Daniel Server: Nuk do kisha votuar për politikanë të akuzuar..

daniel-serverIsh-diplomati amerikan dhe njohës i mirë i politikës ballkanike, Daniel Server, në një prononcim për gazetaren Biljana Sekullovska ka deklaruar se si votues nuk do të kishte votuar për asnjë politikan të ndodhur nën akuzë.

“Kur isha diplomat isha i detyruar të mbaj kontakte me politikanë nën akuzë sepse çdo person është i pafajshëm përderisa nuk është i dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor.. Por si qytetar, unë nuk do të kisha votuar për një politikan, mjafton ai të jetë i akuzuar nga prokuroria” – ka thënë analisti politik nga Uashingtoni, Daniel Server.

Server ka shtuar se në SHBA, politikanët e akuzuar për krim, as që e marrin mundimin të kandidojnë për shkak se e dinë se i kanë të humbura zgjedhjet, ndërsa në Maqedoni u takon qytetarëve të vendosin nëse do t’i votojnë këta politikanë. (zhurnal)

Dëshmi të reja që tregojnë pafajsinë e aktivistëve të dyshuar për terrorizëm

lvvLëvizja VETËVENDOSJE! paraqiti sot dëshmi të reja që vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të dyshuar për terrorizëm, të cilëve iu vazhduan masat e arrestit edhe për një muaj, pas 3 muajve e që po privohen padrejtësisht nga liria. Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, e quajti këtë proces absurd dhe prezantoi një video-material që tregonte vendndodhjen e pesë aktivistëve që po mbahen ende të arrestuar dhe Astrit Deharit, i cili humbi jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Molliqaj tha se është e pakuptimtë që ndonëse të gjithë dyshohen për vepër të njëjtë, ndaj këtyre aktivistëve janë aplikuar masa të ndryshme.
“Gjyqtari në vendim thotë se ekziston baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit kundër të pandehurve dhe në fjalinë e fundit të këtij paragrafi thotë se disa prej tyre kanë bashkpunim me organizata të ndryshme jashtë vendit dhe ekziston rreziku se me mbetjen në liri ata mund të arratisen dhe mund të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë. Pikërisht njëri prej aktivistëve tonë, që ka lidhje me organizatat të tjera, është Petrit Ademi, i cili ka qënë punonjës në kompaninë Deloitte. Pra, pikërisht ai që ka lidhje me një organizatë të huaj, pikërisht ai është liruar dhe ka vetëm masën e paraqitjes në Polici. Pra këtu ka një kontradiktë brenda këtij vendimi”, deklaroi Dardan Molliqaj, i cili prezantoi vendimin që i privon edhe për një muaj nga liria pesë aktivistët.
Në videon e shkurtër që u prezantua, shihej se në natën kur ka ndodhur sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, të gjithë aktivistët ishin në lagje të ndryshme të Prishtinës dhe larg ndërtesës së Kuvendit, ku edhe ka ndodhur sulmi.

Video-dëshmia tregon se Astrit Dehari dhe Adea Batusha kishin qenë në shtëpinë e Astritit në Lagjen e Spitalit, në rrugën “Muharrem Fejza”. Atdhe Arifi gjendej në lokalin “ABA”, duke u ushqyer, për çfarë janë dëshmitarë edhe Januz Shatri dhe Valon Hoti. Egzon Haliti ndodhej në banesën e të dashurës, Petrit Ademi ishte duke darkuar në rrugën “Hajrullah Abdullahu” në Breg të Diellit, kurse Frashër Krasniqi tre orë para sulmit kishte shkuar në shtëpinë e prindërve, prej ku nuk ka dalur deri të nesërmen. Për gjitha këto ekzistojnë kamerat e sigurisë, pamjet e shumicës prej të cilave i ka vetë policia.

Molliqaj tha po ashtu se dëshmi shtesë e cila bëhet kredibile kur lidhet me kamerat e sigurisë është edhe dëshmia e telefonit, duke theksuar se në Prishtinë minimalisht në secilen lagje ekziston një antenë që transmeton rrjetin.

“Telefoni i secilit prej nesh çdo minutë çon sinjal në lidhje me antenën dhe këto ruhen për vite të tëra. Dhe nëse kamera e sigurisë tregon që Atdhe Arifi ka qenë te ‘ABA’, dhe nëse telefoni i Atdhe Arifit ka qenë po në të njëjtin vend, dhe nëse po ashtu antena në atë zonë tregon që telefoni i tij ka qenë i kyqur në atë – sepse këto regjistrohen çdo minutë – ne i bëjmë thirrje Policisë, le të kërkojnë këtë historik për të parë se a po përputhen kamerat e sigurisë, d.m.th vendodhja fizike e tyre dhe e telefonave të tyre. Pra tash janë dy prova të pakontestueshme që lidhen me njëra tjetrën dhe që tregojnë se aktivistët tonë kanë qenë në këto vende, edhe përmes kamerave të sigurisë edhe përmes telefonave të tyre”, u shpreh Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj.

Molliqaj theksoi po ashtu se avokatëve të aktivistëve nuk u janë dhënë asnjë provë, dhe në fund tregoi se është e qartë që arsyeja e vazhdimit të masës së paraburgimit ka ndodhur vetëm për shkak të rastit të vdekjes së Astritit sepse po të liroheshin tani, do të kishte përgjegjësi edhe më të madhe mbi shtetin për rastin e vdekjes së Astrit Deharit. (LVV)

Parlamenti diskuton buxhetin 2017, Rama: 540 mln $ për qytetarët. Reagon PD

ramaDuke folur për buxhetin 2017 në seancë parlamentare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij në shërbim të qytetarëve kanë kaluar 540 milionë dollarë nga buxheti i shtetit.

“Në 8 vitet e qeverisë së shkuar u spostuan nga arka e shtetit në arkën e familjeve përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve 124 milionë dollarë gjithësej. Ndërsa ne kemi hequr gjysmë miliard dollarë për t’i kaluar nga duart e shtetit tek të qytetarëve. 540 milionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të Policisë së Shtetit që në buxhetin e parë me 10 milionë dollarë çdo 4 vjet, duke e çuar shumën totale në 580 milionë”, ka deklaruar Rama.

Në të njëjtën kohë, ka shtuar kreu i qeverisë, qeverisë i është dashur të shlyej 720 milionë dollarë borxhe të fshehura që i gjeti kur mori detyrën.

“Na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi me kantieret e hapura në rrugë. Qeveria e vjetër thoshte kur ishte në pushtet se kishte bërë 10 mijë km rrugë, ndërsa tani në opozitë thotë se ka bërë 11 mijë, pra ka bërë edhe 1 mijë kur e kanë shkarkuar nga detyra. E vërteta është se ka bërë 1.744 km rrugë, jo 10 mijë dhe likuidoi vetëm 34 për qind të vlerës financiare të kontraktuar”, ka vijuar Rama.

Ai ka theksuar se, buxheti i qeverisë së tij shmangu rënien në greminë të sistemit financiar të vendit dhe solli një rritje ekonomike të qëndrueshme.

“Sot, nga një ekonomi që luahtej mes 0 dhe 1 për qind, këtë vit do të rritet me 3.3 dhe 3.5 për qind dhe do vazhdojë të rritet çdo vit. Me këtë buxhet jo vetëm rrisim rrogat dhe pensionet, por po financojmë reformat për modernizimin e shtetit, por përmirësojmë financat publike dhe stimulojmë mirëqeverisjen”, ka thënë Rama.

Më tej, Rama ka bërë të ditur edhe një risi që ka të bëjë sipas tij me shëndetësinë, e cila do t’u vijë në ndihmë qindra mijëra familjeve në nevojë.

“Në këtë buxhet, nga fusha e shëndetësisë, duke e thelluar më tej reformën në shëndetësi, në 2017, ne do të zgjerojmë listën e ilaçeve të rimbursueshme për plot 600 mijë shqiptarë, që janë të pasiguruar dhe deri më sot nuk kanë përfituar asgjë nga kjo listë. Nga janari ata do të rimbursohen plotësisht”, ka saktësuar Rama.

Sipas tij, kjo do të thotë 8 milionë dollarë njerëzit në nevojë nuk do t’i shpenzojnë më për ilaçe, por do t’i mbajnë si kursime e që në total do të shkojnë në 384 milionë dollarë.

Duke qëndruar tek shëndetësia, Rama ka thënë se, qeveria do të investojë 3 për qind të GDP-së në këtë sektor, ose 52 milionë dollarë, nga të cilat 31 milionë do t’i investojnë kompani partnere.

Bode: Qytetarët, të ekspozuar ndaj rritjes së taksave dhe çmimeve

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit për paketën fiskale, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka theksuar se e vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri ka qenë asfiksimi i qytetarëve me taksat e rritura.

“Shqiptarëve iu morën 400 milionë dollarë më shumë me faturat e energjisë, me burg e më policë. Kjo është ulja që premtuat në fushatë? Nuk e bëtë naftën pa akcizë për peshkatarët dhe fermerët, sikurse premtuat. Për më tepër, taksën e qarkullimit ia shtuat me 240 lekë të tjera për litër duke e bërë naftën për peshkimin dhe bujqësinë më të shtrenjtën në rajon”, ka thënë Bode.

Sipas tij, “në këto 3 vite e gjysmë shqiptarët kanë paguar 2 miliardë dollarë taksa më shumë, ndërkohë që i gjithë prodhimi i brendshëm bruton është 2.45 mld dollarë”. “Ju keni shterrur gjithë prodhimin e brendshëm bruto të vendit”, ka thënë Bode.

Ai ka theksuar se, edhe rritja e pensioneve që pretendon kryeministri Rama është një farsë. “Harroni që pjesën dërrmuese të pensionistëve i keni lënë të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve dhe taksave”, ka vijuar Bode.

Sa për ish-pronarët, ai ka akuzuar Ramën se, në këto 4 vjet ka dhënë më pak dëmshpërblime se qeveria e kaluar. “U keni dhënë vetëm atyre që janë gjallë, trashëgimtarët e atyre që kanë vdekur nuk kanë marrë gjë. Pavarësisht kësaj, 80 për qind e përfituesve kanë marrë vetëm 2 këste”, ka thënë Bode.

Duke vazhduar me akuzat ndaj kreut të ekzekutivit, Bode ka shtuar se, niveli i papunësisë është më i lartë që nga momenti kur kjo qeveri erdhi në pushtet.

“Zoti kryeministër duhet të jepni llogari sepse u premtove shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune. Sot është viti i katërt i mantatit tënd, sa vende të reja pune ke hapur? Mirë që s’u krijove 300 mijë vende të reja pune, po përse u rrite papunësinë zoti kryeministër, sipas statistikave tuaja”, ka shtuar Bode.

Ahmetaj: PD la një shtet të falimentuar e të mbytur në borxhe

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se opozita e sotme e la vendin në gjendje të falimentuar ekonomike kur la pushtetin. Duke folur në seancë plenare, Ahmetaj ka publikuar edhe shifrat që tregojnë sipas tij situatën që mund ta çonin Shqipërinë drejt një skenari grek.

“Në 2013 gjetëm një shtet të falimentuar nga disa njerëz, që sot bëjnë kukuvajkën sepse shpresonin se Shqipëria do të përfshihej nga një skenar grek. Kur erdhëm në pushtet gjetëm një borxh publik prej 70.4 për qind, sipas FMN. Defiçiti vjetor, i shpenzuar që në gjysmën e parë të vitit, duke pamundësuar qeverinë e sapo ardhur të financonte veprimet e përditshme. Kjo do të thotë se një qeveri e papërgjegjshme të gjithë shumën e lejuar me ligj të defiçitit buxhetor e kishte harxhuar komplet”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka nënvizuar se, “nëse qeveria e re nuk do të kishte bërë asgjë, më 23 tetor nuk do të kishte para as për pagat e policisë, shëndetësisë dhe as për pensionet”.

“Të njëjtët njerëz që vijnë këtu për herë të tretë në tentativë të dështuar për të rimarrë të drejtën për të falimentuar sërish Shqipërinë e lanë pushtetin me 726 milionë dollarë borxhe nën tryezë. 200 milionë dollarë ishin detyrime të papaguara, 44 milionë dollarë të mohuara ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, 30 milionë dollarë gjoba elektorale, 150 mln euro humbje në vit në sistemin energjitik”, ka thënë Ahmetaj.

“Çfarë patët me ish-ushtarakët që u mbajtët 10 milionë dollarë, me fermerët që u premtuat se do t’u rimbursonit 60 për qind të TVSH-së?”, është shprehur ai.

Ministri i Financave ka shtuar se, buxheti i ri është buxheti i reformave madhore të Shqipërisë, “që ka bërë të mundur kthesën më të madhe në historinë e këtij vendi”. “Është buxheti i konsumit të qytetarit”, ka thënë Ahmetaj.

Ai e ka vënë theksin edhe tek aplikimi i taksës progresive, “përmes të cilës në 4 vite i kemi kthyer mbrapsht 440 milionë dollarë. Tatimi progresiv ka ulur barrën për qytetarët”, ka shtuar Ahmetaj.

Berisha: Qeveria, suksese imagjinare

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar si “suksese imagjinare” deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Financave për rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe rritjen ekonomike të shqipërisë.

Në fjalën e tij në seancën plenare të së enjtes, Berisha ka deklaruar se edhe të dhënat e ofruara nga krerët e qeverisë duke cituar institucionet ndërkombëtare nuk janë të vërteta.

“Sot vazhduat me rezultatet imagjinare. Nuk mund të mos u vendos epitetin e papërgjegjshmërisë parafolësve (Ahmetaj dhe Rama). Sipas tyre, Banka Botërore konstaton se varfëria është reduktuar me 46 për qind. Po jua tregoj unë se çfarë thotë raporti i BB për Shqipërinë, për të treguar pafytyrësinë që përdoret në platformën e qeverisë. BB në raportin e saj 2015 thotë se nivli i varfërisë në Shqipëri është 47.5 për qind. A ka gjë më cinike e më të pështirë se kjo? Kjo ndodh vetëm në diktaturë”, ka thënë Berisha.

Ish-kryeministri e ka krahasuar ekzekutivin aktual me një organizatë kriminale për shkak të gënjeshtrave që sipas tij i servir qytetarëve.

“Ju jeni një organizatë kriminale dhe silleni si organizatë kriminale. Thoni ju se po rrisni rrogat me 100 milionë dollarë, se janë 7 miliardë lekë. Po le ta lëmë këtë, e zëmë se është kështu. Piktori dështak deklaron se në 3 vite rrogat u rritën 125 milionë dollarë për çdo mjek, çdo infermier, çdo mësuese, çdo qytetar. Shpërblimet për administratën jepeshin vetëm për të tamponuar rritjen e inflacionit. Kjo dëshmon injorancën e turpshme të tyre”, ka thënë Berisha.

Sot këtu, ka vijuar ai, “Nastradini i shkaravinave, që nuk di ç’është GDP-ja, u thotë shqiptarëve se këtë vit do investojmë 3 për qind të GDP-së në shëndetësi dhe pastaj sa është shifra e investimeve? 50 milionë dollarë. Kaq është për injorantin 3 për qind e GDP-së”, ka shtuar Berisha.

/ Top Channel

Burg për ndotësit e ambientit, 15 vite po hodhe vajra në det

“Kodi penal është hartuar që në vitin 1995. Ligjet që kemi njësuar, flasin qartazi që ndotësi duhet të paguajë, por institucionet ligjzbatuese hasin vështirësinë e vakumit ligjor për të mos penalizuar”, shprehet ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Për të plotësuar këtë vakum ligjor, Ministria e Mjedisit propozon disa ndryshime në Kodin Penal që parashikojnë deri në 15 vite burg për autorët e krimit mjedisor, si në rastin e prerjes së pyjeve në mënyrë të paligjshme.

Dëmtimi i pyjeve është shkaku kryesor i përmbytjeve me të cilat përballet vendi, në çdo sezon dimëror. Ndaj, ministria propozon shtimin e veprës penale “Shkaktim i Fatkeqësive Mjedisore”, për të cilën parashikohet 5 deri në 15 vite burg.

E njëjta masë propozohet edhe për veprën penale “Ndotje e Ujërave Detare nga mbetjet vajore dhe hidrokarburet”.

Kurse për rastet e “Shkatërrimit të Monumenteve të Natyrës, Fondit Pyjor dhe Zonave të Mbrojtura”, dënimi i parashikuar është nga 1 deri 5 vite burg. Paketa e plotë me të gjitha amendimet e Krimeve Mjedisore në Kodin Penal do të dorëzohet brenda vitit 2016 në Ministrinë e Drejtësisë.

/ Top Channel

Koment: Perëndimi është bashkëfajtor në Aleppo

Regjimi i Sirisë me sa duket ndodhet pak para fitores ushtarake në zonat e kontrolluara nga kryengritësit në metropolin sirian. Një fitore përfundimtare për Assadin? Rainer Sollich komenton.

siriaPër Sirinë nuk ka zgjidhje ushtarake, përbetohen politikanë perëndimorë prej vitesh. Presidenti rus, Vladimir Putin, personi i favorizuar prej tij, Bashar Al-Assad dhe aleatët e tij iranianë dhe libanezë me sa duket e shohin këtë ndryshe: pasi e bënë të vuajë nga uria me javë të tëra Lindjen e Aleppos, duke e bombarduar vazhdimisht, forcat e regjimit dhe njësi shiite aleate me to tani janë nisur që të marrin lagjet e fundit të mbajtura nga kryengritësit në metropolin e dikurshëm ekonomik. Për fatin e njerëzve atyre aq u bën. Rëndësi për ta ka vetëm fitorja ushtarake dhe demoralizimi i kundërshtarit.

Po SHBA dhe Bashkimi Evropian çfarë bëjnë? Praktikisht asgjë! Perëndimi paralajmëron dhe dënon, thërret konferenca, vë në rrugë rezoluta. Por në të vërtetë ai vetëm bën sehir. Rënia e Aleppos që po përvijohet është nga ky shkak një shpallje tjetër falimentimi politik dhe moral të politikës së Perëndimit ndaj Sirisë. Dhe të duket gati si qesharake, që t’i akuzosh Putinin dhe Assadin se po shfrytëzojnë aktualisht në mënyrë të ndërgjegjshme një vakum pushteti të krijuara nga zgjedhjet presidenciale në SHBA. Për këtë ata nuk kanë nevojë! Barack Obama nuk është kthyer në “lame duck” me fitoren e Donald Trumpit. I tillë ai ka qenë gjithmonë.

Nuk është krijuar vakum i ri pushteti

Obama donte të pengonte në Siri gabimet fatale, të cilat i patën shpëtuar paraardhësit të tij George W. Bush në Irak. Me këtë premisë vetëm të supozuar pacifiste, Obama e bëri veten dhe të gjithë Perëndimin bashkëfajtor në tragjedinë siriane. Sepse kjo inkurajoi para së gjithash Rusinë dhe Iranin, por edhe aleatë jo të sigurtë të SHBA në politikën e jashtme si Arabinë Saudite dhe Turqinë, që ta shndërrojnë Sirinë në një fushë beteje të interesave të tyre të ngarkuar me fe dhe etni.

Një rrugëdalje nga spiralja e urrejtjes dhe e dhunës, megjithë zhvillimet më të fundit nuk duket, po kaq pak po përvijohet ndonjë “zgjidhje” e natyrës politike ose ushtarake. Po të bjerë realisht në duart e Assadit Aleppo, atëherë këtu do të kemi të bëjmë me të vërtetë me një demonstrim të fortë dhe simbolik të fuqisë së regjimit: kjo tregon se nën mbrojtjen ruse, regjimi është në përparësi dhe se nuk mund të përmbyset. Por kryengritësit e moderuar dhe ata radikalë do të vazhdojnë të luftojnë në zonat rurale dhe do të gjejnë edhe më tej aleatë sunitë, të cilët do t’i armatosin rëndë për këtë. Edhe me terroristët e Shtetit Islamik hë për hë do të kemi ende të bëjmë – jo së fundi sepse Moska dhe Damasku, në kundërshtim me përbetimet e veta deri tani nuk i kanë luftuar vërtet.

Kriminelët e luftës në pushtet

Tragjedia e Aleppos përfaqëson simbolikisht një përfundim, i cili në fakt njihet prej kohësh: Bashar al-Assad, i dyshuari si krimineli më i madh i luftës i kohës sonë, do të vazhdojë të qendrojë në pushtet për aq kohë, sa Rusia dhe Irani të mos e lënë të bjerë dhe SHBA ta shohin duarlidhur. Por Assadi nuk do të mund ta paqëtojë Sirinë – as atëherë kur Donald Trumpi, siç druhen opozitarë sirianë, të bëjë pjesërisht aleancë me Putinin për Sirinë.  Pra vrasjet do të vazhdojnë. (dw)

OKB: Rritet popullsia e botës

popullsia-e-botesAgjencia e Kombeve të Bashkuara për Popullatën thotë se popullsia e botës arriti në 7.4 miliardë në vitin 2016.

Rritja sidomos e madhe e numrit të rinjve po sfidon sistemet politike dhe shoqërore në të gjithë planetin, tha Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullatën.

Agjencia e publikoi raportin për gjendjen e Popullsisë Botërore sot në Aman të Jordanisë. Raporti thekson përfitimet e mundshme të përpjekjeve për të kapërcyer pabarazinë e dukshme gjinore që ekziston në botë.

Ai përqendrohet te gjendja e vajzave nën moshën 10-vjeçare, si tregues i suksesit apo i dështimit të zhvillimit. Sipas raportit, 89 për qind e 125 milionë 10-vjeçarëve të botës jetojnë në vendet në zhvillim, ku vajzat përballen me pengesa për barazinë në arsim, shëndetësi dhe siguri. (voa)

Rritet çmimi i naftës

opecÇmimi i naftës u rrit përsëri sot, i nxitur nga një marrëveshje e OPEC-ut për të shkurtuar normat e prodhimit për herë të parë që nga viti 2008.

Vendimi për pakësimin e prodhimit bëri që çmimi i naftës të rritej me 10 për qind të mërkurën duke ndikuar edhe tek rritja e çmimit të aksioneve të firmave energjitike në tregun global. Rritja e sotme ishte më modeste ndërsa çmimi i një fuçie naftë arriti në 50 dollarë.

Presidenti i OPEC-ut Mohammed Bin Saleh Al-Sada sqaroi për shtypin të mërkurën se si do të zbatohet marrëveshja.

“’OPEC do të ulë prodhimin me 1.2 milionë fuçi naftë në ditë me një kapacitet maksimal prej 32.5 milionë fuçi naftë në ditë. Vendimi hyn në fuqi me 1 janar.”

Para takimit të së mërkurës në Vienë, ministri saudit i energjisë tha se OPEC-u do t’u kërkonte edhe vendeve jo anëtarë që të shkurtonin prodhimin. Rusia, vend jo anëtar, ra dakort të pakësojë prodhimin me 300 mijë fuçi në ditë.

OPEC-u thotë se dëshiron që çmimi global i naftës të jetë mes 55 dhe 60 dollarë për fuçi. Ky nivel, sipas OPEC-ut, do të ndihmojë në rigjallërimin e ekomive të vendeve të varura nga nafta që kanë ndjerë pasojat dy vjeçare të rënies së çmimit të naftës nën 50 dollarë për fuçi. (voa)

Shqetësim për përhapjen e lajmeve të rreme në internet

skema-facebookNjë thënie që u dëgjua shpesh gjatë garës presidenciale të këtij viti ishte se vendi ishte i ndarë, gjë që ekspertët dhe analistët thonë se shpjegon ngritjen – dhe fitoren mahnitëse të republikanit Donald Trump ndaj kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.

Historia tjetër e vitit 2016 ishte shtimi i të ashtuquajturave “lajme të rreme” dhe përhapja e tyre në median sociale. Facebook-u në veçanti, është kritikuar ashpër, duke dalë mbi kompaninë Google si motori më i madh i nxitjes së audiencës në të gjitha platformat e medias sociale.

Vetëm javën e kaluar, Trump shkaktoi polemika të reja duke shkruar në Twitter se gjatë zgjedhjeve të nëntorit kishte manipulime që bën që ai të mos fitonte votën popullore, duke mos përmendur asnjë provë për ta mbështetur një pretendim të tillë.

“Përveç fitores bindëse së votës së Kolegjit Zgjedhor, unë fitova votën popullore nëse nuk llogarisimi miliona njerëz që votuan ilegalisht”, tha zoti Trump më 27 nëntor.

Fenomeni i lajmeve të rreme ka tronditur internetin, për të mos përmendur gazetarët, studiuesit dhe përdoruesit e thjeshtë të medias sociale, shumë prej të cilëve po shkruajnë artikuj redaksionalë, lajme dhe guida për të diktuar lajmet e rreme dhe faqet elektronike që i publikojnë ato.

Sipas një analize të faqes elektronike Buzzfeed, të gjitha këto kanë vënë nën presion Facebook-un ku lajmet e rreme për zgjedhjet gjeneruan më shumë përfshirje të përdoruesve të Facebook-ut sesa lajmet kryesore nga 29 agjencitë e lajmeve në tre muajt e fundit të fushatës zgjedhore.

https://www.buzzfeed.com/craigsilverman/viral-fake-election-news-outperformed-real-news-on-facebook?utm_term=.fsRXbNVqz#.dqe2nwQvx).

Kritikat ndaj themeluesit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg bënë që kompania të ndërhynte në algoritmat e saj për të hequr apo pastruar informacionet e pasakta dhe më pas, ndërsa zemërimi i publikut u shtua, parashtroi hapat që po ndërmerr Facebook-u për të pakësuar atë që Zuckerberg e quajti called “keqinformim”.

Ai i parapriu postimit të tij me një paralajmërim të njohur: “Ne nuk duam të jemi arbitra të së vërtetës, por mbështetemi tek komuniteti ynë dhe palët e treta të besueshme.”

Ka faqe elektronike legjitime, gazetarë dhe studiues që po i kushtojnë vëmendje pëhapjes së lajmeve të rreme. Mes tyre: Snopes.com, Instituti Poynter dhe Melissa Zimdars, ndihmës profesore e komunikimit dhe medias në universitetin Merrimack e cila shkroi një dokument në Google për studentët e saj me këshilla sesi të dallosh një faqe lajmesh të rreme apo jo të sakta.

Sipas këtyre ekspertëve, fillimisht duhet të kuptojmë se cili është lajm i rremë dhe cili nuk është i tillë.

“Ne i klasifikojmë “lajmet e rreme” ato që hidhen në faqe elektronike që publikojnë informacione krejtësisht të sajuara”, thotë Kim LaCapria, menaxhere e faqes Snopes.com (hyperlink), që ndjek përhapjen e informacioneve të gabuara në internet.

“Tani për tani termi ‘lajme të rreme’ aplikohet për lajmet e njëanëshme dhe të pasakta, shton LaCapria.

Dhe ky kombinim i shoqëruar me shpejtësinë e platformave dixhitale si Facebook dhe Twitter, kanë krijuar një stuhi perfekte për konfuzion thotë profesori i filozofisë në universitetin Connecticut, Michael Lynch.

LaCapria, ashtu si Lynch, ka parë gjithashtu sesi duke e quajtur cdo gjë që është e verifikueshme fallco “lajm i rremë” nuk është ajo që po ndodh vërtet në median sociale.

“Një thashethem për një kohë të gjatë ishte se Hillary Clinton ishte pushuar nga puna për hetimin e çështjes Watergate pasi kishte gënjyer”, thotë LaCapria. “Në se më kujtohet mirë, ne e vlerësuam këtë lajm si fallco pasi pretendimi vinte nga dikush që e kishte ndryshuar historinë e tij ndër vite. Por në kategorinë tonë politike, lajmi nuk është tamam fallco. Shpesh është i pavërtetë, ose kombinim, fallco ose i pa vërtetuar.”

Por informacionet e shtrembëruara apo të rreme kanë ekzistuar për një kohë të gjatë thotë LaCapria.

“Këto janë zgjedhjet e para në praninë e medias sociale që kemi provuar. Dhe kishim dy kandidatë të medias sociale: Sanders dhe Trump,”thotë ajo. “Tani që njerëzit janë të mërzitur nga Trumpi, ata e shohin median sociale si keqbërës. Dhe mund të jetë një faktor lehtësues, por lajme të tilla kanë ndikuar padyshim politikën për një kohë të gjatë.”

Për kompanitë e medias sociale si Twitter e të tjera, mundësia për të hequr informacionet e rreme apo shprehjet e urrejtjes mund të jetë një punë e madhe, pavarësisht sesa të aftë janë inxhinierët e tyre. Facebook praktikisht ka pranuar se rikodimi i algoritmit të tij nuk ishte i mjaftueshëm.

Shumica pajtohen se zhurma e madhe e internetit – dhe etosi i lirisë së fjalës që e rrethon atë – janë të pashmangshme. Por në fund të fundit shumica e përmbajtjes në internet është krijuar nga njerëzit. Sipas Lynch, aty qëndron pushteti i vërtetë për të dalluar dhe për të eleminuar informacionet çorientuese.

“Unë kam bindjen se ne si individë, si njerëz, duhet të fillojmë të mbajmë përgjegjësinë për atë që besojmë. Dhe për atë që ndajmë në median sociale “. (voa)

Betejë propagandistike ruse në Ballkan

rusiaParlamenti Europian paralajmëron nga dezinformimet e propagandës ruse. Por një nga vatrat e nxehta të Moskës është Ballkani. Edhe Turqia përpiqet të fitojë influencë, por besnikët e Putinit kanë ditur të dalin në krye.

Parlamenti Europian miratoi së fundmi (23.11) një rezolutë kundër propagandës mediatike ruse të dezinformimit duke akuzuar Rusinë se ajo kërkon të përçajë BE. Rusia reagoi ashpër përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme duke u shprehur se Moska do të veprojë njësoj nëse puna e mediave ruse kufizohet në BE.

Në një analizë të dpa-së pas rezolutës së PE-së, vihet në fokus ofensiva propagandistike e Moskës prej vitesh në Ballkan, një rajon i rëndësishëm për Rusinë. “Gati të gjitha vendet e rajonit juglindor janë më së shumti vende kandidate në BE ose vende anëtare të BE-së. Por shumë prej tyre, si Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Serbia kanë tradicionalisht lidhje miqësore me Rusinë. Baza është feja e përbashkët ortodoske dhe përkatësia në familjen e madhe të popujsve sllavë”.

Anadolu më pak e suksesshme

Sipas dpa-së, mjetet kryesore të propagandës ruse janë agjencia e lajmeve “Sputnik”, e cila transmenton edhe serbisht, si edhe radiotelevizioni RT, më parë Russia Today. Për shkak se materialet ofrohen pa pagesë dhe arkat e rajonit janë bosh, lajmet e “Sputnik” gjejnë jehonë të gjerë. Ndërkohë mbështeten edhe partitë miqësore ndaj Rusisë si edhe lidhjet kulturore.

Edhe Anadolu, agjencia turke e lajmeve kërkon të gjejë vend në Ballkan, por ajo është më pak e angazhuar krahasuar me ofensivën ruse, shkruan dpa. Analisti i saj, Thomas Brey përmend Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si vende ku dyert janë më të hapura për Anadolu. Në rastin e puçit ushtarak ky medium ia doli  të ofronte variantin zyrtar të pafiltruar në mediat e Ballkanit, sipas tij.

Por dpa thekson se propaganda ruse është më e avancuar. Raportimet nga Moska rijepen me besnikëri të plotë në media ballkanike edhe për temat e brendshme- Shpesh në këto raportime pretendohet se armët ruse janë superiore krahasuar me ato të NATO-s, apo se Moska në ndryshim nga perëndimi i lëkundur angazhohet në krizat botërore, se Putini është i vendosur dhe garantues i së drejtës ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë këtë muaj “Sputnik” pa verifikuar pretendimin e tij se “nëse Krimeja nuk do të ishte bërë pjesë e Rusisë, do të kishim një gjenocid të ri.” Ndërsa vetë “Sputnik” për shembull i jep hapësirë kryetares së Shoqatës së Gazetarëve Serbë, UNS, Ljiljana Smajlovic e cila e quan rezolutën e Parlamentit Europian si “proces të histerisë së një lufte të ftohtë.”

Në analizën e dpa-së, theksohet se BE ka filluar të mbrohet kundër dezinformimit nga Rusia, por mbetet me pikëpyetje, nëse ajo arrin me këtë shumicën e njerëzve në Europën Juglindore. Moska ia doli ditët e fundit të vendoste në shumë media ballkanike me shpatulla pas murit, Kroacinë, anëtaren më të re të BE-së. Arsyeja: Kreu i qeverisë kroate, Andrej Plenkovic gjatë një vizitë në Ukrainë kishte ofruar përvojën kroate në ribashkimin e pjesëve të shkëputura si Krimeja. Gazeta kroate e “Vecernji list” e vendos tani Kroacinë “në front të parë” për “mbrojtjen e perëndimit.” (dw)