Lamtumirë ndërrim ore – Komisioni Europian vendos

ora e veres dimrit Pas një sondazhi online për ndërrimin e orës në atë të dimrit dhe të verës, ku shumica e qytetarëve është shprehur kundër, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Europian shprehet rregullorja do të shfuqizohet.
Së shpejti nuk do të duhet më të përgatitemi për kohën e dimrit dhe atë të verës përmes orës. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në një intervistë për  programin e mëngjesit të televizionit gjerman ZDF është shprehur, se pasi shumica e qytetarëve i ka thënë jo ndërrimit të orës, Komisioni Europian do të propozojë heqjen e këtij rregulli. “Njerëzit duan që ne ta bëjmë këtë.” Që këtë të premte Komisioni do të marrë vendimin përkatës. Pastaj e kanë radhën shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian, e në fund nuk do të kemi më ndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe të verës, tha Juncker.

Në një sondazh online, ku morën pjesë 4,6 milionë e qytetarëve të BE, shumica janë shprehur për mosndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe atë të verës. 3 milionë pjesëmarrës në sondazh ishin nga Gjermania. Aktualisht në të 28 vendet anëtare të BE dhe vende të tjera të Europës dy herë në vit kemi ndërrimin e orës. Qëllimi i ndërrimit të orës ka qenë shfrytëzimi më i mirë i dritës së ditës për të kursyer energji, por vlera e vërtetë e kursimit gjithmonë ka qenë e kontestuar.

la/(dpa,zdf)

Shqipëria nuk prodhon. 100 bizneset më të mëdha, vetëm shërbime, tregti dhe ndërtim

tiranaRenditja e 100 kompanive më të mëdha dëshmon se ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor. Ajo nuk prodhon, por dominohet nga bizneset tregtare, ato të ndërtimit si dhe kompanitë e shërbimeve.

Top Channel publikon listën e 100 bizneseve që realizuan xhiron më të lartë në vitin 2017. Sipas të dhënave të siguruara nga bilancet zyrtare, në total 100 kompanitë më të mëdha të vendit patën një qarkullim prej 6.6 miliardë eurosh, duke dhënë plot 53% të Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë. Por, cilat janë ato?

Për vitin 2017, në podin e ekonomisë shqiptare qëndron një kompani publike. Ajo është OSHEE. Monopoli shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë arkëtoi 55.6 miliardë lekë vitin e kaluar, duke qenë për të disatin vit rresht kompania më e madhe në vend. Pas saj, renditet Banka Kombëtare Tregtare me 46.4 miliardë lekë dhe Kastrati me 43.5 miliardë lekë.

Dhjetëshja e parë e bizneseve më të mëdha të Shqipërisë dominohet nga kompanitë e naftës. Veç Kastratit, në të bëjnë pjesë Bankers Petroleum, Europetrol dhe Gen Claudis. Pjesa tjetër e listës përbëhet nga dy kompani telekomunikacioni që janë Info Telekom dhe Vodafone, një kompani ndërtimi që punon si nënkontraktore e gazsjellësit Tap si dhe turkja Kurum, e cila ndonëse ka shpallur falimentin prej kohësh, vazhdon të bëjë biznes në rendin e 200 milionë eurove në vit.

Struktura e bizneseve që dominojnë ekonominë shqiptare është e ngjashme edhe tek 100 kompanitë më të mëdha. Nga to, gjysma janë biznese që merren me tregti, 26 janë kompani shërbimesh, ndërsa 15 të tjera biznese ndërtimi.

Në 100 kompanitë më të mëdha të vendit ka vetëm 10 kompani prodhuese, edhe këto të përqëndruar kryesisht në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit ose në fushën e materialeve të ndërtimit.

Shqipërisë i mungojnë kompanitë prodhuese dhe kompanitë industriale, të cilat krijojnë marka kombëtare dhe vlerë të shtuar për ekonominë. Në vend të tyre, struktura e ekonomisë shqiptare dominohet nga kompanitë që ushqehen me tenderat e qeverisë, bizneset tregtare dhe kompanitë e shërbimeve.

Top Channel

Thaçi, Vuçiç, bisedojnë me ndihmës sekretarin amerikan Mitchell

Wess MitchellPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë se kanë biseduar me telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi, tha se me zotin Mitchell janë pajtuar që të shtohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje, “e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ai tha se ndihmës sekretari Mitchell është zotuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në këtë proces.

Presidenti i Serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara i japin mbështetje të plotë procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe shpresojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.

Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se presidenti serb i ka thënë zotit Mitchell se “do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje, por ai do të bëjë gjitha çfarë është e mundur për qëndrueshmërinë afatgjate ne Ballkanin Perëndimor.

As njëri dhe as tjetri nuk i përmendën idetë e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndonëse gjatë ditëve të shkuara kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje që do të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi takoi edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Kyle Scott, për të diskutuar procesin aktual politik me Serbinë.

Presidenti Thaçi po përballet në shtëpi më kundërshtimin e idesë së tij për “korrigjimin e kufirit”. Partitë opozitare synojnë që më 4 shtator të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet “i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës”.

Presidenti Thaçi gjatë të enjten takoi në dy raste drejtuesit e institucioneve të Kosovës për të diskutuar këto çështje.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha pas takimit të parë se procesi i bisedimeve nuk nënkupton diskutim të territorit as të kufijve të Kosovës.

“Edhe presidenti shprehu pozicionin e tij se respekton jo vetëm territorin dhe integritetin e sovranitetin e vendit por vetëm i ushtron funksionet e veta kushtetuese dhe nuk pranon që të diskutohet territori i vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se institucionet e vendit duhet të dalin me qëndrim të përbashkët kundër përfshirjes së kufijve në bisedime.

“Ajo që është shumë me rëndësi është që të qartësohen pozicionet institucionale pra që të kemi qëndrim të qartë institucional që territori dhe kufijtë nuk diskutohen, pra nuk janë çështje për diskutim në kuadër të dialogut. Mendoj që kjo është rëndësia pastaj po është shumë me rëndësi që opozita e të gjithë të jemi pjesë e bisedimeve”, tha kryeministri Haradinaj.

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë – pothuajse e pamundur

Të enjten pasdite presidenti Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë përjashton çdo mundësi të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, ndërsa theksoi se është në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Angazhimi është 100 për qind i bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe gjithë akterët që duan paqe, qëndrueshmëri, konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe në rrafshin ndërkombëtarë. Katë dilemë hiqeni, zërat tjerë janë zëra që me të vërtetë duan përshtjellim në skenën politike, duan frenim dhe duan që t’i frikësojnë qytetarët”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se të gjithë udhëheqësit e Kosovës pajtohen që bisedimet duhet të vazhdojnë dhe duhet shfrytëzohet momenti për të arritur një marrëveshje pasi që sipas tij. ai moment nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Përfundimisht dhe zyrtarisht i pëlqeu dikujt apo jo unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që ajo pjesë t’i bashkëngjitet territorit të Kosovës. Unë nuk kam ndonjë nostalgji për kufijtë që janë përcaktuar në kohën më të vështirë të dëbimit të shqiptarëve të vitit 1956 në kohën e famëkeqit (Aleksandër) Rankoviç, nuk kam ndonjë nostalgji për vijat e tij. Unë kur flas për korrigjim, flas për korrigjimin e padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar. Prandaj të gjithë janë të pajtimit që duhet vendosur kufiri me Serbinë dhe kjo arrihet vetëm përmes një partneriteti të ngushtë edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë “është pothuajse e pamundur dhe se të dyja palët janë në pozicione krejtësisht të kundërta”.

“Ata që flasin për Trepçë, Gazivodë, Mitrovicë unë ua largoj frikën njëherë e përgjithmonë, ato janë të Kosovës njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka njeri që e cenon. Ata që flasin për ndarje janë në agjendë të mundësisë për shtrirje të ideologjive jo perëndimore në Kosovë por edhe në rajon, por nuk do të kenë sukses”, tha ai duke nënvizuar se idetë për veriun janë ide të huaja, janë ide të njerëzve që e duan ndarjen e Kosovës.

“Nuk do të lejoj që në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim diçka të tillë por askush nuk duhet t’i frikësohet bashkangjitjes së Luginës së Preshevës, Kosovës. Prandaj do të punoj këmbëngulësisht me të gjithë akterët politik dhe në fund përmes referendumit qytetarët e Kosovës të deklarohen për marrëveshjen finale në mes të Kosovës e Serbisë. Kosova nuk do të mbetet peng i njerëzve inatçi në politikën e Kosovës, njerëzve të dështuar, njerëzve që më herët kanë qenë të gatshëm ta dorëzojnë Kosovën krejt Serbisë, e tash flasin për ankime apo të flasin që t’i shpallin luftë dikujt, ndërkohë kur ka qenë lufta kanë hezituar apo kanë pasur një pozicion komplet jo të guximshëm dhe që as kanë guxuar të mendojnë se Kosova do të fitojë lirinë”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja me Serbinë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Po unë dua dhe do të punoj këmbëngulsisht gjithashtu dua të ju siguroj juve dhe qytetarët e Kosovës se asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë nga ana e Kosovës pa pëlqimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ata që duan ta izolojn Kosovën në kundërshtim me SHBA-në e kanë gabim, ata që deklarohen se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë argat Rusisë në Kosovë e Ballkan e kanë gabim, ne duhet të jemi mirënjohës dhe të përulemi gjithmonë për rolin e SHBA-së”, tha ai.

Presidenti akuzoi opozitën për qasjen e saj ndaj procesit të bisedimeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve. Zonja Mogherini tha të mërkurën mbrëma në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve. (voa)

Reagimet gjermane: Kufijtë janë të (pa)prekshëm

ish JugoMundësia e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka shkaktuar reagime të shumta. Deputetë të Bundestagut në Berlin vazhdojnë të jenë kundër ndryshimit të kufijve, por ka edhe zëra të tjerë.

Këto janë ditët kur çdo fjalë, pikë apo presje duhet të matet mirë. Vetëm rreth dy javë më parë kancelarja Angela Merkel ishte e prerë se “nuk mund të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan dhe se ato janë të paprekshme”, por tani nga Berlini dëgjohen tone pak më të ndryshme. Apo kemi të bëjmë vetëm me interpretime të ndryshme?

Kancelarja Merkel tha (të martën 28.08) pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump se “ne i mbështesim bisedimet, që çojnë deri tek qëllimi, por njëkohësisht themi se integriteti ka një rëndësi të posaçme”, dhe shtoi: “Duhet të kemi kujdes që hapat e bërë në një vend të mos kenë pasoja edhe për hapat në vendet tjera.”

Korrigjimi i (pa)mundshëm

Në kohën e spekulimeve të shumta për mundësinë e korrigjimit të kufirit, apo shkëmbimit të territoreve, thuhet se kjo çështje nuk është më tabu as në Uashington. Ndërkohë që për Berlinin kanë qenë deri tani një temë tabu. Duke u prononcuar për Deutsche Wellen, deputetët e Bundestagut gjerman nuk janë të një mendimi për këtë çështje. „Kjo nuk çon drejt zgjidhjes, madje edhe më shumë irriton, kur dëgjohen mendime për vendosjen e kufijve të rinj“, thotë Peter Beyer, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU). „Nuk mendoj asgjë të mirë për këtë dhe mendoj se këto lojëra teorike për kufijtë paraqesin rrezik për destabilizimin. Kufijtë e dy shteteve sovrane, Serbisë dhe Kosovës janë përcaktuar.”

Beyer thotë për DW se ai angazhohet për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vazhdimin e negociatave për një marrëveshje të detyrueshme juridike për normalizimin e raporteve fqinjësore mes këtyre vendeve. “Me rëndësi është që funksionimi i shtetit të Kosovës të mos rrezikohet.”

Edhe deputeti Josip Juratoviq, nga Partia Socialdemokrate (SPD), është i shqetësuar. Nëse lejohet ndryshimi i kufijve do të hapet mundësia e “krijimit të 40 shteteve të reja në Evropë, që me siguri do të sillte kaos dhe konflikte”. „Shkëmbimi i territoreve do të thotë kthim në Mesjetë kur feudalët kanë shkëmbyer territore dhe i kanë zhvendosur popujt sipas dëshirës së tyre. Gjithmonë do të ketë të pakënaqur, gjithmonë do të ketë persona që duhet të zhvendosen. E të mos flasim për mundësinë që edhe në shekullin 21-të të kemi spastrime etnike, që është një teori e vjetëruar, e cila është shoqëruar gjithmonë me luftëra”, thotë Juratoviq për DW.

Ky politikan i lindur në ish-Jugosllavi thotë se duket qartë se në administratën e Trumpit ka njerëz që mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve. Ndësa BE nuk është unike – përveç kancelares Merkel askush nuk është pozicionuar qartë. Pasojat siç thotë, mund të shtrihen prej Bosnje-Hercdegovinës dhe Maqedonisë e deri tek Krimeja dhe Pridnjestrovlje.

“Luftërat e reja”

„Një qasje e tillë ndaj zgjidhjeve politike do të thoshte kapitullim përfundimtar i sistemit demokratik politik, i cili bazohet tek barazia e qytetarëve karshi forcimit të nacionalizmave në Evropë, të cilët kanë për qëllim krijimin e shoqërive autokratike, që me siguri çojnë tek ndarjet e reja në Evropë, e në fund edhe tek luftërat e reja”, pohon Juratoviq.

Në partinë më të madhe opozitare në Gjermani AfD (Alternativa për Gjermani) nuk janë marrë deri tani shumë me Ballkanin. Deputeti i kësaj partie Anton Friesen, i cili e ka kritikuar politikën e Perëndimit në Ballkan, për DW thotë se bota po pret më shumë se 20 vjet gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës dhe në këtë kuptim duhet anuar nga zgjidhja, të cilën e gjejnë Beogradi dhe Prishtina, pavarësisht nëse një zgjidhje e tillë nënkupton edhe ndryshimin e kufijve.

„Realisht Ballkani paraqet një fuçi baruti dhe kjo jo qysh dje. Incidentet nuk mund të përjashtohen. Ndaj edhe nëse zgjidhje të qëndrueshme shoqërohen me tensione afatshkurtra, do të ishte më mirë sesa të vazhdohet me status-quo-në e tanishme”, thotë ai

Ai mendon se politika e jashtme e kancelares Merkel “gjithmonë ka qenë e orientuar nga SHBA. Ndaj mendoj se qeveria federale nuk do t’i kundërvihet një zgjidhjeje politike që do të kishte bekimin e Uashingtonit.“

“Ballkani ende është një zonë konfliktesh aktive”

Nga ana tjetër, deputetja e liberalëve (FDP) Renata Alt, mendon se rikthimi në skenë i kërkesave për ndryshimin e kufijve dëshmon se “Ballkani ende është një zonë konfliktesh aktive”. Ndryshimi i kufijve “mund të shkaktojë një dinamikë shumë të rrezikshme të konflikteve të dhunshme me pasoja të paparashikueshme. Qëllimi afatgjatë është bashkëjetesa në paqe e grupeve të ndryshme etnike në Ballkan. Deri sa nuk gjendet një zgjidhje e qartë, duhet t’u përmbahemi kufijve ekzistues.“

E Majta gjermane është partia e vetme, e cila ka kritikuar ndarjen e Kosovës nga Serbia. Sevim Dagdelen, deputete e të Majtës, thotë se bashkimi i disa territoreve të jugut të Serbisë me Kosovën do të “fuqizonte bazat për krijimin e një Shqipërie të Madhe. Skenari i tillë jo vetëm që do të thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga territore të tjera, por edhe se Serbia duhet të heqë dorë nga pozicioni i saj juridik se shkëputja dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 kanë qenë ilegale.“

Politikanja e Majtë Dagdelen: Do të krijohen paqartësi të reja

Megjithatë edhe Dagdelen mendon se “vazhdimi i ndarjeve etnike në Ballkan do të forconte lëvizjet nacionaliste dhe do të krijohet paqartësi të reja“. Lidhur me ndryshimin e pozicionit amerikan, ajo thotë: „SHBA e ka krijuar në Bondstil bazën e dytë më të madhe në Evropë. Pavarësisht se çfarë zgjidhje “kreative” dhe “fleksibël” gjejnë palët, kjo bazë prej 386 hektarësh nuk guxon të preket. Ndërsa në rast të ndonjë lufte të re, refugjatët nuk do të kërkojnë ndihmë përtej oqeanit por në Gjermani. Duket se interesat këtu janë në masë të madhe të ndryshme.“

Sa i përket qëndrimeve të kancelares Merkel, Dagdelen thotë se kutinë e Pandorës në Ballkan e kanë hapur ish-kancelari Kohl dhe ministri i Jashtëm Genscher, të cilët i kanë pranuar “shumë shpejt secesionet antiligjore të Kroacisë dhe Sllovenisë, e më pas edhe të Bosnjë-Hercegovinës“. „Kancelarja gjermane është e fundit, e cila duhet të përzihet në çështjet e kufijve në Ballkan. Kancelarja Merkel i ka kontestuar vetë kufijtë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, e tani paralajmëron. Kjo është një politikë e dështuar moralisht, sipas parimit “kapeni hajdutin”, por në përgjithësi është një politikë e papërgjegjshme.” (dw)

Maqedonia në fushatën para referendumit vendimtar

3aLidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, dy partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoni bashkuan rreth vetes edhe tridhjetë parti më të vogla dhe shoqata e sindikata, para fillimit zyrtar të fushatës për referendumin e tridhjetë shtatorit. Për herë të parë në Maqedoni bashkohen kaq shumë faktorë politikë, që kanë një qëllim të përbashkët: integrimin e vendit në NATO dhe në BE duke ndryshuar emrin e shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Motoja e këtyre partive në fushatë do të jetë: “Të gjithë për Maqedoninë evropiane!”

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetar i LSDM-së tha se kjo është një ditë historike për vendin, ndërsa i ftoi qytetarët që në referendumin e 30 shtatorit të votojnë për një të ardhme më të mirë, për një Maqedoni evropiane.

“Më 30 shtator do t’i sigurojmë së bashku kufijt tanë, do ta afirmojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe veçoritë tona. Dhe do të fitojmë një të ardhme të sigurt si anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, tha z. Zaev, duke bërë thirrje për kapjen e kësaj “mundësie shumë të pritur për ndryshime”.

Kryeministri maqedonas i bëri thirje drejtuesit opozitar, Hristijan Mickovski të VMRO-DPMNE-së që të bashkohet dhe të dëshmojë se “Evropa dhe NATO janë mbi politikën ditore”.

Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se qytetarët dhe forcat progresive në vend janë të bindur se integrimi në NATO dhe në BE sjell paqe të qëndrueshme, siguri, barazi dhe marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, mirëqenie shoqërore dhe zhvillim ekonomik. Edhe ai ftoi opozitën që t’i bashkohet suksesit të përbashkët, siç u shpreh.

“Vendi ynë, ne si politikanë, shoqëria jonë gjendet para momenteve vendimtare kur nevojitet guxim dhe vendosmëri. Ne, të gjithë të bashkuar ju ftojmë të votojmë për Evropë, për NATO. Është referendum për një shoqëri më demokratike, me sundim të plotë të rendit dhe ligjit si dhe me luftë të pakompromis ndaj korrupcionit dhe krimit të organizuar”, tha z. Ahmeti.

Ndërkohë, aktorja Sabina Ajrulla u shpreh se: “ideja që duhet të na çojë përpara është lumturia e përbashkët, se askush nuk mund ta kontestojë atë që jemi dhe se gjuha e kultura gjithmonë do të ruhen nga gjeneratat e ardhshme nëse ato nuk i lëmë në dëshpërim”.

Pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me mbështetjen e Marrëveshjes me Greqinë?”

VMRO-DPMNE-ja opozitare ende nuk ka njoftuar qëndrimin zyrtar nëse do të thërrasë për bojkotimin e referendumit apo do t’i lërë simpatizuesit e vetë të shprehen lirshëm, ashtu siç mendojnë. Sidoqoftë, drejtuesit e saj e kanë quajtur marrëveshjen e Prespës (për ndryshimin e emrit të Maqedonisë) si të turpshme që e vë shtetin në pozitë të nënrenditur ndaj Greqisë fqinje dhe që prek identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve të Maqedonisë pritet ta mbështesë referendumin, duke parë shpresa për një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Në referendum duhet të dalin mbi nëntëqind mijë votues që ai të jetë i vlefshëm dhe më tepër se pesëdhjetë përqindëshi i tyre të deklarohen në favor të pyetjes së shtruar. Në të kundërtën, parlamenti i Maqedonisë i merr përsipër të gjitha të drejtat për të vendosur më tutje. (voa)

Ballkani Kneissl: Më shumë angazhim për Ballkanin Perëndimor në BE

KneisslKneissl. Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kultutror, shprehet Karin Kneissl, ministrja e Jashtme austriake në prag të takimit me homologët e saj të BE-së në Vjenë.

Ministrja e Jashtme e Austrisë Karin Kneissl ka kërkuar më shumë angazhim të vendeve të BE-së për antarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. “Ne nuk duhet të lejojmë, që prej mugesës së angazhimit të BE-së të tjerë aktorë të futen në këtë vakuum të krijuar”, është shprehur Kneissl për gazetën “Die Welt” në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së të enjten (30.08) në Vjenë.

“Një perspektivë e qartë europiane është garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik”, thotë Kneissl. Vendet e Europës Juglindore janë pjesë e Europës në kuptimin politik, ekonomik dhe kultutror. “Pavarësisht mirëkuptimit lidhur me ngurrimin e disa vendeve anëtare, duhet të mbizotërojë interesi gjeopolitik për një afrim të shpejtë në BE.”

Të mërkurën (29.08) ministrat e mbrojtjes të BE-së u takuan në Vjenë. Në mbëmje në program ishin konsultimet për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me vendet kandidate për antarësim në BE. Këto konsultime vazhdojnë edhe të enjten.

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Federica Mogherini flet të enjten për të ardhmen e misionit të marinës së BE-së “Sophia”. Qeveria italiane kërkon, që refugjatët e shpëtuar në Mesdhe para brigjeve të Libisë të mos dërgohen automatikisht në Itali. Ministrat e jashtëm trajtojnë edhe situatën në Siri, në Jemen, Libi dhe në Iran.

Duke iu referuar luftës civile në Siri,lidhur me të cilën kosnultohen gjithashtu në Vjenë ministrat ejashtëm të BE-së, Kneissl tha: “Lufta në Siri po i afrohet fundit. Por atje nuk do të ketë ndonjë armëpushim të madh.” Tani është i nevojshëm një “veprim i mençur dhe me maturi” gjatë rindërtimit të vendit. “Në këtë proces duhet të mbahet në konsideratë gjendja në tërësi, edhe sa i përket kthimit të shpejtë të të dëbuarve në vendet fqinje.”

Propaganduesit e referendumit për emrin e IRJM, dhe “argumentet” e tyre

Përveç partive shqiptare, me BDI në krye, të cilat themeluan shtabet e fushatës për të shtyrë shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë marrëveshjen për emrin,  është edhe një shtresë e qytetarëve shqiptarë, që bëjnë fushatë jo zyrtare, por jo më pak agresive se ajo e partive, në media dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

Këta janë kryesisht shqiptarë (disa prej tyre intelektualë) të cilët në çdo sistem jetojnë në “zonën e komoditetit”, duke bërë kompromis me pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, e jo rrallë edhe duke u vënë në shërbim të tij, duke i siguruar vetes kështu komoditetin individual në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve. Tipike për këtë shtresë të shqiptarëve janë profilet dhe statuset në rrjetet sociale në dy gjuhë, bile më shumë në atë sllavomaqedonishte, si dhe numri i madh i miqve sllavomaqedonas. Statuset janë plot mesazhe internacionaliste dhe neveri ndaj nacionalizmit dhe patriotizmit, zakonisht të paadresuar, përkrahur me plot mirëkuptim nga miqtë sllavomaqedonas, asnjëri nga të cilët, për çudi, nuk di shqip, ose më saktë nuk duan ta mësojnë, pavarësisht faktit që jetojnë në qytete të rrethuar me shqiptarë.

Argumenti i tyre më i përdorur  dhe njëkohësisht më manipulues për të bindur të tjerët që të dalin në referndum dhe të votojnë marrëveshjen është ai i shpëtimit nga “katrahura shovene dhe nacionaliste” duke ia mveshur këtë vetëm partisë VMRO dhe qeverisjes së saj, pa dhënë përgjigjen në pyetjen se si dalja në referendum dhe vota pro marrëveshjes do të shpëtonte shqiptarët nga ky nacionalizëm dhe shovenizëm, kur e njëjta i zhvesh fare nga sovraniteti mbi shtetin, dhe u’a jep atë ekskluzivisht sllavomaqedonasve!

Këta përpiqen që t’i bindin shqiptarët e tjerë për të dalë në referendum me argumentin se marrëveshja nuk cënon pozitën e tyre në IRJM, duke mos dhënë përgjigje shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre: Si është e mundur që marreveshja per emrin bën ndarjen e identitetit maqedonas antik në mes te grekëve dhe sllavëve si plaçkë lufte ( “Historic deal on shared Macedonian identity …” – The Guardian), e me këtë edhe pronësinë mbi shtetin, duke injoruar faktin që shqiptarët sot përfaqësojnë një të tretën e banorëve të IRJM, si dhe faktin historik që në territorin e IRJM së sotme, gjithandej gjenden pothuajse vetëm gjurmë të Ilirëve (Dardanëve, Paionëve, Enkelejve …) e fare pak të maqedonasve antikë?

Vet kryeqendra e IRJM, Shkupi (Skupi i vjetër) është një thesar arkeologjik i mbushur me gjurmët e kryeqendrës së dardanëve që para shekullit 25 para erës sonë. Nëse emri i IRJM duhej pajtetër të ndryshohet, përse duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë pikërisht  emrin Maqedoni Veriore!? Si mund të lejojohet që me kaq lehtësi një marreveshje në shekullin 21 thjesht të fshijë si të kaluarën ashtu dhe të sotmen e shqiptarëve?

Është veçanërisht fyes pohimi i këtyrë propaganduesve të referendumit se, ndryshimet e  kushtetutës  që do të  sillnin përmirësimin e statusit të shqiptarëve do të bëhen pasi të votohet marreveshja! Pa i dhënë përgjigje pyetjes se PSE do të duhej sllavomaqedonasit të bëjnë ndryshime të tjera të kushtetutës pas votimit të PAKUSHTËZUAR të Marrëveshjes së Prespës nga ana e shqiptarëve dhe ndryshimeve të kushtetutës që burojnë nga kjo marrëveshje: ndryshimi i emrit, kombësisë dhe gjuhës zyrtare.

Manipulimi tjetër nga këta shqiptarë që propagandojnë daljen në referendum është ai me termin “nationality” të përdorur në dokumentin origjinal të marrëveshjes, në gjuhën angleze duke u bërë palë me qeverinë në synimin për të mashtuar shqiptarët se bëhet fjalë për nënshtetësi.  Termi “nationality” në anglisht, ka dy sinonime – atë të nënshtetësisë (citizenship) dhe atë të kombësisë (ethnic group), të cilën, edhe qeveria qëllimisht, e përkthen si “nënshtetësi” në dokumentin e pëkthyer në gjuhën sllavomaqedonase dhe atë shqipe,  për të maskuar faktin që, sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët do të konsiderohen me kombësi maqedonas/qytetarë të Maqedonisë Veriore, dhe kështu dë të shkruhet në të gjithë dokumentet e tyre të identifikimit.  Sinonimi “nënshtetësi” me të cilin manipulohen shqiptarët për t’i bindur të votojnë marrëveshjen,  gjen kuptim vetëm në shtetet kombe, ku nënshtetësia nenkupton kombin ( “a people having a common origin, tradition, and language and capable of forming or actually constituting a nation-state” – Merriam Webster dictionary). Poqese në nenin 1 të  marrëveshjes për emrin, termi i rënë dakord do të ishte “nënshtetësi”, në variantin origjinal të marrëveshjes  (atë anglisht – verzioni i vetëm me fuqi juridike), do të përdorej sinonimi “citizenship” (shtetësi) e jo “nationality” (kombësi).

Nëse të qenit në zonën e komoditetit individual në dëm të interesit të përgjithshëm për këta shqiptarë dikur arsyetohej me kushtet e frikës nga terrori i egër që e mundësonte sistemi komunist në duart e sllavëve të jugut, sot kjo nuk arsyetohet më.  Eshtë për të gjithë e qartë që marrëveshja  përkrahet nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur kontestin për emrin mes grekëve dhe sllavëve që quajnë veten maqedonas (argument i përdorur nga të njëjtët), por është po aq e qartë për të gjithë që duan ta kuptojnë, përfshirë dhe këta shqiptarë, se kjo marrëveshje po përdoret me shumë mjeshtëri nga qeveria e kryeministrit Zaev për t’i dhënë goditjen finale statusit të shqiptarëve në IRJM.

Me daljen në referendum dhe votimin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët do të përbaltnin të gjitha veprimet e tyre të guximshme në të kaluarën e afërt, si bojkotimi i referendumit për pavarësinë e IRJM dhe mos miratimin e kushetutës së re të IRJM më 1991, si dhe daljen në referendumin për “Autonomi politike dhe teritoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992. Do të shkelnin mbi atë pak dinjitet që u ka mbetur nga nëpërkëmbja që u bëjnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë të kapur nga kjo qeveri, dhe me votën e tyre për këtë marrëveshje do të vulosnin fatin e tyre ndëkombëtarisht të pranuar– atë të pakicës pa identitet, pa gjuhë, pa shtet, pa dinjitet…

Afrim Fanda

Kohë për alarm kombëtar: Po shesin kufinjtë me euro!

Shaban-Murati-A nuk është tragjike dhe e çuditëshme që nga i gjithë Ballkani vetëm kufijtë e kombit shqiptar po kafshohen, si në Veri nga Serbia, ashtu dhe në Jugë nga Greqia. Akoma më tragjik është fakti që, ndërsa në Konferencën e Londrës të vitit 1913 kufijtë na i ndanë pa i pyetur fare shqiptarët, tani 105 vjet më pas po na i kafshojnë kufijtë me implikimin dhe konsensusin e udhëheqësve shqiptarë.
Shikoni ku i kanë pasur kufijtë shtetërorë Serbia dhe Greqia, kur u shpallën shtete të pavarura, dhe shikoni ku i kanë sot dhe sa i kanë zgjeruar me territore shqiptare. Ky proces regresiv historik po ringjallet në ditët tona, por tani nuk na e kanë më të huajt fajin, sepse po e bëjmë me duart e udhëheqësve tanë. Në vitin 1913 nuk na pyetën, por të paktën nuk u tallën me shqiptarët. Në vitin 2018 po na tallin, duke thënë se shqiptarët po bëjnë mirë që po japin kufij e territore, sepse po fitojnë medaljet e kampionëve të integrimit ballkanik, të modernit dhe të modelit ballkanik. Dhe natyrisht të idiotit ballkanik, që po u ngjan afrikanëve të kohës së pushtimeve koloniale, të cilët rreheshin nga xhixhat, që u dhuronin kolonizatorët, dhe në shkëmbim u jepnin territoret. Xhixhat, në të gjitha kuptimet që ka kjo fjalë, po i marrin tani udhëheqësit shqiptarë.
Shqiptarët nuk duhet të udhëhiqen nga fanatizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleatit, kushdo qoftë ai, i ofrohet gjithçka, me përjashtim të lirisë së atdheut dhe tërësisë territoriale të atdheut. Në këto dy parametra çdo aleancë vdes dhe merr emër tjetër.
Për ironi historike kafshimi i kufijve po ndodh në vitin e Skënderbeut, të cilit nuk i përkujtojmë mbrojtjen e kufijve dhe të territoreve kombëtare, por merremi me rekuizitën teatrale të mesjetës dhe po grindemi se në cilin nga dhjetë katundet pretenduese ka origjinën Skënderbeu, se në cilin nga dhjetë katundet pretenduese ka bërë dasmën e gruas Skënderbeu dhe në cilën gërxhe apo skërkë ka qenë kunji, ku ka lidhur kalin Skënderbeu. Është harrruar me dashakeqësi tribale Kruja e Skënderbeut, simboli dhe kryeqyteti i tij, ku lindi, luftoi, krijoi shtetin shqiptar, u martua, u trashëgua dhe vdiq Skënderbeu. Është harruar “qyteti i bekuar” i Naim Frashërit, dhe udhëheqësit shqiptarë entusiazmohen me xhixhat e fqinjve lakmitarë, të cilët po na shkulin gardhet dhe nesër do të na marrin edhe shtëpitë.
Një popull, që ka harruar të luftojë për kufijtë, pa le më të vdesë për kufijtë, dhe që është gati të japë jetën për bajraktarin e partisë dhe të tribusë, nuk meriton të ketë as shtet e as komb.
Është kohë për alarm kombëtar!

(Shaban Murati)

Lira turke dobësohet përballë dollarit

PrinciBerat Albayrak

Lira turke u dobësua të martën, pas paralajmërimit të ministrit të financave Berat Albajrak se sanksionet tregtare të SHBA kundër Ankarasë mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Mosmarrëveshjet e Ankarasë me Uashingtonin rreth një pastori amerikan të ndaluar në Turqi nën akuzat për terrorizëm i kanë përshpejtuar humbjet e lirës, e cila ka rënë në masën 38 për qind kundrejt dollarit këtë vit.

Në një aspekt më të gjerë, investitorët janë të shqetësuar për drejtimin e politikës monetare nën presidentin Tayyip Erdogan. Presidenti, i cili e quan veten “armik të normave të interesit”, e ka vënë nën presion bankën qendrore dhe ka zgjedhur dhëndrrin e tij Albayrak, si ministër të financave.

Presidenti Donald Trump këtë muaj autorizoi një dyfishim të tarifave ndaj aluminit dhe çelikut të importuar nga Turqia, duke e bërë Ankaranë të kundërpërgjigjet.

Investitorët janë gjithashtu të shqetësuar nga një hetim i Departamentit amerikan të Thesarit ndaj bankës shtetërore Halkbank, e cila mund të përballet me një gjobë të rëndë nën akuzat se ka shkelur sanksionet ndaj Iranit. Banka ka thënë se të gjitha transaksionet e saj kanë qenë të ligjshme. (voa)

Ekspertët paralajmrojnë rikthimin e SIDË-s

farmaciaEkspertët po paralajmërojnë për rrezikun e rikthimit të SIDË-s, në se qeveritë dhe komunitetet nuk mbeten të fokusuara dhe të përkushtuara që t’i japin fund epidemisë. Megjithë arritjet në trajtimin e sëmundjes, eskpertët thonë se virusi vdekjeprurës vazhdon të përhapet dhe të përbëjë kërcënim serioz, sidomos në komunitetet ku arrihet me vështirësi:

Fytyra e SIDË-s ka ndryshuar në tre dekadat e fundit. Tani është e pamundur të dallohen personat e prekur nga sëmundja. Trajtimet kanë avancuar shumë, duke i lejuar personat e infektuar me atë që dikur shihej si dënim me vdekje, të kenë një jetë normale dhe produktive. Edhe personat që rrezikohen të preken nga virusi, tani mund të marrin ilaçin e quajtur profilaksia para ekspozimit me sëmundjen, shkurt PrEP ((prep)), në mënyrë që të mos preken nga virusi HIV. Ky ilaç është arma më e fundit e arsenalit mjekësor në rritje kundër SIDË-s.

“Ky ilaç është mjeti më i fundit i parandalimit që kemi patur ndonjëherë gjetë kërkimeve që janë bërë për vite me radhë dhe ajo që po shohim sot, është se në se kombinon trajtimet, në mënyrë që njerëzit që jetojnë me virusin të trajtohen dhe më pas, njerëzit e rrezikuar të kenë mundësi të marrin ilaçin PrEP, epidemia HIV mund të vihet nën kontroll.”- thotë Dr. Chris Beyrer, studjues në Universitetin Johns Hopkins.

Gjatë vitit të kaluar, epidemia e SIDË-s i ka marrë jetën rreth një milionë njerëzve dhe ekspertët parashikojnë që deri në vitin 2030, me virusin HIV do të infektohen 100 milionë njerëz.

Cilat janë arsyet? Vetëkënaqësia nga rezultatet e arritura bëri që fondet për kërkimet dhe trajtimin e sëmundjes të pakësoheshin, duke vështirësuar kontaktin me personat që rrezikohen të preken nga virusi. Faktorët të tjerë janë stigma për sëmundjen dhe pakësimi i interesit të qeverisë.

“Kur flasim me ministrat e financave, ata gjithmonë më thonë “E dinim që virusi HIV është zhdukur, se nuk po shohim të vdesë ndonjë njeri.”- thotë Dr. Deborah Birx, koordinatore e grupit U.S. Global AIDS.

Numri i infektimeve të reja ka rënë, krahasuar me 3 milionë e gjysëm milioni në vit, por ka mbetur pak nën 2 milionë. Tek rreth 17 milionë njerëz të infektuar me virusin HIV nuk mund të kihet akses, si burra homoseksualë, përdorues të drogave, punonjës të seksit dhe klientët e tyre, si dhe tek transgjinorët.

“Kjo pjesë e popullsisë dhe vajzat e reja përbëjnë mbi 50 për qind të të infektuarve rishtazi dhe kontakti me ta është tepër i vështirë.”- thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Morrison, Birx dhe Beyrer diskutuan mbi sfidat për t’i dhënë fund SIDË-s në Konferencën Ndërkombëtare të SIDË-s në korrik.

“Puna jonë me SIDË-n nuk ka marrë fund. Është tepër herët të deklarosh fitoren dhe rreziku për rikthimin e epidemisë është real.”- thotë Dr. Beyer.

Instituti Kombëtar i Shëndetit njoftoi krijimin e një programi ndërkombëtar, për gjetjen e mënyrave për pakësimin e stigmës që lidhet me SIDË-n, që të trajtohen një numër më i madh njerëzish. Agjencia zbuloi se në Shtetet e Bashkuara numri më i madh i të infektuarve me SIDË dhe të patrajtuar, është në mesin e të varfërve dhe tek komunitetet me ngjyrë dhe ato hispanike. Agjencia tha se mbyllja e hendekut në trajtimin e njerëzve është kritike për t’i dhënë fund SIDË-s në Shtetet e Bashkuara. (voa)