Presidenti Nishani në Bujanovc

Nishani PresheveMë shumë se një mijë qytetarë të Bujanovcit e kanë pritur, të marten, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin, që arriti në qytet në orët e pasdites.

Ai fillimisht u ndal të përshëndeste qytetarët që e pritën me ovacione.

Përpara ndërtesës së Kuvendit komunal e priti kryetari i Bujanovcit, Shaip Kamberi dhe së bashku hynë në takimin që mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Bujanovcit.

Nga përfaqësuesit e qeverisë është i pranishëm Zoran Stankoviq,kryetar i Këshillit Koordinues për jugun e Serbisë. Pritet që edhe ai të takohet me Presidentin e Shqipërisë.

Presidenti Nishani është në vizitë në Bujanovc me ftesë të kryetarit të Bujanovcit Shaip Kamberi. Ai do të takojë edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Jonuz Musliu dhe është paralajmëruar se gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Preshevë.

Nishani është presidenti i parë i Shqipërisë që viziton Serbinë, pasEnver Hoxhës më 1948.

Në prag të vizitës, mediat serbe cituan kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, të ketë thënë se Nishani “vjen për të parë kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi” marrë parasysh se “për shqiptarët, me Kushtetutë të Shqipërisë, duhet të përkujdeset shteti amë”.

Por, kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur ministri serb i punës, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se Musliu “po nxit konlfikte atje ku nuk ka” dhe se në Ballkan “sërish po zgjohet politika shqiptaromadhe”.

Ndërkohë ministri i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se nuk prêt “tensione të reja gjatë vizitës së paralajëmruar të presidentit të Shqipërisë në jugun e Serbisë”.

Ai ka porositur se kjo vizitë nuk do ta cënojë sigurinë.

Stefanoviq në përgjigje të pyetjes nëse vizita e presidentit të Shqipërisë mund të shihet si “mundësi e tensioneve të reja’, ka thënë se shpreson se nuk do të ketë provokime”.

“Mysafirët tanë ndjehen të mriëseardhur në Serbi, pavarësisht nëse na pëlqen ajo që kanë për të thënë. Ata në territorin e shtetit tonë janë të sigurt”, tha Stefanoviq.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu tha para dy ditësh se Bujar Nishani do të ketë një numër takimesh me shqiptarët në Bujanovc e Preshevë por jo edhe me përfaqësuesit e Beogradit zyrtar, të cilën e arsyetoi me faktin se në Serbi ka “nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale”. (REL)

Ivanov i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë – kërkon të dënohet platforma shqiptare

IvanovPresidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka kërkuar nga SHBA-të, BE-ja, NATO-ja dhe Turqia që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë platformën e partive shqiptare për shkak të, siç ka thënë “përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedon”.

Në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump,kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se dënimi i kësaj platforme është mënyra, sipas tij, më e mirë për kapërcimin e krizës politike.

Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicionimi me partitë politike shqiptare.

“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.

“Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov duke kërkuar gjithashtu dënimin, e siç ka thënë, përzierjes së shteteve fqinje në punët e brendshme të Maqedonisë.

“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov.

Por, letra e Presidentit Ivanov ka nxitur reagime të partive politike. Sipas LSDM-së, Ivanov po përpiqet të arsyetojë para botës vendimin e tij antikushtetues për të mos ia dorëzuar mandatin Zoran Zaevit.

“Letra e Ivanovit synon arsyetimin e tij. Programi i LSDM-së është program për të ardhmën e Maqedonisë dhe shtetit unitar të të gjithë qytetarëve. Gjithçka tjetër është pjesë e arsyetimeve në funksion të strukturave të caktuara politike, për mbrojtjen e tyre”,ka deklaruar Oliver Spasovski nga LSDM-ja.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka hedhur poshtë pretendimet e Ivanovit, duke thënë se platforma shqiptare nuk është ajo që përshkruhet në letrën e presidentit.

“Mendoj se tendenca për ta vendosur këtë platformë si element të provokimit dhe urrejtjes etnike të maqedonasve karshi shqiptarëve sipas meje është një papërgjegjësi serioze politike dhe kushtetuese sepse në këtë mënyrë rrezikohet rendi kushtetues i Maqedonisë”,ka deklaruar Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.

Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.

Shefja e diplomacisë Federica Mogherin bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila siç tha ajo mund të shndërrohet në krizë ndëretnike. (REL)

Ballkani mbetet “fuçi baruti”

MogheriniMinistrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë debatuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. Perspektiva e anëtarësimit mbetet e hapur, por problemet edhe më tej janë shumë të mëdha.

“Bashkimi Evropian duhet të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor!” Ky ishte mesazhi kryesor i takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE në drejtim të Sarajevës, Tiranës, Prishtinës, Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit. Gjatë debatit të djeshëm në kuadër të Këshillit të Evropës u tha se BE e ka humbur kohët e fundit vëmendjen ndaj Ballkanit që ka rezultuar me ngritjen e tensionve dhe përpjekjet për destabilizhimin e gjendjes në këtë rajon.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini tha se nga Ballkani Perëndimor pritet përkushtim dhe vendosmëri në rrugën drejt vendosjes së paqes përfundimtare dhe anëtarësimit në BE. “Dyert e BE janë të hapura. Duam që të futeni. E dini se cila është rruga, e cila duhet të realizohet përmes transformimit të shoqërisë dhe reformave drejt një perspektive më të mirë të vendeve të rajonit”, tha Mogherini në debatin e BE për Ballkanin Perëndimor.

Në Këshillin e BE pohojnë se oferta e Brukselit edhe më tej është më atraktivja për Ballkanin Perëndimor dhe se reformat janë në interesin e vendeve kandidate për anëtarësim. “Procesi i zgjerimit duhet të jetë më shumë politik dhe më pak teknik. Ne duhet të mos bëjmë sikur atyre po u afrojnë anëtarësim, sepse perspektiva duhet të jetë e qartë. Ndërsa vendet e rajonit duhet të mos bëjnë sikur po përpiqen t’i realizojnë kushtet e parapara. Duhet të jemi serioz mes nesh”, tha ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak.

Në takimin e Këshillit të Ministrave është biseduar për raportet e përgjithshme të BE me Ballkanin Perëndimor dhe për disa çështje të ndara në këtë rajon. Vëmendja më e madhe i është kushtuar gjendjes në Maqedoni.

Kur do të arrihet paqja e përhershme në Ballkan?

Ndonëse ministrat thonë se gati të gjitha vendet e Ballkanit kanë përparuar mirë në rrugën evropiane, nga Bosnje-Hercegovina kërkohet që të bëjë ndryshimet e domosdoshme të ligjit zgjedhor. Ndërsa kriza në Maqedoni vlerësohet si problemi ndoshta më i madh në këtë rajon. BE i bën thirrje të gjithëve për qetësimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemeve përmes institucioneve demokratike.

“Jemi të shqetësuar me gjendjen, por zgjidhja duhet të arrihet në Maqedoni, me respektimin e shumicës parlamentare dhe pa retorikë agresive. Angazhohemi që Maqedonia edhe më tej të ketë të hapur rrugën e anëtarësimit në BE dhe NATO, por është me rëndësi që BE të jetë e vendosur në kërkesat që Maqedonia të respektojë parimet demokratike, shumicën parlamentare dhe që problemet t’i zgjidhë me mjete paqësore”, theksoi ministri i Jashtëm i Holandës, Bert Koenders. Serioziteti i gjendjes në Maqedoni shihet edhe nga fakti që presidenti Gjorgje Ivanov ka refuzuar t’ia japë mandatin kandidatit të opozitës, Zoran Zaev, ndonëse ai e ka siguruar shumicën parlamentare. Ndaj shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjë BE për ndryshimin e gjendjes dhe uljen e tensioneve.

Konfliktet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës, përçarjet e mëdha në Bosnje-Hercegovinë, mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kroacisë, gjendja në Maqedoni dhe Mal të Zi, justifikojnë edhe njëherë pohimet se Ballkani është “fuçi baruti”, e cila mund të shpërthejë në çdo kohë dhe të rikthejë kohën e konflikteve dhe shkatërrimeve.

“Stabiliteti rajonal i Ballkanit Perëndimor është një interes strategjik i BE-së. Kjo nuk është vetëm lojë gjeopolitike, por nevojë, sepse stabiliteti dhe paqja në Ballkan janë të rëndësishme edhe për paqen në Evropë”, theksoi Mogherini, e cila së fundi ka vizituar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo thotë se BE duhet të angazhohet për vendosjen e paqës së përhershme në Ballkan.

Ballkani synon një jetë më të mirë

Ndonëse Mogherini dhe të tjerët thonë se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në fokusin e BE-së, shihet qartë se Brukseli aktualisht ka prioritete të tjera. Rusia, Turqia, Brexiti dhe politika e re amerikane, lufta kundër terrorizmit dhe refugjatët janë aktualisht në rend dite para Ballkanit. Por BE duhet të përgjigjet në dilemat se cilën rrugë do të ndjekë pas vitit 2025. Komisioni Evropian ka propozuar pesë skenarë të mundshëm dhe për këto propozime duhet të zhvillohet debat në të gjitha vendet anëtare. Por vendet e Ballkanit, të cilat pretendojnë të anëtarësohen në BE para vitit 2025 nuk janë ftuar për pjesëmarrje në këtë debat.

Megjithatë Mogherini thotë se ”e ardhmja e BE nuk është që të ketë vetëm 27 anëtare. Britania e Madhe do të largohet, por në vend të saj do të vijnë disa vende të tjera”. (dw / Marina Maksimovic)

SHBA, Marijuana përballë ligjit federal dhe ligjit shtetëror

MarihuanaMarihuana, e njohur gjithashtu me emrin kanabis, është tani e ligjshme në 28 shtete amerikane për përdorim mjekësor. Në disa edhe për qëllim argëtimi. Nga të gjitha këto shtete, katër e legalizuan marihuanën jo më larg se nëntorin e kaluar. Ndërsa mbështetja e publikut për marihuanën rritet, në rritje është edhe industria shumëmiliardëshe e kanabisit të ligjshëm. Ndonëse marihuana është e ligjshme në shumë shtete të Amerikës, ligji federal amerikan ende e konsideron të paligjshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee, shpjegon këtë kontradiktë dhe ankthin mbi të ardhmen e industrisë së kanabisit nën administratën Trump.

Blerja e marihuanës në këtë dyqan të Los Anxhelesit është e ngjashme me eksperiencën në një dyqan luksoz verërash. Varietet jepen këtu me përshkrime të efekteve që krijojnë. Shiten lloje që përdoren në ushqime apo sende të tjera, të gjitha këto për ta paraqitur atë si diçka të zakonshme dhe për të larguar stigmën, veçanërisht që kur Kalifornia legalizoi përdorimin e marihuanës për argëtim, nëntorin e kaluar.

Në vitin 2016, biznesi i marihuanës së legalizuar arriti në gati 7 miliardë dollarë. Kjo shifër pritet të shkojë në më shumë se 21 miliardë, në pesë vitet e ardhshme. Por administrata e re Trump po i bën nervozë disa aktorë të kësaj industrie në rritje.

“Industria e marihuanës është padyshim një industri në gjendje amullie, pjesërisht për shkak të regulloreve shumë komplekse. Ajo është e ligjshme në nivel shtetesh, por e paligjshme në nivel federal dhe shumë ligje janë kontradiktore.”

“Ka zona ku vepron ligji federal dhe ligji shtetëror. Dhe këto ligje janë në konflikt të drejtpërdrejt me njëri tjetrin. Ligji federal është gjithmonë mbi të tjerët.”

Por fakti se agjentët federalë mund të zbatojnë ligjin federal në shtete ku ligji shtetëror është ndryshe, nuk e shfuqizon ligjin – duke krijuar paqartësi. Në fund të fundit, është në dorë të çdo presidenti të vendosë përparësitë e zbatimit të ligjit.

Administrata Obama kishte një qasje liberale ndaj marihuanës dhe lejonte selicin shtet të zbatonte ligjet e veta. Por kreu i ri i Departmentit të Drejtësisë është Jeff Sessions, i cili bëri këtë koment në vitin 2016 kur ishte senator i Alabamës:

“Njerëzit e mirë nuk pinë marihuana.”

Për t’i bërë gjërat më konfuze, gjatë seancës së tij të konfirmimit në senat, zoti Sessions ishte i paqartë kur iu përgjigj një pyejte nga senatori i Vermontit Patrick Leahy…

“A do t’i përdornit burimet federale për të hetuar dhe ndjekur penalisht njerëzit e sëmurë që përdorin marihuanë sipas ligjeve të shtetit të tyre edhe pse mund të shkelin ligjin federal?”

“Nuk angazhohem të vë në zbatim ligjin federal, por kjo padyshim është një problem i burimeve të qeverisë federale,” u përgjigj zoti Sessions.

“Duke patur liri dhe pavarësi të mjaftueshme për të vendosur qëndrimin që do të mbajë, Jeff Sessions mund të përpiqet fare mirë të zbatojë ligjet federale për marihuanën, që mund të çojnë në bastisje edhe në shtete që nuk kanë miratuar përdorimin e saj.”

Por disa lojtarë në industrinë e kanabisit janë më optimistë, si MedMen, që menaxhon këtë pikë shitjeje.

“Në se shkon me teorinë se qeveria ndjek vullnetin e popullit, dhe fakti se industria e marihuanës është gjallëruar dhe po funksionon brenda kufijve të ligjit, mendoj se duhet të jemi optimistë rreth së ardhmes.”

Kongresi po i përgjigjet rritjes së popullaritetit të marihuanës duke formuar një komision dypartiak për kanabisin për të ngushtuar hendekun mes ligjeve federale dhe atyre shtetërore dhe për të promovuar industrinë e marihuanës. (voa)

Sulm ndaj Shtëpisë së Alfabetit

Manastiri AlfabetiPersona të panjohur sulmuan të martën në mëngjes Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në qytetin e Manastirit, në jug të Maqedonisë.

Sipas përfaqësuesve të muzeut, ata hodhën shishe me benzinë në shtëpinë ku para 108 vjetësh u vendos për të ardhmen e alfabetit shqip.

Autoritetet thanë se personat që sulmuan ishin përpjekur ta digjnin muzeun por nuk kishin arritur dhe kishin thyer vetëm xhamat.

Sulmi ishte regjistruar nga kamera e sigurisë e vendosur në objekt dhe regjistrimi iu dorëzua policisë, e cila tha se po përpiqet të gjejë autorët.

Shtëpia e njohur i përkiste familjes Qiriazi. Vitet e fundit ajo ka qenë disa herë në shënjestër të sulmeve vandale. Në Manastir dhe rrethinat e tij, shqiptarët përbëjnë rreth 4 për qind të popullatës. Një pjesë e tyre u detyrua të shpërngulet gjatë konfliktit të vitit 2001.

Për ngjarjen reagoi dhe ministria e Jashtme e Shqipërisë duke dënuar sulmin e ndodhur “në këtë ditë të shënuar për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët”, 130 vjetorin e hapjes së Mësonjtores së parë në gjuhën shqipe. Tirana i kërkon autoriteteve të Maqedonisë “zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal dhe dënimin e autorëve. Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit”, nënvizon deklarata duke shtuar se “historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët tanë në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore”.

Ndërsa thekson se “Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë”, ministria e Jashtme shqiptare i bën “thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ndalojnë retorikën kundër shqiptarëve, e cila vetëm sa shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit, dëmton marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe rrugëtimin e saj euro-atlantike”, ndërsa anga ana tjetër i bën “thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve por të tregojnë qytetari e maturi dhe të ruajnë besimin se kriza në vend do të zgjidhet në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”.​ ​(voa)

Mogherini alarmon Bashkimin Evropian: Gjendja në Ballkan, e rrezikshme

MogheriniShefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se ekzistojnë shqetësime “shumë të mëdha” për Ballkanin, një rajon ku tensionet e rrezikshme historike janë në rritje kohëve të fundit, raporton AFP.

Udhëheqësit e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për gjendjen në Ballkanin Perëndimor në një samit të enjten, në mes të shqetësimeve në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e supozuar të Rusisë atje.

“Kam parë këto ditë në Ballkanin Perëndimor më shumë se kurdoherë tjetër se rajoni është i ekspozuar ndaj shtresave të ndryshme të sfidave dhe tensioneve”, ka thënë Mogherini, pas një takimi ndërmjet ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të shteteve të BE’së në Bruksel, transmeton Gazeta Express.

E pyetur për rolin e Rusisë në rajon, Mogherini është përgjigjur: “Ballkani mund të bëhet lehtësisht një prej fushave të shahut ku mund të luhet loja e fuqive të mëdha”.

“Shqetësimet ekzistojnë… dhe janë shumë të mëdha”, ka thënë Mogherini.

Shefja për politikë të jashtme e BE’së i ka cilësuar “jashtëzakonisht të rrezikshme” tensionet e ringjallura etnike dhe territoriale në Ballkan, një rajon që gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar përjetoi gjakderdhjen më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në ish-Jugosllavi, transmeton Gazeta Express.

Mogherini ka qenë vetë dëshmitare e këtyre tensioneve javën e kaluar, kur u përball me brohoritje pro-Rusisë, teksa fliste para deputetëve në Parlamentin e Serbisë, gjatë një vizite në rajon. /Express/

Mogherini: Mos luani me zjarrin, mos e ktheni krizën në ndëretnike

mogeriniKriza politike të mos kalojë në krizë institucionale dhe aktorët politik të gjejnë instrumente për dalje nga situata. Ishin këto mesazhet e Brukselit pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini deklaroi se në pyetje janë mençuria e presidentit për të tërhequr vendimin e tij dhe aftësia e Kuvendit për përzgjedhjen e kryeparlamentarit, shkruan Alsat M.

“Besoj se ka instrumente; e para mençuria e presidentit dhe e dyta, kapaciteti i Kuvendit për të proceduar çështjen duke zgjedhur kreun e tij ose zhbllokimin e situatës që kjo krizë institucionale të menaxhohet me instrumentet që ka Shkupi pa ndërhyrje por është normale që miqtë të kujdesen për partnerët”, deklaroi shefja e diplomacisë, Federika Mogerini.

Mogerini deklaroi se shqetësimi i Brukselit është që kriza politike të mos kalojë në krizë ndëretnike që do të çonte drejtë destabilimit të gjithë rajonit.

“Besoj se ajo me të cilën përballet sot Shkupi është akoma një krizë politik institucionale. Shqetësimi im më i madh është që kjo të mos kthehet në krizë ndëretnike dhe ky ka qenë mesazhi kryesor që dhashë atyre që kanë përgjegjësi politike në vend; mos luani me zjarr dhe mos e ktheni këtë në një ballafaqim ndëretnik që do ta shkatërronte vendin dhe do të përhapej edhe më gjerë”, tha Mogerini.

Shefja e diplomacisë evropiane shprehu edhe shqetësimin e Brukselit për ndërhyrjet ruse në Ballkan, por shtoi se beson që ndikimi që ka BE-ja mbi rajonin është më i madh.

“Shqetësimi ekziston dhe është i thellë por gjithashtu është besimi që rritet nga fakti që nuk ka fuqi tjetër në botë që ka aq shumë ndikim për mirë në Ballkanin perëndimor dhe ky është Bashkimi Evropian”, shtoi Mogerini.

Gjatë javës së kaluar, Mogerini vizitoi vendet e Ballkanit perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë. Për këtë vizitë, Mogerini gjatë javës do të njoftojë edhe kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare. (ina)

Vettingu, dosjet kthehen tek Totozani

parlamentiKuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të hëne kthimin e dosjeve të kandidatëve për komisionet e vettingut tek Avokati i Popullit për rishqyrtim.

Ngritja e organeve të Vetting-ut rezultoi të ishte një proces më i komplikuar sesa pritej. Parlamenti nuk e respektoi dot afatin 3 ditor të nisjes së punës për verifikimin e kandidatëve. Mospjesëmarrja e opozitës mbetet një shkak, por në këtë rast nuk ishte ai kryesori, për të cilin maxhoranca vendosi të kthejë një pjesë të dosjeve tek Avokati i Popullit.  Ata janë 79 kandidatet që operacioni ndërkombëtar i monitorimit vlerësoi se plotësojnë kushtet formale, por u mungon dokumentacioni për të provuar çdo kriter që kërkon ligji.

“Formalisht nuk plotësohen kriteret për mungesë dokumentacioni. Si një dokument i pa noterizuar, për një dëshmi të gjuhës së huaj, etj. Kështu që komisioni që kishim në rendin e ditës sot do të kishte 21 kandidatë për 28 vende. Presidenti i republikës nuk e ushtroi kompetencën që kishte, sigurisht ia kaloi Avokatit të Popullit”, u shpreh Ruçi.

Parlamenti vendosi t’u japë një javë kohë për të plotësuar dokumentacionin. Një javë kjo që do të shfrytëzohet edhe si një thirrje për aplikime te reja.

Qe të arrihej në këtë vendimmarrje, krerët e maxhorancës, Rama dhe Meta u takuan dy herë të hënën. Maxhoranca ishte unanime në votim, ku ranë në sy votat kundër të Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit, sipas të cilëve kthimi i procesit tek Avokati i Popullit është i paligjshëm.

Megjithatë, dhënia e një mundësie të dytë për 79 kandidatët ishte një sugjerim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

/ Top Channel

A ka gjasa që Kosova ta ketë ushtrinë e saj pa pëlqimin e serbëve?

fskPa ndryshimet kushtetuese dhe pa votën e përfaqësuesve serb, FSK-ja nuk mund të shndërrohet në ushtri. Por, Presidenti Thaçi dhe ekspertët e sigurisë thonë se ushtria e Kosovës mund të bëhet me një ligj të veçantë.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), është shndërruar së fundi në një prej temave më të nxehta në Parlamentin e Kosovës. Në bazë të kushtetutës FSK nuk mund të shndërrohet në ushtri nëse nuk ndryshohet Kushtetuta e vendit. E për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të serbëve në Parlament. Serbët ende nuk kanë vullnet që të votojnë ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin formimin e ushtrisë së Kosovës.

Autorizimi për qeverinë

Në pamundësi të këtyre ndryshimeve kushtetuese, dy javë më parë Parlamenti i Kosovës nxori një rezolutë me të cilën e autorizon Qeverinë që sa më parë të koordinojë dhe procedojë strategjinë për transformim të FSK në Forca të Armatosura të Kosovës. Në rezolutë thuhet se “duke shprehur përkushtimin për integrimin në NATO, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat tjerë të bashkërendojnë hapat për harmonizimin në përpjekje me NATO dhe SHBA-në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës konform mandatit të autoriteteve të Kosovës”.

Presidenti premton formimin e ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje (5.03) tha se ai ka ndërmarrë një nismë që me ligj ta ndryshojë misionin e FSK-së. Presidenti tha se, me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, Kosova duhet të avancojë rolin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, thotë presidenti Thaçi.
Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja, në përputhje me ligin e ri, sipas presidentit Thaçi, “e bëjnë FSK-në një ushtri moderne, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim”.

Kryeministri ende nuk është deklaruar

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, akoma nuk e ka komentuar nismën e Presidentit, por menjëherë pas rezolutës së Kuvendit ai tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të bërë transformimin e FSK në FAK. Por, tash për tash sipas tij, është e pamundur që kjo të bëhet vetëm më një ligj të qeverisë, nëse nuk ka mbështetje të partnerëve strategjik, siç është NATO. Sipas, kryeministrit, “partnerët strategjik të Kosovës, insistojnë që formimi i ushtrisë të bëhet me ndryshimet kushtetuese dhe në pajtim të gjërë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.

“Nga kontaktet që kemi pasur deri tash, kemi kuptuar se NATO dhe partnerët tanë strategjik mbesin të përkushtuar që FSK mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i ruajtur të arriturat e deritanishme në konsolidimin e vendit dhe integrimin e komuniteteve. Kjo na është thënë qartë në të gjitha takimet që i kemi pasur me faktorin ndërkombëtar”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Serbët refuzojnë

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të rreshtuar përkrah listës “Srpska”, nuk e mbështesin formimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se kjo nuk është e nevojshme, për aq kohë sa në Kosovë ka trupa ndërkombëtare të NATO-s. Zëvendëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë për mediet serbe se ky subjekt politik nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
“Qëndrimi ynë për këtë nuk ka ndryshuar dhe e gjithë kjo dëshirë që kjo të bëhet, duket se buron para së gjithash nga arsyeja populiste e politikës ditore dhe se për këtë nuk ekziston nevoja serioze. Nuk ekziston as argumentim serioz i paraqitur se pse duhet të ndodhë kjo”, thotë Branimir Stojanoviq.
Përfaqësuesit e serbëve madje nuk kanë pranuar as të diskutojnë për formimin e ushtrisë së Kosovës. Këtë e pohon vet ministri i FSK-së, Haki Demolli, i cili thotë se “pavarësisht ftesave të shumta që i janë dërguar Listës Serbe, nuk iu kanë përgjigjur ftesave të ministrisë për të diskutuar lidhur me këtë transformim të FSK në Forcë të Armatosur”.
Ministri Demolli ka thënë se draftligji për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura ishte proceduar dy herë në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i njëjti nuk është proceduar fare në Kuvend për shkak të mosaprovimit të amendamenteve të nevojshme kushtetuese.
“Forcat e Armatosura të Kosovës ka do të jenë një forcë bashkëkohore, jo voluminoze, diku me 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezerve. Do të ketë kapacitete mbrojtëse dhe do të ndihmojë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend”, thuhet në projektligj.

Krijimi pa ndryshime kushtetuese?

Por, a mund të krijohet ushtria e Kosovës pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese, me një ligj të veçantë, ashtu siç theksohet në rezolutën e Kuvendit të Kosovës? Burim Ramadani, ekspertë i çështjeve të sigurisë i tha DW-së, se shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura, kërkon qartësi ligjore dhe vullnet të detajuar politik.

“Është krejtësisht e qartë se Kosova ka nevojë për themelimin e ushtrisë dhe që kjo ushtri të jetë me kapacitete të plota për mbrojtje të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Deri më tash, përpjekjet kanë qenë të drejtuara kah mundësia e transformimit të FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese, të cilat domosdoshmërisht kërkojnë edhe votat e 2/3 të komuniteteve. Kështu i bie që FSK-ja bëhet ushtri edhe me votën e shumicës së deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ky opsion nuk është arritur të ndërtohet deri më tash”, thotë Burim Ramadani.
Ai përmend edhe dy opsione tjera sesi FSK të rrisë kapacitet e saja dhe të bëhet ushtri e Kosovës, opsione këto që nuk janë provuar deri tash. “Një opsion tjetër ligjor, është ai që argumenton se për themelimin e ushtrisë së Kosovës nuk ka nevojë ndryshimet kushtetuese, porse mjaftojnë vetëm ndryshimet ligjore. Në këtë rast, nuk është e domosdoshme vota e deputetëve serbë. Sipas këtij opsioni, emri i FSK-së nuk ndryshon, por ndryshon mandati dhe misioni. Ky opsion nuk është provuar deri më tash. Ndërkaq, një opsion tjetër është edhe ai që bazohet në një fazë të ndërmjetme. Përkatësisht, që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimet ligjore që mundësojnë zgjerimin e mandatit, misionit dhe kapaciteteve të FSK-së, duke mos ndryshuar emrin”, thotë Burim Ramadani.
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, këto janë tri opsione reale për themelimin e ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tij, do të duhej të jetë një ushtri me kapacitete mbrojtëse për Kosovën. Sidoqoftë, tash për tash është akoma e paqartë sesi do të procedohet për formimin e ushtrisë së Kosovës. Zyrtarët e NATO-s kanë theksuar se NATO e mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, ndërsa transformimi i saj mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës. (dw)

Koncerni Peugeot Citroën blen Opelin

OpelMe blerjen e Opelit, koncerni PSA Peugeot Citroën synon të rrisë produktivitetin.

Koncerni  francez PSA Peugeot Citroën bleu koncernin Opel duke krijuar në këtë mënyrë një gjigant të ri në sektorin e prodhimit të automjeteve.

Blerja kushtroi 1.3 miliardë euro. Koncerni i ri do të jetë koncerni automobilistik i dyti më i madh në Evropë.

Shefi i koncernit francez PSA Carlos Tavares nuk la gjatë shpalljes së marrëveshjes ditën e hënë asnjë pikë dyshimi se blerja e Opel-it dhe Vauxhall-it, filiale të GM-së, është një vendim i mirë për të ardhmen. “Ne duam një kampion evropian që përbëhet nga kombinimi i një koncerni francez dhe një kompanie gjermane,” – tha Tavares.

Me blerjen e Opelit, koncerni PSA Peugeot Citroën do të rrisë produktivitetin, tha eksperti i automobilëve Ferdinand Dudenhoeffer një një intervistë me DW-në. Por në të njëjtën kohë priten masa të ashpra kursimi. (dw)