Robotët në industrinë e ndërtimit

ndertimiTë kesh robotë për të bërë pjesët e vështira dhe të lodhshme të punës, është një ëndërr që po bëhetrealitet në biznesin e ndërtimit. Zhvilluesit e teknologjisë së automatizimit thonë se robotika po e transformon industrinë, duke e bërë atë më të sigurtë dhe duke i ndihmuar kompanitë të marrin më shumë projekte dhe t’i përfundojnë ato më shpejt.

Ndërtimi është një nga industritë ku kërkohen gjithnjë punëtorë të kualifikuar. Këtu, një anëtar i ri po i bashkohet ekipit të punës për shtrimin e tullave në ndërtimin e një shkolle të re.

Është SAM, shkurt për “Semi-Automated Mason”, një robot i krijuar nga kompania me qendër në Nju Jork, “Construction Robotics”.

SAM mund të vendosë rreth 3.000 tulla në ditë – disa herë më shumë se sa një murator i zakonshëm.

“Shtysa për krijimin e këtij roboti ishte dëshira për të zbuluar teknologji që do të më lejonin të bëja më shumë vëllim pune dhe të plotësoja kërkesat e klientëve të mi, duke bërë më shumë punë për përballimin e tyre”, thotë Todd Berich, president i kompanisë Berich Masonry.

Ish inxhinieri i kompanisë Google, Noah Ready-Campbell, është themelues i kompanisë së re “Built Robotics”, e cila po krijon teknologji për makinat e rënda të ndërtimit, pa shofer.

“Ka projekte me vlerë 1 trilion dollarë për rrugët, urat, shkollat dhe çdo gjë tjetër që duhet të ndërtohet, apo mirëmbahet dhe rinovohet. Por frenuesi më i madh për t’i bërë të gjitha këto është kostoja. Pra, në se shkurtojmë koston e gërmimeve, nivelimit dhe përgatitjes, atëherë mund të realizojmë më shumë punë për projekte që ka nevojë vendi ynë”, thotë Noah Ready-Campbell, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Built Robotics”.

Dronet janë gjithashtu pjesë e kësaj vale të automatizimit. Ky avion mund të inspektojë një zonë prej 36 hektarësh në 25 minuta – një punë, që merr një ditë të tërë, po të bëhet me një sistem lazer të montuar në kamion.

Ai është krijuar nga “Kespry”, një kompani në Silicon Valley, që konverton të dhënat e vëzhgimit në harta të hollësishme 3 dimensionale.

“Pra, përparësia është tek piketimi që është jo vetëm më i sigurt dhe më i shpejtë, por të jep më shumë të dhëna, dhjetë deri në 100 herë më shumë të dhëna, së bashku me faktin që ke një dron që fluturon vetë për të mbledhur gjithë të dhënat”, thotë George Mathew, drejtor ekzekutiv i kompanisë Kespry.

Por automatizimi nuk do t’i lerë njerëzit me domosdo pa punë.

“Ne kemi nevojë për të gjithë robotët që mund të marrim, plus të gjithë punëtorët që punojnë për të patur rritje ekonomike. Por, ajo që do të ndodhë, është se ndërsa makinat fillojnë të bëjnë një pjesë të punës që kanë bërë njerëzit, këta duhet të bëjnë punë të tjera, që do të thotë, se do të jetë i nevojshëm ritrajnimi”, thotë Michael Chui, i Institutit “McKinsey Global”.

Automatizimi po riorganizon industrinë e ndërtimit, duke përcaktuar një peizazh të ri, ku njerëzit dhe robotët punojnë së bashku. (voa)

Asadi, gazi helmues dhe njoftimi nga Moska

SiriaQeveria ruse paralajmëron nga një sulm me gaz helmues që do të kryhet nga rebelët në Idlib. Por të dhënat nuk janë fort të besueshme. Eskpertët e shohin paralajmërimin si shprehje të pafuqisë ruse.

Të shtunën Ministria ruse e Mbrojtjes doli me një paralajmërim për opinionin. Rebelët sirianë, anëtarë të një grupi islamist, Tahrir al-Sham janë duke përgatitur një sulm me armë kimike në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë. Sipas zëdhënësit të ministrisë ruse, Igor Konashenkov, ky grup po e inskenon një sulm të tillë për ta paraqitur atë në sytë e opinionit si të kryer nga regjimi i Asadit. Rebelët kanë sjellë disa fuçi me klorofin në një fshat në afërsi të qytetit Jisr dhe kanë angazhuar një firmë të huaj që t’i ndihmojë në kryerjen e sulmit. Qëllimi është i qartë, sipas Konashenkovit. Rebelët duan t’u japin një shkas SHBA, Britanisë së Madhe e Francës për të sulmuar nga ajri objektiva të qeverisë siriane.

“Gënjeshtra dhe pretendime”

Pretendimi i rusëve u hodh poshtë nga organizata që në shkallë ndërkombëtare gëzon kredibilitet, “Qendra Siriane e Vëzhgimit për të Drejtat e njeriut” në Londër. Kjo organizatë i cilësoi paralajmërimet nga Moska si “gënjeshra ” dhe “thjesht pretendime  që shërbejnë për të hapur luftën në Idlib”, u shpreh  Rami Abdel-Rahman, drejtor i qendrës, sipas mediave ndërkombëtare. Klorin është transportuar për një arsye tjetër. “Ky ofrohet kohë pas kohe, me qëllim që ujësjellësit në lokalitete të sterilizojnë ujin”,  thotë Abdel-Rahman. Ndërsa një gazetë në internet “Al-Araby al-jadeed pyet se “që kur ushtria ruse lejon akte terrori, për të cilat është e informuar më parë?”

“Rusët nuk kanë besim tek Asadi”

Një pyetje tjetër që shtrohet, është se pse Moska me një paralajmërim të tillë i drejtohet opinionit, kur dihet, që të gjithë aktorët, edhe organizatat ndërkombëtare, shohin me vëmendje të veçantë drejt Sirisë? Elias Parebo nga iniciativa “Adopt a revolution” që simpatizon me kryengritësit, shprehet se “me sa gjasa edhe rusëve u mungon besimi tek regjimi i Asadit.” Me sa duket edhe në Moskë nuk ka siguri, që qeveria e Asadit heq dorë nga armët kimike, thotë Parebo në bisedë me Deutsche Wellen. “Në të shkuarën janë kontrolluar 34 misione me gaz helmues nga kontrollorët e OKB. Për 28 prej tyre është bërë përgjegjës regjimi. Ky nuk ka përdorur vetëm klor, por edhe sarin dhe materiale të tjera.”

Sipas kësaj nuk përjashtohet që qeveria të përdorë edhe në Idlib gazin helmues. Në Idlib ndodhet një nga zonat e deeskalimit për të mbrojtur civilët. Por aty gjenden edhe pozicionet e opozitës së armatosur, sidomos të Frontit Al-Nusra.

Gaz helmues dhe luft psikologjike

Fronti al-Nusra u godit ashpër ditët e fundit nga regjimi, por rebelët vazhdojnë të mbrohen. Kjo mund të jetë një arsye sipas, Parebos që qeveria të përdorë gazin helmues. Gazi helmues vret shpejt, dhe përmes i tij u thuhet njerëzve, se askund nuk jeni të sigurtë. Deri më tani përdorimi i armëve kimike ka mbetur pa u ndëshkuar. Paralajmërimi i Obamës i verës 2013 se me përdorimin e armëve kimike, qeveria e Asadit kalon “vijnë e kuqe” mbeti pa pasoja.

Paralajmërim nga Uashingtoni

Edhe këshilltari amerikan i sigurisë, John Bolton e paralajmëroi qeverinë siriane nga përdorimi i gazit helmues. Nëse kjo ndodh, thotë Bolton, në drejtim të Damaskut, SHBA “do të përgjigjen shumë fort.” Ndoshta me këtë lidhet edhe paralajmërimi rus për sulme të mundshme me gaz helmues nga rebelët.

Megjithatë nuk mund të thuhet me siguri, se çfarë do të mbesë në fund nga ky paralajmërim nga Shtëpia e Bardhë. SHBA operojnë në Siri prej dy vjetësh, por këtë më shumë në fshehtësi. Edhe sepse një konfrontim direkt me regjimin e Asadit do të mund të çonte lehtë në një përplasje me fuqinë e tij mbrojtëse, Rusinë. Prandaj mbetet e hapur, nëse administrata e Trumpit do të ishte e gatshme për një hap të tillë.

Asi i perëndimit –  paraja

Elias Parebo thotë, se një hap i duhur për të penguar një sulm të ri të mundshëm me gaz helmues, do të ishte që Putinit t’i bëhet e qartë: Në rast të sulmeve të tjera me gaz helmues nuk do të ketë para për rindërtimin e Sirisë. Me rënien e Idlibit do të bjerë edhe bastioni i fundit i rebelëve. Nga kjo pikë nuk do të bëhet më fjalë për aspektet ushtarake, por ato ekonomike të luftës. Rusia i ka boshatisuar arkat financiare, pas vitesh angazhimi në Siri. Edhe hapësira financiare e fuqisë së dytë mbrojtëse, Iranit është e kufizuar pas sanksioneve të reja të Trumpit kundër Teheranit. Shtetet perëndimore gjatë luftës në Siri u treguan relativisht të përmbajtura. Në negociatat e ardhshme ato mund të luajnë asin që kanë në dorë – ekonominë. (dw)

Merkel: Mbështesim çdo dialog që sjell rezultate

merkelKancelarja gjermane Angela Merkel flet në konferencën e shtypit me ministrin kroat, Andrej Plenkovic, për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump. Kroacia është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, përkrahin çdo dialog që sjell rezultate në çështjen e Kosovës. Merkel tha pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkovic, të martën, 28.08.18, në Berlin se kishte telefonuar me Trumpin një ditë më parë: Ne mbështesim çdo dialog që sjell rezultate, por themi njëherazi edhe se integriteti territorial, siç ekziston sot, është një dimension i rëndësishëm, tha kancelarja gjermane.

Paralajmërim për pasojat

Ajo kujtoi deklaratën e saj të dhënë gati dy javë më parë në Berlin gjatë vizitës së homologëve të saj nga Bosnja-Hercegovina dhe Mali i Zi, ku kishte paralajmëruar që të kihet kujdes nga pasojat e bisedimeve për rajonin: Duhet të kujdesemi që veprimet në një vend të mos kene  efekte të kundërta në një vend tjetër,” tha ajo dhe shtoi: “Por unë kam shpresë te bisedat ndërmjet palëve, përfundoi Merkel.

Deklarata e kancelares gjermane dy javë më parë kishte qenë më refuzuese ndaj idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar dhe nuk ndryshohet më, pat thënë Merkel atëherë.

Kritikë nga shumë ekspertë

Ideja e ndryshimit ose korrigjimit të kufijve Serbi-Kosovë, fillimisht e hedhur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq, më pas përforcuar nga këshilltari i presidentit amerikan, John Bolton, dhe së fundi edhe nga deklaratat e komisionerit të zgjerimit Johannes Hahn pas takimit joformal të organizuar këtë javë nga Instituti  Alpbach në Austri duket se nuk është më tabu.

Por opinoni i përgjithshëm duket se e rrefuzon. Edhe eksperti i Evropës Juglindore, Ruben Dieckhoff, nga dega serbe e fondacionit gjerman Friedrich Neumann shprehet skeptik në një artikull në portalin freiheit.org. Ai mendon se jo vetëm që kjo ide është një lëndë eksplozive për konflikte të reja territoriale në Ballkan, por edhe se këmbimi i territoreve nuk do ta zgjidhte problemin e serbëve, duke pasur parasysh se më shumë se gjysma e tyre jeton në enklava në jug të Mitrovicës. Ai sugjeron se rruga më e vështirë, por edhe më e suksesshme është njohja e realitetit ekzistues dhe bashkëjetesa me të drejta të garantuara për pakicat.

Në një artikull të përbashkët, të botuar të martën në Euractiv, Filip MIlacic, studiues nga Rijeka dhe Podgorica, dhe Valeska Esch, drejtore programi në Institutin Aspen në Berlin, mendojnë gjithashtu se diskutimet për ndryshime territoriale vetëm sa ngjallin nacionalizëm dhe largojnë vëmendjen nga problemet ekonomike në rajon. Popullsisë serbe i duhet bërë e qartë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është vërtet një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të hyrë në BE, thuhet ndër të tjera në artikull.

Kroacia kundër ndryshimit të kufijve

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili u pyet të martën (28.08)nga gazetarët në Berlin, e rrefuzoi opsionin e ndryshimit të kufijve dhe kërkoi respektin e tyre, ashtu siç ka përcaktuar Komisioni i Badinternit për ish-republikat e Jugosllavisë, në vitin 1991. Plenkovic paralajmëroi se: Ndryshimet e kufijve në Evropën Juglindore mund të kenë pasoja në vende të tjera, prandaj ne jemi shumë të kujdesshëm dhe nuk jemi të parët që kërkojmë ndryshime kufijsh.

Ishte vizita e dytë e punës së kryeministrit kroat në Gjermani.  Dy vendet i lidhin jo vetëm marrëdhëniet e shumta politiko ekonomike që nga pavarësia e Kroacisë në vitin 1991, 2,5 milionë turistët gjermanë që vizitojnë çdo vit Kroacinë dhe 350 mijë kroatët që jetojnë në Gjermani, por edhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian.

Angela Merkel lavdëroi kontributin e shtetit më të ri të BE-së që aspiron për anëtarësim në Schengen në përballjen me sfidën e migracionit ilegal, por edhe rolin konstruktiv në rajonin e Ballkanit, i cili, siç tha kancelarja gjermane, megjithë procesin e Berlinit vazhdon të jetë i komplikukar. Këtë kontribut Kroacia synon ta përforcojë në vitin  2020, kur do të jetë kryetare e radhës e BE-së dhe planifikon të organizojë një samit me vendet e BE-së dhe Ballkanin Perënimdor.  Në vitin 2020 pas Kroacisë, kryesinë e BE-së e ka Gjermania. (dw)

Maqedonia nën ethet e referendumit

referendumiLSDM-ja për referendumin e 30 shtatorit do të mundohet të hyjë në koalicion me disa parti politike për një referndum të suksesshëm. Partitë shqiptare e mbështesin referendumin, ndërsa VMRO në opozitë është kundër.

LSDM-ja për referendumin e 30 shtatorit do të mundohet të hyjë në koalicion me disa parti politike, sepse qëllimi i saj është që referendumi të kalojë në atmosferë sa më miqësore dhe tërheqëse për qytetarët, më ndryshe nga çfarëdo lloj tjetër procesi zgjedhor. Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dëshiron në shtet secilit t’i mundësohet ta tregojë qëndrimin e tij, por ai nënvizon se Maqedonia rrallë herë merr shans të tillë që përmes referendumit të sukseshëm të inkuadrohet në familjen evropiane. “Ne duhet ta shfrytëzojmë shansin historik, sepse nuk është e lehtë pas 27 viteve të arrihet marrëveshje e tillë e ndjeshme me Greqinë, që na i hap dyert drejt BE-së, drejt perspektivave më të mira, prosperitetit ekonomik, mbajtjes së të rinjve në shtet, ruajtjen e tërësisë territoriale të këtij vendi”, është shprehur Zaev.

VMRO kundër referendumit

Nëse referendumi nuk do të ketë përkrahjen e qytetarëve më 30 shtator, atëherë kryeministri Zoran Zaev do të jetë tërësisht i delegjitimuar dhe se ai duhet të ikë nga pushteti. Këtë e ka theksuar kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. “Zaev do të jetë kryeministër i delegjitimuar i Maqedonisë me çka do të pasojnë disa procese tjera politike”, ka thënë Mickoski. Sipas tij, janë mirë të njohura kriteret e referendumi të suksesshëm, ndërsa as qeveria e LSDM-së nuk beson në suksesin e saj për këtë referendumi është konsultativ. Ai tha se ky është një operacion i shtrenjtë statistikor, që godet xhepat e qytetarëve dhe buxhetin.

Partitë shqiptare në mbështetje të referendumit

Partitë parlamentare shqiptare janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi që me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ato do të jenë pjesë e fushatës duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro referendumit.

Për BDI-në referendumi është një moment që duhet të na bashkojë të gjithëve, pozitë e opozitë, sepse anëtarësimi në NATO është në dobi të të gjithë qytetarëve, paqja stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik janë për të gjithë. “Referendumi është një pikë shumë e rëndësishme që duhet të na bashkojë drejt anëtarësimit të vendit tonë në NATO, dhe këtë nuk duhet ta bëjmë se e kërkon NATO por sepse ne kërkojmë të hyjmë në NATO”, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Aleanca për Shqiptarët si partia më e madhe në opozitë vendosi që ta mbështesë referendumin e 30 shtatorit por ka vendosur edhe disa kushte për rregullimin e raporteve shqiptaro-maqedonase. “Qeverisë së Shkupit i mungon edhe një marrëveshje shumë më e rëndësishme dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve”, ka theksuar Ziadin Sela kryetar i ASH-s.

Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi po ashtu ka vendosur që t’i japë përkrahje referendumit për emrin. Kjo parti ka apeluar për unitet politik ndërshqiptar në Maqedoni në prag të proceseve të rëndësishme që po e presin vendin, siç është referendumi. “Neve si gjeneratë na ra barra të ndërmarrin vendime të rëndësishme për shtetin në të cilin jetojmë. Janë këto vendime që nuk kanë të bëjnë vetëm me të sotmen tonë, por aq më shumë me të ardhmen dhe me fatin e brezave që vijnë pas nesh”, ka deklaruar Afrim Gashi.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi kohë më parë është shprehur i bindur se referendumi për çështjen e emrit do të dalë i suksesshëm dhe se kthim prapa nuk ka. Edhe krahu u BESES së Kasamit fuqishëm do të mobilizohet për suksesin e referendumit.

Qeveria me fushat më agresive për referendumin

Selim Ibrahimi nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoni, thotë se porositë e qarta që vijnë nga ndrkombëtarët se referendumi duhet të jetë i suksesshëm në masë të madhe kanë si synim inkurajimin e qytetarëve maqedonas të rreshtohen pro referendumit, veçanërisht ata të cilët janë të papërcaktuar ose që ende hamenden rreth daljes në referendum. “Në fakt, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë më shumë nga kjo që po bën, sepse në duart e qytetarëve të Maqedonisë mbetet se si do të vendosin të votojnë në referendumin e shtatorit. Vendi ndodhet në një pikë shumë të rëndësishme dhe këtë qytetarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë”, vlerëson Ibrahimi.

Analisti Nikolla Dujovski thotë, se nevojitet një fushatë më agresive nga ana e Qeverisë dhe shumicës parlamentare për t’ua sjellë për së afërmi qëndrimet e qendrave vendim-marrëse .

“Këto mesazhe të drejtpërdrejta që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, do të kenë efekt vetëm nëse Parlamenti, si bartës për realizimin e fushatës për referendumin arrin t’ua servirë qytetarëve si politikë që ata ta kenë të qartë se nëpër cilën rrugë ka vendosur të ecë Maqedonia”, thotë Dujovski.

Referendimin e 30 shtatorit në Maqedoni, i cili do të përcaktojë edhe rrugëtimin euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së do ta mbykqirin edhe shumë organizata të huaja dhe vendase. Deri më tani në KSHZ janë akredituar 270 vëzhgues të OSBE-së dhe 120 të Qendrës CIVIL, nga Asociacioni Qytetar “MOST” dhe organizata ndërkombëtare IFES. (dw)

Çka përmban kapitulli i 17-të i procesit të skriningut të BE-së në Maqedoni?

skrining BE MKNë Maqedoni ekziston optimizëm për anëtarësim në institucionet euro-atlantike, në BE dhe në NATO.
Procesi i skriningut për Maqedoninë do të thotë shumë punë ku do të duhet të kyçen shumë institucione vendore dhe organizata jo-qeveritare që kanë përvojë në këtë proces nga vizitat e punës nëpër vendet evropiane.

Procesi i skriningut, sipas faqes zyrtare të Komisionit Evropian, zyrës për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, do të thotë “Ngjizje të planeve dhe ligjeve për integrim në BE të vendeve që tentojnë anëtarësimin”

I gjithë procesi i skriningut ka 35 kapituj të cilat duhet të kalohen me shumë kujdes thuajse nëpër të gjithë institucionet dhe drejtoritë e shtetit, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kapitulli i 17-të: Rregulloret ekonomike dhe monetare
Ky kapitull është pjesë që duhet të harmonizohet nga institucionet financiare dhe ekonomike në vend, në bashkëpunim me institucionet financiare dhe ekonomike të BE-së dhe shteteve anëtare. Me harmonizimin e ligjeve të BE-së të Maqedonisë, ju ndalohet qasja e lirë e institucioneve shtetërore dhe sektorit publik në bankën qendrore në vendet që kanë qëllim anëtarësimin.

Qëndrueshmëria financiare dhe rritja financiare do të sigurohet me harmonizimet e ligjeve të reja në Maqedoni dhe gjithashtu nëpërmjet procesit të fiskalizimit të denjë dhe gjithpërfshirës.

Menaxhimi me monedhën euro, përveç monedhës vendore gjithashtu do të rregullohet me ligjet e reja dhe harmonizimin e ligjeve ekzistuese.

Telegrafi Maqedoni në ditët në vazhdim do t’ju sjell harmonizimi e ligjeve të Maqedonisë, pas procesit të skriningut në vend, sipas çdo kapitulli. /Telegrafi/

Opozita shqiptare mbështet referendumin, por ka kushte

flamuriOpozita shqiptare në Maqedonia do të mbështesë referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, por ka vendosur edhe disa kushte për rregullimin e raporteve shqiptaro-maqedonase, apo për zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe e cila në Kushtetutë përcaktohen si gjuhë që e flasin 20 për qind të popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, por edhe çështje tjera si ajo e dokumenteve të udhëtimit, në të cilat me zbatimin e marrëveshjes shqiptarët do të shkruhen si maqedonas që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Pala maqedonase ka pasur të drejtë të flasë për gjuhën dhe identitetin e tyre, por edhe për rregullimin shtetëror. Ne i përshëndesim marrëveshjet që Qeveria i ka arritur me Bullgarinë, me vërejtjet që i kemi edhe me Greqinë, por Qeverisë i mungon edhe një marrëveshje shumë më e rëndësishme dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve”.

“Në kuadër të frymës pro-evropiane, ftojmë aktorët politikë shqiptarë dhe maqedonas, që të ulemi dhe të sjellim edhe këtë marrëveshje. Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët do të intervenojë dhe do të insistojë fuqishëm, në mënyrë që të ketë barazi qytetare në Maqedoni, pa pasur njëra më shumë sovranitet, se tjetra me qëllim të ndërtimit të shtetit të së drejtës”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela duke i dhënë mbështetje inkuadrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, si një nga prioritetet e qytetarëve të Maqedonisë, por duke kërkuar njëkohësisht edhe takim të liderëve të partive shqiptare për të biseduar mbi marrëveshjen e arritur mes tyre, të njohura si “Platforma e Tiranë”.

Sela ka thënë se tryeza e partive parlamentare shqiptare duhej të thirrej që para arritjes së marrëveshjes me Greqisë, por meqë nuk është bërë në atë kohë nga BDI-ja në pushtet, atëherë kjo do të thirret nga Aleanca për Shqiptarët në momentin kur do të nisë debati për ndryshimet kushtetuese.

“Është dashur që ta thërrasë zotëri Ahmeti dhe BDI-ja duke pasur parasysh që kanë qenë pjesë e bisedimeve me Greqinë, por nuk e kanë thirrur. Por, në kohën kur do të hapen ndryshimet kushtetuese ne do ta ftojmë të njëjtën në mënyrë që të ndërtojmë qëndrim unik të subjekteve politike rreth ndryshimeve kushtetuese, të cilat duhet bërë në vend. Në të njëjtën kohë, do t’i përgjigjemi thirrjes së çfarëdo subjekti politik parlamentar shqiptar, i cili do ta ftojë tryezën e njëjtë, kurdo që të jetë”, ka theksuar Sela pas mbledhjes së Kuvendit qendror të Aleancës për Shqiptarët.

Referendumi në Maqedoni për marrëveshjen me Greqi që parasheh ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut do të mbahet më 30 shtator. Kalimi i referendumit dhe ndryshimet kushtetuese për zbatimin e pikave të kësaj marrëveshjeje, është vendimtare për procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. (rel)

Bum në lindje të Hungarisë

audiAudi dhe Mercedes prodhojnë prej vitesh në Hungari. Edhe BMW po investon miliarda për një fabrikë prodhimi në qytetin hungarez Debrecin. Ndësa kryeministri hungarez vazhdimisht kritikohet për politikën anti-europiane

Punimet për ndërtimin e një fabrike të re të MB-së në qytetin lindor të Hungarisë Debrecin do të fillojnë pas një viti. Se kur të nisë nga puna kjo fabrikë, është ende e hapur, tha një zëdhënës. “Vendimi për një fabrikë të re nxjerr në pah perspektivën e zhvillimit mbarëbotëror të BMW Group”, tha shefi i kryesisë Harald Krüger. “Pas investimeve të mëdha në Kinë, Meksikë dhe SHBA në tani forcojmë zonat e prodhimit në Europë e me këtë krijojmë balancën globale të prodhimit tonë mes Azisë, Amerikës dhe Europës.” Në Gjermani BMW vetëm sivjet ka investuar mbi një miliardë Euro, për të modernizuar fabrikat dhe për të përgatitur elektromobilitetin. Çdo vit në Hungari parashikohet të nxirren 150.000 makina BMW nga prodhimi.

BMW thekson, se investimi në Hungari ka thjeshtë arsye ekonomike. Kjo pavarësisht, se kryeministri i djathtë nacionalist Viktor Orban i kundërvihet BE-së dhe demokracisë. Deri më tani nuk ka trazuar as fakti që Audi dhe Mercedes prodhojnë me fabrika të mëdha dhe vazhodjnë të investojnë në Hungari. Edhe BMW-së nuk e shqetësojnë deklarimet anti-europiane të qeverisë.

Fabrika e re e BMW-së do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 400 hektarësh direkt pranë autostradës drejt Budapestit. Prodhuesi gjerman i pjesëve të këmbimit Schäffler është vendosur përpara më shumë se 20 vjetësh në qytetin Debrecin. Atëherë u zgjodh ky si vend prodhimi për shkak të pagave të ulëta. Por si qendron puna sot? Drejtori ekzekutiv i Schäfler, Peter Szabo shpjegon: “Jo për shkak të pagave të ulëta. Por këtu njerëzit kanë njohuri të mira profesionale dhe produktet tona janë të teknologjizuara. Avantazhi më i madh është, që ne kemi personel mjaft të mirë këtu.”

Kryebashkiaku Laszlo Papp është krenar për vendosjen këtu të fabrikës së re nga prodhuesi gjerman i automobilëve. Kjo sipërmarrje do të investojë këtu 40 milionë Euro.

“Jo oazë tatimesh, por punonjës të kualifikuar mirë”

Shoku i partisë së tij, kryeministri Viktor Orban kritikohet për politikën e tij anti-europiane. Por kjo për investitorët duket se nuk ka rëndësi. Ndërsa Lazslo Papp thekson, se qyteti dhe rajoni kanë mjaft potencial. “Unë nuk besoj, që investitorët vijnë dhe shohin papunësinë, por ato vijnë, sepse ne kemi në universitetin tonë 74.000 studentë.

Ata kanë pra pikërisht atë për çfarë kanë nevojë ndërmarrjet gjermane, forca të mirë kualifikuara pune. Por BMW has në kritikën e opozitës në parlamentin e qytetit. Ajo i konsideron investimet në vlerën e një miliardë Eurove si jo sa duhet transparente. Matyas Murguly,nga partia ekologjiste në Debrecin thotë, se “ne nuk e dimë nëse ata do të paguajnë më pak taksa. Nënuk dimë asnjë detaj të këtij investimi. Qeveria jonë dhe këto ndërmarrje të mëdha si BMW e mbajnë gjithçka të fshehtë.

Ne pyesim, se si ka shkuar puna me firmën Schäfler, Ajo sapo ka investuar 50 milionë Euro për një repart të ri. BE-ja nuk jep para për të të tilla projekte të mëdha, siguron menaxheri i Schäfler, Peter Szabo: “Jo këtu nuk kemi të bëjmë  me një oazë tatimesh. Ne marrim vetëm subvencionin shtetëror. Këto janë 15% të volumit të përgjithshëm të investimit.

Për ta bërë edhe më terheqës Debrecinin si zonë prodhimi, qeveria hungareze investon për një shkollë të re profesionale të arsimti të lartë. Kjo shkollë duhet të nxjerrë nga bankat e saj pikërisht punonjësit e specializuar, për të cilët kanë nevojë këto fabrika. (dw)

Lufta e së ardhmes – Të ndalen robotët vrasës?

robotRobotët mund të vendosin për jetë apo vdekje në luftën e së ardhmes pa dorën e njeriut. Zhvillimi i armëve autonome po ecën me temp të shpejtë. Në Gjenevë po diskutohet sërish për ndalimin e tyre.

Me një zukamë të fortë minidronet vijnë vërdallë në sallën e leksioneve dhe bien mbi studentët që i godasin në ballë. Kjo skenë shihet në një film të përgatitur nga kundërshtarët e armëve autonome në një videoportal të You Tube-t. Dronet më të vogla se një pjatë i identifikojnë viktimat e tyre me anë të algoritmeve. Nëse e kanë fiksuar objektivin nuk ka më shpëtim. Të dhënat këto minidrone të lidhura në disa rrjete i marrin nga rrjetet sociale. Ato vrasin vetëm ata njerëz që kanë shpërndarë një video kritike – ky është subjekti i historisë.

Gjithçka science-fiction?

Titulli i filmit me metrazh të shkurtër “Slaughterbots” është klikuar më shumë se dy milionë e gjysmë herë nga publikimi i tij në nëntor 2017. Gjithçka vetëm science fiction, haluçinacione të njerëzve të frikësuar? Në asnjë rast, mendon Thomas Küchenmeister, që angazhohet për ndalimin e sistemeve të armëve autonome.  “Hapi deri aty është shumë i vogël”. Küchenmeister është kryetar i “Facing Finance”, një organizate gjermane, pjesëtare e fushatës ndërkombëtare “Stop Killer Robots”. Ai viziton panaire të armëve dhe bisedon me prodhuesit e tyre. Armë me një autonomi të caktuar ka edhe sot, për shembull raketat që kërkojnë në mënyrë të pavarur objektivat e mundshme dhe vendosin vetë, se cilin mund të shkatërrojnë. Kryesisht ato komandohen nga njerëzit, por për sulmin konkret nuk ka ushtarë që jep urdhrin, shpesh ai as nuk mund ta ndalë raketën.

killer robotsFushata “Ndal robotët vrasës”

Në konflikt me të drejtën ndërkombëtare

Sipas Küchenmeister kjo është “tejet problematike”. “Një armë e tillë nuk mund të bëjë dallimin mes një automjeti ushtarak apo civil.” Por pikërisht këtë e kërkon e drejta ndërkombëtare, një nga rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare të vlefshme në kohë lufte. Ajo i detyron palët në konflikt për mbrojtjen sa më të mirë të civilëve dhe ndërtesave civile. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i përcakton armët autonome si armë që e kërkojnë vetë, e zgjedhin dhe sulmojnë apo shkatërrojnë vetë një objektiv të caktuar. Pikërisht këtu është problemi, thotë Küchenmeister. Çfarë ndodh, nëse në përzgjedhjen e pavarur kjo armë shkatërron jo vetëm armët kundërshtare por vret edhe civilë? “Ne nuk mund t’i injektojmë këtyre armëve chip-a me të drejtën ndërkombëtare”, thotë eksperti.

Inteligjenca artificiale në industrinë e armëve

Rritja e ndjeshme e shkallës së autonomisë të sistemeve të armatimit ka të bëjë me progresin e shpejtë të inteligjencës artificiale. Ndërkohë makineritë janë të afta të mësojnë dhe përpunojnë përvojat përmes rrjeteve neuronale artificiale si truri njerëzor. Industria e armëve e përdor këtë: Armët bëhen më eficiente, më të shpejta, në një kohë që rreziku për ushtarët ulet. Kjo është pikërisht ajo çfarë kërkojnë ushtritë. Por kufijtë janë të lëvizshëm: Edhe nëse një robot që kërkon në mënyrë të pavarur minat është i pranueshëm, ai robot që kërkon pa kontroll njerëzit, i identifikon dhe qëllon mbi ta është një rast për të drejtën ndërkombëtare.

Por si mund të zbatohet e drejta ndërkombëtare për armë të tilla? Për këtë debatohet në Gjenevë në konferencën për armët autonome mbi bazën e “Konventës Ndërkombëtare të Armëve Konventionale”, ku marrin pjesë më shumë se 70 vende, organizata joqeveritare dhe ekspertë. Fillimisht kur këto bisedime filluan në vitin 2017 ishin informale, por nga viti i kaluar ato janë kthyer në negociata zyrtare. Objekti i diskutimit të konferencës në Gjenevë nga 27-31 gusht janë sistemet vdekjeprurëse të armëve autonome. Bashkësia ndërkombëtare është e ndarë në përkrahës që janë kundër ndalimit të armëve autonome, kundërshtarë të tyre, si edhe vende si Gjermania e Franca që duan të ndjekin një rrugë të mesme.

“Ai sundon botën”

Kundër ndalimit të armëve të tilla argumentojnë vende që investojnë shuma të mëdha për përdorimin ushtarak të inteligjencës artificiale, si SHBA, Izraeli, Rusia dhe Britania e Madhe. Presidenti rus, Vladimir Putin para nxënësve në shtator 2017 u shpreh, se kush është lider në inteligjencën artificiale ai sundon botën. Qeveria amerikane madje i paraqet këto armë në një afond pozitiv. Delegacioni amerikan në takimin e fundit për këtë temë në Gjenevë u shpreh se armë të tilla ndikojnë në më pak viktima civile dhe “dëme kolaterale”. Nëse një ushtar turbullohet nga tërësia e informacioneve në një fushë luftimi, kompjuteri mbetet i fokusuar dhe bën më pak gabime. Amerikanët kërkojnë mosstigmatizimin e sistemeve të armëve autonome.

Ndalimi i armëve autonome

Vetëm 26 vende kërkojnë ndalimin me detyrim të përdorimit të armëve autonome dhe mirëpriten për këtë nga shoqëria civile. Më shumë se 230 organizata dhe 3000 persona civilë kanë nënshkruar një peticion kundër armëve të tilla. Mes tyre edhe kreu i Teslas, dhe lider në fushën e inteligjencës artificiale, Elon Musk. Vendimi për të eliminuar një njeri nuk duhet t’i lihet asnjëherë asnjë kompjuteri.

Gjermania aktualisht nuk e mbështet përhapjen e armëve të tilla. Por të kërkosh direkt ndalimin e tyre, për diplomatët gjermanë është e gabuar, frontet janë shumë ndara. Bashkë me Francën ajo ndjek një rrugë të mesme. Si hap të parë qeveria gjermane kërkon një deklaratë politike, e cila më vonë duhet të mbështetet nga një kod sjelljeje ushtarake dhe në hapin e fundit një marrëveshje ndalimi. Në këtë qëndrim disa hapësh, diplomatët gjermanë shohin një shans për kalimin e diferencave të mëdha.

Koha nuk pret. Diplomatët dhe aktivistët janë të një mendimi. Edhe informaticieni i njohur amerikan, Stuart Rusell, i cili hulumton në këtë fushë prej 35 vitesh dhe kishte idenë për filmin “Slaughterbots”, thote se ende mund të pengohet një skenar i tillë, “por dritarja e kohës po mbyllet shpejt.” Nëse bisedimet e këtyre ditëve në Gjenevë, nuk sjellin sukses, atëherë do të rritet presioni i shoqërisë civile, paralajmëron eksperti Küchenmeister. (dw)

Takimi i kryemnistrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës

kryeministrat durresNë takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Durrës, Johannes Hahn, Komisioner i BE për Politikat Zgjerimit deklaroi, se: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të cënojë stabilitetin e rajonit.

Edhe pse vetëm tre nga gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor morrën pjesë në samitin informal një ditor të Durrësit, rajoni u shfaq i bashkuar në vizionin strategjik për afrimin me ritme më të shpejta me BE-në. Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia nuk u përfaqësuan nga kryemnistrat e tyre, por nga zyrtarë të lartë që iu bashkuan premtimit të kryemnistrit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës për të rritur përpjekjet që Zona Rajonale Ekonomike, (ZRE), që produkti i dakortesuar i Procesit të Berlinit të funksiponojë dhe japë rezultatet e veta një orë e më parë. Johannes Hahn, Komisioner për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, pjesëmarrës në samit, e vlerësoi ZRE si ҫelësin e qëllimit të integrimit europian. “Tregtia brenda rajonit është rritur për herë të parë në vite: një rritje prej më shumë se 13% në  2017 krahasuar me vitin 2016.  Duke pasur parasysh këtë sfond, parashikimi ynë që ZRE mund të hapë  rreth 80.000 vende të reja pune deri në vitin 2025 duket i arritshëm. Rajoni ka potenciale të pashfrytëzuara. Ai duhet të promovohet si një markë për turizmin dhe produktet bujqësore”, theksoi në samit Komisioneri Hahn.

Një vullnet më i madh politik nga gjashtë vendet e rajonit ështe i domosdfoshëm për të  rritur bashkëpunimin ekonomik. “Ka një nivel të ndryshëm të bashkëpuni politik mes vendeve të rajonit por ai nuk shoqërohet me të njëjtin nivel të bashkëpunimit ekonomik”, vuri në dukje në samit kryemnistri i Shqipërisë, Edi Rama.

Debati ndërkombëtar pro&con korigjimit të kufijve mes Kosdovës dhe Serbisë, si një alternativë potenciale për të normalizuar marrdhëniet mes tyre, nuk mungoi të reflektohet edhe në samitin e informal të Durrësit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përforcoi qëndrimin e tij të njohur kundër kësaj ideje. “Kosovai ka kufijtë e saj me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjV kreativitet i ri pVr dizanjimin e tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi”, tha kryemnistri  Haradinaj.

Në një optikë europiane e trajtoi idenë e korigjimit të kufijve Komisioneri Hahn. Sistem referimi për atë është BE dhe plotësimi i kushteve të tij për Ballkanin Perëndimor, të parashruara në Strategjinë e re të Zgjerimit, të publikuar në fillim të shkurtit të kaluar. Komisioneri Hahn theksoi, se “sipas strategjisë së BE-së do të pranohen vetëm vende që kanë zgjidhur konfliktet mes tyre”. Ai risolli në vëmendje rëndësinë që ka për BE-në stabiliteti dhe paqja në rajon.

“Çdo lloj marrëveshjeje mes dy vendeve nuk duhet të cënojë stabilitetin në rajon, por duhet të sigurojë një stabilitet më të madh nga zgjidhja e mosmarrveshjeve mes tyre”, theksoi Hahn në Durrës.

Burime nga Komisioni Europian ( KE) bëjnë me dije për DW qendrimin më të fundit të KE për arritjen e një marrveshjeje Kosovë- Serbi. Duke iu referuar zëdhënëses së KE Europian, Maja Koҫijanҫiҫ, në një konferencë shtypi të zhvilluar (27.08) në Bruksel, ato theksojnë, se:n”KE vlerëson që Kosovës dhe Serbisë  duhet t’u jepet më shumë hapësirë që të merren vesh për marrëveshje për normalizimin e  marrëdhënieve mes tyre. Një zgjidhje e përhershme nënkupton zgjidhje të qendrueshme, reale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, që do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare”. (dw)

 

Trump dhe Merkel bisedojnë në telefon edhe për Ballkanin Perëndimor

trump merkelZëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën se kancelarja Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë diskutuar në një bisede telefonike lidhur me situatën në Siri, Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor.

Agjencia e lajmeve Reuters, citon zotin Seibert, sipas të cilit “të dy udhëheqësit ndan shqetësimet rreth zhvillimeve në Siri, posaçërisht për situatën humanitare në rajonin rreth Idlibit, folën gjithashtu për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe tregtinë”. Po zëdhënësi Seibert nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Biseda është zhvilluar në një periudhë shtimi debatesh rreth normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshijnë idetë për ndarje tokësore të Kosovës, shkëmbim territoresh e korrigjim kufijsh dhe dallimeve në qëndrimet amerikane e gjermane rreth kësaj çështjeje.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha që se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Më herët gjatë këtij muaji, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën në një forum në Austri, mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti i Serbisë, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Prishtina e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve. (voa)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"