Qindra mijëra spanjollë në marshim kundër terrorit

protesta barcelonaQindra mijëra njerëz dolën të shtunën në një marshim për paqen në zemër të Barcelonës, si një formë e refuzimit publik të sulmeve ekstremiste që morën jetën e 15 personave.

Në krye të marshimit udhëhiqnin punonjësit e shërbimeve të emergjencës, shoferët e taksive, policë dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët patën ardhur në ndihmë menjëherë pas sulmit të 17 gushtit në bulevardin Las Ramblas.

Ata mbanin banderola me moton “Unë nuk kam frikë”, të shkruar në gjuhën katalanase.

Autoritetet qendrore dhe lokale spanjolle përçuan një mesazh bashkimi duke qëndruar së toku pas punonjësve të shërbimeve të emergjencës. Autoritetet ishin kritikuar fillimisht se nuk kishin qarkulluar informacionin e duhur për autorët e sulmit.

Disa qytetarë shprehën pakënaqësinë e tyre me fishkëllima ndërsa kalonin pranë tyre zyrtarët, si dhe mbanin banderola ku kritikohej roli i Mbretit Felipe për nxitjen e eksporteve ushtarake për Arabinë Saudite.

Autorësinë e sulmit e mori përsipër Shtetit Islamik. 8 autorë të dyshuar u vranë, 2 gjenden në paraburgim, ndërsa 2 të tjerë u liruan nga gjykata, por vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve. (voa)

Varësia tek interneti dhe sulmet kibernetike

paswordNjoftimet për sulme kibernetike ndaj kompanive dhe qeverive në mbarë botën, këtë vit kanë qënë më shpeshta si titujlajmesh kryesore.Ekspertët e sigurisë kibernetike shpjegojnë pse rreziku nga ndërhyrjet kibernetike tani është më i madh, kush po i kryen ato dhe çfarë mund të bëhet për të parandaluar ose minimizuar dëmet e tyre.

Nga rrjetet e energjisë elektrike, tek korporatat e mëdha, askush në botë nuk është imun ndaj sulmeve kibernetike dhe ky është një problem në rritje.

Jonathan Homer, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare:

“Interneti po integrohet gjithnjë e më shumë në jetën tonë të përditshme. Qytetarët, korporatat dhe qeveritë po bëhen më të ndërlidhura dhe po përdorin internetin si shtyllë kryesore të komunikimit dhe bashkëpunimit. Kjo e zgjeron fushën e sulmeve për me qëllime keqdashëse”.

Vartësia më e madhe dhe shtimi i informacioneve dixhitale në internet krijonë mundësi për përfitime më të mëdha financiare për kriminelët. Vitin e kaluar ka patur një rritje të sulmeve me një virus që bllokon informacionet që përdoruesit kanë në kumpjuter duke kërkuar pagesë për zhbllokimin e tyre.

Clifford Neuman nga Qendra e Universitetit të Kalifornisë Jugore për Sigurinë e Sistemit Kompjuterik thotë se:

“Ndërhyrjet e paligjshme në këto sisteme janë duke u bërë gjithnjë e më të lehta pjesërisht pasi mjetet e nevojshme për realizimin e tyre mund të gjenden më me lehtësi në tregun e zi të internetit”.

Ndjekja e kriminelëve nuk është e lehtë thotë John Brown me Byronë Federale të Hetimeve, FBI

“Raportimet për sulme kibernetike tek autoritetet, tek FBI-ja, shërbimi sekret ose agjencitë e tjera të zbatimit të ligji, janë më të ulta se sa ndodhin në realitet. Unë mendoj se është një vendim ekonomik. Ata janë të shqetësuar nga publiciteti”.

Ligjet federale mbi raportimin e ndërhyrjeve janë të paqarta, spjegon Clifford Neuman me Qendrën e Universitetit të Kalifornisë Jugore për Sigurinë e Sistemit Kompjuterik

“Ajo që ndodh në rastin e bizneseve është se në shumicën e rasteve ata nuk e dinë se çfarë informacioni është zbuluar, dhe ndoshta qëllimisht, i mbyllin sytë, duke thënë se e gjithë ajo që dimë është se dikush ka ndërhyrë në sistemin tonë.”

FBI thotë se njerëzit që bëjnë këto ndërhyrje mund të jenë kriminelë që e bëjnë këtë për para ose persona me motive gjeopolitike.

“Është e qartë se ka shtete që janë të përfshira në aktivitete kibernetike. Ato janë të interesuara për vjedhjen e sekreteve tona tregtare, informacionet mbi produktet që kompanitë tona po zhvillojnë, sekretet brenda qeverisë sonë”,thotë John Brown me FBI.

Jonathan Homer me Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare thotë se:

“Shumica e sulmeve kibernetike shfrytëzojnë dobësitë ose masat e pamjaftueshme mbrojtëse për të arritur qëllimin përfundimtar të sulmuesit. Një nga dobësitë më të mëdha të çdo rrjeti korporatash është elementi njerëzor.”

Pra, nuk bëhet fjalë se a do të ketë sulme kibernetike, por kur do të ndodhin ato.

FBI thotë se ndërtimi i partneriteteve është kritik, në mënyrë qëtë ketë plane mbrojtëse para se të kryhet sulmi.Një mënyrë tjetër për t’u përgatitur është rishikimi i sistemeve të internetit.

“Individë të ndryshëm gjithmonë do arrijnë të ndërhyjnë në rrjet, por duhet të siguroheni që struktura e sistemeve të jetë e tillë që ta minimizojë dëmin e shkaktuar nga ndërhyrja”, thotë zoti Clifford Neuman

Pra, kur një pjesë e një sistemi të jetë komprometuar, të mos dëmtohet i gjithë sistemi, por të jetë ende funksional. (voa)

Hahn: Shpejtoni reformat. S’ka më justifikime, zgjedhësit folën

Hahn RamaEdi Rama dhe Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn ishin në një mendje kur i vlerësuan zgjedhjet e 25 qershorit si më të mirat e realizuara ndonjëherë në Shqipëri.

Prioritetet e Shqipërisë përpara një tjetër vlerësimi nga shtetet anëtare të BE, për të cilat vetë komisioneri tha se ende nuk e ka një datë, Edi Rama dhe Johannes Hahn i ndanë përpara takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në një mëngjes pune, që sipas kryeministrit u fokusua në statusin aktual të marrëdhënieve të vendit tonë me BE. Por mungesa e një date shoqërohet me disa kërkesa, duke nisur nga reformat kyçe.

“Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Besoj se ka një rezultat që jo shumëkush e prisnin që të ishte kaq i qartë. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Vendimet politike janë të qarta. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit”, u shpreh Hahn.

“Folëm për zgjedhjet si një moment i rëndësishëm i kapërcyer me sukses, folëm për vullnetin dhe domosdoshmërinë që të vazhdojë ajo që u nis si një qasje e re dhe vullnet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, nga ana tjetër e njoha Hahn me planin e këtij mandati në funksion të reformave, të një transformimi rrënjësor të shërbimeve për publikun si një aspekt i luftës kundër kurrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.

Dhe reforma në drejtësi, si një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë, mbetet ende një kërkesë e qartë, këtë herë për zbatimin sa më parë të saj.

“Jam i sigurt që shumë shpejt do të shohim rezultatet e para konkrete lidhur me të famshmin proces të Vettingut”, u shpreh komisioneri.

“Nënvijëzuam domosdoshmërinë e vazhdimit të procesit të vettuingut si një proces kyç për Shqipërinë, por edhe përshpejtimin e procesit të integrimit”, tha Kryeministri.

Si kryeministri Rama, ashtu edhe zyrtari i lartë i BE-së ndanë të njëjtin vlerësim për luftën kundër kultivimit të kanabisit.

“Dua të përmend progresin e jashtëzakonshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit, kjo është dëshmi për vendet e BE”, tha komisioneri.

“Ndamë idenë se në luftën ndaj kanabisit po bëhet një punë fantastike. Sot jemi me rezultate të monitorimit ndërkombëtar që tregojnë se zotimi është duke u përmbushur dhe në fund të këtij sezoni mbjelljesh, korrjesh dhe goditjesh, Shqipëria do të dalë përfundimisht nga harta e vendeve problematike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Rama.

Hahn: Me azil dëmtoni veten

Ashtu si kryeministri Rama, i cili ishte i drejtpërdrejtë për numrin e azil kërkuesve shqiptarë në vendet e BE, konkretisht Hollandën, edhe Hahn ishte i qartë kur tha se asnjë shqiptar s’do të mund të marrë azil në asnjë vend të BE-së.

“Unë refuzoj ta pranoi shënjestrimin e shqiptarëve, azilkërkues apo ata që kryejnë krime si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët duhet të përgjigjen para ligjin, por nuk ka flamur e kombësi dhe thjesht duhet të përgjigjen para ligjit dhe nuk mund të tregohet me gisht si krim shqiptar ballkanik. Është propagandë. Në realitetin e gjërave, ka një problem shqetësues që lidhet me faktin se qytetarët e Ballkanit dhe Shqipërisë nuk kanë asnjë shans që të marrin azil politik në Europë. Asnjë shans. Është thjesht rënie pre e rrjeteve kriminale që përdorin nevojën e njerëzve për një jetë më të mirë dhe punë”, u shpreh kryeministri Rama.

“Nuk është realiste të besohet se çdokush mund të merrte azil si shqiptar në BE. Është e kotë që të shkoni në vendet e BE për të kërkuar azil, pasi dëmtoni veten, nga ana diplomatike edhe vendin tuaj”, tha Rama.

Projektet për Ballkanin, kryeministrat hartojnë axhendën e përbashkët

Të 6 vendet e Ballkanit perëndimor tani kanë një axhendë të përbashkët, për tu bërë më atraktivë për investime të huaja, me synimin edhe për të përshpejtuar afrimin me BE. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë një plan konkret veprimi, me 115 pika, të cilat I kanë përmbledhur në një dokument udhërrëfyes për krijimin e një tregu unik rajonal.

“Kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar që ta bëjë rajonin shumë më tërheqës për investime, sh më fleksibël për shkëmbimet e brendshme tregtare, duke përshpejtuar afrimin me BE dhe ritmet e rritjes ekonomike dhe mirëqenies”, u shpreh Rama.

“Ne po fokusohemi tek Zona Ekonomike Rajonale, kam dy shifra për ta ilustruar rëndësinë e kësaj. Gjatë 10 viteve të fundit, eksportet drejt BE nga të 6 vendet e bllokut janë dyfishuar. Tani përbëjnë 46 mld euro por tregtia mes këtyre 6 vendeve nuk është rritur, është në të njëjtin nivel si para 10 vitesh. Kjo tregon se ka shumë potencial që mund të shfrytëzohet”, tha Hahn.

Hahn shpjegoi edhe si do të vihet në jetë kjo axhendë e përbashkët.

“Vendet janë dakord që të caktojnë koordinatorë të përbashkët që të koordinojnë në secilën kryeministri dhe në çdo vend në veçanti, ministritë apo dhomat e tregtisë të punojnë me përkushtim për këtë axhendë. Të 6 vendet e Ballkanit perëndimor do ti përcaktojnë këto koordinatorë deri në mes të shtatorit për ti vënë në zbatim. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet dypalëshe”, tha komisioneri.

“Ky reflektim strategjik do të na vlejë për një axhendë më agresive në funksion të një rajoni më tërheqës për investimet e huaja, me një transformim rrënjësor të procedurave kufitare, me një përmirësim rrënjësor të monitorimit, dhe me krijimin e mekanizmave për reduktimin e kostove logjistike dhe komponenti tjetër për të fuqizuar ekonominë digjitale si një front të ri të rritjes ekonomike në rajon”, u shpreh Rama.

Liderët e Ballkanit perëndimor janë angazhuar për një rakordim të çështjeve për bashkëpunim ekonomik 6 javë më parë, kur u vendosën piketat kyçe në samitin e Triestes. Zbatimi konkret i tyre nis nga shtator, pas përzgjedhjen e koordinatorëve.

/ Top Channel

Kosova në UNESCO, Zaev shuan shpresat për mbështetje të shpejtë

zaev ramaKryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev duket se ndërpreu të gjitha shpresat e Kosovës për anëtarësimin e saj në UNESCO, gjatë këtyre dy viteve.

“Do të përgjigjem për qëndrimin e Maqedonisë në UNESCO,0 lidhur me Kosovën. Nuk është një pyetje që lidhet me këtë vit, nuk e di madje as nëse do të jetë për vitin tjetër”, u shpreh Zaev.

Nga Durrësi, ku ishte i pranishëm në takimin informal të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, Zaev i drejtoi dhe një mesazh opozitës maqedonase për të votuar ligjin e përdorimit të gjuhëve.

“Unë pres dhe ftoj opozitën edhe njëherë, që ta votojë atë ligj, sepse ato çështje të cilat ishin të diskutueshme, nëse ishin në përputhshmëri me Kushtetutën apo jo, janë jashtë atij ligji. Pas votimit të ligjit, Komisioni i Venecias, por edhe Gjykata jonë kushtetuese do të kenë shansin të komentojnë për ato gjëra që nuk janë pjesë e ligjit”, tha kryeministri maqedonas.

E në fund, Zoran Zaev u shpreh shumë optimist për zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë.

“Ne po e ndjekim këtë çështje nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe shpresojmë që në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër, do të ketë një propozim të ri nga Mattew Nimetz, i cili është drejtuesi i procesit dhe në fund unë shpresoj që do të ketë lëvizje, sepse është shumë frustruese për në që të presim përpara dyerve të NATO-s”, deklaroi Zaev.

/ Top Channel

Brnabiç: Dialog me Kosovën, por të zbatohen marrëveshjet

BrnabicKryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç shprehet se pavarësisht lëvizjeve të fundit nga Presidenti Vuçiç, nuk beson se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por këmbëngul te dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara.

“Nga pikëpamja e çështjeve të brendshme të Serbisë, Presidenti Vuçiç mori një vendim shumë të rëndësishëm dhe me shumë përgjegjësi për të ftuar të gjithë në këtë debat të brendshëm mbi të ardhmen e dialogut mbi Kosovën. Që të jem tërësisht e sinqertë me ju, nuk e shikoj Serbinë që të njohë Kosovën, por është shumë e rëndësishme për ne, që të kuptojmë se çfarë ne duam nga dialogu me Kosovën dhe është gjithnjë mirë që të flitet.

Nënshkruam marrëveshjen e Brukselit disa vite më parë, i cili gjithashtu ishte një vendim i vështirë nga Presidenti Vuçiç dhe Ministri jonë i Jashtëm Ivica Daçiç. Por ne kemi ende shumë rrugë për të shkuar deri tek implementimi i marrëveshjes së Brukselit. Nga ky këndvështrim, dëshiroj që të ftoj edhe një herë Prishtinën, që të nisë të zbatojë disa nga pikat më të rëndësishme të asaj marrëveshje, siç është asosacioni i komunave me shumicë serbe. Shpresojmë që dialogu të vazhdojë. Serbia është e gatshme ta vazhdojë atë dialog, pasi gjithnjë dialogu është një gjë e mirë. Le të jemi pragmatistë. Në fillim të zbatojmë ato për të cilat ne kemi rënë dakord dhe më pas të shohim cilat janë fushat e bashkëpunimit të ardhshëm” u shpreh kryeministrja serbe.

Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrja e Serbisë nënvizoi rëndësinë e takimeve të këtyre niveleve, të cilat parashtrojnë problemet e të gjithë rajonit përpara BE-së dhe dakordësojnë projekte madhore për vendet e Ballkanit Perëndimor

/ Top Channel

Uragani Harvey godet Teksasin, shkakton një viktimë

uragani ne texasUragani Harvey preku tokën në juglindje të Teksasit, në qytetin Rockport, të shtunën herët, duke përplasur erëra të forta dhe shi të rrëmbyer në qindra kilometra vijë bregdetare. Sipas autoriteteve, një person ka humbur jetën nga stuhia.

Harvey u tha se është stuhia më e ashpër që godet Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë – me erëra prej 209 km në orë.

Stuhia u dobësua gradualisht, dhe pasditen e shtunës, nga uragan, u shndërrua në një stuhi tropikale. Por zyrtarët e Teksasit thanë se ende ka shqetësime për mundësinë e vërshimeve.

Governatori i shtetit, Greg Abbott, tha se “vërshimet dramatike” vazhdojnë të jenë shqetësim për zyrtarët, pasi shirat e rrëmbyer kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së shtunë. Në disa zona ranë 50 centimetra shi.

Ndërsa Harvey u afrua, dhjetëra mijëra banorë të Teksasit u larguan nga brigjet, për të shmangur stuhinë kërcënuese.

Dje, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër federal për fatkeqësi natyrore për Teksasin.

Qendra Kombëtare e Uraganeve e quajti Harvey-n një stuhi kërcënuese për jetën.

Stuhia parashikohet se po lëviz nëpër një brez të gjerë 600 kilometrash të bregdetit të Teksasit.

Kryetari i Bashkisë i Rokportit tha në një intervistë televizive se uragani ka shkaktuar shkatërrime masive të shkollave, bizneseve dhe shtëpive.

Të shtunën në mëngjes rreth 300,000 banorë të zonës ishin pa drita për shkak të stuhisë. (voa)

Procesi i Berlinit – motori për transformimin rrënjësor europian të Ballkanit

kryeministrat e ballkanitAngazhim i drejtuesve politikë të shteteve të rajonit për të realizuar projektet e mëdha të Procesit të Berlinit. Me takimin e Durrësit rajoni hedh edhe një hap tjetër përpara drejt afrimit ekonomik.

Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) morën pjesë në takimin një ditor informal që mikpriti në Durrës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky takim u zhvillua tre vjet pas lançimit të Procesit të Berlinit nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në 28 gusht 2014 dhe disa javë pas Samitit të Triestes, në muajin e kaluar, i katërti samit në kuadër të Procesit të Berlinit, që ka marre përsipër të japë impulse të reja procesit të integrimit europian të BP. Ngritja e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, në Tiranë, disa projekte infrastrukturore që lidhin rajonin, lehtësojnë lëvizjen e kapitaleve dhe të njerëzve kanë gjetur financime dhe kanë hyrë tani në rrugën e zbatimit.

Fillim nga puna për zonën ekonomike rajonale

Por ato janë ende pak në raport me kërkesat e mëdha që ka rajoni për t’u shndërruar nga një zonë me rritje modeste ekonomike, papunësie dhe azilkërkimi në vendet e BE në një hapësirë të zhvilluar dhe treg tërheqës për investimet e huaja. Për të zbatuar strategji dhe politika që hapin rrugën e daljes nga kjo situatë kryeministrat e vendeve të BP ranë dakort në Durrës për të marrë angazhime maksimale në realizimin e projekteve te Procesit të Berlinit. Fokusi dhe prioriteti i tyre në Durrës është fillimi sa  më parë nga puna për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, projekt për të cilin u ra dakort në samitin e Triestes.

Johannes Hahn, i ftuar në takimin e Durrësit, e vlerësoi  “prioritet kyç ndërtimin e zonës ekonomike rajonale për të nxitur rritjen ekonomike dhe punësimin ne BP”. “Shtetet e BP i kanë dalë për zot Procesit të Berlinit. Takimi i Durrësit tregon se ka një rritje të vëmendjes së krerëve të qeverive të BP ndaj Procesit të Berlinit. Integrimi rajonal nuk është një alternativë ndaj hyrjes së vendeve të BP në BE por një plotësues i dobishëm. Politika rajonale është çelësi i suksesit të bashkëpunimit rajonal, e çdo gjë bëhet në interes të qytetarëve. Interesi ynë është që të gjitha vendet e BP të integrohen në BE, që do ta mbështesë BP dhe do të bashkëpunojë me të për plotësimin e aspiratave europiane. ” tha komisioneri Hahn.

Nga idetë në veprime konkrete
Takimi informal i Durrësit hodhi një hap përpara që nga samiti i Triestes lidhur me krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale: kryeministrat e 6 vendeve u shprehën në mënyrë unanime dakort me Planin Shumëvjeçar të Veprimit për ta zbatuar transformimin rrënjësor të rajonit. “Kemi një plan veprimi me 115 pika në funksion të këtij transformimi që përfshin lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar, që do ta bëjë rajonin shumë më tërheqës se tani “ tha në takim kryeministri Rama.

Ballkani Perndimor pret edhe mbështetje finaciare për projektet rajonale. “Banka Botërore është përfshirë me kërkesën tonë në mënyrë të plotë dhe po ashtu edhe instrumentet e tjerë që burojnë nga bashkëpunimi më i ngushtë me BERZH-in, me BEI-in janë në dispozicion, çka do të thotë se, ky reflektim strategjik që po bëjmë sot, do të na vlejë për një axhendë më intensive dhe më agresive në funksion të një rajoni shumë më tërheqës për investimet e huaja.” tha kryeministri Rama. Në takimin e Durrësit mori pjesë Zv.presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qëndrore, Cyril Muller.“

Cilësi jo shpejtësi në procesin e integrimit europian   

Procesi i Berlinit synon të mbajë lart aspiratën e BP për të hyrë në BE dhe të ulë euro-skepticizmin, sidomos pas Brexit. Por edhe t’ u rrisë besimin qytetarëve tek mbështetja e BE ne arritjen e aspiratës europianë në një situatë gjeo-politike kur vende të tjera si Rusia, Turqia madje edhe Kina kërkojnë të rrisin ndikimin në rajon. Komisioneri Hahn bëri përsëri të qartë se BE nuk ka një kohë të përcaktuar se kur do të bëhet e mundur që BP të arrijë standartet ekonomike dhe demokratike për të hyrë në BE. “Cilësi dhe jo shpejtësi në procesin e integrimit. BE ka investuar shumë në BP dhe rezultati do të jetë integrimi i tij në BE” tha ai në Durrës duke vazhduar paqartësinë e deritanishme lidhur me nje afat të përafërt.

Integrim sa më të shpejtë për t’i dhënë fund azilkërkimit

Takimi në Durrës u bë një mundësi më shumë për të paralajmëruar drejtuesit politikë dhe qytetarët e BP se vendet e BE do te vazhdojnë me rreptesi politiken e tyre te mospranimit të kërkesave për azil.

“Është e kotë të shkohet në vendet e BE dhe të kërkohet azil pasi qytetarët e BP dëmtojnë veten dhe vendin e tyre” tha Hahn duke lëne të kuptohet qartë se një vend ku qytetarët e tij kërkojnë të largohen nuk ka bërë progresin e duhur në procesin e integrimit. Ndryshe nga Hahn që prezantoi konceptin e “cilësisë dhe jo të shpejtësisë në procesin integrues “ kryeministri Rama tha në Durrës: “Do të bëjmë çmos të përshpejtojmë procesin e integrimit europian që të kemi më shumë akses në tregun e lirë të punës”

Ai theksoi se fluksi i azilkërkuesve nga Shqipëria është ulur dhe bashkëpunimi në këtë drejtim me BE po jep rezultate inkurajuese. “Por nuk ka shqiptarë azilkërkues, por në kërkim të një pune dhe jete më të mirë në një treg pune që nuk është për shqiptarë, kur për të tjerët është. Refuzoj  të pranoj shenjëstrimin e veprimtarisë kriminale të disa shqiptarëve si një arsye për ta treguar Shqipërinë me gisht” ” tha ai në Durrës.
Samiti i ardhshem në kuadër të procesit të Berlinit pritet të mbahet në Londër në verën e vitit të ardhshëm. (dw)

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor – Në Durrës për integrimin ekonomik të rajonit

DurresKryeministri Rama është mikpritës i takimit informal me homologët e tij nga vendet e Ballkanit Perendimor, takim që zhvillohet sot në qytetin bregdetar të Durrësit. Në fokus është integrimi ekonomik i rajonit.

Qellimi i takimit eshte nxitja per zbatimin e zotimeve te marra ne Samitin e Triestes, te zhvilluar muajin e kaluar, ne kuader te Procesit te Berlinit, te nisur nga kancelarja Angela Merkel, ne gushtin e 2014-es, per t’i dhene impulse te reja integrimit europian te rajonit.

Integrimi ekonomik i BP

Takimi informal nje ditor ka ne qender zbatimin Planit Shumevjecar te Veprimit per te krijuar Zonen Ekonomike Rajonale, per te cilen u ra dakort ne Trieste, Vemendje i kushtohet tregetise, sherbimeve,investimeve dhe ekonomise dixhitale me synim rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve te reja te punes ne rajon.

Integrimi rajonal-Hapa konkrete

Burime nga kryeministria pohuan sot per DW se ne takimin e sotem informal ne Durres kryeministrat e vendeve te Ballkanit diskutojne hapat konkrete per integrimin e rajonit te tilla si: njohja e ndersjellte e kualifikimeve profesionale, identifikimi dhe heqja e barrierave qe pengojne tregtine dhe investimet, hapja e dialogut rajonal per transformimin dixhital, fillimin e negociatave per ngritjen e nje mekanizmi rajonal per zgjidhjen e mosmarreveshjeve.

BE-rikonfirmon mbeshtetjen e tij

Burime zyrtare bejne me dije se sot ne takimin informal,ne Durres marrin pjese kryeministrja e Serbia, Ana Brnabic, kryeministri i Kosoves, Isa Mustafa, i Bosnje-Herzegovines, Denis Zvizdic, kreu i qeverise maqedonase, Zoran Zaev, kryeministri i Malit te Zi, Dushko Markovic. Ne takim merr pjese edhe Johannes Hahn, Komisioner i BE per Politikat e Fqinjesise Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit si edhe Zv.Presidenti i Bankes Boterore per Europen dhe Azine Qendrore, Cyril Muller.

Ne njoftimin per shtyp te Delegacionit te BE ne Tirane lidhur me takimin e sotem vihen ne dukje se “BE mbeshtet fuqishem bashkepunimin rajonal ne BP per te lidhur ekonomite dhe njerezit brenda vete rajonit nga njera ane, dhe rajonit me BE nga ana tjeter, si pjese integrale e perspektives se hyrjes ne BE.”

Edhe pse procesi zyrtar i zgjerimit te BE mbetet ne pritje deri ne vitin 2019, BE demonstron vullnetin politik per te mbajtur zotimet lidhur me perspektiven europiane te BP, sidomos ne kushtet aktuale te rritjes se ndikimit te Rusise ne rajon, te konsideruar prej saj si nje hapesire historike interesash.

Ne takimin informal te Durresit behet nje bilanc i ecurise se Procesit te Berlinit nga konferenca e Berlinit ne gusht 2014 ne Samitin e Triestes muajin e kaluar. Pritet qe kreret e qeverive te BP te ndermarrin hapa konkrete per te siguruar ngritjen e Zones Ekonomike Rajonale. (dw)

Maqedonia dhe shërbimet sekrete serbe

Goran Zhivaljevic sherbimi sekret serbZyra e presidentit maqedonas i hedh poshtë pretendimet e agjentit serb, i cili u gjet brenda parlamentit të Maqedonisë gjatë trazirave të dhunshme më 27 prill, se ai kishte lejen e autoriteteve maqedonase për të qenë aty.

Prokuroria për kriminalitet të organizuar ka lënë të kuptohet se mund ta hetojë rastin nëse eventualisht presidenti Gjorgje Ivanov është i përfshirë në këtë skandal. Ndërkaq, ekspertët thonë se Shkupi vazhdon të tërheqë praninë e shërbimeve të huaja.

Zyra e presidentit maqedonas i hedh poshtë pohimet e agjentit serb Goran Zhivaljeviç se ai kishte marrë leje nga shërbimi sekret i zyrës së zotit Ivanov për të hyrë brenda parlamentit ku pati trazira të dhunshme më 27 prill. Për këtë, Prokuroria për kriminalitet të organizuar dhe korrupsion ka shafaqur interesim për të bërë hetime, nëse zoti Ivanov është i përfshirë në këtë skandal; ndërkohë që zyra e këtij të fundit thotë se memzi e pret procedurën e hetimeve, spese në këtë mënyrë do të dihen faktet e vërteta, se në opinionin publik ka mjaft lajme të rreme, sipas presidencës.

Agjenti i shërbimit sekret serb BIA, Goran Zhivaljeviç i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se lejen për të qenë i pranishëm në parlamentin e Maqedonisë gjatë ngjarjeve të prillit e kishte marrë nga Sinisha Aleksovski, këshilltar për sigurinë i presidentit maqedonas. Por agjenti maqedonas e ka përgënjeshtruar pohimin e kolegut të tij serb, duke i thënë agjencisë maqedonase të lajmeve MIA se Zhivaljeviç pasi kishte përfunduar aktivitetet në parlament, i ishte drejtuar me mesazh përmes telefonit me pyetjen “gjendje e jashtëzakonshme”?, ndërsa nuk i ishte dhënë përgjigje. Më pas kur ishte konstatuar prania e tij brenda parlamentit, agjenti i shërbimit maqedonas i kishte shkruar që të largohej menjëherë prej aty.

Për këtë komunikim zyrtari i presidencës maqedonase i kishte njoftuar me kohë eprorët e tij, thuhet në një komunikatë të zyrës së zotit Ivanov.

Ndërkohë që ngjarja ndodhi në një periudhë kur VMRO-DPMNE ishte ende në pushtet dhe nuk tërhiqej prej tij në mënyrë paqësore, lindin shumë pyetje rreth këtij skandali spinunazhi. Nga ana tjetër, autoritetet serbe thonë se çështja është mbyllur nga vetë shërbimet e të dy vendeve.

Njohësit e rrethanave vlerësojnë se veprimtaritë kundër-zbuluese shtohen në vende të krizës siç ishte Maqedonia para pak muajsh, ndërsa gishtin e drejtojnë kah Rusia si faktor kryesor për nxitjen e destabilizimit të kësaj pjese të Ballkanit.

Shkupi është një lloj Kazablanke, sepse kam informata se ka njerëz të ardhur nëpër ambasada që në fakt janë agjentë sekretë, thotë Mirçe Adamçevski, analist dhe gazetar që ka raportuar për shumë vite nga Moska. Ai thekson se propaganda ruse gjatë trazirave në Maqedoni vinte përmes Serbisë, e përhapur nga mjete serbe të informimit të ndihmuara nga rryma ekstremiste politike të cilat synojnë krijimin e një zone neutrale ushtarake në Ballkan të quajtur B4, sipas analistit.

Zoti Adamçevski dhe analistë të tjerë e shikojnë aktin e fundit të Serbisë për tëheqjen e personelit të ambasadës nga Shkupi dhe akuzat ndaj Maqedonisë si një lloj alibie të Beogradit për të mbuluar dhe minimizuar veprimet e shërbimit serb të sigurimit në Maqedoni. (voa)

Dënimi për korrupsion i kreut të korporatës Samsung

Samsung miliarderiGjykata në Korenë e Jugut e dënoi miliarderin e firmës Samsung, Lee Jae-young, me pesë vjet burgim për dhënie rryshfeti. Vendimi është në vazhdimësi të së njëjtës çështje të korrupsionit që rrëzoi nga posti Presidenten e vendit.

Gjykata e Seulit e shpalli fajtor zotin Lee edhe për akuza si përvetësim fondesh, fshehje të fondeve në llogari jashtë vendit, fshehje të fitimeve nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme, si dhe për dëshmi të rreme.

Zoti Lee ka mohuar të gjitha akuzat dhe avokatët e tij u shprehën se do ta apelojnë vendimin.

Banorë të Seulit shpresojnë se vendimi do të ngjallë edhe ndryshime në zhvillimin e ekonomisë së vendit, e cila është dominuar prej kohësh nga korporatat në pronësi të disa familjeve.

“Dhënia e dënimit me pesë vite burgim është një zhvillim i rëndësishëm që shpresoj të bëhet shembull edhe për të tjerët”, thotë studenti 20-vjeçar, Kang Chan-Woo.

Dënime të ngjashme në të kaluarën duket se nuk kanë arritur të krijojnë ndryshimin e dëshiruar, ndërkohë që ekziston frika për rënie të bizneseve të ndikuara.

“Nëse shohim dënimet e dhëna në të kaluarën për krerë korporatash, duket se nuk ndikoi tek biznesi i tyre dhe prezenca në treg. Mungesa e udhëheqjes sidoqoftë mendoj se do të ndikojë negativisht tek kjo kompani”, thotë Chung Sun-Sup, e firmës analitike për korporatat “Chaebul.com”.

Aksionet në bursë të korporatës Samsung ranë menjëherë me 1%. Ndërkohë, në Korenë e Jugut vazhdojnë proceset gjyqësore ndaj ish-Presidentes së vendit, Park Geun-hye, dhe mikes së saj, Choi Soon-sil, për rolin që ato kanë luajtur në këto skema rryshfeti. (voa)