Solana: Vuçiq po i përdor lidhjet me Rusinë e Kinën kundër Kosovës

javier-solanaIsh-përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Javier Solana, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i përdor lidhjet me Rusinë dhe me Kinën kundër Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar se Vuçiq, përkundër afrimit me Bashkimin Evropian, nuk ka shfaqur kurrfarë gatishmërie për t’u distancuar nga Rusia, teksa vendi i tij po ashtu po vazhdon të tërheqë investime të majme nga Kina. Që të dy vendet, edhe Rusia, edhe Kina, refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.

Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ka kujtuar, në një shkrim autorial të botuar nga Project Syndicate, se si “gjatë një vizite në Beograd më 2014, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaronte se ‘Rusia, ashtu si në të kaluarën, do të vazhdojë ta shohë Serbinë si aleatin më të ngushtë’”, njofton Gazeta Express.

Përveç lidhjeve të moçme kulturore me Rusinë, ka theksuar Solana, Serbia varet nga Rusia për furnizim me energji, si dhe llogarit në fuqinë e saj për veto si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Për aq kohë sa Serbia shihet me sy të mirë nga Rusia, ajo mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, shkruan Solana, aktualisht shef i Qendrës ESADE për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitika.

Sikurse Jugosllavia e Josip Broz Titos dikur, edhe Serbia e sotme zyrtarisht deklarohet si shtet neutral, thekson Solana.

“Ajo bashkëpunon ngushtë me NATO’n, nëpërmjet Partneritetit për Paqe, përderisa në të njëjtën kohë organizon manovra ushtarake me ushtrinë ruse. E, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përderisa pohon të jetë qartas në favor të integrimit evropian, nuk ka shfaqur kurrfarë gatishmërie për t’u distancuar nga Rusia”, ka shkruar Solana, dikur ministër i Jashtëm i Spanjës.

Ka 18 vjet që pret një lajm për fatin e djalit të zhdukur

te zhdukuritTash e 18 vjet, Shaip Ramabaja, nga fshati Hajvali e Komunës së Prishtinës, kërkon një lajm për djalin e tij të zhdukur që nga 22 prilli i vitin 1999.

Për herë të fundit, ai ka dëgjuar për djalin e tij Bashkimin, më 22 prill të vitit 1999.

Më 18 prill, 1999, është ndërmarrë ofensiva Marec – Mramor, edhe kanë ikur të gjithë. Djali im ka mbetur aty deri më 22 prill. Të tjerët kanë ikur, kanë hy nëpër kolona të njerëzve. Djali im ka mbetur aty, por më vonë ka tentuar të vijë edhe është zënë (kapur) diku në rrugë dhe nga ajo ditë nuk di asgjë për të“, thotë Ramabaja.

Ai thotë se nuk kalon ditë e vetme pa e përmendur dhe kujtuar djalin e tij, Bashkimin, i cili në kohën kur është zhdukur ishte 27-vjeçar.

Ka vuajtur, është ndarë nga familja. Unë kisha dashtë ta gjejë ashtu siç është dhe nuk po them silleni të gjallë. Me e gjetë, bile ta di ku të drejtohem, njëherë të shkojë te varri i tij. Nuk kam hapur dhe nuk mund të hapi të pame [vizita për ngushëllime]. Kështu kemi mbetur të humbur“, tha Ramabaja.

Deri vonë ai besonte se i biri i tij është gjallë dhe po mbahej në burgjet serbe, por kjo shpresë tashmë po i shuhet.

Ai thotë se po të kishte një lajm qoftë të mirë apo të hidhur për djalin tij, do ta pranonte pa problem, por jo, siç thotë ai, edhe vuajtjen e përjetshme.

Rreth 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur në Prishtinë para përmendores që është afër Kuvendit të Kosovës, janë vendosur lule në nder të personave të zhdukur.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, kanë bërë një marsh të shkurtër nga përmendorja deri te sheshin “Skënderbeu”.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur tha se adresa e fajit për mungesën e këtyre personave është në Beograd dhe kërkoi si nga autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare, që t’i shtojnë trysnitë mbi Serbinë për të ofruar informata që do të çonin në zbardhjen e fatit të këtyre personave.

Të gjitha të këqijat e të gjitha të zezat që janë bërë në këto troje, e dimë adresën se kush i ka bërë -Serbia. Nga Presidenti e deri te kryetari i komisionit qeveritar, besoj se duhet ta ndërrojnë strategjinë“, tha Qerkini.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, tha se mungesa e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës ende mbetet një plagë e freskët në Kosovës.

Gjetaj, i cili është edhe anëtar i delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët për të pagjeturit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se për këtë çështje të gjithë ata që kanë informacione duhet të ndihmojnë.

Familjet e personave të zhdukur, janë kategoria tash për tash e goditur si pasoj e luftës. Apelojmë që të gjithë ata që disponojnë me ndonjë informatë të ndihmojnë në sjelljen e tyre sepse mungesa e informatave është mungesë për të ditur për më të dashurit tonë“, tha Gjetaj.

Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në dialogun teknik në Bruksel, pati iniciuar çështjen e të pagjeturve, si temë në kuadër të dialogut, por e cila nuk ishte vendosur si temë në tavolinën e diskutimeve.

Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit.

Nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse të pa identifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore. (rel)

Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO me emrin IRJM

DimitrovMaqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë, me të cilën për më shumë se dy dekada ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, para vizitës të së enjtes në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas.

Dimitrov tha se Maqedonia dëshiron zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik nga ana e Greqisë, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me të cilën edhe është pranuar në më shumë institucione tjera ndërkombëtare, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për emrin kushtetues të Maqedonisë. Me rëndësi, siç tha Dimitrov, është që të “vendosim relacione të hapura dhe të shohim se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe të sqarojmë se çfarë është me rëndësi për vendin tonë”.

Shefi i diplomacisë tha se Maqedonia është e gatshme të pranojëanëtarësimin në NATO me emrin IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

Republika e Maqedonisë, në përputhje me marrëveshjen e përkohshme është e gatshme që të pranojë ftesën për tu pranuar në NATO me referencën e përkohshme me të cilën është pranuar edhe në OKB, pra me emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Kjo është edhe në përputhje me marrëveshjen e përkohshme, por edhe me vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. Jemi të bindur se kjo do të krijonte një mirëkuptim më të madh në opinionin tonë, pasi bllokada shumëvjeçare nuk e ndihmon konstruktivitetin mes dy vendeve”, ka deklaruar Dimitrov në një konferencë në Shkup kushtuar procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Ne nuk duam që të nisin lojën e akuzave me Greqinë, pasi anëtarësimi jonë në NATO në fakt nënkupton aleancë mes dy shteteve. Pozicioni ynë ka qenë shumë i rrënuar viteve të fundit, kemi bërë mjaft gjatë këtyre dy muajve e gjysmë që nga formimi i Qeverisë së re, por duhet edhe shumë për të bërë që të kthejmë miqtë tanë të vjetër, të krijojmë miq të rinj dhe të japim fakte se ne nuk jemi problemi, por se qëllimi kryesor për ne mbetet stabiliteti në rajon, që rajoni të jetë shtëpia e të gjithëve, e një Evrope të bashkuar dhe stabile”, ka deklaruar Dimitrov.

Në konferencën kushtuar anëtarësimit në NATO ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, i cili në paraqitjen para të pranishmëve i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Maqedonia po kontribuon në stabilitetin global dhe rajonal. E dimë se rruga juaj drejt NATO-së ndonjëherë është frustruese, por ju keni qëndruar. Këtu është edhe mbështetja e opinionit dhe e të gjitha bashkësive etnike për anëtarësimin tuaj në NATO. Shpresojmë se qëndrimi i tillë do të vazhdojë, ne ju mbështesim dhe besoj se një ditë do të ju urojmë mirëseardhje si anëtare e re e NATO-së”, ka deklaruar Bejli.

Nga ana tjetër, mediat kanë transmetuar edhe pritjet e palës greke sa i përket vizitës së shefit të diplomacisë greke, e që kanë të bëjnë me forcimin e besimit të ndërsjellë, zbatimin dhe zgjerimit e masave që mund të ndërmerren nga të dyja vendet. Këto masa, siç transmetojnë mediat, janë të rëndësishme për Athinën, pasi jo vetëm që mund të përmirësojnë klimën, të konsolidojnë dhe forcojnë besimin mes dy vendeve, por mund të shërbejnë në të ardhmen për qasje në zgjidhjen e çështjes më të ndjeshme të emrit.

Për shkak të moszgjidhjes së këtij kontesti, Maqedonia nuk ka arritur ende të anëtarësohet në NATO, edhe pse sipas vlerësimeve të ndryshme ka përmbushur të gjitha kushtet që të bëhet pjesë e Aleancës. Maqedonia për shkak të kontestit nuk ka arritur të nisë as bisedimet me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian edhe pse që nga viti 2005 ka fituar statusin e shtetit kandidat. (rel)

Kosto e lartë e përmbytjeve në Teksas

HjustonNë Teksas, përpjekjet e rindërtimit në zonat e shkatërruara nga erërat dhe përmbytjet e uraganit Harvey përballen me kosto më të larta dhe disa vonesa për shkak se industria e ndërtimit ka mungesë kritike të punëtorëve të kualifikuar. Vonesat e rindërtimit iu shtohen dëmeve të tjera ekonomike të shkaktuara nga mbyllja e aeroporteve, porteve, dyqaneve të shitjeve me pakicë dhe impianteve të industrisë së naftës.

Punonjësit e shpëtimit kanë kërkuar për viktima të përmbytjeve, mes mijëra telefonatave që kanë marrë për ndihmë dhe nivelit të ujit që vazhdon të rritet, duke dëmtuar shtëpitë, bizneset dhe infrastrukturën.

Puna masive për rindërtimin e Hjustonit dhe zonave të tjera të goditura nga Harvey do të kushtojë më shumë dhe do të marrë më tepër kohë pasi zona ka patur edhe më parë një mungesë të punëtorëve të kualifikuar të ndërtimit si marangozë, muratorë dhe menaxhues të projekteve.

Shoqata e Kontraktorëve të Amerikës thotë se mungesa e punëtorëve ka prekur 70 për qind të kompanive anëtare të saj. Ken Simonson është ekonomist i lartë i shoqatës:

“Në shumë raste, kjo do të përkthehet në vonesa. Do të marrë më shumë kohë pasi kompanitë që punësojnë nënkontraktorë thonë ‘Do ta bëjmë këtë punë pasi të kemi mbaruar një tjetër’”.

Zoti Simonson thotë se punët në ndërtim janë bërë më të sofistikuara me përdorimin e mjeteve të teknologjisë së lartë si GPS dhe rrezet lazer. Shoqata e tij po u bën thirrje shkollave të ofrojnë më shumë klasa për të rritur aftësitë në ndërtim.

Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj pikave të rëndësishme të ekonomisë por një ekspert i Universitetit ‘Cornell’ thotë se mjetet ekonomike nuk e masin siç duhet ndikimin e stuhisë, pasi i llogarisin përpjekjet e rindërtimit si një rritje ekonomike, duke lënë mënjanë kostot e humbjeve:

“Pra për ta llogaritur siç duhet, duhet të dish vlerën e të gjitha shtëpive, makinerive, ndërtesave, rrugëve. Për të qënë i drejtë, ne vërtetë nuk do ta dimë dëmin derisa të dime koston e rindërtimit.”

Infrastruktura e naftës është jetike për ekonominë dhe zoti Kyle thotë se gjithçka është dëmtuar do të rindërtohet me shpejtësi pasi kompanitë kanë nevojë për të ardhura nga impiantet e tyre. Ndërprerjet që vazhdojnë, pritet të risin çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara me deri në gjashtë cent e gjysmë për litër për një farë kohe.

Hjustoni është porti i pestë më i madh për mallrat në Shtetet e Bashkuara. Sipas firmës analitike Panjiva, stuhia ka vonuar përpunimin e mijëra kontenierëve që lëvizin përmes Hjustonit çdo ditë, me pjesë makinash dhe mallrat ë tjera. Dërgesat e naftës gjithashtu janë bllokuar.

Në kohë normale, aeroportet e Hjustonit kanë 1,600 apo më shumë fluturime në ditë, por për momentin janë të mbylluara. (voa)

Të enjten mbahet takimi i radhës Thaçi – Vuçiç

Thaci VucicTë enjten në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini do ndërmjetësojë takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ata do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve duke pasuar pajtimin e muajit korrik se do të fillojnë të përgatisin një periudhë të re të këtyre bisedimeve”, tha Maja Kocijançiç, zëdhënëse e zonjës Mogherini.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qenë takuar më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha atëherë se periudha e re do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve e dy popujve dhe do të mbyllte kapitullin e errët të së kaluarës, për të hapur ardhmërinë e sigurt evropiane.

I përballur me kritika në shtëpi, presidenti Thaçi, ka paralajmëruar se do të angazhohet për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, kishte paralajmëruar se në periudhën e re, do të bisedohet për çështje thelbësore se si i shohin palët marrëdhëniet ndërmjet tyre për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë, sipas tij, se duhen biseda me serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptar.

Në fund të muajit korrik, presidenti serb, paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.

Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet e deritashme i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ndërmjetësuesja e këtyre bisedimeve, Federica Mogherini shfaqi besimin më herët gjatë javës se mund të vendoset një synim që deri në fund të mandatit aktual të Komisionit Evropian që përfundon në vitin 2019, të hidhen hapa thelbësorë për vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, një pjesë e të cilave deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë ishin nën ndikimin e saj.

Zonja Mogherini është shprehur disa herë se fuqia e Bashkimit Evropian në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane (voa)

Aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO

Konferenca Georg Marshall NatoMaqedonia ka shtuar aspiratat për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe shpreson se kjo do të ndodhë shpejt. Autoritetet lënë të kuptohet se janë të gatshme që në Aleancë të hyjnë me referencën e përkohshme FYROM (Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë), që është në përdorim ndërkombëtar.
Në një konferencë të organizuar nga Instituti për Kërkime Gjeostrategjike dhe Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshal”, ambasadorët perëndimorë shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për integrimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.
Autoritetet e reja maqedonase duken se janë mjaft të hapura për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Maqedonia shpreson se nuk do të jetë larg dita kur ajo të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha në një konferencë kushtuar marrëdhënieve me NATO-n, se vendi i tij do ta shtojë 20 përqind pjesëmarrjen e ushtrisë në misionet e huaja dhe se do ta rrisë për çdo vit buxhetin për mbrojtjen, megjithëse në mënyrë simbolike.
Ai tha se Maqedonia duhet të bëhet anëtare fuqiplotë e Natos, duke patur parasysh planin gjeopolitik dhe strategjik të Aleancës:
“Ballkani është në vijën e parë të mbrojtjes të kësaj pjese të Evropës dhe prandaj duhet integrimi sa më parë i atyre shteteve të cilat duan të anëtarësohen në NATO”, – tha ministri maqedonas.
Ai la të kuptohej se Maqedonia është e gatshme të pranojë që me referencën e përkohshme FYROM të bëhet pjesë e Aleancës. “Duam të jemi anëtarja e 30 e NATO-s”, tha zoti Dimitrov, ndërsa foli për reformat e nevojshme dhe synimet e vendit të tij për të ndërtuar institucione të fuqishme dhe demokraci “në të cilën qytetarët do ta kontrollojnë pushtetin dhe jo anasjelltas”.
Ai theksoi problemin e vjetër të emrit, duke thënë se anëtarësimi në Nato nuk varet vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Greqia:
“Greqia është një demokraci e vjetër, anëtare e Natos dhe BE-së dhe ka një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike në rajon dhe mendoj se mund të luajë një rol të madh në forcimin dhe shtyrjen e të gjithë rajonit të Ballkanit përpara”, – tha Ministri i Jashtëm Dimitrov, duke theksuar se Greqia duhet ta njohë momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë atë.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily tha se SHBA vazhdojnë të jenë partner i Maqedonisë në përpjekjet e saj integruese, ndërkohë që nënvizoi nevojën për të bërë reforma urgjente demokratike:
“Ne përshëndesim energjinë dhe kreativitetin e ri të Maqedonisë për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, ndërsa po përballeni me shumë sfida dhe reforma që duhen realizuar. Maqedonia si dhe aspiruesit e tjerë për në Nato duhet t’i përmbushin standardet e larta për anëtarësim në Aleancë”, tha ambasadori.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar “dëshiron ta shohë një Maqedoni me një sistem ku ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, ku qytetarët kanë qasje tek informacioni dhe media të raportojë dhe debatojë lirshëm mbi çështjet; ku drejtuesit politikë janë të përgjegjshëm dhe ku institucionet i shërbejnë qytetarëve dhe jo partive politike. Reformat e këtilla nuk janë të lehta por janë të arritshme dhe ne duam të jemi partneri juaj për këtë”, – theksoi ambasadori amerikan Baily. Ai foli edhe për nevojën e modernizimit të ushtrisë së Maqedonisë.
Ndërkaq, Ambasadori gjerman Tomas Norbert Gerberajh vërejti se:
“Tensionet e fundit me Serbinë që kulminuan me vendimin e Beogradit për të tërhequr përfaqësuesit diplomatikë nga Maqedonia, u qartësuan pas bisedës telefonike të krerëve të shteteve dhe ministrave të jashtëm, por kjo dëshmoi se sa me rëndësi është angazhimi për bashkëpunimin paqësor rajonal për vendosjen e besimit.”
Ai tha se nacionalizmi e ndarjet etnike çojnë tek probleme të tilla, ndërkohë që vuri në dukje bllokimin e reformave, korrupsionin, ngecjen ekonomike dhe mungesën e stabilitetit politik.
Ambasadori i ri gjerman në Shkup tha se Maqedonia mund të stabilizohet me anëtarësimin në Nato dhe përparimin drejt BE-së, sikundër dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, për çka tha se kanë mbështetjen e Gjermanisë. (voa)

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte

Gjykata cekiciNjë Gjykatë në Prizren i caktoi të mërkurën masën e paraburgimit prej 30 ditësh një serbi të dyshuar për krime luftë gjatë viteve 1998-1999.

Në një njoftim të gjykatës në Prizren thuhet se dyshohet që Bogdan Mitroviç, ishte pjesë e forcave serbe që kryen krime lufte kundër popullsisë civile, më 2 prill të vitit 1999, në fshatin Sopi të komunës së Suharekës (rreth 60 kilometra në jugperëndim të Prishtinës), ku qenë vrarë 32 civilë të paarmatosur”.

I dyshuari ka shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë, ndërsa gjykata tha se ai do të mbahet në paraburgim meqë vendndodhja e tij nuk ishte e ditur deri në arrestimin e tij.

Ai është arrestuar të hënën derisa më një grup qytetarësh serbë po vizitonin pronat e tyre në fshatin Mushtisht të komunës së Suharekës.

Arrestimi i tij nxiti reagime të rrepta në Serbi ku zyrtarët e atjeshëm thanë se kjo është trysni mbi serbët dhe mesazh që ata të mos provojnë të kthehen në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se këtë çështje do ta shtrojë edhe në Bruksel në takimin e radhës më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarët evropianë.

Kosova doli nga lufta më mbi 10 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Në ditë ndërkombëtare për të zhdukurit mbetet ende e paqartë se cili është fati i rreth 1 mijë e 600 qytetarëve të saj, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare. (voa)

Sessions: kriza e opioideve, një “problem vdekjeprurës”

Jeff SessionsProkurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions e quajti krizën e opioideve një “problem të madh vdekjeprurës”.

Duke folur në një takim të Aleancës Kombëtare për Fëmijët e Rrezikuar nga Droga që u mbajt në Grin Bej të shtetit Uiskonsin, zoti Sessions e cilësoi gjendjen edhe më shqetësuese sesa përdorimi i kokainës në vitet ’80.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, zgjidhja e krizës duhet të fokusohet në tre shtylla kryesore, tek parandalimi, zbatimi i ligjit dhe trajtimi.

Më parë gjatë këtij muaji, Presidenti Trump u zotua për një “fitore” në betejën ndaj heroinës dhe krizës së opioideve. Por ai nuk shkoi deri aty sa të deklaronte gjendjen e emergjencës kombëtare, sikurse kishte rekomanduar komisioni i Shtëpisë së Bardhë për opioidet. (voa)

Rama: 2018, viti i Skënderbeut

ramaKryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKËNDERBEUT.

“Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKËNDERBEUT”, shkroi Rama në Facebook.

Viti i ardhshëm përkon me 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

/ Top Channel

Takimi Thaçi-Vuçiq – fazë e re e dialogut Kosovë Serbi?

thaci vucicPresidenti i Kosovës dhe ai serb takohen të enjten më 31.08 në Bruksel. Federika Mogherini, është e bindur se deri në fund të vitit 2019, vendet e Ballkanit do të arrijnë hapa konkretë drejt integrimit në BE.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen këtë të enjte më (31.08) në Bruksel, me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kjo e fundit e konfirmoi takimin që për qëllim ka vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, të filluar tash e gati pesë vjet më parë. “Mendoj se mundemi që deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian 2014 – 2019 të arrijmë qëllimin në kërkim të hapave konkret dhe të rëndësishëm për secilin nga partnerët tanë ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht disa momenteve të vështira gjatë këtij viti, vendet partnere të Ballkanit kanë dëshmuar vullnetin dhe dëshirën për përparime në rrugën drejt BE-së” deklaroi Federika Mogherini në një fjalim të saj para ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Modalitete për marrëveshje përfundimtare

Mediet në Prishtinë dhe Serbi shkruajnë se “në takimin e së enjtes pritet të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kishte obligime ndërkombëtare”. Për një fazë të re të dialogut Kosovë Serbi ka kohë që flet edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se “ka  ardhur koha që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare të pajtimit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqic, janë takuar së fundmi në fillim të korrikut në Bruksel, kur të dy ishin pajtuar për një fazë të re të dialogut ndërmjet dy vendeve, ku do të futeshin edhe grupet punuese të cilat do të përgatisin hyrjen e procesit në këtë fazë. “Në takimin që kishim me zonjën Mogherini jemi pajtuar që të ketë një fillim përgatitor për fazën e re të negociatave në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, pati deklaruar Presidenti Thaçi.

Vuçiq: Dialog substancial

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte deklaruar se “dialogu do të vazhdojë në Bruksel, por jo vetëm dialogu që merret me temat e caktuara, por, të kemi edhe dialog substancial rreth asaj se si i shohim ne marrëdhëniet tona pas disa vjetësh”. Rakimin e se enjtes që do të zhvillohet në Bruksel, ndërmjet Thaçit dhe Vuciqit, mund ta komplikojë arrestimi nga policia e Kosovës i një serbi të dyshuar për krime lufte.  Bogdan Mitroviq, 74 vjeçar nga Sopia e Suharekës u arrestua dje nga policia e Kosovës  gjatë vizitës së tij në një kishë afër Mushtishtit. Policia e Kosovës, njoftoi se zoti Mitroviq, është dërguar në mbajtje për 48 orë.  Mediet serbe thonë se Bogdan Mitroviq, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krime lufte ndaj popullatës civile.

Vuçiq do të flasë për Mitroviq

Këtë rast e komentoi edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili tha se në Bruksel ai po shkon të flas edhe për rastin e Bogdan Mitroviqit, sepse siç tha ai “merakoset për të”. “Prishtinës do t’i dhembë koka nga pyetjet tona. Jam shumë i interesuar të di se çka do të thonë miqtë tanë ndërkombëtar për këtë rast”, citojnë mediet në Serbi Aleksandër Vuçiq.

Marrëdhënia Kosovë-Serbi – dhe historiku i dialogut

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nisi në mars të vitit 2011, ndërsa, marrëveshja për përmirësimin e raporteve u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrave të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Njëra ndër pikat me kryesore të marrëveshjes ishte lëvizja e lire e njerëzve dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo e fundit akoma nuk është jetësuar për faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se me këtë marrëveshje shkelet Kushtetuta e Kosovës. Serbia këmbëngulë në jetësimin e kësaj marrëveshje, madje  në disa raste e ka vënë edhe kusht për vazhdimin e dialogut.

Gazeta serbe Danas, për takimin e se enjtes, shkruan se “Pritet një ndryshim i përshpejtuar i formatit të bisedimeve, Kosovë-Serbi”. “Siç njoftoi delegacioni i BE-së në Serbi, ata do të shkëmbejnë mendime për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së arritur në korrik në lidhje me fillimin e përgatitjeve për një fazë të re të dialogut”, shkruan gazeta serbe Danas.

Analisti serb Dusan Janjiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike, sipas kësaj gazete, thotë se ‘takimi i së enjtes do të jetë një nga mbledhjet përgatitore për fazën e re të dialogut të Brukselit”. Sipas tij, “Në disa takime të ardhshme do të përcaktohet forma dhe tema për negociata të mëtejshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës” dhe kjo fazë përgatitore do të zgjat deri në fund të vitit 2017 ose në fillim të vitit të ardhshëm. (dw)