Deskoska: Që nga shtatori, ne do të ulim numrin e orëve për shkollat fillore

Renata Ministre e arsimitMinistri i Arsimit Renata Deskoska njoftoi se nga shtatori numri i klasave në arsimin fillor do të ulen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nga klasa e parë deri në të tretë, numri i orëve do të kufizohet në 20, nga i katërta deri në të gjashtën në 25, ndërsa nga e shtata deri në të nëntën maksimum 30 orë në javë. Kjo gjithashtu do të ndryshojë planet e mësimeve dhe për këtë ne kemi udhëzuar Zyrën për Zhvillimin e Arsimit të punojë për këtë dhe sapo ligji të hyjë në fuqi të ofrohet një koncept i ri me orë të reduktuara, tha Deskoska në emisionin televiziv “Top Tema” në TV Telma.

Ajo theksoi se së bashku me uljen e fondit të orëve të mësimit për nxënësit, do të reduktohen edhe nevojat për zvogëlimin e fondit të orëve edhe për mësuesit nga 23 në 18 dhe askush nuk do të jetë pa punë. Ajo informoj se do të futet një lloj i arsimit të dyfishtë në arsimin e mesëm profesional, në të cilin siç tha se nuk duhet të trajtohet si një edukim që nuk të dërgon në fakultet.

Megjithatë, shkollat profesionale nuk marrin kuadër që është mjaft i kualifikuar për të qenë në gjendje të punësohen menjëherë pas mbarimit të shkollës. Prandaj, duke theksuar, ne do të formojmë një lloj arsimi të dyfishtë që do t’i lejojë nxënësit të kalojnë tre ose katër ditë në klasë dhe një ose dy ditë në kompani. /Telegrafi/

Parashikimet shkencore për foshnjet e së ardhmes

foshnjaE ardhmja e të qenit prind mund të shohë një ndryshim të madh, pasi shkencëtarët dhe ekspertët e etikës kanë një parashikim befasues për mënyrën se si do të krijohen fëmijët në të ardhmen. Falë përparimeve në biomjekësi, prindërit mund të jenë në gjendje të zgjedhin një fëmijë nga qindra embrione, bazuar në profilin e tyre të ADN-së.

Një numër në rritje i shtatzanive fillojnë në një dhomë, ku laborantët kombinojnë vezët dhe spermën në një epruvetë për të krijuar një embrion.

“Rreth 10 për qind e grave në moshën riprodhuese në Shtetet e Bashkuara kanë vështirësi të mbeten shtatzënë apo të mbajnë një fëmijë për 9 muaj dhe ne nuk e kuptojmë arsyen pse kjo ndodh”, thotë Amanda Clark në qendrën kërkimore të qelizave embrionale në universitetin Los Anxhelos në Kaliforni.

Me rritjen e infertilitetit në mbarë globin, hulumtuesit si Amanda Clark po eksplorojnë fronte të reja në teknologjinë riprodhuese.

Shkencëtarja në Universitetin e Los Anxhelosit në Kaliforni dhe ekipi i saj – po punojnë për të kthyer mostrat e lëkurës të njeriut në vezë, të cilat do të fertilizoheshin nga spermatozoidi. Procesi, i quajtur gametogjenezë ose IVG, deri tani ka funksionuar vetëm tek minjtë.

“Nëse vërtetohet se teknologjia është e padëmshme dhe efektive, mendoj se duhet të lejohet zbatimi i saj në disa raste kur çiftet kanë probleme infertiliteti,” thotë shkencëtarja Amander Clark.

Metoda jo vetëm që do të zgjidhë infertilitetin, por ofron një procedurë më pak ndërhyrëse për gratë sesa procedura për fertilizimin e vezëve.

“Ata do të shkojnë në klinikë, ku burri do të japë spermë dhe gruaja në vend të vezëve do të japë një mostër të lëkurës. Qelizat në lëkurën e saj do të shndërrohen në vezë që më pas do të kombinohen me spermën për të krijuar një embrion”, shpjegon Henry Greely, ekspert i etikës në biomjekësi.Kjo do të thotë se në teori, prindërit mund të zgjedhin embrionin bazuar në analizat gjenetike. Por jo të gjithë presin që prindërit të përdorin këtë procedurë.

“Këtu në Kaliforni ku ka disa njerëz që duan të kenë një fëmijë me sa më pak probleme të jetë e mundur, ka shumë njerëz në këtë shtet, dhe në fakt ata përbëjnë shumicën, që do të thoshin se zgjedhja është në duart e Zotit”, thotë Louanne Hudgins.Por edhe para se hulumtuesit të shqyrtojnë shqetësimet e sigurisë në lidhje me testimin e procedurës IVG tek njerëzit, potenciali i saj po nxit një debat rreth etikës së prindërve që zgjedhin pasardhësit e tyre. (voa)

Patriarku rus, Kirill, viziton Tiranën

Patriarku rus KirilliNë Shqipëri, autoritetet më të lartë të vendit pritën sot në takime të veçanta, Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirillin, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë, që prej së shtunës pasdite.

Presidenti Ilir Meta, i cili mbrëmë shtroi dhe një darkë zyrtare në nder të Patriarkut Kirill, tha sot gjatë takimit me të se vizita në Shqipëri përcjell mesazhe në dobi të paqes, së mirëkuptimit, solidaritetit dhe harmonisë fetare, duke theksuar se “roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm për paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë midis popujve dhe kombeve”.
Patriarku Kirill vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme në Shqipëri dhe punën e bërë nga klerikët shqiptarë në këtë drejtim. Ai gjithashtu vuri në dukje dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi, gjë të cilën e theksoi dhe në takimin që pati me kryeministrin Edi Rama.

Ky i fundit shprehur kënaqësinë që kjo vizitë përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare, ndërsa shtoi se Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës.

Patriarku Kirill ka qenë dhe më herët, në vitin 2003 në Shqipëri, por kjo është vizita e parë e Primatit të Kishës Orthodokse ruse. Ai mbërriti në Tiranë me ftesë të Kishës Orthodhokse Autoqefale. Të dielën së bashku me Kryepiskopin Anastas drejtuan meshën në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”. (voa)

Kosovë: Kushtetuesja konstaton se nuk kishte shkelje në ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi

Gjykata kushtetueseGjykata Kushtetuese në Kosovë tha të hënën se ligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi është miratuar në pajtim me kushtetutën e vendit dhe refuzoi kërkesën e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje për të vlerësuar marrëveshjen ndërkombëtare për Shënimin e Kufirit Shtetëror.

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, që ishin kundërshtarët kryesor të marrëveshjes, dorëzuan më 29 mars në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shqyrtimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Sipas tyre shkelja më e rëndë është shkelja e sovranitetit dhe tërësisë tokësore territorial të Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “gjykata konstatoi njëzëri se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe kësisoj jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”,thuhet në njoftimin e gjykatës Kushtetuese.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi u miratua me 21 mars. Seanca e ratifikimit qe ndërprerë katër herë me radhë pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e marrëveshjes. Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet t’i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ndërsa ishte edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane. (voa)

Automatizimi do të zhdukë 10 mln vende pune brenda 15 vitesh

AutomatiyimiNga John Harris (The Guardian) – Shumë njerëz mund të mos kenë dëgjuar aspak mbi firmën e shitjes me pakicë “Shop Direct”. Rrënjët e saj vijnë prej shumë larg, nga koha e blerjeve me katalog, e prej dy gjigantëve të asaj epoke, “Littlewoods” dhe “Great Universal Stores”.

Tashmë ajo është kompania mëmë pas firmës “online” të modës, “Very”, si dhe krijesës “Littlewoods.com”. Kaq informacion mund të duket si i parrezikshëm, por në dy zona të metropolit Greater Manchester në Britani, “Shop Direct” sapo është bërë i njohur.

Deri më tani, ajo që gjuha e përditshme korporative e quan si “shërbim i plotësuar”, me fjalë të tjera paketimi i prenotimeve për te njerëzit dhe kthimet, është trajtuar nga 3 vendndodhje të “Shop Direct”, në Chadderton dhe Shaw pranë Oldhamit, e në Little Hulton, rreth 4.8 km në jug të Boltonit.

Por, kompania planifikon tashmë t’ia transferojë këto detyra një “qendre shpërndarjeje dhe grumbullimi” prej mbi 46 mijë metrash katrorë, e gjitha e automatizuar, që ndodhet në një park në lindje të Midlands.

Periudha e konsultimeve të detyrueshme nis të martën dhe sindikata e shitësve “USDAW” apo politikanët lokalë janë thirrur nën armë. Nëse ky transferim kompletohet do të sjellë humbjen e plot 1.177 vendeve të punës me kohë të plotë, e sigurisht edhe 815 role administrative që kryhen aktualisht nga punonjës të agjencisë. Në vendin e ri do të ketë vende të lira pune për vetëm 500 persona.

Në një kohë kur shifrat e ulëta të papunësisë duket se “verbojnë” njerëzit përballë brishtësisë dhe pasigurisë së kaq shumë punëve, e gjithë historia duket si një flakë kashte mes erës së fuqishme; ndoshta shembulli më i shëmtuar që kemi parë deri më sot i epokës së automatizimit, si dhe shembull i shqetësimeve dhe dhimbjeve që ai kërcënon të sjellë.

Sa herë në një sistem kontrolli vetëshërbimi lëshon tingujt e alarmit për të sinjalizuar shprehjen e nënkuptuar se “një send i pakontrolluar ndodhet në shportë”, është edhe një tregues për të ardhmen. Ashtu sikurse edhe përkeqësimi i një sektori prodhimi, ku prodhuesit tentojnë të shfrytëzojnë mjediset me kosto të ulët jashtë vendit.

Por, pjesa më e madhe e valës së automatizimit në shitjet me pakicë dhe të ashtuquajturën logjistikë është e fshehur në qendrat gjithnjë e më të mëdha të shpërndarjes, sikurse edhe te departamentet e kërkim-zhvillimit të gjigantëve “online”.

Në mënyrë të paevitueshme, askush nga të punësuarit në këto kompani nuk ndihet i rehatshëm të flasë mbi një rënie të pashmangshme të të punësuarve humanë nëpër sektorët ku ata operojnë, por rritja e përshpejtuar e firmave individuale – ilustruar më së miri nga “Amazon” që punëson tashmë 500 mijë njerëz anembanë botës, nga 20 mijë që kishte një dekadë më parë, – u jep atyre disi shpresë.

Megjithatë, dëshmitë janë të qarta: shitblerja dhe trajtimi i produkteve po bëhet një punë gjithnjë e më pak intensive.

“Shitja me pakicë është një industri ku punësimi pritet të zhduket, sikurse ka ndodhur në prodhim, miniera dhe agrikulturë”, thotë Carl Benedikt Frey, specialist i automatizimit në “Oxford Martin School”. Në vitin 2017, një raport gjithëpërfshirës me Freyn bashkautor tregoi se 80 për qind e punëve në “transport, magazinim dhe logjistik” janë tepër të ndjeshëm tashmë ndaj automatizimit.

Në të dyja këto fusha të ndërlidhura, zëvendësimi i punës njerëzore nga teknologjia udhëhiqet nga e ashtuquajtura tregti “online”, që e zhvendos shitjen me pakicë nga qytetet dhe qendrat e qyteteve, drejt hapësirave të mëdha ku makineritë mund të kujdesen për magazinim dhe paketim. Në Britaninë e Madhe veçanërisht, zakonet e blerjeve po zhvendosen ndjeshëm në këtë drejtim.

Shkalla se, sa të pambrojtura bëhen punë të tilla është e qartë: pjesa e të punësuarve britanikë në këto kulla të shitjes me shumicë e pakicë krahasuar me atë të të gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë, përbën rreth 15% të të punësuarve përkundrejt 7.5 për qind të atyre në sektorin e prodhimit.

E duke folur për ekonominë në tërësi, një raport i vitit të kaluar nga “PricewaterhouseCoopers” sinjalizonte se më shumë se 10 milionë të punësuar do të rrezikohen së tepërmi nga automatizimi përgjatë 15 viteve të ardhshme.

Teknologjia, e cila dikur konsiderohej si e shtrenjtë dhe ekzotike, tashmë është bërë pjesë e së përditshmes. Anembanë botës, “Amazon” përdor tashmë rreth 100 mijë mjete të telekomanduara transporti për të lëvizur produktet në qendrat e tij të shpërndarjes. Magazina e re në “kampusin” John Lewis, pranë Milton Keynes përshkruhet tashmë si një “sallë e shkretë pa thashetheme e gumëzhima”. Aty janë të punësuar plot 860 robotë, duke e mbajtur elementin njerëzor në zhvendosjen e produkteve në një minimum absolut.

Vitin e kaluar, “Credit Suisse” shqyrtoi patentat e dorëzuara nga rrjeti “online” i supermarketeve “Ocado” dhe doli në përfundimin se kompania, e cila po punon ndër të tjera edhe me automjetet e transportit pa drejtues, po shkonte drejt një “të ardhmeje të automatizuar”, në të cilën gjysma e stafit të saj do të shkurtohej brenda një dekade.

Thënë këtë, le të kalojmë te pjesë realisht më tmerruese. Duke pasur parasysh se kompania do të përqëndrohet në mënyrë disproporcionale te pagat më të ulëta, te të punësuarit me aftësi minimale, kjo valë automatizimi kërcënon në mënyrë të paevitueshme të përkeqësojë pabarazinë.

Në shumë pjesë të Britanisë, ndërsa punësimi në industrinë e rëndë ka pësuar rënie, është vënë re një shtim i qendrave të mëdha të shitjes me pakicë dhe shpërndarjes. Në disa zona, si Uellsi jugor apo jugu i Yorkshire, rezultati ka kapur nivelet e surrealizmit, një ekonomi qarkulluese në të cilën njerëzit punojnë për bizneset e mëdha të shitjes me pakicë dhe paratë e fituara i shpenzojnë në biznese më të vogla të shitjes me pakicë.

Lind pyetja, çfarë do të ndodhë më tej? Nëse do të donim të shmangnim më të keqen, plane radikale nevojiten urgjentisht. Pasiguria që sjell automatizimi do të kërkojë shumë shpejt zëvendësimin gjithëpërfshirës të sistemit të përfitimeve që thuajse nuk bën asgjë për të inkurajuar njerëzit të tentojnë fitimin e aftësive të reja, e të punojnë nga halli si për t’i treguar të papunëve sesa e pasigurtë është puna e tyre.

Në shumë zona, ngërçi i tregut të punës do ta bëjë çështjen e besueshmërisë dhe strehimit të sigurtë, në mos çështje mbijetese, edhe më urgjente. Në shkolla dhe institucionet më të larta të edukimit, sistemi do të duhet të nxjerrë sa më shumë njerëz të mundet përtej aspekteve më të ndjeshme të ekonomisë, e të shumëfishojë numrin e të arsimuarve me aftësi të larta për të punuar në nivele të larta, gjë që duke pasur parasysh gjendjen e tmerrshme aktuale të mësimdhënies mbi teknologjinë dhe shkencat kompjuterike, duket si një kërkesë tejet e lartë.

Nga politika, duket se nuk ka asnjë interesim serioz mbi një axhendë të këtij lloji. Një nga shumë tragjeditë e masave shtrënguese të konservatorëve është se ata sulmuan mundësitë e çdo përgjigjeje kuptimplotë ndaj automatizimit, pikërisht teksa realiteti i këtij bëhet gjithnjë e më i qartë; e konservatorët duken ende të përgjumur, ose të lidhur me zinxhirë ndaj një mosndërhyrjeje “thaçeriane” (Thatcherism) që nuk ofron asgjë përtej këmbënguljes së zakonshme që tregut nuk duhet t’i kundërvihesh.

Me pak fjalë, pa ndërhyrjen e politikës, revolucioni teknologjik pritet të përkeqësojë edhe më tej pabarazitë rajonale. Gjithsesi, ekzistojnë sinjale se të tilla gjëra janë futur tashmë në radarët e politikanëve të lartë laburistë, siç pranoi edhe Jeremy Corbyn vitin e kaluar se, “automatizimi do t’i bëjë të tepërta shumë prej punëve bashkëkohore”.

Por, përtej fjalimeve ëndërrimtare të “vendosjes së pronësisë dhe kontrollit të robotëve në duart e atyre që punojnë me ta” dhe planeve të lavdërueshme për një shërbim arsimor kombëtar, shumë pak gjëra të prekshme janë bërë mbi këtë çështje, ndoshta sepse debati mbi automatizimin mbërthehet shpesh nga idealizmat e një të ardhmeje “post kapitaliste” të papunësisë vullnetare.

Çfarë kanë për të thënë të majtët mbi punonjësit e “Shop Direct” në Shaw, Chadderton dhe Little Hulton? Si do ta zbusin frikën e mijëra njerëzve të tjerë që pritet të përballen me eksperienca të ngjashme?

Ose e marrë në aspekt tjetër, nëse e ardhmja është tashmë e pranishme, çfarë pritet të ndodhë?

Top Channel

Donald Tusk: Konfliktet dhe urrejtja mund të ndizen lehtë

TuskPër shkak të populizmit në rritje Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk flet në bisedë me DW rreth konflikteve dhe urrejtjes dhe kërkon më tepër respekt dhe tolerancë.

DW: Pak ditë më parë keni vizituar vendet e Ballkanit Perëndimor. Me ç’përshtypje po ktheheni?

Donald Tusk: Jam shumë i impresionuar nga ato që kam dëgjuar nga kryeministrat, presidentët, por edhe qytetarët e zakonshëm në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Kujtimet e konflikteve, dhe pasiguria, janë ende shumë të pranishme. Unë sjell me vete këtë amanet: ne duhet ta kemi gjithmonë parasysh se konfliktet dhe urrejtjet mes njerëzve – në rastim më të shpeshtë pas asnjë lloj arsyeje – mund të ngjallen shumë lehtë. Nxitja e një atmosfere të mirë dhe e pajtimit, veçanërisht në një rajon që ka vuajtuar kaq shumë si Ballkani Perëndimor, kërkon jashtëzakonisht shumë vullnet të mirë dhe këmbëngulje. Unë do ta kërkoj një gjë të tillë tek të gjithë.

DW: Gjatë ceremonisë për dorëzimin e çmimit Karl në Aachen, ju keni thatëqë herë pas here ju bie të takoheni me “somnambulë politikë”, të cilët, ashtu si 100 vjet më parë, kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, janë gati të nxisin konflikte politike. Aktualisht në shumë vende kemi të bëjmë me valën e populizmit. Çfarë duhet bërë për t’iu kundërvënë kësaj?

Donald Tusk: Para së gjithash, ne nuk duhet të vëmë në dyshim ato për të cilat ne polakët ëndërronim në Dancig në gusht të vitit 1980. Në atë kohë njerëzit u angazhuan me guxim dhe vazhdimësi për liri, respekt të ndërsjellë, tolerancë, dinjitetin e punës. Kjo nuk ka ndryshuar. Por duhet të jemi të vetëdijshëm, se e mira mund të zhbëhet shumë shpejt. Po edhe e keqja është e kapërcueshme dhe kjo duhet t’u japë njerëzve besimin për mundësitë e tyre.

DW: Ju keni thënë gjithashtu se posti i Presidentit të Këshillit Evropian nuk është “destinacioni juaj përfundimtar”. A nuk është ky kulmi i karrierës suaj politike?

Donald Tusk: Kur thashë se Brukseli nuk është “destinacioni im i fundit”, e kisha fjalën vetëm se nuk dua të vdes në Bruksel. Vendi im është diku tjetër – në Gdansk, Sopot, me nipërit e mbesat. Sa i përket karrierës sime të ardhshme, ende kam shumë për të bërë.

 

*Donald Tusk (lindur 1957 në Dancig), politikan polak, që prej vitit 2014 Presidenti i Këshillit Evropian, 2007-2014 kryeministër i Polonisë.

“SHBA e shqetësuar me penetrimin rus dhe turk në Balkan”

BushatiDebat i ashpër në Columbia për Shqipërinë, rolin e Rusisë dhe Turqisë, problemet e Tiranës zyrtare…

Amerika nuk ka aleat më të mirë se Shqipëria dhe amerikanët nuk kanë miq më të mirë se shqiptarët,” thotë profesor David L. Phillips. Ky është thelbi i një takimi të mbajtur këto ditë në Universitetin Columbia, ku ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati foli për sfidat e Ballkanit Perëndimor. Sfida që prekin marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA. Penetrimi rus dhe penetrimi turk me ngjyrim islamik në Ballkan, janë shqetësimet aktuale të SHBA për këtë rajon, të cilin prof Phillips e quan “rajon të komplikuar me marrëdhënie të komplikuara”. Rajon që ai e njeh mirë, sepse ka gati 30 vjet që punon me të. Po ai njeh mirë dhe Shqipërinë ku ka qenë me delegacionin e parë amerikan të nivelit të lartë që vizitoi vendin pas hapjes, së bashku me James Baker.

Rusia në Shqipëri

Shqetësim ka SHBA për rritjen e penetrimit rus në Ballkanin Perëndimor, dhe atë që sipas New York Times, e ka kthyer rajonin në fushëbeteje që të kujton Luftën e Ftohtë, ku rusët kanë akses në infrastrukturë dhe jetën publike. Rusia është shumë prezente në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Serbi. Influenca ruse është e fortë në elitat politike, në biznes dhe në media. “Ne, si Shqipëri e kemi konsideruar veten të jemi imunë ndaj Rusisë. Duhet të them se vitet e fundit Rusia ka tentuar të penetrojë në jetën publike, për shembull në media,” thotë ministri Bushati.

Turqia në Ballkan

David PhillipsProf. Phillips, pyet nga vijnë financimet për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë. “Nga përvoja ime me Shqipërinë, nacionalizmi aty ka pasur vlera më të mëdha se sa islamizmi. A kanë zëvendësuar këto vlera njëra tjetrën?”, është pyetja që ai i drejton ministrit shqiptar, i cili e mbron kështu ndërtimin e xhamisë: “Xhamia është ndërtuar, nuk e di pse kjo duhet debatuar. Për një kohë të gjatë komuniteti mysliman në Tiranë nuk ka pasur xhami dhe klerikët shkonin në shkollat publike.” Ministri konfirmon marrëdhëniet e mira me Turqinë por shton “kjo nuk na ka penguar që të jemi vigjilentë për çështje të politikave ndërkombëtare. Në disa raste ne kemi qenë në drejtim tjetër nga Turqia.” Jo, thotë Prof. Phillips. “Kur Parlamenti Evropian ka mbajtur qëndrim ndaj Turqisë, ju keni mbajtur anën e Turqisë.”

Edhe nga publiku bëhen pyetje për investimet turke në rajon. Gazetarja nga Kosova, Jeta Xharra ndodhet në publik dhe shfrytëson rastin për të treguar qëndrimin e saj, që nuk përputhet me atë të ministrit shqiptar. Gazetarja thotë se në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, Turqia e Erdoganit ka axhendë islamike. Gra dhe burra shqiptarë i janë bashkuar ISIS.

“Nuk ka politika për preferenca ndaj investimeve turke në Shqipëri. Turqia është vendi i pestë për investimet në Shqipëri. Shqiptarët po japin kontribut të madh në luftën kundër terrorizmit,” mbrohet ministri Bushati.

Një përfaqësuese e diasporës ka qëndrim më radikal kur thotë për politikën shqiptare: “Ju bëni biznes me Turqinë, flini me Serbinë dhe flirtoni me Rusinë”.

Prof. David Phillips këshillon krijimin e një akademije ku të jepen mësime për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ku Universiteti Columbia mund të ndihmojë me kontributin e vet.

Greqia dhe Shqipëria

Të gjithë këto i dëgjon me vëmendje ambasadorja greke pranë OKB, Maria Theofili. Ajo është e para që e merr fjalën nga publiku për të dhënë një mesazh nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias. “Greqia mbështetet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Secili nga vendet është një rast më vete. Me Shqipërinë, Greqia do i zgjidhë problemet ne një paketë më vete.”

“Dërgoji të fala ministrit, dhe thuaji aty ku ndodhet në Vjenë, që në bisedimet që janë duke u zhvilluar të gjejë një zgjidhje para takimit të ministrave të Nato-s, që pritet të mbahet në korrik,” thotë prof. Phillips i cili nuk e përmend emrin e Maqedonisë, por të gjithë e dinë për çfarë bëhet fjalë.

Paketa si zgjidhje për Shqipërinë përmban me siguri ligjin e luftës, i cili është ende në fuqi midis Greqisë dhe Shqipërisë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe Greqia nuk pranon ta shfuqizojë. Por jo vetëm kaq. Nga publiku ngrihet pyetja për atë që quhet “Çështja Çame”. Një përfaqësues i Oganizatës shqiptaro-amerikane “Çamëria”, pyet a është Çamëria temë e bisedimeve që Shqipëria zhvillon aktualisht me Greqinë dhe kërkon më shumë transparencë për këtë çështje, sepse informacionet nga politikanët e të dy vendeve janë të ndryshme.

Bushati nuk e përmendi Kosovën

Ministri Bushati thotë në tavolinën e bisedimeve flitet për çështje të së kaluarës, por edhe të jetës së përditshme të qytetarëve. Edhe këtu Prof. Phillips ofron ndihmën e shoqatës për dialogun historik të drejtuar prej tij. Ministri Bushati nuk e përmendi Kosovën më vete në pikat për të cilat foli. Ka disa kohë që Shqipëria nuk ka më nevojë të luajë rolin e avokatit mbrojtës për Kosovën. Kosova ka aktualisht avokatë mbrojtës më të mirë se Shqipëria. “Shqipëria mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura me vendet fqinjë, dhe liberalizimin e vizave”, tha sidoqoftë ministri Bushati. (dw)

Udhëheqësit e dy Koreve – në takim historik

Presidentet e KoreveDy Koretë janë pajtuar që të çlirojnë gadishullin e tyre nga armët bërthamore, por nuk kanë ofruar asnjë hollësi për masat e që do të merren për të përmbushur këtë synim.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të së premtes të dy udhëheqësve, konfirmon synimin e tyre për të siguruar “gadishullin korean të lirë nga armët bërthamore”.

Në takimin e parë, në më shumë se një dekadë, të dyja palët thanë se do të kërkojnë një marrëveshje për të vendosur paqen e përhershme dhe të qëndrueshme në gadishull.

Bisedimet ndërmjet udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ishin “serioze dhe miqësore” thanë zyrtarët e Koresë së Jugut.

Jugu citoi udhëheqësin e Koresë së Veriut të ketë thënë se “ne duhet ta vlerësojmë këtë mundësi në mënyrë që plagët midis Jugut dhe Veriut të shërohen”.

Më herët të premten, Kim shprehu interesimin për të vizituar Korenë e Jugut dhe rezidencën presidenciale, Blue House.

Të dy udhëheqësit patën një shtrëngim të ngrohtë duarsh në vijën kufitare që ndanë të dyja vendet, para se të fillonin takimin.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kaloi pastaj kufirin me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

“Jam i lumtur t’ju takojë”, tha presidenti Moon.

Pastaj Kim e ftoi presidentin Moon të kalojë shkurt në veri para se të ktheheshin në anën jugore.

Kjo është hera e parë që një anëtar i dinastisë Kim, ka shkelur në jug që nga fundi i luftës së Koresë në vitin 1953.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të enjten vonë, pak pasi dy udhëheqësit i shtrënguan duart.

“Ne shpresojmë që bisedimet do të arrijnë përparim drejt një të ardhmeje paqësore dhe përparimi për tërë gadishullin Korean. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë me aleatin tonë, Republikën e Koresë dhe shpresojmë që diskutimet e vazhdueshme të jenë në funksion të përgatitjeve për takimin e planifikuar midis Presidentit Donald Trump dhe Kim Jong Un, në javët e ardhshme”.

Kim dhe presidenti Trump, pritet të takohen në maj apo në qershor. (voa)

Friedman: Artikulli i “Mother Jones”, i bazuar në fakte

FriedmanLidhja Socialiste për Integrim reagoi të mërkurën rreth shkrimit të revistës Mother Jones, duke e quajtur atë “manipulim, mashtrim, pa fakte dhe të shtrembëruar.” Lidhur me deklaratat e LSI-së, Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës mori reagimet e njërit prej autorëve të shkrimit të revistës Mother Jones, Dan Friedman:

Zëri i Amerikës: Zoti Friedman, zyra e shtypit e LSI-së e quan artikullin tuaj në Mother Jones një manipulim, mashtrim dhe të pa bazuar në fakte. Cila është përgjigjja juaj?

Dan Friedman: Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra provat janë dhe nuk ka mashtrim. LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën ne se po sajojmë gjëra të paqena.

Zëri i Amerikës: Si arrini ju në përfundimin se kontrata e Grupit McKeon e nënshkruar më 24 mars 2017 me firmën fantazmë Dorelita është në thelb një kontratë me LSI-në, kur ju bazoheni në një burim që nuk e identifikoni? Cili është ky burim?

Dan Friedman: Nuk mund ta identifikoj burimin përveç asaj që thuhet në artikull, por bëhet fjalë për një person që ka dijeni për këtë kontratë dhe hollësitë e saj si dhe mbi përpjekjet lobiste të zhvilluara në këtë rast. Së dyti, artikulli nuk mbështetet vetëm në këtë burim. Ne raportojmë gjithashtu se zyra e senatorit Mike Lee ka deklaruar se fjala ishte për një takim me politikanë shqiptarë dhe nuk kishte të bënte me firmën Dorelita, e cila qëndronte prapa lobimit. Vetë LSI-ja vë në dukje se zoti Tavo ka qenë në SHBA në këtë kohë dhe me sa duket ka qenë i pranishëm në takime. Do të doja të dija se përse ndodhej ai në SHBA.

Zëri i Amerikës: LSI-ja e akuzon revistën tuaj se paguhet nga Kryeministri Edi Rama, me paratë e tij të drogës dhe të krimit të organizuar, siç shprehet ajo. A keni komunikuar ju me partinë socialiste të zotit Rama ose me ndihmësin e tij Endri Fuga, siç thuhet në reagimin e LSI-së?

Dan Friedman: Jo. Nuk kemi komunikuar me Partinë Socialiste. Kur ne po përgatisnim një artikull të mëparshëm në lidhje me Shqipërinë, ne i dërguam pyetje Partisë Socialiste por nuk morëm përgjigje prej tyre, pra nuk kemi patur komunikime me ta. Ajo që thotë LSI-ja është krejtësisht e rreme. Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?

Zëri i Amerikës: A keni qenë ju në kontakt me grupin lobues të zotit Rama këtu në Shtetet e Bashkuara?

Dan Friedman: Jo. Por për artikullin e mëparshëm unë kërkova kontakt me këtë grup që quhet Ballard Partners. Ata kanë një ish-kongresmen me emrin Robert Wexler. Unë u përpoqa të flas me të për shkrimin tonë të mëparshëm, por ai refuzoi të fliste. Po kështu u përpoqa të flisja edhe për këtë artikull. Pra, ne nuk kemi patur kontakte as me Partinë Socialiste dhe as me përfaqësuesit e tyre këtu në SHBA.

Zëri i Amerikës: Arësyeja që pyes është se ky është shkrimi i dytë hulumtues që ndërmer revista juaj për parti politike shqiptare. Por si shpjegohet që në radarin tuaj dalin dy herë parti politike shqiptare që i përkasin opozitës së sotme?

Dan Friedman: Ne kemi përmendur në artikujt tanë se Partia Socialiste përdor grupin Ballard Partners. Ne nuk jemi përqendruar tek ata, sepse nuk kemi dijeni që dikush të ketë përdorur kompani fantazmë për të paguar Ballard Partners. Ajo që ne hulumtojmë është përdorimi i firmave fantazmë në parajsa fiskale që nuk kanë funksione biznesi, për të financuar lobimin në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të kisha dijeni se socialistët e kanë bërë këtë, unë mezi do të prisja për të shkruar rreth kësaj. Pra ne nuk shkruajmë rreth ekzistencës së përpjekjeve lobiste që paguhen nga partitë politike. Ne hulumtojmë rreth përdorimit të kompanive fantazmë për këtë qëllim si dhe rreth mungesës së transparencës.

Zëri i Amerikës: Nëse keni dijeni, a ka ndonjë hetim këtu në SHBA lidhur me lobistin Nick Muzin tek i cili u përqendruat në artikullin e mëparshëm të Mother Jones?

Dan Friedman: Nuk jam në dijeni për ndonjë hetim, por kjo funksionon kështu: zyra përkatëse në Departamentin e Drejtësisë mund t’i dërgojë atij një letër nëse ata mendojnë se deklarimet e tij janë të pamjaftueshme. Por një letër e tillë do të ishte private dhe ne nuk do të kishim akses. Ne i kemi pyetur dhe ata nuk kanë thënë nëse ekziston një letër e tillë, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.

Sfidat në rrugën e integrimit Euroatlantik të Maqedonisë

nato mkPër Maqedoninë ka një dritë në fund të tunelit në rrugën e saj drejt integrimit Euroalantik, sipas diplomatëve perëndimorë dhe ekspertëve vendas e të huaj. Në një konferencë të organizuar nga Instituti për Hulumtime Gjeostrategjike në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshal”, folësit vunë në dukje domosdosmërinë e zbatimit të reformave dhe dialogun e brendshëm politik që do t’i kontribuonte stabilitetit të përgjithshëm të vendit.

Sekretari Shtetëror në ministrinë e jashtme, Viktor Dimovski tha se Maqedonia e shikon vendin e saj në të ardhmen brenda Natos dhe Bashkimit Evropian si partnere dhe aleate e barabartë në ruajtjen e paqes dhe si pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e një bote më të mirë për të gjithë.

Bashkërenduesi kombëtar maqedonas për në NATO, Stevo Pendarovski vlerëson se “një Evropë politike do të funksinojë shumë më mirë nëse skajet e Evropës gjeografike janë të pacifizuara dhe jo të pasivizuara”, siç shprehet. Pendarovski shton se lënia e këtyre vendeve jashta Bashkimit Evropian mund të prodhojë destabilitet edhe jashta kufijve të tyre, ndërkohë që thekson se alternativa më e mirë për të gjithë është integrimi i Ballkanit perëndimor në strukturat Euroatlantike.

Shefi i zyrës së Natos në Shkup, kapiteni i forcave detare Gorazd Bartol thotë se Natoja po ndryshon dhe po u përshtatet sfidave të reja duke u angazhuar në mbrojtjen kolektive në Evropë dhe njëkohësisht duke iu përgjigjur çështjeve të projektimit të qëndrueshmërisë dhe luftën kundër terrorizmit përtej kufijve të Aleancës.

Ambasadori gjerman Thomas Norbert Gerberich thotë se është me rëndësi të jashtëzakonshme zbatimi i reformave me angazhimin e qytetarëve të Maqedonisë:

“E gjithë shoqëria, thotë ai, duket të angazhohet në procesin e reformave ndërsa ato të mbështeten mbi ekspertizën dhe interesin legjitim dhe jo mbi bazë të përkatësive politike”.

Ai vë në dukje domosdoshmërinë për një dialog konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës “që do të ishte përtej të gjitha dallimeve politike për funksionimin e përshtatshëm të demokracisë parlamentare”.

Kolegu i tij francez, Kristian Timonie nënvizon nevojën e gjetjes së një kompromisi më të shpejtë për problemin e emrit të Maqedonisë.

Folësit në panel pajtohen me vlerësimet dhe raportet se Maqedonia ka shënuar përparime drejt strukturave Euro-atlantike dhe se ajo është shumë pranë anëtarësimit në Aleancën veriatlantike.

Autoritetet në Shkup shpresojnë se deri në qershor të gjindet një zgjidhje me Greqinë fqinje lidhur me çështjen e emrit për ta kapërcyer këtë kusht kryesor dhe për t’u bërë shumë shpejtë anëtarja e 30 e NATO-s. (voa)