Basha-Kryemadhi: Nesër protestë madhështore, s’ka dhunë

Basha-Kryemadhi-Kreu i PD, Lulzim Basha sëbashku me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi në një dalje të përbashkët për mediat u kanë bërë thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e nesërme, duke theksuar se nuk ka asnjë skenar dhune.

“Nuk do të jetë luftë, as spektakël. Unë do të jem bashkë me familjen”, theksoi Basha, ndërsa shtoi se në protestën e nesërme opozitën, pavarësisht dallimeve, e bashkon dëshira për ndryshim.

“Për çdo informacion e Fake News që shpërndahet për një skenar ndryshe nga ai i një proteste shpreh panik. Paniku është i justifikuar, pasi nesër do të marrë formë bashkimi i madh i shqiptarëve për ndryshim, pavarësisht dallimeve. Ne na bashkon dëshira për ndryshim. Shqiptarët e kanë kuptuar kështu nuk vazhdohet më. Balanca është vendosur në krahun e shqiptarëve të ndershëm. Nuk ka më institucione që mund të mbajnë peng të ardhmen”, tha Basha.

Ndërkohë që Monika Kryemadhi ndërsa theksoi se nuk do të ketë më dhunë, vuri në dukje se do të marrin masa të mos jemi pre e provokimeve.

“Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë, nuk do të ketë dhunë. Do të marrim masa të mos jemi pre e provokimeve të punonjësve civilë të shtetit. Protesta e nesërme do të jetë jo vetëm paqësore, por edhe më madhështorja. Do të protestojmë sepse duam të jetojmë në Shqipëri”, u shpreh kryetarja e LSI.

Top Channel

Së shpejti konfrontim mes ushtarëve turq e amerikanë?

tanket turkePas telefonatës mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij turk, Erdogan tensionet mes dy vendeve janë rritur. Ankaraja hedh poshtë prononcimet e fundit nga Shtëpia e Bardhë.

Jo, Donald Trump nuk ka shprehur shqetësim për shkallëzimin e situatës në Veri të Sirisë. Presidenti amerikan ka përforcuar deklaratën për mosfurnizimin më me armë të milicëve kurdë. Një zëdhënës i qeverisë turke ka hedhur poshtë ashpër të enjten prononcimin e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas prononcimeve nga Uashingtoni, Trump në një telefonatë të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin turk, Erdogan, i ka kërkuar presidentit turk reduktimin e misionit ushtarak në rajonin siriano-verior, Afrin. Turqia duhet të veprojë për “çtensionimin” dhe të kufizojë veprimet ushtarake, ka kërkuar Trump, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.

Trump ka kërkuar heqjen dorë nga çdo aksion që mund “të provokojë një konfrontim mes ushtarëve amerikanë dhe turq”. SHBA dhe Turqia duhet të përqëndrohen tek armiku i përbashkët, xhihadistët e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Për marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Ankarasë misioni ushtarak turk përmban lëndë shpërthyese. Operacioni turk “Dega e ullirit” drejtohet kundër njësive kurdë të YPG-së, që Ankara e sheh si degën siriane të partisë punëtore kurde, të ndaluar në Turqi, PKK dhe e sheh si organizatë terroriste. Por YPG bashkëpunon me koalicionin me koalicionin e drejtuar nga amerikanët kundër IS-it dhe është armatosur nga SHBA-megjithë rezistencën e ashpër të Ankarasë.

Erdogan: Do ta pastrojmë rajonin nga kjo fatkeqësi

Sipas Erdoganit misioni drejtohet kundër “elementëve teroristë” dhe do të zgjerohet në rajonin Manbidsh për të eliminuar të gjithë “terroristët”. “Me shpresën e zotit ne do e shfarosim këtë lojë, filluar me Manbidshin dhe do ta pastrojmë të gjithë rajonin tonë nga kjo fatkeqësi”, ka thënë Erdogan.

Për të enjten është planifikuar një raund i ri bisedimesh për Sirinë nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara. Sipas ndërmjetësuesit, Staffan de Mistura ato zhvillohen në një “pikë shumë, shumë kritike”. Për ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian këto bisedime janë një nga “shanset e fundit” për një zgjidhje politike në Siri. Pas bisedimeve në Vjenë, është planifikuar një konferencë e re në Sotçi për më 29-30 janar. Rusia është aleate e ngushtë e Asadit.  la/(afp, rtr, APE,dpa)

Koment i FAZ: E pandershme – ndërhyrja e Turqisë në Siri

tanket turkeTurqia nuk rrezikohet nga rajoni kurd i Afrinit, ndaj sulmi i saj ndaj kurdëve nuk është i justifikuar. Problemin Turqia si duket e ka tek ekzistenca e autonomisë së kurdëve.

Argumentimi turk, me të cilin qeveria turke kërkon të imponojë në Perëndim dhënien e një miratimi për operacionin e saj “Dega e ullirit”, nuk është bindës. Ankaraja pretendon se ka një interes legjitim sigurie dhe prandaj e ka ndërmarrë ofensivën e saj tokësore dhe ajrore kundër kantonit kurd Afrin në Veriperëndim të Sirisë. Ky veprim të sugjeron se prej atje Turqinë e kërcënon një rrezik – gjë që nuk është në përputhje me realitetin. Sepse me shpërbërjen e shtetit në Siri, që kur kurdët vetëadministrohen, nga territori i tyre nuk ka pasur sulme kundër Turqisë.

Nga ana tjetër, megjithatë ka qenë Turqia që veçanërisht vitin e kaluar ka hapur në mënyrë të përsëritur zjarr kundër Afrinit dhe ka provokuar. Turqia duhet të tregohet e ndershme dhe të pranojë, se një autonomi kurde ajo nuk e duron dot, as në vendin e saj dhe as në Siri. Turqit, me mënyrën si veprojnë mund të shkatërrojnë edhe një komunitet që është më demokratik se në çdo vend tjetër në Lindjen e Afërt, që mundëson një bashkëjetesë paqësore të grupeve të ndryshme popullore dhe të konfesioneve të ndryshme. Udhëheqja e Ankarasë siç duket nuk ka interes për këtë. (dw)

Deputeti gjerman për negociatat me Shqipërinë: Jo fjalë, por fakte

Stephan AlbaniPolitikani kristiandemokrat, (CDU) Stephan Albani, në bisedë me DW thekson se imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore.

Deutsche Welle: Shqipëria ndodhet përpara protestave. Nga njëra anë kemi qeverinë që premton reforma, që thotë se lufton krimin, nga ana tjetër opozita që përditë e quan qeverinë “qeveri të krimit”. Kemi pasur edhe një nga skandalet më të forta, një ish-ministër i Brendshëm dyshohet për lidhje me mafian e drogës, hetimet vazhdojnë. E kuptoni ju këtë vend?

Stephan Albani: Mund të kuptoj njerëz të veçantë, por jo vende të tëra. Por kuptoj ndjesinë e shumë shqiptarëve që duan të ecin përpara, që ndjejnë se nuk po bëjmë progres. Kisha edhe ambasadorin shqiptar këtu e folëm gjatë. Më duhet të them, se kriteret për fillimin e negociatave dihen, ato duhet vetëm të zbatohen, e këtu bën pjesë veçanërisht vullneti politik që siguron që korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar të luftohen me mjetet e shtetit ligjor.

Prandaj nuk arrij ta kuptoj dot për shembull që ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti. Ne e kemi bërë këtë kushedi sa herë në Bundestag. Imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore që synon zbardhjen e një çështjeje. Kjo është shumë e rëndësishme për të siguruar besueshmërinë e Shqipërisë në shkallë ndërkombëtare.

Shqipëria shpreson në hapjen e negociatave këtë vit. Mendoni se kjo do mund të bëhet realitet?

Stephan Albani: Jemi në fillim të vitit, kemi raportet e progresit që do të publikohen në shkurt, e një proces që zgjat deri aty nga mesi i vitit. Nuk është pak por as shumë kohë. Si fizikant dhe politikan për mua vlejnë faktet, ia kam thënë në bisedë edhe ambasadorit shqiptar. Faktet jo vetëm në letër, por në zbatim konkret të tyre. Në letër shikoj disa gjëra, por në zbatim jo kushedi sa shumë. E kam siguruar se do ta formuloj rekomandimin tim për negociatat mbi bazën e fakteve nga mesi i vitit. Po qe se faktet janë të tilla që në këtë pikë nuk është bërë progres, atëherë faktet janë kaq të pakëndshme, saqë nuk mund ta përfytyroj se gatishmëria do të jetë shumë e madhe.

Opozita akuzon qeverinë Rama si “qeveri të krimit”. Madje kryeministri shihet si e vetmja pengesë për integrimin europian. Si mund një vend të ecë përpara me një klimë të tillë politike, ku rregullisht të dyja palët i drejtohen njëra-tjetrës me akuzat më të rënda?

Stephan Albani: Thjesht ndaloni me këto. Po qe se kërkohet një perspektivë në BE duhet që qeveria dhe opozita të sillen si ju takon. Po qe se kjo nuk është e siguruar, atëherë mungon çdo kriter, prandaj shpresoj që të dyja palët ta kuptojnë këtë. Palët duhet nxjerrin mësimet e tyre dhe të ndryshojnë qartësisht sjelljen ndaj njëri-tjetrit dhe të veprojnë me arsye.

Reforma në drejtësi ishte një vendim i vitit të shkuar, me shumë vështirësi, megjithatë ajo u vendos. Por palët politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën. Opozita- kryeministrin se do të vërë institucionet e drejtësisë nën kontroll, qeveria opozitën se ka frikë nga kjo reformë-Keni besim se kjo reformë do të funksionojë vërtet?

Stephan Albani: Mund të them vetëm se ka shumë gjëra në letër që duhet të bëhen realitet. Po ashtu nuk duhet humbur kohë. Sipas mendimit tim këtu nuk po punohet me fuqinë e duhur, BE duhet të bëjë presion për këtë, e në fund të fundit edhe ata politikanë shqiptarë që e kanë kuptuar këtë duhet ta marrin stafetën e veprimit në dorë. Ndryshe nuk bëhet dot.

Në vend ekziston një lloj mungese e perspektivës. Shqiptarët që kërkonin azil ishin në 2016-n në renditje të parët pas sirianëve në Gjermani, në 2017-n në Francë. Një vend që pret hapjen e negociatave nuk duhet të kishte këtë mungesë shprese…

Stephan Albani: Këto janë probleme që duhet të zgjidhen në Shqipëri. Nëse kjo nuk bëhet negocitatat për anëtarësim largohen më shumë e jo të afrohen. Prandaj duhet që palët të sundohen nga arsyeja që këto probleme t’i zgjidhin bashkë. Kriteret bazë janë përcaktuar, reforma në drejtësi, luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar duhet të vendosen në fokus. E kjo duhet të ndjehet qartë, që nga mesi i vitit të merret një vendim, që i hap perspektiva edhe popullsisë në Shqipëri.

Stephan Albani është parlamentar gjerman i partisë CDU dhe drejtues i grupit parlamentar për Europën Juglindore në Bundestag.

Zaevi dhe Tsiprasi në Davos: Koha për zgjidhje

tsipras zaevKryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Tsipras tentojnë hapjen e një epoke të re – përmirësimin e klimës mes dy vendeve. Por sa do të tejkalohen kontestimet për çështjen e emrit?

 

Takimi i parë i drejtpërdrejtë i kryeministrit maqedonas dhe atij grek Zaev-Tsipras në Davos rezultoi me iniciativa të drejtpërdrejta për përmirësimin e klimës në marrëdhëniet dhe forcimin e besimit para negociatave për zgjidhjen përfundimtare të kontestit shumëvjeçar rreth emrit. Takimi i Davosit është vlerësuar si hapi i parë më konkret për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se Qeveria do ta ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Takimi Davosit shpresëdhënës

“Është koha që të gjendet zgjidhje për shkak se kjo është shumë me rëndësi për proceset tona euratlantike. Zgjidhja e fundit patjetër të jetë e pranuar për të dyja palët. Zgjidhja patjetër të jetë në mbrojtje të dinjitetit nacional të popujve tanë”, ka thënë Zaev.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka thënë se zgjidhja përfundimtare duhet të arrihet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, gjetjen e një emri për përdorim të gjithanshëm, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, dhe se kjo sipas tij nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës.

“Dua t’iu them se të dy duam ta zgjidhim kontestin me pragmatizëm dhe përgjegjësi. E them këtë se ne jo vetëm që duam ta zgjedhim çështjen e emrit, por edhe duam t’i vendosim raportet bilaterale në formë të besimit të ndërsjellë, ta luftojmë çdo lloj irredentizmi deri në fund që do të garantojë të mos mbetet asnjë vrimë që do krijojë sfida në të ardhmen”, ka thënë Tsipras.

VMRO kërkon transparencë për bisedimet 

Nga VMRO-DPMNE partia më e madhe opozitare maqedonase e përshëndesin takimin e kryeministrave Zaev dhe Tsipras, duke vlerësuar se kontaktet direkte mund të sjellin thellimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e klimës pozitive ndërmjet të dyja vendeve.

“VMRO-DPMNE nuk ka asnjë informacion për procesin e bisedimeve rreth emrit. Nuk e dime se paralajmërimet e Zoran Zaevit për riemërimin e aeroportit dhe autostradës janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë, me të cilën opinioni nuk është informuar ose bëhet fjalë për hap të njëanshëm të Qeverisë së Maqedonisë. Nëse është në pyetje ndonjë strategji, qytetarët presin të informohen”,thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE.

Zhbogar: Me dialog mund të arrihet kompromis

Takimi i kryeministrit Zoran Zaev dhe Aleksis Tsiparis është lajm i mirë për shkak se vetëm përmes dialogut mundet të zgjidhen problemet dhe çështjet e hapura, vlerësoi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

“Në muajt e fundit dy qeveritë me të vërtet zhvilluan dialog intensiv me qëllim që të munden të krijojnë atmosferën, e cila do sjellë deri tek zgjidhja dhe me sa duket takimi i Davosit është themel për mirëkuptim, i cili do jetë në dobi jo vetëm të dy vendeve por edhe për për gjithë rajonin dhe gjithë Evropën”, ka thënë Zhbogar.

Ekspertët: Zgjidhje e pranueshme për të dyja palët 

Njohësit e çështjeve politike besojnë se pas takimit midis Zaev dhe Cipras zgjidhja është shumë pranë epilogut pozitiv.
“Jemi në një periudhë, kur dy shtetet duhet të japin sinjale të vullnetit të mirë dhe mendoj se jemi në këtë vijë. Maqedonia nuk humb, ndërsa pala greke do të mundësojë pranimin e Maqedonisë në disa nisma, NATO dhe BE”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane. Profesori universitar Lubomir Fërçkovski thotë se ka gjasa që problemi shumëvjeçar të zgjidhet shumë shpejt, por kjo nuk besoj se do të arrihet me ndonjë konsensus të gjerë, të cilin të gjithë e dëshirojnë. “Vlerësoj se zgjidhja do të jetë e qëndrueshme pasi nuk do të prekë, apo rrezikojë identitetin tonë. Nuk mund të parashikoj procedurat, megjithatë konsideroj se së pari marrëveshjet do të kalojnë në Kuvend, pastaj do të kemi pranim të vendit në NATO, e pastaj edhe mund të ketë referendum, por në fazën kur do të jemi në NATO, mendoj se do të krijohet një klimë më lehtë”, thotë Lubomir Fërçkovski.

Sipas profesorit universitar Bashkim Selamani qeveritë e Shkupit dhe Athinës ende nuk kanë krijuar ambient në opinion për një zgjidhje të pranueshme. Veç faktit që palët presin propozim nga një palë e tretë dhe verifikim nga secila palë veç e veç tregon se procesi do të zgjasë. “Të dyja shtetet mes veti do të duhej të propozonin një emër të përbashkët dhe kjo të ishte zgjidhja përfundimtare. Meqë pritet nga pala e tretë se çfarë do të propozojnë kjo shton dilemat se ky problem do të stërzgjatet”, thotë Selmani. Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në kontestin rreth emrit Metju Nimic, gjatë 10-të ditëve të ardhshme pritet të vizitoj Shkupin dhe Athinën. (dw)

Tetovë, një nënë e katër fëmijë të vdekur pas djegies së banesës

shtepia e djegurNjë grua me katër fëmijët e saj kanë humbur jetën pasi shtëpia e tyre në Tetovë ishte përfshirë nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes. Prokuroria publike në Tetovë ka hetuar shkaqet së bashku me ekipet e policisë dhe të zjarrfikësve të qytetit, por ende nuk ka një version zyrtar se si kishte rënë zjarri. Prokurori në detyrë i ka bërë thirrje një ekipi të mjekëve ligjorë nga Shkupi dhe ekipeve të kompanisë së energjisë elektrike EVN për të ndihmuar në vërtetimin e rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.

Trupat e pajetë të pesë viktimave të familjes Zylbehari janë dërguar në qendrën klinike të Shkupit për t’iu bërë autopsinë. Bëhet e ditur se mosha e fëmijëve ishte nga 6 deri 14 vjeç, ndërsa nëna e tyre Fatimja 39 vjeçe. Babai i fëmijëve thuhet të kishte qenë në punë, në turnin e natës si roje në një firmë.

Ngjarja e ndodhur në Çarshinë e epërme të Tetovës ka shqtesuar banorët e atjeshëm. Dyshimet ndërlidhen me sobën e ngrohjes ose ndonjë instalim të dëmtuar apo të ngarkuar elektrik. Burime nga organet e hetuesisë kanë lënë të kuptohet se viktimat nuk ishin tërësisht të karbonizuara çka mundëson idetifikimin e tyre.

Ekipet e zjarrfikësve thonë se kishin arritur me kohë pranë vendit të ngjarjes, por se e kishin pasur të vështirë qasjen deri tek shtëpia për shkak të rrugicave të ngushta dhe dendësisë së lagjes.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës që kishte dalur në vendin e ngjarjes, u tha mjeteve të informimit se priste konstatimet nga organet përkatëse nëse ka pasur ose jo lëshime eventuale që mund të kishin sjellur tek kjo situatë.

Ide nga filmat fantastiko-shkencorë aplikohen në mjekësi

imposible posibleNdërsa analizat me ultratinguj dhe me rreze X i ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë të gjitha sëmundjet, nga kanceri i gjirit te guri në veshka, këto lloj analizash nuk mund të zbulojnë çfarë ndodh në brendësi të këtyre masave që formohen në trupin e njeriut. Njohuritë në këtë fushë mund t’u vijnë në ndihmë miliona pacientëve që të shmangin stresin e panevojshëm dhe ndëhyrjet kirurgjikale. Grupe shkencëtarësh në Shtetet e Bashkuara, nga Universiteti Purdue dhe ai i Bostonit, janë duke zhvilluar teknologji, të cilat ndihmojnë për të patur më tepër njohuri për disa procese që ndodhin në brendësi të trupit të njeriut.

Dr. Ji-Xin Cheng (Jee-Sheen Cheng) ja ka kushtuar gjithë jetën punën e tij një fushe, që deri tani i ngjante letërsisë fantastiko-shkencore. Së bashku me ekipin e tij, ai ka krijuar disa instrumente mjekësore, të cilat ndihmojnë në diagnositikimin e pacientëve përmes tingujve dhe dritës!

“Ne duam të krijojmë një pajisje si tricorder-i i filmit “Star Trek”, ëndërra jonë është të shndërrojmë idenë e filmin në praktikë,” – thotë profesori Cheng.

Në serialin fantastiko-shkencor Star Trek, tricorder-i tundet para pacientit për të marrë informacione prej tij.

Në mjekësinë konvencionale, kirurgët duhet të presin pjesë nga indet e dyshuara për t’i analizuar, ose rrezikojnë që t’i ekspozojnë pacientët e sëmurë ndaj bojërave fluoreshente dhe nanogrimcave.

Metoda e quajur “etiketim” ndriçon dëmtimet, në mënyrë që ato të studjohen nga mjekët.

Anëtari i ekipit të studimit Jesse Vhang shpjegon teknikën që eliminon procedurat më invazive, apo toksike, duke lëshuar dritë tek molekulat e tumorit.

“Me këtë metodë mund të shohim vibracionin e molekulave, të cilat gjenerojnë sinjale në mikroskopin tonë,”- thotë Vhang.

Vibracionet shërbejnë si gjurmë molekulare, unike për secilin tip molekule. Ky model mund të skicohet për të identifikuar lipidet, proteinat dhe acidin nukleik. Pra, në thelb, pajisja e re u jep mjekëve aftësinë për ta parë pacientin në tre dimensione.

“Për shembull, ne mund të përdorim këtë mënyrë për të parë në mëyrë tre-dimensionale mostra biologjike të pacientëve. Kjo mënyrë na lejon të dallojmë në se pacienti ka kancer; tumori zakonisht ka një numër të madh lipidesh,”- thotë Vhang.

Pajisja MarginPat premton shumë në zbulimin e kancerit të veshkave, mëlçisë, dhe rë gjirit.

MarginPAT, e financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, do t’i ndihmojë gjithashtu kirurgët, që t’i heqin tumoret në mënyrë më precize. Në Shtetet e Bashkuara, rreth një e katërta e pacientëve të prekur nga kanceri i gjirit, zakonisht i nënshtrohen një ndëhyrjeje të dytë kirurgjikale për heqjen e qelizave malinje që mbeten nga ndërhyrja e parë.

Shkencëtarët shpresojnë që pajisja MarginPAT do ta pakësojë së tepërmi numrin e qelizave kanceroze.

Cheng dhe partneri i tij, Dr. Pu Wang, kanë krijuar kompaninë Vibronix për prodhimin e pajisjes MarginPat. Dr. Wang thotë se ajo mund të revolucionarizojë mjekësinë në mbarë botën.

“Unë mendoj se kjo pajisje do ta ndihmojë shumë Kinën, ku pratikat mjekësore në qendrat shëndetësore nuk janë aq të mira sa ato të spitaleve në qytetet e mëdha, apo jashtë vendit.”

Në se gjithshka shkon sipas planifikimit, pajisja MarginPAT do të dalë në treg brenda tre vjetësh dhe disa prej pajisjeve të tjera të filmimit të organeve në mënyrë tre-dimensionale nuk do të jenë larg, duke e bërë ëndërrën e tri-korderit të filmit Star Trek një hap më pranë realitetit. (voa)

Trump paralajmëron Erdoganin: Shmang konfliktin midis forcave turke dhe amerikane

kurdetAfrin, Siri

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se do të vazhdojë operacionin ndërkufitar kundër kurdëve në enklavën Afrin në veri të Sirisë, duke rritur shqetësimet në mesin e shumë aleatëve të NATO-s.

Ai i bëri këto komente pas bisedës telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili i bëri thirrje liderit turk “të shmangë çdo veprim që mund të çojë në konflikt midis forcave turke dhe amerikane”.

Trump po ashtu tha se dhuna e vazhdueshme në Afrin “dëmton synimet e përbashkëta në Siri” për mposhtjen e grupit militant Shteti Islamik, njoftoi përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se operacioni, i cili përfshin trupat turke dhe rebelët aleatë sirianë, të mbështetur me avionë luftarakë, artileri dhe tanke, synon krijimin e një zone të sigurisë rreth 30 kilometra brenda Sirisë.

Turqia e konsideron milicinë kurde në Afrin si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila kërkon autonomi për kurdët brenda Turqisë.

Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje të tillë. Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik atje.

Operacioni në Afrin ka nisur më 20 janar dhe është përqendruar në një zonë të udhëhequr nga kurdët pranë kufirit me Turqinë.

Erdogan tha se forcat turke do të zgjerojnë operacionin në qytetin Manbixh, kontrollin e të cilit forcat kurde e kanë marrë nga Shteti Islamik, me mbështetje të SHBA-së.

Një zyrtar kurd tha për agjencinë gjermane DPA se ushtarët amerikanë ndodhen ende në Manbixh, çfarë rrit mundësinë e përplasjeve të paqëllimshme midis forcave aleate të NATO-s.

“Me Manbixhin do ta shkatërrojmë këtë lojë përgjatë kufijve tanë dhe do ta pastrojmë rajonin nga kjo e keqe”, tha Erdogan, duke u zotuar se “do t’i shfarosë terroristët”.

Qeveria e Sirisë e dënoi, siç tha, “agresionin turk në Afrin”.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se Moska “po e vëzhgon me kujdes operacionin në Afrin” dhe se është në kontakt edhe me Qeverinë turke, edhe me atë siriane.

Rusia i ka dhënë Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, mbështetje të madhe gjatë luftës civile në Siri, e cila ka nisur në vitin 2011, duke lënë të vrarë qindra-mijëra njerëz.

NATO tha përmes një deklarate se Turqia ka vuajtur nga terrorizmi dhe se ka të drejtë për vetëmbrojtje, por i bëri thirrje Ankarasë ta bëjë një gjë të tillë “në mënyrë proporcionale dhe të matur”. (rel)

Potencial terrori nga Ballkani Perëndimor

ballkaniSipas qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor vazhdon të ketë potencial rreziku nga skena islamiste. Më shumë udhëtime drejt Sirisë dhe Irakut ka nga fshatrat e Bosnjes me përqëndrim të salafizmit.

Qeveria federale nuk e përjashton “parimisht një potencial kërcënimi nga ana e dorasve të veçantë dhe grupimeve të veçuara prej skenës islamiste” në Bosnje-Hercegovinë.  Kjo del nga një përgjigje e qeverisë federale lidhur me kërkesën e paraqitur nga grupi parlamentar i partisë E Majta në Bundestag, që e disponon DW ekskluzivisht. Ka kontakte të veçuara mes islamistëve radikalë nga Ballkani me ata në Gjermani. Por Shërbimi Federal i Informacionit (BND) nuk ka të dhëna konkrete për rritjen e tendencave islamiste në Bosnje.

Në një artikull të gazetës Berliner Zeitung nëntorin e kaluar thuhej, se BND gjithnjë e më shumë po e fokuson vëmendjen tek vendet e Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Por mbetet vend për spekulime, sepse përgjigjet konkrete ndaj kërkesës së grupit parlamentar të së majtës mbahen sekret. Qeveria nuk donte të pozicionohej publikisht për pagesat e mundshme të shteteve të Gjirit persik ndaj vendeve të Ballkanit. E njëjta gjë vlen edhe për dërgimin e imamëve nga Arabia Saudite dhe Turqia për në Bosnje.

“Ndryshe nga BND-ja qeveria federale përpiqet ta minimizojë në opinionin publik rrezikun në rritje prej islamizmit”, mendon Sevim Dagdelen, eksperte për politikën e jashtme në grupin parlamentar të së majtës. Numri në rritje i islamistëve të gatshëm për dhunë në Ballkan ka pasoja të rënda ndaj sigurisë në Gjermani. “Po ashtu është e papranueshme, që qeveria vazhdon ta mbajë të fshehtë rolin e shteteve të Gjirit Persik,e në radhë të parë atë të Arabisë Saudite, por edhe të Turqisë”, thotë për DW Dagdelen.

Nuk jepet informacion për numrin e luftëtarëve

Qeveria i klasifikon si “posaçërisht të mbrojtura” të dhënat për numrin e terroristëve nga Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, që i janë bashkuar grupeve xhihadiste vitet e kaluara. Sipas njoftimeve në media nga këto dy vende baallkanike ka dalë numri më i madh i luftëtarëve të eksportuar islamistë.

Megjithatë qeveria jep një informacion: terroristët nga vendet e Ballkanit bashkohen jo vetëm me të ashtuquajturin Shteti Islamik dhe frontin e ish-Al Nusras. Rreth dhjetë përqind e islamistëve lufton në radhët e grupimeve të ndryshme të Ushtrisë së Lirë Siriane. Numri më i madh i udhëtimeve drejt Sirisë dhe Irakut është nga fshatrat e Bosnjes. Atje banorët orientohen në jetën e tyre religjoze dhe sociale nga “zakonet dhe traditat fundamentaliste”, konstaton qeveria gjermane.

Të forcohet islami liberal

“Ky është një devijim radikal prej islamit tradicional ballkanik”, analizon Vedran Dzihic, studiues në Institutin austriak për Politikën Ndërkombëtare. “Në Bosnje anëtarët e lëvizjes salafiste i sheh nëpër rrugë. Ata janë aktiv në fushën e kulturës dhe kanë xhami të bashkësive të tyre”, thotë ai në intervistë për DW. Eshtë e qartë, se salafistët në Ballkan me ndihmën e Arabisë Saudite dhe të vendeve të tjera po krijojnë një strukturë paralele, që është në kontrast me bashkësitë tradicionale të islamit ballkanik. E nevojshme është, thotë Dzihic, që të luftohet varfëria, t’u jepet një perspektivë në BE vendeve të Ballkanit Perëndimor, të forcohet interpretimi autokton liberal i islamit ballkanik dhe të vendoset një bashkëpunim më efikas me shërbimet sekrete. (dw)

Engel: Serbia të respektojë viktimat e së kaluarës

EngelLigjvënësi amerikan, Eliot Engel, reagoi ndaj njoftimeve se Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka hapur një zyrë të saj në vendin ku gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një kamp përqendrimi.

Veprimtarë të të drejtave të njeriut në Serbi thanë se zona e njohur si “Staro Sajmishte” në Beograd, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte kamp përqendrimi ku ishin vrarë hebrenj, serb dhe romë.

“Vendimi i partisë politike të presidentit Vuçiç, për të hapur një zyrë në zonën ku ishte një kamp përqendrimi, është i turpshëm, por i përshtatet një modeli shqetësues të mënyrës se si qeveria e tij e sheh drejtësinë për krimet e së kaluarës. Zona do të duhej të shndërrohej në një vend përkujtimor shumë kohë më parë, por është lënë pas dore. Viktimat e asaj periudhe të errët meritojnë që rrëfimet e tyre të tregohen dhe vuajtjet e tyre të kuptohen”.

Besohet se 10 mijë serb, 7 mijë hebrenj dhe të paktën 60 romë kanë vdekur ne atë kamp gjatë viteve 1941 dhe 1942. Kampi drejtohej nga nazistët gjermanë, por arrestimet e hebrenjve ishin kryer nga policia serbe.

“Në të njëjtën mënyrë, qeveria serbe nuk ka bërë as për së afërmi sa duhet për të ofruar drejtësi për viktimat e tragjedive të mëvonshme, përfshirë krimet e luftërave të viteve të 90-ta. Çka është më me rëndësi, qeveria e Vuçiçit, nuk i ka vënë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyçi, amerikanëve që u vranë nga policia serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ata nuk i kanë ndjekur as ata që vranë, transportuan në Serbi dhe i varrosën në varreza masive 941 qytetarë të Kosovës, siç dëshmohet nga Qendra për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd”, thekson ligjvënësi Engel.

Në reagimin e tij thuhet se “këto lloj krimesh lënë njolla të errëta në historitë e vendeve dhe kulturave. Shërimi dhe ecja përpara kërkon një njohje të sinqertë të asaj që ka ndodhur dhe drejtësi për viktimat. Ne presim që qeveritë të hapin rrugë, por përsëri, udhëheqësit e Serbisë kanë lënë pas dore këtë detyrim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet t’i kërkojnë Serbisë të njëjtat standarde si çdo vendi tjetër, duke kërkuar respekt për zonat e shenjta ku ndodhën krime të tilla të rënda dhe drejtësi për viktimat”, thekson zoti Engel. (voa)