Koncensionet e naftës; Si u grabitën 30 milion euro nga kompania fantazmë

NaftaFiks Fare tregoi sot sesi kompania që operonte në Shqipëri në fushën e naftës ka arritur t’ia hedhë paq, teksa ka arritur të “grabisë” rreth 30 milionë euro.

Përgjatë 10 viteve, me manovra financiare dhe juridike, kompania që kishte në shfrytëzim fushën naftëmbajtëse Cakran – Mollaj, nuk ka paguar asnjë detyrim shtetëror te tatimet, doganat, OSHEE-ja, pushteti vendor. Madje nuk u ka dhënë pagat qindra punëtorëve dhe nuk ka dëmshpërblyer banorët e zonës.

Në fund, shteti u kujtua pas 10 vitesh, duke i hequr koncesionin “Transatlantic Petrolium ltd” për dy vendburime, nga katër që ka gjithsej. Mbrëmjen e së hënës, Fiks Fare transmetoi denoncimet e banorëve të fshatit Gorishov dhe Drenovë, në Fier dhe Mallakastër. Këta banorë kishin fituar gjyqin me firmën “Transatlantic”, po nuk e ekzekutonin dot, për shkak se kompania nuk kishte lekë në llogari bankare. Ndërkohë, mbrëmjen e së martës, Fiksi vijoi investigimin për firmën që ka rrjepur nëntokën shqiptare.

Sekuestrimi i naftës
Pas ankesës së banorëve të fshatrave Gorishov dhe Drenovë, gazetarët e Fiks Fare shkuan në depozitat e naftës të firmës “Transatlantic” në Ballsh, për t’i sekuestruar. Avokatja e banorëve dhe një përmbaruese, të shoqëruara nga forca të Policisë së Shtetit, Policia Bashkiake apo edhe nga një inxhinier nafte, shkuan për të verifikuar depozitat e naftës, të cilat i kishin sekuestruar më parë më datë 26 shtator 2016.

Përmbaruesja private Ina Bajramaj shkoi fillimisht në zyrat e firmës, por asnjë punonjës nuk pranoi t’i shoqërojë. Më pas, bashkë me policinë, shkojnë te depozitat e naftës. Përmbaruesja tha për Fiksin se arsyet përse kanë shkuar në këto depozita janë se po ekzekutojnë një vendim të formës së prerë, për 150 milionë lekë të vjetra që kompania “Transatlantic Petrolium Ltd” i ka 24 familjeve të fshatit Gorishov.

Ajo thotë se ka shkuar disa herë te këto depozita, ku ka vendosur edhe vula, por ato janë hequr më pas, duke kryer vepër penale nga ata që i kanë hequr. Thotë se herën e fundit ka qenë më datë 26 shtator 2016, sipas procesverbalit përkatës.

Kamera e Fiksit filmon se vulat e vendosura më 26 shtator 2016 janë hequr. Ndërkohë, një inxhinier nafte shikon gjendjen në depozita, ndërsa shpjegon se nafta në depozita ka ndryshuar nga hera e fundit kur kanë qenë. Përmbaruesja dhe inxhinieri shkojnë për të vendosur vulat e reja. Pas vendosjes së sekuestros, gazetarët e Fiks Fare i drejtohen firmës. Një punëtor thotë se këto depozita i ka sekuestruar kompania “Albpetrol”. Pyetjes nëse e merr rrogën, ai përgjigjet se po dhe se i kalon në bankë.

Ndërkohë, pas pretendimit se “Albpetroli” ka sekuestruar i pari këto depozita, përmbaruesja Bajramaj thotë se ka shkuar disa herë dhe firma duhet t’i dëmshpërblejë më parë banorët dhe punëtorët.

Kush është firma Transatlantic Petrolium LTD?
Në vitin 2007, qeveria dha me koncesion katër vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri: Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Koncesioni iu dha kompanisë “Stream Oil”, e cila u krijua në ishujt Cayman në datën 11 qershor 2007. Kjo firmë ka hyrë në Shqipëri pak muaj më vonë, në tetor 2007.

Në fund të vitit 2014, kompania “Stream Oil” u ble nga “Transatlantic Petrolium”, me seli në Bermuda, një destinacion i njohur i firmave offshore, që duan të fshehin pronarët e vërtetë. Emri i firmës “Transatlantic Petrolium” u përfol edhe në skandalin “Panama Papers”.

Në vitin 2015, përmes një njoftimi, “Transatlantic” njoftoi shitjen e të gjitha aseteve të saj në Shqipëri, te një kompani e panjohur me emrin “GBC Oil”. Sipas marrëveshjes, kompania e re “GBC Oil” ka marrë përsipër të paguajë 2.3 milionë euro borxhe te një bankë private dhe 29.2 milionë euro të tjera borxhe, që “Transatlantic” dhe më parë “Stream”, kanë akumuluar ndaj shtetit shqiptar apo bankave të tjera. Transaksioni alarmoi autoritetet shqiptare. “Albpetrol” dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dyshuan se, përmes tij, synohet shmangia e borxheve.

Fiks Fare kërkoi informacion në Ministrinë e Energjetikës dhe në kompaninë “Albpetrol” për këtë kompani. Në vjeshtën e vitit 2016, Ministri Damian Gjiknuri mbajti një fjalim në Parlament, ku tha se po bënin procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare për shkak se firma nuk ka paguar punëtorët dhe ka borxhe të akumuluara.

Ndërkohë, “Albpetrol” na njoftoi se, me shkresën me numër 6265 të datës 19 shtator 2016, njoftoi administratorin e “Transatlantic” për mbylljen e marrëveshjes në vendburimin “Cakran-Mollaj”. Në muajin janar 2017, ministria e Energjetikës njoftoi se ka ndërprerë marrëveshjen koncesionare me “Transatlantic Petrolium” për dy vendburime: Cakran – Mollaj dhe Gorisht – Kocul.

Dy vendburimet kaluan nën administrimin e kompanisë “Albpetrol”. Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë “Albpetrolit”, e cila na komunikoi se punëtorët, nga janari i këtij viti, do të paguhen nga kompania shtetërore.

Ndërkohë, pyetjes se, kush do t’i pagojë borxhin prej 30 milionë eurosh, “Albpetroli” na komunikoi se banorët, punëtorët, tatimet, doganat, OSHEE-ja, dhe të tjerë, duhet të hapin procese gjyqësore kundër firmës “Transatlantic”.

Naim Kasa: Punëtorët gënjejnë, banorët po i marrin lekët?!
“Fiks Fare” tentoi të komunikojë me Naim Kasën, administratorin e kompanisë “Transatlantic”. Gazetarët telefonuan z.Kasa, duke e pyetur për pretendimet e banorëve të fshatit Gorishov dhe të punëtorëve në Drenovë. Ai tha se punëtorët i kanë marrë pagat dhe se gënjejnë. Fillimisht pranoi që të sqarojë gazetarët, ai ose avokati, në një ditë tjetër.

Ndërkohë, disa minuta më vonë, telefonon gazetarët duke u thënë se banorët e fshatit Gorishov po i marrin paratë me përmbarim privat. Pyetjes se, firma vazhdon punën megjithëse janë vendosur vula në depozita, ai tha se “nuk di gjë, do flisni me avokatin tim”. Më tej e mbylli telefonin me argumentimin se është në drejtim të një mjetit. Gazetarët tentuan edhe ditë të tjera të komunikonin me z.Kasa, por nuk morën asnjë përgjigje.

Koncesioni i dhënë në vitin 2007 që zgjati plot 10 vjet, ka krijuar një “gropë” prej rreth 30 milionë eurove në buxhetin e shtetit, apo të shumë familjeve. Pyetjet që lindin natyrshëm janë: Kush do e paguajë këtë borxh? Përse nuk kanë vepruar në kohë institucionet shqiptare? A ka një përgjegjës për këtë dëm?

/ Top Channel

BE: Fushatë anti-vetting. Duan të delegjitimojnë procesin

vetinguDelegacioni i Bashkimit Evropian ka deklaruar se ditët e fundit aktorë të ndryshëm politikë dhe të medias janë përfshirë në një fushatë për të delegjitimuar procesin e vettingut.

Deklarata ka ardhur nga shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Sylvain Gambert.

“Vettingu është kushti kryesor për hapjen e negociatave dhe pavarësisht kush është ambasadorja e Brukselit në Tiranë, ky proces do të zbatohet. Kjo fushatë anti-vetting synon të njollosë të gjithë faktorët e përfshirë në reformën në drejtësi”, deklaroi Gambert.

Në të njëjtën linjë ishte edhe drejtori i Fondacionit Shoqeria e Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrushi, i cili tha se në media ka shumë keqinformim mbi reformat, kostot dhe përfitimet e anëtarësimit në BE.

“Ajo që vërehet shpesh në media është raportimi i cekët për atë se çfarë është reforma në vetëvete, cilat do të jenë kostot dhe përfitimet për qytetarin shqiptar, integrimin në BE, etj”, tha Dobrushi.

/ Top Channel

Si dobësia e BE-së dobëson edhe Ballkanin

hartaMarrëdhëniet mes fqinjëve në Ballkan nuk kanë qenë prej vitesh kaq të helmuara sa sot. Disa politikanë përdorin hapur retorikën e luftës dhe të ndryshimit të kufijve. Çfarë po e rindez nacionalizmin në Ballkan?

Për një kohë të gjatë u duk se Ballkani më në fund i përzuri fantazmat e së shkuarës. Konfliktet u shuan, armiqtë e dikurshëm i dhanë dorën njëri-tjetrit, dialogu filloi të ushtrohej, perspektiva e anëtarësimit në BE jepte shpresë duke e bërë edhe Bashkimin Europian të lumtur. Por tani Ballkani po zien sërish, aq sa dy ministra të Mbrojtjes të dy anëtarëve ballkanikë të NATO-s, ajo shqiptare, Mimi Kodheli dhe homologu kroat, Damir Krstevic i drejtohen me letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shqetësimi: Serbia me politikën e saj po rrezikon sigurinë në rajon, dhe se „zhvillimet e fundit”, kërcënojnë sigurinë e Kosovës e më gjerë.

Me „zhvillimet e fundit”, është nënkuptuar jo vetëm treni serb me mbishkrimet „Kosova është Serbi”, ndërtimi i murit në Mitrovicë, tani në rrënim, por më shumë: Tone të reja nacionaliste deri tek përdorimi i retorikës së luftës nga disa politikanë të vendeve ballkanike.

Pasojat e krizave të BE-së

Perëndoi epoka e pajtimit në Ballkan për t’ia lënë vendin rikthimit të nacionalizmit? Politologu në Universitetin e Zagrebit, Nenad Zakošek nuk mendon se fitili i nacionalizmit ka qenë i shuajtur përgjithmonë në Ballkan. Ishte perspektiva e qartë për një të ardhme ne BE, ajo që mundësoi ecjen përpara në paqe të të gjithë rajonit. “Por tani shtyrja e kësaj perspektive po zhvillon një dinamikë negative. Zhgënjimi i njerëzve nga BE po kthehet në një problem në rajon. Shikoni Maqedoninë, një vend që vërtet ka pësuar regres, sepse aty u shty kaq vite perspektiva e anëtarësimit”, thotë Nenad Zakošek.

BE nuk ka qenë vetëm projekti i shpresës i këtyre dekadave. Ajo i ka tërhequr gjithmonë vëmendjen Ballkanit, e nëse fuqia e rrezatimit si paralajmëruese dobësohet, kjo nuk kalon pa lënë gjurmë në Ballkan. Eksperti i Qendrës Kërkimore për Politikat e Sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani kujton se çfarë nuk duhet harruar në Ballkan. “Kemi të bëjmë me vende që nuk janë demokraci të konsoliduara, me probleme ekonomike, me vende që nuk i kanë tejkaluar ende tensionet e vjetra.” Ramadani mendon, se tani kësaj i shtohet paaftësia e Brukselit për të konsoliduar Ballkanin.

Thyerja e tabusë

Në të vërtetë askush nuk ka thënë në Bruksel se perspektiva e anëtarësimit nuk është më ekzistente, përkundrazi ajo ngrihet lart nga politikanët europianë, megjithëse për një kohë të pacaktuar nuk do të ketë anëtarësime të reja. BE ka halle të tjera, fokusi i saj nuk i përket më Ballkanit. E me sa duket, kur kontinenti i shpresës lëkundet, politikanët nacionalistë ballkanas janë gati të testojnë kufijtë, jo vetëm ata gjuhësorë, por edhe të shteteve të Ballkanit. “Kemi të bëjmë me forca të caktuara, që e shtrojnë më me forcë çështjen e kufijve, sidomos në Serbi, një vend që nuk doli i kënaqur me përfundimin e luftës, por edhe shqiptarët, pjesërisht në Maqedoni i shtrojnë këto pyetje. Me këto vihet në pikëpyetje jo vetëm integriteti territorial i Bosnje-Hercegovinës, por edhe Kosovës e Maqedonisë. Pra kemi tre shtete në rajon, ku kufijtë nuk janë të sigurtë”, thotë professor Nenad Zakošek.

Ndryshimet e kufijve kanë qenë prej kohësh një temë tabu në Ballkan, megjithëse dëgjoheshin herë pas here zëra të shkëputur. Por tani politikanë të caktuar në Ballkan, kërcënojnë hapur me ndarje ose bashkim me vendin amë. Eksperti i fondacionit “Carnegie Europe” me seli në Bruksel, Stefan Lehne shikon në këto zhvillime influencimin e ndryshimeve politike botërore. “Zgjedhja e Donald Trump dhe krizat e shumta të BE-së kanë sjellë shumë pasiguri në Ballkan, por tek disa kanë zgjuar shpresë, se mund të ripërtërihen rishtazi çështjet nacionaliste të quajtura të humbura.”

Tërheqje e amerikanëve nga Ballkani?

Por një epokë e re e gjeopolitikës mund të kthehet në rrezik lufte për Ballkanin, shprehet politologu Nenad Zakošek. „Nëse me presidentin Trump përjetojmë largimin e amerikanëve nga rajoni dhe BE është e preokupuar me veten, atëherë Ballkani i lihet vetes. Tendencat aktuale mund të forcohen edhe më shumë. Të mos harrojmë, se edhe aktorë të tjerë, si Rusia, një sistem autoritar, hyjnë në skenë, ata kërkojnë partnerë që iu përgjigjen preferencave të tyre. Ka në nivel lokal forca që nuk druhen të ndryshojnë me dhunë kufijtë, e nëse ato mbështeten nga jashtë me armë apo diplomaci, kjo mund të çojë në konflikte të armatosura në Ballkan. Kujtojmë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, apo në Bosnje-Hercegovinë, edhe këtu flitet për rrezik lufte.”

Eksperti Stefan Lehne nuk beson në tërheqjen e plotë të amerikanëve nga rajoni, por thekson se një riorganizim territorial për Ballkanin nuk do të jetë temë nën administratën Trump. „Ata kanë halle të tjera. Një politikë e ndryshimit të kufijve kërkon një angazhim intensiv të jashtëzakonshëm, e këtë nuk e pres tani”, thotë Stefan Lehne.

Rreziku më i madh, mendon Stefan Lehne, qëndron në rrezikun e shkallëzimit të spirales së provokimit e kundërprovokimit. „Prandaj politikanët e mençur, partitë, shoqëria civile duhet të dënojnë menjëherë zhvillime të tilla. Ata kanë shumicën e popullit me vete. Tani madje do të ishte koha më e mirë për të bërë hapa të rinj në drejtim të pajtimit e mirëkuptimit në Ballkan.”

Por në rajon e dinë shumë mirë, se që të hidhen këto hapa, Ballkani ende ka nevojë që ta marrë për dore si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja.

Ushtria e Kosovës nuk bëhet pa votat e pakicave

tmkNdërtimi i institucionit të Forcave të Armatosura të Kosovës është përgjegjësi e madhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe për zyrtarët e lartë shtetëror, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas tyre, mosgatishmëria e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës që të votojnë për ndryshimet kushtetuese që do të çonin drejt transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të vendit, është për keqardhje.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se vet Kushtetuta e Kosovës, e cila deputetëve të komunitetit pakicë serbë u jep të drejtën e votës së dyfishët, pa të cilën nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, është sajuar në koordinim dhe në kooperim me faktorin ndërkombëtar.

Nisur nga kjo, sipas tij, zgjidhja për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, duhet gjetur në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

“Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërmarrim ndonjë vendim apo vendim unilateral, por gjithsesi veprimet tona duhet t’i koordinojmë me faktorin ndërkombëtar dhe kur është gjetur së bashku me ta zgjidhje për shumë probleme të natyrave të ndryshme, besoj që do të gjejmë zgjidhje edhe në situatën e tillë që jemi, respektivisht edhe për çështjen që ka të bëjë me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq nga radhët e Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore të vendit, ka thënë për mediet serbe se ky subjekt politik mbetet pranë qëndrimit të saj që të mos votojë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Qëndrimi ynë për këtë nuk ka ndryshuar dhe e gjithë kjo dëshirë që kjo të bëhet, duket se buron para së gjithash nga arsyeja populliste e politikës ditore dhe se për këtë nuk ekziston nevoja serioze. Nuk ekziston as argumentim serioz i paraqitur se pse duhet të ndodhë kjo”, ka thënë Stojanoviq.

Por, ministri Demolli thekson se edhe sipas Dokumentit të Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, çështja e sigurisë kurdo qoftë duhet të kalojë në duart e autoriteteve vendore, përfshirë edhe çështjen e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit.

“Nisur edhe nga rishqyrtimi i Strategjisë së sektorit të sigurisë, i cili është bërë së bashku me faktorin ndërkombëtar, prej nga del edhe një prej rekomandimeve kryesore, e që është transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova patjetër duhet t’i ketë forcat e veta të armatosura”.

“Mirëpo, në këtë situatë, në të cilën kemi ardhur, me njëfarë mosgatishmërie të deputetëve të komunitetit serb, unë besoj që duhet ta zgjidhim këtë situatë apo se do të dalim nga kjo situatë në koordinim dhe në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar”.

Ndryshe, duke u nisur nga mosgatishmëria e deputetëve të Listës Serbe që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme, ka pasur zëra që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të bëhet përmes një ligji të veçantë.

Por, një mundësi të tillë e hedh poshtë Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, me transformimin e FSK-së, do të ndryshonte edhe mandati i saj.

Mandati i Forcave të Armatosura të Kosovës, siç thotë ai, do ta ishte mandat i një ushtrie dhe do të konsistonte në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, qytetarëve pa dallim, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe do të ishte mandat i ushtrisë së Kosovës për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në planin global, e që do të ishte krejtësisht tjetër nga mandati që tash e ka FSK-ja.

“Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, sipas Kushtetutës në fuqi, nuk mund të bëhet pa shumicën e dyfishtë të dy të tretave, që nënkupton edhe dy të tretat (e përfaqësuesve) të komuniteteve jo shumicë”.

“Transformimi iFSK-së përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së sotshme dhe amendamenteve që kanë kaluar kontrollin kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së. Mandati i çdo ushtrie përcaktohet me kushtetutë dhe jo me ligj”, thotë Hasani.

Zyrtarët e NATO-s kanë theksuar se NATO e mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, kurse transformimi i saj mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës. (REL)

SHBA thirrje Maqedonisë të krijojë pa vonesë qeverinë

State departamentShtetet e Bashkuara u bënë thirrje të martën udhëheqësve të Maqedonisë të formojnë pa humbur kohë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Qeveria e re, shprehet përmes një deklarate zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës politike, që ka dëmtuar rëndë përparimet ekonomike dhe demokratike të vendit, si dhe integrimin Euro-Atlantik.

Uashingtoni u bën thirrje gjithë partive të vënë në radhë të parë interesat e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja e Përzhinës.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, po ndjekin nga afër procesin e formimit të qeverisë së re, thekson zëdhënësi i Demartamentit të Shtetit.

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Zoran Zaev, i dorëzoi dje presidentit Gjeorgje Ivanov listën me numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, pas dështimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, që ndonëse fitoi në zgjedhje, nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës.

Zoti Zaev, është në pritje të marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti Ivanov, kabineti i të cilit tha të hënën se presidenti pritet të marrë një vendim së shpejti në se do t’ia japë apo jo mandatin zotit Zaev. Presidenti Ivanov ka thënë më parë se partia që pretedon të formojë qeverinë, përveç sigurimit të 61 deputetëve, duhet të dorëzojë edhe programin përmes të cilit të garantojë ruajtjen e sistemit unitar të shtetit.

Fati i qeverisë së ardhshme në Maqedoni është në duart e partive shqiptare, nga të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament. Përmes një qëndrimi të përbashkët, 3 parti shqiptare kanë paraqitur një sërë kushtesh për të mbështetur koalicion qeverisë, ku kryesorja është avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim bënë të ditur se qëndrimet e tyre ishin përafruar, por marrëveshja nuk është bërë ende e ditur.

Negociatat mes tyre pritet të vazhdojnë pas dhënies së mandatit nga presidenti. BDI ende nuk e ka shprehur të qartë qëndrimin e saj në se do të jetë pjesë e qeverisë, apo vetëm do të japë mbështetjen për krijimin e saj, por pa u bërë pjesë e bashkë-qeverisjes, duke e lënë partinë social demorkate si një qeveri të pakicës.

Përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndërkohë kanë filluar prej dy ditësh protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. (voa)

Prokuroria e Posaçme në Maqedoni zgjeron hetimet

Prokuroria e posacmeProkuroria e Posaçme e Maqedonisë ka zgjeruar hetimet mbi rastin e njohur si “Titanik” ku akuzohen ish-zyrtarë të lartë qeveritarë për manipulime zgjedhore.

Prokurorja e Posaçme, Katica Janeva u tha të martën mjeteve të informimit se 17 persona janë të dyshuar, disa prej të cilëve ngarkohen me vepra të reja penale. Ajo nuk bëri të ditur identitetin e të akuzuarve të rinjë. Të dyshuarit akuzohen për shkaktimin e parregullsive dhe manipulimeve në zgjedhjet e viti 2011.

Rasti buron nga materialet e përgjuara telefonike të cilat Lidhja Social Demokrate ia ka dorëzuar kësaj prokurorie. Partia e zbuloi skandalin e përgjimeve në masë në fillim të vitit 2014 që shkaktoi thellimin e krizës politike në vend. Si rezultat, u formua Prokuroria e Posaçme, me pëlqimin e katër partive më të mëdha dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Por, prokuroria jo një herë është ankuar se po hasë në pengesa të shumta dhe në mungesë bashkëpunimi nga një sërë institucionesh shtetërore. Para pak ditësh, kryeprokurorja speciale Katica Janeva dhe kolegia e saj Fatime Fetai u ndëshkuan me nga 2.000 euro nga një gjykatë themelore e Shkupit, “për shkak të sjelljes joprofesionale” në një seancë ku po dëgjohej ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Prokuroria e Posaçme ka hapur po të martën edhe një rast të ri të quajtur “Trust”. Këtu akuzohen kompanitë “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” për fitimin e tenderave me anë të dokumentave të falsifikuara. Shuma e këtyre tenderave arrinte shifrën prej 17,2 milionë euro. Prokuroria e Posaçme tha se do të kërkojë masën e arrestit për dy prej tre të akuzuarve.

Pronarët e dy prej firmave të lartpërmendura janë ose kanë lidhje të ngushta familjare me pronarët e televizioneve Sitel dhe Nova, të njohur për qëndrimet e tyre pro qeverisë. (voa)

Shtohen rastet e kancerit të zorrës së trashë mes të rinjve

DemenciaSipas një studimi, amerikanët e lindur në vitin 1990 janë 2 herë më shumë në rrezik të preken nga kanceri i zorrës së trashë (kolorektal) dhe katër herë më në rrezik, se sa ata që kanë lindur rreth viteve 1950.

Studimi gjeti se kanceri i zorrës së trashë është më shumë në rritje veçanërisht mes rinjve, ndërsa mes personave nën 55 vjeç, 30 për qind e tyre diagnostikohen me këtë lloj kanceri.

“Këto prirje mes të rinjve përbëjnë një parashikim për barrën e sëmundjes në të ardhmen,” thotë Rebecca Siegel e Shoqatës Amerikane të Kancerit, dhe autore kryesore e studimit të botuar në revistën e Institutit Kombëtar të Kancerit.
Dr. Siegel thotë se “konstatimi se rreziku nga kanceri i zorrës së trashë për këtë mijëvjeçar ka arritur nivelin e rezikut të atyre të lindur në fund të viteve 1800, është shumë shqetësues. Fushata ndërgjegjësimi janë të nevojshme mes mjekëve dhe publikut të gjerë në lidhje me këtë rritje, dhe mund të ndihmojnë në uljen e vonesave për diagnostikim tek të rinjtë, por edhe për të nxitur përdorimin e ushqimeve të shëndetshme dhe të jetesës më aktive në përpjekje për të ndalur këtë prirje.”

Studiuesit vërejnë se rastet e kancerit të zorrës së trashë kanë qenë në rënie që nga viti 1980, ndërsa në dekadën e fundit pësuan rënie edhe më të madhe, kryesisht falë analizave dhe kontrolleve parandaluese mjekësore.
Por shkencëtarët donin të gjenin pse disa studime kanë treguar një rritje të rasteve të këtij kanceri mes njerëzve nën moshën 50-vjeçare. Për studimin e tyre, u shqyrtuan rastet e kancerit kolorektal mes personave mbi 20 vjeç nga viti 1974 deri në vitin 2013.

Të dhënat treguan se rastet e kancerit të zorrës së trashë, fillimisht ranë pas vitit 1974, por pastaj u shtuan me një ose dy për qind nga mesi i viteve 1980 deri në vitin 2013 me personave të moshës 20 deri 39 vjeç. Për njerëzit e moshës 40 deri në 54 vjeç, ky lloj kanceri u rrit 0.5 për qind dhe 1 për qind nga mesi i viteve 1990 deri 2013.

Për kancerin e zorrës së trashë, rritjet ishin më të mëdha, me rreth 3 për qind në vit nga viti 1974 deri në 2013 tek personat e moshës 20 deri 29 vjeç. Për të rriturit mes moshës 30 dhe 39 vjeç, ka pasur një rritje të ngjashme nga viti 1980 deri në vitin 2013. Për të rriturit mes moshës 40 dhe 54 vjeç, rastet e kancerit kolekteral u rritën 2 për qind nga viti 1990 deri 2013.

Studimi thotë se rastet e kancerit të zorrës së trashë për personat mbi 55 vjeç kanë qenë në rënie për rreth 40 vjet. (voa)

Loja për telefona celularë dhe demencia

DemenciaNjë lojë për telefona celularë mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si humbim kujtesën pas një farë moshe dhe nga sëmundje të ndryshme. Me të dhëna të mbledhura deri tani nga dy milionë e gjysmë lojtarë studiuesit thonë se ata mund të jenë më afër gjetjes së një analize diagnostikuese për Alcaimerin dhe forma të tjera të demencës. Demenca është humbje e aftësisë për të menduar dhe si rrjedhim e pengon njeriun në veprimtaritë e përditëshme.

Nëse luani një lojë në telefon me anije, ishuj dhe akullnaja, do të ndihmoni neurologët të studiojnë humbjen e kujtesës.

“Është e rëndësishme se është simptoma e parë e raportuar nga pacientët me Alcaimer, kur thonë ‘nuk e di por humba – humba sensin e orientimit”.

Hugo Spiers në “University College London” dhe kolegët e tij krijuan lojën për të analizuar se mirë arrijnë të orientohen lojtarët.

“Ata duhet të shkojnë nga një pikënisje poshtë një lumi, të marrin një pistoletë sinjalizuese dhe të qëllojnë me të në drejtimin nga ku u nisën. Pra duhet të kenë një lloj orientimi, se nga erdhën” shpjegon zoti Spiers.

Loja quhet “Sea Hero Quest”. Kompania “Glitchers” e krijoi atë duke marrë parasysh historinë e përbashkët të familjeve të pacientëve me demencë, thotë drejtori teknik Hugo Scott-Slade.

“Në lojë, komandon një anije për të mbledhur kujtimet për babain tënd. Përshkon itinerarin e tij, në kërkim të kujtimeve të humbura”.

Hulumtuesit thonë se do të ishin dashur 10 mijë vjet për të mbledhur një sasi të tillë të dhënash në laborator, por kjo u arrit shpejt nga miliona lojtarë.

Duke përdorur informacion që lojtarët japin për veten e tyre, studiuesit kanë mësuar se njerëzit fillojnë të humbasin aftësitë për t’u orientuar në moshë të re.

“E shohim atë që nga një moshë e re. Nga 19 deri në 20, 21 e tutje, shohim një degradim të ngadaltë”.

Ata shpresojnë se loja një ditë mund të ndihmojë për të diagnostikuar demencën duke krahasuar rezultatin e një pacienti me ato të miliona lojtarëve të tjerë. (voa)

SpaceX gati për fluturimin në Hënë

Space xKompania SpaceX thotë se në vitin 2018 do të çojë në një udhëtim orbital në Hënë dy klientë të saj, kundrejt një pagese.

Themeluesi i kompanisë, Elon Musk, i tha gazetarëve se anija e hapësirës Dragon Two do t’i çojë dy turistët në një udhëtim të gjatë rreth Hënës, gjatë të cilit ata do të përshkruajë distancën prej rreth 650 mijë kilometrash. Nuk është bërë i njohur idetiteti i turistëve dhe as çmimi i biletës së tyre të udhëtimit në hapësirë.

 Anija Dragon Two do të jetë tërësisht automatike, prandaj ekipi i udhëtarëve nuk do të jetë e nevojshme ta drejtojë atë. Megjithatë, Elon Tusk thotë se dy turistët do t’i nënshtrohen një trajnimi intensiv para fluturimit.

Në se do të jetë i suksesshëm, fluturimi drejt Hënës do të jetë misioni i parë me njerëz që shkon atje, pas atij Apollo 17 të vitit 1972.

SpaceX është njëra prej dy kompanive private, kontraktore të Agjencisë së Hapësirës, NASA, që çojnë furnizime dhe në të ardhmen edhe astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Musk thotë se udhëtimi i parë i turistëve drejt hënës do të realizohet nga mesi i viti 2018. (voa)

Shqiptarë, Atdheu mbi të gjitha!

Pak ringjallje ndjenjash me edukim dhe arsimim të karakterit kombëtar:

E thashë një fjalë shqip – Atdhe,
shqiptova një ideal – Komb,
Kujtova një emër – Shekspir,
Lypa penën e tij,
për të përshkruar jetëshkrimin
tragjik të popullit tim.
Të lashtë sa vet Ballkani.
Të ndodhur aty,
Para botës greke,
Pushtimeve Romake,
Dyndjeve sllave,
që mbijeton robërinë
dhe ende frymon për të gjallëruar
Atëhere:
vetes, i thirra veç një emër,
Shqiptar.
Nxjerë nga Libri i Bardhë, fq.2, Prishtinë, 1992