Shkencëtarët përforcojnë një antibiotik të fuqishëm

vancomycinShkencëtarët i kanë bërë modifikime një antibiotiku të fuqishëm, të quajtur “vancomycin”, në mënyrë që ai të jetë më i efektshëm ndaj infeksioneve bakteriale që paraqesin rrezik për jetën.

Studjuesit thonë se antibiotiku i fuqishëm mund të eliminojë rrezikun e rezistencës ndaj antibiotikëve në të ardhmen, për shumë vjet me radhë.

Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh kur mikrobet nuk reagojnë më ndaj ilaçeve dhe kjo është bërë një situatë urgjente në shkallë botërore.

Shqetësim të veçantë përbëjnë të ashtuquajturat “super-viruse”, që janë një numër patogjenesh, të cilat pacientët i marrin në spitale dhe mjedise të tjera të shërbimit shëndetësor. Për pacientët që janë operuar, shtohet mundësia për t’u prekur nga infeksionet që merren në spital, që shpesh u rrezikojnë atyre jetën.

Studjuesit në Institutin Kërkimor “The Scripp” në La Jolla të Kalifornisë, e modifikuan vancomycinën e zbuluar 60 vjet më parë, duke patur si synim krijimin e një antibiotiku të fuqishëm për trajtimin e infeksioneve. Ata e kryen modifikimin përmes një ndryshimi të rëndësishëm të strukturës molekulare.

Në një studim të ri të publikuar në revistën mjekësore “Procedurat e Akademisë Kombëtare të Shkencave”, studjuesit thonë se modifikimi e ka bërë vancomycinën 1,000 herë më të efektshme kundër Enterococcit, që ishte rezistent ndaj ilaçit dhe formave të hershme të këtij mikroorganizmi. (voa)

Partitë në Kosovë duhet të publikojnë burimet financiare

parlamenti ksPërfaqësues të BE-së thonë se transparenca financiare e partive e rritë besimin tek elektorati. Ata thonë se zgjedhjet mbahen në kohë kritike për Kosovën. BE-ja është e gatshme që të ofrojë vëzhgues në këtë proces.

Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit, nënshkruan një deklaratë për rritjen e transparencës financiare, gjatë fushatës zgjedhore, e cila zyrtarisht fillon me datë (31.05). Mirëpo megjithë nënshkrimin e kësaj deklarate ku premtohet transparencë maksimale, ekspertët e ekonomisë bazuar në praktikat e mëhershme, thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre iu ndahen çdo vit nga buxheti i Kosovës.

Deklarata për transparencën financiare nga partitë politike u nënshkrua në prezencë të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të KQZ-së dhe përfaqësuesve të zyrës së BE-së në Kosovë. Këta të fundit thanë se, transparenca financiare e partive politike e rritë besimin e elektoratit.

“Beso dhe verifiko”

“Llogaridhënia publike mbështetet në transparencën “beso dhe verifiko”. Kjo është e rëndësishme për partitë politike, që të fitojnë besimin e elektoratit. Presim proces zgjedhor, të drejtë, të lirë dhe kredibil. Ju bëjmë thirrje partive, që fushata te kryhet në pajtim me standardet demokratike. Zgjedhjet mbahen në kohë kritike për Kosovën, pasi janë reformat e saj lidhur me BE-në dhe gatishmëria e BE-së për të ofruar vëzhgues tregon sa ky është proces i rëndësishëm për BE-në”, tha Luigi Brusa, nga zyra e BE-së në Kosovë. Sipas tij, duhet të forcohet mbikëqyrja dhe kontrolli financiar dhe auditimet e pavarura.

Mungesa e auditimeve të pavarura të partive politike është e dëmshme për proceset demokratike, thotë Shpend Emini, nga Instituti Demokracia në Zhvillim, që do të jetë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve të 11 qershorit. “Kryerja e auditimit, kontrollit dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike, do të ishte hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike. Auditimi i rregullt i partive politike në Kosovë, është në interes të procesit të demokratizimit, ngaqë çdo shpenzim dhe pranimi i parasë nga partitë politike duhet t’i nënshtrohet mekanizimit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës”, tha Shpend Emini, nga Instituti Demokracia në Zhvillim.

Në Kosovë – pa auditime

Në Kosovë asnjëherë nuk është bërë auditimi i fushatave zgjedhore në Kosovë, ndonëse këtë kompetencë e ka pasur kuvendi i Kosovës. Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, shpreson që kësaj radhe do të ketë edhe auditim të fushatës zgjedhore. “Transparenca është një prej themeleve të demokracisë dhe shpresoj që këtë herë subjektet politike edhe pse ndoshta ka ndonjë paqartësi në ligj, vet do t’i bëjnë publike raportet financiare, të cilat ne si KQZ vetëm i pranojmë dhe pastaj i dërgojmë në Kuvendin e Kosovës. Pres nga subjektet politike dhe nga këtu i ftoj subjektet politike që ta zbatojnë ligjin”, tha Valdete Daka.

Ekspertët e konomisë nga ana e tyre thonë se ligji i obligon partitë politike që të publikojnë raportet e tyre financiare. Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, i tha Deutsche Welles, se nëse shihen raportet financiare të partive politike ka shpërputhje shumë të theksuar.

Nuk është ndërtuar sistemi i besueshëm

“Në këto pak vite demokraci në Kosovë nuk është ndërtuar një sistem i besueshëm i burimeve financiare të partive politike. Partitë politike janë të obliguara me ligj që të bëjnë publike raportet e tyre financiare dhe ato e kryejnë këtë të ashtuquajtur obligim ligjor. Por nëse i shikojmë raportet e tyre financiare të cilat i kanë të publikuara në ëeb-faqet e tyre, aty vërehet një diskrepancë e madhe ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve që ne i shohim në fushata”, thotë Naim Gashi. Sipas tij, fushatat për zgjedhje në Kosovë shpenzojnë miliona euro, ndërsa deklarohen disa dhjetëra ose qindra mijëra.

“Bizneset në Kosovë e kanë pa që investimi në fushata zgjedhore përkthehet në projekte publike, pasi që partia e caktuar të vije në pushtet. Në fakt në Kosovë ekzistojnë kompani të lidhura me politikën, të cilave pushteti u krijon monopole dhe favore në treg, ndërsa ata i financojnë fushatat e tyre zgjedhore. Njëra nga arsyet e frenimit të zhvillimit ekonomik të vendit është pikërisht ruajtja e monopoleve dhe oligopoleve nga pushteti”, thotë Naim Gashi.

Partitë politike në Kosovë, të cilat përfaqësohen me deputet në kuvend marrin më shumë se katër milion euro nga buxheti i shtetit. Këto të holla ndahen në bazë të përqindjes së fituar në zgjedhje, përkatësisht ulëseve për deputet. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputet, ku 20 nga këto vende janë të rezervuara për pakicat kombëtare. (dw)

Trump dhe Ballkani, politika e jashtme amerikane nuk ndryshon

HoytQë prej zgjedhjes së Donald Trumpit president, politika e jashtme amerikane ka qenë shumë e paqartë, e sjellja armiqësore ndaj NATO-s e aleatëve tradicionalë ka bërë që niveli i pasigurisë gjeopolitike të jetë më i lartë, sesa nën çdo presidencë tjetër amerikane në dekada.

“Në mungesë të një poltike të qartë për Ballkanin nga administrata ‘Trump’, – shkruan opinionisti i “Balkan Insight”, Florian Bieber, – deklaratat kontroverse të disa kongresmenëve kanë fituar më shumë peshë, të tilla si ajo e Dana Rohrabacher nga Dhoma e Përfaqësuesve, se Maqedonia nuk është një shtet, apo e Rand Paul në Senat, që kundërshtoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”.

“Megjithatë, – vijon “Balkan Insight”, – javët e fundit i kanë zbehur disi shqetësimet. Fillimisht, Senati e mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të penguar procesin”.

Më pas, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee vizitoi Ballkanin, duke shënuar progres në rajon. Vizita e tij, – kujton media, – ishte thelbësore në bindjen e presidentit maqedonas Ivanov, për t’i dhënë kreut të opozitës dhe përfaqësuesit të shumicës parlamentare mandatin për formimin e qeverisë, pas një krize disamujore politike.

Ai ndihmoi gjithashtu në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje në Shqipëri, ku Partia Demokratike në opozitë kërcënonte të bojkotonte zgjedhjet. Zhvillimet, – sipas analistit të “Balkan Insight”, sinjalizojnë se edhe me një president pa një angazhim të qartë për NATO-n, Shtetet e Bashkuara po tregohen më efektive sesa BE-ja.

Këtë ide, analisti e argumenton me paefektshmërinë e përpjekjeve të zyrtarëve të lartë europianë për të zgjidhur krizën maqedonase. Ndërkohë, – shton ai, – suksesi i Amerikës në disa çështje ballanike, sugjeron se politika e Uashingtonit në rajon do të vazhdojë ashtu siç ka qenë nën administratën “Obama”, e përshkruar gjerësisht si “politika e dorës së fshehtë”.

Kjo nënkupton se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin politikën e BE-së në Ballkan, e të parandalojë krizat duke përkrahur procesin e reformave.

/ Top Channel

Kuvendi i Maqedonisë, debat i ashpër për Qeverinë e re

ZaevDebati në Kuvendin e Maqedonisë për zgjedhjen e Qeverisë së re po përcillet me polemika të shumta mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare, e cila akuzon LSDM-në dhe partitë shqiptare, që do të jenë pjesë e ekzekutivit, për shkelje të rregullores lidhur me drejtimin e seancës, por edhe për programin e ekzekutivit të mandatarit, Zoran Zaev.

Deputetët e partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, në fjalimet e tyre thanë se LSDM-ja që në seancën e sotme ka nisur me realizimin e siç theksojnë “Platformës së Tiranës”, pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi – të cilin nuk e njohin në këtë post, por vetëm si deputet -seancën e ka nisur në gjuhën shqipe.

Gjuhë zyrtare në Kuvendin e Maqedonisë është gjuha maqedonase. Në pikën tjetër të rregullores thuhet se deputeti që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja mund të flas në gjuhën e tij, por jo edhe të drejtojë seancën plenare të Kuvendit. Këtë rregullore duhet ta respektoni deri sa të miratoni ndryshimet për të cilat jeni marrë vesh me LSDM-së”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ua ka bërë me dije deputetëve të VMRO-së se nëse nuk e njohin si kryetar Kuvendi, atëherë ai atyre do tu drejtohet në gjuhën shqipe, ashtu siç i jep rregullorja të drejtën një deputeti të flas në gjuhën e tij amtare.

Nëse vazhdoni të më drejtoheni si deputeti Talat Xhaferi, atëherë në bazë të rregullores dhe ligjit për gjuhët, deputeti Talat Xhaferi ka të drejtë të përdor gjuhën e tij dhe juve t’ju drejtohet në gjuhën e tij amtare”, deklaroi kryetari i Kuvendit, i cili nisjen e drejtimit të seancën në gjuhën shqipe e kishte arsyetuar me nevojën e zgjidhjes së problemit me përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend.

Punimet e kësaj seance deri në miratimin e ligjit për gjuhët do t’i vazhdoj në gjuhën maqedonase dhe kjo të jetë një pikënisje e re e punës së përbërjes së re parlamentare”, ka deklaruar Talat Xhaferi.

Ndërkohë, polemika janë zhvilluar edhe për programin e Qeverisë, të cilin VMRO-ja e ka krahasuar me dëshirat e “Babagjyshit të Vitit të Ri”.

Deputeti Ilija Dimovski tha se tolerohet që në fushatë zgjedhore partitë të japin edhe premtime të parealizueshme, por që kjo të bëhet nga një mandatar dhe ato të jenë pjesë e programit të Qeverisë është e papranueshme.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, gjithashtu foli, edhe për siç tha, shkeljen e vullnetit të qytetarëve për shkak të vendimit që VMRO-DPMNE edhe pse fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë.

Shpresoj se faktorët politike LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, janë të vetëdijshme për këtë fakt dhe se janë të gatshme që të marrin përgjegjësitë që janë apo që pritet të jenë nga vendimi që partia fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë”, tha Dimovski duke shtuar se programi i Qeverisë përveç varfërimit të vendit dhe rrënimit të stabilitetit ekonomik dhe të sigurisë, nuk ofron asgjë tjetër.

Por, ndryshe nga ai, mandatari Zoran Zaev në ekspozenë e tij tha se programi i Qeverisë ofron jetë për çdo qytetarë, ndërsa theksoi disa nga shtyllat mbi të cilat do të mbështetet puna e Qeverisë si, ekonomia, sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve si dhe integrimi i vendit në NATO dhe BE.

Maqedoninë do ta orientojmë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së. NATO dhe BE janë interesa strategjike për Maqedoninë. Obligohemi që në tërësi të zbatojmë reformat urgjente me prioritet….Qeveria do të angazhohet për një sistem të ri të pavarur të drejtësisë. Qytetarët meritojnë gjykata dhe prokurori profesionale, të pavarura, të sinqerta dhe të përgatitura mirë. Do të rrisim pagat, do të ulim tatimet, do të ketë jetë më të mirë”, deklaroi Zaev duke përmendur edhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje për përdorimin e drejtë të gjuhëve të bashkësive etnike, që edhe ishte një nga debatet kryesore para formimit të shumicës së re parlamentare.

Në bazë të Kushtetutës dhe rregullores mbi punën e Kuvendit ,debati për miratimin e Qeverisë mund të zgjasë më së shumti 48 orë. Ajo votohet me 61 deputet nga 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë. Partitë e shumicës parlamentare që formojnë Qeverinë kanë 62 deputet, apo vetëm një më shumë se numri i nevojshëm për miratimin e saj. (rel)

Emmanuel Macron i quan mediat ruse, organe të propagandës

Putin MacronPresidenti i ri francez Emmanuel Macron e quajti televizionin rus që mbështetet nga Kremlini “RT” si dhe transmetuesin rus “Sputnik”, organe të “propagandës” pas bisedimeve të tij të para ballë për ballë me homologun rus Vladimir Putin.

Zoti Macron i quajti ato “organe të influencës dhe propagandës” që u vunë kundër tij në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, gjatë së cilës zoti Putin u pa se mbështeste rivalen e tij të djathtë, Marine Le Pen.

Sulmet kibernetike të dyshuara ndaj fushatës së zotit Macron ishin gjithashtu të lidhura me Rusinë.

Presidenti rus Putin i mohoi akuzat gjatë konferencës për shtyp të së hënës në Paris duke thënë se Kremlini nuk u përpoq të ndikonte në procesin e votimit në Francë.

Zoti Macron tha se diskutoi me zotin Putin gjithashtu të drejtat e komunitetit LGBT në Çeçeni.

Lidhur me çështjen e Ukrainës, zoti Putin përsëriti se ai beson se sanksionet perëndimore nuk do të bëjnë asgjë për të zgjidhur konfliktin.

Kjo është përgjigjia: në asnjë mënyrë. Le të luftojmë që të gjitha kufizimet në ekonominë ndërkombëtare të hiqen” tha ai gjatë konferencës për shtyp.

Parisi ka luajtur një rol aktiv në reagimin ndëshkues të Perëndimit ndaj veprimeve të Moskës në Ukrainë.

Të dy udhëheqësit ranë dakord të bashkëpunojnë ngushtë për të luftuar terrorizmin në mbarë globin. Zoti Putin tha se zoti Macron i kishte propozuar shkëmbimin e delegacioneve zyrtare për të punuar drejt arritjes së këtij qëllimi.

Zoti Macron u tha gazetarëve se ai beson se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të ndërtuar paqen në Siri, por se përdorimi i armëve kimike në vendin e shkatërruar nga lufta do të ishte një “vijë e kuqe” për Francën. (voa)

McCain: Rusia dhe Putini – kërcënim më i madh sesa IS-i

McCainSenatori amerikan John McCain thotë se ai e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si “sfidën më të madhe për SHBA”, më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist Shteti Islamik.

Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Kompanisë Australiane të Transmetimeve se Putini është përpjekur të “shkatërrojë thelbin e demokracisë” me orvatjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

John McCain, senator republikan i shtetit Arizona, tha se nuk ka parë ndonjë provë që Rusia t’ia ketë arritur qëllimit. Por, – tha ai, – ata ende përpiqen të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve.

“Ata sapo u përpoqën të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve franceze. Prandaj, unë e shoh Vladimir Putinin, i cili ka copëtuar shtetin sovran të Ukrainës dhe që po ushtron presion ndaj Baltikut, i shoh rusët si sfida më e madhe që kemi.”

Komentet vijnë ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump përballet me hetime, të cilat synojnë të sqarojnë nëse ekipi i fushatës së tij ka patur lidhje me Rusinë. Këtu përfshihen njoftimet se Jared Kushner, dhëndërr i Presidentit dhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, është përpjekur të krijojë një kanal të fshehtë komunikimi me zyrtarët rusë në javët para përurimit të zotit Trump.

“Pikëpamja ime është se kjo nuk më pëlqen, por thjesht e nuk di. Di që disa zyrtarë të administratës kanë thënë se kjo është ‘një procedurë standarde’. Nuk mendoj se është procedurë standarde që, përpara përurimit të një Presidenti të Shteteve të Bashkuara, të veprohet kështu nga dikush i cili nuk është emëruar në atë pozitë.”

Gazeta New York Times, citon zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks,sipas të cilës zoti Kushner “po vepronte si zyrtar i ekipit kalimtar” dhe se ka rënë dakord të diskutojë me ligjvënësit rreth takimeve të tij me rusët.

Presidenti Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim se fushata e tij ka qenë e lidhur me Rusinë.

“Jared po bën një punë të shkëlqyer për vendin” tha zoti Trump për gazetën New York Times.” Ai tha se ka besim të plotë tek dhëndrri i tij. Sipas presidentit Jared Kushner respektohet pothuajse nga të gjithë dhe po punon me programe që do t’i kursejnë vendit miliarda dollarë. Por më e rëndësishme, tha presidenti Trump, është fakti se Jared Kushner është njeri shumë i mirë.

36-vjeçari Kushner, biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork përpara se t’i bashkohej stafit të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, është martuar me vajzën e madhe të zotit Trump, Ivankën, e cila gjithashtu është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas disa mediave Jared Kushner u përpoq të krijonte lidhje komunikimi të fshehta me Moskën, kur u takua me ambasadorin e Kremlinit në SHBA, Sergej Kislyak, në fillim të dhjetorit të kaluar.

Shtëpia e Bardhë pret tani të dëgjojë dëshminë që do të japë në Kongres ish-shefi i FBI-së, James Comey. Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey pasi, sipas njoftimeve, i kishte kërkuar atij të ndërpriste hetimet rreth ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn dhe lidhjet e ngushta që ky i fundit kishte me Kremlinin.

Për të hetuar çështjen është emëruar një prokuror i posaçëm, ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller. Ndërkaq, komisionet e Kongresit u kanë bërë thirrje disa prej ndihmësve të tanishëm dhe të mëparshëm të zotit Trump që të dëshmojnë. (voa)

Ilaçet e kancerit dhe prova me minjtë

prova me minjteJo të gjitha ilaçet e kancerit kanë efekt tek pacientët. Për të shmangur gabimet gjatë provave me të sëmurët, disa kompani janë duke testuar rritjen e tumoreve identikë tek minjtë. Provat kanë treguar se shpesh ilaçet që kanë rezultat tek minjtë, kanë edhe tek njerëzit.

Ky mi është infektuar me të njëjtin tip kanceri të gjirit që ka prekur pacienten Eileen Youtie.

“Unë kam llojin e kancerit të gjirit që quhet “Triple Negative”. Kam trashëguar një mutacion gjenetik që m’i shton 80 për qind shanset për t’u prekur nga ky kancer.”

Youtie pagoi kompaninë “Champions Oncology”, me bazë në Nju Xhërsi, që të gjente një trajtim për të luftuar sëmundjen.

“Ne mbjellim qeliza tumorale të pacientëve me kancer tek një mi që ka mungesë imuniteti, ose që e ka të dëmtuar sistemin imunitar, në mënyrë që tek ai të rritet tumori; pastaj eksperimetojmë me kimioterapi të ndryshme, për të gjetur se cilat do të kenë më tepër rezultat tek pacienti.”

Doktore Davies thotë se laboratori mund të provojë ilaçe të ndryshme tek një numër minjsh njëkohësisht. Youtie ka mundësinë të zgjedhë mes disa ilaçeve.

“Ne morëm rezultatet dhe kimioterapia më pak toksike pati të njëjtin rezultat si edhe ajo më tepër toksike.”

Por përdorimi i minjve si mostra eksperimentale për ilaçet kushton shumë. Eileen Youtie pagoi 30 mijë dollarë, sepse ajo donte që kompania Champions të provonte për të një numër të madh ilaçesh.

Po ashtu, nuk ka garanci për suksesin. Nëse një trajtim ka rezultat tek miu, shanset që ai të funksionojë tek pacienti janë vetëm 50 për qind. Por nëse kimioterapia nuk funksionon tek miu, nuk funksionon as tek pacienti.

Një tjetër e metë është se pacientët e vonojnë trajtimin e kancerit deri sa të vijnë rezultatet laboratorike të miut.

Mbetet ende të provohet nëse ekperimentimi i kimioterapive tek miu është më mirë se sa gjykimi i një mjeku të mirë.

Kimioterapia që zgjodhi Youtie pati rezultat dhe ajo është e kënaqur me zgjedhjen që bëri, për ta provuar ilaçin më parë tek miu dhe më pas për t’iu nënshtruar vetë kimioterapisë. (voa)

Maqedonia të martën voton Qeverinë e re

zaev ahmetiSeanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë është caktuar për të martën, 30 maj. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi kanë njoftuar se mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev ka dorëzuar propozimin për përbërjen e Qeverisë së re, bashkë me programin qeverisës.

Gjatë të dielës, Zoran Zaev, publikoi propozimet për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Propozimet kanë marrë mbështetje nga partia e Zaevit, Lidhja Social-Demokrate dhe dy partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Dy partitë politike shqiptare do drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të drejtojë dikasterin e Euro- Integrimeve, Sistemin Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe një ministri pa resor.

Emrat nga BDI

Bujar Osmani, i cili është propozuar të drejtojë dikasterin e Euro-Integrimeve, paraprakisht ka ushtruar detyrën e ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskit, emri i të cilit përmendet edhe në bisedat e përgjuara për shpërdorim të detyrës.

Ndërkaq, Ramiz Merko, ministër pa resor ka drejtuar Komunën e Strugës për të cilin mësohet se Prokuroria Publike ka ngritur hetime për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare, nën dyshimet për kurdisje të tenderëve.

Hazbi Lika, do të drejtojë dikasterin e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, ndërkohë që menjëherë pas konfliktit të armatosur ka ushtuar detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, si dhe një mandat ka drejtuar Komunën e Tetovës.

Sadulla Duraku do të drejtojë Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërkohë që aktualisht është kryetar i Komunës së Likovës, zonës më të prekur nga konflikti i armatosur gjatë vitit 2001.

Vetëm dy ministra të propozuar nga BDI-ja, ai i Ekonomisë,Kreshnik Bekteshi dhe ai i Drejtësisë, Bylent Saliu janë emra që më pak njihen në opinion.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy Ministri, atë të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar përbërjen e re të ministrave në Qeverinë e Maqedonisë, konsiderojnë se kjo nuk paraqet një fillim të mbarë sa u përket reformave të paralajmëruara nga mandatari, Zoran Zaev.

Sefer Tahiri njohës i çështjeve politike thotë se bëhet fjalë për njerëz të cilët nuk është se shquhen për rezultate të favorshme në realizimin e reformave të sistemit shoqëror. Ai përqendrohet sidomos në ministrat nga radhët e BDI-së.

Vlerësoj se kjo ka të bëjë me strategjinë e Ali Ahmetit dhe partisë që drejton, Bashkimit Demokratik për Integrim, që të rikthejë lojtarët e vjetër. Megjithëse vlerësoj se bëhet gabim strategjik nga ana e kësaj partie dhe liderit të saj, sepse konteksti politik përmes së cilit kalon Maqedonia është krejtësisht tjetër nga periudha e post-konfliktit të armatosur”, thotë Tahiri.

Sipas tij, bëhet fjalë për “njerëz të vjetër nga të cilët pritet të realizojnë reforma të reja”.

Ndërkaq politologu maqedonas, Nikolla Dujovski konsideron se për të realizuar premtimet e dhëna, për një Qeveri reformatore dhe euro-integruese, do të duhej që ministrat e rinj të zgjedhin rreth vetes ekipe personale të dëshmuara dhe jo ushtarë partiakë.

Është koha të shmanget praktika që nga ministri është varur gjithçka. Për të pasur sukses realizimi i konceptit qytetar për të cilin është angazhuar, Zoran Zaev, i cili pritet të zgjidhet për kryeministër, duhet të mobilizohet e tërë shoqëria. Kurse ministrat, të zgjedhin si ekip personalitete me vizion dhe dije të dëshmuar në profesionet e tyre”, thekson Dujovski.

Votimi i Qeverisë pritet të bëhet më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, për shkak të bllokadave të shumta që iu bënë Kuvendit nga partia VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. (rel)

Listat e PD, Topalli e Imami: Të shkarkohet Basha

Topalli ImamiNë Shqipëri, dy figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ish nënkryetare e saj dhe kryetaret e parlamentit për 8 vite me radhë, si dhe Arben Imami, ndër themeluesit e PD dhe ish ministër i Mbrojtjes, kërkuan sot mbledhjen e forumeve për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha. Reagimi i tyre pason publikimin e listave për kandidatë me të cilët forca kryesore e opozitës do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Zonja Topalli dhe zoti Imami, dy nga emrat e shumtë të njohur të cilët u lanë jashtë kandidimit, dolën sot me një deklaratë të përbashkët për të komentuar situatës sipas tyre shqetësuese që është krijuar mes militantëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike. “Mesazhi i tyre është se nuk mund të largohet Edi Rama duke shkatërruar PD-në”, u shpreh zoti Imami duke lexuar deklaratën e përbashkët me zonj⌂n Topalli.

Deklarata e dy eksponentëve demokratë përmbante tone të forta kritike ndaj faktit që zoti Basha bëri një përzgjedhje personale duke anashkaluar forumet e partisë: ““Vendimi për këtë listë është marrë nga një njeri i vetëm. Është marrë në shkelje të statutit dhe në shkelje të çdo proçedure normale të një partie në një vend perëndimor. Eshtë marrë në shkelje të ligjit, sepse statute I Partisë depozitohet në Gjykatë dhe është një ligj”, nënvizoi zoti Imami,

Duke e cilësuar kryetarin demokrat përgjegjësin kryesor të situatës së krijuar, ata vlerësojnë si zgjidhjen e vetme “mbledhjen e forumeve të Partisë Demokartike dhe shkarkimin e personit përgjegjës që në këtë rast është kryetari i Partisë që në këtë rast është zoti Basha. Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë, Këshillit Kombëtar e Kryesisë, të ecim në këtë drejtim, sepse nuk ka kohë. Kemi marrë këtë vendim pasi e kemi analizuar mirë dhe sepse e dimë që në 26 qershor do të jetë shumë vonë. Kjo është një listë humbëse”

Zonja Topalli foli me tone ashpra ndaj kryetarit demokrat kur tha se”Kjo nuk është PD-ja të cilën unë njoh, në të cilën unë kam punuar dhe unë jam rritur. Ko është një parti logon e së cilës e ka marrë Lulzim Basha për llogari të interesave familjare e klienteliste, dhe lista është, me pak përjashtime, lista e familjes Basha, bizneseve dhe klientëve të tij”.

Sipas zonjës Topalli, në partinë Demokratike është krijuar kaos dhe fushata elektorale po bojkotohet, gjë e cila sipas saj do të sjellë një sundim për një kohë të gjatë të kryeministrit Edi Rama në drejtimin e vendit.

Reagimi i fortë, pason atë të dy ditëve më parë dhe të deputetëve Majlinda Bregu dhe Astrit Patozi, të cilët kishin qenë kritikë ndaj vendimit të zotit Basha për të bojkotuar zgjedhjet në momentin kur nisi protestën para kryeministrisë.

Situata e krijuar, e shoqëruar dhe me tërheqjen edhe të disa prej personave të përfshirë në listat e kandidatëve në Shkodër, Berat, apo dhe Dibër, rrezikon të jetë me pasoja për rezultatin e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit, aq më tepër kur qëndrimi të paktën I zonjës Topalli dhe Imami duket se nuk do të ndalet vetëm në deklaratën e sotme.

Nga ana e tij zoti Basha është shprehur deri më tani, se zgjedhja e tij nuk ka qenë e papritur: “Kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura. Thamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë” (voa)

Maqedoni: Partitë bien dakord për anëtarët e kabinetit të ardhshëm

ZaevSeanca e parlamentit për miratimin e kabinetit qeveritar të kreut social-demokrat Zoran Zaev është caktuar për të marten. Lëvizja “Besa” njoftoi të dielën se nuk do të jetë pjesë e qeverisë për shkak se kryeministri i mandatuar Zaev nuk kishte garantuar me shkrim në lidhje me disa parime për çka ngulte këmbë partia e re shqiptare.

Ndër to ishte ripërkufizimin i shtetit, por Lëvizja Besa asnjëherë publikisht nuk ka sqaruar çka nënkupton me këtë: një lloj kantonizimi apo ndryshimi të kushtetutës. Për këtë, ndërkaq nevojiten dy të tretat e ligjvënësve në parlament që qeveria e re nuk do t’i ketë.

Kandidatë për ministra nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim janë: Hazbi Lika, për zëvendës-kryeministër për sistemin politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve, Bujar Osmani për zëvendës-kryeministër për Integrimet në Bashkimin Evropian, Bylent Saliu për ministër të Drejtësisë, Kushtrim Bekteshi për ministër të Ekonomisë, Sadulla Duraku për ministër të Ambientit jetësor dhe Ramiz Merko për ministër pa portofol.

Lëvizja për Reforma ka caktuar doktor Arben Taravarin për kandidat për ministër të Shëndetësisë dhe Rilindja Demokratike Kombëtare – Suhejl Fazliu për kandidat për ministër të Pushtetit Vendor.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate kandidon një sërë zyrtarësh të lartë të partisë për postet e reja qeveritare, përfshirë Radmilla Sheqerniskan për ministre të Mbrojtjes, Oliver Spasovskin për ministër të Brendshëm, Nikolla Dimitrov, për Ministrinë e Jashtme.

Një numër lartë i personash janë propozuar si ministra pa portofol dhe kjo ka nxitur reagime tek një pjesë e analistëve politik në vend.

Zoti Zaev ka njoftuar se do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme për të parë nëse emrat e kandidatëve janë të pastër apo mund të ketë ndonjë dyshim për vepra joligjore nga ana e tyre.

Qeverinë e re të Maqedonisë e presin shumë sfida; në veçanti kur ajo nuk ka një shumicë stabile në parlament. Kryeministri i mandatuar ka lënë të kuptohet se reformat në gjyqësor dhe integrimi në Nato dhe në BE janë përparësitë kryesore të kabinetit të tij.

Lëvizja Besa kishte kërkuar realizimin e disa parimeve që burojnë nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare të Maqedonisë. Por, po ashtu ngulte këmbë që në kabinetin e ri të mos ketë vend për persona të dyshuar nga Prokuroria e Posaçme për vepra kriminale.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë njoftoi përmes një komunikate se “mbeten dyert e hapura për bashkëpunim rreth reformave që e presin vendin dhe për gjithçka tjetër që paraqet interes për Republikën e Maqedonisë”.

Shumica e re parlamentare do të ketë vetëm 62 vota, megjithatë të mjaftueshme për miratimin e qeverisë. (voa)