Bisedimet për Detin me Greqinë, mbyllet raundi i tretë

bisedimet deti

Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi sot për zhvillimin e raundit të dytë të bisedimeve për përcaktimin e zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Takimi mes grupeve të negociatorëve është përmbyllur dje në kryeqytetin grek. Ashtu si dhe në njoftimet për takimet e mëparshme, edhe këtë herë përmbajtja rreth takimit është e shkurtër duke u mjaftuar me faktin se “takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një klimë pozitive, miqësore dhe bashkëpunuese”, ndërsa shtohet se “grupet negociatore do të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe në interes të të dyja palëve”.

Zhvillimi i raundit të tretë ishte njoftuar pak ditë më parë nga ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati sipas të cilit bisedimet me Greqinë për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë janë në një pikë ku ekzistojnë të gjithë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. “Nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë me e gjerë se kjo marrëveshje”, deklaroi ministri Bushati cili nuk dha ndonjë afat për përmbylljen e bisedimeve, duke theksuar se “që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe një marrëveshjeje të zbatueshme”.

Bisedimet zyrtare mes palëve nisën në fund të muajit prill, pas një procesi të gjatë mes Presidencës së Republikës dhe Ministrisë së Jashtme, për marrjen e autorizimit nga kreu i Shtetit. Marrëveshja e mëparshme e vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2010, për shkak se u gjet në shkelje të kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i nisur që vjeshtën e kaluar duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella.

Wadephul: Qendrat për refugjatët në Shqipëri-ofertë pozitive

CDUCDU i thotë Po Shqipërisë për negociatat, megjithatë pas kësaj vjen por, thotë deputeti i CDU-së, Johann Wadephul në intervistë për DW. Ai e sheh pozitive ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.

DW: Kemi një situatë të vështirë tani për Bashkimin Europian. Në këtë kontekst diskutohet edhe për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE. Pse është relevante Shqipëria?

Johann Wadephul: Shqipëria ka rëndësi dhe as më pak e as më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat Gjermania ndjehet shumë e lidhur. Deklatat e Selanikut ne i kemi parë seriozisht dhe jemi të bindur se këto vende janë pjesë bërthamë e Europës dhe se ne edhe premtimet që kemi bërë nga ana europiane duhet t’i mbajmë, edhe sepse konfliktet brenda jugosllave siç i kemi parë në vitet 90-të mund të rindizen në çdo kohë, e një proces i integrimit dhe anëtarësimit, siç ka ndodhur pjesërisht, pikërisht këto i çtensionon, prandaj kemi edhe një motivim të dyfishtë që të tregohet kujdes për këto vende.

Rekomandimi  i grupeve parlamentare, CDU/CSU është formuluar me një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave duke përcaktuar qartë edhe hapat e mëtejshëm, si e komentoni ju?

Kemi nevojë për një vendim të Bundestagut. Këtë ne e kemi përgatitur prej vitesh dhe me shumë kujdes, ashtu si edhe për Serbinë. Në rastin e të dy vendeve, Bundestagu merr një vendim dhe qeveria gjermane që ka kontakt të ngushtë me të gjitha grupet parlamentare ka kërkuar të dijë se çfarë është e rëndësishme për ne. E rëndësishme për ne është që të themi Po, por edhe…Pra po, duhet të fillohet me bisedimet për negociatat, por…

Cilat janë këto „por”…

Ne kemi nevojë për një orientim më të qartë ndaj vlerave europiane në disa fusha, marrëveshja e koalicionit e thotë qartë, se kriteret duhet të plotësohen edhe në fillimin e negociatave, jo vetëm në anëtarësim. Kjo nënkupton një luftë më të ashpër kundër korrupsionit se deri më tani, se reforma në drejtësi duhet të vazhdohet më me vendosmëri se deri më tani, se duhet të ketë një reformë zgjedhore që kërkohet prej kohësh si nga KE por edhe nga OSBE. Këto janë tri fusha ku ne themi se Komisioni që zhvillon bisedime i ngarkuar nga BE duhet t’i shohë me vëmendje.

Në javët e fundit ndërkohë që përgatitej ky vendim kishte diskutime e zëra kritikë mjaft konkretë brenda CDU-së, ndërkohë që Partia Socialdemokrate ndoqi një kurs më të butë. Si e shihni këtë?

Ne ndjekim të njëjtat norma. Edhe në rastin e Maqedonisë, kur qeveriste partia partnere, VMRO-DPMNE ne kemi vendosur po ashtu kritere të qarta se çfarë duhej të bëhej në Maqedoni. Të njëjtat kritere europiane vlejnë edhe për Shqipërinë e këto kërkojmë që të zbatohen, pavarësisht se kush është në qeveri. Por kur ne regjistrojmë, se prej vitesh duhej të kryhej një reformë zgjedhore, dhe OSBE për shembull e ka thënë qartë, se cilat janë kriteret, unë pyes veten, pse kjo nuk bëhet. Ose kur prej kohësh flitet se duhet bërë një proces vetingu në sistemin e drejtësisë, janë 800 persona, por deri më tani janë verifikuar vetëm një grusht njerëzish, – unë shtroj pyetjen sa seriozisht është zhvilluar ky proces deri më tani në Shqipëri. Nuk ka të bëjë me përkatësi partiake, por me kriteret që ne presim që të respektohen. E nëse Europa e merr seriozisht, duhet që të plotësohen kriteret e rëndësishme për bashkëjetesën mes vendeve në BE.

Një person që u vendos në qendër të kritikave është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, zoti Fatmir Xhafaj. Ju keni kërkuar në disa intervista shumë konkretisht, që ai duhet të përballet me akuzat, deri edhe dorëheqjen e tij. Të enjten zoti Xhafaj u takua me ministrin e Brendshëm gjerman, zotin Horst Seehofer. Më pas ai shkroi se gjithçka u zhvillua në konsesus të plotë. U vendos paqja?

Unë besoj se ministri i Brendshëm i Shqipërisë duhet të pyesë veten, nëse mund ta përmbushë detyrën plotësisht i pavarur. Vëllai i tij është ekspozuar ndaj akuzave. Dhe unë mendoj, se një person me një përgjegjësi të tillë duhet vetë të verifikojë, nëse mund ta kryejë detyrën i pavarur, nëse mund të drejtojë me përgjegjësi një proces në shtetin e së drejtës, kur ka akuza të forta, dhe kur vëllai i tij është përballur me procese në Itali. Qeveria duhet të vendosë vetë, nëse ai është personi i duhur që e vazhdon këtë detyrë. Unë kujtoj, se edhe ambasadori amerikan,që ka qenë mjaft miqësor ndaj qeverisë, në këtë rast ka ushtruar kritikë të fortë.

Ka pasur edhe politikanë gjermanë që kanë thënë se nuk duhet të flasim kolektivisht, sepse akuzat janë drejtuar kundër vëllait të tij…

Po sigurisht, kjo është e drejtë, unë nuk jam instancë gjyqësore që jap një vendim për këtë, por ju i referoheni një sekretari shteti gjerman dhe unë jam pak i habitur, që një anëtar i qeverisë t’i parashtrojë parlamentit se ç’duhet të bëjë dhe këtë ne nuk do ta pranojmë.

Ka për momentin diskutime, dhe këtu është i kërkuar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azikërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?

Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur, por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse edhe në krizën e atëhershme në Kosovë, atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.

Ky është edhe një propozim nga Austria, edhe nga presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që Shqipëria të përfshihej më shumë e të mbështetej, e që do të ishte një zgjidhje jashtë BE-së, por brenda Europës. Janë më shumë teza se sa gjëra konkrete, çfarë do të bënit ju si CDU apo Gjermania për ta mbështetur këtë?

Ka dy gjëra, njëherë mendoj se qeveria shqiptare ofertën e ka serioze, dhe se verifikon kushtet juridike dhe teknike në vend për zbatimin, por nga ana tjetër edhe Komisioni Europian duhet ta mbështesë këtë masivisht, edhe financiarisht por edhe nga ana logjistike. Të dyja palët ndeshen me një detyrë jo edhe aq të lehtë, por ndoshta do të bëhet një detyrë e përbashkët. Ne jemi të hapur, mund ta përfytyrojmë këtë, e shohim një ofertë pozitive dhe Komisioni Evropian duhet të zhvillojë bisedime me Shqipërinë.

 

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feiclke

 

Johann Wadepfuhl, deputet gjerman, anëtar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag

Qeverisë i është dorëzuar raporti rreth hartimit të statutit të Asociacionit

PrishtinaMinistria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar një raport kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me punën e ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri thuhet se ekipi menaxhues ka mbajtur takime të rregullta me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe, po ashtu, i ka dorëzuar ministrisë raportet e punës së ekipit lidhur me detyrat që dalin nga vendimi dhe marrëveshja e Brukselit.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të njëjtat raporte i ka dorëzuar te Zyra e kryeministrit, për t’i njoftuar lidhur me punën e ekipit dhe veprimet e ndërmarra nga ekipit menaxhues”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga kjo ministri.

Në Zyrën e Kryeministrit thonë se kanë pranuar një raport nga grupi punues për hartimin e statutit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Koordinatori në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke e shqyrtuar raportin dhe pasi ta analizojnë atë, do t’i japin vlerësimet e duhura.

“Kemi pranuar një raport nga Ministria e Pushteti Lokal, e cila ka dorëzuar disa procesverbale të disa takimeve që i ka pasur grupi menaxherial, i cili është në përgatitje të hartimit të statutit. Nuk e kam shqyrtuar dhe nuk e kam analizuar dhe nuk mund të flas për përmbajtjen e tij. Ajo çka mund të them është se këta ekspertë do ta hartojnë një draft, i cili do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në atë mënyrë nuk do t’i humbte kohë askujt e shumë shpejt do të zbatohej edhe formimi i Asociacionit”, tha Arifi.

Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë, para pak ditësh në Bruksel raportoi para përfaqësuesve të 28 vendeve anëtare të BE-së se Kosova nuk do të lejojë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, të ketë kompetenca ekzekutive.

Arifi ritheksoi se Asociacioni i Komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, qortoi Qeverinë aktuale të Kosovës, duke thënë se po mban një raport inferior dhe qëndrim mospërfillës në raport me dialogun.

Kurse, rreth formimit të Asociacionit, Tahiri konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme, sidomos lidhur me statutin që po hartohet.

“Qeveria është dashur të jetë pro-aktive dhe të mos lejojë që procesi të dalë nga binarët. Sigurisht që Qeveria duhet t’i hapë sytë shumë se Marrëveshja për Asociacionin e bën të qartë se nuk ka kompetenca ekzekutive. Nëse lejon kështu që ekipi menaxhues apo punues, të vazhdojë me punë i përbërë vetëm nga përfaqësuesit e komunave serbe, pa përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, procesi mund të dalë jashtë kontrollit dhe pastaj riparimi është shumë i vështirë”, theksoi Tahiri.

Formimi i Asociacionit të komunave serbe nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, shihet si çështja kyçe në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Ndërkaq, institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, të cilat, sipas Prishtinës, janë bllokuar nga Beogradi.

Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri.

Kurse, pala serbe insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. (rel)

Turqia në prag të zgjedhjeve

turqiaTurqia shkon në votime këtë të dielë dhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan mund të përballet me sfidën më të fortë në 16 vitet që ka në pushtet. Platforma e rivalit të tij, Muharrem Ince për të kapërcyer ndasitë e thella politike të Turqisë, veçanërisht mes besimtarëve dhe laikëve ka bërë që ai të kërkojë mbështetje përtej bazës së partisë së tij laike, CHP. Zoti Ince që po ndjen pozitat e tij gjithmonë e më të forcuara, po bën madje fushatë edhe tek baza e zotit Erdogan.

Muharrem Ince, po bën fushatë në territorin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Zoti Erdogan zgjodhi të ndërtojë rezidencën e tij private në distriktin historikisht konservator nga ana fetare të Uskudarit në Stamboll.

Meqenëse Preisdenti Erdogan është prezantuar gjithmonë si mbrojtës i të drejtave fetare, Uskudar ka qenë tradicionalisht një bazë besnike e tij.

Vizita e zotit Ince në Uskudar ka një simbolizëm të madh për përkrahësit e tij.

“Ai e sfidoi Erdoganin para shtëpisë së tij. Është e qartë që Turqisë i duhet Muharrem Ince. Askush nuk mund ta frenojë. Muharrem Ince do të jetë patjetër, president i Turqisë dhe do të jetë president i gjithë Turqisë”.

Partia CHP e zotit Ince, është parë gjithmonë me dyshim nga votuesit fetarë, sepse është krijuar nga themeluesi i shtetit laik, Mustafa Kemal Ataturk.

CHP-ja më parë ishte me forcë në favor të mbajtjes në kontroll të fesë, përfshirë ndalimin e shamive të kokës në universitete dhe gjykata, kufizime që Erdogani i hoqi.

Por mesazhi i kandidatit Ince është për liri dhe drejtësi për të gjithë.

“Kur ne i hapim krahët për 81 milionë turq, nuk ka më ndarje mes krahut të djathtë, ose të majtë, mes grave që mbulojnë kokën dhe atyre që nuk e mbulojnë, mes turqve dhe kurdëve, mes sunive dhe alevitëve. Do të jetë vetëm një masë 81 milionëshe”.

Mesazhi i Inces, është më me peshë pasi ai vjen nga një familje fetare. Mësuesi në pension i fizikës, lutet rregullisht.

Dy motra që kishiin shkuar për ta dëgjuar kandidatin, kishin ndjesinë se ai ishte shkëputur nga e kaluara e CHP-së.

“Më parë CHP-ja nuk e kupronte elektoratin. Por me Muharrem Incen, është ndryshe”, thotë njëra motër.

“Ai ka një retorikë bashkuese, një qëndrim bashkues, jo përçarës”, thotë tjetra.

“Pikërisht”, thotë e para.

Fushata e zotit Ince, karakterizohet nga shmangia e polemikës së acaruar që ka përcaktuar sfidat e mëparshme të partisë së tij. Ai po përdor mprehtësinë për të sulmuar Erdoganin.

Por Presidenti Erdogan vazhdon të ketë mbështetje të fortë në Uskudar në bazën e tij të fortë fetare, me paralajmërimet se të drejtat fetare që ka fituar nën regjimin e tij, do të viheshin në rrezik, nëse ai humbet.

Një nga arritjet më të rëndësishme të Erdoganit është forcimi i një klase të mesme të begatë konservatore.

Zoti Ince i ka varur shpresat tek mesazhi i shpresës për të fituar besimin e votuesve konservatorë, kundër politikës së frikës, një mesah që i ka sjellë sukses për 16 vjet Erdoganit. (voa)

KE-ja rekomandoi të fillohen bisedimet për anëtarësim në BE për Maqedoninë

Flamuri BEKomisioni Evropian deklaroi sot se në raportimet e sivjetshme për Maqedoninë dhe Shqipërinë, rekomandon bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Vendimi është në dorën e Këshillit Evropian. Në e mbaruam punën tonë”, thotë Zëdhënësi i Komisionit.

Të martën javën tjetër është paraparë që Këshilli i BE-së të rishikojë çështjen në seancë në Luksemburg. Pritet që atëherë të vendosin se a do nis BE-ja bisedime të reja./Telegrafi/

Xhaka-Shaqiri, “shqiponja me dy koka” që “çmend” serbët!

xhaka shaqiriGranit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri realizuan dy gola të mrekullueshëm në fitoren 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë në ndeshjen e dytë në Botëror.

Edhe pse Serbia shënoi që në minutën e 5, Zvicra gjeti forca dhe me dy lojtarët me origjinë shqiptare arriti të përmbysë gjithçka në këtë ndeshje.

Në 45 minutat e para vendosi një gol i shënuar nga Mitroviç në minutën e pestë të ndeshjes.

Zvicra reagoi pas golit të parë, duke krijuar disa raste të mira për shënim, ku mund të veçohet një devijim i topit nga Dzemaili, i cili po shkonte në rrjetë, por në fund u prit nga portieri serb. Ndërkohë, me anë të kundërsulmit edhe Serbia është shfaqur rrezikshëm në disa raste për të shënuar edhe golin e dytë në këtë ndeshje.

Por duhet të vinte minuta e 52-të që Granit Xhaka të barazonte shifrat në 1-1.Lojtari me origjinë shqiptare lëshoi një silurë të vërtetë në drejtim të portës së Serbisë, duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit.

Ndërkohë, në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte Xherdan Shaqiri, i cili arriti të shënojë edhe golin e dytë për Zvicrën.

Me këtë fitore, Zvicra shkon në kuotën e katër pikëve dhe tashmë i duhet vetëm një barazim për të kaluar në fazën tjetër të Botërorit.

Projektrezoluta e grupeve CDU/CSU e SPD: Mbështeje me kushte hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE

GjermaniaGrupet parlamentare të partive të koalicionit CDU/CSU e SPD kanë formuluar qëndrimin ndaj një nisjeje të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Nisja e negociatave mbështetet, por me një sërë kushtesh.

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel do ta informojë të enjten në një deklaratë qeveritare Bundestagun për samitin e 28 dhe 29 qershorit të BE. Në këtë samit do të kërkohet konsensus për reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS) dhe veçanërisht për direktivën Dublin III. Në samit do të flitet edhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE.

Qeveria gjermane është shprehur në mbështetje të vendimit të Komisionit Evropian për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë. Në projektrezolutën përkatëse të përgatitur Bundestagu e mbështet qeverinë.

Dritë dhe hije në përparime

Në projektrezolutën për Shqipërinë, Bundestagu e mbështet perspektivën e Shqipërisë për në BE dhe “vlerëson përpjekjet për reforma të Shqipërisë”. “Gjermania dhe BE kanë interes të veçantë për stabilizimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, shkruhet në projektrezolutë. “Zbatimi i reformës së gjerë në drejtësi ka nisur”, vetingu “po jep rezultate konkrete”. Po të zbatohet me sukses kjo procedurë “Shqipëria do të jepte një kontribut të pashembullt paraprak”. Rëndësi të veçantë merr edhe vazhdimi i ngritjes së autoritetit për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar (SPAK).

Por njëkohësisht Bundestagu konstaton se megjithë sukseset, ka ende deficite. Në këtë kuadër projektrezoluta kujton rrethanën se “deri në mes të 2018-ës duhet ta kenë kaluar procesin e vetingut më shumë se gjysma e rasteve të përcaktuara si prioritare”.

Korrupsioni në të gjithë sistemin juridik vazhdon të jetë problem. “Përparime të ndjeshme janë bërë” në luftimin e “kultivimin dhe tregtinë me kanabis”, konstaton Bundestagu.

Në projektrezolutë konstatohet vazhdimi i parregullsive në administratën publike. Citohet i Ngarkuari për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil në Shqipëri me shifrën 30 përqind të rasteve si punësime të kundraligjshme në administratën publike.

Kërkesa shtesë për reformën e ligjit zgjedhor

Bundestagu konsideron “të nevojshme” zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIR-it dhe të Komisionit të Venecias të 2013 dhe 2015 për reformën e ligjit zgjedhor, “edhe nëse kjo nuk është pjesë e katalogut evropian të kërkesave”.

Në këtë sfond, Bundestagu Gjerman është i pikëpamjes se vendimi për nisjen e negociatave me Shqipërinë duhet të merret vetëm me “kushte të formuluara qartë”.

Bundestagu shpreh dakordimin që qeveria gjermane “ta miratojë një vendim të Këshillit Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Veç kësaj, në pikën 1 të projektrezolutës, Bundestagu i kërkon qeverisë që ta miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian vetëm

a) nëse “konferenca e parë e anëtarësimit” zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë “konstatuar plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria”:

– plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë në kuadër të vetingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative

– kur qeveria shqiptare të ketë paraqitur një ligj për një reformë të ligjit zgjedhor

b) konferenca e dytë e anëtarësimit të zhvillohet vetëm atëherë kur Këshilli të ketë konstatuar se janë plotësuar këto kushte:

– zbatimi i ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor

– të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në veting se kanë bërë shkelje penale

– të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)

– të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

– të ketë përparime solide në luftimin e kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët. Këtu bëjnë pjesë “hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”

– rezultate të prekshme në reformën e administratës…duke përfshirë edhe “verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve”

– të vazhdojë me intensitet luftimin e tregtisë dhe të kultivimit të drogës në Shqipëri.

Në pikën 2, projektrezoluta e Bundestagut kërkon që “nëse Shqipëria pas hapjes së negociatave për anëtarësim e zvarrit, ndërpret ose e kthen mbrapsht plotësimin e detyrimeve, të ndalen negociatat e anëtarësimit”.

Ndërsa në pikën 3, projektrezoluta i kërkon qeverisë që të bëjë të qartë se Shqipëria duhet të ndërmarrë “përpjekje shtesë të konsiderueshme” për ta garantuar sundimin e ligjit dhe vazhdimin e Vetingut. “Zbulimi dhe konfiskimi i mjeteve financiare në lidhje me korrupsionin” kërkohet shprehimisht në këtë kuadër.

Kapituj që të shoqërojnë të gjitha negociatat

Bundestagu Gjerman kërkon në pikën 4 të projektrezolutës për Shqipërinë që marrja me fushat me rëndësi qendrore “(para së gjithash kapitulli 23 Pushteti gjyqësor dhe të Drejtat Bazë, 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) “të kryhet që në fillim të negociatave dhe të përfundojë vetëm në mbyllje të negociatave”. Planet e veprimit të propozuara nga Komisioni për këtë “të kenë afate dhe objektiva të qarta”.

Veç elementëve të përmendur më lart, në pikën 5 të projektrezolutës kërkohet që të mbeten “pikërëndesa të negociatave” edhe “liria e mediave dhe e shtypit”, “të drejtat e personave në nevojë për mbrojtje dhe e pjesëtarëve të minoriteteve”, si dhe “një shoqëri e gjallë civile”.

Bundestagu kujton në pikën 6 të projektrezolutës se nuk duhet të ketë një anëtarësim automatik të Shqipërisë, “për shembull duke përmendur një datë anëtarësimi pa përfunduar negociatat”.

Ndërsa në pikën 7 Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që të luftojë që për “aquis communitaire” të miratohen “sa më pak dispozita kalimtare dhe përjashtime”.

Bundestagu kërkon në pikën 8 që qeveria gjermane të angazhohet që “Shqipëria t’i plotësojë që në procesin e anëtarësimit kërkesat e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes së BE si dhe kriteret e stabilitetit të Marrëveshjes së Mastrihtit përpara se të anëtarësohet edhe zyrtarisht në bashkimin monetar”.

Së fundi, në pikën 9 Bundestagu kërkon që të informohet në vazhdimësi për stadin e negociatave dhe që përparimet e Shqipërisë drejt anëtarësimit të mos vlerësohen vetëm nga Komisioni, por “rregullisht edhe nga qeveria gjermane, duke angazhuar përfaqësitë diplomatike”. (dw)

Tarifa të reja për autostradën drejt Kosovës

tarifatNë Shqipëri, kalimi në autostradën Milot-Morinë do të kushtojë 100 lekë për banorët e zonës, dhe do të jetë Shteti ai i cili do të përballojë nga fondet e buxhetit, 48.5 milion për 30 vjet, kostot e tarifave të reduktuara, të cilat u prezantuan sot nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ai Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Fillimisht, sipas kontratës që qeveria kishte arritur me kompaninë e cila ka marrë në koncension mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, pagesat nisnin nga 2.5 euro për motorrët në 22 euro për kamionët, ndërsa për autoveturat 5 euro, pa bërë asnjë dallim për banorët e zonës, të cilët kundërshtuan me forcë pagesën e parashikuar, edhe sepse ata nuk kanë një tjetër rrugë alternative. Më 31 mars një protestë e tyre degjeneroi në përplasje me policinë, ndërsa sporteleve ku do duhej të bëhej pagesa ju vu flaka.

Fillimisht qeveria reagoi me tone të ashpra duke folur për akte vandalizmi të nxitura politikisht, ndërsa më pas ajo pranoi se kishte gabuar që nuk ishte konsultuar më parë me banorët, duke bllokuar pagesën dhe duke nisur bisedimet me kompaninë koncensionare. Sipas dy ministrave, në përfundim të bisedimeve është rënë dakort për një tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Tarifa lehtësuese edhe për autobusët e 11 linjave të licensuara që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Këto mjete do të kenë gjithashtu tarifë kalimi prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim. Për përdoruesit e shpeshtë, automjetet e bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, janë parashikuar zbritje nga tarifa bazë në varësi të shpeshtësisë së qarkullimit.

“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë”, u shpreh ministri Gjiknuri në takimin me përfaqësues të Qarkut, Bashkisë, Këshillave bashkiak dhe të biznesit të zonës. Tarifat e reja do të nisin të zbatohen nga 17 Shtatori. (voa)

A mund ta shpëtojë Shqipëria Merkelin si kancelare?

Migrants RouteAskush nuk i konfirmon fjalët në qarkullim: Shqipëria mund të bëhet një vend kyç për pritjen e përkohshme të refugjatëve në Europë, por jo në BE. Një zgjidhje e artë kjo për Merkelin dhe për BE-në.

Eshtë vetëm një tezë, asgjë më shumë: Shqipëria si vend për strehimin e përkohshëm të refugjatëve. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kancelari i Austrisë Sebastian Kurz e kanë hedhur të parët idenë, që të krijohen qendra për azilkërkuesit në Europë, por jashtë BE-së. Zëdhënësi qeveritar në Vjenë Peter Launsky-Tieffenthal konfirmoi për DW-në, se ndërkohë ka bisedime për krijimin e një qendre të tillë ndër të tjera edhe me Shqipërinë. Kurse Endri Fuga, drejtor për Marrëdhëniet me Publikun dhe këshilltar i Kryeministrit të Shqipërisë, përmes e-mailit i tha DW-së, se nuk ka as kërkesë dhe as diskutime për këtë temë. Opozita në Shqipëri e interpreton ndryshe. Ajo e akuzon qeverinë, se do të arrijë përshpejtimin e antarësimit në BE në këmbim të qendrave për refugjatët. Dhe ja se si mund të ndodhte:

Situata aktuale

Në itinerarin ballkanik vazhdon të ketë lëvizje përmes rrugëve tokësore. Refugjatët vijnë kryesisht përmes Detit Mesdhe, por ndërkohë Italia, Malta apo Greqia nuk janë më të gatshme t’i pranojnë njerëzit në masë. Ndërsa vendet e BE-së, e ndër to Gjermania, duan që t’i kthejnë azilkërkuesit e refuzuar. Ç’lidhje ka kjo me Shqipërinë?

Pse Shqipëria?

Vendi i vogël ballkanik ndodhet përgjatë itinerarit të refugjatëve dhe po ashtu edhe në Mesdhe, prej nga kalon pjesa më e madhe e refugjatëve, që zbarkojnë me anije. Porti i Durrësit ka kapacitete të mjaftueshme për zbarkimin e kontigjenteve të mëdha të refugjatëve. Nga anijet që eskortohen prej Frontex-it refugjatët mund të vendosen në tokën shqiptare për t’u regjistruar. Paskëtaj ata që nuk konfirmohen se kanë vërtetë arsye për azil mund t’i kthejnë direkt në vendet nga kanë ardhur. Ndërsa ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe potencialisht kanë të drejtë azili mund të shpërndahen në vendet e BE-së.

Ajo që është atraktive për vendet e BE-së: Shqipëria nuk bën pjesë në BE. Atje nuk janë në fuqi rregulloret e BE-së si Marrëveshja e Shengenit apo Marrëveshja e Dublinit. Shqipëria është megjithatë një vend anëtar në NATO e kësisoj e ankoruar në aleancën e sigurisë së shteteve perëndimore. Përveç kësaj në Shqipëri po ndërtohet aktualisht një Qendër Antiterror e NATO-s. Kësaj i shtohet edhe pozita e favorshme gjeografike, që veriu i Shqipërisë është i rrethuar prej maleve të larta, ç’ka krijon një siguri natyrore të kurifit.

A është Shqipëria e përgatitur? 

Shqipëria ka përvojë të madhe me strehimin dhe trajtimin e refugjatëve. Në vitet 1999/1998 vendi strehoi gati një milionë kosovarë.

Dhe si rrjedhojë e krizës së refugjatëve në vitin 2015 në Shqipëri u krijuan kapacitete të konsiderueshme për pranimin e migrantëve. Këto kapacitete praktikisht kanë qenë deri sot të pashfrytëzuara. Në mediet e Shqipërisë bëhet fjalë për kapacitete në një shifër prej disa mijëra.

Zëdhënësi i UNHCR-së për Evropën Juglindore, Neven Crvenkovic, tha për DW-në se prej vitit 2017 Shqipëria i ka dyfishuar kapacitet ekzistuese. Ndërkohë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ka pasur këto ditë bisedime me  homologë të tij në kryeqytetet e Evropës. Të enjten ai ishte në Berlin dhe një nga temat e bisedimeve ishte edhe migrimi.

Pse do t’i shkonte kjo për shtat Evropës?

Ndryshe nga Libia, Shqipëria është një vend i sigurt në Evropë dhe pranë portave të BE-së. Përveç kësaj, Shqipëria kërkon të bëhet anëtare e BE-së dhe prandaj është e gatshme që të respektojë standardet e BE-së, si ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. UNHCR-ja konfirmon se Shqipëria i trajton mirë refugjatët në vend.

Të gjitha këto pika që Libia, e cila është po ashtu në diskutim, nuk i plotëson. Dhe mbi të gjitha BE-ja nuk mund të veprojë aty si fuqi rregullatore, sepse Libia është një shtet pa strukturë dhe udhëheqje.

Ç’përfitim do të kishte Angela Merkeli prej kësaj?

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer tha në takimin e tij të fundit me kancelarin austriak se ai mbështet idenë e qendrave të migrimit jashtë BE-së. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, nga ana tjetër, nuk donte ta komentonte të mërkurën këtë gjë për shkak të samitit të posaçëm të BE i parashikuar për të djelën në Bruksel.

Një marrëveshje e mundshme me Shqipërinë do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme edhe për çtensionimin e mospajtimeve të brendshme gjermane: Shqipëria do të ofronte zgjidhjen “humane”. Dhe kërkesat e sigurisë të Seehofer-it: procedura të kontrolluara nën mbikëqyrjen e BE-së, por jashtë BE-së, do të bëheshin të mundshme. Horst Seehofer mund të jetë i kënaqur dhe ta shesë këtë si një sukses për fushatën zgjedhore bavareze. Kriza qeveritare pra faktikisht do të përfundonte.

“Zgjidhja shqiptare” mund të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë: qeveria socialiste në Tiranë është nën presion nga qarqet konservatore, veçanërisht CDU-ja. Rekomandimi për samitin e BE-së për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë është vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve lidhur me sundimin e ligjit. Shqipëria mund të kërkojë si këmbim për marrëveshjen e refugjatëve dritë të gjelbër për bisedimet. Vendet e BE-së do t’ia shpërblenin me mirënjohje Shqipërisë një zgjidhje të tillë për krizën e migracionit.

Një zgjidhje e artë krejtësisht sipas proverbit ballkanik “mishi të piqet, helli të mos digjet”. Sepse me një zgjidhje shqiptare mund të mbeteshin të gjithë të kënaqur: BE-ja, Shqipëria, Angela Merkel dhe Horst Seehofer. (dw)

A mund të humbasë në zgjedhje Erdogani?

Të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar 16 vjetët e fundit në Turqi i ka fituar Recep Tayyip Erdogan. Megjithatë për shkak të krizës ekonomike ka rrezik që ai t’ i humbasë zgjedhjet që pritet të mbahen më 24 qershor.

Më 24 qershor në Turqi do të zgjidhet një parlament dhe president i ri. Sipas sondazheve 45 deri 55 përqind e të pyeturve kanë thënë se duan t’ ia japin votën mbajtësit aktual të pushtetit, Recep Tayyip Erdogan. Por në të vërtetë ai mund të marrë shumë më pak vota. Hakan Bayrakçı, që ka krijuar Institutin për kërkimin e opinionit publik, SONAR, thotë se ata që janë në pushtet në Turqi kanë krijuar një atmosferë frike, dhe si pasojë gati 10 përqind e zgjedhësve nuk tregojnë hapur për kë duan të votojnë. Në sondazhe ata japin të dhëna të gabuara, prandaj thotë Bayrakçı, ka shumë të ngjarë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të ndryshme nga vlerat që kanë nxjerrë sondazhet.

Që prej reformës kushtetuese, që Turqia kreu më prill 2017 me anë të një referendumi, votuesit kanë të drejtë të japin dy vota. Njëra votë vendos kush do jetë presidenti i shtetit, vota tjetër cilat parti futen në parlament. Për Erdoganin, që nuk ka humbur asnjë nga zgjedhjet 16 vjet me radhë, këto zgjedhje duhet të jenë më të vështirat e karrierës së tij politike. Që prej fitores së tij të parë në zgjedhjet e 2002, partia e tij islamiko-konservatore AKP ka pasur fjalën në Turqi. Por edhe partia vetë ndodhet para zgjedhjeve të vështira për të.

Problemet në vend janë ashpërsuar

Özer Sencar krijuesi i institutit për studimin e opinionit publik, Metropoll, ndjek prej 25 vjetësh karrierën e Erdoganit. Deri tani nuk ka pasur asnjëherë fushatë më të keqe zgjedhjesh se kjo e tanishmja, thotë ai. Axhenda nuk përcaktohet më prej Erdoganit, dhe ai nuk tregon më vizione për të ardhmen. Kur prezantohet në publik ai duket pa pasion dhe i dobët. “Ai nuk ka bërë kurrë kaq shumë gabime në fjalimet e tij;” thotë Sencar. Ai ka dyshime nëse Erdogan do mbajë pushtetin apo jo.

Erdogan ka 16 vjet në pushtet dhe shihet si më i fuqishmi në politikën turke. Suksesi i tij më i madh ka qenë hovi ekonomik. Në më shumë se një dekadë të ardhurat mesatare u rritën nga 3500 në 11 mijë dollarë në vit, dhe në gjithë vendin pati një boom ndërtimesh.

Por sot ekonomia turke nuk është më në gjendje të mirë. Që prej përpjekjes për puç më korrik 2016 dhe gjendjen e jashtëzakonshme që pasoi atë, lira turke humbi gati 30 përqind të vlerës. Në vend nuk ka më investime. Besimi i tregjeve ndërkombëtare tek ekonomia turke ka rënë. Erdoganit, i cili refuzon të vendosë përqindje për arsye të bindjeve politike, iu desh të mbyllte sytë javën e kaluar kur Banka Qendrore turke rriti përqindjet. Mbas Argjentinës, Venezuelës dhe Iranit, Turqia është vendi i katërt me përqindjet më të larta.

“Kjo është hera e parë në 16 vjet kur Erdogan nuk është duke pasur më sukses. Ai nuk e drejton dot më ekonominë. Edhe problemet në sistemin e shëndetësisë dhe atë të arsimit janë shtuar,” thotë Sencar. Si pasojë populli turk është duke ndier krizën ekonomike. Prandaj shihet pak pasion në aktivitetet e Erdoganit në fushatën zgjedhore.

Opozita gjithnjë e më shumë e motivuar

Edhe Gülfem Saydan Sanver mendon se Erdogani e ka të vështirë t’ i japë mesazhe popullit të tij. Ajo është ekperte që ka mbrojtur një punim doktorues me temën “Sukseset e AKP në zgjedhje” dhe ka marrë çmimin Pollie Award der “American Association of Political Consultants”. Sanver mendon se teatri me një person që është duke bërë Erdogan në partinë e tij, i është kthyer në disfavor. “Në mitingje dhe në fjalimet që mban, ai del i vetëm dhe nuk ka më mesazhe për të dhënë”, thotë Sanver.

Ndërkohë, Muharrem Ince, kandidat për president i partisë opozitare CHP, ka arritur kohët e fundit të rrisë në sondazhe përqindjen mbi 30 përqind. Kështu është rritur motivimi i opozitës për të fituar zgjedhjet. “Erdogan mundohet tani t’ i shërbejë frikërave të zgjedhësve konservatorë,” thotë Sanver. Prandaj Erdogani ka folur ditët e fundit në fjalimet e fushatës për operacione ushtarake kundër partisë kurde PKK, në veri të Irakut. Kështu ai nxit frikën tek zgjedhësit, thotë Sanver. Zgjedhësit e frikësuar tremben nga ndryshimi i pushtetit dhe do ia japin votën presidentit aktual.

Fundi i sistemit të fortë presidencial?

Sipas sondazheve Erdogan megjithatë mund t’ i fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë. E ashtuquajtura “aleanca republikane” që përbëhet nga AKP dhe MHP, mund të humbasë shumicën në parlament. Atëherë Erdogan nuk do të kishte më bazën e pushtetit. Sistemin e fortë presidencial në të cilin opozita shikon një diktaturë, do kthehet në ëndërr për Erdoganin.

“Nëse AKP humbet shumicën në parlament, atëherë edhe për Erdoganin do vinin ditë të vështira,” thotë Sanver. Mbas gjendjes së jashtëzakonshme Erdogan nxorri ligje dhe dekrete për të mbetur në qeverisje. “Nëse AKP nuk ka më shumicën në parlament, atëherë Erdogan do humbiste pushtetin që ka sot, edhe nëse rizgjidhet si president. Ai nuk do jetë më president efektiv dhe ai do duhet të njohë pushtetin e parlamentit,” thotë ekspertja. (dw)