SHBA, përfundon eklipsi i rrallë diellor

eklipsi i diellitNë SHBA miliona njerëz patën rastin të shikojnë eklipsin e plotë diellor, i pari në gati një shekull që shtrihej nga njëri breg në tjetrin.

Eklipsi i plotë përfundoi në Karolinën e Jugut.

Njerëzit shihnin me habi se si hëna bllokoi plotësisht diellin, duke e kthyer ditën në gati muzg.

Bllokimi i plotë i hënës zgjaste rreth 2 minuta në secilin prej vendeve prej nga mund të shihej eklipsi, në korridorin e ngushtë që shtrihej përgjatë gjithë territorit kontinental amerikan nga Oregoni në Charleston të Karolinës së Jugut.

Në total, eklipsi zgjati rreth 90 minuta në të gjithë vendin.

Qytete dhe parqe të shumta në rrugën e eklipsit ishin mbushur plot me njerëz që e pritën këtë ngjarje të rrallë me duartrokitje dhe brohoritje.

Eklipsi i fundit nga njëri breg në tjetrin në SHBA ndodhi në vitin 1918. (voa)

Tërhiqet personeli diplomatik serb nga Shkupi

VucicTë gjithë diplomatët e Serbisë në Maqedoni, u tërhoqën për konsultime urgjente në Beograd. Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë informon se ka qenë e njoftuar nga pala serbe, por nuk e di se cila është arsyeja.

“Ministria e Punëve të Jashtme sot ka marrë notë nga Ambasada e Serbisë në Shkup, në të cilën është njoftuar se personeli i Ambasadës është ftuar për konsultime në Beograd. MPJ e Maqedonisë nuk është e njoftuar me arsyet e këtij vendimi. Ajo ka vendosru kontakt me MPJ të Serbisë për të shpjeguar shkaqet. Ndërsa institucionet e Maqedonisë po ndërmarrin masa për mbrojtje të sigurisë dhe integritetit të Ambasadës së Serbisë në Shkup”, thuhet në njoftimin nga MPJ e Maqedonisë.

Beogradi me sqarime gjysmake

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se shteti i tij do të marrë masa për të mbrojtur interesat në Maqedoni. Kryediplomati serb tha se do të rishqyrtojnë kushtet për të vepruar në Maqedoni, pas tensioneve të krijuara së fundi.

“Javën e ardhshme, pas takimeve që do të kemi me presidentin Vuçiq, një pjesë e stafit tonë do të kthehet në Shkup. Ambasadori do të kthehet më vonë, kur të përfundojmë të gjitha konsultimet që ne synojmë të zbatojmë këtu në Beograd”, ka deklaruar Daçiq.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq ka deklaruar se ka pasur takim me Ministrin e jashtëm Daçiq dhe me Presidentin Aleksandar Vuçiq, me të cilët ka biseduar për tërheqjen e personelit diplomatik nga Shkupi.
“Sot në mëngjes kisha mbledhje me Daciqin dhe konsultime edhe me Presidentin e Sërbisë, sepse nuk bëhet fjalë për ndonjë punë të vogël”, ka deklaruar Brnabiq.
Serbia “ka prova të mjaftueshme”

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia ka prova të mjaftueshme të marra nga agjencia e intelegjencës për, siç ka thënë ai, “shumë veprime fyese kundër autoriteteve dhe institucioneve të Serbisë”. Vuçiq para gazetarëve në Beograd tha se Serbia po e pret vendimin e Shkupit dhe Podgoricës nëse do ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO apo jo.

“Ne do të ndërtojmë raporte të mira me Shkupin, por këto raporte duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë. Ne do të shohim nëse shqiptarët do të lëvizin për anëtarësimin në UNESCO, dhe do të presim se çfarë do të thonë Shkupi dhe Podgorica. Ne duhet të përgatitemi dhe të dimë se si ato do të përgjigjen. Ka shumë spekulime, por unë mendoj se në 10 ditët e ardhshme çdo gjë do të jetë me qartë”, ka thënë Vuçiq.

Shkupi do të vazhdojë të promovojë fqinjësi të mirë në rajon

Qeveria e Maqedonisë është prononcuar lidhur me vendimin e fundit të Beogradit zyrtar për tërheqjen e personelit diplomatik nga Shkupi. “Republika e Maqedonisë zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjithë vendet fqinje. Kur ekzistojnë çështje të hapura sensitive mes dy fqinjëve tanë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjithmonë do t’i ndjekë interesat e shtetit ndaj parimeve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal dhe mospërzierjes në kontestet mes shteteve”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë . . . (dw)

 

Serbia tërheq diplomatët nga Shkupi

Ambasada e serbiseSerbia të hënën tërhoqi diplomatët nga ambasada e saj në Maqdoni, në shenjë proteste ndaj “veprimeve ofenduese” që përkojnë me njoftimet se Shkupi është bashkuar me përpjekjet diplomatike për t’i siguruar Kosovës anëtarësimin në UNESCO.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, gati një dekadë pasi sulmet ajrore të Natos larguan forcat serbe dhe ndalën shtypjen e përgjakshme dy vjeçare të shqiptarëve.

Megjithëse Kosova është njohur nga 114 vende, përfshirë Maqedoninë dhe 23 vende të Bashkimit Evropian, aleatët e Serbisë, Rusia dhe Kina vazhdojnë ta bllokojnë anëtarësimin e saj në OKB.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në Beograd se tërheqja e diplomatëve është bërë për shkak të aktiviteteve të kundërzbulimit ndaj institucioneve të Serbisë. “Tani ka shumë spekulime. Brenda dhjetë ditësh gjërat do të jenë më të qarta”, u shpreh presidenti serb.​

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se synimet e Maqedonisë për të ndihmuar fushatën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO mund të acarojnë edhe më tej marrëdhëniet mes Beogradit dhe Shkupit.

Qëndrimi i Maqedonisë për të ndjekur vendimin e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të “ketë ndikim në marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha zoti Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve, ‘Tanjug’.

Vetë presidenti Vuçiç tha se Beogradi do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie të mira me Maqedoninë, por “këto marrëdhënie do të duhet të bazohen në respekt reciprok”.

“Gjatë votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Maqedonia do të marrë në shqyrtim qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”,thuhet në një deklaratë të qeverisë së Maqedonisë të lëshuar të hënën.

Marrëdhëniet e mira me fqinjët është një nga kushtet kryesore të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë, për të bërë përparim drejt realizimit të dëshirës së tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gati një e treta e popullsisë së Maqedonisë përbëhet nga shqiptarë.

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë u acaruan pas njoftimit të medias se një agjent i shërbimit të sigurimit serb ishte parë në ndërtesën e parlamentit maqedonas, kur turma e protestuesve hyri me dhunë dhe rrezikoi jetët e deputetëve, duke lënduar fizikisht kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. (voa)

Shkrirja e akullit në Antarktidën Perëndimore

AntarktidaNuk ka dyshim se Antarktida po bëhet më e ngrohtë. Jo vetëm që myshku po mbulon gjithnjë e më shumë kontinentin e ngrirë, por sipas studiuesve britanikë, ai po rritet me shpejtësi. Për njerëzit që jetojnë përgjatë vijës detare, kjo do të thotë se ka të ngjarë të kenë më shumë ujë të padëshiruar në të ardhmen.

Akulli në Antarktidën Perëndimore po shkrin, ngadalë por me siguri. Pjesa më e rëndësishme për t’u theksuar tani për tani është ajo e ngadalësisë. Peter Convey është studiues britanik në Antarktidë.

“97 përqind e gadishullit Antarktik është ende i mbuluar me akull, nuk është se po shkrin i tëri dhe po zhduket papritur.”

Por pak nga pak, 30 milionë kilometra kub akull që mbulonte Antarktidën, po rrëshqet në oqean.

“… Një pjesë e vogël e akullit të shkrirë është i mjaftueshëm për të rritur sasinë e ujit në oqean dhe kontribuon shumë në rritjen e nivelit të deteve.”

NASA llogarit se që nga viti 2004 Antarktida ka derdhur 118 miliardë tonë akull në oqean çdo vit, shumë më shpejt nga sa e parashikonin shkencëtarët.

Një nga sfidat më të mëdha globale nga e gjithë kjo ngrohje, kjo shkrirje e akullit, është se shumë njerëz jetojnë pranë nivelit të detit, qytetet e mëdha, tokat bujqësore dhe shumë zona të prekshme bregdetare.”

Këto sfida, të lidhura drejtpërdrejtë me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, po e bëjnë kontinentin më të gjelbërt, më shpejt.

“Siç e dimë, Antarktida ka qënë vendi që ka regjistruar rritjen më të madhe të temperaturave. Kemi patur një rritje prej gati 3 gradësh në 50 vitet e fundit.”

Studiuesit thonë se rezultati i gjithë kësaj shkrirjeje, nëse gjërat nuk ndryshojnë, është se niveli i detit mund të rritet me mbi 3 metra në 200 vitet e ardhshme. (voa)

Testi i ADN-së nuk ndryshon mënyrën e jetesës

cigareTundimet për t’iu larguar praktikave të shëndetshme gjenden kudo, që nga pirja e duhanit, e pijeve alkoolike dhe tek llojet e shumta të ushqimeve. Po sikur një test ADN-je të konkludonte se një nga këto do të shkaktonte një sëmundje të caktuar? A do të ndryshonit praktikat për të ulur rrezikun? Jo domosdoshmërisht, thonë një grup shkencëtarësh në Universitetin Cambridge.

Në një raport të botuar në revistën “BMJ Journal” pasqyrohen përfundimet e 18 studimeve të ndryshme të njerëzve të cilëve iu dhanë konkluzione të bazuara në testin e tyre të ADN-së.

Studimet zbuluan se njerëzit të cilëve iu tha se janë të prirur për të zhvilluar një sëmundje të caktuar, nuk i përmirësuan praktikat e tyre pasi rezultoi shumë e vështirë ndryshimi i zakoneve të përditshme.

Një ndër studimet ishte për diabetin e tipit 2. Autori, Job Godino, nuk është i befasuar nga rezultati.

“Nuk u befasova pasi këto lloj sjelljesh janë tepër të vështira për t’i ndryshuar. Janë shumë komplekse. Janë shndërruar në zakone dhe ndodhin përgjithësisht në mjedise që nuk lidhen me të qenit aktiv fizikisht apo me një dietë të shëndetshme. Është shumë më e lehtë të bësh jetë sedentare. Në shoqërinë e sotme është shumë më e thjeshtë të ushqehesh me një dietë jo të shëndetshme. Prandaj, nuk mjafton informacioni për riskun, që të ndryshosh këto zakone”, thotë Job Godino, asistent profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Tashmë njerëzve do të jepet një mundësi më e lehtë për t’u informuar rreth përbërjes së ADN-së së tyre.

Industria e testimit gjenetik mori një hop të madh në muajin prill, kur një kompanie iu dha liçensa e parë për të testuar ADN-në në nivel konsumator.

James Lu është bashkëthemelues i kompanisë “Helix”, e cila ofron testimin e ADN-së për të zbuluar risqe të caktuara gjenetike. Ai thotë se duhet arsimim dhe mbështetje për njerëzit.

“Nëse dëshiron të ndryshosh praktikat e njerëzve, duhet t’i përfshish në një proces shëndetësor të personalizuar. Të gjitha studimet duhen zhvilluar për më shumë kohë. Duhen mbajtur njerëzit nën vëzhgim më gjatë dhe duhet të jemi më fleksibël për mënyrat se si do të ndërhyjmë për persona të caktuar”, thotë zoti Lu.

Këshilltari për testimin gjenetik, doktor Robert Green, thotë se megjithatë edhe vetë procesi i testimit shërben për t’u kujtuar njerëzve të kujdesen për shëndetin e tyre.

“Është interesante që më shumë ndikon procesi i testimit, se sa mesazhi që marrin nga konkluzionet. Thjesht përjetimi i eksperiencës, si p.sh,. i dërgimit të pështymës për t’u testuar, në njëfarë mënyre i motivoi personat të mendojnë më shumë për shëndetin e tyre dhe rreziqet”, thotë doktor Green, nga Fakulteti Mjekësor i Harvardit.

Këtë eksperiencë e përjetoi vetë edhe Doktor Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.

Ai mban me vete një model yndyre prej 2.3 kilogramësh për t’i shërbyer si kujtesë të rreziqeve shëndetësore.

Disa vjet më parë, doktor Collins bëri tre teste ADN-je, të cilat treguan se ai rrezikohet 50% më shumë se një person i zakonshëm për të zhvilluar diabetin e tipit 2.

“Ishte si një shkundje që më zgjoi duke më kujtuar se nuk jam i pavdekshëm dhe se ndoshta ka disa gjëra që mund të ndryshoj për mirë”, thotë doktor Collins.

Që atëherë, ai filloi një program më të shëndetshëm të të ushqyerit. Duke e kombinuar me ushtrime fizike, ai deri më tani ka arritur të humbasë rreth 16 kilogramë peshë.
Ai thotë se megjithatë varet nga individi. Megjithëse informacioni i ADN-së nuk po ndryshon stilin e jetesës të njerëzve, për disa mund të shërbejë si një motivim i fuqishëm. (voa)

Restaurimi i avionit të parë bombardues në botë

aeroplaniNga qiejt e Evropës së pushtuar tek një stallë elefantësh në Indi e deri tek destinacioni përfundimtar në një muze të aeronautikës në Angli – iu deshën 100 vjet rrugëtim një prej avionëve bombardues të parë të botës. Kur u gjet në Indi, ishte pothuajse e pamundur të dalloje se për çfarë avioni bëhej fjalë.

Bombarduesit e sotëm kanë motorrë të fuqishëm dhe mbajnë dhjetëra tonë municione. Por në fillim të Luftës së Parë Botërore, pilotët i hidhnin bombat me dorë.

Kur ushtria britanike e kuptoi se do ishte më efikase që bombat të lëshoheshin nga trupi i avionit përmes një komande, një prej avionëve më të mirë luftarakë të asaj kohe u konvertua, duke u bërë bombarduesi i parë strategjik në botë, me emrin e famshëm “de Havilland DH9”.Carl Warner është historian në muzeumin britanik të luftës.

“Ky ishte fillimi i idesë se bombarduesi do t’ia dilte mbanë dhe do të vazhdonte deri në vitet 40-të. Kjo fuqi e mahnitshme udhëhoqi ndërtimin e bombarduesve që i ngjasonin aeroplanit DH9”.

Por nga 2 mijë bombardues DH9, vetëm gjashtë u ruajtën në mbarë botën dhe asnjë në Britani.

Në vitin 1998, një anglez i apasionuar pas avionëve zbuloi disa bombardues DH9 në zonën rurale të Indisë në gjendje të keqe dhe përhapi lajmin.

Janice Black është drejtoreshë e Koleksionit të Avionëve Historikë.

“Mjerisht, motorët ishin hequr dhe avionët ishin vënë në stallat e elefantëve. Motorët i kishin përdorur për të pompuar ujë në fermë, nga ku edhe i morëm. Farmirësisht trupat e avionëve ishin brenda stallave dhe të ruajtur nga shiu.”

Ato që kishin mbetur nga avionët u ble dhe u transportuan në një hangar privat në Britani për restaurim. Restaurimi mori 60 mijë orë punë.

Avioni i parë i restaurur u ble për 1.3 milion dollarë në vitin 2007 nga Muzeumi Britanik i Luftës, por nuk është në gjendje të fluturojë.

Me gjithë rëndësinë, ky avion dy vendësh nuk ishte model i suksesshëm, kryesisht nga motori i pafuqishëm dhe i pasigurtë. Të pajisur me motorë më të mirë, shumë avionë u përdorën për shërbime civile pas luftës si transportues të postës.

Por vlera historike nuk mund të mohohet ndërsa doli në një pikë vendimtare në konfliktin e parë global. Ekipi i Koleksionit të Avionëve Historikë tani po restauron një avion të dytë të tipit DH9 për të cilin shpresojnë se do të ketë aftësi të fluturojë nga fundi i këtij viti. (voa)

Maqedoni: Shkarkohet prokurori publik Marko Zvërlevski

parlamentiParlamenti më në fund e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko Zvërlevski pa praninë e deputetëve të VMRO-DPMNE, që e konsiderojnë shkarkimin antilogjor.

Parlamenti më në fund e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko Zvërlevsk, me 64 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim gjatë votimit, në Parlament nuk ishin prezent deputetët e VMRO-DPMNE-së, sepse sipas tyre, shkarkimi i kryeprokurorit Zvërlevskit, është antiligjor dhe i pa pranueshëm për ta. Ilija Dimovski nga VMRO- DPMNE e cilësoi si veprim kundërligjor shkarkimin e Zvërlevskit. Duke iu referuar mendimit të Komisionit Antikorrupsion, i cili gjithashtu doli në mbrojtje të Zvërlevskit, Dimovski tha se përgjegjësia për mosrespektimin e vendimit të këtij komisioni bie mbi Parlamentin.

“Deri më tani shumë herë ka pasur mendime nga Komisioni për Antikorrupsion që është sjellë në Parlament, të cilat Parlamenti i ka respektuar. Vendimi juaj që të mos respektohet mendimi i Komisionit Antikorrupsion është përgjegjësia juaj”, u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Me shkarkimin e prokurorit fillojnë reformat në drejtësi

Shkarkimin e Zvërlevskit, LSDM-ja e cilësoi si hap i parë drejt reformave në sistemin gjyqësor. Petre Shilegov tha se prokurori i ri shtetëror do të zgjidhet në bazë të kritereve profesionale dhe jo në bazë të lidhjeve partiake.

“Shkarkimi i Marko Zvrlevskit e shënon fillimin e reformave në gjyqësor, të cilat do të sjellin drejtësi për të gjithë. Ky është hapi i parë i fillimit të funksionimit të një sistemi të pavarur dhe profesional gjyqësor. Procedura për rizgjedhjen e prokurorit të ri, mesa di unë, duhet të fillojë, por megjithatë në bazë të procedurave nuk besoj se mund të arrijmë ta zgjedhim para zgjedhjeve lokale”, thotë Petre Shilegov nga LSDM-ja.

Ahmeti: Kemi nevojë për drejtësi të pavarur

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se kanë pasur rezerva rreth drejtësisë së gjykatës për raste të caktuara, por që shkarkimi i prokurorit shtetëror Marko Zvërlevskit është hap i mirë drejt reformave në gjyqësor, të cilat do t’i kënaqnin qytetarët e Maqedonisë dhe partnerët tanë ndërkombëtare.

“Ne duam që gjyqet të jenë transparente pa ngarkesa etnike, kemi vërejtur deri më tani që në këtë drejtim ka pasur shumë hapësirë për të dyshuar që gjërat nuk janë mirë, kështu që ne kërkojmë transparencë dhe për opinionin të jenë të bindshëm për çdo vendim që do të ndërrmeret”, theksoi Ahmeti.

Reformat në gjyqësor duhet të jenë gjithëpërfshirëse

Për ekspertin Bekim Kadriu, shkarkimi i Marko Zvërlevskit ishte hapi i parë i domosdoshëm drejt reformave në gjyqësor. Ai thotë, se reformat në pushtetin gjyqësor nënkuptojnë shumë gjëra e jo vetëm shkarimin e Zvërlevskit. Sipas tij: “Reformat në pushtetin gjyqësor nënkuptojnë më shumë gjëra e jo vetëm shkarkimin e Zvërlevskit, nënkuptojnë eventualisht edhe ndryshime të legjislacionit, ndryshimit të këshillit gjyqësor, por sidoqoftë çdo reformë ose çdo rrugëtim i gjatë fillon me hapin e parë, shkarkimi i Zvërlevskit ishte hapi i parë i domosdoshëm”, deklaroi profesor Bekim Kadriu.

Analisti Faton Aliti thotë, se pikërisht shkarkimi i kryeprokurorit është edhe nyja kyçe, e cila do ta zhbllokojë gjyqësorin dhe shtetin që deri më tani ka qenë i kapur. “Shkarkimi i Prokurorit Republikan Zvërlevski sigurisht se do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të funksionimit të shtetit të së drejtës. Ai është hallka kryesore e zinxhirit, i cili e ka kapur gjygjësinë dhe shtetin në përgjithësi”, thotë Aliti.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski thotë se debati për propozim të prokurorit të ri publik do të vihet më 22 gusht në seancë qeveritare që ai të miratohet nga Qeveria e Maqedonisë dhe më pas t’i propozohet Parlamentit të Maqedonisë.

“Prokurori Publik i ri do të jetë person profesionist dhe me përvojë në fushën e jurispodencës, i pavarur dhe që do të punojë për të mirën e qytetarëve. Më 22 gusht qeveria e Maqedonisë do ta shqyrtojë propozimin për prokurorin e ri publik dhe do të vendos për të. Pasi të hapet konkursi, kandidatët do të shqyrtohen nga Këshilli i Prokurorëve, i cili edhe do të japë mendim për ata. Përzgjedhja e prokurorit të ri publik bëhet me 61 vota”, ka sqaruar zëdhënësi i qeverisë Mile  Boshnjakovski. (dw)

Albin Kurti: Si të dalim nga bllokimi?

Albin

Mes zhurmës së madhe të polemikave politike, aty ku proceset humbin substancën, megjithatë dy fakte janë të qarta. Së pari, bllokimi institucional ku ndodhemi tash po e dëmton Kosovën, së brendshmi por edhe ndërkombëtarisht. Së dyti, bllokimi ka një fajtor: PAN, i cili po keqpërdor një prerogativ që ia ka garantuar një vendim i gabuar i Gjykatës Kushtetuese. Duke mos pranuar të paraqitet në seancat e Kuvendit dhe duke mos e emëruar një kandidat për Kryesinë e Kuvendit ata po bllokojnë Kosovën dhe po e gërryejnë demokracinë e saj.

Ne e dimë pse po e bëjnë këtë gjë. Kjo ndodh për shkak se u mungojnë votat, qoftë për të emëruar Kryetarin e Kuvendit që ata kanë dëshirë, qoftë për të formuar qeveri.

Mirëpo, përfaqësuesit e tjerë të qytetarëve të Kosovës nuk mund të vazhdojnë të reagojnë pasivisht ndaj kësaj tallje arrogante e të papranueshme. Ata kanë një detyrë ndaj vendit që t´i japin fund kësaj situate tejet dëmtuese. Edhe mund t´i japin fund. Më lejoni të shpjegoj se si.

Teksti i Kushtetutës i atribuon të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit “grupit më të madh parlamentar”. Ky rregull duhet respektuar. Por së pari ai duhet kuptuar. Dhe nuk ka dyshim se ajo çka do të thotë shprehja në Kushtetutë është “secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit”, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq. Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime.

Është e vërtetë se në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese i dha një lexim tjetër këtij rregulli. Është po ai lexim që po ia lejon PAN-it që ta bllokojë Kosovën duke bojkotuar seancën konstituive të Kuvendit. Por ai lexim është qartazi i gabueshëm, dhe kjo mund të dëshmohet.

Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës. Sidomos në një rast kaq të rëndë sa ky i yni, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës.

Kjo do të thotë se, kur të mblidhet Kuvendi, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre. Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Sigurisht, të tjerët mund të mos pajtohen me këtë. Ata do të kenë mundësi ta çojnë këtë çështje para Gjykatës Kushtetuese, e ne do t´i bindemi asaj. As që mund ta paramendojmë se Gjykata Kushtetuese do të mund të miratojë bllokimin e qëllimshëm që PAN po i bën institucioneve.

Së këndejmi, Lëvizja VETËVENDOSJE! i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që të na bashkangjiten në këtë nismë.

Konkretisht, propozojmë që ne deputetët pjesëmarrës të rregullt të seancës konstituive të përzgjedhim një kandidat të përbashkët për Kryetar të Kuvendit për datën 24 gusht. Në atë datë, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj, atëherë ne do të votojmë tonin. E nëse PAN do ta paraqesë një kandidat, atëherë secili subjekt e deputet do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që ne propozojmë në radhë të parë ka për synim tejkalimin e këtij bllokimi). Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë.

Ne jemi të hapur për çdo propozim sa i përket kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Ne mendojmë se ai person duhet të zgjedhet në mes të deputetëve më të respektuar e sa më pak të anshëm, sepse duhet të garantojë të gjitha palët se do të performojë në atë funksion të rëndësishëm pa mbajtur anë, duke i dërguar një sinjal qytetarëve tanë se politika në Kosovë ka filluar të ndryshojë.

Zgjedhjet bëhen për Kuvend që funksionon dhe jo që bllokon veten dhe gjithë Republikën. Pala që nuk shfrytëzon të drejtën e saj e humb atë. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës ia njeh Presidentit të drejtën për ta thirrë seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, por në rastin kur Presidenti dështon të shfrytëzojë këtë të drejtë, neni 66.3, thotë që Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.

Kur të marrë fund ky bllokim dhe kur të arrijmë të zgjedhim si Kryetar Kuvendi një deputet nga ata të nderuarit, atëherë do të mund të vazhdojmë me çështjen e radhës, që do të jetë formimi i qeverisë.

Albin Kurti, deputet, i nominuari për kryeministër i Lëvizjes VETËVENDOSJE! 

Patozi kundër Bashës: Raporti s’të shpëton nga përgjegjësia e humbjes

Patozi“Qeveria nuk rrëzohet nga brenda Lulzim!”. Me këtë titull, Astrit Patozi komenton gjatë deklaratën e Lulzim Bashës pas raportit të zgjedhjeve të hartuar nga ministrat teknikë.

“Komentet e Lulzim Bashës mbi raportin e ministrave teknikë për zgjedhjet nuk ia shtojnë vlerën atij, përkundrazi, ia zbehin fare, nëse ai vërtetë mund të shërbente për diçka në këtë vend, jo për këto zgjedhje, se ato mbaruan, por ndoshta në të ardhmen, sepse mes fushatës së qetë dhe pa asnjë denoncim të opozitës dhe “tmerreve” që përshkruan raporti, është në mes një det i tërë, në të cilin i vetmi i fundosur këmbë e duar është Lulzim Basha”, shkruan Patozi.

Sipas tij, kreu i PD ka përgjegjësi të plotë për atë që e quan “memecëri të Partisë Demokratike që nga mesnata e 17 majit dhe deri në ditën e numërimit të votës së fundit për zgjedhjet e 25 qershorit”.

Deputeti demokrat, që doli kundër Lulzim Bashës edhe në garën për kryetar partie, duke e quajtur atë një farsë, e quan “atipik” raportin e ministrave teknikë.

“Edhe raporti i OSBE/ODIHR-it sikur të nxinte nuk do ta shpëtonte dot Lulzim Bashën nga pesha e fajit për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në 25 qershor, më të rëndën e të gjithë historisë së saj. Ndaj, nuk ka asnjë vlerë që të merremi me cilësinë e asaj që kanë shkruar dhe as me rolin që kanë pasur në këtë histori ministrat teknikë, që më në fund ikën prej qeverisë së Edi Ramës”, vijon ai.

Patozi sheh vetëm dy rrugë për Lulzim Bashën.

“Ose ta besojë plotësisht raportin e teknikëve, që i bie të bojkotojë Parlamentin dhe të hapi prapë “çadrën e lirisë”, ose, në rast të kundërt, ta qepë gojën e të mos flasë më për vota të blera dhe të vjedhura, por të lëpijë ndonjë kockë që mund t’i vijë nga Edi Rama, nëse ky i fundit do ta ketë zemrën e gjerë. Kam bindjen se ai nuk do të bëjë, as njërën dhe, as tjetrën. Siç ka ndodhur gjithmonë gjatë këtyre katër vjetëve, sepse gjëja që urren më shumë në jetë ai është që të marrë vendime”, mbyll reagimin e tij, Astrit Patozi.

/ Top Channel

+++Numri i të vdekurve në Spanjë arrin 14+++

barcelonaShteti Islamik, IS e ka paraqitur veten si autor të sulmeve në Spanjë. Sipas autoriteteve katalanas ka 14 të vdekur e 100 të plagosur.

Në qytetin Cambrils, rreth 100 km në jug të Barcelonës, forcat e ndërhyrjes vranë natën duke gdhirë dita e sotme pesë të dyshuar si terroristë, që mbanin të veshur breza bosh lëndësh shpërthyese. Policia sheh lidhje mes atentatit në Barcelonë, terroristëve të dyshuar në Cambrils dhe një shpërthimi që ndodhi në Alcanar.

Kryeministri i Spanjës, Rajoy shpalli një zi kombëtare treditore.

Në Londër, Berlin dhe në disa qytete të Francës ka pasur atentate islamiste, në të cilat janë përdorur si armë kamionë të vegjël ose automjete transporti. Edhe në ngjarjet tragjike në qytetin e madh spanjoll të Barcelonës të vijnë këto kujtime në mendje. Autoritetet konfirmojnë se kemi të bëjmë me një atentat terrorist.

16:00 Përpara se t’i vriste policia, terroristët në Cambril plagosën me thikë në fytyrë një person në vendin e ngjarjes

15:40 Policia po kërkon Moussa O., si të dyshuarin kryesor në atentatin në Barcelonë. Dyshohet se ka qenë ai që e drejtoi me shpejtësi të madhe kundër këmbësorëve automjetin e transportit në shëtitoren La Rambla. Këtë e bëri të ditur policia spanjolle dhe pas saj edhe policia e Katalonjës.

Moussa Oukabir sipas medieve të ndryshme është i moshës 17 ose 18 vjeç. Ai është vëllai i Driss O. të arrestuar të enjten. Me letërnjoftimin e Drissit qe marrë hua automjeti, me të cilin u krye krimi. Driss i është dorëzuar policisë dhe i pati deklaruar se ia patën vjedhur letërnjoftimin.
14:00 Një person i katërt u arrestua në lidhje me sulmet në Spanjën Verilindore, bëri të ditur policia.

12:40 Autoritetet katalanase njoftojnë se numri i të vdekurve arriti në 14. Pas sulmit terrorist në Cambrils një grua vdiq në spital nga plagët e marra. Atentatorët e dyshuar, të cilët u vranë më vonë nga policia, e patën përplasur gruan me automjetin e tyre.

17.08.2017

20:39 Në Las Ramblas sipas korrespondentëve lokalë po evakuohen të gjitha dyqanet dhe lokalet. Policia shoqëron njerëzit që largohen.

20:35 Uhr: Sipas gazetës “La Vanguardia” njëri nga sulmuesit u vra në një shkëmbim zjarri me policinë. Një sulmues tjetër është arrestuar.

20:23 Ministri i Brendshëm katalanas, Joaquim Forn flet për 13 të vdekur dhe më shumë se 50 të plagosur.

20:15 I dyshuari thuhet se është një burrë i regjistruar në një qytet në veri të Barcelonës. Ai është nga Marseja dhe ka rrënjë afrikanoveriore, bëjnë të ditur gazeta katalanase La Vanguardia dhe televizioni shtetëror. Të dyja mediet u referohen burimeve policore, por ato nuk i konfirmuan këto lajme.
Ndërkohë policia kundërshtoi të dhënat, sipas të cilave një ose dy persona të armatosur qenë barrikaduar në një lokal.

19:40 Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert flet për një “atentat të neveritshëm në Barcelonë”.

Ministri i Jashtëm i SHBA, Rex Tillerson e dënoi atentatin dhe i ofroi Spanjës ndihmën e SHBA. Terroristët në të gjithë botën duhet ta dinë se SHBA dhe dhe aleatët e tyre janë të vendosur t’i gjejnë terroristët dhe t’i nxjerrin para përgjegjësisë, tha Tillerson.

19:21 Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel foli me tmerr për atentatin terrorist në Spanjë. Ai është thellësisht i tronditur, deklaroi politikani gjerman përmes twitterit.

19:10 Autoritetet lokale spanjolle flasin për një viktimë dhe 32 të plagosur. Por ato paralajmëruan për rritjen e numrit të të vdekurve.

19:04: Gazeta “La Vanguardia” bën të ditur se punonjës të policisë kanë konfirmuar se dorasi ose dorasit janë barrikaduar në një bar në rajonin Raval. Dëshmitarë folën në televizionin shtetëror spanjoll për një doras të vetëm, i cili mendohet se është në fillim të të 20-ave.

18:55: Sipas të dhënave në përputhje me njëra-tjetrën të medieve spanjolle, në këtë incident u vranë të paktën dymbëdhjetë vetë. Këtë e bënë të ditur gazetat  “El Mundo” dhe “La Vanguardia”.

18:45: Policia e trajton incidentin në shëtitoren e famshme Las Ramblas si atentat terrorist. Por për momentin ajo nuk mund të thotë se çfarë ka ndodhur saktësisht, i tha një zëdhënës i policisë agjencisë gjermane të lajmeve, dpa.

18:25: Sipas të dhënave zyrtare, një kamion i vogël u sul drejt një turme njerëzish në qendër të Barcelonës. Edhe autoritetet katalanase konfirmojnë tani viktima  dhe shumë të plagosur.

18:20: Pas incidentit të përgjakshëm, Ministria e Jashtme në Berlin i aktualizoi paralajmërimet e saj për Spanjën. “Udhëtarëve u rekomandohet që t’i shmangen gjerësisht rajonit, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve të sigurisë dhe të informohen përmes medieve lokale”, u bë e ditur. (dw)