmbasada e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Shkup, nëpërmjet një reagimi, notë proteste drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, kanë kërkuar ndërmarrjen e masave adekuate për kapjen e huliganëve maqedonas, të cilët të martën kishin thyer xhamat e shtëpisë së Alfabetit në Manastir, ndërsa me grafite të shumta kishin kërkuar “vrasjen e shqiptarëve”.

“Ju lutemi që të na sqaroni incidentin e përdhunimit të Memorialit të Kongresit të Manastirit ditën e martë, kur edhe shënohej kjo datë me rëndësi për Alfabetin e gjuhës shqipe.

Pasi ky është incident i përsëritur vite me radhë, kërkojmë që të merren masa adekuate për mospërsëritje të tillë dhe të gjinden autorët e këtij incidenti në panevojshëm”, thuhet në reagimin e dy ambasadave në Shkup drejtuar MPJ-së.

Persona të paidentifikuar, sikurse viteve tjera, kanë gjuajtur gurë dhe mjete tjera, me çka kanë thyer xhamat e derës hyrëse të objektit, si dhe kanë vënë mbishkrimi fyese për shqiptarët. “Vdekje për shqiptarët” ka qenë “parrulla”e radhës e ngjitur në derën e Kongresit të Manastirit.

Ky incident i ka bërë hije festës kombëtare, duke u dënuar nga shqiptarët e Manastirit, por edhe më gjerë.

Ministria e Brendshme ka theksuar se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij incidenti, por duke mos dhënë detaje.

Më poshtë, reagimin i plotë të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë:

“Ju lutemi që të na sqaroni incidentin e dhunimit të Memorialit të Kongresit të Manastirit ditën e marte kur edhe shënohej kjo datë me rëndësi për alfabetin e gjuhës shqipe.

Pasi ky është incident i përseritur vite me radhë, kërkojmë që të merren masa adekuate për mospërseritje të tillë dhe të gjinden autorët e këtij incidenti në panevojshëm”. (ina)

Në Strasburg miratohet amandamenti që kërkon hetim të pavarur

strasbourg-amandamentiNë selinë e Parlamentit Europian në Strasburg, gjatë mbledhjes së II-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë, e cila po mbahet në Strasburg, Komisioni i përbashket KPSA (Komisioni parlamentar për Stabilizim Ascocim) në kuadër të rekomandimeve votoi unanimisht amandementin për rastin e aktivistit politik Astrit Dehari.
Amandamenti 22:

“Ka shprehur ngushëllime familjes dhe shokëve dhe shoqeve të aktivistit të ri politik, z. Astrit Dehari, i cili vdiq në paraburgim nën rrethana të dyshimta dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të hetojnë tërësisht të gjitha rrethanat e vdekjes së tij, duke përfshirë çfarëdo pretendimi të përdorimit të tepruar të forcës nga cilido zyrtar i zbatimit të ligjit, si dhe përgjegjësinë e mundshme të institucioneve shtetërore; ka theksuar se nëse ndonjë vepër e gabuar ka ndodhur, është dashur të ndiqej dhe të dënohej rëndë si shembull;”.

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Donika Kadaj të cilën po marrin pjesë në këtë mbledhje kanë folur edhe për dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe për përndjekjen që u bëhet aktivistëve politikë. Po ashtu, është kërkuar edhe lirimi i pesë aktivistëve që vazhdojnë të mbahen në burg padrejtësisht. LVV

Drejtësia e vonuar për Enver Hadrin

drejtesiaGjykata Penale e Brukselit, më 23 nëntor ka dënuar në mungesë tre shtetas të Serbisë, për vrasjen e Enver Hadrit, veprimtar për të drejtat e njeriut dhe të drejtat politike të shqiptarëve të Kosovës.

Enver Hadri ishte vrarë me 22 shkurt të vitit 1990 në lagjen Sen Zhil në Bruksel. Siç thuhet, nga një automjet në lëvizje ishte shtënë me armë zjarri mbi Hadrin, i cili ishte goditur për vdekje në kokë.

Lajmin për vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit e ka konfirmuar vajza e të ndjerit, Teuta Hadri përmes një komunikate për medie, në të cilën thuhet se Bozhidar Spasiq, ish- shef i Shërbimit të Sigurimit të shtetit jugosllav, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, janë dënuar për vrasje me paramendim të Enver Hadrit.

Teutra Hadri e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Penale të Brukselit si “fitore e madhe e drejtësisë mbi krimin politik”.

“Shpresojmë se edhe vrasjet e ngjashme politike të kryera kundër shqiptarëve apo kujtdo qoftë tjetër do të zbardhen deri në imtësi dhe organizatorët dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar”,thuhet në letrën Teuta Hadrit, të cilën ua ka dërguar medieve.

Hydajet Hyseni, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Shoqatës së të Burgosurve politik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Enver Hadri i takonte plejadës së patriotëve shqiptarë të Kosovës, që siç i vlerëson ai, ishin shndërruar në shtylla të qëndresës, ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare dhe të konsolidimit të saj.

Vrasja e tij nga strukturat e Sigurimit të shtetit të ish Jugosllavisë, ishte sikurse edhe vrasja e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zekës në Gjermani.

“Enver Hadri, po ashtu, është një nga shembujt më eklatant që flet vetvetiu, se pse ishte në Bruksel. Ishte, pikërisht, në përpjekjet për ta evropianizuar dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e pazgjidhur shqiptare. Ky akt i funksionimit të drejtësisë në Belgjikë, uroj që të jetë shembull, model edhe për ndriçimin e rasteve të tjera, si dhe për të kërkuar atë që nuk është kërkuar në masë të duhur, përgjegjësinë shtetërore të Serbisë”, ka thënë Hyseni.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Nela Kuburoviq, ka deklaruar se Belgjika deri më tash nuk ka dërguar kërkesë për ekstradimin e tre shtetasve të Serbisë.

enver-hadriEnver Hadri

Megjithatë, siç ka theksuar ajo, nuk ekziston një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Belgjikës për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve, kështu që Belgjika mund të kërkojë vetëm zbatimin e vendimit të plotfuqishëm të gjyqit.

“Kjo do të thotë që në rast se vendimi i gjyqit belg bëhet i plotfuqishëm, ky shtet mund të kërkojë që Vukotiq, Drashkoviq dhe Spasiq ta kryejnë dënimin në Serbi”, theksoi Kuburoviq.

Bozhodar Spasiq, të cilit Gjykata Penale e Brukselit ia ka shqiptuar dënimin, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ka asnjë informatë zyrtare lidhur me rastin, që sipas tij i ka shkaktuar shqetësim.

“Unë planifikoj madje që ta padis shtetin e Belgjikës dhe familjen Hadri për shkak të shqetësimeve të ndryshme, për veprën penale të akuzës së rrejshme dhe kështu me radhë. Qysh kur ekzistojnë informatat se po zhvillohet një proces në Bruksel, unë nuk kam asnjë gjurmë të shkruar që dikush t’ më ketë informuar. Nuk kam asnjë thirrje me letër, madje nuk e di as për çka jam akuzuar në mënyrë që të mund të jap ndonjë përgjigje për ndonjë akuzë. Pra, nuk kemi marrë asnjë thirrje me shkrim e as me gojë”, tha Spasiq.

Ai ka shtuar se në vitin 1990, si shef i ekipit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, ka pasur njohuri për vrasjen e Hadrit.

Zoran Mijatoviq, ish pjesëtar i Sigurimit të shtetit në ish-Jugosllavi, i cili kishte përcjellë migracionin shqiptar të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shërbimi ku ka punuar Spasiq i ka takuar nivelit federal. Ai thekson që nuk ka informata lidhur me aktivitetin e këtij niveli.

“Unë, në një kohë, në Qendrën e Beogradit, e kam udhëhequr sektorin për migracion. Por, në kohën time, kur unë kam qenë shef, mund të them se asnjë migrant nuk ka pësuar nga dora jonë. Se çfarë ka bërë shërbimi federal, këtë e dinë ata të cilët po i gjykojnë njerëzit të cilët kanë punuar në atë shërbim”, tha Mijatoviq.

Spasiq ka theksuar se nuk e ka ndërmend t’i dorëzohet organeve belge, për shkak se nuk e ka kërkuar këtë askush dhe madje nuk ka as fletë-arrest ndërkombëtar për të. (REL)

Bojiq: Policët serbë nga strukturat paralele janë integruar!

Intervistë me shefin e Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq. Për DW ai flet për gjendjen e sigurisë, incidentet ndëretnike, integrimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës.ibri-mitrovicaDeutsche Welle: Zoti Bojiq, mund të na thuani për fillim: si paraqitet gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, pasi që ju drejtoni Policinë e Kosovës jo vetëm në veri të Mitrovicës por në tërë rajonin?

Zheljko Bojiq: Situata e sigurisë në veri, pra në zonën e përgjegjësisë së policisë në veri, është në nivelin e kënaqshëm. Natyrisht që nuk është në nivelin më të lartë, por as në vendet më të zhvilluara siguria nuk është gjithmonë në nivelin më të lartë. Ne si udhëheqës dhe pjesëtarë të policisë po përpiqemi që siguria të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, në çdo moment.

Probleme me krimet dhe kriminelët e rëndomtë me siguri që ka në të gjitha anët, por në veri ju keni pasur prej luftës deri më sot shumë shpesh edhe probleme ndëretnike dhe politike. A keni probleme të këtilla edhe tani?

Situata tani është shumë më e mirë se dikur. Ne kemi zyrtarët tanë policorë, të cilët merren me evitimin e konflikteve të këtilla ndëretnike, në veçanti në hapësirat multietnike. Dhe mund të them se situata aktualisht është në nivelin e duhur.

A keni pasur kohët e fundit ndonjë incident me karakter ndëretnik apo politik?

Ajo që na gëzon shumë, është pikërisht fakti që kohët e fundit nuk kemi pasur asnjë konflikt apo vepër penale me karakter ndëretnik apo politik. Për dallim prej kohërave të kaluara, kur kemi pasur raste të shumta të këtilla madje edhe viktima, në periudhën e fundit nuk kemi regjistruar asnjë problem të natyrës së këtillë.

Zoti Bojiq, në veri ka pasur shpesh sulme edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. E ndjeni veten ju të sigurt në këtë uniformë?

Absolutisht. Unë e ndjej veten shumë të sigurt dhe kurrë nuk e kam hequr uniformën kur kam dalë në qytet apo në rrugë gjatë orarit të punës.

Në njësitë tuaja policore ka edhe shqiptarë. Zëvendësi juaj është shqiptari Besim Hoti. A keni probleme apo fërkime mes vetë policëve në veri dhe cili është bashkëpunimi juaj me policinë në jug të Mitrovicës?

Duke marrë parasyshë që detyrat tona shpesh ndërlidhen edhe me gjendjen e sigurisë në jug të Mitrovicës, mund të them se kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe kontakte ditore me policinë në jug. Sa i përket gjendjes këtu në veri, ne nuk kemi kurrfarë problemesh me policët shqiptarë.

Pas marrëveshjes në Bruksel, në Policinë e Kosovës janë integruar edhe përfaqësuesit e MUP-it të Serbisë dhe strukturat paralele. A ka përfunduar ky proces dhe si ka kaluar ai?

Procesi ka përfunduar dhe personat që kanë qenë të parashikuar të integrohen janë integruar pa kurfarë problemi.

A keni probleme me policët e integruar?

Ne nuk kemi me ta absolutisht kurrfarë problemi…

…ata janë mësuar t’u nënshtrohen urdhërave nga Serbia dhe strukturave të tjera këtu në veri.

Të gjitha pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri punojnë në përputhje me ligjet dhe rregullat e policisë.

Cilat janë problemet më të mëdha, me të cilat po përballeni ju këtu në veri?

Problemi më i madh, me të cilin po përballet policia në veri të Kosovës është trafiku, sepse janë shtuar lëvizjet, ndërsa hapësira është e vogël. Nuk kemi vendparkime të mjaftueshme dhe ky është aktualisht problemi më i madh me të cilin po përballemi.

Këtu në veri kam parë shumë makina pa targa, me targa të Serbisë dhe të Kosovës. Si do të zgjidhet ky problem?

Ky është një problem që duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel dhe unë nuk dua të deklarohem për këtë çështje. Ne po përpiqemi që gjendja e sigurisë të jetë në nivelin e duhur dhe aktualisht kjo gjendje është e mirë. (dw)

Diagnostikimi i sëmundjeve të rralla me sistemin “Watson”

sistemi-watson-ibmSistemi kompjuterik Watson i kompanisë IBM, po përdoret tani në projekte të ndryshme, në shëndetësi, arsim dhe për krijimin e recetave të reja. Së shpejti, sistemi Watson do të përdoret për të ndihmuar mjekët të diagnostikojnë sëmundje të rralla. Watson është në gjendje të analizojë me shpejtësi sasi të mëdha të dhënash dhe mund t’u përgjigjet pyetjeve të ndërlikuara.

Në vitin 2008 inxhinierët e kompanisë IBM ndërtuan një sistem kompjuterik të bazuar në aftësinë e përpunimit të dhënave ashtu si njeriu, që mund të kuptojë pyetjet me zë. Në shkurt të vitit 2010, sistemi i quajtur Watson filloi t’ua kalonte njerëzve në emisionin televiziv popullor të testimit të njohurive, Jeopardy. Por, Watson nuk është ndërtuar për t’u përdorur vetëm si një risi televizive.

“Ne presim që në vitin 2020, njohuritë në fushën e mjekësisië të dyfishohen çdo tre muaj. Pra, nëse duam ta përdorim këtë përmirësim të madh të njohurive mjekësore ne do të kemi nevojë për programe kompjuterike që do të mund t’i përpunonin njohuritë e reja.”

Qendra për Sëmundjet e Padiagnostikuara dhe të Rralla, në Spitalin Universitar të qytetit gjerman Marburg merret me studimin e më shumë se 8 mijë sëmundjeve të rralla. Shumica e tyre përfshijnë mutacione të gjeneve, ku nganjëherë vetëm një ndryshim tepër i vogël mund të çojë në gjetjen e një kure.

Njerëzit kanë rreth 20 mijë gjene, kështu që analizimi i shpejtë gjenomeve, krahasimi i të dhënave të tyre me historinë shëndetësore të pacientit, përpunimi i rezultateve të testeve laboratorike dhe i të dhënave mjekësore është detyrë e përkryer për sistemin Watson.

“Ajo që ne shpresojmë të arrijmë nga përdorimi i sistemit Watson është së pari, shfrytëzimi i aftësive të tij për të përpunuar të dhënat në gjuhë të natyrshme për të nxjerrë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe simptomat kryesore nga historia e pacientit. Ne do të dëshironim që Watson të na tregonte simptomat kryesore dhe të nxjerrë rezultatet. Dhe në fund, duam që Watson të krijojë një listë të diagnozave bazuar në këto të dhëna.”

Në një projekt pilot një-vjeçar, inxhinierët e kompanisë IBM dhe shkencëtarë nga Spitali i Marburgut kanë në plan të ndërtojnë një sistem të bazuar në sistemin “cloud” të ruajtjes së të dhënave, i cili do të ndihmonte mjekët në mbarë botën t’i kuptojnë dhe diagnostikojnë sëmundjet e rralla që shumë prej tyre nuk i kanë ndeshur më parë. (voa)

Përparimet teknologjike tek automjetet

teknologjia-automjeteProdhuesit e automjeteve kanë nxjerrë mësime nga përvoja e kompanive që prodhojnë celularë dhe po i pajisin makinat e reja me kapacitete të ndryshme që aktivizohen me një të prekur. Korrespondentja Tina Trinh ishte në panairin e automjeteve në Nju Jork dhe na dërgoi kronikën:

Sot të gjithë ne shpenzojmë shumë kohë me celularë. Prodhuesit e automjeteve e kanë vënë re këtë prirje dhe po prodhojnë makina që kryejnë shumë funksione përmes komunikimit dixhital:

“Të gjithëve na pëlqejnë pajisjet elektronike që të ofrojnë çdo gjë me një të prekur. Nuk ke nevojë të shkosh nga një vend në tjetrin për t’i kryer të gjitha gjërat vetë,” thotë Jim Buczkowski, që punon në sistemin elektronik të kompanisë Ford.

Fordi prezantoi kohët e fundit platformën FordPass, që i jep mundësi shoferit të makinës të kryejë shërbime si pagesën për parkim, apo të kërkojë e të gjejë vend parkimi.

“…Këtu mësoj se sa kushton parkimi, kur e miratoj kërkesën më dërgojnë një kod me të cilin arrij të futem në vendin ku do të parkoj”.

Kompania Buick ofron aplikacionin OnStar RemoteLink, i cili i lidh përdoruesit me makinat e tyre, kudo që ndodhen.

“Këtë makinën që ndodhet në Detroit unë mund ta ndez që nga Nju Jorku. Ta zëmë unë kam çelësin e vetëm të makinës, por gruaja do të futet në makinë, më njofton mua dhe unë e hap derën që këtu,” thotë Stuart Fowle, Menaxher i sektorit të komunikimeve, Buick .

Këto mundësi të reja ofrohen përmes teknologjisë 4G LTE, me të cilën mund të lidhen deri në katër mjete elektronike në çdo moment.

“Duam që njerëzit në makinë të ndjehen sikur të jenë në shtëpinë e tyre. Shumë njerëz kërkojnë vetëm një përvojë sa më të mirë të ngarjes së makinës, por tani do të kenë edhe përvojën e lidhjes dixhitale,” thotë menaxheri i kompanisë Buick, Rob Peterson.

Lind pyetja, si ndikon kjo ndërlidhje tek privacia?

“Për këtë krijuar një përvojë sa më të përshtatshme me kërkesat e individit, duhet të fusësh të dhëna personale, këtë e vendos vetë konsumatori,” thotë Jim Buczkowski i kompanisë Ford.

Për disa konsumatorë, privacia nuk përbën problem:

“Konsumatorët e rinj në moshë janë shumë më të gatshëm të ofrojnë të dhëna personale se sa ata në moshë më të madhe, kjo prirje do të vërehet edhe në reagimin e tyre ndaj teknologjisë në makinë,” thotë analistja e tregut të automjeteve Stephanie Brinley.

Me të gjitha kapacitetet e reja që janë pajisur makinat sot, shpesh do të bëhet e paqartë se kush është vërtetë drejtuesi i automjetit.

Manojllovski: Gjuha ime është shqipja, e mësova nga prindërit

branko-manojlovskiNjë nga kandidatët e njësisë së 6-të zgjedhore nga rradhët e BDI-së është dhe Branko Manojlovski, shqiptarë ortodoks nga Reka e epërme e Gostivarit.

Gjuha ime është shqipja e kam mësuar prej nënës e prej babës, thotë në promovimin e videos së tij kandidati për deputet Manojlovski.

Branko Manojlovski u lind më 19 gusht të vitit 1941 në fshatin Kiçinicë të Rekës së epërme. Ai është deklarua publikisht përmes medias dhe rrjeteve sociale se është shqiptarë ortodoks dhe jo maqedonas.

Prindërit e tij janë quajtur Zafira dhe Manojl. Shkollën 4-vjeçare e ka kryer në Belqicë, kurse atë 8-vjeçare në Gostivar. Mësimet e shkollës së mesme i ndoqi në Tetovë kurse studimet në Zagreb në vitin 1967. Në vitin 1969 Branko Manojlovski vendos të shpërngulet nga vendlindja duke udhëtar drejt Çikagos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku dhe aktualisht është duke jetuar familja e tij. Tanimë në pension, pjesën më të madhe të vitit e kalon në vendlindje. (ina)

79% e gjyqtarëve të apelit nuk i kanë të justifikuara pasuritë me të ardhurat e deklaruara

drejtesiaZëri i Amerikës do të transmetojë një seri materialesh investigative rreth sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, pasurive të personave që punojnë në këtë sistem, rastet e konfliktit të interesit apo korrupsionit.

Materiale janë një bashkëprodhim i Zërit të Amerikës dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë investigative në Shqipëri, BIRN, gazetarët e të cilit kanë bërë të mundur grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave. Raportimet do të mund të gjenden të publikuara dhe në faqet në internet si të Zërit të Amerikës ashtu dhe të BIRN-it në Shqipëri “Reporter.al”

Sipas të dhënave të marra nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, rezulton se 79 për qind e tyre nuk i justifikojnë pasuritë me të ardhurat e deklaruara gjatë karrierës së tyre.

“Betohem solemnisht, se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj, kurdoherë, besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.

Ky është teksti i betimit të gjyqtarit në Shqipëri.

Megjithatë, të dhënat e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve të Apelit, të analizuara nga BIRN, zbulojnë se një numër i madh i tyre, dyshohet ta kenë shkelur rëndom këtë betim, gjatë ushtrimit të detyrës në sistemin e drejtësisë.

Institucioni që merret, veç të tjerash edhe me administrimin dhe kontrollin e deklarimit të pasurive të një sërë subjekteve të përcaktuara me ligj, është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Qëllimi i punës së tij është ndalimi i krijimit të pasurive në rrugë jo-ligjore, në radhët e zyrtarëve dhe nëpunësve publikë, përfshi edhe gjyqtarët.

Analizimi i të dhënave të marra nga Inspektorati tregon se 64 nga 81 gjyqtarë të Apelit, ose 79 %, nuk e justifikojnë pasurinë e deklaruar me pagat që kanë përftuar përgjatë karrierës së tyre në sistemin e drejtësisë.

Në tërësi, shuma e pajustifikuar e përmbledhur te 64 gjyqtarët e Apelit është rreth 2.7 milionë dollarë.

Nga numri i gjyqtarëve që kanë rezultuar me probleme, bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara, përgjatë një harku kohor prej 10 vitesh, rezulton se 16% e tyre kanë 4 deri në 6 deklarata me probleme, 31% 2 deri në 3 deklaruara dhe 53% kanë vetëm një deklaratë me probleme.

Në përllogaritjen e shpenzimeve vjetore, të subjekteve të deklarimit, përfshirë gjyqtarët e Apelit, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, përdor mesataren e shpenzimeve mujore për konsum të një familjeje, siç përllogaritet nga Instituti i Statistikave.

Sipas përgjegjëses së Sektorit të Statistikave të Konsumit të Familjeve në këtë institut, Anisa Omeri “shpenzimet mesatare mujore të një familjeje shqiptare, që përllogariten nga një vrojtim statistikor i vazhdueshëm i INSTAT janë 69 mijë lekë. Pra, kjo është sasia e parave e shpenzuar mesatarisht nga një familje shqiptare e përbërë nga 3.8 persona”.

Nëse shpenzimeve të gjyqtarëve u shtohet edhe kjo e dhënë, numri i deklaratave me probleme për dhjetëvjeçarin 2004-2014, arrin në 189 nga 879 deklarata gjithsej, ose 21.5 % të totalit. Si pasojë, vlera e pasurisë së pajustifikuar rritet.

Nga të gjithë gjyqtarët e Apelit, deklaratat e të cilëve janë identifikuar me probleme, inspektorati, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka kallëzuar në prokurori për fshehje pasurie vetëm tre prej tyre: gjyqtarët Gjin Gjoni, Alaudin Malaj dhe Petrit Aliaj.

Gerd Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtareve shqiptarë thotë se deklaratat e pasurisë janë një çështje personale e gjithsecilit prej gjyqtareve.

“Unë jam i vetëdijshëm që ka probleme në radhët tona. Ka persona, që mund të kenë probleme me aftësitë e tyre profesionale, mund të kenë probleme me deklarimin e pasurisë, mund të kenë probleme me figurën, por duke qenë se ne jemi gjyqtarë, jemi të prirur të flasim vetëm atëherë kur kemi përballë fakte. Kjo është një përgjegjësi individuale. Persona, të cilët rezultojnë me deklarime të pajustifikuara, kanë detyrim të përgjigjen përpara organeve ligj-zbatuese lidhur me këto deklarime. Por nuk duhet, kurrsesi, që me këta persona, që unë uroj të jenë pak, të përgjithësohet e gjithë trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një kohë kur, klasa politike shqiptare ka miratuar një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë, në mënyrë rrënjësore, procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë.

“Gjyqtarët kanë qenë të parët që kanë kërkuar të kontrollohen. Nuk kanë frikënga Vetingu, sepse ne në kontroll jemi përditë”, thotë zoti Hoxha.

Një nga drejtimet se si do te vlerësohen pjesëtarët e sistemit të drejtësisë është edhe pasuria e tyre.

Erida Skëndaj është drejtore ehzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Vetingu është një ndërthurje mes veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe veprimtarisë së institucioneve të posaçme, që do të ngrihen, bazuar në këtë ligj. Inspektorati, thjesht harton një raport, një relacion, dhe këtë raport ja vë në dispozicion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Komisioni, në fund, ka të drejtë të shprehet me rikonfirmim të subjektit në pozicionin e tij aktual, ka të drejtë të pezullojë personin në ushtrimin e detyrës së tij për 1 vit, në rast se ka paaftësi profesionale dhe nevojitet që të marrë trajnime dhe njohuri shtesë në shkollën e magjistraturës, ose, ka të drejtë ta shkarkojë atë, në rast se nuk kalon me sukses procesin e vetingut”, thotë ajo.

Ndërsa ky proces pritet të fillojë, ajo çka njerëzit kanë pritur gjithmonë, vazhdon të jetë më shumë drejtësi. (voa)