Zaev zbulon platformën e LSDM në negociatat me partitë shqiptare

zaevLideri i LSDM-së, Zoran Zaev në takimin me ambasadorin francez Kristian Timonie ka zbuluar detajet e platformës së partisë së tyre në negociatat me partitë shqiptare, sidomos BDI.

“Themeli i platformës së LSDM-së janë raportet e Pribes dhe të komisionit Europian. Qytetarët zgjedhën jetë kualitative, drejtësi, barazi dhe qeveria e re është e detyrueshme të zbatojë këto reforma, dhe në hijen e demokracisë të kthejë pavarsinë e institucioneve”, ka theksuar Zaev,I cili ka shtuar se me rëndësi është që të formohet Qeveria e re.

Ai shtoi se vullneti i shumicës së qytetarëve është ndryshim në ardhmërinë euro-atlantike të shtetit dhe se platforma e LSDM-së është krijuar në bazë të këtyre synimeve. (ina)

SHBA, komentet e presidentit Trump për Putinin ngrejnë shqetësime

TrumpGrupet e të drejtave të njeriut, një numër ligjvënësish amerikanë, disa gjeneralë në pension dhe ish-ambasadorë thonë se janë të shqetësuar në lidhje me mbrojtjen që Presidenti Trump i ka bërë presidentit rus Vladimir Putin.

Në një intervistë të transmetuar të dielën në kanalin televiziv Fox para fillimit të ndeshjes së Superbollit, presidenti Trump ritheksoi respektin e tij për Putinin. Kur gazetari Bill O’Reilly e sfidoi zotin Trump, duke e quajtur presidentin rus “vrasës”, Trump u përgjigj duke thënë: “Ne kemi shumë vrasës. Çfarë mendoni ju? Vendi ynë është aq i pafajshëm?”

Kremlini i ka bërë thirrje kanalit Fox që të kërkojë falje për atë që e quajti koment “të papranueshëm dhe fyes”. Gazetari O’Reilly të hënën në mbrëmje gjatë emisionit të tij televiziv, e hodhi poshtë ankesën e Kremlinit, duke thënë se Rusia mund të “më pyesë mua (për këtë çështje) rreth vitit 2023.”

Të martën, Presidenti Trump, deklaroi në Twitter se ai nuk e njeh presidentin rus Putin dhe nuk ka asnjë marrëveshje biznesi në Rusi.

Donald Trump nuk pranoi të thoshte asgjë negative për Putinin, gjatë fushatës së tij zgjedhore, dhe në mënyrë të përsëritur u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me presidentin rus, duke thënë se marrëdhëniet e mira me Putinin dhe udhëheqësit e tjerë të botës do të ishin një aset e jo një humbje për Amerikën.

Bashkë-drejtorja për Shtetet e Bashkuara e organizatës Human Rights Watch, Maria McFarland, i tha Zërit të Amerikës të hënën se është e shqetësuar nga komentet presidentit Trump për Rusinë.

“Është një deklaratë e çuditshme në shumë fronte. Por në fund të fundit zoti Trump vazhdimisht ka minimizuar historinë e tmerrshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga qeveria ruse. Ne jemi duke parë në vitet e fundit një goditje reale ndaj lirisë së shprehjes, kritikëve dhe grupeve të shoqërisë civile në Rusi. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë një Rusi e cila është përfshirë në krime të luftës në Siri.”

McFarland shtoi se “këto janë mizori të tmerrshme. Shtetet e Bashkuara duhet të flasin kundër tyre, dhe presidenti Trump nuk duhet të bëjë shaka rreth këtyre veprimeve ose t’i minimizojë ato. Në të njëjtën kohë, është shqetësuese që Trump në disa raste ka shprehur admirim për Putinin, dhe ai vetë është i angazhuar në sulmet ndaj mediave dhe ka bërë disa deklarata shumë agresive edhe për gjykatat në Shtetet e Bashkuara, që kanë ngritur dyshime në lidhje me angazhimin e tij ndaj proceseve demokratike dhe llogaridhënies”.

Gjatë një interviste për programin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS News, Nënpresidenti Mike Pence hodhi poshtë idenë se Trump po krahasonte Shtetet e Bashkuara me Rusinë.

“Unë thjesht nuk e pranojë idenë se ka pasur një ekuivalencë morale në komentet e presidentit.”

I pyetur në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN në lidhje me komentet e presidentit Trump, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se ai nuk donte të analizonte “çdo shprehje” të presidentit Trump. Por ai vuri në dukje se Putini është një ish-agjent i KGB-së, dhe e quajti atë një “bandit”.

Senatori McConnell tha se: “Ne në asnjë mënyrë nuk veprojmë siç bëjnë rusët.”

Ligjvënës të tjerë republikanë dhe demokratë kanë kritikuar ashpër presidentin Trump për komentet e tij në të cilat ai sugjeronte se Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu “vrasës”.

Senatorja republikane Susan Collins i tha Zërit të Amerikës se “thjesht nuk ka ekuivalencë morale. Dhe sugjerimi se një gjë e tillë ekziston, është një keqtrajtim i historisë së vendit tonë dhe mënyrës se si ne veprojmë.”

Senatori demokrat Bob Casey i tha Zërit të Amerikës se “kjo ishte një deklaratë skandaloze e presidentit. Unë kam qenë shumë kritik dhe do të vazhdoj të jem kritik ndaj tij. Shpresoj se presidenti do t’i rishikojë komentet e tij.”

Senatorja demokrate Dianne Feinstein ndau të njëjtin mendim në komentet që bëri për Zërin e Amerikës, duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend shumë më i ndryshëm se sa Rusia. Ne nuk jemi vend i autokratëve. Ne nuk jemi vend i një despoti. Ne jemi një demokraci e lirë, shumë e ndryshme nga Rusia.”

Gjenerali në pension, Barry McCaffrey reagoi ndaj komenteve të presidentit Trump në kanalin MSNBC.

“Mund të thuhet se kjo është deklarata më anti-amerikane e bërë ndonjëherë nga një president i Shteteve të Bashkuara – ngatërrimi i vlerave amerikane me Putinin, i cili po drejton një oligarki kriminale.”

Disa ekspertë amerikanë dhe rusë theksojnë se nën sundimin e Putinit, disa udhëheqës të opozitës dhe gazetarë që kanë kritikuar autoritetet janë vrarë, përfshirë edhe kreun e opozitës, Boris Nemtsov. Udhëheqësi opozitar rus, Vladimir Kara-Murza është shtruar në spital që nga java e kaluar, dhe të hënën mjekët konstatuan se ai ishte helmuar. Ai i mbijetoi një helmimi tjetër dy vjet më parë.

Michael McFaul ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi nga viti 2012 deri në vitin 2014. Në një artikull për gazetën Washington Post ai shkruan se nuk e di pse presidenti Trump vazhdon të mbrojë Putinin, duke thënë se një interpretim i mundshëm është se ai thjesht dëshiron të kultivojë marrëdhënie më të mira me Moskën.

McFaul thotë se një interpretim më shqetësues do të ishte nëse Trump në fakt admiron politikat dhe idetë e Putinit në trajtimin e disidentëve dhe shtypit. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka shprehur admirim për Putinin, duke thënë se të paktën ai është një udhëheqës i fortë, jo si presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama. Ambasador McFaul thotë se institucionet demokratike të Shteteve të Bashkuara janë shumë më të fuqishme se sa institucione të ngjashme në Rusi, por ai u bëri thirrje amerikanëve që të mos jenë indiferent dhe t’i bëjnë rezistencë çdo hapi të vogël drejt autokracisë. (voa)

Emërohen gjykatësit e Gjykatës së Posaçme për Kosovën

GjykataShefja e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, emëroi të martën, nëntëmbëdhjetë gjykatës ndërkombëtarë, që do të veprojnë në kuadër të Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë.

Në një komunikatë të gjykatës thuhet se ata “do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e saj vetëm me kërkesë të kryetarit, për ushtrimin e detyrave”.

Kryetarja e gjykatës Ekaterina Trendafilova, citohet të ketë thënë se “hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare të cilën unë do ta thërras së shpejti, dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”.

Sipas kumtesës nënkryetar i gjykatës është emëruar Keith Raynor nga Britania e Madhe, ndërkohë që gjykatësit janë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania,Franca, Holanda, Irlanda, Noregjia, Italia, Belgjika, Çekia e Estonia.

Në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Holanda ratifikoi marrëveshjen për të qenë mikpritëse e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë e cila hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Gjykata është e vendosur në Hagë, qytetin që është mikpritës edhe i tri gjykatave ndërkombëtare përfshirë edhe atë për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë, Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme e vrasjesh pa gjyq.

Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë serbë, romë e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me supozimin për “trafikim organesh”, zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit 2015, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme , e cila me emrin dhomat e posaçme do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendosja e gjykatës në Hagën është thënë se është bërë për faktin se dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet se kur mund të hapen akuzat e para por, zyrtarë të afërt me gjykatën pohojnë se kjo mund të ndodhë në pranverë. (voa)

A po përzihet Rusia në punët e brendshme të Gjermanisë?

Shërbimet sekrete gjermane nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi për përpjekjet e Rusisë për të influencuar opinionin gjerman, shkruan gazeta Süddeutsche Zeitung. Raporti nuk është prezantuar publikisht.

Merkel PutinNë janar të vitit të kaluar, 13-vjeçarja Lisa F. u zhduk në Berlin, por u gjet papritur një ditë më pas. Gjermania e re me origjinë ruse më pas i tregoi policisë një rrëfim – që më vonë u konstatua si i rremë – për rrëmbimin e saj nga tre meshkuj që “në pamje dukeshin si jugorë”, që nënkptonte origjinën e tyre nga vendet arabe. Policia verifikoi të dhënat nga telefoni i saj dhe konstatoi, se rrëfimi ishte i rremë dhe se Lisa F. e kish kaluar me dëshirën e vet natën tek një 19-vjeçar.

Ivan Blagoj, gazetar i televizionit rus shtetëror “Prvi kanal”, ishte i pari që e bëri publik versionin e vajzës dhe gjoja dhunimin e saj nga arabët. Pasuan demonstratat e rreth 700 gjermanëve me origjinë ruse para selisë së kancelares në Berlin. Më pas ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov i përsëriti akuzat e dëgjuara në këtë rrëfim dhe akuzoi institucionet gjermane për fshehjen e këtij rasti.

„Kursi i konfrontimit”

Rasti i Lisa F. është vetëm një nga shembujt e shumtë të informacioneve të shtrembëruara, ndaj disa politikanë gjermanë kanë filluar të flasin për përzierjen e Kremlinit në politikën e brendshme gjermane dhe për krijimin e një atmosfere kundër autoriteteve gjermane, në veçanti kundër kancelares Angela Merkel, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si totalisht të dështuar. Këto deklarata janë bazuar edhe tek pohimet amerikane për përzierjen e Rusisë në fushatën elektorale dhe ndihmën e fitores së Trumpit në zgjedhje. Në Gjermani është shfaqur frika, se Rusia po përhap qëllimisht informacione të rreme dhe me sulme të hakerëve ndaj organizatave politike dhe partive duke u përpjekur të influencojë zhvillimet në këtë vend. Kjo fiton peshë veçanërisht kur dihet se në shtator në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.

Por për këtë nuk ekziston asnjë dëshmi konkrete, konstatojnë gazetarët e mediave Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR. Në tavolinën e ministrit pranë kabinetit të kancelares, Peter Altmeier, që nga vjeshta e kaluar ekziston një raport 50 faqesh, ku thuhet se nuk ka të dhëna konkrete për përzierjen e Kremlinit në këto punë. Raporti nuk është prezantuar publikisht.

„Shtrohet pyetja: a kanë lidhje autoritetet ruse me këto ngjarje? Apo autoritetet gjermane nuk kanë mundur t’i dëshmojnë manipulimet sistematike ruse?”, shkruan gazeta.

Në analizat e shërbimeve sekrete gjermane thuhet se Kremlini prej vitit 2014 është në “kursin e konfrontimeve” me Perëndimin. Por aktivitetet ruse i kanë organizuar personat jashtë shërbimeve dhe jo shërbimet sekrete ruse. Por të gjithë ata së bashku ende nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në cënimin e interesave gjermane. Puna në zbardhjen e deklarimeve të tilla do të vazhdojë.

Dëshmia e vetme – influenca përmes mediave shtetërore

Ngjashëm është edhe me raste të tjera. Për shembull, në shkurt të vitit të kaluar, shumë gjermanë me origjinë ruse kanë marrë këtë mesazh përmes WhatsApp: „Myslimanët janë duke u përgatitur që me 14 shkurt të bëjnë një xhihad seksi”. Janë planifikuar gjoja dhunime masive nëpër Gjermani. Mendohet se qëllimi i këtij aksioni ishte rezistenca masive ndaj refugjatëve, por shërbimet mendojnë se një aksion i tillë është tepër banal për të fajësuar Kremlinin. Shërbimet gjermane nuk kanë ende të dhëna as për financimin e populistëve të partisë radikale të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) nga Rusia. Nuk janë konfirmuar as pohimet për sulmet e hakerëve ndaj organizatave gjermane, ndër to edhe ndaj Bundestagut.

Ajo që deri tani është dëshmuar është se mediat shtetërore ruse, si RT dhe Sputnjik, të cilat raportojnë edhe në gjermanisht, raportojnë në frymën e së keqes. Gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan se niveli i tyre profesional, thënë me eufemizëm, është “kontestues”. (dw)

Kartat e kreditit për studentët e huaj

Master CardMe më shumë se një milion studentë të huaj që ndjekin studimet në universitetet amerikane, një nga sfidat me të cilat përballen ata është marrja e miratimit për një kartë krediti. Bankat zakonisht i miratojnë kërkesat për karta krediti bazuar në historinë e kredisë së një personi – diçka që mund të jetë e vështirë për një student të huaj. Por tani ka huadhënës që vlerësojnë studentët e huaj duke përdorur matës të tjerë për të pëcaktuar aftësinë paguese të tyre.

Pasi u largua nga Pekini për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, Jack Guo mësoi sit ë përshtat në një mjedis anglisht-folës, sit ë orientohet në qytet, dhe një mënyrë të re për të menaxhuar paratë. Kjo do të thotë sigurimi i një karte krediti.

“Shumë nga miqtë e mi kanë karta tashmë pasi janë shumë të nevojshme në jetën e përditshme në Los Anxheles. Gjithashtu në se kërkon të qëndrosh këtu më pas për një punë, një praktikë, për karrierë, sigurisht do të shqyrtosh mundësinë e blerjes së një shtëpie për të jetuar këtu dhe historia e kredisë është e rëndësishme për të siguruar një hua.”

Ndryshe nga shumë shoqëri që përdorin pare-kesh, në Shtetet e Bashkuara përdoren gjerësisht kartat e kreditit, veçanërisht me përhapjen e blerjeve online kur përdoruesit me një kartë krediti dhe një telefon mund të blejnë gjithshka.

Po marrja e një karte kredie si student i huaj nuk është e lehtë. Huadhënësit tradicionalë amerikanë kërkojnë numrin e sigurimit social për aplikantët dhe shohin historinë e tyre të kreditit… elementë që shumë nga studentët ndërkombëtarë nuk i kanë.

“Sistemi tradicional u hartua në shekullin e 20 para internetit, para telefonave inteligjentë, para medias sociale, kështu që është i vjetëruar. Ne po hartojmë një sistem të ri.”

Kalpesh Kapadia, ish student nga India, është bashkë-themelues i SelfScore, një kompani që jep karta krediti për studentët e huaj.

“Atyre u është dashur të provojnë se arrijnë ta përballojnë koston e studimeve, por kur vijnë këtu, sistemi tradicional i kredisë i trajton sikur të mos kenë ekzistuar kurrë”.

Me seli në Silicon Valley, SelfScore sheh të dhëna të tjera për të përcaktuar besueshmërinë e një personi për të paguar kredinë.

“Të gjithë kanë telefona inteligjentë. Të gjithë janë të pranishëm në median sociale. Ne i shohim këta njerëz përmes shumë filtrave të shoqërisë.”

SelfScore sheh dokumentat e paraqitura nga aplikanti, përfshi pranimin në shkollë, pasaportën, vizën dhe mundësinë për të paguar. Zoti Kapadia thotë se më pak se 1 për qind e 10,000 përdoruesve të kartës së kredisë SelfScore janë me vonesë në pagesa.
“Kjo është një popullatë shumë e motivuar. Dikush që vjen këtu nga një vend tjetëri largët për të përmirësuar jetën përmes edukimit, do të sillet shumë ndryshe.”

15 deri 20 për qind që nuk paguajnë balancën totale mujore kanë një kamatë të lartë – rreth 19 për qind. Pagesat në kohë mund t’i ndihmojnë ata të marrin hua për blerje më të mëdha në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, si për një makinë apo shtëpi.
“Një nga përfitimet, shpresoj është të ndërtosh një histori kredie, që është e rëndësishme për të marr një hua nga banka.”

Deri tani, studentët nga më shumë se 66 vende që ndjekin studimet në 400 kolegje në Shtetet e Bashkuara kanë një kartë krediti nga SelfScore. (voa)

Trajtimi i artritit reumatik

artritit reumatikArtriti reumatik është një sëmundje e sistemit imunitar, në të cilën trupi sulmon kyçet e veta, duke rezultuar në dhimbje të padurueshme, ënjtje dhe vështirësi në lëvizje. Sëmundja ka prekur miliona njerëz në mbarë botën, por diagnostikimi i hershëm mund t’i lejojë mjekët të ngadalësojnë ose të ndalin përparimin e sëmundjes.

Sue Arnott vuan nga artriti reumatik. Simptomat e saj të para filluan kur ajo ishte vetëm 22 vjeç.

“Filloi një natë. Kur shkova të flija isha mirë, por u zgjova natën duke qarë sepse më dhimbnin shumë kyçet e duarve” thotë ajo.

Që atëherë, Sue ka bërë katër operacione për proteza në gju dhe operacione të shumta për duart dhe këmbët.

Por mostrat e indeve si këto, të marra nga një grua që vuan nga simptomat e hershme të artritit reumatik mund të lejojnë studiuesit të parandalojnë përparimin e sëmundjes.

“Shikohet mostra e marrë, histologjia, mikrobiologjia, grafitë, dhe analizohen të gjitha karakteristikat, siç bëhet me kancerin e gjirit. Pastaj trajtimi i përshtatet llojit të kancerit. Kështu bëhet edhe me artritin reumatik” thotë Chris Buckley, i spitalit “Queen Elizabeth”.

Haley Rose është pjesë e një brezi të ri pacientësh me artrit. Ajo u diagnostikua në moshën 24 vjeçare.

Edhe nëna e saj ishte prekur, por për shkak të ndërhyrjes së hershme, Haley po e lufton me trajtim agresiv.

“E di se jam nën kontroll tani, kështu që sapo shoh të ënjtura, mund të vij dhe të marr trajtim. Problemi me nënën është se ajo nuk u trajtua herët e ashtu siç duhej, prandaj shumica e dëmit ndodhi në fillimet e sëmundjes,” thotë Haley.

Ata që ndjekin hulumtimet rreth ndërhyrjes së hershme thonë se parandalimi mund të jetë mënyra më e mirë për të ndaluar efektet shkatërruese.

“Është një sëmundje e cila ka qenë e pamundur të kurohej pas shumë e shumë dekadash hulumtimi. Mendoj se shërimi i pacientëve me artrit reumatik është synimi i shumë studiuesve, por deri tani ka qenë e pamundur. Përpjekjet për të parandaluar sëmundjen janë një tjetër strategji për trajtimin e saj.” thotë profesor Karim Raza. (voa)

Ekskluzive / Kongresmeni Rohrabacher: Të ndahet Maqedonia!

Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher është një prej njerëzve më me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve. Si një ish-ndihmës i Presidentit Regan, zotit Rohrabacher i pëlqen që t’u jepet një shkundje politikave të brendshme dhe të jashtme. Ai e pret me entuziazëm kryerjen e një politikë të tillë edhe nga Presidenti i ri Trump.

Kamera e Vizion Plus ishte brenda në Kongresin amerikan, në zyrën e zotit Rohrabacher pak ditë pasi ai i dërgoi një letër Presidentit të Serbisë Nikoliç, në të cilën, kërkonte që të shqyrtohej mundësia e shkëmbimit të territoreve në veri të Kosovës, si zgjidhja më e mirë. Rohrabacher shkon edhe më tej: Le të ndryshojnë edhe kufijtë e Maqedonisë.

Dana Rohrabacher: E urrej ta them këtë, sepse kjo do të bëjë që të gjithë të tërbohen me mua, por pse jo dreqi ta hajë… Qëndrimi im është që Maqedonia nuk është një shtet. Më vjen keq por nuk është një shtet. Ata janë kaq të ndarë, sa kurrë nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë mirë së bashku. Prandaj, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të bëhet pjesë e Bullgarisë apo çfarëdo vendi tjetër me të cilët ata pretendojnë se kanë lidhje. Ideja që do ta mbajmë Maqedoninë gjallë sepse dikush, 30 vjet më parë vendosi që ky është konfigurimi që duhet të dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, nuk çon në një arsyetim që kjo ide të mbahet ende.

Por a do ta mbështesë administrata e Trump këtë ide?

Dana Rohrabacher: Unë kam ndikim në politikbërësit amerikanë tani. Jam kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve që merret me atë pjesë të botës. Ne do të kemi seanca dëgjimore në muajt në vijim. Një nga çështjet që do të diskutojmë është ndryshimi i kufijve në mënyrë që ata të kenë kuptim dhe të sjellin paqe në Ballkan.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve komenton edhe çështjen e pagesës për mbledhje fondesh për Partinë Demokrate në SHBA në vitin 2012.

Dana Rohrabacher: Disa njerëz po përpiqeshin të bënin disa gjëra që nuk ishin etike. Jam i lumtur që isha në gjendje që të paktën të tregoja. Nuk ka rëndësi se kush e bën këtë dhe cilës palë politike të Shqipërisë i përket. E rëndësishme është që këtu në SHBA nuk mund të kemi këtu njerëz që vijnë dhe luajnë ato lloj lojërash. Dhe ta bëjnë këtë të duket sikur janë amerikanë mbështetës të një partie politike apo një tjetre. Kjo thjesht nuk funksionon këtu.

Për sa i takon deklaratës së Ramës për Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, Rohrabacher shprehet se tashmë, kryeministri shqiptar duhet të pranojë faktin që Trump është President dhe të gjenden mënyrat se si dy vendet mund të bashkëpunojnë.

Dana Rohrabacher: Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë.

Ligjvënësi amerikan nuk ndjen rrezik rus në Ballkan, por mundësi zhvillimi për të gjithë, nëse mbyllën plagët e konflikteve të vjetra. Ndërsa shqiptarët, Rohrabacher e sheh si një urë lidhëse mes SHBA-së dhe botës myslimane.

(Saimir Sulaj / vizionplus)

Bie muri (që para dhjetorit nuk egzistonte), ngrihet Asociacioni

Muri MitroviceTë martën do të nisë zbatimi i projektit të ri nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, të cilat ditën e diel e rrënuan murin e ngritur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, urë kjo që lidh jugun dhe veriun e këtij qyteti.

Autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar “ndërtimin e një konstruksioni prej betoni, i lartë 70 centimetra dhe i gjerë 120 centimetra”, ndërkohë që zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë theksuar se zbatimi i projekti i ri është në pajtim me marrëveshjen ndërmjet institucioneve qendrore të vendit dhe atyre lokale të Mitrovicës së veriut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë të hënën se në Republikën e Kosovës më nuk do të ketë mure dhe projekti i ri është në përputhje me vendimet e institucioneve të Kosovës dhe me të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë.

“Do të ketë hapësira të gjelbëruara, në të cilat do të kenë kalim, që do të jetë në nivelin zero edhe për qytetarët, por në të njëjtën kohë edhe për makinat e emergjencës, ashtu siç janë në sheshin ‘Nënë Tereza’ (në Prishtinë). Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje. Në njërën pjesë është rreth 9 metra, për aq sa ka qenë afërsisht vet rruga kryesore. Ata që janë nga Mitrovica e dinë këtë. Le të jenë të sigurt dhe të mos bien pre e asnjë provokimi ose abuzimi, i cili është politik”, tha Veseli.

Ai shtoi se projekti do të jetë transparent për qytetarët duke u bërë thirrje atyre që të mos manipulohen nga askush. Thirrjet e Veselit për qytetarët kanë ardhur për shkak të kundërshtimeve që i ka shfaqur opozita ditën e hënë lidhur me këtë projekt, të cilin e kanë quajtur legalizim të një muri të ri, shkruan radio evropa e lirë, në mes të tjerash.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekti i ri është zbatim i marrëveshjes së arritur më 4 shkurt ndërmjet autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut dhe Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, konstruksioni i ri prej betoni do të jetë i larguar rreth 2 metra nga vendi ku ishte më parë muri që u rrënua.

“Ky konstruksion i ri prej betoni, në fakt, do të shërbejë që askush rastësisht, me qëllim apo me qëllim të keq, të mos mund të hyjë në asnjë mënyrë me automjet në zonën e këmbësorëve. Nesër do të nis zbatimi i asaj për të cilën jemi marrë vesh dhe asgjë më shumë se sa ajo për të cilën jemi marrë vesh më 4 shkurt””, tha Rakiq.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë reaguar ndaj paralajmërimeve për ndërtimin e konstruksionit të ri.

Driton Çaushi deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se e gjithë kjo që po ndodh ditëve të fundit, me rrënimin e murit dhe me projektin e ri në Mitrovicë të veriut, është vetëm manipulim me opinionin, për të mbuluar zhvillimet tjera.

“Me ose pa mur, në një marrëveshje të nënshkruar nga Edita Tahiri (ministre për dialog e qeverisë së Kosovës) qarkullimi i automjeteve në veri bëhet i pamundur për shkak të sheshit ‘Mbreti Petër’. E dyta, me siguri edhe më e rëndësishmja, është ‘Zajednica’ ose Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është synimi përfundimtar në kuadër të këtyre negociatave dhe i cili, gjithashtu, si synim është që të mbulohet me çështje tepër dytësore ose terciare në raport me rëndësinë që ka për sovranitetin e Kosovës, një projekt i tillë siç është ky i ‘Zajednicës’”,tha Çaushi.

Autoritetet e Kosovës patën reaguar ashpër pas ndërtimit të murit nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, duke thënë se një gjë e tillë nuk ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit për rikonstruktimin e urës kryesore mbi lumin Ibër. Madje, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute kishte kërkuar nga ekzekutivi që ta heq atë mur.

Heqja e murit ishte edhe kushti për zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën opozita vazhdon ta kundërshtojë.

Takim LSD-BDI për qeverisjen e ardhshme të Maqedonisë

Sekerinska TeutaZyrtarë të lartë të partive Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim u takuan të hënën në Shkup për të biseduar në lidhje me të ardhmen e qeverisë së re, që duhet të dalë bazuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Ky është takimi i parë i përfaqësuesve të dy partive, qëkur i mandatuari i parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë kabinetin qeveritar. Megjithatë, dy partitë ende duket se janë larg një marrëveshjeje, ndonëse takimi u cilësua si konstruktiv nga të dyja palët.

BDI-ja përfaqësohej nga tre nënkryetarët, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, të cilët janë kryetarë të komunave të Tetovës, Gostivarit e Çairit në Shkup. Ndërkaq, nga Lidhja Social Demokrate po ashtu ishte e pranishme nënkryetarja Radmilla Sheqerinska si dhe Renata Deskoska, Stevo Pendarovski dhe Oliver Spasovski. Takimi u mbajt në një prej hoteleve të Shkupit.

Teuta Arifi u tha mjeteve të informimit se kishin paraqitur kërkesat tashmë të njohura në bisedime, por pa njoftuar për hollësi të tjera. BDI-ja do të diskutojë me kryesinë e saj për veprimet e mëtejshme.

Ndërkaq, Radmilla Sheqerinska tha se ishte biseduar për atë se si të dilet nga kriza politike, të cilën po e imponon, sipas saj, presidenti i vendit Gjorgje Ivanov duke mos ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast LSDM-së. Ajo la të kuptohej se bisedimet me BDI-në do të vazhdojnë brenda ditëve të ardhëshme. Në lidhje me kërkesat e partive shqiptare, LSDM-ja do të mblidhet mbase qysh sonte, për t’i shqyrtuar apo për të marrë një qëndrim.

Partitë shqiptare hartuan një deklaratë të përbashkët pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me anë të së cilës kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet në të gjithë territorin e Maqedonisë, mbështetje për Prokurorinë e posaçme në hetimin dhe zbardhjen e rasteve që dalin nga skandali i përgjimeve dhe avancime të tjera të të drejtave të shqiptarëve në vend.

Nga ana tjetër, një pjesë e analistëve politikë vlerësojnë se qëndrimi i presidentit Ivanov përputhet me planet e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që nëse edhe BDI-ja nuk pranon koalicionin qeveritar me LSDM-në, të mbështesë zgjedhjet e sërishme parlamentare.

LSDM-së i duhen 61 nënshkrime të ligjvënësve për ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Ajo vetë ka 49. BDI-ja ka 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë. Njohësit e rrethanave thonë se ligjvënësit mund të mblidhen vetë, të zgjedhin kryetarin e Parlamentit dhe ta miratojnë kabinetin qeveritar, nëse presidenti Ivanov nuk e jep mandatin.

Sidoqoftë, një skenar i tillë do të thellonte edhe më tej krizën politike në vend. (voa)

Ndërhyrjet e paligjshme plastike në Shqipëri

operacion plastikTë nxitura nga presioni për t’u dukur mirë në median sociale, vajzat e reja shqiptare po joshen nga çmimet e ulta në sallonet e bukurisë për të bërë operacione plastike, pa kontroll mjekësor dhe në një vakum ligjor, duke alarmuar mjekë të specializuar për operacione plastike.

Emira Sela nuk është e kënaqur nga deformimi i shkaktuar si rezultat i një trajtimi kozmetik të pakontrolluar.

31 vjeçarja filloi të shqetësohej kur filluan t’i shfaqen rrudha në fytyrë. Parukierja e saj i tregoi për një injeksion të thjeshtë që kushtonte gati 65 dollarë dhe që fshinte shenjat e moshës.

Sallonet e bukurisë dhe flokëtore pa ekspertizë dhe supervizion mjekësor ofrojnë trajtime të tilla kozmetike, duke alarmuar mjekët e kualifikuar për këto ndërhyrje. Një injeksion i thjeshtë për të cilin Ermira nuk dinte asgjë, ishte mjaft për t’i shkatërruar jetën. Megjithë antibiotikët ajo ka dhimje të përhershme, temperaturë dhe të vjella, ndërsa ënjtja në anën e djathtë të fytyrës i shkakton mbylljen e syrit dhe fytyra e saj është gati e paralizuar.

“Jam aq e shpërfytyruar saqë doja të vrisja veten,” thotë Emira Sela, e cila humbi vendin e punës në një bankë. Shpresa e saj e vetme është operacion për të korriguar gabimin në një spital italian.

Dëshira për t’u dukur si Kardashian

“Ka gjithnjë e më shumë mashtrues me shiringa” thotë Panajot Papa, një kirurg i operacioneve plastike në një klinikë private në Tiranë. “Problem janë gjithashtu produktet… të ndaluara në Evropë që hyjnë ilegalisht nga Turqia apo Kina.”

Eriona Shehu, dermatologe në spitalin universitar të Tiranës, thotë se produktet e paçertifikuar, ofrohen me çmime shumë të lira.

“Ndërhyrjet kozmetike janë bërë një industri fitimprurëse. Pacienti është vetëm një konsumator i ekspozuar ndaj një numër rreziqesh.”

Shehu thotë se dëshira për t’u dukur si Kim Kardashian “po u shkatërron jetët vajzave të reja shqiptare që kërkojnë të zbukurohen”.

Mjekët shqiptare thonë se mosha tipike e klientëve që u nënshktrohen procedurave të tilla është mes 16 dhe 28 vjeç. Në një vend me gati 3 milionë banorë, kërkesa për ndërhyrje kozmetike u rrit me më shumë se 50% në vitin 2015, sipas një studimi të publikuar nga revista ekonomike shqiptare, Monitor.

Ofertat promocionale mund të shihen kudo, si në një sallon bukurie që reklamon 20% ulje për tre klientë së bashku për trajtim gjatë festave të fundvitit.

Kirurgu Papa thotë se ai ka trajtuar 12 vajza të reja mes moshës 20 dhe 27 vjeç që kishin komplikacione pasi kishin fryrë buzët dhe mollëzat me injeksion silikoni për 40 deri në 50 euro.

Produkti ka qënë i ndaluar për përdorim kozmetik në vende si Itali dhe Francë për më shumë se 15 vjet.

Mbyllja e Hendekut Ligjor

Mjekët shqiptarë janë të shqetësuar nga praktikantë të huaj që vijnë nga Italia, Turqia dhe Greqia për të punuar vetëm gjatë fundjavës.

“Ata mund të mos kenë diploma, kualifikim apo liçencë për këto lloj ndërhyrjesh apo të marrin përgjegjësinë për të ndjekur ndërhyrjen,” thotë Besim Boçi, drejtues i departamentit të otolaringologjisë në spitalin universitar të Tiranës.

Për shkak të hendekut ligjor, drejtësia nuk mund të ndërhyjë.

Një zëdhënëse për gjykatën e Tiranës, Alba Nikolla, e pranon se tani për tani është e pamundur “të hapësh hetime dhe të dënosh bazuar vetëm në ankesa” kundër praktikantëve.

Por autoritetet janë të vendosur për ta trajtuar këtë me një projekt-ligj për të kontrolluar produktet kozmetike dhe të salloneve të bukurisë, që do të paraqitet në parlament gjatë muajve të ardhshëm.

Ligji është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, dhe do t’i mundësojë autoritetet të mbyllin qendrat që përdorin produktet e ndaluara.

Për ndërhyrje të dështuara, praktikantët mund të dënohen me tre deri në 10 vjet burg.