WhatsAppi reagon pas pasojave fatale

WhatsappWhatsApp-i njoftoi se ka bërë ndryshimeve të aplikacionit për 200 milionë përdorues të tij në Indi, pas përhapjes së mesazheve virale nëpërmjet tij, që rezultoi në sulme vdekjeprurëse në masë.

Qeveria e Indisë ka kërcënuar ta hedhë në gjyq WhatsApp-in duke thënë se “nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë dhe llogaridhënies”. Ministria e Teknologjisë së Informacionit njoftoi se “nëse WhatsApp-i do të mbetet spektator memec, do të trajtohet si bashkëfajtor dhe për pasojë do të përballet me veprime ligjore”.

Aplikacioni i mesazheve në pronësi të Facebook-ut, njoftoi se do të kufizojë mundësitë e përdoruesve në Indi për të dërguar mesazhe, duke bërë që ato të shpërndahen vetëm tek pesë kontakte dhe jo më shumë, në të njëjtën kohë.

India është tregu më i madh për përdorimin e WhatsApp-it.

voa

Shkup, përpjekje të pasuksesshme për të zhbllokuar formimin e KSHZ-së

ZaevDrejtuesit e katër partive kryesore në Maqedoni u takuan të enjten për të zhbllokuar formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa të cilin nuk mund të organizohet referendumi i paralajmëruar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. VMRO-DPMNE-ja opozitare e kushtëzon formimin e këtij organi dhe daljen në referendum me ristrukturimin e qeverisë, duke kërkuar postin e ministrit të rendit dhe tre zëvendës-ministra me të drejtë vetoje.

Por, Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe Bilall Kasami i njërit krah të Lëvizjes “Besa”, nuk mundën të bien dakord. Ata nuk dhanë shumë hollësi për bisedimet.

“Nuk ka kompromise për synimet strategjike të Republikës së Maqedonisë. Amnesti (për rastin e 27 prillit, 2017) direkte ose indirekte nuk do të ketë. Do t’i japin shans dialogut dhe bisedave deri sa kjo të jetë e mundur, tha Zoran Zaev pas takimit.

Hristijan Mickoski tha se: “Për disa tema kemi qëdrime të afërta, për disa tema të tjera nuk kemi afruar qëndrimet. Nëse me të vërtetë synojmë vlerat dhe parimt evropiane, kështu edhe duhet të sillemi. Vlerat e njejta t’i themi jo vetëm në mënyrë deklarative, por t’i zbatojmë edhe në vepër”.

Ndërkaq, Ali Ahmeti dhe Bilal Kasami janë në një vijë me kryeministrin Zoran Zaev.

Zoran Zaev ka lënë të kuptohet se pyetja e cila do të shtrohet në referendum do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO dhe për marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Pushteti duket se parapëlqen një referendum konsultativ e jo obligativ. Sidoqoftë, shkalla e pjesëmarrjes në referendum prej më tepër se 50 përqind pritet të jetë e vështirë. Mbi 900 mijë votues duhet të dalin të votojnë në këtë rast, ndërsa 50 përqindëshi i tyre, plus një votë më shumë duhet të deklarohen në favor të ndryshimit të emrit të Maqedonisë në “Maqedonia e Veriut”.

Identifikohen atentatorët e dyshuar për rastin Skripal

SkripalSipas mediave hetuesit britanikë kanë identifikuar me ndihmën e kamerave të vëzhgimit rusët e dyshuar si atentatorë në rastin Skripal. Rusia kërkon nga autoritetet britanike një deklaratë zyrtare.

Policia britanike me sa duket ka identifikuar autorët e dyshuar të sulmit me gazit helmues ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Fjala është për disa rusë, njoftoi agjencia britanike e lajmeve PA, duke cituar një burim nga organet e hetimit.

Hetuesit kanë analizuar regjistrimet e kamerave të vëzhgimit dhe i kanë krahasuar me të dhënat e personave që kanë hyrë në Britaninë e Madhe në periudhën në fjalë. Hetuesit janë “të sigurt” se të dyshuarit janë rusë. Scotland Yard nuk i komentoi fillimisht njoftimet në media.

Ndërkohë Rusia kërkoi nga autoritetet britanike një deklaratë zyrtare lidhur me dyshimet e reja. “Dua që këto t’i dëgjoj nga Scotland Yard-i ose Ministria e Jashtme”, jo nga shtypi, tha ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar, Aleksandër Jakovenko, njofton agjencia ruse Interfax. Rusia sipas tij është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet britanike.

A kishte helmi të njëjtim burim?

Ish-agjenti i dyfishtë rus Skripal dhe vajza e tij Julia u helmuan në mars në Salisbury me helmin nervor Novitshok. Që të dy arritën të mbijetonin. Qeveria britanike fajësoi Rusinë për sulmin, por kjo i hedh poshtë akuzat.

Javën e kaluar u bë e ditur se një grua 44-vjeçare e cila tashmë ka vdekur dhe dhe një burrë 45-vjeçar kishin qenë në kontakt me helmin nervor që gjendej në një shishe të vogël. Tani duhet të përcaktohet nëse helmi vjen nga i njëjti burim si substanca me të cilën u helmuan Skripali (67) dhe vajza e tij (33).

Hetuesit e konsiderojnë të mundshme që të dy rastet janë të lidhura me njri-tjetrin. Londra e akuzoi Moskën se ishte organizatore e tentativës së vrasjes së Skripalëve. Helmi Novitshok është krijuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më vonë me të është eksperimentuar edhe në vende të tjera. Kremlini i mohon akuzat. Çështja shkaktoi një krizë diplomatike serioze. Më shumë se 20 vende dëbuan nga vendet diplomatë rusë. Rusia reagoi gjithashtu me dëbime. (dw)

Zbardhja e fatit të personave të pagjetur, ndërmjet humanitetit dhe politikës

pikepyetjeProcesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, proces ky, i cili që nga fillimi është konsideruar si human, vazhdon të mbetet peng i politikës, vlerësojnë përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave, si dhe zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet shqetësim i familjarëve të këtyre personave dhe institucioneve të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ekziston pakënaqësia me aktivitetet, gjatë këtij viti, në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Deri më tash, këtë vit, vërtet ne nuk jemi shumë të kënaqur me aktivitetet për gërmime dhe vlerësuese. Deri më tani janë zhvilluar gërmime në katër pika, gjegjësisht në katër lokacione. Për fat të keq, vetëm në një pikë ka pasur gjetje. Por, megjithatë, ne jemi të interesuar – madje kemi qenë në kontakt me Prokurorinë, e cila merret me urdhër-dhënien për gërmime vlerësuese, në bazë të informatave që kompletohen nga autoritetet kompetente – për t’u shfrytëzuar koha verore. Besoj që do të jetë një dinamikë tjetër, tani për tani”, thekson Gjetaj

Por, përfaqësuesit e Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, vlerësojnë se gjatë këtij viti, kur Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) po i bart kompetencat tek institucionet vendore, procesi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ka shënuar ngecje.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti ende nuk ka asnjë hulumtim e as gërmim për varreza të mundshme masive të reja, në Serbi dhe në Kosovë.

“Sivjet është pranim-dorëzimi prej EULEX-it në vendorë dhe është ngrirë kjo çështje plot tre muaj. E ngrirë është, nuk ka përparime. Nuk ka vullnet politik që të shtyhet ky proces përpara. Mund të them se ama asgjë nuk kanë punuar gjatë këtij viti. Kështu që i gjithë ai plan i veprimit, derisa është bërë, tash ata mendoj se do ta presin vitin e ri dhe të thonë se ‘tash është kohë e keqe dhe nuk mund të punojmë’. Bëjnë plane të veprimit dhe kur vjen vera, prapë nuk bëjnë asgjë. Do të thotë, politika e brendshme me atë të jashtmen, nuk e kanë vullnetin politik për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, konsideron Qerkini.

Më 10 korrik, në Samitin e Londrës, princi Charles, ka ngritur çështjen e personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë, në vitet ’90, të shekullit të kaluar. Liderët e vendeve të rajonit janë zotuar se do të punojnë për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe i ngarkuar nga ai, si mbajtës i dosjes së personave të pagjetur, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se samiti i Londrës dhe angazhimi i princit Charles, ka siguruar një bazë të mirë për përparimin e procesit.

“Jemi në rrugë të mbarë, meqenëse kjo është internacionalizuar tani edhe me samitin e fundit në Londër. Është nënshkruar edhe një deklaratë nga të gjithë pjesëmarrësit e Samitit të Londrës, si pikë e veçantë për çështjen e zbardhjes së fatit të të zhdukurve. Në të njëjtën kohë, duhet falënderuar edhe princin Charles, i cili në një fjalë të tij shumë domethënëse, në një ngjarje që e ka organizuar, në prezencën e të gjithë liderëve e ka futur edhe çështjen e të zhdukurve dhe është angazhuar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve në Ballkanin perëndimor”, thotë Lluka.

Por, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur e ka lehtësuar Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Por, mandati i tij ka qenë humanitar dhe nuk ka mundur të bëjë presion te palët, në Beograd dhe Prishtinë, që t’i zbardhin të dhënat mbi varrezat e mundshme masive.

Gjetaj thotë se autoritetet e Kosovës janë të bindura se ekzistojnë ende varreza masive në Serbi, ku dyshohet se mund të jenë mbetjet mortore të civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ato edhe më parë, sipas tij, kanë shprehur interesimin për të biseduar me autoritetet serbe për lehtësimin e procesit. Por, siç thotë ai, autoritetet serbe nuk kanë dhënë dhe vazhdojnë të mos japin informacione, mbase edhe për faktin se ato ndërlidhen me krimet e luftës, ndërkohë që, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka qëndruar pasive.

“Unë jam qe 10 vjet në këtë proces. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë fort e gatshme që të merret me këtë çështje. Ne kemi edhe informacione që ka ndodhur që të thonë se ‘kjo është çështje humane’ dhe të mbetet në përgjegjësinë e institucioneve, organizatave, bisedimeve reciproke me karakter human”, thotë Gjetaj.

Ai shpreh mendimin se çështja e zbardhjes së fatit të personave pagjeturve, ndonëse është humane, duhet të trajtohet politikisht dhe si e tillë duhet të futet në agjendën e temave në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Se kjo çështje do të jetë temë e dialogut të Brukselit, sipas Qerkinit, patën premtuar edhe drejtuesit e institucioneve të larta të Kosovës, tash e disa vite.

“Në qoftë se ka të bëjë vetëm me dialogun në Bruksel – ndonëse kemi pasur premtime jo një herë, por shumë herë dhe së fundi edhe nga presidenti- ende nuk ka shenja se do të mbahet një takim dhe se do të bëhen bisedime rreth të pagjeturve. Kanë thënë se do të jetë një temë e veçantë për personat e pagjetur. Megjithatë, ende jo”, shprehet Qerkini.

Por, a do të jetë çështja e të pagjeturve temë e bisedimeve në Bruksel?

Lluka thekson se çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Pa zgjidhjen e fatit të njerëzve tanë, pa zbardhjen e fatit të tyre, nuk mund të ketë qetësi në Kosovë, e as në Ballkan. Familjarët tanë janë për çdo ditë me kërkesa të ndryshme. Bisedimet në Bruksel… ta shohim, presidenti do ta caktojë ekipin e vet dhe me siguri që çështja e të zhdukurve do të diskutohet edhe në Bruksel”, thekson Lluka.

E, rreth 19 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1 mijë e 650 personave, të cilët konsiderohen të pagjetur. (rel)

Turqia, sistemi rus i raketave dhe industria e armëve

raketat turqiaSynimi strategjik i Turqisë për zhvillimin e një industrie kombëtare armësh është një forcë shtytëse prapa planeve të saj për të blerë sistemin raketor S-400 të Rusisë, ku pjesë e marrëveshjes është transferimi i teknologjisë nga ana e Moskës. Oferta për transferimin e teknologjisë, thonë analistët, po i pengon përpjekjet e Uashingtonit për të bindur Ankaranë që të blejë sistemin e raketave amerikane Patriot.

Partnerët e Turqisë në NATO po paralajmërojnë Ankaranë se sistemet e mbrojtjes të Aleancës Atlantike mund të komprometohen nëse instalohen raketat S-400.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe një këshilltar i lartë presidencial, duke folur në mënyrë anonime, këmbëngulin se blerja planet për blerjen e raketave ruse nuk do të ndryshojnë. Megjithatë, zoti Cavusoglu ka lënë të kuptohet se Ankaraja mund të blejë edhe sistemin amerikan Patriot.

Disa vëzhgues thonë se vendimi i Ankarasë për t’iu drejtuar Moskës për blerje armësh është rezultat i faktit që aleatët e Turqisë nuk dështojnë të ndajnë teknologjinë e tyre me Turqinë.

“Rusia ofron altyernativën më të mirë”, tha profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Huseyin Bagci në Universitetin Teknologjik të Lindjes së Mesme në Ankara.

“Nëse vendet perëndimore, vendet e NATO-s, do të siguronin transferimin e teknologjisë, atëherë Turqia do të kishte blerë prej tyre. Zgjedhja strategjike e Turqisë nuk është vetëm të blejë, por edhe të shesë armë. Pse amerikanët nuk e ndajnë teknologjinë e tyre? Disa vende evropiane, si Britania, po bëjnë hapa të mirë në këtë drejtim.”

Ankaraja përmend ngurrimin e Uashingtonit për të lejuar ndarjen e teknologjisë dhe prodhimin e përbashkët si shkak për dështimin e bisedimeve të mëparshme për blerjen e sistemit Patriot. Dështimi e bisedimeve e bëri Ankaranë që së pari të shqyrtonte blerjen e një sistemi kinez dhe më në fund të favorizonte sistemin rus S-400.

Në përpjekjet diplomatike për të ndalur blerjen e sistemit S-400, Ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes Kevin Fahey u tha gazetarëve këtë javë se Uashingtoni mund të tregohet më elastik. “Turqia ka patur interes për sistemin Patriot, prandaj ne kemi kohë që punojmë për të parë se si mund ta realizojmë këtë”, tha ai.

Megjithatë, analistët thonë se Ankaraja është e vetëdijshme se çdo marrëveshje për raketat Patriot duhet të miratohet nga Kongresi, i cili gjithnjë e më shumë po mban një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë. Ligjvënësit e SHBA tashmë po kërcënojnë të bllokojnë livrimin e avionëve amerikanë F-35. Në të kaluarën, shumë marrëveshje me Turqinë për blerje armësh janë bllokuar ose shtyrë nga Kongresi. (voa)

Tanja Fajon: Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa

TanjaEurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon shpjegon për Deutsche Welle hapat e mëtejshëm pas dritës së gjelbër të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.

Deutsche Welle: Komisioneri europian për migrimin, Dimitris Avramopoulois bëri të ditur së fundmi në Bruksel se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton ky vendim pozitiv për Kosovën tani?

Tanja Fajon: Komisioni Europian njeh dhe vlerëson përpjekjet e autoriteteve të Kosovës. Ky është një hap shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën. Me ofrimin e dritës finale të gjelbër, Komisioni hap rrugën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Ky konstaton qartë, se Prishtina përfundimisht i ka përmbushur kushtet e mbetura. Tani topi është në duart e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE për ta pranuar këtë. Unë i uroj të gjithë përgjegjësit në Kosovë dhe shpresoj sinqerisht, se Prishtina do të vazhdojë të sjellë rezultate të mira.

A mendoni se mund të dalin pengesa të tjera gjatë këtij finishi?

Unë pres që qeveritë e vendeve të BE të reagojnë me përgjegjshmëri. Pra që të ndjekë rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave me qytetarët e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin Europian.

Ka gjasa që ndonjë vend anëtar të mund të bllokojë këtë liberalizim?

Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa. Nga ana tjetër këshilla ime për politikanët e Kosovës është të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe dialogun me Brukselin dhe kryeqytetet e BE për të marrë mbështetje të fuqishme dhe besimin e tyre. Ky është çelësi për suksesin. Kosova nevojitet të ruajë kredibilitetin dhe të ndërtojë aleanca të fuqishme me vendet e BE dhe institucionet e saj.

Si e prisni vendimin e Parlamentit Europian?

Në Parlamentin Europian, unë si raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën do ta japë për votim vendimin menjëherë pas pushimeve të verës në Komitetin LIBE (Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme). Në javën e fundit të gushtit, unë pres që kolegët të ndjekin rekomandimin tim. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira.

Kur mendoni do të jetë pas kësaj data më e mundshme e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën e Shengenit?

Çdo hap është i rëndësishëm, siç e thashë. Jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve. Kjo është garancia më e mirë për të siguruar udhëtimin e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshira ime personale është, që të mund të themi në fund të këtij mandati të Parlamentit Europian dhe në fund të mandatit tim si raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën se ia dolëm mbanë. Kjo do të ishte një situatë, ku të gjitha palët kanë fituar.

Tanja Fajon është eurodeputete socialdemokrate sllovene në Parlamentin Europian dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave.

dw

Analiza: Paqen e qëndrueshme e arrijnë vetëm armiqtë e dikurshëm

vucic mogherini thaciAnalisti i njohur gjerman, Andreas Ernst analizon raundet e bisedimeve mes dy presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në Bruksel e mbron idenë e përgjegjësisë më të madhe të dy palëve për gjetjen vetë të zgjidhjes.

Të dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq takohen për një seri të re negociatash në Bruksel. Të mërkurën u zhvillua në Bruksel raundi i dytë. Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje të detyrueshme nga ana e së drejtës ndërkombëtare, shkruan Andreas Ernst.

“Vetëm në vitet e fundit në të dy vendet është krijuar vetëdija, se sa të larta janë kostot e një konflikti të vazhdueshëm e të ngrirë. Por sidomos u bë e qartë se as Beogradi e as Prishtina nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre strategjik për anëtarësim në BE pa një zgjidhje të pranueshme të dyanshme.”

“Ato nuk janë të pjekura aq sa duhet për të kërkuar vetë një zgjidhje”

Por çfarë ka shkuar keq në dhjetë vitet e fundit, shtron pyetjen analisti i njohur i gazetës Neue Zürcher Zeitung. “Shumë, por jo gjithçka. Aktet e dhunës janë bërë të rralla për shembull. Ajo që duhet marrë parasysh në këtë fazë të fundit është se BE ka nevojë për një metodë të re negociimi, që duhet të dallojë nga ajo që përdorën fuqitë perëndimore në rrugën e pavarësisë së Kosovës. Ajo që ndodhi në shkurt deri në shtator 2006 nën drejtimin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari nuk ishin negociata të vërteta mes Prishtinës dhe Beogradit. Çështjen e statusit e kishin vendosur kabinetet e QUINT-it…Ahtissari…me bisedimet e tij kishte si synim ‘t’ua shiste’ të dyja palëve këtë vendim…Ambasadori britanik i pyetur në 2007-n, se pse të dyja palët nuk kërkojnë vetë një zgjidhje u përgjigj: ‘Ato nuk janë të pjekura aq sa duhet për të kërkuar vetë një zgjidhje’…Si dikur princët edhe Quint-i besonte se subjektet kokëforta duhet të detyroheshin për lumturinë e tyre….”

Të dyja palët të gjejnë vetë zgjidhjen, BE të ofrojë kuadrin

Analisti Andreas Ernst, kritik ndaj kësaj strategjie të perëndimit, – që solli një kushtetutë për kosovarët, që as ata nuk e donin, sepse serbëve u garantonte të drejta të ekzagjeruara, por as serbët, sepse ajo i bënte kosovarët të pavarur – e kthen vështrimin tek aftësia e të dy palëve për t’i zgjidhur vetë problemet e tyre. “Janë kosovarët dhe serbët që e kanë vetë në dorë çelësin për të ardhmen e tyre. Qëllimi duhet të jetë një marrëveshje që i hap rrugën njohjes së dyanshme dhe me këtë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB e më vonë të dy shteteve në BE….Për këtë kërkohet që BE të marrë rolin e “sekserit të ndershëm”…e më mirë në rast nevoje të zhvillohet një proces disavjeçar negociimi se sa një procedurë e shpejtë e komanduar nga jashtë. BE duhet të tregojë vijat e kuqe, por ato nuk duhet të prekin përmbajtjen e marrëveshjes, por kuadrin e saj. Faktikisht mjaftojnë dy rregulla të hekurta: Ndalim absolut i dhunës dhe parashtrimin, se marrëveshja duhet të legjitimohet nga referendume në të dy vendet.”

Këmbim territoresh?

Analisti i NZZ, Andreas Ernst prek edhe një tabu. Sipas tij duhet të bjerë tabuja e ndryshimit të kufijve me ujdi. “Ky parim bazë u forcua nga fuqitë perëndimore përpara pavarësisë së Kosovës, për të tërhequr vëmendjen nga ajo, se vetë ky akt në vetvete ishte një ndryshim kufijsh…në mënyrë që rasti i Kosovës të mos imitohej në rajon…ai u deklarua si sui generis, i veçantë. Kësaj i duhet qëndruar: E qartë që nga zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk afrohen dot receta për mënyrën e zgjidhjes së konflikteve të tjera në rajon. Por duhet t’u lihet vetë palëve në konflikt të vendosin se brenda cila kufijve ato do ta njihnin njëra-tjetrën. Prej kohësh qëndron pezull ideja e këmbimit të territoreve mes rajoneve të banuara me serbë në jugun serb dhe komunave serbe në veri…nuk bëhet fjalë për të ofruar në vend të paketës së dështuar të Ahtissarit, një “recetë këmbimi. Por që palët të kërkojnë vetë një zgjidhje….Ka ardhur koha që Serbisë dhe Kosovës t’u kujtohen detyrimet. Një paqe të qëndrueshme mund ta arrijnë vetëm armiqtë e dikurshëm.”

 

 

nzz/dw

Studimi/ 65 % e shqiptarëve nuk kanë para për pushime

plazhiSezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, por për shumë shqiptarë pushimet janë një luks, që atë nuk mund t’ia lejojnë vetes

Sipas një studimi të financuar nga Komisionin Europian, 65 për qind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura as për të përballuar një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të madhe nga vendet e tjera fqinje, ku pjesa e familjeve qe nuk përballojnë dot pushime varion nga 38 deri në 47 për qind.

Pushimet në Shqipëri janë një privilegj i pakicës, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve duhet të luftojnë për të përmbushur nevojat e mbijetesës

Top Channel

Puigdemont: Separatizëm që nga exili

PuigdemontIsh-kryeministri katalan Puigdemont vazhdon të luftojë edhe pasi ekstradimi në Spanjë është bërë i mundshëm juridikisht. Në një konferencë me video ai përdor motive historikisht të diskutueshme kur flet.Duke duatrokitur në këmbë, duartrokitje për dikë që buzëqesh nga larg në videon që shfaqet në sallë në Barcelonë. Carles Puigdemont ndodhet në Gjermani dhe është lidhur me video në sallën e Ateneu Barcelonès, ku janë mbledhur protagonistët kryesorë të lëvizjes katalane për pavarësi për të bërë të njohur platformën e re të tyre për zgjedhjet, që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Crida Nacional per la República” (“Thirrje kombëtare për Republikën”) quhen ata tani dhe kanë bashkuar të gjithë ata që duan të vazhdojnë të çojnë përpara pavarësinë e Katalonjës, pavarëssht nga goditjet që kanë marrë muajt e fundit. Lëvizja e re është një “referencë që na detyron ne t’i qëndrojmë besnik mandatit të 2,3 milionë njerëzve që japin votën”, thuhet në një deklaratë të formuluar më parë.

Kjo fjali ka të bëjë me referendumin e pavarësisë të 1 tetorit 2017 ku katalanët votuan për pavarësinë e tyre. Në votime morrën pjesë rreth 42 përqind e katalanëve me të drejtë vote, prej të cilëve 90 përqind votuan për pavarësinë.

Poshtërimi më i madh i drejtësisë spanjolle në 40 vjet

Pasi deklaroi pavarësinë në fund të tetorit, qeveria katalane e kryesuar nga Puigdemont, u shkarkua nga qeveria qendrore spanjolle. Njëkohësisht drejtësia spanjolle ngriti padi kundër anëtarëve të qeverisë. Një nga pikat e akuzës flet për “rebelim”. Puigdemont u arratis në Belgjikë. Në fund të marsit 2018 ai u arrestua në tokën gjermane. Gjykata e Landit në landin Schleswig morri tani vendimin që ekstradimi i tij në Spanjë është i ligjshëm, megjithatë vetëm për akuzat për shpërdorim të parave publike, jo për akuzën më të rëndë për “rebelim”.

Në këtë mënyrë urdhërarresti evropian ka tani efekt në favor të Puigdemontit. Sepse, tani nëse ekstradohet sipas ligjeve evropiane, mbas vendimit të marrë në Gjykatën e Landit në Schleswig Holstein, ai nuk mund të akuzohet më në Spanjë për “rebelim”, sepse edhe Gjykata e Lartë spanjolle duhet të vendosë për pranimin e urdhërarrestit evropian kundër Carles Puigdemontit.

Gazeta konservatore, që ndihet e detyruar në çështjet e shtetit kombëtar spanjoll, gazeta “El Mundo” flet mbas gjykimit të Gjykatës së Landit në Gjermani për “një nga poshtërimet më të mëdha që drejtësia spanjolle ka marrë në 40 vitet e fundit”. Një “gjykatë rajonale” e ka shkarkuar të akuzuarin nga akuza për rebelim. “Gjykatësit me sa duket duan të shohin një gjakderdhje për të pranuar se rezistenca është shkelje penale”, shkruan më tej “El Mundo”. Procesin gazeta e quan turp: “E shkreta demokraci gjermane. E shkreta Evropë”.

Kurse gazeta tjetër “El Pais” është më e përmbajtur. Gjykatësit kanë marrë vendim në përputhje me ligjet, shkruan ajo. Kjo është një tregues i stabilitetit të shtetit gjerman të së drejtës.

Mit i historisë së vuajtjeve

Aktualisht në Spanjë një libër i francezit Sandrine Morel ka zgjuar diskutimet. Korrespondentja në Spanjë e gazetës franceze “Le Monde” ka botuar një libër për lëvizjen katalane të pavarësisë duke u përqendruar në muajt e fundit, me titull (“En el huracán. Una mirada privilegiada al laberinto del procés”, që përkthehet “Në qendër të hurrikanit. Një vështrim mbi labirinthin e ngjarjeve”). Aty ajo përshkruan ndër të tjera historinë që ajo mendon se është shumë e diskutueshme, të aktivistëve katalan të pavarësisë, të cilët interpretohen me njëanësi nga historia spanjollo- katalane.

Kjo histori është kryesisht, sipas saj, histori e vuajtjeve të katalanëve nën sundimin spanjoll. Morel citon historianin katalanas Francesco Xavier Hernández, profesor në Fakultetin e Shkencave sociale në Universitetin e Barcelonës. Ai, thotë Morel, e quajti në bisedë me të historinë katalanase nën sundimin spanjoll të ngjashëm me “genocidin kundër armenëve”.

Puigdemont: “Represion i pajustifikueshëm

Motivin e historisë së vuajtjeve e përmendi në një formë më të butë, edhe Puigdemont gjatë fjalimit përshëndetës drejtuar shoqërisë në Ateneu Barcelonès. “Ne duhet të vazhdojmë luftën, kundër represionit të pajustifikueshëm dhe deri në ngritjen e Republikës katalanase”, i bëri ai thirrje nga Gjermania, të mbledhurve në takim.

Histori kombëtare si histori vuajtjeje, është një motiv i vazhdueshëm i separatistëve katalanas. Karakterin imponues të këtij miti e përmend edhe gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në komentin lidhur me ekstradimin e mundshëm. Gazeta e kritikon atë si të patolerueshëm. “Kushtetuta spanjolle nuk e njeh të drejtën e ndarjes. Prandaj Gjykata Kushtetuese e pati ndaluar referendumin. Kjo është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ajo i jep të drejtën një pakice për t’u ndarë, nëse ajo është nën shtypje brutale. Në Spanjën e sotme nuk mund të bëhet fjalë për shtypje të tilla.”

Jashtë vëmendjes

Megjithëse për shkak të ligjeve evropiane Puigdemont, nuk mund të akuzohet më për rebelim pas ekstradimit në Spanjë, klima midis separatistëve dhe qeverisë kombëtare mbetet e vështirë. Kryeministri i ri spanjoll, Pedro Sánches, megjithëse ka pak javë që ndodhet në post ka zhvilluar bisedime me Quim Torran, presidentin e ri të qeverisë katalanase.

Për përmbajtjen e bisedimeve nuk u dhanë të dhëna. Por vetëm fakti që u ulën të flasin shihet si sukses. Qeveria gjermane e sheh këtë me lehtësim. Për shkak të arrestimit të bërë në Gjermani, Gjermania u kthye pa dashur në aktor politik në konfliktin spanjollo- katalanas. Çtensionimi i situatës i jep mundësi Gjermanisë të tërhiqet nga vëmendja kryesore. (dw)

Shtypi gjerman: Negociata të ngecura dhe një film i njëanshëm

shtypi gjermanPas takimit të pasuksesshëm të mërkurën mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq, shtypi gjermanofon i kushton vëmendje ngecjes së negociatave mes dy vendeve por edhe një filmi mbi serbët e shqiptarët.

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” vëren se edhe takimi i fundit me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel mes presidentit Thaçi dhe atij serb Vuçiq (18.07) nuk ka sjellë asnjë progres të ri në dialog. “Frontet duken të ngrira.” NZZ citon presidentin Thaçi, i cili bëri fjalë “për një nga takimet më të rënda të gjashtë viteve të fundit”. Bisedimet  e së mërkurës nuk zgjatën shumë. Pas takimit edhe presidenti serb u shpreh vetëm se “duhet të vazhdohet të negociohet”.

NZZ vëren se të paktën “të dyja palët kanë rënë në ujdi që të mos nxisin konflikte të reja”. Por duket se Vuçiq ka qenë i pakënaqur. NZZ citon presidentin serb të ketë thënë “kështu nuk funksionon”, lidhur me kërkesën e Prishtinës për njohjen e Kosovës. “Të nevojshme janë kompromise”. Por se për çfarë kompromisi bëhet fjalë, këtë nuk e përmend as NZZ dhe as presidenti Thaçi e Vuçiq nuk e përmendën të mërkurën.

Një film i njëanshëm

Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje një filmi që transmentohet nga televizioni ARTE të enjten në mbrëmje, (19.07) një bashkëpunim gjermano-serb me titullin “Enklava” duke e cilësuar atë si një melodramë të Kosovës dhe në mënyrë të padurueshme të njëanshëm.

“Heroi i filmit është 10 vjeçari serb, Nenad…qe jeton me familjen e tij në një… enklavë, që do të thotë që ai përditë duhet të shkojë në shkollë me një automjet të blinduar të KFOR-it, në një shkollë, ku ai është i vetmi nxënës i të vetmes mësuese. …Këtij fëmije i jepet roli të jetë një naiv i guximshëm. Nenad kërkon të luajë me fëmijët e i jepet kësaj dëshire, duke luajtur kukafshehthi me tre djem shqiptarë. Për një moment në film të duket i mundur mirëkuptimi brenda gjeneratës së re, por situata ndryshon, kur pa shkak Bashkimi, lideri i grupit, nuk ia fal Nenadit që serbët i kanë vrarë babanë e tij. ‘Unë nuk kam vrarë askënd’, i përgjigjet Nenadi.”

FAZ i kushton vëmendje prezantimit të ndryshëm të të dyja palëve në konflikt në film duke theksuar se prezantimi i shqiptarit në film është i ngarkuar nga klishetë. “Jo vetëm që përballë Nenad,  figurës simpatike të filmit qëndron një Bashkim i pashkolluar,(asnjë nga djemtë shqiptarë nuk shkon me sa duket në shkollë), por vështrimi i përgjithshëm ndaj Kosovës është i ndarë çuditshëm mëdysh: Këtu shtypja heroike e serbëve krenarë,…andej shqiptarët myslimanë të paraqitur në çdo rast si të prapambetur,… të cilët mezi presin një rast të gënjeshtërt për t’u bërë të dhunshëm.”

la/nzz/dw