Turqia do të bllokojë misionin e ushtarëve austriakë në Kosovë?

erdoganTurqia ka paralajmëruar se do të bllokojë pjesëmarrjen e Austrisë në stërvitjet e NATO-s. Kjo mund të ketë pasoja të rënda edhe për Kosovën.

Aleanca e NATO-s ka 28 vende anëtare dhe 22 vende partnere në Evropë. Austria si një vend neutral bën pjesë në grupin e vendeve partnere, të cilat mund të marrin pjesë edhe në manovrat dhe në misionet e NATO-s jashtë vendeve anëtare. Por Turqia si anëtare e NATO-s ka paralajmëruar se me veto do të bllokojë pjesëmarrjen e Austrisë në stërvitjet dhe misione.

Hakmarrja për qëndrime politike

Turqia në këtë mënyrë do të hakmerret për kërkesat e shpeshta të Austrisë që Brukseli të ndërprejë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, si dhe kritikat e shpeshta të Vjenës ndaj politikës autokratike të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, njofton gazeta «Welt» (të martën). Vendimi do të merret këto ditë në Bruksel, njofton gazeta, e cila i referohet burimeve diplomatike në NATO. Në këtë takim do të vendoset për raportin ndaj 41 vendeve partnere nga Evropa, Azia dhe ish-republikat sovjetike. Parashikohet që në të ardhmen të nënshkruhen marrëveshje të veçanta me secilin prej këtyre vendeve. Kjo do të thotë se Austria do të përjashtohej për disa muaj nga bashkëpunimi ushtarak që mund të ketë pasoja të rënda për disa misione.

Erdogani bllokon edhe misionin në Kosovë

Diplomatët pohojnë për mediat gjermane se “Presidenti turk Erdogan ka mundësi, për fat të keq, që ta izolojë Austrinë në NATO. Austria aktualisht është ndër vendet me kontigjentin më të madh ushtarak në Kosovë. Ndaj qarqet e NATO-s tani shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhë me pjesëmarrjen e Austrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, ku ajo aktualisht ka 400 ushtarë? A do të thotë kjo se Austria duhet t’i largojë menjëherë ushtarët nga Kosova?

Përgjigje konkrete deri tani nuk ka, por kjo me siguri që do të jetë një nga temat e rëndësishme dhe të hidhura edhe në takimin e ditës së enjte (25.05) me Presidentin amerikan Donald Trump në Bruksel. (dw)

KURTI NË ISPE: NUK KA SHTET NDËRTIM PA ZHVILLIM EKONOMIK

KurtiKurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve shpalosi vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të cilin e mbështet në tri shtylla – bujqësi, energji dhe miniera e minerale.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit, Albin Kurti deklaroi në kolegjin ISPE se pas luftës prioritet i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka qenë ruajtja e stabilitetit dhe krijimi i institucioneve, por jo edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.

“Ndërtimi i administratës shtetërore, pushtetit lokal dhe demokracisë nuk kanë kuptim pa pasur një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe kjo Kosovës i ka munguar deri më tani. Roli i UNMIK-ut ka qenë vital në periudhën 1999 – 2000 për tejkalim të emergjencave dhe menaxhim të kthimit të refugjatëve, por mungesa e vizionit ekonomik për Kosovën, më pas ka shkaktuar pasojë të rënda”, theksoi Kurti në një ligjëratë të mbajtur për studentët e kolegjit ISPE dhe ata të Universitetit të Heidelbergut, në kuadër të sesioneve të përbashkëta.

Gjatë ligjëratës u vërejt interesim i madh i studentëve të Heidelbergut për situatën në Kosovë dhe zhvillimet aktuale.

Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve shpalosi vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të cilin e mbështet në tri shtylla – bujqësi, energji dhe miniera e minerale si dhe për ndërtimin e një shteti që mundëson drejtësi sociale që arrihet nëpërmjet tatimit të përshkallëzuar dhe aplikimit të skemave të sigurimeve individuale.

Kurti: Kemi marrëdhënie të mira me PS-në dhe me Kryeministrin Rama

Pas ligjëratës, ish lideri i Vetëvendosjes Kurti, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve. Në pyetjen rreth përdorimit të kauzës së bashkimit kombëtar në fushatën zgjedhore, Kurti pohoi se “ne si Vetëvendosje do të jemi në koordinim të vazhdueshëm me Tiranën zyrtare dhe asnjëherë nuk duhet që Kosova të jetë dy hapa para Tiranës zyrtare. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Partinë Socialiste dhe me Kryeministrin Edi Rama dhe do të jemi të bashkërenduar, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria edhe të integrohen, por edhe ta rrisin prosperitetin”.

Kurti po ashtu përsëriti qëndrimin e gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet që së bashku dhe njëkohësisht të anëtarësohen në BE dhe se nëse Serbia anëtarësohet para Kosovës dhe Shqipërisë, do të shkaktojë obstruksione shumë më të mëdha në procesin e integrimit, sesa ato që po ia shkakton Greqia Maqedonisë.

Rreth Gjykatës Speciale, Kurti pohoi se “një gjykatë më shumë, nuk sjellë më shumë drejtësi” dhe është skeptik për efikasitetin e kësaj gjykatë duke e ditur se ajo themelohet pas gjykatave të UNMIK-ut, atyre të EULEX-it dhe prokurorisë speciale të Kosovës.

Para gazetarëve, përfaqësuesi i partisë më të madhe opozitare përsëriti qëndrimet e tij rreth dialogut me Serbinë në Bruksel duke thënë se qëllim i Vetëvendosjes është fillimi i një dialogu për zhvillim me serbët e Kosovës, në raportin nga poshtë – lartë dhe më pas gjetjen e formës për rifillim të dialogut me Serbinë, që sipas Kurtit tash për tash është i pezulluar.

Askund më shumë se nga një zv. Ministër

Duke folur për nevojën e Kosovës për një qeveri efikase dhe të përgjegjshme, Albin Kurti deklaroi se Vetëvendosja do të zvogëlojë qeverinë duke bërë bashkimin e disa ministrive në një dhe duke mos emëruar askund më shumë se nga një zëvendës ministër me qëllim të rehatimit të militantëve partiakë.

Çështjen e liberalizmit të vizave edhe kësaj radhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes e lidhi më shumë me kushtin që ka të bëjë më sundimin e ligjit sesa më atë që ka të bëjë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Rreth vetë demarkacionit Kurti pohoi se fillimisht duhet një hetim që do të konstatojë shkeljet, e më pas një qasje e re e ndaj procesit në bashkëpunim me Podgoricën zyrtare.

Sesionet e përbashkëta të kolegjit ISPE dhe të Universiteti të Heidelbergut për qëllim kanë rritjen e përvojës dhe efikasitetit akademik të studentëve të të dyja institucioneve akademike dhe ky është viti I pestë me radhë që zhvillohen këto sesione. (kolegji ispe)

 

Zaev: Deri në fund të javës do të kemi qeveri

ZAEVShpresoj që deri në fund të javës do të mbarojnë bisedimet për qeverinë e re, kështu ka deklaruar Zoran Zaev mandatar për qeverinë e re.
“Gjitha partitë politike u obliguam që të përshpejtojmë procedurën rreth qeverisë së re dhe në afat prej 10 dite të mbarojnë bisedimet”, ka thënë Zaev.

Mandatari ka thënë se ka marrë ftesë nga Federika Mogherini dhe se do të merr pjesë kë takim në Bruksel dhe e vlerëson shumë këtë vizitë atje si mundësi që të bisedojë për prespektivat europiane.
Atje Zaev ka thënë se do të sqarojë se sa do të punojë qeveria e re në rrugën drejt BE-së. (ina)

Spiuni serb i përfshirë në atentatin ndaj Ziadin Selës dhe deputetëve tjerë

parlamenti-sulmiGoran Zhivaleviq, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë – BIA, tani oficer i saj aktiv që punon në Ambasadën në Shkup, tashmë në mandatin e tretë. Ai është futur në Parlament pas orës 20 së bashku me një grup personash nga turma dhe është nisur drejt sallës plenare ku ende kanë qenë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Sipas burimeve të gazetës KOHA dhe televizionit Telma, ai këtu edhe është fotografuar, por nuk është ndalur vetëm aty.

Goran Zhivaleviq, oficer i Agjencisë Serbe për Kundërzbulim – BIA, diplomat aktual dhe këshilltar në Ambasadën e Serbisë në Shkup, më 27 prill – ka qenë brenda në Parlament gjatë tërë kohës së incidenteve, merr vesh ekipi i përbashkët hulumtues i gazetës KOHA dhe televizionit Telma. Kush është Goran Zhivanjeviq dhe çka do të thotë prezenca e tij në Parlament të enjten e përgjakshme?

Më 27 prill, në mesin e shumë njerëzve që u futën dhunshëm në Parlament njihen disa persona – kryesisht persona nga MPB ose nëntoka, të cilët kanë qenë nën hetime vetëm për pjesëmarrje në grumbullin e njerëzve ose janë të suspenduar. Por në mesin e tyre ishte edhe një njeri, prezenca e të cilit hapë shumë pyetje. Goran Zhivaleviq, ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë – BIA, tani oficer i saj aktiv që punon në Ambasadën në Shkup, tashmë në mandatin e tretë. Ai është futur në Parlament pas orës 20 së bashku me një grup personash nga turma dhe është nisur drejt sallës plenare ku ende kanë qenë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Sipas burimeve të gazetës KOHA dhe televizionit Telma, ai këtu edhe është fotografuar, por nuk është ndalur vetëm aty.

Zhivaleviq ka qëndruar deri në fund të ngjarjeve në Parlament dhe gjatë kohës së incidenteve që kanë ndodhur aty. Por, pse një diplomat që, sipas ueb faqes së ambasadës serbe në Shkup, është këshilltar – në të njëjtën ditë do të ishte për prezent gjatë kohës së trazirave të atilla në Parlament që është jashtë protokollit të diplomatëve. Zhivaleviq në përgjigjen dërguar TV Telma dhe gazetës KOHA pranon se ka qenë brenda në Parlament, por siç është arsyetuar ai, “ka qenë me detyrë për të parë nëse në incidente ka dhe persona nga Serbia, tifozë apo edhe ekstremistë”.

Zhivaleviq është i njohur për opinionin serb, por edhe për atë rajonal për disa ngjarje kontroverse. Bashkëshortja e tij, Olivera Antoniq, ka dëshmuar në lidhje me vrasjen e gazetarit Sllavko Çuruvija. Ajo gjatë asaj kohe, në sigurimin shtetëror ka punuar në departamentin për përgjime dhe ka përpiluar procesverbalet e bisedave nga banesa e gazetarit pas vrasjes së tij, kështu që i ka orientuar edhe personat. Gazeta KOHA merr vesh se Zhivaleviq është i përzier edhe në organizimin e ngjarjes që u mbajt në muajin qershor të vitit të kaluar në Moskë, ku merrte pjesë kryetari i Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq, si nënshkrues rajonal i Iniciativës ruse për krijim të territorit neutral ushtarak të Ballkanit. Aty kanë qenë edhe disa deputetë serb së bashku me partitë serbe nga Republika Srpska, Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia. Zhivaleviq para se të vijë me mision në Maqedoni, është “dëbuar” nga Kroacia për spiunim, pasi sigurimi kroat i ishte ankuar kolegëve në Beograd për punën e tij. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga MPB as nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë sepse nuk janë ndërmarrë masa kundër kundërzbuluesit serb Goran Zhivaleviq për prezencën e tij në Parlament më 27 prill. (koha.mk)

Vlerësimi për Shqipërinë. BE na jep detyrat

BBPër Bankën Qendrore Europiane dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria është duke përjetuar një përmirësim gradual të ekonomisë, që pritet të vijojë.

Kjo paketë pritet të jetë e moderuar, por e mjaftueshme për të ulur borxhin publik si pjesë e PBB-së. Por, pavarësisht progresit, renditen dhe një sërë problemesh për të cilat BE-ja jep edhe detyrat për zgjidhje. Ato nisin me pronësinë e paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka, sipas përfundimit të arritur, dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme.

Në fund të analizës, Shqipërisë i rekomandohet të ndërmarrë një sërë hapash, mes të cilave edhe vendosja e një takse pronësie të bazuar te vlerësimi.

“Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti duke forcuar më tej administratën e taksave; duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave dhe duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi”, thuhet në vlerësimin për Shqipërinë.

Po ashtu, kërkohen dhe masa per reduktimin e borxhit publik: “Të vazhdojë rregullimet fiskale duke pasur parasysh plotësimin e objektivave të treguara afatmesme për reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së. Të fusë masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal, nëse reduktimi i borxhit rrezikon të mos e plotësojë objektivin”.

Vëmendje i kushtohet forcimit të lekut dhe kontrollit mbi sektorin jobankar: “Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së zgjidhjes së huave të këqija. Të zbatojë masat e parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e përdorimit me efektivitet të monedhës kombëtare, përfshirë kërkesat e diferencuara rezervë për lekun dhe depozitat në monedhë të huaj. Të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e Autoritetit Mbikqyrës Financiar”.

Po ashtu, nga Shqipëria kërkohet dhe sqarimi përfundimtar i pronësisë së tokës.

“Të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-kadastër deri në vitin 2019″, thotë vlerësimi.

/ Top Channel

Tiranë: Zhbllokohet Vettingu hapet rruga për zbatimin e reformës në drejtësi

kuvendiPas arritjes së komprimist mes PD-s dhe PS-së në Tiranë nis punën qeveria qeveria me gjashtë ministra teknicienë, të propozuar nga PD në opozitë.

Katër ditë që sfiduan  tre muaj.  Kanë  mjaftuar këto katër ditë të fundit të pas  marrveshjes Rama-Basha, të arritur të enjten e kaluar(18.05)për të zhbllokuar vettingun dhe bojkotin tremujor të parlamentit nga Partia Demokratike (PD) në opozitë. Mbrëmjen e së hën7s (22.05)në  një seancë të  jashtëzakonshme  parlamentare marrëveshja e sipërpërmendur dha produktin e parë për nga rëndësia: zhbllokimin e procesit për zbatimin e vettingut, ligjit më të rëndësishëm të reformës në drejtësi përmes plotësimit të  komsioneve ad hoc  të vettingut edhe  me  50 përqindshin e munguar deri dje  të anëtarëve  që i përkasin opozitës. Me 123 vota pro deputetët miratuan anëtarët e opozitës në sejcilin nga tre komisionet ad hoc. Fjala është për komisionet që do të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Kryemnistri  Rama – vettingu do të fillojë,  reforma në drejtësi nuk ndalet

Kryeministri Edi Rama tha pas miratimit të anëtarëve të opozitës në përbërje të komisioneve ad  hoc të vettingut, se “vetingu do të fillojë, reforma në drejtësi nuk ndalet”.

“Është një moment shumë emocionues, sepse është një moment që të bën të thuash me plot gojë që politika është një forcë për mirë kur përdoret për qëllime të mira”,- theksoi kryemnistri Rama në seancën e jashtëzakonshme parlamentare.

Zhbllokimi vettingut dhe fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi është një premisë e mirë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit me BE-në diku nga fillimi vitit të ardhshëm, pasi edhe ecuria e zgjedhjeve të 25 qershorit është një test për ecurinë e demokracisë në Shqipëri, ndarjen nga zgjedhjet me rezultat  të kontestuar dhe zhvillimin e tyre me standarde ndërkombëtare të pjesshme.

Për zgjedhje të lira dhe të ndershme – shitblerja e votës, krim që dënohet me burgim 

Krahas zhbllokimit të vettingut, si pjesë e marrveshjes Rama- Basha, parlamenti miratoi edhe ndryshime në Kodin Penal,, që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas këtyre ndryshimeve  shitblerja e votës përbën krim/vepër penale  që dënohet nga 1- 7 vjet burg.  Në zgjedhjet e kaluara shitblerja e votës dënohej vetëm me gjoba të papërfillshme financiare për  nga vlera monetare në raport me shkeljen e standardit dhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Futja e shitblejes  së votës në grupin e krimeve të pa amnestueshme të Kodit Penal të Shqipërisë pritet të sjellë rezultatet e para në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në rezultatin e padeformuar të tyre, në respekt të vullnetit të zgjedhësve.  Vepër penale konsiderohet edhe shpërdorimi i autoritetit të policisë për të ndikuar me mbështetje të një partie politike gjatë procesit zgjedhor, krim që dënohet me 5 vjet burg. Po kështu edhe përdorimi i mjeteve publike, veprimtarive shtetërore, burimeve financiare  ose njerëzore në procesin zgjedhor përbëjnë vepra penale që dënohen  nga 1-  4 vjet burgim. Nrdyshimet në Kodin Penal, të  miratuara në Parlament, përfshijnë edhe forcimin e rregullave për të mbikqyrur financimet e partive politike dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.

Qeveria me teknicienë  të PD-së fillon punën

Do të ketë jetë të shkurtër, vetëm katër muaj, qeveria me gjashtë ministra dhe një zv./kryeministre tekniciene, me kryeministër përsëri Edi Ramën. Kabineti i ri u miratua nga Parlamenti dhe u dekretua nga Presidenti i Republikës. Ajo fillon punën të martën ( 23.05) e stigmatizuar nga analistët e pavarur si një qeveri, ku të gjashtë ministrat teknicienë nuk janë të tillë por militantë të PD-së apo pranë ish-kryemnistrit dhe ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Sipas tyre kjo përzgjedhje do t’i kthehet  PD-së  në boomerang,  pasi gjashtë ministrat e rinj janë jo vetԹm militantë  të njohur të PD-së, por kanë edhe profile të zakonshme. Analistët e pavarur mendojnë që ky është preludi  i ardhjes në qeveri  të militantëve nëse PD fiton zgjedhjet e 25 qershorit, perceptim  që  mund t’i sjellë mosmarrjen e votave me 25 qershor prej elektoratit  gri, atij që nuk është i vendosur, apo që është fluid, rrjedh nga një forcë politike në tjetrën. Por kryemnistri Rama  tha, se “Ministrat që  sot kanë ardhur në qeveri për  të përfaqësuar PD-në kanë ardhur të garantojnë PD-në dhe opozitën, se makineria shtetërore nuk do të përdoret në zgjedhje. Marrëveshja e 18 majit bashkëdakortësoi një platformë jo për të bashkëqeverisur nesër, por për të bashkëqeverisur zgjedhjet, ku të gjitha palët të jenë të garantuara.” (dw)

Identifikohet autori i dyshuar i sulmit në Mançester

Manchester1Policia njoftoi se njeriu që hodhi veten në erë të hënën në përfundim të koncertit të këngëtares Ariana Grande në Mançester të Anglisë është identifikuar si Salman Abedi.

Duke folur për gazetarët të martën pasdite shefi i policisë së Mançesterit Ian Hopkins, identifikoi 22-vjeçarin Abedi si autor të dyshuar për sulmin, por nuk dha detaje të tjera.

Ndërkohë ISIS-i ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist në Mançester.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi me forcë sulmin në Mançester të Anglisë, dhe shprehu solidaritet me popullin britanik. Policia britanike informoi se ka arrestuar një të ri 23-vjeçar në lidhje me sulmin, për të cilin u njoftua se ka marrë përgjegjësinë Shteti Islamik. Të paktën 22 persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën gjatë shpërthimit dje në mbrëmje në të dalë të arenës ku zhvillohej një koncert.

Shpërthimi ndodhi në hollin e Manchester Arenës, që ka një kapacitet prej 21 mijë vendesh, në përfundim të një koncerti të këngëtares amerikane të muzikës pop, Ariana Grande.

Videot nga koncerti tregojnë mijëra pjesëmarrës, shumë prej tyre vajza të moshës së re, që me klithma përpiqeshin të dilnin nga godina.

“U ndezën dritat në mbyllje të koncertit dhe të gjithë po ngriheshin për të dalë, kur papritur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. U lëkundën të gjitha poltronat dhe njerëzit filluan të vraponin, ndërsa bërtisnin dhe qanin. Ne kërkuam daljen më të afërt”, thotë Sophie Walker që ishte ndër spektatoret e koncertit.

Prindër të shqetësuar që patën sjellë fëmijët në koncert, ishin mbledhur në rrugët rrotull duke pritur.

Kryeministrja britanike Theresa May konfirmoi të dhënat paraprake të policisë së Mançesterit se një sulmues vetëvrasës shpërtheu një paisje të improvizuar në një nga hollet dalëse të arenës. Ajo e quajti sulmin ndër më të rëndët që ka përjetuar Britania.

“Të gjitha aktet e terrorizmit janë akte burracakërie ndaj njerëzve të pafajshëm. Por, ky sulm i tmerrshëm spikat për shkak se pati si objektiv fëmijë dhe të rinj të pafajshëm dhe të pambrojtur, që donin të shijonin një nga netët më të bukura të jetës së tyre”, tha Kryeministrja May.

Kryeministrja britanike tha se hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse sulmuesi veproi i vetëm apo si pjesë e një grupi.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin gjatë vizitës në Bethlehem, përkrah Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

“Ofrojmë solidaritetin tonë absolut për popullin britanik. Kaq shumë të rinj të bukur dhe të pafajshëm që shijonin jetët e tyre, u vranë nga dështakë keqdashës. Nuk do t’i quaj përbindësha, pasi do t’u pëlqente ky term. Do mendonin se është emërtim i madh. Këtej e tutje do t’i quaj dështakë, pasi të tillë janë”, tha Presidenti Trump.

Këngëtarja Grande nuk u lëndua gjatë sulmit. Ajo shkruajti më pas në Twitter për të shprehur pikëllimin dhe për të ngushëlluar familjarët e viktimave.

Kryeministrja May dhe kreu i opozitës Corbyn pezulluan aktivitetet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 qershorit.

Departmenti amerikan i Sigurisë njoftoi se po monitoron situatën dhe se nuk ka aktualisht ndonjë kërcënim specifik për koncerte që zhvillohen në SHBA. (voa)

Shqipëri, pasojat e politikës mbi ekonominë

tiranaNë Tiranë, kriza politike u mbyll me një marrëveshje dypalëshe, ndërsa ekspertët e ekonomisë po studiojnë pasojat, që kriza la mbi bizneset dhe klimën ekonomike të vendit.

Studiuesit mendojnë se bizneset po tkurren, punësimi është minimal dhe një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë të largohen nga vendi.

Viti 2017 është krejt i ngjashëm me vitin e shkuar dhe me një vit më parë sa i takon treguesve ekonomikë, pohojnë studiuesit e ekonomisë, por kriza politike i ka gjetur të papërgatitur të gjitha palët.

Burimet zyrtare flasin për rritje ekonomike kryesisht për shkak të investimeve të mëdha si projekti TAP e ndonjë tjetër.

Por tani komuniteti i biznesit mund të bëjë të improvizojë vetëm projekte dhe pritshmëri realiste, pasi investimet janë frenuar dhe duhet rindërtuar besimi i konsumatorëve, ose së paku nuk duhet të marrë më goditje.

Punësimi vazhdon të jetë në nivele minimale, thotë Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

Studiuesit besojnë se ekonomia shqiptare i ka harxhuar burimet tradicionale të rritjes së saj dhe aktualisht është në vështirësi të mëdha.

Drejtuesi i organizatës së biznesit Alb-Konfindustria, Gjergj Buxhuku, thotë se ekonomia shqiptare është në një recesion teorik minus 2 për qind, nëse rritjes ekonomike do t’i zbriten borxhet e shumta qëqeveria ka marrë vitet e fundit dhe ndikimi i projekteve shumëvjecare si TAP.

Sipas analistëve, tani ekonomia ka nevojë për politika të reja, që të zgjerojnë frymëmarrjen e saj, sepse ekonomia vazhdon të funksionojë nën kapacitet dhe duhen harmonizuar më mirë politikat fiskale me ato bankare, sepse kanë dështuar politikat e qeverisë dhe bankës qendrore për të shëndoshur sistemin bankar për shkak të peshës së rëndë të kredive problematike.

Korrupsioni përmes kapjes së shtetit është në rritje dhe mbetet problem dhe rrezik themelor për ekonominë e vendit, sipas tyre.

Nga ana tjetër, zoti Buxhuku i Alb-Konfindustrias, pohon se reformat e thella me nxitjen e ndërkombëtarëve duhen shoqëruar me paketa dhe masa ekonomike, por marrëveshja e fundit politike nuk ka ende një faturë ekonomike, si do të realizohet.

Sipas tij, mbi 30-40 për qind e ekonomisë shqiptare është informale dhe zhdukja e kësaj duhet plotësuar me investime dhe fonde të rregullta nga brenda dhe jashtë vendit.

Krahas korrupsionit, një kërcënim i madh është edhe evazioni fiskal.

Numri i firmave me status pasiv është më shumë se gjysma e firmave me status aktiv.

Evazioni ndodh te firmat me mallra të forta, që kontrollohen nga oligarkia me ndikim në institucionet vendim-marrëse.

Rregullat fiskale ndryshojnë vazhdimisht dhe kjo i pengon firmat të punojnë në normalitet.

Po ashtu, shmanget konkurrenca elektronike dhe janë shtuar kontratat me negocim. (voa)

A ka lindur paranjeriu në Ballkan?

Shumë ekspertë mendojnë se ndarja e njeriut nga majmuni ka ndodhur në Afrikë. Por djepi i njerëzimit mund të ketë qenë edhe Ballkani.ParanjeriuLidhjet mes shimpanzeve të sotme dhe njerëzve me sa duket janë ndarë në Evropë dhe jo – sikurse supozohet shpesh – në Afrikë. Këtë ide prezantoi  në revistën “PLoS One” një ekip studiesish nga Qendra Senckenberg për Evolucionin e Njeriut dhe Paleomjedisin (HEP) në Tybingen (Tübingen). Po ashtu ky hap evolucioni mund të ketë ndodhur disa qindra mijëra vjet më parë se sa mendohej deri tani.

Ekipi studimor i udhëhequr nga Madelaine Bëhme shqyrtoi dy të vetmet mbetje nga hominidi “Graecopithecus freybergi”, i cili prej shkencëtarëve quhet me humor “El greko”. Ndër hominidët bëjnë pjesë njeriu dhe të afërmit e tij të zhdukur si dhe majmunët. Fjala është për dy fosile, një nofullë e poshtme e gjetur në Greqi dhe një dhëmb i gjetur në Bullgari.

Der älteste Vormensch könnte aus Europa statt Afrika stammen SPERRFIRST 22. MAI 20:00 UHR (picture-alliance/dpa/Universität Tübingen/ W. Gerber)

Rrënja e dhëmbëve si tregues

Sipas studiuesve Graecopithecus është një specie paranjerëzore deri tani e panjohur. Tregues për këtë janë rrënjët e dhëmbëve. Specie të tilla paranjerëzore deri tani njiheshin vetëm nga Afrika dhe Saharaja jugore.

Nga analizat e fosileve studjuesit mendojnë se nofulla e poshtme është rreth 7,175 milionë vjeçare kurse dhëmbi 7,24 vjeçar. Pra këto fosile janë edhe më të vjetra se Sahelanthropusi, specia me e vjetër e gjetur në Afrikë që mendohet se është 6 deri 7 milionë vjeçare.

NofullaAfrika Lindore apo Evropa?

Nisur prej këtyre fosileve shkencëtarët mendojnë se ndarja e linjave të zhvillimit mes njerëzve prehistorikë dhe shimpanzeve ka ndodhur më herët nga sa mendohej deri sot dhe me sa duket jo në Afrikë për në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

Ekipi studimor i udhëhequr nga Madelaine Bëhme mendon se njerëzit prehistorikë duhet të kenë lindur jo në Afrikë, por në Iran, Irak apo Liban. Si shkak për ndarjen e njeriut nga majmuni duhet të kenë qenë ndryshimet e forta klimatike.

Bashkë me fosilet e Graecopithecusit studiuesit gjetën edhe fosile të paraardhësve të gjirafave, gazelave, rinocerontëve apo antilopave të sotme. Po ashtu u gjetën edhe gjurmë rëre dhe sedimente që duhet të jenë përhapur nga shkretëtirat deri në brigjet veriore të Detit Mesdhe.

Shumë, shumë të panjohura

Studiuesit thonë se ata nuk mund ta dinë ende me saktësi se ç’pamje mund të ketë pasur paranjeriu Graecopithecus dhe nëse ai ecte në pozicion me trup të drejtë. Në bazë të madhësisë së nofullës supozohet se El Graeco peshonte rreth 40 kg dhe kishte madhësinë e një shimpanzeje të sotme femër. (dw)

Bomba në Mançester e ndërtuar për të shkaktuar viktima të shumta

ManchesterSipas policisë britanike, personi që kreu shpërthimin në koncertin e Mançesterit, ishte nisur për të vrarë sa më shumë spektatorë që të ishte e mundur.

Pajisja shpërthyese ishte një bombë e ndërtuar me gozhdë, ciflat e të cilave u përhapën në një rreze të gjerë.

Eksperti britanik i sigurisë, Will Geddes, u tha gazetarëve se pajisja shpërthyese duket të ishte e tillë që të shkaktonte sa më shumë viktima. “Kur shpërthen një bombë, tha ai, dëmi më i madh shkaktohet nga ciflat që përhapen dhe kjo është arsyeja se pse terroristët përdorin shpesh çanta të mbushura me kushineta”.

Dëshmitarët thanë se vendi pranë shpërthimit ishte e mbushur me bulona të dimensioneve të ndryshme dhe ekipet e ndihmës mjeksore konfirmuan se plagët më të shumta ishin shkaktuar nga ciflat metalike.

Kritikët u bënë jehonë pohimeve të disa fansave se Masat e sigurisë në koncert ishin të dobëta. Sipas tyre, rojet në hyrje të koncertit ishin më të preokupuar se mos fansat kishin me vete pije alkoholike në vend të ujit. (voa)