“The Voice Kids”, nis përzgjedhja e zërave më të mirë

voice kids“The Voice Kids” është më afër se kurrë! Përgjatë gjithë muajit shtator, “The Voice Kids” do të jetë në kryeqendrat shqiptare për të dëgjuar zërat që do të drithërojnë skenën e Audicioneve të Fshehura së shpejti në Top Channel.

Pasi produksioni ka parë qindra aplikimet që kanë ardhur, tani është koha t’ju takojnë nga afër. Nëse jeni prej 6 deri në 14 vjeç, keni aplikuar apo jo gjatë këtyre muajve, e rëndësishme është që të keni ëndërr muzikën dhe të këni besimi se jeni Zëri i Shqiptarëve.

Nuk ka rëndësi nëse keni publikuar një këngë në të shkuarën, nëse keni marrë pjesë në festival dhe programe të tjera televizive, nuk ka rëndësi nëse asnjëri nga familja dhe miqtë nuk e di që ju këndoni.

Audicioni çelet me Tirnaën, më 9 shtator, në studiot e Top Channel, Piramida, ora 11:00. Më pas:

12 Shtator, Audicioi i Vlorës, Pallati i Kulturës, ora 13:00

15 Shtator, Audicioni i Prishtinës, Zyrat e Top Channel, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 13:00

19 Shtator, Audicioni i Korçës, Biblioteka e Fëmijëve, Ora 13:00

22 Shtator, Audicioni i Shkodrës, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Ora 13:00.

Për të gjithë ata që e kanë të pamundur ardhjen në këto data, mundësia e fundit për të qenë pjesë e “The Voice Kids” është më:

14 Tetor, Audicioni i  Tiranës, Studiot e Top Channel, Piramida, ora 11:00.

Shkruani të ardhmen tuaj muzikore në programin më të madh e më të suksesshëm të talenteve të reja në Shqiptari.

/ Top Channel

Dështoi seanca e gjashtë e Parlamentit të Kosovës

kuvendi ksSeanca e gjashtë me radhë në Kuvendin e Kosovës dëshmoi se asnjë subjekt apo parti nuk ka shumicën e duhur për zhbllokimin e situatës. Debati ishte shumë i ashpër.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci u detyrua të ndërprejë përpjekjen e gjashtë me radhë për zgjedhjen e krerëve të Parlamentit, pasi koalicioni PAN (PDK, AAK, Nisma dhe subjektet tjera) nuk ka siguruar më shumë se 60 vota, sa janë të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit. Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj tha se ata “nuk i kanë numrat” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por “këta numra nuk i kanë as subjektet tjera”. Hoxhaj tha se ata kanë nevojë për konsultime shtesë në kohëzgjatje prej “më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë”.

Aktualisht nuk dihet se kur do të vazhdojë seacna konstitutive, por seanca e fundit dëshmoi se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. PAN nuk heqë dorë nga kandidatura e kryetarit të PDK, Kadri Veseli, për kryetar Parlamenti. Ndërsa partitë tjera shqitpare – Vetëvendosja si dhe partitë e koalicionin LAA (LDK, AKR, Alternativa) janë kundër zgjedhjes së Veselit.

Debati i ashpër

Jashtë praktikave dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci edhe në këtë seancë lejoi debate. Ai tha se do t’ia japë fjalën krerëve të partive, por fjala iu dha vetëm disa liderëve – Albin Kurtit, Avdullah Hotit dhe Kadri Veselit. Ata shkëmbyen mes vete akuza shumë të rënda, madje edhe të nivelit privat. Kurti tha se kreu i PDK Kadri Veseli duhet të matet me vota dhe të heqë dorë nga posti i kryetarit të Parlamentit, nëse nuk i siguron 61 vota. Kurti fajësoi koalicionin PAN për këtë krizë, duke shtuar se ai vet do të votonte ndonjë kandidat tjetër të këtij koalicioni, por jo edhe Kadri Veselin. Ky i fundit akuzoi Kurtin “se me ardhjen në pushtet do ta kthejë Serbinë në Kosovë”. “Bëj 61 vota dhe bëhu kryetar, bëhu edhe kryeministër, por do ta kthesh Serbinë në Kosovë”, tha mes tjerash Veseli.

Mosmarrëveshjet VV-LAA

Lideri i VV Albin Kurti pranoi gjatë debatit se kjo parti ka mosmarrëveshje të mëdha edhe me liderin e LDK, Isa Mustafa, me të cilin ka pasur vetëm një takim dhe nuk ka asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje eventuale. Kurti i bëri ftesë Mustafës që të lirojë rrugë. Ndërsa kandidati i LAA për kryeministër Avdullah Hoti tha se ata do t’i trajtojnë sërish të gjitha mundësitë ligjore për dalje nga kriza. Hoti tha se nuk duhet të thirret një seancë e re pa gjetur ndonjë zgidhje. “Sot vendi përfundimisht po hyn në një krizë të thellë institucionale”, tha Hoti duke shtuar se “janë angazhuar edhe disa matrapazë që punojnë për disa interesa të caktuara për të bindur disa deputetë për të votuar”.

Roli i AKR

Lideri i AKR Behxhet Pacolli u shpreh pas takimit i mllefosur me sjelljen e deputetëve dhe kandidatëve për poste të larta. Ai u ankua pse edhe atij nuk iu dha e drejta të shprehë mendimet në Parlament. Pacolli theksoi se mes tij dhe PAN nuk ekziston ndonjë marrëveshje, por as mes VV dhe LDK nuk ekziston ndonjë marrëveshje për bashkqeverisje. “Para meje gjenden disa mundësi: të arrihet zgjidhje përmes koalicionin (LAA) ku unë gjendem, të tërhiqem tërësisht nga politika apo të bisedoj me PAN për arritjen e ndonjë zgjidhje”.

“Në PAN nuk janë të gjithë kriminelë. PAN nuk ka zbritur nga hëna”, theksoi Pacolli i mllefosur me sjelljet e disa deputetëve në Parlament, të cilët i quajti si “fëmijë të paedukuar”.  (dw)

Bernd Fabritius: “Gjithnjë e më shumë shtete po keqpërdorin Interpolin”

InterpolPërmes Interpolit po ndiqen gjithnjë e më shpesh qëllime politike, kritikon i ngarkuari i Këshillit të Europës, Bernd Fabritiues në intervistë me DW. A vlen kjo edhe për rastin e shkrimtarit Akhanli?

Deutsche Welle: Zoti Fabritius, rasti i arrestimit të shkrimtarit turko-gjerman, Dogan Akhanli, me kërkesë të Turqisë ka shkaktuar valë reagimesh. Ju keni studiuar keqpërdorimin e të ashtuquajturave “red notices”, arrestime në bazë kërkesash të futura në sistemin e Interpolit. A përshtatet rasti Akhanli në këtë model?

Bernd Fabrititius: Pa dyshim. Ky është për fat të keq një nga shumë raste. Ka të dhëna të qarta, se Turqia në kohët e fundit  ka memorizuar shumë “red notices” – (shënim i emrit të personit me të kuqe) të tilla në sistemin e Interpolit. Ky është një mekanizëm përndjekjeje, që në rast të përdorimit normal lufton kriminalitetin botëror. Por dihet edhe se, gjithnjë e më shumë shtete, e keqpërdorin këtë instrument për të përndjekur persona të padëshiruar, politikanë të opozitës, kritikë të regjimit apo mbrojtës të të drejtave të njeriut. Turqia është sigurisht një nga shtetet, që pas puçit, me përfytyrimet e saj për shkeljet ligjore e penalizimin e keqpërdor për këtë sistemin e Interpolit.

Turqia thekson se rasti Akhanli nuk është politik. Bëhet fjalë për një procedurë për shkak të vrasjes me motiv vjedhjen. A mund të thuhet se edhe në këtë rast ajo e keqpërdor Interpolin?

Nëse ky rast është keqpërdorim, kjo do të duket më vonë. Për këtë kam kërkuar që komisioni i posaçëm i Interpolit të verifikojë me imtësi këtë. Dihet që Turqia ka pasur raste të tilla. Interpoli është le të themi një platformë lajmesh dhe merr një kërkesë arrestimi të një shteti, në këtë rast Turqisë. Shtetet e tjera kanë akces në këtë sistem dhe mund të shohin që një shtet kërkon një person. Por masat që ky vend merr, lidhen gjithmonë me ligjin e vendit. Në këtë rast Spanja duhet të verifikojë, nëse kërkesa për ekstradimin e tij që duhet të paraqesë Turqia i përgjigjet edhe kritereve që duhet të përmbajë një ekstradim. Jam kurioz, nëse Turqia do ta dërgojë një kërkesë të tillë.

Sepse shumë vende bëjnë një “red notice” vetëm me qëllim pengimi. E pastaj nuk paraqesin asnjëherë një kërkesë ekstradimi, sepse tremben, se pas kësaj kërkese fillon verifikimi i kritereve dhe se ndoshta e dinë se një kërkesë e tillë nuk do të ketë sukses. Turqia bën pjesë tek vendet, ku shënimi me të kuqe duhet parë mirë.

Në raportin tuaj për Këshillin e Europës, thuhet se ka mjaft raste, në të cilat vende të ndryshme autoritare e keqpërdorin “red notices”. Ka dështuar Interpoli?

Interpoli nuk ka reaguar në kohë ndaj shtimit të padrejtësive të shteteve të ndryshme. Po të shohësh që në 10 vitet e fundit është shumëfishuar numri i “red notices”, atëherë duheshin marrë masa të forta për të vëzhduar këtë fenomen. Komisioni duhet të ketë më shumë personel. Për shembull nuk duhen vendosur për herë të dytë “red notices”, kur një procedurë është mbyllur, si në rastin e Akhanlit, që në Turqi është gjykuar njëherë dhe është liruar nga akuzat.

“Red notice” duhet të vendoset vetëm në rast akuzash të reja. Nuk di që Turqia të ketë akuza të reja për Akhanlin. Por fakt është se Akhanli si qytetar gjerman pengohet nga Turqia të udhëtojë dhe të kthehet në vendin e tij. Nëse provohet se Turqia e ka keqpërdorur rastin, atëherë ky do të ishte një moment, kur Interpoli duhet të reagojë me sanksione.

Çfarë sanksionesh për shembull?

Për momentin ekzsiton mundësia të përjashtohesh nga sistemi i Interpolit për një kohë të caktuar, pra nuk ke akces. Kjo do të thoshte që Turqia nuk mund të dërgonte më shënime të tilla.

Nga cilat vende keqpërdorohen më shumë “red notices”?

Interpoli nuk mban statistika për këtë. Këtë unë e kërkoj. Por Interpoli mban statistika, se nga cilat vende vijnë kërkesat më të shpeshta nga persona  me “red notices” që potencialisht mund të jenë të keqpërdorura. Në këtë listë qëndron në krye Rusia, e ndjekur nga Ukraina. Turqia ndodhet në vendin e 10-të.  Kjo do të thotë që në popullsitë e këtyre vendeve sundon frika se vendi i tyre i keqpërdor “red notices”.

Bernd Fabritius është deputet i CSU-së në Bundestag dhe raportues i ngarkuar i Këshillit të Europës për keqpërdorimin e sistemit të Interpolit. (dw)

Mattis: Rusia po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë

MattisSekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis akuzoi sot Rusinë se “po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë ndërkombëtarë” dhe përsëriti angazhimin e SHBA për të ndihmuar në rritjen e aftësive të forcave të armatosura ukrainase.

Shefi i Pentagoni i bëri komentet në Kiev, pas takimit me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe udhëheqës të tjerë të vendit.

“Përsa i përket furnizimit të Ukrainës me armë vdekjeprurëse, ne po e shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë aktive. Armët mbrojtëse nuk janë provokuese nëse nuk je agresor dhe sigurisht Ukraina nuk është agresore. Duke parë situatën aktuale do të mund të informoj Sekretarin e Shtetit dhe Presidentin në terma shumë konkrete, rreth asaj që unë rekomandoj për të ardhmen”, – tha shefi i Pentagonit, –

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën në të gjitha aspektet, tha Sekretari i Mbrojtjes:

“Ne ju mbështesim juve përballë kërcënimeve, mbështesim sovranitetin dhe tërësinë tuaj tokësore si dhe rendin ndërkombëtar në tërësi,” tha zoti Mattis.

Shefi i Pentagonit përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë kundër aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe megjithë mohimet e Rusisë, ne e dimë se ata po përpiqen të rishkruajnë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, duke minuar vendet sovrane dhe të lira të Evropës,”tha zoti Mattis.

Ai tha se sanksionet amerikane ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi derisa Moska të ndryshojë sjelljen e saj.

Rusia, – tha zoti Mattis, – nuk ka përmbushur angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes së Minskut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainën lindore si dhe marrëveshje të tjera të firmosuara prej saj.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Rusisë për të respektuar angazhimet e Minskut dhe sanksionet tona do të mbeten në fuqi derisa Moska të heqë dorë nga veprimet që i shkaktuan ato“, tha zoti Mattis.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike për gjendjen në Ukrainë.

Zoti Mattis është kreu i parë i Pentagonit që viziton Ukrainën në një dekadë. Ai mori pjesë në një paradë me rastin e ditës së pavarësisë që shënon shkëputjen e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. (voa)

Dështon sërish mbledhja e parlamentit të Kosovës

Kuvendi1Deputetët e parlamentit të Kosovës as në mbledhjen e së enjtes nuk arritën të përmbyllin seancën konstituive të filluar më 3 gusht.

Në fillim të mbledhjes së të enjtes, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kërkoi edhe një afat tjetër për të krijuar shumicën parlamentare.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se ky koalicion e ka kandidatin për kryetar të parlamentit, por nuk ka shumicën.

“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votash për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bëri thirrje koalicionit fitues që të propozojë një tjetër kandidat për postin e kryetarit, ndërsa theksoi që nëse ky koalicion nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë.

Mbledhja e sotme u mbyll mes polemikash të ashpra ndërmjet zotit Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Deri dje përfaqësuesit e koalicionit fitues ishin shprehur të bindur që dita e enjte do të zhbllokonte procesin, duke llogaritur në votat e Aleancës Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli, i cili siç është thënë, është autorizuar nga partia e tij “të kërkojë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativës” me të cilat kishte konkurruar në zgjedhje. Por, një ditë më parë, u tha se gjërat ishin ndërlikuar.

Sipas kushtetutës ky koalicion ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetarin e parlamentit, por lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtojnë kandidimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë procesi i ngritjes së institucioneve, ndërsa sot u hodhën ide për organizim tryezash në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza politike. (voa)

Kuvendi hyn në krizë pa nisur punën

KuvendiZgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës rrezikon ta fus në krizë konstituimin e institucioneve të reja. Seanca e të enjtes ishte një reprizë e seancave të deritashme të filluara që nga 3 gushti. Por, për dallim nga seancat e kaluara, kësaj radhe koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka pranuar se nuk e ka shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit për ta votuar kandidatin për kryetar të legjislativit, që do ta propozonte ky koalicion.

Rrjedhimisht, deputetët e Kuvendit të Kosovës as sot nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si dhe ta rrumbullakojnë procesin e konstituimit të legjislativit.

Në fillim të seancës, koalicioni PAN, a ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën.

Në këto javët e fundit, por edhe sot nuk e kemi pasur shumicën. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën. Ne mendojmë që na duhet një afat kohorë, ma pak se sa dy javë dhe ma shumë se sa 10 ditë”, tha Hoxhaj.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.

Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.

Ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm e të përgjegjshëm, të mblidhemi që ta thyejmë bllokadën. Kosova duhet të ece përpara”.

Seanca e sotme është përcjellë me polemika mjaft të ashpra ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kurti ka kërkuar nga koalicioni PAN që ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit, ndërkaq Veseli ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje siguron shumicën parlamentare, mund ta propozojë vet kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe për kryeministër.

Albin Kurti: Propozojeni zotëri Veselin edhe le të matet a i ka votat.

Kadri Veseli: Pushtetin merre Albin. Bëji 61 (vota).

Albin Kurti: Për zotëri Veseli… pse nuk po matesh? Dil matu, shiko a i ke 61 deputetë.

Kadri Veseli: Si kryeministër, sherrin ka për të ta parë Kosova. Ke për ta kthyer Serbinë në Kosovë.

Veseli dhe Kurti kanë vazhduar përplasjet verbale me akuza të ndërsjella edhe për çështje të simboleve kombëtare.

Kadri Veseli: Të vijë puna që të ma qesim flamurin, ta nxjerrin nga xhepi… e unë çka jam? Tradhtar? E ju çka jeni, tradhtar? Po sikur Lista Serbe ta nxjerrë flamurin e Serbisë?.

Albin Kurti: Ju e patë se si në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e barazoi flamurin kombëtar shqiptar me flamurin e Serbisë.

Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftoj me kohë deputetët për vazhdimin e saj. (rel)

Serbia vë në dilemë Maqedoninë për Kosovën në UNESCO

flamuri i maqedoniseQeveria e Maqedonisë ende nuk ka një qëndrim të prerë lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, që ditëve të fundit u aktualizua pas tensionimit të raporteve mes Shkupit dhe Beogradit.

Në media u raportua se në ftohjen e raporteve ka ndikuar pikërisht edhe mundësia që Maqedonia të japë votën e saj për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, por që më vonë u përjashtua si mundësi edhe pse mbetet si shkëndijë për rikthimin e polemikave të mundshme mes dy vendeve.

Nga Qeveria e Maqedonisë thonë për Radion Evropa e Lirë se mbeten në qëndrimin e ditëve të fundit, e që u kumtua edhe nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, se gjatë marrjes së vendimit për këtë çështje do të kihen parasysh më shumë faktor. Me këtë përjashtohen mundësitë që Shkupi t’i ketë premtuar Beogradit apo edhe Prishtinës se Maqedonia ka të definuar qëndrimin e saj për këtë çështje.

“Maqedonia nuk është në pozitë që të ketë ndonjë rol udhëheqës në këtë çështje, e cila është e rëndësishme, si për fqinjin tonë Serbinë, ashtu edhe për fqinjin tjetër, Kosovën. Ato kanë dallime thelbësore për këtë çështje dhe këtë ne duhet ta kemi parasysh. Pra, në ndërtimin e qëndrimit tonë do të merren parasysh të gjithë elementet, interesi i Beogradit, interesi i Prishtinës dhe para së gjithash interesi i Maqedonisë. Nuk e dimë se kur kjo çështje do të jetë në rend dite. Mund që të jetë në vjeshtën e ardhshme dhe deri atëherë mund të ndryshojnë shumë punë, apo të ketë ndryshime në qëndrimet e palëve të përfshirë në këtë çështje. Andaj edhe nuk mund të japim më shumë detaje”, ka deklaruar Dimitrov.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmaniditë më parë tha se Maqedonia është në komunikim me Prishtinën, nga e cila është njoftuar se ende nuk kanë aplikuar për anëtarësim në UNESCO, por se nëse kërkohet mbështetje, atëherë edhe do të ndërtohet një qëndrim për këtë çështje nga ana e Maqedonisë.

Ne jemi në komunikim me palën kosovare dhe për momentin ata nuk kanë aplikuar për anëtarësim. Kështu që kjo nuk është objekt bisedimesh dhe nuk është kërkuar diçka e tillë nga ana e tyre. Në momentin kur do të kërkohet mbështetje, atëherë ne do të sjellim vendimin”, ka deklaruar Osmani.

Maqedonia kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2015, por pas ndryshimit të pushtetit në qershor të këtij viti, kryeministri Zoran Zaev nuk e përjashtoi mundësinë që Shkupi të ketë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje.

Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për anëtarësim në UNESCO, për mbrojtjen e objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë anë, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, pasi kjo punë nuk varet nga Maqedonia. Lidhur me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale…unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë”, kishte deklaruar Zaev.

Kjo deklaratë e kryeministrit të ri kishte nxitur reagime të shumta, në veçanti tek partitë shqiptare të cila mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kishin paralajmëruar Zaevin me pasoja nëse ndryshon qëndrimin nga votimi i nëntorit kur iu dha mbështetje anëtarësimit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, në intervistën e fundit për televizionin publik të Serbisë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se taktizimet e fundit të Shkupit për gjoja qëndrim neutral nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, nuk ka dilema se Maqedonia do të votoj pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. (rel)

Katari kthehet kah Irani, sfidon fqinjët arabë

ministri i jashtem KataritMinistri i Jashtëm i Katarit, Sheik Muhammad bin Abdulrahman al-Thani
 

Katari bëri të ditur se ambasadori i tij do të kthehet në Teheran – më shumë se 20 muaj pas tërheqjes së tij në shenjë proteste ndaj sulmit të protestuesve mbi misionet e Arabisë Saudite.

Vendimi sfidon kërkesat e Arabisë Saudite dhe të disa aleatëve arabë që Doha të shkëpusë lidhjet e mbetura me Teheranin.

Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi të enjten se ambasadori i saj “do të kthehet për të rinisur detyrat e tij diplomatike”, por nuk specifikoi datën e rikthimit apo emrin e ambasadorit.

Në deklaratë thuhet se Doha bën përpjekje “të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Republikën Islamike të Iranit në të gjitha fushat” dhe se ministri i Jashtëm i Katarit, SheikMuhammad bin Abdulrahman al-Thani, ka biseduar për këtë çështje me homologun iranian, Mohammad Javad Zarif.

Katari ka tërhequr ambasadorin e tij nga Irani në janar të vitit të kaluar, pasi Arabia Saudite ka ndërprerë lidhjet me Republikën Islamike, duke e akuzuar Teheranin për dështim në mbrojtjen e ambasadës së saj në kryeqytet dhe të konsullatës në qytetin Mashhad nga protestuesit që i kanë sulmuar ato.

Protestat kanë pasuar ekzekutimin në Arabinë Saudite të SheikNimr al-Nimrit, një klerik i shquar shiit, i cili ka udhëhequr protesta antiqeveritare.

Riadi ka thënë se ekzekutimi i tij ka qenë pjesë e “luftës kundër terrorizmit”.

Vendimi i Katarit për të rivendosur marrëdhëniet me Iranin vjen në kohën e një krize diplomatike midis Katarit dhe vendeve të tjera arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Bahrejnin.

Katër vendet i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të transportit me Katarin nën dyshimet se ky i fundit financon ekstremistët islamikë – akuza që hidhen poshtë nga Doha – dhe për shkak të lidhjeve të tij me Teheranin.

Irani më pas ka dalë në mbështetje të Katarit, duke i dërguar ushqime dhe duke i lejuar transportuesit kombëtar të Katarit të shfrytëzojë hapësirën e tij ajrore.

Gjithashtu të enjten, ministri i Jashtëm i Iranit, Zarif, u citua të ketë thënë se Irani dhe Arabia Saudite do të shkëmbejnë vizita diplomatike së shpejti.

Ai i tha agjencisë së lajmeve ISNA se vizita mund të realizohet pas përfundimit të pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, në javën e parë të shtatorit.

Vizat janë lëshuar për të dyja palët”, tha Zarif.

Në bazë të një marrëveshjeje midis Teheranit dhe Riadit, të arritur muaj më parë, shtetasit iranianë do të lejohen të marrin pjesë në Haxhin e sivjetmë.

Iranianët kanë munguar në pelegrinazhin e vitit të kaluar, pasi në vitin 2015, në rrëmujën e turmave kanë vdekur qindra besimtarë iranianë.

Në një tjetër zhvillim, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ministriSergei Lavrov do të vizitojë Katarin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe javën e ardhshme, për bisedime që do të përfshijnë edhe krizën në Gjirin Persik.

Rusia vazhdimisht u ka bërë thirrje shteteve të përfshira të heqin dorë nga retorika e konfrontimit, të diskutojnë dhe të arrijnë zgjidhje kompromisi”, tha zëdhënësja e Minsitrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. (rel)

WiFi duke përdorur rrezen e dritës

wifiKafenetë Starbucks kanë vendosur Wi-Fi-n më të shpejtë që mund të kemi parë ndonjëherë, 9 megabit për sekondë. Por studiues në Holandë kanë një linjë tjetër interneti, që e lë shumë pas atë të Starbucks-it.

Wi-Fi që përdorim përcillet përmes valëve të radios dhe kjo nuk është gjë e mirë, pasi nënkupton se ai përdoret nga shumë njerëz njëkohësisht e për pasojë, është i ngadaltë:

“Problemi me rrjetet aktuale të Wi-Fi është fakti se kemi vetëm një antenë në dhomë ose ndonjëherë, edhe në gjithë ndërtesën. Kjo do të thotë se të gjithë në atë ndërtesë e marrin internetin nga i njëjti burim”.

Ndërkohë, kjo teknologji e re përdor rreze individuale të dritës nga një receptor në dhomë.

Këto rreze janë kaq të përqendruara, sa mund ta ndërpresësh sinjalin edhe thjesht duke vendosur dorën përpara tyre.

Por ky sinjal ama, është i gjithi yti. Nuk e ndan me askënd:

“Receptori është vendosur në një pozicion të caktuar për të dërguar valën këtu. Por nëse përdoruesi zhvendoset në një pozicion të ri në tavolinë, duhet dërguar një valë e re tek ai përdorues”.

Çdo rreze individuale drite është burim interneti:

“Jemi përpjekur të krijojmë një alternativë për Wi-Fi dhe aktualisht po përdorim rreze drite, ku secila prej tyre është një sinjal shumë i fortë. Praktikisht është si një fibër optike, por pa pasur një fibër”.

Kjo përkthehet në internet me shpejtësi 300 herë më të madhe se WiFi më i fuqishëm që kemi për momentin…

“Maksimumi i shpejtësisë që kemi arritur deri tani është 112 gigabit për sekondë. Bëjmë një përllogaritje të thjeshtë… nëse një disk DVD-je, fjala bie, është 40 gigabit, i bie që me teknologjinë e re të transmetojmë gati tre DVD brenda një sekonde, me një rreze të vetme drite”.

Ky sistem i ri është më i lirë dhe më i sigurtë se Wi-Fi, pasi rrezet e dritës janë kaq të përqendruara, saqë askush nuk mund ta hakerojë linjën.

Studiuesit thonë se kjo teknologji do të përhapet brenda pesë vitesh. (voa)

Vaksinimi i fëmijëve, jo të gjithë e pranojnë

VaksinimiNë 12 muaj e fundit, në Evropë, kanë vdekur 35 fëmijë nga fruthi. Organizata Borëtore e Shëndetësisë e ka cilësuar këtë “një tragjedi të papranueshme”. Vdekjet mund të ishin parandaluar, thjesht nga një vaksinë. Këtu në Amerikë, në shtetin e Minesotës, nga përhapja e epidemie fruthi rreth 24 persona janë shtruar në spital. Megjithatë, disa prindër në vendet e zhvilluara vazhdojnë t’i besojnë njoftimet e pasakta se vaksina e fruthit mund të shkaktojë autizëm tek fëmijët. Kjo është arsyeja që një numër prindërish refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre edhe për sëmundje të tjera.

Ishte vaksina ajo që i dha fund epidemisë së lisë. Një tjetër vaksinë çoi në zhdukjen e poliomelitit. Vaksinat parandalojnë gripin, hepatitin, kancerin e mëlçisë, të qafës së mitrës, të gojës dhe rreth 12 sëmundje të tjera. Vaksinat i kanë shpëtuar jetën një numri të madh njerëzish dhe kanë parandaluar vuajtje të jashtëzakonshme. Shkencëtarët tani po punojnë për vaksinën e SIDË-s, malaries dhe tuberkulozit.

“Imunizimi dhe vaksinat janë mjetet më të fuqishme të shëndetit publik që ne kemi,”- thotë ekspertja.

Por një prej vaksinave më të efektshme, ajo për parandalimin e fruthit, shytave dhe rubeolës, po has në rezistencën e prindërve, për shkak të një studimi të diskredituar si i rremë, që e lidhte vaksinën me autizmin. Disa prindër kundërshtojnë përdorimin e të gjitha vaksinave.

“Nuk duam që t’i detyrojmë prindërit për vendimet mbi fëmijët e tyre. Është vendimi i tyre në se duan t’i vaksinojnë fëmijët,” - thotë një aktiviste.

Në Shtetet e Bashkuara, vaksinimi është çështje e të drejtës së prindërve:

“Në shtetin e Teksasit, kemi 50,000 fëmijë, prindërit e të cilëve nuk pranojnë t’i vaksinojnë,”- thotë një mjek.

Mjekët mbështesin me forcë përfitimin nga vaksinat. Mjekja Hope Scott humbi vajzën nga meningiti i pneumokokut, pesë vjet para se të dilte për përdorim vaksina për këtë sëmundje.

“Do të jepja gjithshka për të patur mundësinë që ta vaksinoja vajzën time për t’i shpëtuar jetën, por nuk e pata këtë mundësi. E kam të vështirë të kuptoj përse njerëzit bëjnë zgjedhjen që të mos i mbrojnë fëmijët e tyre,” thotë ajo.

Por t’i bindësh kundërshtarët që vaksinat luajnë rol që fëmijët e tyre të rriten të shëndetshëm nuk është e lehtë.

“Unë mendoj se qëndrimi ndaj njerëzve që kundërshtojë përdorimin e vaksinave është të respektohet mendimi i tyre dhe të mos kritikohen, por t’u shpjegohet përmes fakteve bindëse, përse përfitimi nga vaksinat është shumë i madh,”- thotë Dr. Fauci.

Në një artikull të botuar në gazetën “Seattle Times”, ekspertja për autizmin Annette Estes shkruan se “specialistët e shëndetësisë duhet të gjejnë urgjentisht një rrugëdalje nga ngërçi i krijuar dhe të rizbulojnë lidhjet mes atyre që kundërshtojnë imunizimin dhe komunitetit të mjekësisë.”

Shoqata Amerikane e Mjekësisë ka në plan të vazhdojë të nxisë besimin e publikut tek siguria e vaksinave. Disa vende europiane tashmë e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për fruthin dhe sëmundje të tjera. (voa)