Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç thanë se janë pajtuar që të shpeshtojnë takimet në përpjekje për të arritur një pajtim ndërmjet të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve.
Ata u takuan në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në kuadër të përpjekjeve për të përgatitur një një periudhë të re të bisedimeve “përtej çështjeve teknike”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pajtimi është i mundur ndërmjet të dy popujve për të mbyllur periudhën e armiqësive në shekullore dhe për të hapur ardhmërinë e sigurt evropiane.
I përballur me kritika në shtëpi, presidenti Thaçi, tha se do të angazhohet për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, tha se takimet do të mbahen edhe në Bruksel edhe në New York dhe ndonëse “nuk është shumë optimist”, beson që mund të ketë një pajtim “ndërmjet popujve” dhe për të tejkaluar armiqësitë “mbi 300 vjeçare”.
Në fund të muajit korrik, presidenti serb, paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.
Presidenti Thaçi tha sot se diskutimet e brendshme janë çështje e Serbisë, por pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet e deritashme i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërmjetësuesja e këtyre bisedimeve, Federica Mogherini shfaqi besimin më herët gjatë javës se mund të vendoset një synim që deri në fund të mandatit aktual të Komisionit Evropian që përfundon në vitin 2019, të hidhen hapa thelbësorë për vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, një pjesë e të cilave deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë ishin nën ndikimin e saj.
Zonja Mogherini është shprehur disa herë se fuqia e Bashkimit Evropian në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane. (voa)