Maqedonia, dobët në raportin mbi lirinë e shtypit

shkupiGazetarët në Maqedoni gjenden në një pozitë mjaft të vështirë dhe trysnia dhe dhuna e shpeshtë kundër ngrejnë mjaft shqetësime.

Organizata “Reporterët pa kufij” në raportin më të fundit lidhur me lirinë shtypit, e radhit Maqedoninë në pozitën e 118 nga 180 vende të botës. Asnjë prej dhjetra rasteve të regjistruara të dhunës ndaj pjesëtarëve të medias nuk ka gjetur zgjidhje në gjykatë.

Maqedonia është ndër vendet e pakta evropiane ku, sipas vëzhguesve, po përkeqësohet gjendja e gazetarëve dhe po shtypet liria e shprehjes.

Numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur vitin e fundit. Gjysma nga 45 rastet e sulmeve në katër vitet e fundit ka ndodhur në vitin 2016, ndërsa në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar pesë sulme të reja.

Thirrjeve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë për ndëshkimin e dhunuesve, institucionet përkatëse nuk u janë përgjigjur.

Ricardo Gutieres, Sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve shprehet i shqetësuar.

“Retorika kundër medias e zyrtarëve publik dhe politikanëve të Maqedonisë, përfshirë Nikolla Gruevskin është për t’u shqetësuar”, thotë Gutieres, duke shtuar se ata kanë përgjegjësi lidhur me sulmet e fundit kundër gazetarëve.

Asnjë rast i sulmeve ndaj gazetarëve deri më tani nuk është zgjidhur në organet gjyqësore.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani thotë se gjuha e urrejtjes në mjetet e informimit nuk është rezultat i mungesës së ligjeve por i refuzimit të institucioneve për t’i zbatuar ato.

“Maqedonia është e fundit në Evropë për lirinë e medias, jo sepse produkti mediatik nuk është i rregulluar me ligj, por për shkak se gazetarët janë nën trysninë e pushtetit, i cili përdor forcën dhe korrupsionin si mjet të kontrollit të medias dhe të kufizimit të lirisë së saj”, thotë Selmani.

Federata Evropiane e Gazetarëve është shoqata kryesore e gazetarëve në Evropë që përfaqëson 300 mijë gazetarë në 43 shtete. Ricardo Gutieres ka vërejtur se gazetarët në Maqedoni nuk përballen vetëm me sulme por disa prej tyre edhe me mbajtje nën arrest.

“Maqedonia është një nga vendet e pakta ku gazetarët sot mbahen në burg”,thotë z. Gutieres ndërsa bën të ditur se vetëm pesë vende evropiane vëzhgohen për raste të tilla dhe se ato janë: Turqia, Azerbajxhani, Mali i Zi, Rusia dhe Maqedonia.

Zoran Bozhinovski një gazetar, i cili njihet për zbardhjen e një numri rastesh që kanë të bëjnë me inkriminimin dhe korrupsionin e politikanëve, po mbahet në burg për më tepër se një vit, në pritje të gjykimit; Ndërkohë një tjetër gazetar, Tomisllav Kezharovski u lirua nga burgu para një viti. Kezharovski hulumtonte dhe shkruante për vdekjen e mistershme të një gazetari dhe botuesi tjetër kritik ndaj pushtetit, Nikolla Mlladenov në vitin 2013.

Maqedonia është radhitur në vendin e 118 nga gjithsej 180 vende të botës, sipas Organizatës “Reporterët pa Kufij” për sa i përket lirisë së medias. (voa)

Drejtësia franceze para vendimit për Haradinajn, ta lirojë apo ekstradojë në Serbi

HajredinajGjykata franceze në Colmar të enjten pritet të marr një vendim përfundimtar në lidhje me rastin Ramush Haradinaj.

​Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt, 2 mars dhe 6 prill, tani vendimi i ri për Haradinajn do të dihet më 27 prill.

Në një bisede për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj, tha se proceduarat rreth procesit të tij janë shterur dhe dita e enjte pritet të jetë vendimtare në këtë proces ndaj tij.

Nga praktikat e deritashme kanë ndodhur shumë befasi në procedura këtu. Vet fakti që jam katër muaj në këtë procedurë, flet për një, ta quaj ashtu, situatë shumë të çuditshme. Megjithatë, mendojmë së kjo është [seanca] e fundit për shkak se vetvetiu gjykata ka paralajmëruar se do të jetë seancë vendimmarrëse“, tha Haradinaj.

Ai mendon se ndalesa e tij nuk ka të bëj me asgjë tjetër, por siç thotë ai, ‘krejt kjo çështje është politike”.

Definitivisht kjo proceduarë duhet të mbyllet si e tillë në refuzim të kësaj kërkese (të Serbisë për ekstradim), e cila është e motivuar dhe është krejtësisht politike me fabrikime dhe pa bazë ligjore”.

Po ashtu edhe për faktin se jam shtetas i Kosovës dhe nuk njoh juridiksionin serb mbi Kosovën dhe mbi mua. Ftesa e tyre, ftesa e Beogradit, ose kërkesa për të shkuar atje është direkt kërkesë për luftë“, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha po ashtu se ‘ata të cilët kanë bërë ligje me tanke e që kanë sulmuar dhe kanë hapur zjarr në fëmijë e në shumë familje’, po kërkojnë tash ekstradimin e tij në Serbi.

Kjo është një logjikë e rëndë e Beogradit. Kjo është një mbetje e logjikës së luftërave që kanë kaluar në Ballkan. Është e habitshme indiferenca e të gjithëve. Pra, të gjithë kanë qëndruar indiferent. Në këtë logjikë të Beogradit, ndryshe thënë, i bie që nëse ka një aktakuzë për Vuçiqin apo Daçiqin, apo njëri nga ta, atëherë unë do t’ju premtoj atyre gjykim fer në Prishtinë”.

Beogradi ka shkuar shumë larg më ketë lojë dhe kushdo që është pjesë e kësaj loje duhet t’i vi turp për këtë qasje“, tha Haradinaj.

Tani, shqiptarët, ka thënë ai, nuk janë më të vetëm dhe nuk do të lejojnë ofendimet e as sulmet, siç kanë ndodhur më parë mbi ta.

Mos të harrojmë se ne shqiptarët, nuk jemi jetim më. Kushdo nga fqinjët që mendon se mund të nëpërkëmben shqiptarët, duke i ofenduar dhe sulmuar, gabon. Shqiptari është i njohur për reciprocitet. Ai që na jep respekt, ne i japim respekt. Ai që na jep nder, ne i japim nder. Ai që na ndihmon i ndihmojmë, po ai që na godet ja kthejmë“, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni, po në bazë të një fletë-arresti të Serbisë. Ai ishte mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë dhe më pas ishte liruar.

Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë, nën akuzat për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, ishte shpallur i pafajshëm.

Po ashtu, një proces tjetër ndaj tij ishte iniciuar po në Hagë, por sërish qe shpallur i pafajshëm në vitin 2012, duke u liruar nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për krime lufte. (REL)

Gazetarët Pa Kufi: Liria e shtypit, kurrë më e rrezikuar

harta liria e shtypitOrganizata Gazetarët Pa Kufi tha të mërkurën se “liria e shtypit nuk ka qenë kurrë më në rrezik” në shkallë globale. Deklarata u bë në raportin vjetor të organizatës që përfshin indeksin e lirisë së shtypit.

Gazetarët Pa Kufi nënvizon në veçanti rastin e vendeve demokratike në përfundimet që nxjerr për lirinë e shtypit gjatë vitit të kaluar.

“Në deklarata revoltuese, ligje drakoniane, konflikte interesi, madje edhe përmes përdorimit të forcës fizike, qeveri demokratike po shtypin një liri që, parimisht, duhet të jetë një ndër treguesit kryesorë që dëshmojnë punën e tyre”.

Raporti thotë se kufizimi i lirisë së shtypit është më i dukshëm në vende ku “ka triumfuar modeli i qeverisjes nga një burrë i forte shteti me stil autoritar,” si Polonia, Hungaria dhe Turqia.

“Ritmet me të cilat demokracitë po i afrohen cakut të mundshëm është alarmues për të gjithë ata që e kuptojnë se, nëse liria e shtypit nuk është e sigurtë, asnjë nga liritë e tjera nuk është e garantuar,” thotë Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Christophe Deloire.

Në analizën e përgjithshme, 62% e vendeve të përfshira në raportin e sivjetshëm kanë rënie të lirisë së shtypit në indeksin e 2017.

Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Holanda renditen si vendet me lirinë më të madhe për gazetarët.

Korea e Veriut është në vend të fundit. Gazetarët Pa Kufi thotë se ky vend “vazhdon të mbajë popullatën në padije dhe terror. Pas Koresë së Veriut, nga fundi renditen Eritrea, Turkmenistani, Siria dhe Kina.

Vendet që shfaqin përmirësimet më të mëdha që nga raporti i 2016 janë Laosi, Pakistani, Suedia, Birmania dhe Filipinet. Rënia më e madhe është shënuar nga Arabia Saudite, Etiopia, Maldivet dhe Uzbekistani.

Raporti fajëson Presidentin Donald Trump dhe retorikën e tij gjatë fushatës presidenciale që shpesh vinte në shenjestër grupet mediatike duke e cilësuar punën e tyre si “lajme të rreme”.

“Gjuha e urrejtjes që përdoret nga bosi i ri në Shtëpinë e Bardhë dhe akuzat e tij për lajme të sajuara i kanë bërë më të pranueshme sulmet ndaj medias thuajse kudo në botë, përfshirë vendet demokratike”.

Shtetet e Bashkuara renditen të 43-tat në indeks, duke shënuar rënie nga vendi që zinin vjet. Britania, e cila vjet përmes referendumit vendosi të largohej nga BE, renditet e 40-ta.

“Ardhja e Donald Trumpit në pushtet në Shtetet e Bashkuara dhe fushata për Brexit në Britani u shoqëruan me sulme të hapura ndaj medias, një debat shumë toksik mbi punën e shtypit që e shtyu botën drejt një epoke të re dizinformimi, sulmesh për lajme të sajuara dhe konceptit të pas-vërtetës”.

Raporti thekson se rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore vazhdojnë të jenë më të rrezikshmet për punën e përditshme të gazetarëve; pas tyre renditen Evropa Lindore dhe Azia Qendrore.

Qua Vadis Shqipëri? Negociata pa rezultat

Maxhoranca pranon formulën europiane, opozita kushtëzon dialogun me qeveri teknike dhe paralajmëron fillimin e mosbindjes civile.

David McAllisterDavid McAllister

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister (Partia Popullore Europiane) dhe Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein (SPD), ndërmjetësues të përzgjedhur nga BE për të ulur palët në tryezën e  bisedimeve, janë larguar nga Tirana  në mëngjesin e sotëm  ( 26 /04/2017)  për në Bruksel pa asnjë rezultat për zgjidhjen e krizës politike, rikthimin e PD në Parlament dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet parlamentare  të18 qershorit.

Deklarata e europarlamentarëve

Knut FleckensteinKnut Fleckenstein

Në vend të një konference shtypi  në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, delegacion i BE  në Tiranë ka dalë me një deklaratë në emër të dy ndërmjetësuesve. “Dy europarlamentarët paraqitën propozime për të ardhmen që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e kryerjes së zgjedhjeve dhe masa për ndërtimin e besimit politik. Ata propozuan gjithashtu ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë tek sistemi. Nga ana e maxhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vettingu të votohet në parlament. Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme” bën me dije kjo deklaratë.

Oferta ndërkombëtarë përjashton qeverinë teknike

RamaThelbi i propozimit të dy ndërmjetësuesve europianë McAllister dhe Fleckenstein: riformatim i qeverisë Rama për të rritur besimin e opozitës dhe shtyrjen e zgjedhjeve në 16 korrik. Riformatimi i qeverisë parashikonte ndryshimin e ministrave të qeverisë Rama në 4 ministri që do t’i përcaktonte opozita. Por  jo dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Këto në këmbim të kthimit të opozitës në Parlament, plotësimit të strukturave të Vettingut me anëtarët nga opozita dhe konstituimi i tyre.

Propozimi i formatuar si një draft marrveshje opozitë –qeveri  përmbante  tri pika kryesore: ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, që do t’i përkiste opozitës; shkarkime në nivel të lartë të drejtuesve të policisë; kriminalizimin, pra dënimin si vepër penale, të shit-blerjes së votës, të cilat u pranuan  nga kryeministri Rama dhe kryetari i Parlamentit Meta.

Pas “po” së se maxhorancës David McAllister filloi bisedimet me PD. Por pa asnjë rezultat. Bisedimet dolën pa sukses. Draft-marrëveshja europiane u refuzua dhe si kusht i vetëm për pranimin e saj mbeti  doreheqja e kryeministrit Rama, krijim i një qeverie teknike dhe më pas ulja në tavolinën e bisedimeve mes qeverisë teknike dhe opozitës. Burime nga PD pohuan për Deutsche Wellen, se  Basha u kërkoi  dy ndërmjetësuesve shtyrje të zgjedhjeve deri në fund të këtij viti dhe një qeveri pa Edi Ramën.

Kryetari i PD deklaroi mbrëmë para protestuesve se “dy përfaqësuesit europianë bënë përpjekje për të kontribur në një zgjidhje reale të krizës politike. Për fat të keq përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukeses. Kjo sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike si zgjidhjen e vetme për të krijuar kushte dhe premisë të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Përshkallëzimi i protestës?

Pas tri ditësh, të shtunën më 29 prill, skadon shtyrja e afatit që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ((KQZ) pranoi të bëjë për t’ i dhënë mundësinë e fundit PD për t’u regjistruar dhe marrë pjesë në zgjedhje. Dështim i uljes në tavolinën e bisedimeve të palëve, me ndërmjetësimin e McAllister dhe Fleckenstein, lë të kuptohet se PD nuk do të regjistrohet dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Përkundrazi u paralajmërua përshkallëzimi i protestës me fillimn të hënën, më 1 maj, të mosbindjes civile dhe bojkoti përfundimtar të parlamentit.

Basha“Kusht i pa tjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike dhe ne do ta vazhdojmë betejën tonë të pandalshme. Javën tjetër do të nisim mosbindjen civile në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha mbrëmë para protestuesve brenda ҫadrës.

Nuk ka ende qëndrime të grupit të moderuar brenda PD që janë “pro” kthimit në parlament dhe as takime të forumeve të larta të PD  si Këshilli Kombëtar apo Kryesia e demokratëve për  një vendim lidhur me mosmarrjen  pjesë në zgjedhje dhe bojkotin përfundimtar të Parlamentit.

Në KQZ janë regjistruar 33 parti për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Mes tyre LSI dhe parti të djathta opozitare, plus partinë e re opozitare jo të djathtë LIBRA  e deputetit socialist Ben Blushi. Subjektet politike kundërshtare për të patur garë egzistojnë. Mosmarrja pjesë e PD në zgjedhje do të thotë që forca më e madhe opozitare në 25 vjet post-komunizëm e vetënxjerr vehten nga skena politike pasi në Parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e radhës ajo, me zhvillimet e deritanishme, rezulton që nuk do të jetë e përfaqësuar.

Për pasojë skena politike e Tiranës do të ketë shans të rikonfigurohet me protagonistë dhe aktorë të rinj. Mungesa e PD në Parlamentin e ardhshëm nuk do ta bëjë atë pjesëmarrëse as në strukturat e vettingut, ku ajo ka me ligj ka 50 përqind të anëtarëve në të gjitha komisionet. Radikalizimi i qëndrimeve të PD parathotë edhe mundesi për destabilizim gjatë procesit zgjedhor dhe vështirësi për zhvillimin e tij në terren. (dw)

Franca: Analizat konfirmojnë se Siria përdori gazin sarin

ministri i Jashtëm francez Jean-Marc AyraultAnalizat e kryera prej autoriteteve franceze mbi sulmin me armë kimike të 4 prillit në Siri tregojnë se qeveria siriane ishte përgjegjëse për përdorimin e gazit sarin kundër civilëve.

Si pasojë e sulmit në qytetin e Khan Sheikhoun, nën kontrollin e opozitës, u vranë më shumë se 80 vetë. Kjo nxiti Shtetet e Bashkuara të kryenin një sulm me raketa ndaj një baze ajrore të qeverisë siriane.

Burime të sigurta konfirmojnë se procesi i fabrikimit të mostrave të gazit sarin që u morr për egzaminim nga ne, është tipik me metodën që zhvillohet në laboratorët sirianë“, tha ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault.

Kjo metodë është dëshmia se regjimi i Asadit qëndron pas këtij sulmi “, tha ai.

Komentet e ministrit të jashtëm francez, u bënë në një kohë me publikimin e një raporti të deklasifikuar, që detajon se si ekspertët francezë dolën në këtë përfundim.

Në raport thuhet se Franca mori mostrat e veta nga sulmi i 4 prillit, që tregon praninë e gazit sarin dhe të një elementi stabilizues. Ekspertët kishin kryer me parë një provë me një granatë të pashpërthyer, të marrë pas sulmit me gaz kimik të vitit 2013 dhe faktuan të njëjtin proces prodhimi që i atribohet qeverisë siriane.

Në raport thuhet gjithashtu se Shteti Islamik dhe grupet e tjera militante nuk posedojnë gaz sarin dhe se nuk janë të besueshme teoritë që sulmi u organizua prej luftëtarëve rebelë.

Presidenti sirian Bashar al-Assad hedhi poshtë pretendimin se ushtria e tij ishte përgjegjëse për sulm me gaz sarin në Khan Sheikhoun. Ai i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP, se incidenti ishte një “fabrikim” për të justifikuar sulmin ushtarak amerikan me raketa.

Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha sot se raporti i autoriteteve franceze nuk e provon përfundimisht se kush duhet të fajësohet për sulmin dhe se “e vetmja mënyrë për të dalë e vërteta mbi atë që ndodhi pranë Idlibit është një hetim i paanshëm ndërkombëtar”.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha gjithashtu sot se sulmi ajror amerikan dëmton mundësitë për një zgjidhje politike të konfliktit sirian, që vazhduan që nga marsi i vitit 2011. (voa)

Rama, politikanët ballkanikë dhe Evropa

Beqe CufajDo të shihen politikanët ballkanikë një ditë si ata që e bënë Ballkanin Skandinavi? Beqë Cufaj mendon se deklaratat për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e afrojnë kryeministrin e Shqipërisë me konfliktualët e rajonit.

Përfytyrojeni këtë situatë fiktive: disa vite pas Luftës së Dytë Botërore, burra si Konrad Adenauer-i, Winston Churchill-i, Jean Monnet,  Robert Schuman-i, të gjithë të njohur sot si themeluesit dhe baballarët e Evropës së pasluftës, t’i ushqenin asokohe popujt e tyre me reminishencat e moçme.

Me fjalë të tjera, Konrad Adenauer ta akuzonte Robert Schumann-in se po ëndërron për Francën e madhe. Ose Schumanni ta denonconte Adenauerin se ka nxjerrë nga sirtarët planet naziste për jetësimin e historisë! A do të bëhej Europa një Bashkim? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje do të ishte mësimi më i mirë për politikanët e sotëm nga Ballkani.

Edi Rama, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Aleksandar Vučić, Ivica Dačić, Milorad Dodik, Izetbegović, Georgievski, Zaev, Ivanov… a do të jenë këta politikanët, për të cilët fëmijët e fëmijëve tanë do të mësojnë një ditë në shkolla si për baballarët, që arritën ta bëjnë Ballkanin Skandinavinë apo Baltikun e Evropës Jugperëndimore?

Mençuria kundër urrejtjes

Jo! E them këtë sepse po të lexosh biografitë e liderëve të parë të Unionit dhe ato të politikanëve të sotëm ballkanas, del qartë që një Adenauer apo Schumman kishin vuajtur aq në luftëra, sa arritën ta kuptojnë mençurinë se sa të pakuptimta janë edhe urrejtja edhe konflikti. Burrat nga Ballkani, ende të rinj në moshë, është e pamundur të kenë provuar atë që kanë përjetuar qytetarët e vendeve të cilave u prijnë.

Sidomos njëri prej tyre s’ka të bëjë me luftëra. Shqiptari Edi Rama. Rama është mbase i vetmi politikan nga ky gadishull, i cili qoftë me të kaluarën e tij prej artisti e publicisti, ashtu edhe mënyrën e ardhjes në pushtet, nuk përdori instrumente nacionaliste. Prandaj ai është mysafir i mirëseardhur në Berlin e Bruksel. Rama, artisti, basketbollisti, politikani. Pa bagazhin e së kaluarës, labirinteve të deklaratave luftënxitëse a nacionaliste, pa urrejtje për popuj të tjerë.

Por ja që edhe Rama, prejse është bërë kryeministër, kohë pas kohe dhe sidomos kur brenda në Shqipëri e ka punën pisk me opozitën, apo kur nga Evropa i vijnë vërejtje për fshatrat Kanabisi, pikërisht ky, katapulton me deklarata që çojnë pluhur.

Arsyet e deklaratave të Ramës

Nga debatet për ndeshje futbolli Shqipëri-Serbi, përmes kacafytjeve publike me Vuçiqin për Kosovën dhe deri tek deklarata e tij fundit po për Shqipërinë e madhe, rrëshqitje të cilat duket që nuk janë të rastësishme, Rama del që në këto katër vite të të qenit në pushtet, u bë pjesë e politikanëve ndaj të cilëve ndjente vetëm pështirosje, sa ishte artist dhe publicist. Dhe i përqeshte!

Po pse e bën Rama një gjë të tillë, përtej shpjegimit pllakativ se do t’u ikë problemeve të brendshme? Sepse shuma e problemeve, duke filluar nga kundërshtarët e brendshëm (partneri Meta) apo të jashtëm (opozitari Berisha), duke vazhduar me korrupsionin,  kriminalitetin, ekomominë gri, kanabisin, papunësinë, zhduket brenda pak çastesh  me shkopin magjik të retorikës nacionaliste! Këtë gjë e ka mësuar nga kolegët dhe fqinjët e tij.  Sot rrihen Thaçi e Vuçiçi. Nesër shahen Gruevski e Ahmeti. Pasnesër Izetbegoviçi fyhet nga Dodik. Të gjithë njëkohësisht dhe pa ndalur.

Dhe tani dua të marr një shembull që Edi Rama jo rrallë këto mendime i ka patur edhe si sulme për t’u mbrojtur. P.sh. deklarata e tij e fundit për „Shqipërinë e madhe“ vjen pikërisht pasi iu hodh në shportë, publikisht dhe demonstrativisht nga bashkëkombasit e tij në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, propozimi i tij për themelimin e Bashkimit Tregtar Ballkanik. Publicistët e akuzonin për tradhëti kombëtare. Qeveria e Kosovës deklaroi që ideja është kundër interesave shqiptare – nga frika e fuqisë tregtare serbe.

Askush nga Brukseli nuk doli ta mbështesë Ramën për atë ide

Edhe ekspertët më të parëndësishëm të BE-së, “on record” dhe “off record” e denoncojnë Ramën për “Shqipërinë e Madhe“. Ajo që dua të them: vazhdoj të besoj shumë më shumë në deklaratat e Ramës së frustruar (Shqipëria e madhe), Ramës pragmatik (Bashkimi Tregtar Ballkanik), Ramës së dëshpëruar (me krizën dhe krizat në Tiranë), sesa që dua t’u besoj vizioneve apo premtimeve, dëshirave apo planeve të Vuçiqit, Thaçit, Ivanovit, Dodikut… Sepse është e kaluara e tyre me plot njolla, ajo që duhet të na bëjë të shohim me shumë dyshim çdo gjë që bëjnë apo flasin këta politikanë.

Luhatjet e Ramës mes retorikës nacionalishte dhe vizioneve për një Ballkan europian janë dridhje, të cilave çdo qenie njerëzore e ka zor t’u dalë përballë. Tek e fundit, të jesh artist dhe pastaj të bëhesh politikan, shtoi kësaj edhe politikan shqiptar – kjo po që nxit edhe fantazi, por edhe xhelozi. Ramës i duhet mbështetje sepse s’e ka të lehtë. Herë i duhet të jetë mirë me serbët, por shumë më shumë i duhen shqiptarët. Dhe krejt këto nën mbikqyrjen e Brukselit.

Europa edhe kështu vazhdon të jetë larg Ballkanit! Sepse stërpinët politikë të Adenauerit e Schumann-it thjesht s’duan ta kuptojnë që shfaqjet politike si Edi Rama sot, apo Zoran Đinđić dje, paraqesin kërcënim për Ballkanin. Që ky të bëhet pjesë normale e Europës që ata themeluan! (dw)

Kriza politike, dështon dhe ndërmjetësimi europian

NdermjetesuesitNdërhyrja e dy eurodeputetëve David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian dhe Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë, nuk arriti të çojë në një zgjidhje të krizës politike në vend. Dy eurodeputetët të cilët u përpoqën të ndërmjetësonin afrimin e pozicioneve mes palëve, paraqitën disa propozime që sipas një deklarate për shtyp të shpërndarë në mbrëmje kishin të bënin me “çështjen e dekriminalizimit, luftën kundër narkotrafikut, me masa teknike për të përmirësuar procesin zgjedhor, si dhe masa që do të rrisnin besimin politik”, shpjegon deklarata ndërsa shton se dy eurodeputetët “propozuan ide për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme të strukturave qeveritare para zgjedhjeve në mënyrë që të krijohej një besim afatgjatë në sistem”.

Në deklaratë jepen shpjegime dhe për qëndrimet që mbajtën palët ndaj këtyre propozimeve. “Nga ana e saj shumica ishte dakort me pikat e propozuara, me kusht që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kalojë në parlament”. Sipas burimeve, mësohet se shumica ka rënë dakort mes të tjerave që përveç masave më të rrepta ndëshkuese për shitblerjen e votës apo ndërhyrjet në procesin zgjedhore, data e zgjedhjeve të mund të shtyhet deri në 16 korrik, gjë të cilën deri më tani kryeministri e kishte konsideruar si të panegociueshme, e madje dhe të bëjë ndryshime thelbësore në kabinetin e tij. Po ashtu ndryshime mësohet se janë pranuar dhe në radhët e policisë, për emërimin e një zëvendës drejtor i Përgjithshëm i cili të ketë konsensusin e opozitës, si dhe lëvizje të tjera në nivele drejtuese, të cilat nisën që dje e pritet të vijojnë në ditët e ardhshme. Po ashtu ndër masat që lidhen direkt me zgjedhjet duket se është pranuar dhe opsioni që kreu i KQZ t’i kalojë opozitës, ndërkohë që është propozuar dhe që zgjedhja e presidentit të shtyhet për pas zgjedhjeve dhe propozimi i një figure konsensuale t’i lihet në dorë opozitës së re që do të dalë pas votimeve.

Por ajo që ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje, siç bëhet e qartë dhe nga deklarata e shpërndarë nga Delegacioni i Bashkimit europian, ka qenë çështja e Qeverisë teknike. “Partia Demokratike i qëndroi pozicionit të saj për caktimin e një kryeministri teknik dhe vënien në jetë të një sistemi elektronik për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundon deklarata e dy eurodeputetëve, në përfundim të përpjekjes së dytë që ata bënë mbrëmë me palët, pas takimeve të para, gjatë pasdites. Diskutimi i Qeverisë teknike nuk ishte përfshirë në platformën që dy eurodeputetët i paraqitën palëve si bazë për bisedimet mes palëve.

Pas deklaratës së lëshuar nga zyrat e BE-së në Tiranë, për bisedimet e dy eurodeputetëve, nga çadra përballë godinës së qverisë, kreu i opozitës Lulzim Basha, ja faturoi dështimin e zgjidhjes kryeministrit Edi Rama, i cili siç tha ai “refuzon qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme, por edhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Zoti Basha shpjegoi më tej se “Partia Demokratike ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh të natyrës teknike, të cilat do të ndihmonin për të përshpejtuar procesin e dekriminalizimit dhe për të luftuar me të vërtetë drogën. Por, nuk mund të pranojmë kurrë që këto detyra, të cilat Edi Rama me vetëdije nuk i kreu gjatë kohës që ishte ne qëverisje, sepse beri të kundërtën duke sjellë kriminelët në parlament në krye të bashkive dhe institucioneve publike të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një hambar droge për përfitime pasurore dhe të pushtetit të tij, ky njeri pra, që dështoi të bëjë detyrat e tij para shqiptarëve tash 4 vite, do të mund ti bënte ato në këto 4 javë që i kanë mbetur të mandatit të tij”.

Kreu i opozitës përsëriti dhe një herë se “kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke përfshirë votimin dhe numërimin elektronik”, ndërsa parlajmëroi një përshkallëzim të betejës politike të opozitës. “Javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës dhe tiranisë së krimit dhe drogës se, koha kur në Shqipëri bëheshin votime por jo zgjedhje, ka marrë fund një herë e mirë. Nuk do të ketë më kurrë votime dhe jo zgjedhje. Nuk do të ketë kurrë pushtet pa opozitë”, u shpreh zoti Basha.

Nga ana e tij kryeministri Rama pati vetëm një reagim të shkurtër në rrjetet sociale. “Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por, pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”, shkroi zoti Rama. (voa)

BE kundër zgjedhjeve të reja në Maqedoni

EUBashkimi Europian nuk e sheh të arsyeshme mbajtjen e zgjedhje të reja në Maqedoni. Ambasadori I Holandës Vauter Plomp thotë se perëndimi I ka vlerësuar zgjedhjet e dhjetorit si fer dhe demokratike dhe çdo përsëritje e tyre do të stërzgjaste krizën që do të shpiente në destabilizim.

“Zgjedhjet e dhjetorit ishin fer dhe demokratike ashtu edhe siç u shprehën një numër i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë. Andaj edhe dobia nga zgjedhjet e reja do të ishte e vogël. Zgjedhjet e reja vetëm se do të zgjatnin krizën,” është shprehur Plomp.

Edhe ambasadori i Suedisë Mats Stefanson thotë se mbajtja e zgjedhjeve është lojë e rrezikshme. Zgjidhja do të duhet të kërkohet në kushtetutë, thotë Stefanson duke e arsyetuar edhe takimin e mundshëm të liderëve për nisjen e dialogut.

“Zgjedhjet e reja do të shkaktonin konforntim ekstrem , që nuk është mirë për stabilitetin. Zgjidhja do të duhet të kërkohet në kushtetutë. Mendoj se është mjaft herët për Përzhino 3. Nuk kam informacione për takim liderësh, megjithatë në gjithë këtë klimë të konfrontuar politike, dialogu midis opozitës dhe pushtetit nuk shtë ide e keqe. Megjithatë ata do të duhet të vendosin,” ka deklaruar Stefanson.

Kundër zgjedhjeve, por të formohet qeveri e re është shprehur edhe ambasadori I Sllovenisë Millan Jazbec. (ina)

Dështoi misioni i McAllister, nuk ka zgjidhje. Mazhoranca: Por ka zgjedhje pa opozitën

ndermjetesuesit evropian 2Negociatat mes qeverisë dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian, nuk ia dolën që të ulnin bashkë në një tryezë dialogu Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

5 orët e negociatave ishin intensive, por pa produkt të përbashkët. Takimi i parë i David McAllister nga e djathta dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian, ishte me bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë njohur me një dokument që synonte përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, por që nuk përfshinte si pikë kërkesën e opozitës për qeverinë teknike.

Burime pranë qeverisë i thanë Top Channel se mazhoranca e ka vlerësuar dokumentin si një bazë të mirë për dialog me opozitën dhe se do të ishte e gatshme të diskutonte me të në një tryezë dialogu.

Burime të tjera, që e kanë parë dokumentin, bënë të ditur për Top Channel se ai përmban disa çështje që janë menduar se i japin besueshmëri procesit zgjedhor. 3 prej tyre janë drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga opozita, ndryshimi i disa drejtuesve të policisë, si dhe ndryshimet në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimin për shitblerjen e votës.

Por, për opozitën ky dokument nuk ishte një zgjidhje. Burime nga opozita thanë për Top Channel se ndërmjetësuesit europianë informuan se dokumenti është hartuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-së dhe kanë kërkuar të mësojnë pozicionin e opozitës, nëse ai përbën një bazë për dialog.

Të njëjtat burime thanë se kryetari Lulzim Basha është shprehur se e vetmja bazë për dialog është qeveria teknike dhe mandati i saj. Pas marrjes zyrtarisht të kësaj kërkese të opozitës, negociatorët janë ulur me palët në të njëjtin vend, tek Pallati i Kongreseve, në të njëjtin orar, në orën 19:00 të mbrëmjes së të martës, por në formate të veçanta. Europiani i djathtë McAllister me opozitën dhe europiani i majtë Fleckenstein me qeverinë. Takimi i opozitës zgjati më pak se 30 minuta, sepse burimet thanë se fokusi ishte kërkesa e opozitës për qeverinë teknike. Lulzim Basha nuk dha detaje.

Burime të Top Channel thanë se në takimin e dytë me McAllister, opozita ka mbrojtur qëndrimin se negociatat nisin vetëm me formimin e qeverisë teknike si pika e parë e diskutimeve të tryezës së dialogut. Pala e qeverisë doli më vonë nga takimi, ndoshta pasi është përcjellë zyrtarisht kërkesa e opozitës. Që, mesa duket, nuk është pranuar, por kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të qartë.

Ilir Meta ishte edhe më hermetik. Ai përsëriti disa herë vetëm një shprehje që nuk përcillte optimizëm: “Nuk kam koment”.

Dhe me të njëjtën heshtje u larguan edhe negociatorët. David McAllister foli vetëm sa për të thënë se qëndrimi i tyre do të bëhej i njohur nëpërmjet një deklarate.

Ndërsa pritej deklarata e negociatorëve, burime nga mazhoranca i pohuan Top Channel se dështimi o negociatave e prodhoi një rezultat, ndoshta jo zgjidhje, por zgjedhje në 18 qershor, edhe pa opozitën.

/ Top Channel

“Babai” i TAP, Afezolli: Pengjet e mia për projektin

Afezolli TAPNaskë Afezolli është një nga dy personat që kanë ideuar gazsjellësin TAP. Prej vitesh ai jeton dhe punon në Zvicër, për një nga kompanitë kryesore të energjisë në këtë vend, “EGL”, e cila është edhe një nga aksioneret kryesore të gazsjellësit TAP.

Sot kur ky projekt është realitet, Afezolli ka disa pengje për mënyrën sesi pala shqiptare ka negociuar këtë marrëveshje.

“Të gjitha linjat e gazit kanë fitime shumë të mëdha nga tranziti. Për fat të keq, këto të gjitha që unë i kisha ëndërr për t’u realizuar për Shqipërinë, pas vitit 2013 kur u bënë marrëveshjet, në këto marrëveshje përfaqësuesit e TAP ishin shumë të mobilizuar që Shqipërisë mos t’i jepnin ‘fee’ tranziti, ose element të tranzitit, kështu që Shqipëria faktikisht nuk përfiton tranzit. Megjithatë përfitimet prapë janë të mëdha. Por në ‘Host Government agreement’ që u krye, unë prisja që të ishin marrëveshjet më pozitive ndaj Shqipërisë, që t’i jepej Shqipërisë më shumë gaz dhe më shumë ‘Exit points’”, tha Naskë Afezolli, ideator i gazsjellësit TAP.

Ai ndalet dhe te taksa e tranzitit, duke shpjeguar arsyet se pse Greqia nuk ka të drejtë ta përfitojë atë, ndërsa Shqipëria po.

“Greqia nuk ka të drejtë të kërkojë kosto tranziti, sepse është anëtare e BE-së. Pra kur vjen puna te anëtarësimi në BE, Greqia e luan shumë mirë rolin e BE-së, ndërsa Shqipëria duke mos qenë anëtare e BE-së, përsëri i takonte të merrte diçka për tranzitin”, tha Naskë Afezolli.

Afezolli sjell në vëmendje edhe një tjetër investim që lidhet po me TAP.

“Qeveria zvicerane ka dhënë 6-7 mln euro fond ndihme Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Ky fond është ekzaktësisht për të përgatitur infrastrukturën, ekspertët përsa i përket krijimit të të gjithë departamenteve në ministritë përkatëse, në mënyrë që të zhvillohet edhe infrastruktura e gazit, e përveç kësaj, një pjesë e këtij fondi do të shkojë edhe për të përgatitur një studim fizibiliteti edhe për një tubacion që do të ndërtohet nga TAP-i do të shkojë në Vlorë, në TEC-in e Vlorës”, tha Naskë Afezolli.

E në fund, Afezolli vlerëson interesin e kompanisë azere “SOCAR” për ndërtimin e sistemit të shpërndarjes së gazit në Shqipëri, por ai kërkon që edhe kompanitë europiane të përfshihen në këtë proces.

/ Top Channel