SOT MARSHOHET NË KRYEQYTET PËR ASTRIT DEHARIN

justice-for-astritNxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës sot do të mbajnë marsh protestues për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Në njoftimin dërguar për media thuhet se marshi do të nisë në orën 14:00.

“Në ora 14:00, tek sheshi”Zahir Pajaziti” do të mbahet marshi protestues i nxënësve të shkollave të mesme. Pjesëmarrës do jenë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në Prishtinë”, thuhet në njoftim. (rtk)

25 vjet nga masakra e Vukovarit

vukovariTë premten, kroatët do të shënojnë 25 vjetorin e marrjes së Vukovarit nga forcat serbe dhe masakrën e parë masive të luftës në ish Jugosllavi. Në vitin 1991, milicia serbe dhe ushtria jugosllave, të cilët refuzuan të pranojnë pavarësinë e Kroacisë, morën nën kontroll qytetin dikur të begatë dhe me popullsi të përzjerë etnike në brigjet e Danubit, pasi e shkatërruan atë gjatë një rrethimi tre mujor.

Kur Kroacia shpalli pavarësinë, Jugosllavia e dikurshme përdori makinerinë ushtarake për të kundërshtuar vendimin. Vukovari ishte qyteti që përjetoi krimet e para masive të luftës.

Forcat serbe morën mbi 200 pacientë nga spitalet e atij qyteti dhe i ekzekutuan në atë që tashmë njihet si masakra e Ovcarës.

Imazhet e eksodit tregojnë fytyrat e zbehta të popullsinë civile që i mbijetoi bombardimeve dhe rrethimit duke u strehuar nëpër bodrumet e improvizura që tashmë janë skalitur në kujtesën koletive të atij vendi.

Rënia e Vukovarit u bë gurë themeli i historisë moderne të Kroacisë, betejë të cilën shumë kroatë e krahasojnë me përpjekjen naziste për të marrë Stalingradin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2009, gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës konfirmoi dënimin me 20 vjet burg për ish oficerin e ushtrisë jugosllave, Mile Mrksiç, për ekzekutimin e 194 robërve të luftës në Vukovar.

Oficeri Mrksiç fillimisht ishte dënuar nga një gjykatë në Hagë në shtator të vitit 2007 për lejimin e masakrës duke dështuar në sigurimin e të burgosurve në bazë të ligjeve të luftës.

Gjatë të njëjtës seancë gjykata po ashtu rriti dënimin në 17 vjet burg për një oficer të dytë, Veselin Sljivancanin, duke ripohuar fajësinë e tij për ndihmë dhe inkurajim të torturave. (voa)

5 koalicione dhe 6 parti në garë në zgjedhjet e 11 dhjetorit

Pas përfundimit të afatit për paraqitjen e listave për deputetë dhe verifikimit të tyre nga ana e Komisionit Shtetëror për Zgjedhje, zyrtarisht në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të garojnë 11 subjekte nga të cilat 5 janë koalicione ndërsa 6 janë parti politike.

Koalicionet janë: “Për Maqedoni më të mirë” të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni i LSDM-së, koalicioni “Aleanca për shqiptarët”, koalicioni “VMRO për Maqedoninë”, koalicioni “Për ndryshim dhe drejtësi”.  Partitë të cilat do të garojnë të vetme janë: BDI, PDSH, “Lëvizja Besa”, PPD, “E Majta” dhe “Partia Liberale.”

Të gjithë drejtuesit e partive shqiptare garojnë në zonën e 6-të, ku paraqiten si bartës të listave.   Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Ziadin Sela i Lëvizjes për Reforma në koalicion me Rilindjen Demokratike Kombëtare dhe Unitetin, ndërsa Lidhja Social Demokrate me Petre Shilegov.

Numër 2 në listën e LSDM-së në po këtë zonë është Gjylimsere Kasapi, një aktiviste për të drejtat e grave dhe pedagoge universiteti.

Gara më interesante për palën maqdonase do të jetë te katërshja në të cilën duhet të ballafaqohen liderët e VMRO-DPMNE dhe LSDM, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev. Në të njëjtën njësi do të tentojnë të fitojnë vota edhe Lupço Georgievski dhe Sllobodan Bogoevski. (ina)

Hahn, i ashpër me Kosovën: Po bëni lojëra në dëm të qytetarëve

hahnKomisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn rikujtoi se kushtet e Kosovës për liberalizimin e vizave janë të qarta dhe se ajo ka zbatuar 93, nga 95 sa kishte gjithsej.

Ndërsa për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Hahn shpreson që marrëveshja për telekomunikacionin të jetë një dinamikë e re.

Sa i përket marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, komisioneri i Zgjerimit të BE-së vuri në dukje se kjo është një situatë e vështirë dhe është duke u diskutuar në lidhje me zgjedhjet e parakohshme.

“Kjo është lojë e njohur. Nuk ka përparim, besojnë që është gabim, apo që zgjedhjet e parakohshme mund ta ndryshojnë gjendjen. Zgjedhjet nuk do t’i ndryshojnë problemet strukturore, ose t’i zgjidhin kushtet e përcaktuara nga BE-ja. Kjo punë është e mundur vetëm me të qenit konkret dhe të bindur”, ka thënë komisioneri.

Ai rikujtoi se kushtet e Kosovës për liberalizimin e vizave janë të qarta dhe se ajo ka ende dy për të zbatuar, duke përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

“Nga ana e qeverisë së Kosovës thuhet se BE-ja është fajtore dhe për këtë është dhënë edhe një argument se Kosova është vend mysliman. Kjo është një lojë aspak serioze në dëm të qytetarëve dhe perspektivës europiane të vendit. Ashtu siç ka thënë raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, nuk është e saktë se bota pret vetëm Kosovën”, ka thënë Hahn.

/ Top Channel

Kosova në mesin e vendeve më të korruptuara

barometriBarometri Global i Korrupsionit 2016 – harta

Në barometrin e korrupsionit thuhet se 50 për qind e qytetarëve të Moldavisë, Spanjës (66), Kosovës (65) Slovenisë (59), Bosnjë e Hercegovinës (55), Kroacisë (51) mendojnë se korrupsioni është problemi thelbësor me të cilin përballen shoqëritë e tyre.

Problemet me korrupsionin shtrihen edhe në Serbi ku 39 për qind e qytetarëve e vlerësojnë si kryesorin, ndërkohë që në Maqedoni dhe Mal të Zi kjo për qindje arrin në 34 dhe 31 për qind.

Sipas hulumtimit të TI-së, qytetarët e Ukrainës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Moldavisë, rreth 80 për qind vlerësojnë se qeveritë e tyre e kryejnë shumë keq punën e tyre.

Një në tre qytetarë të Evropës dhe të Azisë Qendrore thonë se korrupsioni dhe ryshfeti janë problemet më të mëdha me të cilat përballen vendet tyre, thuhet në Barometrin Global të Korrupsionit.

Në vendet e BE-së dhe në Commonwealth dhe Shtetet e Pavarura, rreth një e treta e respondetëve thonë se ky është problem madhor (32 % dhe 34 %) ndërkohë që kjo përqindje rritet dhe dy në pesë respondentë e vlerësojnë si problemin më të madh në shtetet para anëtarësimit (40 për qind).

Qytetarët në Kosovë, Spanjë dhe Moldavi veçanërisht, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se korrupsioni është ndër problemet kryesore me të cilat përballet vendi i tyre, me dy të tretat e qytetarëve që thonë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre (nga 65 deri 67 për qind).

Qytetarët në Gjermani më së paku e shohin korrupsionin si problemim më të madh të vendit të tyre (2 për qind). Kjo çështje është gjithashtu shqetësim i vogël edhe për qytetarët e Suedisë dhe të Zvicrës, me një në 10 qytetarë ose më pak që mendojnë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre ku duhet të përqëndrohet (6 dhe 10 për qind).

Në Barometrin Global të Korrupsionit shumica e qytetarëve gjithandej Evropës dhe Azisë Qendrore i shohin problemet me korrupsionin të ndërlidhura me politikën. Në bazë të hulumtimit, deputetët e Parlamenteve shihen si më të korruptuarit dhe pas tyre vijinë zyrtarët e qeverive.

Sektori privat është gjtihashtu i parë si i korruptuar, ndërkohë që afërsisht 25 për qind e qytetarëve mendojnë se zyra presidentit, zyrtarët e taksave, policia, gjykatësit dhe këshilltarët e kuvendeve komunale janë të korruptuar.

Liderët fetarë vlerësohen më pak të korruptuar dhe ndodhen në grupin e fundit dhe vetëm 17 për qind e qytetarëve mendojnë se ata janë të përfshirë në korrupsion.

Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës, si dhe të Rumanisë, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se parlamentarët e tyre janë të korruptuara.

Në këto vende, më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuar, me tri të katërtat në Moldavi p.sh. (76 për qind), ndërkohë që Kosova radhitet lart në listë, me 46 për qind të qytetarëve që mendojnë se deputetët e Parlamentit janë të korruptuar.

Në Gjermani, Zvicër, Holandë, Grenlandë dhe Belgjikë, qytetarët i shohin deputetët e parlamenteve të tyre të jenë të pastër.

Më shumë se gjysma e qytetarëve të vendeve të BE-së, rreth 53 për qind, e kandidatëve për anëtarësim, 53 për qind gjithashtu, pastaj vendet e ish- bllokut të Bashkimit Sovjetik, 56 për qind, mendojnë se qeveritë e vendeve të tyre janë të pasuksesshme në luftën kundër korrupsionit

Transparency International ka biseduar me 60 mijë qytetarë në 42 vende të Evropës dhe të Azisë Qendrore që në raportin “Njerëzit dhe korrupsioni në Evropë dhe Azinë Qendrore”, të arrijnë në përfundimet e Barometrit Global të Korrupsionit për vitin 2016.

Mesatarisht një nga 6 amvisëritë paguajnë ryshfet për të pasur qasje në ndonjë prej shërbimeve publike. Megjithëse ky është nivel më i ulët në BE, në lindje kjo përqindje është në rritje.

Në Taxhikistan, ku ryshfetet për shërbimet publike që do të duhej të ishin të qasshme për të gjithë dhe pa pagesë, paguajnë rreth 59 për qind e qytetarëve, në Modavi 42 për qind dhe Rusi 34 për qind.

Rumania është vendi me shkallën më të lartë të pagesës së ryshfetit për shërbimet publike, në mesin e vendeve të BE-së, dhe Lituania e pason me 24 për qind.

Në rajonin e Ballkanit, për shërbime publike më së shumti ryshfet jepet në BeH, 27 për qind, në Serbi 22 për qind, kurse në Kroaci dhe Kosovë rreth 10 për qind..

Një nga gjetjet kryesore të raportit është se një numër i madh i qytetarëve, edhe brenda BE-së, mendojnë se individë të pasur kanë shumë ndikim në vendimet që i marrin qeveritë.

Në vendet kandidate për anëtarësim në BE, përqindja arrin në 44, kurse në vendet e ish Bashkimit Sovjetik në 46 për qind.

“Korrupsioni është një problem thelbësor në gjithë Evropën dhe në rajonin e Azisë Qendrore. Në vendet e BE-së shumë qytetarë shohin se si të pasurit dhe zyrtarët e qeverive shtrembërojnë sistemet në dobi të tyre”, thotë Jose Ugaz, kryetar i TI-së.

Një prej problemeve kryesore në luftën kudnër korrupsionit është mungesa e mbrojtjes së atyre që flasin kundër korrupsionit.

Madje, 30 për qind e qytetarëve në Evropën dhe Azinë Qendrore që kanë marrë pjesë në anketën e TI-së thonë se një nga problemet kryesore pse nuk e lajmërojnë korrupsionin është frika nga individë të caktuar.

Dy në pesë persona që e kanë lajmëruar korrupsionin kanë qenë viktima të hakmarrjes. (REL)

Raporti i TI: Në Shqipëri deputetët të korruptuar

kuvendi-i-shqNë Barometrin Global të Korrupsionit, një raport i hartuar nga Transparency International dhe që mat eksperiencat e qytetarëve me korrupsionin në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore, tregon se në Shqipëri, qytetarët vlerësojnë se deputetët e tyre janë shumë të korruptuar.

“Qytetarët nga Ukraina, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Rumania në shumicë mendojnë se anëtarët e tyre të parlamentit janë shumë të korruptuar. Në këto vende më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuara”, nënvizon Raporti.

Shqipëria renditet e treta për nivelin më të lartë të perceptimit se deputetët janë të korruptuar, me 55 përqind. Ajo lë pas vetëm Moldavinë, ku ky nivel është 76 përqind dhe Ukrainën, 64 përqind

Po ashtu Shqipëria ka një renditje jo pozitive edhe lidhur me eksperiencat që qytetarët kanë patur me ryshfetin. “Në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë, ryshfeti është mëse i zakonshëm. Nga vendet në proçes anëtarësimi në BE, Kosova ka një shkallë veçanërisht të ulët të ryshfetit prej vetëm 10 për qind, e cila edhe ka vend për përmirësim tregon se ajo ka kontrolluar korrupsionin në sektorin publik shumë më të mirë se vendet e tjera në këtë fushë. Sipas raportit, përhapja e ryshfetit në Shqipëri është në masën 34 përqind ose një në tre persona ka dëshmuar se ka bërë pagesa nën dorë për të marrë një shërbim public. Mes vendeve të rajonit Shqipëria ka nivelin më të lartë, e ndjekur nga Bosnja me 27 përqind. Edhe në nivel europian Shqipëria lë pas vetëm Moldavinë ku përhapja e ryshfetit vlerësohet në masën 42 përqind.

Lidhur me vlerësimin e korrupsionit si problemi më i madh i shoqërisë, apo përpjekjeve të qeverisë për ta luftuar, perceptimi në Shqipëri është në nivel mesatar. (voa)

Cili është sekreti i një jete të gjatë?

1899Born in the 1800s

Cili është sekreti i një jete të gjatë? Genet dhe…vezët. Këtë mund ta provojë italjanja Emma Morano, 116- vjeçare.

Ajo është njeriu më i moshuar i botës dhe e vetmja që ka lindur në shekullin e 19-të. Emma ka lindur më 27 nëntor të vitit 1899. Ajo thotë se han dy vezë në ditë, që kur mjekët i thanë se ishte anemike. Kjo ndodhi kur ajo ishte 20 vjeç, në vitin 1919. Emma Morano mendohet të ketë ngrënë mbi 100 mijë vezë gjatë jetës së saj të gjatë dhe vazhdon ende. Mjeku i saj, Dr. Carlo Bava thotë se Emma gjatë gjithë është ushqyer ndryshe nga dieta e rekomanduar sot: ajo han pak perime, pak fruta dhe…2-3 vezë në ditë.

Emma Morano ka qenë dikur e martuar, por pjesën më të madhe të jetës ajo ka jetuar vetëm. Dy nga motrat e saj jetuan mbi 100 vjeç. Mjeku i Emma Moranos thotë se genet e shkëlqyera janë sekreti i jetës së saj të gjatë, krahas me një rutinë të mirë të përditshme dhe një karakter të fortë… (voa)

Një ndihmëse elektronike në hotele

building-inspecting-robotBuilding inspecting robot

Shumë hotele kanë njerëz në staf, të cilët punojnë për t’i ofruar shërbime mysafirëve të tyre. Shërbimet përfshijnë: sigurimin e shampos ose sapunit që personeli mund t’i kenë harruar t’i vendosë në banjat e hotelit, ose rekomandime për restorantet më të mira në qytet. Por, ashtu si në shumë industri të tjera, automatizimi po përmbush disa nga këto role.

Në hotelin “Amaranten” në Stokholm, menaxherja Josefine Qviberg tregon se si mysafirët nuk kanë më kërkesa për informacion rreth motit, për të vendosur alarme, ose për të gjetur taksi, apo restorante, falë Alexës. Kjo asistente që aktivizohet me zë është në fakt pajisja Echo, e modifikuar për hotele, e krijuar nga kompania Amazon. Alexa mund të kryejë shërbime të tjera, si dhe të ndezë dritat, apo të luajë muzikë.

Zonja Qviberg thotë se “Amaranten” është hoteli i parë në botë që përdor këtë teknologji, si pjesë e shërbimit në dhomë.

“Nuk ju nevojitet të hapni telefonin e dhomës, të përdorni celularin, apo të shkoni poshtë tek recepcionistët. Mund të rrini në dhomë dhe e keni burimin e informacionit aty” – thotë ajo.

Alexa mund të jetë vetëm në këtë hotel suedez tani për tani, por nuk është e vështirë të imagjinohet se kjo ndihmëse elektronike mund të përhapet në hotele në mbarë botën në të ardhmen jo fort të largët. (voa)

Serwer: Trump mund të marrë këshilla për ndarjen e Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës…

daniel-serwerAnalisti amerikan Daniel Serwer, në një shkrim analitik të publikuar ne peacefare.net, ka shkruar se Trump mund të marrë këshilla nga strategët e tij, kur është fjala për Ballkanin, për rindarjen e Ballkanit dhe pjesëve tjera të botës në vija etnike. Sipas Serwer, kjo mund të ndodhë nëse Trump është i gatshëm të pranojë një sferë të ndikimit rus në Ballkan.

Më poshtë mund të lexoni të plotë shkrimin e Serwer.

Çfarë të presim për Ballkanin?

Jo shumë, në fillim. Ka kaluar shumë kohë qëkur një president i Shteteve të Bashkuara e ka vënë Ballkanin si prioritet. Një rajon që në vitet 1990-ta ishte objekt i dy intervenimeve ushtarake të SHBA-së (në Bosnje dhe Kosovë) dhe vendosjes së trupave të NATO-s, tani ka rënë në listën e prioriteteve dhe nuk gjendet më lartë se një zëvendës ndihmë sekretar në Departament të Shtetit. Kjo s’është gjë e keqe: demokracia dhe shtet-ndërtimi në Ballkanin Perëndimor kanë qenë relativisht të suksesshme, me Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë tani anëtare të NATO-s dhe Malin e Zi në proces të anëtarësimit në të. Sllovenia dhe Kroacia po ashtu janë anëtare dhe të gjitha vendet e rajonin kanë marrë drejtimin e njëjtë, secila me ritmin e vet.

Por, procesi për ta bërë perëndimor Ballkanin Perëndimor ende nuk është kompletuar, bile është ngadalësuar së fundmi, dhe mund të cungohet e madje të kthehet prapa gjatë Administratës së Trumpit. Bosnja po vuan nga sulme ndaj legjitimitetit të kushtetutshmërisë së vet, që rrënjët i ka në akordet e paqes të Dayton nga viti 1995, nga presidenti i vendit kryesisht 49% autonom i njohur si “Republika Srpska”. Maqedonia ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe refuzimit të Greqisë për t’ia njohur emrin.

Kosova filloi ekzistencën si shtet sovran pas tjerëve dhe njësoj vuan nga mosmarrëveshjet e brendshme dhe problemet e vazhdueshme për shkak të mosnjohjes nga Serbia.

Të gjitha vendet e Ballkanit po vuajnë nga një fuqi e butë e sulmit rus ndaj mediave dhe institucioneve të tyre.

Nëse presidenti i ri është i prirë për të pranuar një sferë të ndikimit rus në Ballkan, pasojat ndaj demokracisë kryesisht të re të rajonit mund të jenë dramatike. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO varet nga ratifikimi në Senatin Amerikan.

Për përparim në Bosnjë nevojitet veprimi i BE-së dhe SHBA-së si dyshe, për të promovuar reforma politike dhe ekonomike. Marrëdhëniet e përmirësuara midis Kosovës dhe Serbisë njëjtë varen nga veprimi i përbashkët i Brukselit dhe Uashingtonit, siç do të varet edhe rezoluta e problemeve të brendshme dhe jashtme të Maqedonisë. Zvogëlimi i këtyre përpjekjeve të vazhdueshme mund t’i zbehë ato deri në dështim. Por më e keqja pret.

Trumpi dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet e Amerikës dhe Rusinë dhe mund të joshet që t’i pranojë gjësendet e vlefshme për t’i përmirësuar ato. Nëse, për shembull, Trump e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia, vetëm kjo mund ta nisë një seri ndarjesh në baza etnike, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në vendet tjera: Gjeorgji, Moldavi, Bosnje, Kosovë dhe Maqedoni. Do të ishte vërtetë mrekulli nëse një zinxhir i tillë i ndarjeve do të ndodhte në mënyrë paqësore. Por, ka shumë më shumë mundësi se kjo do të çonte në jo stabilitet, spastrim etnik, ri shënjim të kufijve dhe luftë. Nacionalistët e bardhë si Steve Bannon, shefi afatgjatë i strategjive të Trumpit, padyshim se do t’i thoshin presidentit të ri se ndarjet etnike janë natyrale apo të pashmangshme dhe aspak një gjë e keqe në fund të fundit.

Ajo çfarë do të ndodhë në Ballkan është sulm ndaj rendit të pas luftës, i vendosur në fund të viteve 1990-ta, kur shumica e luftërave ballkanike përfunduan. Nuk ka qenë tamam rend demokratik-liberal, meqë identiteti etnik dhe grupet për të drejtat e njeriut mbesin një përmasë e rëndësishme e jetës së organizuar pulitke virtualisht çdokund në rajon. Por, ishte një rend i bazuar në aspiratat për anëtarësim në BE dhe për disa edhe në NATO, që përfshiu themelimin e gjyqësorëve të pavarur, relativisht medias së lirë, organeve legjislative përfaqësuese, dhe rezolutave paqësore të mosmarrëveshjeve. Çrregullimi i këtij rendi në favor të ndarjeve etnike dhe autokracive mendjengushta me pretendime territoriale do të ishte e rrezikshme: kjo është një pjesë e botës e përfshirë në dy luftëra botërore, përveç konflikteve të veta pas Luftës së Ftohtë që rrjedhën nga ndarja e ish Jugosllavisë.

Nuk pres prej Steve Bannon apo John Bolton që të brengosen për këtë, por shpresoj se republikanët më pragmatikë, si Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit, Bob Corker, apo senatorja në largim i Neë Hampshire, Kelly Ayotte , që të dy thuhet se do të zënë vende në kabinet, do të kuptojnë luftërat e Ballkanit të viteve 1990-ta dhe paqja pasuese ishin një përpjekje e dy partive, me përkrahjen e udhëhequr po aq nga senatori republikan Dole sa kushdo tjetër. Ruajtja e kësaj trashëgime paqësore të dy partive dhe rritja e prosperitetit është e rëndësishme, edhe nëse rajoni nuk tërheq më vëmendje të nivelit të lartë.

Përkthyer nga Gazeta Express

Në gjithë Kosovën shkruhen grafite “DREJTËSI PËR ASTRITIN”

drejtesi-per-astritinNë mbi 30 komuna të Kosovës, sot Lëvizja VETËVENDOSJE! zhvilloi aktivitet simbolik, ku u realizuan grafite me fotografinë e Astrit Deharit dhe parullën “Drejtësi për Astrititin”, i cili vdiq në burg para 10 ditëve.

Astrit Dehari mbahej padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me akuza të montuara për terrorizëm, kurse vdiq me 5 nëntor, për çfarë u dhanë vetëm deklarata kontradiktore e kurrfarë përgjegjësie nga institucionet e shtetit.

Teksa nga njëra anë qartazi është vërejtur tentimi i pushtetit që vdekja e aktivistit Dehari të mbulohet me deklarata të rreme ose të kalojë në heshtje, qytetarët në vazhdimësi kërkojnë zbardhjen e këtij rasti dhe vendosje të drejtësisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron fuqishëm prapa kërkesës për hetim të rastit nga hetuesit e pavarur të caktuar nga familja, duke pasur parasysh kapjen e institucioneve të drejtësisë nga klani “Pronto”, gjë që pamundëson hetim dhe vendim të drejtë. Thirrja për zbardhjen e këtij rasti përmes aktivitete të ndryshme do të vazhdojë. Përpjekja për institucione të pavarura të drejtësisë nuk do të ndalet në asnjë moment. Vetëm shteti i së drejtës është garanca e një shteti zhvillimor dhe të barabartë për të gjithë. (LVV)