Shqipëri: Qeveria miraton planin antimarijuanë

Niko PeleshiNë Shqipëri qeveria miratoi sot Planin kombëtar të luftës kundër kultivimit të marijuanës. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi deklaroi se plani parashikon angazhimin e një sërë institucioneve për të goditur që në gjenezë përpjekjet për kultivim apo trafikim. Nisma e qeverisë vjen pasi vitin e kaluar fenomeni gjeti një përhapje të gjerë, ndërsa tonelata me marijuanë vazhdojnë të kapen periodikisht nga policia shqiptare apo në brigjet italiane.

Ekspertë shqiptarë dhe europianë u angazhuan për katër muaj për hartimin e një plani të detajuar masash me anë të së cilave autoritetet shqiptare synojnë t’i japin fund fenomenti të kultivimit të marijuanës. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi njoftoi sot se Plani i cili përfshin periudhën 2017-2020 u miratua gjatë mbledhjes së qeverisë: “Theksi kryesor i Planit Kombëtar kundër kanabisit është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme e frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit. Duke filluar nga ky vit Policia e Shtetit, organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë lidhje do të angazhohen në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, i cili do të sigurojë identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim”.

Përveç strukturave të policisë në luftën kundër këtij fenomeni do të angazhohen dhe shërbimet inteligjente apo dhe struktura të institucioneve të tjera qëndrore dhe lokale.

Pas ndërhyrjes në Lazarat në 2014, një vit më pas, sipërfaqet e mbjella me cannabis sativa u reduktuan ndjeshëm në pak më shumë se 40 hektarë, duke pësuar megjithatë një pesëfishim, në 213 hektarë, vitin e shkuar. Mbi 2.5 milion rrënjë u shkatërruan ndërsa tonelata të tëra u kapën nga policia apo në brigjet italiane.

Të vëna nën akuzë të drejtpërdrejtë për përhapjen e fenomenit autoritetet këmbëngulën se sasitë e mëdha të kapura tregonin sipas saj se lufta kundër marijuanës është forcuar. Por në të njejtën kohë ato janë në fakt dhe një dëshmi edhe e sasisë në rritje të kultivimit. Ministri i ri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pak ditë më parë e cilësoi luftën ndaj këtij fenomeni si përparësinë kryesore të punës së tij.

Edhe shifrat e marijuanës së sekuestruar në Itali tregojnë për një rritje të trafikut. 11 tonë janë kapur vetëm nga fillimi i këtij viti, ndërsa kreu i antimafias italiane foli për një trefishim të transportit nga Shqipëria drejt Italisë. Të paktën dy tonë u kapën nga policia shqiptare në dy raste të ndryshme në 48 orët e fundit. (voa)

Serbi: Putini është pajtuar të dërgojë sasi të madhe armësh në Ballkan

tanku rusPresidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të nënshkruajë dërgimin e avionëve ushtarakë, tankeve dhe automjeteve të blinduara në Serbi, tha ministri serb i Mbrojtjes, në një veprim që mund të përkeqësojë tensionet me fqinjët dhe të nxisë një garë armatimi në rajonin e lodhur nga luftërat.

Ministri Zoran Gjorgjeviç, tha se Putini është pajtuar për dërgesën gatë vizitës së kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç të hënën në Moskë. Ai tha se gjashtë avionë ushtarakë MiG-29, 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara do të dërgohen së shpejti.

“Presidenti i Federatës Ruse tha se do të nënshkruajë dekretin dhe kur të jetë nënshkruar, ne do të veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha Gjorgjeviç. “Ne jemi duke pritur që procesi të përmbyllet në Rusi dhe të shohim se si do të dorëzohen (pajisjet) në Serbi.”

Avionët do të duhej të fluturonin mbi vendet anëtare të NATO-s për të arritur në Serbi. Ose duhet të transportohen të ndara në avionë transportues, nëse vendet fqinjë pajtohen.

Gjergjeviç tha se avionët, tanket dhe autoblindat, dhuratë nga rezervat ruse, do të “modernizohen dhe rinovohen” në Serbi nga teknikët rusë për një shumë që nuk është bërë publike. Vlerësohet se vetëm modernizimi i avionëve MIG-29 do t’i kushtojë Serbisë rreth 200 milionë euro, afërsisht 216 milionë dollarë.

Gjorgjeviç tha më herët se Serbia është gjithashtu e interesuar për blerjen e një sistemi të mbrojtjes ajrore ruse, si dhe hapjen e një qendre riparimi për helikopterët rusë MIL që analistët besojnë se do të ishte praktikisht hapje e një baze ushtarake ruse në territorin e saj.

Serbia formalisht është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por nën trysninë politike dhe propagandës nga Moska ka shkarë në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të Kremlinit dhe qëllimit të tij për të mbajtur vendet e rajonit të Ballkanit jashtë NATO-s dhe integrimeve të tjera perëndimore.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësimin për shtimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimorë, i cili është përballur me luftëra të përgjakshme në vitet e 90-ta.

Ndërkohë, Kroacia, rivale e Serbisë dhe anëtare e NATO-s është duke blerë avionë të rinj për të zëvendësuar avionët e vjetër MiG 21. (voa)

Kuqezinjtë në “pikiatë”, ndryshime në formacion, por humbim

futboll shqiperiaNë harkun e një jave kombëtarja shqiptare e futbollit regjistroi disfatën e dytë, këtë herë në një ndeshje që kishte vetëm vlera miqësore, por do të reflektohet në renditjen e FIFA-s.

Kuqezinjtë humbën 1-2 ndaj Bosnjës në stadiumin “Elbasan Arena” në një 90-minutësh ku treguan shumë pak grintë dhe u zgjuan vonë përballë ballkanasve.

Në një ndeshje ku trajneri De Biasi kishte bërë shumë ndryshime në formacionin titullar, baraspesha zgjati vetëm 7 minuta. Një gabim në prapavijë nga Frederik Veseli na ndëshkoi me një penallti, e cila u konvertua në gol nga sulmuesi Edin Dzeko.

Kuqezinjtë kërkuan të reagojnë, por aksionet në portën e Begoviç u limituan në tentativat aspak efektive të Hykës dhe Balajt.

Pak para pushimit mesfushori i Lacios, Senad Luliç dyfishoi rezultatin. Stadiumi “Elbasan Arena”, gjysmë i boshatisur, tregonte më së miri problemet mes federatës dhe grupimeve të tifozërive, por ata mbështetës që kishin zgjedhur shkallët e impiantit, gëzuan me golin e vetëm kuqezi, atë të shënuar nga Bekim Balaj.

Sulmuesi shkodran tundi rrjetën me kokë pas një krosimi të Hykës, por ofensiva finale nuk evitoi dot humbjen e Shqipërisë.

/ Top Channel

Nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri-Francë

pakti AL FRGjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Paris, qeveria shqiptare dhe ajo franceze kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh në nivel strategjik.

Gjatë vizitës, palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien speciale midis Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Në takimin e posaçëm me homologun francez Bernard Cazeneuve, kryeministri Edi Rama shprehu falenderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Kryeministri Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri francez falenderoi gjithashtu palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.

Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.

/ Top Channel

Protestat në Rusi, komentojnë analistët

protesa putinTë hënën një gjykatë në Rusi dënoi udhëheqësin e opozitës dhe blogerin e anti-korrupsionit, Alexei Navalny me pesëmbëdhjetë ditë burg për rezistencë ndaj policisë dhe me një gjobë prej 20.000 rublash, rreth 350 dollarë amerikanë, për organizim të protestave masive në Moskë.

Alexei Navalny i hodhi poshtë pretendimet zyrtare se protesta e mbajtur të dielën pasdite, ishte e paligjshme.

“Në përputhje me vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese e Rusisë, në rast se refuzohet kërkesa jonë, nëse nuk na propozohet për vend alternativ tre ditë përpara, ne kishim të drejtën të protestonim në vendin për të cilin bëmë kërkesën fillestare. Kushtet ligjore janë respektuar 100 për qind”, zoti Navalny citohet nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS të ketë thënë në gjykatë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të hënën tha se autoritetet e Moskës ofruan dy vende alternative për organizatorët, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. “Këto vende u refuzuan. Në fakt, njerëzit janë dërguar qëllimisht në vende të paautorizuara. Natyrisht, kjo është e papranueshme,” tha ai.

Zoti Peskov i quajti protestuesit provokatorë, në kërkim të nxitjes së dhunës dhe akuzoi organizatorët se kanë shfrytëzuar fëmijët, duke pretenduar se shumë prej tyre janë paguar për të marrë pjesë në protestë. Ai nuk tha prova për këtë pretendim. Avokati i zoti Navalny tha se do ta apelojë vendimin.

Protesta masive

Organizatorët thanë se të dielën u mbajtën demonstrata kundër korrupsionit në më shumë se 80 qytete në të gjithë Rusinë.

Ato ishin protestat më të mëdha anti-qeveritare pa leje në Rusi që nga protestat masive të viti 2011-2012 kundër manipulimit të zgjedhjeve dhe kthimit të Vladimir Putinit në presidencë.

Protesta u zhvillua në 17-vjetorin zgjedhjes së Vladimir Putinit për herë të parë si president i vendit.

Qindra protestues paqësorë u ndaluan në Moskë, disa brutalisht u tërohoqën zvarrë në tokë vetëm për shkak se po mbanin parulla që kritikonin autoritetet dhe korrupsionin.

Alexei Navalny u arrestua pasi mbërriti në protestën që po mbahej në rrugën Tverskaya pranë Sheshit Pushkin në qendër të Moskës. Disa vëzhgues dhe gazetarë gjithashtu thuhet se u ndaluan.

Uashingtoni ka “dënuar ashpër” arrestimin e protestuesve, përfshirë Alexei Navalny-in.

“Ndalimi i protestuesve paqësorë, vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve është një fyerje për vlerat themelore demokratike”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

Ai tha se së Shtetet e Bashkuara janë të “tronditura” nga arrestimi i zotit Navalny, i cili ka njoftuar planet për të kandiduar për president në zgjedhjet e vitit 2018.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se populli rus meriton një qeveri që mbështet një “treg të hapur të ideve, qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, trajtim të barabartë në përputhje me ligjin dhe aftësinë për të ushtruar të drejtat e tyre pa frikë nga hakmarrja.”

Pika e kthimit?

Ngjarja e së dielës “mund të jetë një pikë kthese për situatën politike në Rusi, sepse kjo tregon se fryma në shoqërinë ruse po ndryshon dhe njerëzit janë të gatshëm të protestojnë”, tha Boris Kagarlitsky, drejtor i Institutit për Studime të Globalizimit dhe Lëvizjeve Sociale. “Ajo gjithashtu tregon se po del një brez i ri protestuesish që nuk ka marrë pjesë në protestat e viteve 2011-2012 dhe që nuk e identifikon veten me ideologjitë politike apo dominuese të Rusisë.”

Një numër i madh protestuesish ishin të rinjë rusë, studentë universiteti. Disa analistë thonë se kjo mund të jetë një tregues se Kremlini dhe elita politike është duke humbur lidhjen me brezin e ri.

“Ngjarjet do të motivojnë autoritetet të jenë më të vëmendshme ndaj të rinjve, sidomos adoleshentëve dhe komunikimeve të tyre në internet”, tha Mikhail Chernysh, zëvendës drejtor i Institutit të Sociologjisë. “Në të njëjtën kohë, unë mendoj se autoritetet e bazojnë gjykimin e tyre në faktin se të rinjtë nuk janë shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor, thjesht për shkak të numrit të tyre. Ata janë bllok më i vogël votuesish se grup-moshat e tjera. Të moshuarit përbëjnë bllokun më të madh të votuesve dhe në krahasim me të rinjtë ata janë votues më aktivë dhe kanë më shumë ndikim në proceset zgjedhore.”

Protestat u nxitën nga hetimi që po zhvillonte udhëheqësi i opozitës, Alexei Navalny mbi dyshimet për korrupsion nga kryeministri Dmitry Medvedev. Fondi për Luftimin e Korrupsionit, një organizatë që drejtohet nga zoti Navalny, publikoi rezultatet e hetimit në një video në YouTube ku tregohen prona që mendohet se zotërohen nga kryeministri Medvedev. Videoja ka marrë mbi 11 milionë klikime.

Në gjykatë të hënën, zoti Navalny kërkoi që kryeministri Medvedev të merrej në pyetje. Medvedev ende nuk ka bërë komente për këto akuza.

“Një ndryshim tjetër interesant është se protestat filluan në qytetet provinciale më herët se sa ato në Moskë dhe numri i njerëzve që protestonin në qytetet provinciale ishte e pashembullt”, thotë zoti Kagarlitsky. “Këto ngjarje tregojnë se njerëzit janë me të vërtetë të lodhur, jo vetëm nga korrupsioni, por edhe nga problemet e tjera ekonomike dhe sociale.”

Alexei Navalny të hënën u tha gazetarëve në gjykatë se përsëri do t’u bëjë thirrje njerëzve të protestojnë, duke thënë se autoritetet mund të ndalojnë mijëra, por jo dhjetëra mijëra apo miliona njerëz. (voa)

Korupsioni KosoveEkspertë të drejtësisë dhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare thanë se Kosova ka ngecje në luftën kundër korrupsionit, posaçërisht në rastet kur flitet për nivele të larta politike. Gjatë një debati mbi një raport të Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u publikua të martën në Prishtinë, u tha se nga disa qindra raste të ndjekura nga afër nga ky institut, vetëm 21 janë të nivelit të lartë politik.

Drejtuesi i këtij instituti, Betim Musliu, tha se shqetësuese mbetet hedhja poshtë e kallëzimeve penale dhe pushimi i hetimeve në rastet e korrupsionit.

“Mbi 60 për qind e rasteve të korrupsionit të cilat denoncohen në prokurori vazhdojnë të hidhen dhe të pushohen. Kjo është një shqetësim jashtëzakonisht i madh sidomos kur kihet parasysh fakti se trajtimi i kallëzimit penal i cili përcaktohet në Kod se duhet të kalojë më së shumti 30 ditë, te ne ndodh që të zgjat me vite, madje kemi raste që edhe ka zgjat me dekada”, tha ai.

Shkeljet e afateve ligjore sipas tij, është dukuri shumë e shpeshtë dhe madje është shënuar në rast kur koha nga ngritja e kallëzimit penal e deri te shpallja e aktgjykimit, kanë kaluar 13 vjet.

“Gjetjet tona tregojnë se në 383 raste që i kemi monitoruara gjatë vitit 2016, vetëm në tri raste janë respektuar afatet ligjore nga gjykatat, dhe këto tri raste kemi të bëjmë me pranim të fajësisë qysh në seancën e parë, ndërsa në të gjitha rastet tjera që janë 380 raste kemi shkelje të afateve ligjore”, tha ai.

Por, kryetari i Këshillit prokurorial të Kosovës, Berim Isufaj, nuk pajtohet me vlerësimet e këtij raporti. Ai thotë se raporti përcillet me frymë negative ndaj sistemit prokurorial dhe nuk vë në pah përparimin që është shënuar në këtë drejtim.

“Problemet e vogla që mund të paraqiten si rezultat i një sistemi të trashëguar që nga paslufta janë duke u evituar në vazhdimësi, që e cila vërehet edhe në raportin e fundit tremujor të mekanizmit përcjellës. Vlerësoj se këto të meta të vogla teknike të cilat janë bërë në vazhdimësi transparente në asnjë mënyrë nuk e rrezikojnë planin strategjik për luftimin e korrupsionit”, tha zoti Isufaj.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Conoll, tha se ngritja e aktakuzave dhe hartimi i politikave për luftimin e korrupsionit janë hapa pozitiv, por, sipas tij, mungojnë rezultatet përfundimtare.

“Në njërën anë ka mungesë të rezultateve të prekshme të luftimit të korrupsionit në nivelin e lartë, në anën tjetër proceset e brendshme të zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha niveleve janë të paqarta dhe të kontestueshme. Këto zhvillime e kanë bërë gjyqësorin të brishtë dhe lehtësisht të kritikueshëm”, tha ambasadori britanik.

Mbikëqyrës të sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se ky sektor vazhdon të përballet me sfida të shumta, që nga ndikimi politik e deri mos llogaridhënia. Anketa të ndryshme me opinionin publik vazhdojnë ta nxjerrin sistemin e drejtësisë si një nga fushat më të goditura nga korrupsioni. (voa)

Maqedoni, vazhdon debati për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit

ParlamentiParlamenti i Maqedonisë po debaton për të dytën ditë me radhë lidhur me zgjedhjen e kryetarit të tij të ri. Partia VMRO-DPMNE po përpiqet që përmes zvarritjes së seancës të bllokojë zgjedhjen e kreut të parlamentit, i cili pritet të jetë një politikan shqiptar, për herë të parë që nga pavarësia e vendit në vitin 1991.

Talat Xhaferi është kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim i mbështetur dhe nga Lidhja Social Demokrate dhe Aleanca për Shqiptarët. Por, zoti Xhaferi nuk ka mbështetjen e Lëvzjes “Besa”, e cila ka pesë ligjvënës në parlamentin e Maqedonisë. Votimit në parlament duhet t’i paraprijë formimi i Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Ky organ do të merret edhe me propozimet e tjera për poste drejtuese të parlamentit. VMRO-DPMNE ka gjashtë anëtarë në këtë komision, ndërsa LSDM, 5. BDI dhe Lëvizja “Besa” kanë nga një anëtar. Lëvizja “Besa” ka bërë të ditur se do të jetë e përmbajtur, përkatësisht nuk do të votojë kundër kandidaturës së Talat Xhaferit edhe pse nuk e mbështetë atë për në postin e kreut të parlamentit. Në këtë rast, komisioni do të kishte votat e nevojshme në favor të zotit Xhaferi, që kandidatura e tij të kalojë në seancë plenare për debat dhe votim. Atij i duhen 61 vota për të marrë postin. LSDM me partitë shqiptare, pa Lëvizjen “Besa”, ka 62 vota.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së i kundërpërgjigjen njëri-tjetrit, duke bërë kështu që seanca të zvarritet për orë të tëra. Seancën e drejton ish-kryetari i parlamentit Trajko Velanovski. Sipas njohësve të rrethanave kushtetuese, ai po shkel rregulloren duke lejuar debate jashtë temës dhe replika të shpeshta të deputetëve.

Në këtë periudhë që presidenti i vendit Gjorgje Ivanov nuk po ia jep shumicës parlamentare mandatin për formimin e qeverisë, kryetari i parlamentit mund të luajë një rol kyç në zgjidhjen e ngërçit. Ai mund të thërrasë seancën ku do të paraqitej programi i pretendentit për formimin e qeverisë, në këtë rast Zoran Zaev i LSDM-së dhe të votohej kabineti i ri qeveritar.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit synonin dhënien fund të krizës politike që ka përfshirë vendin që prej para dy vjetësh me shpërthimin e skandalit të përgjimeve. Por, edhe pas tre muajsh nga zgjedhjet, kriza jo vetëm që nuk është zgjidhur, por duket se ajo është thelluar edhe më tej. (voa)

Sa do të kushtojë dalja e Britanisë së Madhe nga BE?

BM BETheresa May do të paraqesë zyrtarisht të mërkurën kërkesën për daljen e Britanisë së Madhe. Ditë historike, sepse është hera e parë që një vend shpall dëshirën për të dalë nga BE.

Pas kësaj do të nisin negociatat për daljen nga Bashkimi Evropian midis Britanisë së Madhe dhe 27 shteteve anëtare, të cilat është parashikuar të shtrihen në dy vjet. Pyetja qendrore në këto negociata do të jetë: sa duhet të paguajnë britanikët për ndarjen? Që tani qarkullon një shumë prej 60 miliardë eurosh, të cilën Brukseli do t’ia ngarkojë në kurriz Britanisë së Madhe.

Nga ana tjetër, mbështetësit e Brexit-it propagandonin ditë për ditë gjatë fushatës së Brexitit se Britania e Madhe përcjell çdo javë në Bruksel shumën e supozuar prej 350 milionë Paund. Kjo shifër ka mbetur në kujtesë. Edhe nëse miqtë e BE ankohen se kjo shumë nuk merr parasysh as rabatin për Britaninë dhe as shumën që merr Britania e Madhe nga buxheti i BE.

Kryeministrja britanike e interpreton në këtë drejtim votën e zgjedhësve për Brexit-in. “Besoj se ata e bënë shumë të qartë se nuk duan që çdo vit t’i paguhen shuma të mëdha Bashkimit Evropian”.

Si qeveria e saj, ashtu edhe Dhoma e Sipërme e Parlamentit kanë ngarkuar juristë që ta verifikojnë gjendjen juridike – dhe ata arrijnë në përfundimin: sapo Britania e Madhe të dalë nga BE, ajo nuk është më e detyruar që t’i paguajë asnjë Paund Bashkimit Evropian. Kjo e gëzon deputetin e konservatorëve Tory, Jacob Rees-Mogg. Ai thotë se pas kësaj date “ne nuk kemi asnjë detyrim ligjor përballë BE”.

Sa do të jetë fatura e ndarjes?

Brexiti do të ketë marrë fund ndoshta në vitin 2019, por buxheti në vazhdim i BE përfshin periudhën deri në 2020 – dhe Britania e Madhe e ka miratuar dikur atë, duke qenë e detyruar që të paguajë. Kështu e sheh Brukseli këtë çështje. Dhe pastaj janë edhe nëpunësit civilë britanikë, të cilët punojnë në vende pune të Bashkimit Evropian. Detyrimet për të paguar pensionin e tyre janë në kurrizin e Londrës.

PoundAktualisht, Britania e Madhe është pas Gjermanisë, për nga shuma që paguan, paguesja e dytë më e madhe në Bruksel. Po të përcjellë Londra më pak para, ose shtetet e tjera duhet të paguajnë më shumë, ose vendet marrëse do të marrin më pak para. BE si organizatë e edhe shtete të veçanta anëtare mund ta hedhin në gjyq Londrën, nëse ajo nuk e paguan faturën për ndarjen.

Por këtë kryeministrja britanike mund ta kundërshtojë, po të bazohet në ekspertizën e juristëve vendas, shpjegon Baronesha Kishwer Falkner, e cila është anëtare e Dhomës së Sipërme. Ajo thotë se “ata janë pjesë e negociatave, por ata forcojnë pozicionin e qeverisë britanike”.

Programe evropiane me interes

Megjithatë britanikët do të kenë dëshirë të marrin pjesë edhe më tej, edhe pas daljes nga BE në disa programe evropiane – si për shembull në fushën e Shkencës dhe të Kërkimeve Shkencore. Edhe pas daljes ata duan të kenë qasjen më të mirë të mundshme në tregun e përbashkët evropian, siç u shpreh ministri i Brendshëm britanik Amber Rudd në fundjavë.

Rudd tha se “ne duhet të synojmë të kemi qasjen më të madhe të mundshme në tregun e përbashkët evropian. Nuk e dimë sa do të kushtojë kjo, por për këtë duhet të zhvillohen negociata”.

Ndoshta mosmarrëveshja për paratë do të zgjidhet vetëm në fund të vitit 2018 ose në fillim të 2019-ës, në një takim të nivelit të lartë të BE – pas ndonjë pokeri negociatash për gjithë natën. (dw)

Rusi: Me shkopinj gome kundër një opozite të rizgjuar

Aleksej NavalniAleksej Navalni bëri thirrje për protestë dhe kudo erdhën para së gjithash rusë të rinj. Në Moskë policia e shpërndau me dhunë demonstratën. Jo sinjal i mirë për zgjedhjet presidenciale 2018, mendon Hermann Krause.

Pas një pushimi katërvjeçar opozita në Rusi është rikthyer. Në Moskë, dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë. Ndoshta ky ishte fillimi i një lëvizjeje të re “Anti-Putin” – me saktësi këtë megjithatë nuk mund ta thuash. Për demonstratat në të gjithë vendin bëri thirrje përmes rrjeteve sociale Aleksej Navalni.

Në blogun e tij antikorrupsion Navalni pati publikuar një film për Dmitri Medvedevin. Sipas kërkimeve të autorëve të pavarur të filmit, kryeministri është pasuruar gjoja paturpësisht – me jahte luksoze, me pasuri të paluajtshme luksoze dhe me një vreshtë në Toskanë. Edhe për rusët që janë mësuar që politikanët e tyre të jenë të korruptuar, kjo është tepër. Para së gjithash sepse ky Dmitri Medvedev, i cili konsiderohej si liberal në Perëndim, në një takim me pensionistët, pyetjes se pse janë kaq të ulëta pensionet në Rusi iu përgjigj: “Nuk ka para, duroni, ju uroj ta merrni me humor!”- shprehje që ndërkohë qarkullon kudo në Rusi.

protesta rusiKryeministri i korruptuar mund të qendrojë në post

Në fakt Medvedevi, të cilin gjithsesi populli nuk e do fare, nuk mund të mbahet më në post. Por që Vladimir Putini ta ndërrojë, kjo konsiderohet me pak gjasa. Ai u lëshoi pe demonstruesve, do të thoshin, dhe kjo do të interpretohej si shenjë dobësie. Putini – Presidenti i fortë! Një monument që ka nisur megjithatë të lëkundet, po të shohësh se si veproi pushteti shtetëror me të rinjtë që ecën të dielën paqësisht në Moskë në rrugën Tverskaja. Zëdhënësi i Putinit deklaroi vetëm se aksioni pati qenë një provokim.

Jo, kjo nuk është përgjigje për pyetjet e bëra dhe nuk është perspektivë për brezin e ardhshëm. Ai nuk do luftë në Siri, nuk do angazhim ushtarak në Donbass dhe nuk do konflikt në Ukrainë. Këta të rinj duan të mësojnë, të studiojnë dhe të udhëtojnë në botën e jashtme – ata ndihen pjesë e Evropës!

Të duket e çuditshme që manifestimet në qytetet e tjera ruse u lejuan. Kështu u protestua edhe në Siberi, në Ural dhe në Lindjen e Largët. Atje – në dallim nga Moska – u lejuan ta marrin fjalën edhe oratorë. Kudo dëgjoheshin të njëjtat halle: çmime të larta, të ardhura të ulëta, pensione të vogla dhe një shërbim i keq mjekësor.

Perandoria e Putinit në krizë – dhe këtë e dinë të gjithë

Jashtë Putini shfaqet si burrë i madh shteti, por brenda vendit gjendja është keqësuar. Varfëria po thellohet sërish, rrogat nuk paguhen. Rusia ndodhet jo vetëm në një krizë ekonomike, por edhe në një krizë politike: korrupsioni nuk është pakësuar aspak. Ministra, guvernatorë, deputetë ose nëpunës vazhdojnë të pasurohen. Këtë njerëzit e dinë.

Administrata e qytetit të Moskës i pati propozuar Navalnit të demonstronte jashtë qytetit, në një park – si të thuash jashtë syve të publikut. Këta Kremlini duket se i ka frikë, veçanërisht publikun e ri. Në vend të përgjigjeve jepen shkopinj gome. Jo shenjë e mirë për një periudhë tjetër në post të Presidentit të përjetshëm Putin. (dw)

Presidenti Trump nënshkruan urdhërin ekzekutiv për mjedisin

trapiPresidenti Donald Trump nënshkroi të martën pasdite një urdhër ekzekutiv për mjedisin, që ndryshon rregulloret për mjedisin të nënshkruara gjatë administratës së ish presidentit Obama. Ky hap po e rindez debatin dy partiak lidhur me ndikimin e aktivitetit njerëzor tek klima në Tokë, dhe shton shqetësimin për prishjen e një numri traktatesh botërore të klimës.

“Ne do t’u kthejmë punën minatorëve tanë dhe do të prodhojmë qymyr të pastër” - tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit zoti Trump.

“Shumë njerëz janë të mendimit se kjo do të ishte diçka katastrofike”- i tha Zërit të Amerikës në një intervistë laureati i Çmimit Nobel, holandezi Paul Crutzen. “Gjithshka që është arritur mund të shkatërrohet, prandaj mendoj se shumë shkencëtarë nuk kanë për ta pëlqyer këtë vendim.”- tha Crutzen, fitues i Çmimit Nobel të Paqes të vitit 1995, për punën e tij kërkimore për të shpjeguar boshatisjen e shtresës së ozonit të Tokës.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha të martën se ky vendim i presidentit do t’i krijojë mundësinë kompanive që të përdorin lirisht “burimet tona të mëdha energjitike”.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetarëve se zoti Trump synon të theksojë dy pikësynime kryesore të mbrojtjes së mjedisit: nxitjen e prodhimit të energjisë në Shtetet e Bashkuara dhe idenë se faktorët ekonomikë janë arsyeja kryesore për marrjen e urdhërave ekzekutive. “Mënyra më e mirë për të mbrojtur mjedisin është zhvillimi ekonomik i vendit” - tha zyrtari.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se urdhëri i Presidentit kërkon që Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të rishikojë të gjitha rregulloret e përcaktuara në Planin për Energji të Pastër.

Presidenti Trump e ka cilësuar vazhdimisht si të pavlefshme politikën e paraardhësit të tij për klimën. Gjatë fushatës elektorale për president ai i cilësoi nismat e Presidentit Obama për energji të pastër “jo të mënçura”, pasi sipas tij, rregulloret çojnë në “mbylljen e vendeve të punës”.

Propozimi për buxhetin i zotit Trump për 2018 ul fondet për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit me 31 për qind, duke përfshirë një shkurtim pothuajse të plotë të fondeve për kërkime në këtë fushë.

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit kanë reaguar të alarmuar ndaj politikave të zotit Trump për klimën, duke u shprehur se ato po e çojnë vendin në rrugën e gabuar. (voa)