Unioni doganor ballkanik – ide interesante por afatgjatë

VucicKryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka hedhur idenë e krijimit të një unioni doganor, por ende nuk dihet se çfarë do të thotë kjo ide. Ekspertët thonë se ideja nuk është e keqe, por ka pengesa dhe mangësi të mëdha.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq është promotori kryesor i të ashtuquajturit “unioni doganor” në Ballkanin Perëndimor. Ai mendon se “integrimi i tregtisë dhe transportit është rruga më e drejtë për përparimin”. Vuçiqi e sheh të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian, ndërsa thotë se integrimi më i madh i Ballkanit Perëndimor është hap i mirë në këtë drejtim. Vuçiq mendon se këtë ide e mbështesin Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, por ka dhe vende që nuk e duan ate, si Shqipëria apo Kosova.

Ide ekonomike apo politike?

Ideja për një union doganor është më shumë një ide politike se ekonomike, mendon kryeredaktori i gazetës javore NIN, Millan Qulibrk. Sipas tij, kjo ide nuk është autentike e Ballkanit por ka lindur diku tjetër. “Mua kjo ide më duket si një përpjekje për uljen e tensioneve politike në ngritje në rajon.”

Qulibrk pohon në bisedë me DW se një union i tillë nuk nevojitet, sepse në këtë fushë kemi CEFTA-n, ku para anëtarësimit në BE përfshiheshin edhe Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Rumunia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia. Në CEFTA janë sot vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Komisioni Evropian e ka përshëndetur idenë e integrimeve evropiane, por nuk ka nevojë për ndonjë union të ri, sepse duhet bashkëpunuar në kuadër të CEFTA-s.

Analisti ekonomik Mijat Lakiqeviq mendon se “ideja është e mirë, por mund të funksionojë vetëm pas një kohe të gjatë”. Për funksionimin e saj kërkohet një stabilitet politik. Ekonomisti Sasha Gjogoviq e sheh marrëveshjen për një union të ri doganor si një hap më larg në zbatimin e marrëveshjes CEFTA. Por njëkohësisht ai paralajmëron se një gjë e tillë nuk mund të bëhet shpejt.

Sipas Gjogoviq, Serbia ka marrëveshje për tregti të lirë me Rusinë dhe Unionin e Euroazisë dhe nuk do të kishte interes të futet tani në një union tjetër doganor rajonal. Por një marrëveshje e tillë do të ishte një stimulim edhe për futjen e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në zonën Euroaziatike. Një shpjegim tjetër për krijimin e këtij unioni doganor është edhe mendimi se Ballkani Perëndimor nuk do të bëhet shpejt pjesë e BE.

Kush përfiton nga një union i ri doganor?

Shumë shpesh thuhet se nga një union i tillë do të përfitonte më së shumti Serbia, sepse ajo është eksportuesi më i madh në mesin e këtyre vendeve. “Por përfitimi varet edhe nga ambienti ekonomik në një vend”, mendon Lakiqeviq. Ndërsa Gjokoviq pohon se futja në spekulime se kujt i sjell më shumë avantazhe një union i tillë do të çonte deri tek retorika nacionaliste, që do të thotë se ideja do të dështonte para fillimit të aplikimit të saj. „Ideja e tillë është një provë edhe për politikanët e rajonit. Të shohim nëse kjo është vetëm një ide për marketing apo do të pasohet me marrëveshje.” (dw)

Ndërmjetësimi europian, raund i dytë takimesh

ndermjetesuesit evropianNë Shqipëri dy europarlamentarët David McAllister dhe Knut Fleckenstein, zhvilluan në mbrëmje një raund të dytë bisedimesh me drejtuesit e shumicës së majtë dhe të opozitës, në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës politike. Takimet u zhvilluan këtë herë në të njejtin mjedis, në Pallatin e Kongreseve por, ku përfaqësuesit e palëve, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta nga njëra anë dhe kreu demokrat Lulzim Basha nga ana tjetër, qëndruan në dhoma të ndara.

Vazhdimi i bisedimeve pas takimeve të para që dy eurodeputetët patën pasdite, u duk si një sinjal shprese se mund të ketë hapësira zgjidhjeje. Por zoti Basha doli pas 35 minutash. Ai deklaroi se “nuk kanë nisur negociatat. Jemi në proces të takimeve dhe bisedimeve me ndërmjetësit europianë”, deklaroi ai pa dhënë shpjegime të tjera. Ndërkohë zoti Rama dhe Meta, dolën pak më vonë, duke evituar çdo lloj komenti. Deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë se cilat janë pikat mbi të cilat është diskutuar, dhe as se si do të ecet më tej. Edhe zoti McAllister dhe Fleckenstein, nuk pranuan të jepnin asnjë shpjegim, dhe as të shpreheshin nëse përpjekja e tyre kishte patur ose jo sukses. Zoti McAllister u mjaftua të thotë se gjatë mbrëmjes do të lëshohet një deklaratë, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse përpjekjet e tyre do të vijojnë.

Pasdite dy eurodeputetët qëndruan afër 60 minuta me kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit, për t’u ndalur më gjatë, afër 90 minuta me kreun e opozitës, i cili gjatë paradites, para takimeve, kishte theksuar dhe një herë se “rrugë tjetër veç zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike e cila paraprakisht do të largojë kriminelët nga institucionet, e do luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, e cila do të zbatojë reformën zgjedhore e do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme duke përfshirë votimin biometrik dhe elektronik dhe numërimin elektronik, rrugë tjetër nuk ka”. (voa)

Ndërmjetësimi për krizën, nis misioni i dy eurodeputetëve

David McAllisterNë Shqipëri nisën sot pasdite bisedimet për zgjidhjen e krizës politike që prej më shumë se dy muajsh sheh në protestë opozitën e vendit, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike e cila të garantojë sipas saj, zgjedhje të lira e të ndershme. Bisedimet po ndërmjetësohen nga një mision i Parlamentit Europian i përbërë nga David McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit europian, dhe nga relatori për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Ndërhyrja nga jashtë u kërkua nga drejtuesit e shumicës së majtë në pushtet të cilët i bënë ftesë Partisë Popullore Europiane, (PPE) grupimi i qendrës së djathtë europiane, ku bën pjesë dhe Partia Demokratike. Eurodeputeti McAllister, është zëvendëspresident i PPE.

Burime diplomatike saktësuan se palëve në Shqipëri u është paraqitur që prej ditës së djeshme një dokument me disa pika që do të përbëjë dhe bazën e bisedimeve. Eurodeputetët kanë nisur takimin me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, për të vazhduar më pas me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Misioni i tyre, i cili me gjasa do të jetë përpjekja e fundit për të gjetur një zgjidhje, duket tejet i vështirë, duke parë dallimet e thella në qëndrime mes palëve. Edhe sot zoti Basha gjatë fjalës së tij të përditshme në çadrën e ngritur përpara kryeministrisë, theksoi se “rrugë tjetër veç zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike e cila paraprakisht do të largojë kriminelët nga institucionet, e do luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, e cila do të zbatojë reformën zgjedhore e do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme duke përfshirë votimin biometrik dhe elektronik dhe numërimin elektronik, rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi zoti Basha.

Gjatë paradites, në pritje të mbërritjes në Tiranë të misionit të eurodeputetëve, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara Donald Lu, të Delegacionit të Bashkimit europian, Romana Vlahutin dhe të OSBE-së, Bernd Borchardt, patën një takim me kryetarin e parlamentit Iir Meta. Pas tyre, në zyrën e këtij të fundit shkoi dhe kryeministri Edi Rama. (voa)

Rusia mund të ketë furnizuar Talebanët me armatime

Sekretari i mbrojtjes USADisa ditë pas sulmit të ashpër të Talebanëve ndaj një baze ushtarake afgane, zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë nuk po i hedhin poshtë njoftimet se Rusia mund ta ketë furnizuar me armë grupin kryengritës.

Gjatë vizitës në Kabul të hënën, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Rusia po zgjedh të jetë një konkurent stategjik në disa fusha, përfshi Afganistanin e shkatërruar nga lufta.

“Do angazhohemi me Rusinë në diplomaci, ku të jetë e mundur, por do të duhet të përballemi me ato veprime të Moskës që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare ose mohimin e sovranitetit të disa vendeve të tjera. Përshembull, çdo armë e trafikuar këtu nga një vend i huaj do të binte ndesh me ligjin ndërkombëtar. Furnizimet e ligjshma janë ato përmes qeverisë së Afganistanit, për forcat e saj ushtarake.”

Sekretari Mattis ishte në Afganistan disa ditë pasi 10 forca Talebane vranë të paktën 140 persona në sulmin më të përgjakshëm të kryengritësve ndaj një baze ushtarake afgane në 16 vite.

Militantët ishin veshur me uniforma të ushtrisë afgane kur mbërritën në zyrat kryesore rajonale në bazën ushtarake në kryeqytetin Mazar-i-Sharif të provincës Balkh.

Sekretari Mattis shkoi në Afganistan ndërsa presidenti amerikan ka urdhëruar rishikimin e politikës amerikane për atë vend. Po ashtu, presidenti Ghani ka në plan të njoftojë një plan katë vjeçar sigurie për Afganistanin gjatë javëve në vijim. Në plan pritet të përfshihen edhe elemente të tillë si 200 helikopterë dhe mjete të tjera ajrore për forcat afgane si dhe dyfishimi i forcave të sigurisë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe afganas që kanë njohuri mbi diskutimet për planin. (voa)

Der Standard: Maqedonia i thotë lamtumirë Evropës

ivanovIvanov nuk është i gatshëm për t’i dhënë mandatin për të formuar një qeveri të Social Demokratit, Zoran Zaev, pasi të zgjidhet president i ri i Kuvendit. Me kërcënimet e tij, ai dhe partia e mbajti vendin në një loj shahu.
“Diplomatët e shumtë evropianë po kërkojnë një zgjidhje për bllokimin në Maqedoni. Por, partia nacional-konservatore VMRO-DPMNE me ndihmën e shërbëtorit të saj, Ivanov, po qëndron në pushtet në kundërshtim me rregullat demokratike dhe vlerat evropiane. Por, miqtë autoritarë në Hungari dhe Poloni po vazhdojnë të japin mbështetje për regjimin në Shkup “, shkruan në një analizë të saj ekspertja e njohur austriake e Ballkanit Adelheid Wölfl.

Shkrimi është botuar në të përditshmen austriake «Der Standard», me titullin “Maqedonia i thotë lamtumirë Evropës “.

“(…) Ivanov nuk është i gatshëm për t’i dhënë mandatin për të formuar një qeveri të Social Demokratit, Zoran Zaev, pasi të zgjidhet president i ri i Kuvendit. Me kërcënimet e tij, ai dhe partia e mbajti vendin në një loj shahu. Shumë kanë frikën nga një konflikt i dhunshëm dhe tensione etnike duke përdorur propagandën e VMRO-së. “, përcjell albinfo.ch.

“Dështimi i përpjekjeve për të demokratizuar vendin e vogël ballkanik nga BE-në dhe SHBA-në ka pasoja rajonale. BE-ja po bëhet gjithnjë e më shumë një perspektivë e largët. Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në këtë rast kërcënojnë me tone nacionaliste për një ‘Shqipëri të Madhe’ “, shkruan Standardi austriak. (albinfo)

Daniel Serwer: ‘Shqipëria e Madhe’, për shkak të frustrimit ndaj integrimeve evropiane

Daniel ServerDaniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, Baltimore, analizon deklaratat e Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mbi mundësin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nëse BE-ja mbyll derën e integrimit për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor.

Sipas Serwer-it, ka dy mënyra për të kuptuar se çfarë tha Rama.

Njëra është se kjo është një deklaratë analitike se mungesa e perspektivës evropiane mund të forcojë dëshirën e shqiptarëve për të formuar një hapësirë të unifikuar në Ballkan, dhe unë mendoj se kjo është reale.
Është fakt se perspektiva evropiane parandalon të gjitha vendet e Ballkanit për të bërë atë që kanë bërë në vitet e nëntëdhjeta dhe kjo është përpjekja për të bashkuar grupet etnike, edhe me koston e vrasjeve masive dhe gjenocidit ndaj grupeve të tjera etnike.
Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me një deklaratë analitike, siç e kuptoj në përgjithësi. Unë nuk e kuptojë këtë si diçka që ai (Rama) dëshiron për ta arritur. Përkundrazi, mendoj se është plotësisht e qartë se ai nuk dëshiron që kjo të ndodhë dhe unë nuk njoh dikë në Prishtinë dhe Tiranë, i cili dëshiron të jetë një politikan në një “Shqipëri të Madhe”, shkruan newsweek, raporton Zeri.info
Nuk do të kishte vend për të gjithë këta politikanë në “Shqipëri të Madhe”, prandaj asnjëri prej tyre realisht nuk dëshiron që bashkimi të ndodhë.

Unë mendoj se në fakt çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë në këtë moment në Ballkan do të çonte në një riorganizim të përgjithshëm i cili nuk mund të bëhet në mënyrë të qetë dhe do të çonte në një dozë të madhe të dhunës, ku të gjithë do të pendoheshin.
Unë mendoj se ka shumë frustrime, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi, për shkak se procesi i zgjerimit evropian po ecën ngadalë. Por është fakt se vendet e Ballkanit nuk kanë bërë sa duhet sa i përket reformave politike dhe ekonomike, aq sa Brukseli dhe Uashingtoni do të dëshironin.

Mua më duket se këtu ka vend për një lloj të marrëveshjes dhe kjo duhet të jetë, “le ta bëjmë këtë proces të anëtarësimit real dhe të bëjmë reforma realiste ekonomike dhe politike”. Kjo është, sipas mendimit tim, një marrëveshje shumë e mirë, por ajo është shumë e vështirë të arrihet në rrethanat aktuale për shkak të rrethanave të vështira në kuadër të Bashkimit Evropian, sepse kemi Brexit-in dhe zgjedhjet në Francë që mund të sjellin në pushtet ata që kundërshtojnë Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian është në telashe të mëdha, në qoftë se mund të shprehem kështu, që të mund të përmbush aspiratat e njerëzve në Ballkan.

Njerëzit në Ballkan, udhëheqja politike në Ballkan, nuk ndjenë se nga Brukseli po merr atë që pret për të vazhduar me reformat shumë të rënda politike dhe ekonomike. Ne jemi në një moment shumë të vështirë, por kjo në fund do të tejkalohet.
Ekonomia evropiane ka filluar të rimëkëmbet dhe me kalimin e kohës ne do të shohim një ndryshim të madh të qëndrimit, në varësi të asaj se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Francë dhe në Gjermani.
Por unë shpresoj në ruajtjen e perspektivës evropiane dhe ruajtjen e vullnetit të liderëve politik në Ballkan për të zbatuar reformat politike dhe ekonomike.

Këto kërcënime natyrisht mund të rrëshqasin nga duart dhe mund të çojnë në zhvillimet fatkeqe politike.
Unë mendoj se të gjithë në Ballkan janë shumë të vetëdijshëm se retorika nacionaliste në të kaluarën solli vetëm tragjedi. Nëse njerëzit e mbajnë këtë në mend, atëherë do të vetëpërmbahen.
Por fakt i thjeshtë është se në qoftë se një perspektivë evropiane nuk është në dispozicion, disa gjëra të këqija do të mund të ndodhin në Ballkan dhe duhet vepruar mbi këtë bazë./Zëri

Demarkacioni as këtë javë në Kuvend, PDK i kërkon Mustafës të veprojë

demarkacioniMarrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk pritet të procedohet as këtë javë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht kërkesave nga faktori ndërkombëtar që institucionet e Kosovës të përmbyllin këtë çështje gjatë këtyre ditëve, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, do të kërkojnë edhe një rast tjetër, për të shmangur votimin e demarkacionit në këtë fazë, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme në Kuvend.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është në Bruksel dhe deri në ditën e enjte nuk do të jetë në vend. Sipas tij, kryeministri Mustafa pas kthimit nga Brukseli do të ndërmarrë veprimet e duhura për këtë çështje.

“Është marrëveshje e palëve në koalicion që ta procedojmë një projekt të tillë, pra çështjen e demarkacionit. Ata do ta bëjnë dhe ketë do ta bëjnë bashkë, por tash, konkretisht në cilën ditë, nuk mund ta them unë”.

“Mbetet të shihet, është çështje e marrëveshjes. Kur të kthehet kryeministri Mustafa do të shohim se cilat janë informacionet që do të na i sjellë dhe mandej në bashkëpunim me palët e koalicionit do të ndërmerret një hap i duhur pozitiv në çdo aspekt”, tha Abdullahu.

Zëdhënësi Abdullahu tha po ashtu se kryeministri Mustafa, po qëndron në Bruksel në përpjekje që t’i bindë zyrtarët në Bruksel që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që të merret liberalizimi me kusht.

Sipas këtij propozimi, nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush këtë kriter, asaj do t’i hiqej liberalizimi dhe do t’i kthehej regjimi i vizave.

“Ky është një lloj projekti, me të cilin do të shohim se çka do të ndodh më konkretisht, nuk mund të paragjykojmë se çka do të jetë përgjigja e Brukselit, por ka shenja pozitive në ketë aspekt”,tha Abdullahu.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi dhe deputetët janë në pritje të procedimit të marrëveshjes së demarkacionit nga qeveria, duke qenë se, siç thotë ai, me këtë çështje janë lidhur shumë procese të rëndësishme të Kosovës.

PDK-ja, theksoi Pajaziti, i ka paraqitur tashmë qëndrimet e veta dhe partneri i koalicionit, në këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka përkrahjen e duhur. Por, sipas Pajazitit, tashmë është koha kur kryeministri Mustafa duhet të veprojë dhe ta procedojë marrëveshjen për ratifikim në Kuvend.

“Në po presim që kryeministri të merret tashmë jo vetëm me partinë e vet, por edhe me përgjegjësitë që i ka, edhe me qeverinë, në mënyrë që ta sjellë marrëveshjen në Kuvend”, u shpeh Pajaziti.

Pajaziti tha se situata aktuale rreth Demarkacionit duhet të zhbllokohet dhe të shkohet tutje.

“Mendoj se kryeministri e ka detyrën e tij, obligimin e tij, si në planin ligjor ashtu edhe në atë kushtetues. Ai e ka pasur mbështetjen e koalicionit që ta çojë këtë çështje përpara. Presim që ai të bëjë punën e tij sa më parë e sa më shpejt”.

“Mendoj se jemi vonë më këto procese dhe nuk e di pse po hymë në këtë fazë ende me dilema për demarkacionin”, tha Pajaziti.

Pas një bisede telefonike që Kryetari i PDK-së dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka zhvilluar me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, javën e kaluar, Veseli kishte deklaruar se janë pajtuar që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend gjatë kësaj jave.

Demarkacioni aktual po kundërshtohet nga opozita dhe një numër i deputetëve nga radhët e partive në pushtet, çka po e pamundëson arritjen e 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.

Çështja e demarkacionit, që u ndërlidh me procesin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Evropian, vitin e kaluar, u ngrit sërish gjatë vizitave në Kosovë të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe senatorit amerikan, John McCain.

Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit në gusht në vitit 2015 në Vjenë. (REL)

Para një gare të re armatimi?

tanku gjermanParë në prizmin global, bota ka rritur shpenzimet për armatimin. Në këtë përfundim arrin studimi i fundit i SIPRI-t me qendër në Stokholm. Diplomacia është në tërheqje e sipër.

Për herë të parë që nga viti  2014 janë rritur shpenzimet globale për armatimin, bën të ditur “World Military Expenditure Report”, raporti i SIPRI-t, Qendrës Studimore të Paqes në Stokholm, (Stockholm International Peace Research Institute). Në vitin 2016 vendet kanë dhënë 1.686 miliardë dollarë për armatime. Shtetet që kryesojnë listen: SHBA, Kina dhe Rusia. Por edhe shtete të tjera si Arabia Saudite që e kanë shkurtuar buxhetin ushtarak, nuk e bënë këtë për arsye politike, por për arsye ekonomike, pas rënies së çmimit të naftës, thuhet në raport.

Kjo rritje konfirmon një trend të viteve të fundit thotë politologu Marius Balves nga Qendra e Bonnit për Studimet e Transformacionit në bisedë me DW. „Ndryshe si para dhjetë vitesh, sot nuk zgjidhen aq shumë si rrugë diplomacia dhe institucionet ndërkombëtare. Në vend të kësaj shtete të veçanta përpiqen të garantojnë sigurinë e tyre përmes armatimit.”

Rritja e rëndësisë së ushtrisë

Aneksimi i Krimesë nga Rusia, tensionet në Detin Jugor të Kinës, luftërat në Lindjen Afërt: Të gjitha këto kanë rritur frikën, se konfliktet e armatosura mund të zgjerohen, thotë Balmes. Nga ana tjetër po zhduket besimi tek puna e institucioneve ndërkombëtare. Shumë shtete mbështeten tek vetja dhe kjo bën që të rritet rëndësia e ushtrive kombëtare, me pasojë rritjen e shpenzimeve të armatimit.

Një nga vatrat kryesore të krizës mbetet Lindja e Afërt. Lufta në Siri e ka ashpërsuar situatën, thekson raporti. Për aktorët prezentë aty janë rritur së tepërmi shpenzimet. „Informacionet tona na bëjnë të themi, se Rusisë angazhimi në Siri i ka kushtuar në vitin 2016, rreth 464 milionë dollarë amerikanë”, thotë ekonomisti, Nan Tiam, njëri nga autorët e raportit të SIPRI-t. Sipas Tiam, Arabia Saudite ka ulur shpenzimet buxhetore, por ky ishte një veprim i motivuar ekonomikisht e jo politikisht. „Ata duhej të bënin shkurtime në të gjithë sektorët buxhetorë”, thotë Tiam, sepse të ardhurat e Arabisë Saudite bazohen 80% tek nafta.

Vatra konflikti

Por kjo nuk ndryshon asgjë në ashpërsimin e konfliktit mes Arabisë Saudite dhe Iranit, thotë eksperti Marius Bales. Të dyja palët nuk u japin shpresë negociatave dhe zgjedhin rrugën ushtarake. Në rajon janë rritur shpenzimet buxhetore edhe për shkak të konflikteve të tjera. „Duke përjashtuar Omanin, të gjitha vendet në Lindjen e Mesme janë të përfshira në konflikte të armatosura”, thotë Balmes.

Edhe në Europë janë rritur shpenzimet për ushtrinë. Sipas SIPRI-t ato kanë shënuar një rritje 2,6%, ku pjesën kryesore e mbajnë shtetet europianoqendrore. „Kjo rritje shpenzimesh lidhet me rrezikun që shume vende europianoqendrore shohin tek Rusia”, thotë Siemon Wezemann, një nga autorët e studimit. „Këtë gjendje nuk e ndryshon as fakti që, Rusia në vitin 2016 ka përdorur për ushtrinë vetëm 27% të shumës që përdorin vendet e NATO-s”. Por nuk ka më shumë stabilitet me rritjen e shpenzimeve buxhetore, thotë Marius Bales. Nëse edhe Rusia ndjehet e kërcënuar, atëherë jemi në fillim të një spiraleje të re armatimi mes Perëndimit e Lindjes, thekson eksperti për Deutschen Wellen.

Ministri i Brendshëm reagon ndaj kryeprokurorit Llalla

Fatmir XhafajMinistri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, reagoi sot në mbrëmje lidhur me deklaratat e disa ditëve më parë të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, për mospraninë e prokurorëve gjatë sekuestrimit dhe asgjësimit të lëndëve narkotike. Gjatë një takimi me drejtuesë të prokurorisë në prani dhe të ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili, zoti Llalla ngriti shqetësimin “për mospërfshirje totale të Prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohen dhe asgjësohen lëndët narkotike. Në të gjitha rastet, lënda narkotike, ashtu si çdo provë tjetër do të asgjësohet në prani të prokurorit”, deklaroi kryeprokurori.

Por ministri i Brendshëm, në një letër dërguar zotit Llalla shprehet i habitur nga deklaratat e tij. “Ky fakt nëse mbetet i provueshëm dhe i vërtetë, së pari më bën përshtypje se përse nuk u diskutua në takimin tonë të përbashkët e nuk gjen asnjë gjurmë të ndonjë komunikimi zyrtar të mëparshëm mes dy Institucioneve”, shkruan zoti Xhafaj, duke shtuar se dhe në dy raportet e Prokurorisë të paraqitura në parlament në vitin 2016 dhe në fillim të këtij viti, “në të gjitha faqet e atyre raporteve, që shpjegojnë shumë detaje, nuk gjendet asnjë rresht i vetëm lidhur me këtë akuzë të artikuluar publikisht nga Ju disa ditë pasi keni paraqitur raportin tuaj në Parlament”.

Duke njohur rolin e Prokurorit dhe domodoshmërinë e pranisë së tij gjatë administrimit të provave, ministri i Brendshëm nënvizon se “shkeljet e pretenduara prej Jush publikisht, për më tepër si tërësi praktike, kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative” dhe për këtë arsye zoti Xhafaj thekson se “mirëpres nga ana juaj të evidentoni shkeljet konkrete dhe personat përgjegjës në rradhët e Policisë së Shtetit. Duke njohur përgjegjësitë për institucionin që unë drejtoj jam i gatshëm të ndëshkoj cdo shkelje të ligjit në rradhët e tij. Jam i sigurt, referuar shqetësimit publik që Ju ngritët, se të njëjtën gjë do të bëni edhe Ju edhe për drejtuesit e prokurorive përkatëse që kanë lejuar situata të tilla paligjshmërie. Duke Ju siguruar për veprimin tim të menjëhershëm deri në kufijtë që më lejon ligji, në ndëshkim të çdo rasti në mënyrë të shëmbullt, pres prej Jush krahas informacionit zyrtar që dispononi, edhe përmbushjen e detyrës Suaj proceduese penale, ndaj secilit individ që i provohet shkelja”, nënvizon ministri I Brendshëm duke shprehur besimin se “prokurorët e ndershëm në rradhët e prokurorisë, në reflektim edhe të frymës së ndryshimeve të reja kushtetuese do të jenë të pandikuar nga emocionet dhe interesat e politikës së ditës”. (voa)

Astronautja amerikane thyen rekordin e NASA-s

Astronaute amerikaneAstronautja amerikane Peggy Whitson theu rekordin të hënën për kohën më të gjatë që një amerikan ka kaluar në orbitë.

Komandantja Whitson, që ndodhet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, u përshëndet nga presidenti Donald Trump që komunikoi me astronautët e stacionit, me një lidhje me video.

“534 ditë dhe shumë të tjera më pas. Është një rekord i jashtëzakonshëm. Në emër të vendit, madje në emër të botës, do të doja t’ju uroja”, tha Presidenti Trump nga Zyra Ovale.

57 vjeçarja Whitson është astronautja femër më me përvojë amerikane. Ajo do të kthehet në tokë në shtator dhe në atë kohë do të ketë mbushur 666 ditë në hapësirë gjatë tre fluturimeve në hapësirë.

“Është një privilegj i madh që thyej këtë rekord”, i tha ajo Presidentit Trump.

Ata diskuktuan gjithashtu për mundësinë e udhëtimeve të tjera në hapësirë, përfshirë në Mars, që NASA ka thënë se do që ta realizojë një gjë të tillë deri në vitin 2030. Megjithatë, zoti Trump tha se donte ta realizonte një gjë të tillë më parë, duke i thënë astronautes Whitson se donte që të mundësohej udhëtimi në Mars, “më e largëta, gjatë mandatit të tij të dytë”.

Zoti Trump foli gjithashtu me astronautin Jack Fischer, që mbërrriti në stacionin e hapësirës për here të parë javën e kaluar.

Presidenti Trump, që ishte me vajzën e tij Ivanka Trump, tha se ndjehej i nderuar që po fliste me astronautët.

“Jam marrë kaq shumë me politikanët. Këta njerëz (astronautët) janë shumë më mbresëlënës”, tha ai. (voa)