Vjen hamburgeri pa mish që kënaq mishngrënësit

hamburgerPas vitesh pune kërkimore dhe rreth 400 milionë dollarë fonde, kompania “Impossible Foods” ka futur në tregun vegjetarian produktin më të fundit të hamburgerave pa mish. Qëllimi i kësaj kompanie të re nga Kalifornia është të bëjë një produkt natyror dhe organik, i cili do t’u japë njerëzve kënaqësinë e të ngrënit të mishit, por pa kolesterol, antibiotikë, hormone, bakterie të dëmshme… dhe mbi të gjitha – pa mish fare.

Ka pamjen e mishit…, skuqet në zgarë si mishi…, ka shijen e mishit…, por nuk është mish.

“Hamburgeri i Pamundur” është prodhuar i gjithi nga bimët dhe me vetëm një pjesë të vogël të mundimit që duhet për të prodhuar një hamburger nga mishi. Shumë prej mishngrënësve thonë madje se u pëlqen më shumë.

Ky hamburger vegjetarian ka katër përbërës bazë: grurë, i cili ofron proteinën; patate, e cila lidh elementet së toku; esencë arre kokosi, e cila i jep lëngshmërinë; si dhe një përbërës të katërt të veçantë.

“Vetëm ne e kemi këtë përbërës të quajtur ‘heme’, i cili gjendet jo vetëm në gjakun e kafshëve, por edhe tek bimët. Ne ia dolëm mbanë ta prodhojmë nga një burim natyror bimor dhe si rezultat kemi një hamburger që ka karakteristikat e një hamburgeri nga mishi”, thotë David Lee, drejtor i kompanisë “Impossible Foods”.

Tal Ronnen, kuzhinier dhe pronar i një restoranti të rëndësishëm vegjetarian në Los Anxheles, thotë se kjo tashmë po ndryshon gjithçka.

“Ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit perceptojnë hamburgerin. Megjithëse ne jemi restorant vegjetarian, ky produkt ka qenë ndër më popullorët”, thotë zoti Ronnen.

Restoranti “Umami Burger” është i specializuar për hamburgerat gourmet dhe thotë se tashmë po shtohet kërkesa për “Hamburgerin e Pamundur”.

Ky është një lajm i mirë për kompaninë që e prodhon.

“E krijuam kompaninë me synimin që të kemi një ndikim global. Krahas SHBA-së, kemi filluar operacionet edhe në Hong Kong, nga i cili shpesh fillojnë tendencat e reja ushqimore për Azinë”, thotë zoti Lee.

Fabrika e re e kompanisë në Oklahoma ka kapacitetin për të prodhuar mbi 5 milionë e gjysëm “Hamburgera të Pamundur” në muaj… Ky kapacitet prodhimi na bën të besojmë se së shpejti ky produkt do të shfaqet në menutë e restoranteve në gjithë SHBA-në dhe në mbarë botën.

Qeveria greke konfirmon se nesër përsëri do të ketë bisedë telefonike në mes Zaev dhe Tsipras

greqi-maqedoniKryeministri Zoran Zaev sot pati një bisedë telefonike 60 minutëshe me kryeministrin grek Alexis Tsipras, përcjell portali “Fokus”.

Zaev dhe Tsipras diskutuan çështjet e mbetura dhe morën në konsideratë disa ide për zgjidhje. Është rënë dakord që në mëngjes do të ketë një bisedë tjetër telefonike tjetër.

Telefonatën ne mes Tsipras dhe Zaev e konfirmoi edhe Qeveria greke.

“Kryeministri Alexis Tsipras pati një bisedë telefonike me Kryeministrin e IRJM-së, Zoran Zaev këtë pasdite në një klimë të mirë. Të dy kryeministrat ranë dakord të përfundonin bisedimet e tyre gjatë një bisede të re telefonike të martën në mëngjes, thonë nga zyra e Tsipras. /Telegrafi/

Integrimi, Hahn: Nuk ka kapërcim fazash për Ballkanin Perëndimor

johannes-hahnProcesi i integrimit për Ballkanin Perëndimor nuk ka kapërcim fazash është shprehur eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn.

Ai ka mbajtur një leksion në Vjenë ku ka folur për strategjinë e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh dhe faktin se Austria merr presidencën e radhës të BE në korrik.

“Strategjia e Ballkanit Perëndimor është parë si një dokument i rëndësishëm për të risjellë në agjendë zgjerimin e Bashkimit Europian. Presidenca austriake është një dritare e rëndësishme mundësish”, ka thënë më tej Hahn.

Në fund të qershorit BE pritet të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Top Channel

Serwer: Për Kosovën në OKB vendos Moska jo Beogradi

SerwerAnalisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka theksuar se për ulësen e Kosovës në OKB nuk vendos Beogradi, por Moska. Sipas tij, ky synim është vështirë të arrihet me negociata edhe nëse do të pajtohej Beogradi.

Gjatë fazës përfundimtare të dialogut Prishtina dëshiron të vazhdojë me themelimin e ushtrisë, përderisa Beogradi me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në anën tjetër për njohjen e Kosovës negociatat duhet të zhvillohen midis Beogradit dhe Bashkimit Evropian.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” analisti amerikan për Ballkanin Daniel Serwer, duke shtuar se gjatë këtyre negociatave BE-ja do të këmbëngulë për një normalizim të plotë dhe të pakthyeshëm, që sipas tij nënkupton njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim të përfaqësuesve në nivel ambasadorësh.

Serwer ka folur edhe për mundësinë që Kosova gjatë negociatave me Serbinë ta fitojë ulësen e vet në OKB.

“Sa i përket anëtarësimit në OKB është e rëndësishme të mbani mend se nuk është Beogradi që do të vendosë, por Moska. Unë mund të imagjinoj për fat të keq një situatë në të cilën Beogradi konkludon se anëtarësimi në OKB është një ide e mirë, por Moska refuzon”, ka shtuar Serwer.

Top Channel

Donald Trump – Zile zgjimi për Europën

Merkel trumpDeputeti kristiandemokrat gjerman, Johann Wadephul e sheh paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në samitin e G7-s në Kanada si sinjal: Europa duhet të mësojë të bëjë politikë të jashtme me forcat e veta.

Herr Wadephul, Presidenti amerikan Donald Trump e tërhoqi miratimin për deklaratën e përbashkët të G7-s përmes Twitterit. Çfarë mund të ketë qenë motivi?

Johan Wadepuhl: Nuk mund të thuash me saktësi, nëse kjo ishte pasojë e momentit apo buroi nga skepticizmi i tij i njohur për institucionet multilaterale. Sidoqoftë është një mënyrë e çuditshme e formulimit të politikës. Duhet të kuptohet tani, se presidenti amerikan si lider i natyrshëm i botës perëndimore është larguar nga marrëveshja që e ka nënvizuar edhe njëherë atë që na mban si perëndim të bashkuar.

Ndryshon përfundimisht marrëdhënia e europianëve me presidentin, Trump pas kësaj fundjave?

Jam i sigurtë që vlen ajo që ka thënë një mbështetës i madh i marrëdhënies transatlantike, John McCain- që në Amerikë ka një konsesus të përgjithshëm jo partiak, proeuropian dhe protransatlantik, që mbështetet nga shumica e amerikanëve. Nuk duhet injoruar që administrata amerikane e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe presidenti po e vënë këtë në pikëpyetje. Me heqjen dorë nga ujdia e shtatëve vendeve të industrializuara arrihet një pikë e re kulmore, e duhet të jemi të ndershëm e të pranojmë se me këtë president nuk bashkëpunohet siç ishim mësuar më parë. Kjo është një zile zgjimi për Europën dhe gjashtë shtetet e mbetura në këtë format.

Donald Trump ka propozuar ripranimin e Rusisë në rrethin e vendeve më të rëndësishme të industrializuara. Rusia u përjashtua pas aneksimit të Krimesë. Nga G8 u bë G7. Si e shikoni këtë propozim?

Nuk është i lehtë për t’u interpretuar. Nga ana tjetër duhet vënë re se presidenti e bëri këtë propozim, edhe pse e ka ditur, se nga  partnerët e tjerë, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe do të kundërshtohej qartë. E rëndon marrëdhënien transatlantike edhe më shumë kur atij nuk i intereson mendimi i partnerëve europianë.

E shihni Europën të bashkuar aq sa duhet? Italia me qeverinë e re po dërgon sinjale miqësore në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.

Njihet se Italia politikën europiane të Rusisë e ka parë më me rezerva, krahasuar me shtete të tjera. Për mua është vendimtare, që Gjermania dhe Franca janë më të bashkuar se rrallë ndonjëherë në të shkuarën. Akoma më e rëndësishme  është që Britania e Madhe megjithë Brexit qëndron 100% pas linjës politike europiane. Europa është forcuar nga krizat, dhe kjo është një krizë e re për Europën.

Ç’pamje duhet të kishte një politikë e mençur europiane pas kësaj fundjave?

Ne europianët duhet ta shohim mesazhin në Twitter si një zile zgjimi, nëse kjo është ende e nevojshme. Kjo do të thotë, që ne duhet të bëjmë më shumë në drejtim të përcaktimit të një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti i Komisionit Europianm Jean-Claude Juncker ka thënë, se Europa nuk është e aftë në politikën botërore. Ne europianët duhet ta kuptojmë, se duhet ta marrim vetë në dorë fatin tonë, dhe të mbrojmë vlerat tona, mirëqenien tonë dhe lirinë tonë.

Europa, veçanërisht Gjermania i detyrohet shumë Shteteve të Bashkuara pas vitit 1945. Duke parë gjendjen e sotme a është Europa po kaq e rëndësishme për SHBA?

Po natyrisht. Bota nuk është më bipolare, por multipolare. Shtetet e Bashkuara janë natyrisht shumë të fuqishme në aspektin ekonomik, e të politikës së sigurisë. Por në një botë multipolare ato do t’ia dalin vetëm, nëse do mund të bashkohen me vende që u qëndrojnë vlerave si liria, pavarësia ekonomike, liria e shprehjes së mendimit dhe të drejtat e njeriut. Kemi një Japoni, Zelandën e Re, Australinë, Indinë, demokracinë më të madhe në botë. Por Europa mbetet një fortesë, një spirancë e pozitive e këtyre vlerave.

Besoj se SHBA e dinë se edhe në të ardhmen janë të varura nga një marrëdhënie e mirë me Europën. Sigurisht SHBA është një fuqi drejtuese perëndimore. Por “të drejtosh” nuk do të thotë të komandosh vetëm dhe të shohësh nëse po të binden. Të drejtosh do të thotë më shumë të japësh një drejtim, por edhe të kujdesesh që ata që duan të japin kontribut, kanë interesat e tyre, dhe ato duhet të përfshihen me mençuri.

 

Johann Wadephul është zëvendëskryetar i fraksionit tw unionit CDU/CSU në Bundestag, përgjegjës për politikën e jashtme, mbrojtjen dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe Këshillin e Europës. (dw)

Apple, opsione të reja për kufizimin e kohës së shpenzuar me celularin

Apple 2Kompania “Apple” do të ofrojë mënyra të reja për njerëzit që dëshirojnë të kufizojnë kohën që shpenzojnë me iPhone-in e tyre. Ndërkaq, kompania paraqiti edhe funksione të reja që synojnë t’i bëjnë produktet e saj të domosdoshme. Ky paradoks u shfaq gjatë Konferencës Botërore të Programuesve, ku drejtuesit e kompanisë “Apple” paraqitën programet që do t’i ofrohen publikut në të ardhmen.

Disa nga funksionet e reja po mundësohen pas kritikave se paisjet po krijojnë gjithnjë e më shumë ndërvarësi dhe shpërqëndrim.

Por, Apple e bën të qartë se shpreson gjithashtu që paisjet dhe shërbimet e saj të jenë edhe më joshëse, madje të parezistueshme. Programi i asistentit dixhital Siri do të ketë hapësira të reja për të funksionuar si “truri rezervë” i përdoruesve. Do të ketë mundësira të reja argëtimi dhe komunikimi.

Por, Apple po paraqet gjithashtu edhe opsione të reja për mosbezdisjen e përdoruesve, ose opsione për p.sh. zbehjen automatike të ekranit përpara orarit të gjumit. Gjithashtu, njerëzit do të mund të përcaktojnë kufizime kohore për përdorimin e çdo aplikacioni.

“Pra, Apple njoftoi sot inciativën për ‘shëndetin dixhital’. Duket se janë një grupim opsionesh të integruara në aplikacione që me kalimin e kohës do t’ju ndihmojnë të përdorni më pak telefonin tuaj. Pra, Apple ka pranuar kështu se njerëzit ndërvaren nga celularët e tyre dhe me opsionet e reja i ndihmon të shkëputen nga hapja e kotë e celularit”, thotë Brian Blau, zv.president i kompanisë “Gartner”.

Sidoqoftë, Apple po shton opsione të reja për realitetin e shtuar virtual, me objekte të reja memoji që mund të përdoren në mesazhe, si dhe elemente argëtimi që shfaqen si pjesë e botës së vërtetë.

“Është një përpjekje e kompanisë Apple për t’i mbajtur të kënaqur përdoruesit, duke u ofruar opsione më të shumta për personalizimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre indvidual dhe duke iu përshtatur punës që bëjnë”, thotë zoti Blau.

Konferenca e programuesve zhvillohet deri më datën 8 qershor në San Jose, të Kalifornisë. (voa)

Kush e ruan hapësirën ajrore të Serbisë dhe rajonit?

aeroplanKroacia dhe Serbia kanë forcat e veta ajrore, ndërsa Mali i Zi është futur nën ombrellën e NATO-s. Po ku është Bosnjë-Hercegovina dhe cila është perspektiva e rajonit?

Disa analistë thonë se ish-Jugosllavia, (RSFJ) ka pasur forcat më të fuqishme të armatosura ajrore në rajon – Armata Popullore e Jugosllavisë renditej e katërta në Evropë. Aviacioni ushtarak ka pasur 400 avionë, ndër të cilët edhe 98 MiG-21 dhe 16 MiG-29. Por me shpërbërjen e shtetit, janë shkatërruar edhe forcat e armatosura. Një pjesë e madhe e avioacionit ushtarak është shkatërruar gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci dhe ndërhyrjes së NATO-së në vitin 1999.

Që nga data 5. 06. 2018 hapërsirën ajrore e mbrojnë avionët e NATO-s (Italisë dhe Greqisë) dhe me këtë hap është përmbyllur sistemi mbrojtës malazez në kuadër të aleancës veriatlantike. Kroacia është po ashtu anëtare e NATO-s. Ajo ka avionë të vjetëruar MiG-21, por së shpejti do të ketë avionë izraelitë F-16 Barak. Serbia është furnizuar nga Rusia me avionë MiG-29, të një prodhimi më të vjetër, por të cilët teorikisht mund t’u kundërvihen disa avionëve perëndimorë.

Forcat e armatosura të Bosnje-Hercegovinës kanë kapacitete më modeste, sepse ky vend ka vetëm disa helikopterrë të vjetër dhe probleme të mëdha për mirëmbajtje. Për avionë modernë Bosnjë-Hercegovina nuk ka para.

Bosnjë-Hercegovina pa avionë luftarakë

Analisti ushtarak Nexhad Ahatoviq thotë, se blerja eventuale e avionëve varet nga përcaktimi i Bosnjë-Hercegovinës që të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në kushtet normale, forcat e armatosura të këtij vendi do të duheshin të pajiseshin në dy faza. Së pari, Bosnjë-Hercegovina do të duhej të blinte avionë Super Tucano, për shkak të kostove të ulëta. Ndërsa në fazën e dytë pas futjes në NATO ky vend do të mund të mendonte për avionë të cilësisë së lartë, thotë Ahatoviq.

Ndërsa analisti nga Zagrebi, Igor Tabak thotë, se fuqia e forcave të armatosura varet nga mundësia financiare. Në Kroaci kemi një shumë relativisht modeste të parave që ndahen për mbrojtje dhe për mirëmbajtjen e avonëve disa dekada të vjetër. Kroacia  e cila aktualisht ka avionë të vjetër izraelitë së shpejti do të detyrohet ta trajtojë këtë çështje sërish, sepse duhet të jetë pjesë e mbrojtjes së hapsirës ajrore të BE-së, thotë Tabak.

Kroacia para sfidave të reja

Në dallim nga Serbia, e cila po e forcon flotën e avionëve MIG-29, Kroacia është futur në një fazë tjetër të ndryshimeve logjistike dhe teknike. “Kroacia i ka zëvendësuar MIG-21 me avionë F-16, të cilët janë përdorur dikur në Izrael”. Analisti nga Beogradi Andrej Mlakar pranon, se Serbia nuk mund të përballet me NATO-n, veçanërisht jo kur bëhet fjalë për avionë. Por ajo ka vendosur që të ruajë kapacitetet e veta dhe të mos paguajë të tjerët për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.

„Kjo rrugë e Serbisë ka nisur me blerjen e gjashtë MiG-29 nga Rusia vitin e kaluar si dhe aftësimin e katër avionëve që ka pasur. Kështu është krijuar një flotë e avionëve për ruajtjen e hapësirës ajrore, me detyrë ‘air policing’. Në fakt, Sebia ka blerë kohë sepse më së largu pas 10 vitesh do të detyrohet të blejë avionë të tjerë”, mendon Mlakar.

Kush po shkon në Lindje e kush në Perëndim?

Në ç’drejtim do të shkojnë  vendet “neutrale” ballkanike, varet nga përcaktimi i tyre strategjik dhe raportet ndërkombëtare. Mlakar mendon, se pozita aktuale “neutrale” e Serbisë nuk do të mund të qëndrojë për një kohë të gjatë. “Nuk mund të kesh bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe Partneritetin për Paqë dhe njëkohësisht të bësh manovra me Rusinë, e në fund të flasësh se je neutral. Raportet Rusi-NATO janë të tensionuara. Nëse jemi neutral, atëherë duhet t’u shmangemi manovrave me Rusinë dhe programeve të bashkëpunimit me NATO-n. Por këtu kemi të bëjmë me një politikë të ngjashme si ajo e Jugosllavisë kur thuhet se jemi neutral dhe të pavarur”, pohon Mlakar.

Analistët janë të mendimit se siguria në Ballkan varet edhe nga raportet Rusi-NATO. Nexhad Ahatoviq pohon, se do të ishte mirë sikur disa faktorë në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë të kuptojnë se jo edhe shumë gjatë do të mund të bllokohet zgjerimi i NATO-s në Ballkan. „Bllokimi i influencës ruse në këtë pjesë të Evropës është një interes strategjik për Perëndimin dhe aleancën ushtarake. Ndarje të tjera dhe kufinj të ri në Ballkan nuk do të ketë, ndërsa është e domosdoshme njohja e shtetit të pavarur të Kosovës dhe normalizimi i sistemit politik të Bosnjë-Hercegovinës. Rruga e vetme logjike e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës është anëtarësimi i plotë në BE dhe NATO, që do të përcaktonte edhe strukturën dhe sistemin e tyre të mbrojtjes”, thotë Ahatoviq.

Apple dhe kufizimi i kohës së shpenzuar me celularin

AppleKompania “Apple” do të ofrojë mënyra të reja për njerëzit që dëshirojnë të kufizojnë kohën që shpenzojnë me iPhone-in e tyre. Ndërkaq, kompania paraqiti edhe funksione të reja që synojnë t’i bëjnë produktet e saj të domosdoshme. Ky paradoks u shfaq gjatë Konferencës Botërore të Programuesve, ku drejtuesit e kompanisë “Apple” paraqitën programet që do t’i ofrohen publikut në të ardhmen.

Disa nga funksionet e reja po mundësohen pas kritikave se paisjet po krijojnë gjithnjë e më shumë ndërvarësi dhe shpërqëndrim.

Por, Apple e bën të qartë se shpreson gjithashtu që paisjet dhe shërbimet e saj të jenë edhe më joshëse, madje të parezistueshme. Programi i asistentit dixhital Siri do të ketë hapësira të reja për të funksionuar si “truri rezervë” i përdoruesve. Do të ketë mundësira të reja argëtimi dhe komunikimi.

Por, Apple po paraqet gjithashtu edhe opsione të reja për mosbezdisjen e përdoruesve, ose opsione për p.sh. zbehjen automatike të ekranit përpara orarit të gjumit. Gjithashtu, njerëzit do të mund të përcaktojnë kufizime kohore për përdorimin e çdo aplikacioni.

“Pra, Apple njoftoi sot inciativën për ‘shëndetin dixhital’. Duket se janë një grupim opsionesh të integruara në aplikacione që me kalimin e kohës do t’ju ndihmojnë të përdorni më pak telefonin tuaj. Pra, Apple ka pranuar kështu se njerëzit ndërvaren nga celularët e tyre dhe me opsionet e reja i ndihmon të shkëputen nga hapja e kotë e celularit”, thotë Brian Blau, zv.president i kompanisë “Gartner”.

Sidoqoftë, Apple po shton opsione të reja për realitetin e shtuar virtual, me objekte të reja memoji që mund të përdoren në mesazhe, si dhe elemente argëtimi që shfaqen si pjesë e botës së vërtetë.

“Është një përpjekje e kompanisë Apple për t’i mbajtur të kënaqur përdoruesit, duke u ofruar opsione më të shumta për personalizimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre indvidual dhe duke iu përshtatur punës që bëjnë”, thotë zoti Blau.

Konferenca e programuesve zhvillohet deri më datën 8 qershor në San Jose, të Kalifornisë. (voa)

Erdogan kërcënon Austrinë për mbylljen e xhamive

ErdoganPas njoftimit të Austrisë për mbylljen e xhamive Presidenti turk Erdogan paralajmëroi se Turqia do të kundërpërgjigjet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e kritikoi ashpër qeverinë austriake për planet për mbylljen e xhamive ekstremiste. “Kam frikë se hapat e kancelarit austriak do ta çojnë botën në një kryqëzatë të re,” tha Erdogani në adresë të kancelarit Sebastian Kurz. “Mos mendoni se po e bëtë këtë, ne do të bëjmë sehir? Jo, edhe ne do të ndërmarrim disa hapa”, tha Erdogan.

Turqia i quajti masat e shpallura nga Austria si armiqësore ndaj islamit dhe raciste. Zëdhënësi i Erdogan e akuzoi qeverinë austriake se për mbylljen e xhamive dhe për dëbimin e imamëve po përdor “justifikime të çala”. Kjo është një shprehje e “valës anti-islamike, raciste dhe diskriminuese të populizmit në këtë vend”, shkroi Ibrahim Kalin në Twitter. Austria i sulmon komunitetet myslimane që të “nxjerrë prej kësaj kapital të lirë politik”.

Kalini e akuzoi gjithashtu qeverinë austriake se me politikën e saj “po normalizon islamofobinë dhe racizmin”. Me “veprimet e saj me ngarkesë ideologjike” ajo shkel parimet ligjore bazë, politikat e integrimit, të drejtat e pakicave dhe “etikën e bashkëjetesës”. Mediat turke folën për një “vendim skandaloz”.

 Kurz: Në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele”

Qeveria konservatore e Austrisë vendosi të premten se do të dëbojë nga vendi deri në 60 imamë dhe do të mbyllë rreth 7 xhami. Kancelari Kurz tha se në Austri “nuk ka vend për shoqëri paralele, islam politik, tendeca radikalizuese.” Ministri austriak i Kulturës, Gernot Blümel deklaroi se do të mbikqyren dhe kontrollohen jo vetëm xhamitë por edhe aktivitetet e “Ujqve Gri”. Kurse ministri i Brendshëm Kickl u dha urdhër autoriteteve për regjistrimin e shoqatave që të raportojnë për paditë e mundshme ndaj shoqatave të afërta me ATIB-in.

Në gjithë Austrinë ka rreth 260 imamë. Po ashtu qeveria njoftoi se do të mbyllë pas një verifikimi xhami të afërta me “Unionin Turk-Islamik për Bashkëpunimin Kulturor dhe Social në Austri” (ATIB). Nga mbyllja preket edhe një xhami e “Ujqve Gri” të ekstremit të djathtë në Vjenë që ra në sy me disa publikime në internet me inskenime luftërash, ku protagonistë ishin fëmijët. ATIB dyshohet se mbështet nacionalizmin turk.

Po ashtu do të mbyllet edhe Bashkësia Kulturore Arabe, e cila ka gjashtë xhami. Bashkësia Kulturore Arabe thotë se ka rreth 1.000 anëtarë, kryesisht nga Egjipti dhe Çeçenia. Arsye për mbylljen janë ndër të tjera, deklaratat salafiste të përfaqësuesve të kësaj bashkësie në një xhami, tha ai. Salafizmi është një rrymë e prapambetur, jashtëzakonisht konservatore e fesë islame. Ithtarët e salafizimit e konsiderojnë veten si mbrojtës të Islamit të pafalsifikuar. Qëllimi i salafistëve është transformimi i plotë i shtetit, sistemit ligjor dhe shoqërisë sipas rregullave të tyre – dhe vendosja e një “teokracie” islamike. (dw)

Interesat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

East WestVeteranë të politikës amerikane në Ballkan i janë kthyer sërish Ballkanit. Interesat e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor janë interesa në çështjet e sigurisë, në çështjet diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.

“Ne pamë që ka qenë gabim që u larguam nga Ballkani. Ky raport është një nga punët që tregon se ne duam të riangazhohemi në Ballkan, sepse problemet atje janë të pranishme”, thotë Cameron Munter, drejtor i Institutit EastWest, nö lidhje me raportin “Koha për veprim në Ballkanin Perëndimor” të diskutuar së fundmi në këtë institut në Nju Jork.

Interesat e SHBA në Ballkanin Perëndimor janë interesa për çështje të sigurisë, çështje diplomatike, ushtarake, dhe ekonomike. “Ne u mblodhëm bashkë sepse arritëm në përfundimin se në Ballkanin perëndimor janë duke ndodhur tri gjëra, që nuk janë në interes të SHBA”, thotë Ambasadori Frank Wisner. Situata e brendshme në vendet e rajonit, ndikimet e huaja atje dhe fundamentalizmi.

Çfarë po ecën keq?

Situata e brendshme në çdo vend të Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur progres, dhe në disa raste ka pasur zhvillime që e kanë përkeqësuar situatën. Institucionet nuk janë duke konsoliduar, ekonomia nuk është bërë tërheqëse, papunësia është në rritje, të rinjtë po largohen nga rajoni. Dinamikat e brendshme nuk janë të shëndetshme. Marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit nuk janë përmirësuar, jo vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në raste të tjera. Po nö Ballkan vihet re dhe ndërhyrja e vendeve të huaja, pjesa më e madhe e të cilave nuk janë konstruktive si: Rusia, Kina dhe Turqia.

Rusia

Rusia ka vendosur ta përdorë Ballkanin Perëndimor si vegël për të mbrojtur interesat e veta me Europën. Rusia po e përdor Kosovën për të detyruar pjesëmarrjen e saj në arkitekturën e të ardhmes së Evropës. Duke përdorur propogandën, për shembull me radion Sputnik ajo punon për destabilizimin e gjithë rajonit. “Rusia ka të drejtë të bëhet pjesë e zhvillimit dhe të vrasë mendjen si mund të zhvillohet rajoni, por Rusia nuk ka të të drejtë të ketë veton për të ardhmen e rajonit dhe ta përdorë atë për të balancuar marrëdhënet e veta me vendet e tjera të Evropës,” thotë ambasadori Wisner.

Në lidhje me rolin e OKB në Ballkan vihet re se SHBA kërkon të reduktojë aktivizimin e Këshillit të Sigurimit me Kosovën, të reduktojë UNMIK dhe ideja është më pak OKB dhe më shumë BE dhe NATO në Ballkan.

Shefi i Misionit të Finlandës në OKB, Kai Sauer, ish-asistent i Marti Artihsarit me angazhim shumë aktiv për rajonin, shpjegon se OKB aktualisht nuk ka rol në Ballkan. “Operacionet e OKB, UNMIK kushton 35 milionë në vit, për një punë që nuk ka fakte politike. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e ka quajtur Ballkanin si një nga prioritetet e angazhimit të tij. Synimi është nxjerrja e OKB-së nga Ballkani dhe jo futja e saj në të”, tha Kai Sauer.

Turqia dhe çfarë thotë ajo

Janë parë rizgjime të interesave turke në rajon. Shumë prej tyre janë konstruktive. Turqia është investitore, Turqia është arkitekte e modernizimit të rrugëve, Turqia është pjesëmarrëse në forcat paqeruajtëse. Por, politika turke është duke ndërhyrë në rajon. Kryeministri turk bën fushatë në Sarajevë për zgjedhjet që zhvillohen në Turqi. Dhe ka edhe raste të tjera, si përshembull konflikti me gylenistët.

Një e dërguar e misionit turk pranë OKB, kundërshton mënyrën se si prezantohet vendi i saj. “Nuk jemi dakord si prezantohet vendi im në raport dhe në diskutim. Kur flisni për Turqinë, ju flisni sikur Turqia të ishte një aktor i jashtëm. Turqia është prej vitesh vend aleat i NATO-s, dhe ka qenë zëri më i lartë në NATO për perspektivën euro-atlantike të Ballkanit. Ne nuk e konsiderojmë veten tonë si aktor të jashtëm.”

Ambasadori Wisner i shpjegon asaj: “Ne shprehim shqetësimin që Turqia kërkon të zgjidhë problemet e politikës së brendshme, duke bërë politikë të jashtme. Dhe këtu mund të haset me të tjerë në rrugë.”

Kosova dhe Serbia

Ambasadori Cameron Munter, drejtor i Institit EastWest merr fjalën kur flitet për Serbinë dhe Kosovën. Në Kosovë situata ka mbetur në vend dhe nuk po ecën përpara me rezolutën, siç u mendua 10 vjet më parë, kur Kosova deklaroi pavarësinë dhe duke dashur zgjidhje të shpejtë u rekomandua që të dy vendet të njohin njëri-tjetrin dhe të bëhen anëtare të BE dhe NATO-s.

“Ajo që po ndodh në Serbi, është që ju shihni zotin Vuçiç, një njeri të sinqertë në angazhimin e tij për t’u futur në BE, por edhe si dikush që ka probleme me plotësimin e vlerave demokratike, si liria e shtypit, liria e sistemit të drejtësisë, etj. Kjo e bën të vështirë për ne ta imagjinojmë Serbinë në BE. Ne kemi të bëjmë me dikë që ka forcën për t’i kryer punët, por nuk vepron gjithnjë siç do të donte BE,” tha Cameron i cili ka qenë dy vjet ambasador në Serbi, gjatë kohës që Kosova shpalli pavarësinë.

“Nga ana tjetër ne kemi Kosovën, e cila që prej pavarësisë nuk ka qenë në gjendje të krijojë një lloj qeverie koherente, të cilën kërkojmë ne. Një nga vështirësitë është se edhe nëse Serbia dhe Kosova do të arrijnë në një marrëveshje për statusin, do të jetë e vështirë të gjesh konsensus për të në Kosovë. Njerëzit në Kosovë kanë mentalitetin që të shohin kush po vjen nga jashtë të zgjidhë problemet e tyre,” thotë ai.

Lidhur me idetë e ndarjes së Kosovës, sipas të cilave Kosova të japë 5-10 përqind të territorit në veri të Mitrovicës si këmbim për njohjen e statusit, Munter tha: “Ne e kemi parë seriozisht këtë sugjerim. Është interesante të shohësh se si dikush ka guximin të bëjë sugjerime të tilla. Ne kemi arritur në përfundimin se nuk është koha për këtë. Nuk është zgjidhje e qëndrueshme të bësh këmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Për shumë arsye, jo vetëm për njerëzit në rajon, por edhe në nivel ndërkombëtar shumë njerëz janë skeptikë.”

Shqipëria në rrugë të mbarë

Për Shqipërinë, përshtypja është shumë e mirë. Shqipëria është fokusuar në forcimin e institucioneve të veta, kryesisht institucionet e gjyqësorit. “Shqipëria është në “rrugë të mbarë”, thotë Ambasador Wisner. Ka shumë për të bërë në çështjet e kriminalitetit, jo vetëm kjo qeveri por edhe e ardhshmja, edhe tjetra pas saj.

Mali i Zi ka qenë një histori e mirë. Vendi është në NATO, pati zgjedhje demokratike. Maqedonia, është “work in progress”, puna vazhdon. (dw)