Thran: Ne duhet të ndalojmë së bëri punën e kosovarëve

EulexMisioni për ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë, EULEX, vazhdon punën me një mandat të ri në rolin konsultues. Për arritjet dhe të ardhmen e këtij misioni flet për DW, zëvendësshef i EULEX-it, Bernd Thran.

Deutsche Welle: Më 15 qershor iu dha fund, respektivisht filloi misioni i ri i, si quhet ai…?

Bernd Thran: Ende quhet EULEX.

Deutsche Welle: Vazhdon të quhet ende EULEX ?

Bernd Thran: Po, emri nuk ka ndryshuar.

Deutsche Welle: Po sidiqoftë, fillon tani një epokë e re. Edhe me rastin e 10 vjetorit të EULEX-it u bënë bilance të ndryshme, që mund t‘’i quash edhe negative. Shumë media shkruajtën „Janë bërë vetëm shpenzime”. Çfarë bilanci keni bërë ju?

Bernd Thran: Unë do thoja se bilanci në fakt është pozitiv. Natyrisht që varet se si e shikon. Nëse e shikoni si kosovar, mund të qëllojë që bilanci të jetë negativ. Nga ana tjetër bilanci është pozitiv nëse mendon se shteti i Kosovës ka 10 vjet që ka filluar të ekzistojë dhe filloi pothuajse nga zeroja. Nga zeroja filloi edhe Misioni i EULEx-it. Ai ka qenë misioni më i madh, që BE ka pasur dhe për herë të parë një mission me një mandat ekzekutiv.

Deutsche Welle: Megjithatë kur bëhet bilanci thuhet pikërisht për mandatin ekzekutiv, se ai nuk është zbatuar si duhet. Se u identifikuan persona, dhe u bënë arrestime por nuk ndodhi shumë edhe në rastet kur ka pasur akuza konkrete?

Bernd Thran: Po. Ne duhet të kemi parasysh se flasim për një mision të shtetit të së drejtës. Edhe në Gjermani ka raste kur flitet shumë dhe në fund nuk jepen dënime. Si duhet matur suksesi? Kemi të bëjmë me dhënien e dënimeve kur mendohet se dikush është fajtor, apo kemi të bëjmë me ngritjen e një sistemi ku duhet ngritur shteti juridik, ku drejtësia të ketë rrugën e vet normale deri në dhënien e gjykimit, i cili mund të jetë dënim por edhe lirim? Problemi kryesor i misionit ka qenë që në fillim si ngrihet strategjia e komunikimit. Nëse për shembull shpesh u fol për peshqit e mëdhenj, EULEX-i do vijë të kapë peshqit e mëdhenj dhe do t’i dënojë. Këto thënie, që kanë ardhur nga jashtë EULEX-it, nuk janë komunikuar mirë. Sepse në një fushë të tillë nuk mund të flasësh për “Peshq të mëdhenj” që do nxirren para gjyqit dhe do të dënohen. Dënimi ka të bëjë me atë se a ka dëshmi, a ka fakte për rastet që të jenë të mjaftueshme për të dhënë dënimin. Ky ka qenë problemi më i madh i EULEX-it, që ne nuk kemi qenë komunikativ me atë ç’ka pritej prej nesh. Pasi kanë ndodhur gjërat, gjithnjë mund të thuash çfarë mund të ishte bërë më mirë. Por gjërat kështu ndodhën. Ishte hera e pare që u krijua një mission i BE-së, i cili u pajis me një mandat ekzekutiv. Gjë që me kalimin e kohës solli që të krijoheshin përvoja pjesërisht edhe negative. Dhe për t’i ndaluar ato duhej ristrukturuar misioni: Dhe tani më 15 qershor filloi një mission me një mandat të ri, gjë që nuk ishte bërë në 10 vjetët e tij.

Deutsche Welle: A nuk mund të vazhdohej mandati siç ishte për t’i mbyllur shumë çështje dhe për t’u marrë edhe me peshqit e mëdhenj? Ose nga ana tjerër, a nuk mund t’i jepej fund krejt misionit?

Bernd Thran: Kjo është një pyetje e vështirë. Pyetja e pare që bëhet është çfarë ndryshimi mund të bëjmë në Kosovë, nëse vazhdojmë me të njëjtin mandat? Ose çfarë do të ndodhë nëse e ndryshojmë? Unë mendoj se ne kemi pasur 10 vjet këtë mandat ekzekutiv dhe gjykatësit tanë, prokurorët dhe policët kanë bërë punë shumë të mirë. Sidoqoftë në sektorin e drejtësisë penale janë dhënë 479 dënime për çështje korrupsioni, kriminalitet të organizuar, larje parashë, krime lufte dhe në sektorin civil ka pasur 42 mijë raste. Pra në pjesën ekzekutive të misionit është bërë diçka, dhe kjo duhet vlerësuar. Sidoqoftë ne kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i dorëzojmë detyrat më shumë tek autoritetet lokale, që do të thotë, institucionet lokale të drejtësisë duhet t’i përpunojnë rastet dhe t’i mbyllin.

Deutsche Welle: A mendoni se institucionet lokale dhe organet ekzekutive të drejtësisë në Kosovë janë në gjendje të punojnë në mënyrë profesionale dhe të pavarur?

Bernd Thran: Ato duhet të vendosen në gjendje që të veprojnë në atë mënyrë. Në të kaluarën organet ekzekutive gjithnjë thonin për rastet e vështira që mund t’i kalojnë EULEX-it. Ky rast është kritik, i rrezikshëm ne nuk duam të merremi me këtë. Është më mirë nëse e bën EULEX-i. Kur diçka nuk shkon në rregull atëherë është EULEX-i, që është marrë me të dhe asnjëherë institucionet lokale. Përgjegjësia mund t’i lihej EULEX-it. Ne mendojmë se shtetet anëtare duan të thonë me mandatin e ri që kemi ardhur në një pikë ku duhet të mos vazhdojmë të bëjmë punën e kosovarëve. Kështu që tani puna kalon në institucionet kosovare dhe ne do të vazhdojmë me mbështetje dhe aty ku është e nevojshme me ndihmë në mënyrë që kjo gjë që është arritur të mos marrë drejtim të gabuar.

Deutsche Welle: Zoti Thran, a mund të tregoni si do të jetë misioni në të ardhmen, volumi dhe si do të pajiset ai?

Bernd Thran: Me vendimin e Këshillit Evropian, ne kemi marrë një mandat që deri nga 15 qershori i këtij viti deri më 14 qershor 2020, pra një mandat dyvjeçar. Misioni do të ristrukturohet për here të parë krejtësisht. Ne do të tërhiqemi nga pjesa ekzekutive, ne nuk do të angazhojmë më gjykatës, prokurorë dhe polici për të përpunuar rastet ekzistuese ose për të marrë raste të reja. Ne do të kemi mandat në përforcimin e punës në mbështetje të institucioneve kosovare në punën e tyre.

Deutsche Welle: Mbështetje në kuptimin e këshillimit?

Bernd Thran: Po, ashtu është. Në kuptimin e këshillimit në sektorët e drejtësisë penale dhe kryerjes së dënimit, sepse atje janë parë deficite të mëdha. Këto janë sektorët e vetëm ku ne do të ushtrojmë aktivitetin tonë. Monitoruesit tanë do të shkojnë në burgje dhe do të japin këshilla. Pastaj do të merremi me rastet që jemi duke dorëzuar tani dhe janë raste delikate për Kosovën. Kjo është një nga arsyet pse gjykatësit dhe gjykatëset e EULEX-it janë përfshirë në to. Ne do të vazhdojmë t’i shoqërojmë këto raste. Dhe me të ashtuquajturën „exchange of letters”, kemi bërë të mundur që këshilltarët tanë të mund të shkojnë edhe në zyrat e gjykatësve dhe prokurorëve, të shohin faktet për rastet dhe në rast nevoje dhe të këshillojnë gjykatësit dhe prokurorët se ku mund të bëhen përmirësime, ku ka gabime. Pra kjo bëhet me monitorim, gjë që ne e njohim dhe çfarë për shembull bën OSBE, me vëzhgim dhe përpunim të rasteve në sallat e gjyqit, që janë të hapura për publikun.

Deutsche Welle: Rastet delikate janë rastet e krimeve të luftës?

Bernd Thran: Ato janë kryesisht krime lufte, por edhe raste korrupsioni në nivel të lartë.

Deutsche Welle: Atëherë do  të kemi vazhdimin ose në fakt fillimin e punës së Gjykatës Speciale? Kjo për shembull ka qenë një nga gjërat që është zhvilluar ngadalë.

Bernd Thran: Kjo Gjykatë është ngritur sipas ligjeve kosovare. Aty punojnë gjykatës ndërkombëtarë, por ligjet janë kosovare. Në mandat bën pjesë sigurisht edhe mbështetja e Gjykatës në Hagë në detyrat e saj kryesore, që janë sigurisht në fushën e mbështetjes operacionale, që është po ashtu e lidhur me aktivitete ekzekutive. Kjo do të thotë se nëse është e nevojshme ne do të kryejmë edhe operacione në kuadër të gjykatës në Hagë të ngritur sipas ligjeve kosovare.

Deutsche Welle: Zoti Thran, cili është kontributi gjerman në misionin e ardhshëm?

Bernd Thran: Shpresoj që Gjermania ta mbështesë misionin si deri tani. Unë do të vazhdoj në këtë detyrë deri në fund të vitit. Ne jemi 18 punonjës policie dhe 12 civilë nga Gjermania. Kështu që pas Polonisë, ne jemi kontigjenti i dytë më i madh që mbështet misionin në Kosovë.

Deutsche Welle: Polonia ka kontigjentin më të madh në EULEX?

Bernd Thran: Po, Polonia ka kontigjentin më të madh. Kjo për faktin që sektori operacional, pra masat operacionale ofrohen nga Polonia. Polonia pra ka një trupë me 100 forca policore, që kryejnë rolin e „second responder”. Që do të thotë ne kemi ngritur një sistem sipas të cilit policia kosovare reagon e para kur ka shkallëzime të dhunës. Nëse ajo nuk do të ishte në gjendje të merrej me incidentin, atëherë vjen trupa nga EULEX-i. Nëse edhe ajo nuk është në gjendje atëherë ne thërrasim KFOR.

Deutsche Welle: A ka EULEX-i prezencë në kufirin e Kosovës me Serbinë në veri?

Bernd Thran: Prezenca e EULEX-it do të jetë sporadike në sektorët e mbështetjes së dialogut midis Prishtinës dhe Kosovës. Nëse nevojitet ndihma jonë, ne do të dërgojmë monitoruesit tanë në pjesën veriore në të dy pikat e kalimit. Përndryshe, deri sa zyra e BE-së në Prishtinë ka si detyrë mbështetjen e dialogut, tre monitorues do të qëndrojnë në stacionin policor në Mitrovicë, për të mbështetur krijmin e kësaj njësie.  (dw)

Hakërrim

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Ali Asllani

Pengesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në B.E.

analistatKorrupsioni, sundimi i ligjit dhe reformat vazhdojnë të jenë vështirësitë kryesore të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian, thanë pjesëmarrësit në një diskutim për Ballkanin të mbajtur ditët e fundit në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Sipas tyre, ndikimi negativ rus është një sfidë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspertët gjithashtu theksuan se vendet e rajonit duhet të përqëndrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të anëtarësimit në BE, si reformimi i sistemit të drejtësisë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.

Ekziston një optimizëm jo realist në mesin e miliona njerëzve në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, tha Thomas Countryman, ish Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, gjatë një diskutimi në Universitetin Johns Hopkins. Sipas tij, vendet e Ballkanit duhet të përqëndrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të procesit të integrimit.

“Është e rëndësishme për vendet e rajonit që ta kuptojnë se nuk ekziston një rrugë e pastër politike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të kaluarën disa vende kanë qenë të suksesshme në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes një rruge të pastër politike, pavarësisht se nuk i kishin përmbushur kushtet teknike. Krijimi i miqësive me vendet e Bashkimit Evropian, promovimi i kandidaturave për anëtarësim është gjë e mirë, por argumenti politik do të ishte njëqind herë më i fortë nëse ju i keni përmbushur kushtet teknike, përfshirë sundimin e ligjit.”

Zoti Countryman theksoi se sundim i ligjit nuk përfshin vetëm miratimin e ligjeve të mira, por zbatimin e tyre të plotë.

“Kjo nënkupton funksionimin e plotë të prokurorëve të pavarur të anti-korrupsionit, funksionimin e gjyqësorit të pavarur dhe një media e pavarur që lejohet të investigojë dhe të zbulojë se çfarë po bëjnë qeveritë, cilët politikanë po përfitojnë. Këto janë thelbësore për një vend që dëshiron ta quaj veten anëtar demokratik i Bashkimit Evropian”.

Balkani mbetet përparësi e politikës së jashtme ruse dhe Moska e sheh praninë e saj në rajon, përfshirë në Mal të Zi, si një përpjekje për të balancuar praninë e Perëndimit atje, tha ish Ndihmës Ministri malazez i Shëndetësisë Nebojsha Todoroviç. Sipas, tij synimi i Moskës është destabilizimi i rajonit për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Strategjia e Rusisë në Ballkan është përçarja e rajonit në sfera të privilegjeve dhe interesave Perëndimore dhe Lindore, në bazë të fesë, historisë dhe faktorëve të tjerë. Për shembull, Rusia po shfrytëzon lidhjet historike dhe fetare me Serbinë dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për ta përdorur atë si një platformë për shtrirjen e ndikimit të saj në rajon”.

Në lidhje me këtë çështje, ish diplomati i lartë, Thomas Countryman theksoi se Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim dhe të nxisë vendet e Ballkanit që të imitojnë modelin e saj të një qeverie plotësisht të korruptuar, jo transparente që kontrollon median.

“Kjo nuk është një rrugë e mençur për asnjë vend në Ballkan. Putinizmi me fytyrë njerëzore nuk është formulë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Analisti Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se vendet e Ballkanit nuk duhet të injorojnë përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e integrimit euroatlantik të rajonit.

“Serbia ende flirton me Rusinë, sepse Rusia ka ndikim. Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime. Asnjë politikan në Ballkan nuk mund të injorojë faktin që Rusia bëri komplot për vrasjen e Gjukanoviçit. Kjo do marrë seriozisht në konsideratë”.

Një prani më e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësishme për përparimin e vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit euro-atlantik, thanë pjesëmarrësit, por sipas tyre vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të tyre demokratike. Në fund të diskutimit, Universiti Johns Hopkins nderoi ish Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Brian Hoyt Yee për arritjet e tij gjatë karrierës diplomatike në Departamentin e Shtetit. (voa)

Athina dhe Shkupi nënshkruajnë marrëveshjen historike për emrin e Maqedonisë

tcipas ZaevMaqedonia dhe Greqia e kanë zgjedhur më në fund – pas 27 vitesh – problemin me emrin e kësaj ish-republike të Jugosllavisë. Në Psarades u nënshkrua marrëveshja për emrin e ri.

Marrëveshja historikë është nënshkruar në fshatin Psarades, në zonën kufitare të Prespës. Emri i ri i Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë është North Macedonia (Maqedonia e Veriut apo në maqedonisht “Severna Makedonija”).

Marrëveshjen e kanë nënshkruar ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, të cilët kështu i dhanë fund mosmarrëveshjeve që zgjatën më shumë se 27 vite. Të gjitha negociatat e mëparshme kanë dështuar. Ndërsa marrëveshja e tanishme i hapë

Maqedonisë së Veirut mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Marrëveshja është nënshkruar në praninë e kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, ministrave të shumtë si dhe përfaqësuesve të BE-së, OKB-së dhe Komisionit Evropian.

Vendim i guximshëm

Kryeministri grek Alexis Tsipras foli për një vendim të “guximshëm, historik dhe të domosdoshëm për popujt tanë”. “Marrëveshja i hapë rrugë paqës, vëllazërisë dhe rritjes ekonomike në vendet tona, në Ballkan dhe në Evropë”, tha ai.

Ndërsa Zoran Zaev u shpreh se vendi i tij dhe Greqia do të jenë partnerë dhe miq. “Të dy vendet do të largohen nga e kaluara dhe do t’i përkushtohen të ardhmes”, tha ai.

Vendimi i sotëm duhet të miratohet në parlamentet e këtyre vendeve dhe në referendum. Marrëveshja e sotme është kundërshtuar nga disa forca politike në Greqi dhe Maqedoni. Konflikti për emrin ka filluar në vitin 1991, pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe shpalljes së pavarësisë në Shkup. Athina nuk e ka pranuar k

urrë emrin e Maqedonisë, që ka qenë pengesa kryesore në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. (dw)

Si do ta luftojë Kenia korrupsionin?

keniaPresidenti i Kenias Uhuru Kenyatta ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit duke deklaruar se të gjithë punonjësit e sektorit shtetëror do t’i nënshtrohen një vetingu të detyrueshëm lidhur me burimin e pasurisë e zotërimeve. Njoftimi i presidentit pason një numër skandalesh të bujshme për zhdukjen e miliona dollarëve nga fondet e agjencive të ndryshme qeveritare nga afere korruptive të disa zyrtarëve qeveritarë.

Presidenti Kenyatta ofroi të bëhet udhëheqësi i parë që i nënshtrohet vetingut, me synimin për të penguar shpërdorimin e fondeve publike. Ai tha se punonjësve të sektorit shtetëror do t’u kërkohet të shpjegojnë burimet e pasurisë me qëllim që të përjashtohen ata që kanë vjedhur fonde të qeverisë.

“Duhet të na tregosh: këtë shtëpi ke, këtë rrogë merr, si arrite ta paguash shtëpinë? Makinën që ke, mos u përpiq ta regjistrosh në emër të gruas, të djalit, ne e dimë se është e jotja, si arrite ta blesh? Duhet ta shjegosh. Unë do të jem i pari që analizohem nga ky proces,” tha presidenti.

Gjatë muajve të fundit janë bërë publike një numër skandalesh me tendera dhe kompani furnizuese për nevojat qeveritare, që kanë treguar përvetësimin e miliona dollarëve nga zyrtarë në institucione qeveritare.

Deri tani më shumë se 40 zyrtarë, si dhe biznesmenë janë arrestuar lidhur me skandalet.

Këtë javë, Kenyatta nxori një urdhër ekzekutiv ku kërkon nga zyrtarët dhe institucionet qeveritare të bëjnë publike të gjitha të dhënat e tenderave dhe kontratave të dhëna që nga 1 korriku 2018.

Më 1 qershor, Presidenti Kenyatta dha urdhër për përsëritjen e vetingut për të gjithë krerët e agjencive të prokurimit dhe të auditimit. Ai tha se vetingu do të përfshijë edhe teste me poligraf për të vërtetuar nëse zyrtarët po deklarojnë të vërtetën. (voa)

Forca e rëndesës mund të jetë burim energjie të ripërtëritshme

forca e rendesesNë një botë që ka gjithmonë e më shumë nevojë për energji, shkencëtarët po studiojnë vazhdImisht të gjitha burimet e mundshme të ripërtëritshme, në përpjekje për identifikimin e rrugëve të rritjes së efikasitetit. Një studiues në Hollandë beson se edhe forca e rëndesës mund të përdoret për të prodhuar energji elektrike falas. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic sjell më shumë hollësi:

Disa materiale, si kristalet e kuarcit dhe disa qeramika, kur ekspozohen ndaj stresit mekanik prodhojnë sasi të vogla energjie. Ky efekt, që quhet piezo-elektricitet përdoret në ndezësit e barbekyve për të krijuar shkëndijën që shkakton flakën.

Efekti mund të përdoret edhe për të krijuar sinjale zanore në bobinat fonike të kristalit dhe në mikrofonët me grimca kristali.

Por piezo-elektriciteti funksionon vetëm kur forca e përdorur ndryshon nga presioni në çlirim. Nga ana tjetër forca e rëndesës është një forcë e vazhdueshme.

Arkitekti hollandez, Janjaap Ruijssenaars e vuri re një gjë të tillë kur një shufër e gjatë vertikale mbi një platformë të sheshtë, shtyhet duke humbur balancën, ka prirjen të luhatet për një kohë të gjatë, duke ushtruar presion herë pas here në skajet e platformës.

“Pra kjo shpikje, kjo paisje e energjisë nga forca e rëndesës realizon diçka të re. Pra kur graviteti shndërrohet në një forcë në ndryshim atëherë mund të prodhosh elektricitet dhe këtë po vërejmë në këtë rast”.

Materiali piezoelektrik që vendoset mes paltformës së luhatshme dhe terrenit të qendrueshëm ekspozohet ndaj një presioni vazhdimisht në transformim, duke prodhuar elektricitet.

“Me një ndërhyrje fare të lehtë, krijohet paqendrueshmëri në sistem; rezultati diktohet nga forca e rëndesës”.

Luhatja e shufrës mund të shkaktohet edhe kur ajri i nxehtë i krijuar nga një llambë, fillon të vërë në lëvizje një helikë të vogël:

“Është diçka fare e re dhe ne ende na duhet të zbulojmë mënyrën më optimale, por nuk është ende e përcaktuar se sa material piezo mund të shtosh”.

Ruijssenaars thotë se i njëjti parim mund të përdoret në eksperimente me përmasa më të mëdha për të karikuar bateritë e makinave ose për të operuar gjeneratorë të pavarur energjie. (voa)

Zaev: Marrëveshja për emrin hap perspektivën evropiane të Maqedonisë

zaev cipras 1Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dha detaje për arritjen e marrëveshjes për emrin. Emri i ri i Maqedonisë “Republika e Maqedonisë së Veriut” do të jetë i përkthyeshëm dhe për përdorim të përgjithshëm, ka thënë Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është shprehur se zgjidhja e çështjes së emrit është një marrëveshje historike, e cila i hap rrugë integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Zaev ka deklaruar se për marrëveshjen do të merret qëndrimi i qytetarëve në referendum. “Ne kemi një zgjidhje historike shekullore, zgjidhjen e mosmarrëveshjes, ndërtimin e miqësisë mes dy vendeve. Vendimi për të forcuar identitetin maqedonas, kombin maqedonas, mbrojtur dhe forcuar edhe një herë. Me këtë marrëveshje do të kemi identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Kjo marrëveshje do të konfirmojë dhe forcojë identitetin tonë kulturor. Nga sot emri i ri i do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”’, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. Gjithashtu, Greqia do t’i dërgojë letër institucioneve ndërkombëtare për t’i informuar për arritjen e marrëveshjes, hap që do t’i hapë rrugët Maqedonisë për një datë të mundshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE-në dhe ftesë të drejtpërdrejtë për anëtarësim në NATO.

Mickovski: Marrëveshja e arritur është kapitullim për Maqedoninë

Lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE Hristjan Mickoski menjëherë pas marrëveshjes së deklaruar nga kryeministri i vendit Zoran Zaev tha, se kjo është një ditë e vështirë për Republikën e Maqedoninë dhe për qytetarët e saj. Ai po ashtu theksoi se kjo marrëveshje është kapitullim për Maqedoninë. “Sot është një ditë e vështirë për Republikën e Maqedonisë. Pa marrë parasysh se si e provon Zoran Zaev për të demonstruar eufori, mund të shohësh nga larg se kjo është një humbje. Është ndjenja e qytetarëve, dhimbja dhe hidhërimi. Negociatat u mbajtën të fshehta. Opozita dhe VMRO-DPMNE-ja nuk ishin përfshirë në bisedime, tani është e qartë pse. Në thelb të ashtuquajturat kontrata është pranimi i të gjitha pozicioneve greke. Nëse marrëveshja është të pranojmë një ndryshim në kushtetutë dhe të ndryshojë emrin për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, është një marrëveshje kapitullimi”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Partia shqiptare në qeveri BDI përkrah Zaevin

Bashkimi Demokratik për Integrim doli me mbështetje për qeverinë. Zv/kryeministri Bujar Osmani tha se e ka njoftuar kryesinë qendrore të partisë mbi rrjedhën e bisedimeve për emrin dhe se partia e tij ofron mbështetje të pakushtëzuar për vendimin e fundit të Qeverisë. “Kryesia e ngushtë e BDI-së mori vendimin që të mbështetë fuqimisht dhe plotësisht vendimin e qeverisë dhe pozicionet e saj për mbylljen e këtij konteksti shumëvjeçar rreth emrit”, është shpreh Bujar Osmani.

Presidenti Ivanov shpreh indinjatë për mënyrën e zhvillimit të bisedimeve

Presidenti Gjorge Ivanov akuzon kryeministrin Zoran Zaev për manipulim me opinionin në prag të referendumit për emrin. Nga kabineti i kryetarit të shtetit vlerësojnë se perspektiva e Maqedonisë nuk mund të cënohet me asnjë çmim. Sipas Ivanovit çështja e ndjeshme si kjo e emrit nuk guxon të jetë pazar i një telefonate mes dy kryeministrave. “Ruajtja e emrit kushtetuese dhe gjetja e zgjidhjes, e cila nuk do të pasojë me ndryshime kushtetuese, në asnjë mënyrë nuk bie në kundërshtim me integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Arritja e marrëveshjes ndërkombëtare i përmbajtur në një ose më shumë dokumente të ndërlidhura duhet të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë dhe jo ta parashikojë ndryshimin e saj. Është joserioze dhe jo e përgjegjshme që çështja e emrit të arrihet përmes telefonit mes dy kryeministrave”, thuhet në reagimin e kabinetit të Presidentit Ivanov.

Reagimet e para të ndërkombëtrëve pozitive

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përshëndeti marrëveshjen për kontestin për emrin të arritur midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras dhe bëri thirrje që ajo të finalizohet.

“Kjo marrëveshje historike dëshmon për diplomaci mjaft të durueshme dhe vullnetin e dy liderëve për ta zgjidhur këtë kontest i cili prej kohësh e prek gjithë rajonin. Tani bëj thirrje të dyja palët ta finalizojnë marrëveshjen e arritur nga liderët. Kjo do ta vendosë Shkupin në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe do të ndihmojë të konsolidohet paqja dhe stabiliteti i gjithë Ballkanit Perëndimor”, thotë Stoltenberg.

Kreu i diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe komisari evropian për zgjerim Johannes Hahn në një deklaratë të përbashkët i uruan kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë për arritjen e marrëveshjes.”Kjo jo vetëm që është e merituar si mirënjohje për rezultatet e rëndësishme reformatore të Maqedonisë, por do të ndihmojë zbatimin e plotë të marrëveshjes në interes të dy shteteve, rajonit dhe BE-së në përgjithësi, thuhet në kumtesë.

Shqipëria dhe Kosova përshëndesin arritjen e marrëveshjes

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. “Dy udhëheqës progresivë të vendeve fqinjë shënuan historinë sot dhe i treguan Bashkimit Europian dhe gjithë botës se kur ka vizion dhe vullnet për të tejkaluar pengesat e së shkuarës dhe të gjejnë hapësirat për të parë nga e ardhmja. Respekt për Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev. Ballkani sot është një vend më i sigurtë”, shkruan Rama në Twitter.

Presidenti Hashim Thaçi e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, për emrin. “Në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, e mirëpres marrëveshjen për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Është një mundësi e re për të forcuar edhe më shumë paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi. (dw)

Kompromisi Cipras – Zaev: Republika e Maqedonisë së Veriut

zaev ciprasPas grindjes shumë vjeçare kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Cipras, ranë dakord për një kompromis për emrin e ish-republikës jugosllave.

“Fqinjët tanë do të mbajnë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Cipras të martën (12.06) në një fjalim që u transmetua nga televizioni shtetëror grek (ERT) . Më e rëndësishmja e kësaj marrëveshjeje, sipas Ciprasit, është që fqinji verior nuk mund të ngatërrohet më me Maqedoninë antike greke.

Këtij kompromisi i kanë paraprirë bisedime prej disa muajsh mes dy shteteve të Europës Juglindore nën mbikqyrjen e OKB-së.

Në këmbim të ndryshimit të emrit Athina këtej e tutje nuk do të pengojë më antarësimin e kësaj republike në NATO dhe në BE, deklaroi Cipras. Parlamenti grek megjithatë do ta ratifikojë këtë vetëm pasi qeveria e vendit fqinj ta ketë vënën në jetë këtë ndryshim kushtetues, vuri në dukje kryeministri grek.

Grindja për emrin është hapur qëkurse Maqedonia më 1991 shpalli pavarësinë nga ish-Federata e Jugosllavisë. Greqia e refuzonte emrin e shtetit Maqedoni, sepse në veri të saj ndodhet provinca greke me të njëjtin emër. Athina i druhet pretendimeve eventuale territoriale nga fqinji verior e si rrjedhojë deri më sot i ka penguar përpjekjet e Maqedonisë për antarësim në NATO dhe BE. Si anëtare e OKB-së deri më tani Maqedonia ka vepruar nën emërtimin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. (dw)

Dialogu Kosovë – Serbi në udhëkryq

thaci mogherini vucicDialogu mes Kosovës dhe Serbisë është futur në qorsokak dhe nuk dihet se kur do të vazhdojë. Palët flasin për një fazë të re të dialogut, e madje edhe për një “Rambuje 2″.
Krerët e Serbisë po japin deklarata kontradiktore. Brenda një dite u dëgjuan dy pohime kundërthënëse. Gjatë ditës disa autoritete thanë se nuk dihet kur do të vazhdojë dialogu. Ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq doli në mbrëmje dhe tha se dialogu do të vazhdojë deri në fund të muajit qershor.
Në Beograd thonë se gjërat nuk mund të parashikohen për shkak të qëndrimit të paparashikueshëm të Prishtinës dhe se tani nuk dihet nëse dialogu do të vazhdojë, sepse nuk dihet çfarë marrëveshje mund të arrihet. Nëse nuk ka lëvizje në dialog, atëherë dialogu nuk ka kuptim thotë Milovan Drecun, kryetar i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.
Tre skenarë
Serbia mendon se dialogu është në udhëkryq. Me këtë pohim është dakord edhe analisti Dragomir Angjelkoviq, i cili për DW thotë: „Prishtina nuk e ka plotësuar asnjë kusht të parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit. Serbia po bën gjithnjë e më shumë lëshime, ndaj nuk shoh personalisht se në ç’mënyrë duhet të vazhdojë dialogu, nëse nuk realizohet Marrëveshja e Brukselit, e këtu mendoj në radhë të parë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Deri tani kemi pasur një lloj simulimi të dialogut, ku Serbia ka bërë lëshime, para hapjes së secilit kapitull të negociatave me BE, thotë Angjelkoviq. Por ai mendon se Beogradi ka ardhur deri tek momenti kur nuk mund të bëjë lëshime të tjera, nëse pala shqiptare nuk i realizon detyrimet e veta.
Dialogu në Bruksel është në udhëkryq. Këshu mendon edhe Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për raporte etnike në Beograd, Sipas tij, ekzistojnë dy rrugëdalje nga situata e tanishme: Vazhdimi i dialogut dhe nënshkrimi i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe mundësia e dytë, konfliktet lokale etnike dhe vazhdimi i tensioneve, mendon Janjiq. „Por ekziston edhe skenari i tretë, e ai është dështimi i formatit të Brukselit dhe të gjitha atyre që janë arritur deri tani. Kjo do të nënkuptonte marrjen e vendimeve të njëanshme dhe largimin për një kohë të gjatë të Serbisë nga rruga e integrimeve në BE, e ndoshta edhe ndonjë masë tjetër edhe më drastike”, pohon Janjiq.
(Pa)mundësia për një Rambuje 2
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur për një mundësi të një dialogu të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst ka përmendur edhe inkuadrimin në këtë dialog të Rusisë dhe SHBA. Dragomir Angjelkoviq thotë, se në këtë dialog duhet të përfshihen forcat që mund të garantojnë se Prishtina do t’i plotësojë detyrimet nga marrëveshja e Brukselit. “Serbia nuk ka punë vetëm me Prishtinën por edhe me forcat perëndimore që mund të ushtrojnë presion ndaj Kosovës. Ato nuk e kanë bërë këtë deri më tani. Në këtë mënyrë do të hiqej perdja dhe Prishtina do të detyrohej që t’i kryejë detyrat e veta”, thotë ai.
Një vëmendje e posaçme në Beograd po i kushtohet së fundi edhe spekulimeve për një konferencë të ngjashme me atë të Rambujesë. Por Dushan Janjiq thotë, se ka dallime mes Rambujesë dhe një konference tjetër për Kosovën. Ajo për të cilën flitet tani është mundësia e riaktivizimit të një Grupi të Kontaktit, ku do të ishte edhe Rusia, që do të forconte edhe rolin e Serbisë. “Konferencat e Rambujesë dhe Dejtonit janë mbajtur në kohën e luftërave. Tani nuk kemi luftë. Përveç kësaj, asokohe Rusia ka pasur një bashkëpunim të plotë me Perëndimin, që tani nuk e ka. Rusisë i përgjigjet tani më shumë hapja e krizave të reja, ashpërsimi i situatave, për të shitur pak teknologji”, thotë Janjiq.
Ndërsa Angjelkoviq mendon se çfarëdo marrëveshje mes forcave të mëdha do të sillte lëvizje pozitive. “Mendoj se modeli i ngjashëm si Rambuje është i pamundur. Kjo mundësi ekziston vetëm nëse dakordohen Rusia dhe Perëndimi, të cilat do të bënin presion ndaj palës serbe dhe shqiptare. Kjo nuk më duket reale në këtë moment”, pohon ai.
Situata e keqe e sigurisë
Përveç ngecjeve në dialog, edhe situata e sigurisë në rajon është keqësuar. Presidenti Vuçiq flet për sulme ndaj serbëve dhe pasurive të tyre në Kosovë. Ai mendon se sulmet nuk janë të rastësishme. Dushan Janjiq thotë se këtu kemi të bëjmë me disa zhvillime: “Së pari kemi konflitket mes bandave. Autoritetet serbe duhet të shpjegojnë pse bandat nga Leskovci shkojnë dhe plaçkisin në Graçanicë, e këto gjëra llogariten më pas si incidente etnike? A synon ajo që pas destabilizimit të veriut, me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, të destabilizohet edhe Graçanica? Situata e sigurisë është katastrofale, por kjo nuk i pengon autoritetet ndërkombëtare të jenë të gatshme dhe të reagojnë kur duhet”, thotë Janjiq.
Ndërsa Angjelkoviq mendon se këto incidente nuk paraqesin ndonjë rrezik serioz, por vetëm një masë e presionit psikologjik ndaj Beogradit. “Mendoj se Kosova nuk është e interesuar që gjendja të përshkallëzojë, sepse kjo do t’i kthehej si bumerang”, pohon Angjelkoviq. (dw)

Shqipëri: Studimi, qindra familje të prekura nga gjakmarrja

pajtimShqipëria ka aktualisht 704 familje të prekura nga gjakmarrja, prej të cilave 591 jetojnë në Shqipëri ndërsa 113 prej tyre janë larguar jashtë vendit.

Studimi u krye nga shoqata “Gjenerata e Re” me ndihmën e autoriteteve policore dhe OSHEE në 6 qarqet e prekura nga kjo dukuri: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Durrës.

Shkodra është e prekur më rëndë dukuria tragjike me 156 familje në gjakmarrje, nga të cilat 17 janë të ngujuara, 47 familje u larguan jashtë vendit, ndërsa disa dhjetëra fëmijë braktisin shkollën dhe kanë nevojë për mbështetje psikosociale. Qyteti brenda ka 76 familje në gjakmarrje, Vau i Dejës, 36, Malësi e Madhe 22, Puka 13, Fushë-Arrëzi 9 familje me gjakmarrje.

Qarku i dytë më i prekur është Lezha me 102 familje në gjakmarrje, 6 nga të cilat janë ngujuar, 33 kanë lënë Shqipërinë. Në këtë qark Laçi ka 21 familje në gjakmarrje, më pak Lezha, Zejmeni, Shënkolli, Rubiku, Kacinari, dhe 15 njësi të tjera. Më pas vjen Dibra me 89 familje në gjakmarrje, por më shumë në këtë qark janë prekur Burreli, Bulqiza, e Klosi. Në qarkun e Kukësit janë 87 familje me gjakmarrje, Durrësi 86 edhe Tirana 68.

Kryeqyteti dhe Durrësi janë kthyer në vendshtrehime për familje nga qarqet e tjera. Në Tiranë njësitë me më shumë raste janë Paskuqani, Bathorja, njësia 9 dhe 11. Në Durrës më shumë ka Fushë Kruja-22, Thumana 15 familje në gjakmarrje.

Gjakmarrja në Tiranë ka ardhur për shkak të lëvizjes demografike të popullsisë, nga zonat veri dhe veri-lindore, ku shumë familje sjellin edhe dramën e marrjes së gjakut. Familjet mbyllen në shtëpi nga frika e vrasësit; Kukësi ka 3 familje të të ngujuara, 6 janë në Lezhë, po 6 ka Durrësi, madje edhe në Tiranë janë 5 familje të ngujuara nga gjakmarrja.

Pajtimet e gjakmarrjeve janë shumë të vështira dhe këto shpesh kthehen në vrajse. Mënyrat kryesore për ta shmangur rrezikun është largimi jashtë Shqipërisë apo në zona të tjera brenda vendit.

Pjesa më e madhe e familjeve të prekura nga gjakmarrja jetojnë në varfëri dhe mjerim. Rëndesa ekonomike vjen nga izolimi dhe banesat e vogla pa siguri dhe pa kushte, sidomos për të sëmurët, të cilët nuk dalin dot as për të marrë shërbimin mjekësor.

Konfliktet e gjakmarrjes trashëgohen nga vetëgjyqësi të vjetra e të reja. Halli më i madh mbeten fëmijët e pafajshëm, që ngujohen ose shkëputen nga shkolla, madje ka edhe nga ata që kanë lindur në ngujim. (voa)