Euro e nis javën me rënie, a do të ndërhyjë Banka e Shqipërisë në treg?

euroMonedha e përbashkët europiane e ka nisur javën e zhvlerësuar në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 124.55 lekë, duke iu afruar nivelit minimal prej 124.17 që arriti në fillim të muajit qershor. Prej fillimi të tetorit monedha e përbashkët është zhvlerësuar përkundrejt lekut me rreth 1.73 lekë.

Arsyeja kryesore e nënçmimit të euros në tregun vendas është oferta e lartë në valutë dhe kërkesa e ulët për ta tërhequr këtë valutë nga tregu. Ndërkohë një tjetër arsye për nënçmimin është edhe niveli i ulët i qarkullimit të lekut, duke qenë se vëllimet tregtare në muajin tetor sipas aktorëve kryesorë të tregut kanë qenë në minimumet vjetore.

Megjithatë situate në tregun e këmbimit valutor ka qenë e qetë dhe operatorët më të mëdhenj në vend shprehen se është ky çmim i euros  është një çmim real. Nëse ka rritje apo zhvlerësime të menjëhershme bëhet fjalë për spekulime në tregun e këmbimit valutor.

“Për ne është e rëndësishme të ketë çmime të tregtueshme”,- tha një prej operatorëve më të mëdhenj në treg, duke shtuar se tregu i këmbimit ka vijuar normalisht. Ekspertët e këmbimit valutor nuk presin që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në treg tashmë të normalizuar.

Banka e Shqipërisë, pas një sërë ndërhyrjesh në treg, që nga fillimi i qershorit, ku bleu më shumë se 100 milionë euro, e ka ulur intensitetin e blerjes së valutës. Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe Banka, sipas ligjit, ndërhyn vetëm kur cenohet objektivi i saj kryesor, ai i mbajtjes nën kontroll të inflacionit.

Por, teksa inflacioni po i afrohet gradualisht objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%, nuk pritet të ketë më ndërhyrje në treg, duke e lënë kursin të luhatet i lirë, në bazë të kërkesë ofertës.

Euro është “ndihmuar” dhe nga rënia e tij në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka zbritur në 1.13 dollarë, nga 1.16 që ishte dy javë më parë./Monitor.al/

Jeni në gjendje gripi? Këto ushqime do t’ju shpëtojnë nga gripi

gripiVirozat e shumta, në këtë periudhë të vitit janë më të shpeshta dhe ne kemi më tepër predispozitën që të sëmuremi. Temperatura, kolla, sekrecionet dhe ndjenja e lodhjes kanë qenë pjesë të këtyre ditëve vjeshte. Moti gjithashtu nuk po na ndihmon pasi është i paqëndrueshëm dhe na bën të ndihemi akoma më të lodhur dhe të papërgatitur.

Një prej ushqimeve që do t’ju ndihmojë më tepër  është supa me lëngun e pulës. Kjo supë përmban substanca antibakteriale që ju lehtësojnë dhimbjet me ju. Një regjim i shëndetshëm dhe me vitamina ndihmon imunitetin tuaj.

Një tjetër ushqim i shëndetshëm është dhe qumështi dhe pije të tjera që përmbajnë vitaminë D. Kjo vitaminë ndihmon në luftën kundër ftohjes. Gjithashtu ju jep energji në momentin që ju mungon. Karotat dhe ushqime që përmbajnë vitaminën A : Është çelësi kryesor për një imunitet të fortë. Spinaqi, karotat, patatet përmbajnë shumë nga kjo vitaminë.

Çaji jeshil: është gjithashtu një antibakterial I fuqishëm. I kombinuar me limon ai është perfekti për tu ndjerë më mirë.  Hudhra: Hudhra ndihmon në parandalimin e ftohjes kur konsumohet rregullisht, për shkak të përbërjes së saj ajo ju shëron ose n.q.s. nuk ju pëlqen aroma kaloni në një lëng portokalli.

(shekulli)

Kryeprokurori i Posaçëm për Kosovën, viziton Prishtinën

Jack Smith 1Kryeprokurorit në Dhomat e Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Jack Smith, po qëndron në vizitën e tij të parë në Kosovë, që kur mori këtë post.

Të martën ai u takua me ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri si dhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e ministrit Tahiri thuhet se ai ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj Dhomave të Specializuara.

“Gjatë takimit, ministri Tahiri kërkoi nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare’, thuhet në njoftim.

Kryeprokurori Smith nuk ka bërë ndonjë koment dhe takimet më përfaqësues vendas e ndërkombëtarë po mbahen larg syve të medieve.

Kryeprokurori Smith, që filloi punën në shtator, u emërua në këtë post në mujain maj duke pasuar prokurorin amerikan, David Schwendiman, i cili u largua nga detyra më 31 mars.

Para se të emërohej në këtë post, prokurori Smith drejtonte seksionin e padive të Korporatës Spitalore të Shteteve të Bashkuara, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara.

Nga shkurti i viti 2015 deri në gusht të vitit 2017, ai ishte ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për qarkun e Tennesseet.

Ai ka kryer edhe detyra të tjera më rëndësi në fushën e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni”. (voa)

Prokurori i Gjykatës Speciale në Kosovë

Jack SmithPrishtina i ka kërkuar prokurorit të Gjykatës Speciale Smith që qytetarët, të cilët potencialisht mund të jenë subjekt i gjykatës të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç njihet me emrin zyrtar, “Prokurori i Specializuar”, Jack Smith, qëndroi në Kosovë  (30.10) për t’u takuar me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe me ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Takimet u zhvilluan larg medieve, ndërsa, Prokurori Smith nuk bëri ndonjë deklaratë. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, pas takimit me prokuorin Smith, tha se ai i ka shprehur zotit Smith ”gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.

“Kam kërkuar nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë për medie të Ministrisë së Drejtësisë’. Prokurori Smith, bëhët e ditur se në Prishtinë ka takuar edhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, të Kosovës, Blerim Isufaj.

Më herët gjatë ditës ishte vet zyra e prokurorit Smith që njoftoi për vizitën në Kosovë, të parën që nga emërimi i tij në këtë detyrë. Prokurori amerikan, Jack Smith, është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, pas një procesi të përzgjedhjes, të organizuar nga Bashkimi Evropian, dhe ai ka nisur detyrën më 11 shtator. Jack Smith, zëvendësoi në këtë post një prokuror tjetër amerikan David Schvendiman, që u largua nga kjo detyrë në fund të muajit mars. Mandati i Gjykatës Speciale për Krime Lufte përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve. Këto krime të dyshuara përfshijnë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Në gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë. dw

Maqedoni, përpjekjet për ndryshimet kushtetuese

ZaevQeveria e Maqedonisë ende nuk i ka dorëzuar projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të Maqedonisë për shkak të konsultave që po bën me tetë deputetët opozitarë maqedonas të VMRO-DPMNE-së, të cilët votuan fazën e kaluar në parlament dhe pritet ta votojnë edhe paketën e ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri Zoran Zaev tha të marten se do të respektohen afatet lidhur me procesin e amendamenteve që burojnë nga Marrëveshja e Prespës. Ndërkohë, ai i quan si tepër ambicioze paralajmërimet e partive shqiptare të opozitës Aleanca për Shqiptarët dhe të njërit krah të Lëvizjes Besa për të propozuar amendamente lidhur me preambulën e Kushtetutës dhe ngritjen e pozitës së shqiptarëve në kushtetutë.

“Jam i bindur se askush nuk ka të drejtë të bëjë çfarëdo lloj kushtëzimesh kundrejt integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE. Me siguri nuk do të lejojmë hapjen e kutisë së Pandorës”, u shpreh zoti Zaev, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit tashmë është përfshirë në Kushtetutë.

Kryeministri maqedonas tha se nuk pret nga opozita në Maqedoni që ta bllokojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëri me dije se është në komunikim të rregullt me kolegun e tij grek Alexis Tsipras dhe se të dytë nuk besojnë në zvarritjen e procesit.

Në këtë kuadër, partia më e madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE duket se është thelluar në një situatë të vështirë që prej se tetë deputetët votuan kundër vullnetit të drejtuesve partiakë. Komiteti Qendror i VMRO-së ka përjashtuar nga partia ish-shefin e sigurimit shtetëror Sasho Mijallkov, i cili konsiderohej si një nga figurat kryesore të partisë dhe ish-ministrin Nikolla Todorov, ndërsa së fundmi ka lëshuar detyrën e kryetares së Lidhjes së Grave të VMRO-DPMNE-së deputetja Daniella Rangellova dhe dy anëtare të tjetra, deputete janë larguar nga organizata për shkak të “politikave përjashtuese dhe izoluese të drejtuesve partiakë”.

Qeveria pritet që deri më 5 nëntor t’i miratojë projekt-amendamentet. Më pas parlamenti ka një afat prej tridhjetë ditësh që të caktojë një seancë për të debatuar mbi to. Kryeministri Zaev pret që në pjesën e dytë të muajit janar të 2019-s të miratohen në parlament ndryshimet kushtetuese. Në këtë rast vendi do të quhej Republika e Maqedonisë së Veriut dhe kjo do t’ia hapte dyert asaj drejt anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe drejt përparimit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Por para kësaj, sipas pritshmërive duhet të falen, me gjasë deputetët dhe funksionarët e VMRO-DPMNE-së të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 në parlamentin e vendit. Kjo është oferta e kryeministrit Zaev, por dhe kusht i tetë deputetëve opozitarë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese.

Ndërkaq, policia e ka ndaluar të marten kryetarin e partise pro-ruse Maqedonia e Bashkuar, Janko Baçev, sipas njoftimeve që partia ka bërë përmes Facebook-ut. Ende nuk dihen zyrtarisht arësyet, por dyshohet se ndalimi është bërë për shkak të kërcënimeve që politikani nacionalist ka bërë në rrjetet sociale. Ai njihet edhe për ofendimet kundër shqiptarëve. (voa)

Sheqeri në gjak dhe pesha trupore

sheqeri ne gjakPrej vitesh, ekspertë të ushqimit janë përpjekur të dalin me një dietë që të garantojë humbjen e peshës. Prodhimi masiv i varieteteve ushqimore me yndyrë të ulët ose pa yndyrë nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e problemit të mbipeshës në Shtetet e Bashkuara dhe dietat e ndryshme kanë dhënë rezultat vetëm për një pjesë të njerëzve. Tani disa shkencëtarë thonë se nuk ekziston një zgjidhje e vetme për humbjen e peshës dhe se vetëm dietat e personalizuara japin rezultat.

Gjatë sezonit të festave tryezat mbushen me ushqime të shumta ndërsa njerëzit kudo në botë e teprojnë paksa me të ngrëna dhe pije sesa dhe si rezultat është shtimi në peshë. Sapo festat mbarojnë, fillon lufta për të humbur kilet e tepërta.

Dieta jo gjithmonë është e suksesshme sepse asnjë regjim nuk funksionon njësoj për të gjithë, thonë shkencëtarët.

“Për vite me radhë, ne jemi përpjekur për të gjetur një dietë që do të funksiononte për të gjithë, dhe kemi dështuar për shkak se dieta më e mirë është ajo që i përshtatet çdo individi”, thotë Eran Segal në Institutin Weizman

Studiuesit izraelitë Eran Segal dhe Eran Elinav thonë se çelësi i humbjes së peshës është mbajtja e niveleve të ulët të sheqerit në gjak. Shumë sheqer në gjakun e dikujt ruhet si yndyrë. Të dy shkencëtarët kanë matur nivelet e sheqerit në gjak në rreth 800 njerëz pas çdo vakti për një javë.

“Ajo që na befasoi është se njerëzit e ndryshëm reagojnë në mënyrë të ndryshme, madje edhe kur hanë të njëjtën ushqim”, thotë Eran Elinav.

Ushqimi që krijoi një përgjigje të shëndetshme në disa individë, shkaktoi një rritje të sheqerit në gjak në të tjerë. Për shembull, njerëzit reaguan shumë ndryshe ndaj bukës.

“Ajo që gjetëm në këtë rast është se nuk ka bukë të keqe apo të mirë. Përgjigja ndaj bukës ishte plotësisht e individualizuar”, thotë thotë Eran Elinav.

Shtimi i yndyrës në bukë, si gjalpë, vaj ose avokado, mund të ndihmojë normalizimin e sheqerit në gjak te disa njerëz, por jo tek të gjithë. Mishi dhe djathi mund të shkaktojnë ndryshime të nivelit të sheqerit në gjak. Por një dietë pa karbohidrate nuk është e qëndrueshme. Studiuesit izraelitë thonë se zgjidhja më e mirë është gjetja e karbohidrateve që janë të sigurta për t’u përfshirë në dietën e një individi. Kjo kërkon matjen e nivelit të sheqerit pas çdo vakti për një farë kohe.

voa

Ulja e dhimbjes përmes fushës magnetike

trajtim me fusha magnetikePër të trajtuar një sëmundje të caktuar, mënyra tradicionale që ndjekin mjekët janë ilaçet. Por, ndërsa teknologjia përparon, hulumtuesit po punojnë për të gjetur mënyra të reja të trajtimit të simptomave pa patur nevojën e përdorimit të medikamenteve. Një mundësi premtuese: përdorimi i grimcave të vogla magnetike për të trajtuar dhimbjen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee vizitoi një laborator në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos për të mësuar se si funksionon kjo metodë.

Studiuesit po kërkojnë mënyra të reja për të trajtuar dhimbjen, pa pasur nevojë të përdoren ilaçe. Një nga arsyet – ilaçet ndonjëherë mund të krijojnë më shumë probleme.

“Ato kanë efekte anësore. Një nga këto efekte anësore është krijimi i varësisë prej tyre”, thotë Dino Di Carlo, profesor i inxhinierisë biologjike në universitetin UCLA.

Kjo pika e errët është magnetike dhe mund të jetë përgjigja e problemit. Në këtë lëng, mund të shihni se çfarë ndodh kur një magnet vendoset poshtë. Pjesa e errët është e përbërë nga grimca të vogla magnetike që mund të ndërveprojnë me proteina të qelizave për të lehtësuar dhimbjen. Këto grimca magnetike do të futeshin në këtë material të ngjashëm me xhelatinën, që gjendet natyrshëm në tru dhe palcën kurrizore dhe do të aplikohet në atë pjesë të trupit që ka dhimbje.

“Në se keni një plagë, mund të vendosni këtë xhel që ka brenda disa prej këtyre grimcave magnetike. Këto grimca të oksidit të hekurit ndihmojnë në shërimin e plagës dhe në të njëjtën kohë, duke patur një copë magnetike mbi plagën krijohet një lloj force”, shpjegon Dino Di Carlo.

Kur një copë magnetike e jashtme vendoset mbi vendin e dhimbjes, ajo ndërvepron me grimcat magnetike në xhel – duke krijuar një efekt shtytës dhe tërheqës ..

“Ndërsa aplikojmë forcë mbi këto qeliza, numri i proteinave të ndjeshmërisë së dhimbjes zvogëlohet – që do të thotë se do të kesh më pak ndjeshmëri ndaj sinjalit të dhimbjes”, thotë profesor Di Carlo.

“Në laborator ne mund ta përdorim këtë material për të pakësuar dhimbjen”, thotë student Alireza Sohrabi.

Por hulumtuesit thonë se ka nevojë për prova të tjera para se trajtimi të përdoret tek njerëzit.

“Kjo xhelatinë prodhohet tani në laborator. Ne duhet të jemi në gjendje ta injektojmë atë”, thotë student Alireza Sohrabi.

Ndërsa hulumtimi tregon shpresë, inxhinierët pranojnë se duhet të kuptojnë më mirë biologjinë e grimcave magnetike – duke përfshirë efektet e mundshme anësore.

voa

Filadelfia- shtohen rastet e mbidozës

mbidozaEpidemia e opiumit në SHBA vazhdon të rritet. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vlerësimet më të fundit zyrtare thonë se 72.000 raste të vdekjeve nga mbidoza.

Këtë vit, gazetarët e Zërit të Amerikës Chris Simkins dhe Jeff Swicord po dokumentojnë histori reale të epidemisë. Ata ndjekin disa personazhe që vuajne nga varësia e drogës në tre qytete – Majami, Filadelfia dhe Neshvillë – ku jetët e njerëzve dhe lagje të tëra janë transformuar nga abuzimi i drogës.

Pas dëbimeve masive në lagjen Kensington të Filadelfias, shtohen rastet e mbidozës, ndërkohë, Eriku del nga rehabilitimi, i transformuar. (voa)

A jemi të vetëm në univers?

UniversiKongresi i Shteteve të Bashkuara i ka paraqitur një pyetje të rëndësishme Akademisë së Shkencave. Ai dëshiron të dijë “nëse jemi të vetëm në univers”, apo nëse ka planete të tjera si planeti ynë, me forma të jetës inteligjente. Akademia po punon me shkencëtarët në mbarë vendin për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

Teleskopi Hubble na ka ofruar pamje të jashtëzakonshme të hapësirës, por ato nuk kanë detaje të mjaftueshme për të na ndihmuar në kërkimin për jetën, në miliarda galaksitë e mbarë universit.

“Nëse një përqindje shumë e vogël e yjeve kanë planete që mund t’i ngjajnë Tokës dhe mund të përmbajnë jetë, atëherë mund të rezultojë se vetëm brenda Rrugës së Qumështit ka miliarda prej tyre”, thotë Justin Crepp, profesor i fizikës në Universitetin e Notre Dame.

Si anëtar i Komisionit të NASA-s për Strategjinë Shkencore Jashtëplanetare, Justin Crepp është fokusuar tek çfarë dhe në ç’mënyrë SHBA-ja do të eksplorojë hapësirën gjatë dekadave të ardhshme.

Në shtator, komisioni botoi një raport me disa rekomandime. Së pari, inkurajohet NASA të krijojë dhe të nisë një mision që do të regjistrojë dhe përshkruajë planete të ngjashme me Tokën në sistemet e yjeve të tjerë. Por, kjo nuk është kaq e lehtë.

“Nëse përpiqesh të ndërtosh imazhin e një planeti, do të hasësh në disa vështirësi. Planetet është e vështirë t’i veçosh nga njëri-tjetri në distancën e largët dhe për këtë të duhet një teleskop me përmasa të caktuara. Problemi është se atmosfera e Tokës i turbullon imazhet duke e vështirësuar punën”, thotë profesori Crepp.

Komisioni mendon se zgjidhja do të ishte një mision i NASA-s që do të mbledhë të dhëna mbi atmosferën e Tokës nëpërmjet paisjeve më të fuqishme. Për këtë duhet të ndërtohen dy teleskopë të mëdhenj që do të prodhojnë imazhe dhjetë herë më të qarta se të teleskopit Hubble. Zoti Crepp dhe kolegët e tij po punojnë në laborator për disa paisje të tjera të reja.

Sisteme të reja të sofistikuara do t’i ndihmojnë shkencëtarët, ndërsa shpresohet të plotësohet financimi për Teleskopin e Vëzhgimit të Rrezeve Infra të Kuqe me Fushë të Gjerë. Kur të dërgohet në hapësirë, ai jo vetëm do të kërkojë për planetet që ndodhen qindra vite drite larg, por edhe do të përpilojë informacion rreth materialeve të tyre përbërëse dhe nëse ato mund të mbështesin zhvillimin e jetës.

Profesori Crepp thotë se kështu mund t’i përgjigjen pyetjes së kahershme…

“A jemi vetëm? Kjo është një pyetje që ndikon jo vetëm shkencën, por edhe teologjinë, filozofinë dhe fusha të tjera. Është një kuriozitet. Është pjesë e të qenit njeri. A është bota jonë e veçantë? A është e izoluar? A ka planete të tjera që përmbajnë jetë? A mund të komunikojmë me ta?”, thotë ai.

Një tjetër rekomandim është ndërtimi i sistemeve moderne teknologjike dhe financimi i një rrjeti shkencëtarësh nga mbarë bota që do të bashkëpunonin për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Raporti do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan dhe do të bëhet pjesë e planit federal për të gjurmuar planete të reja dhe jetën jashtëtokësore gjatë dekadës së ardhshme.

Interneti dhe planifikimi urban

planifikimi urbanNdërhyrja masive në Facebook dhe ekspozimi i të dhënave të rreth 50 milionë përdoruesve javën e kaluar ka theksuar një nga problemet e vendosjen e të dhënave në botën e internetit. Planifikuesit e qyteteve ndajnë të njëjtat shqetësime, por ata po shikojnë gjithashtu, se si publikimi i të dhënave mund të jetë një nxitje e madhe për të ndihmuar zhvillimin e qyteteve të tyre.

Ky është kompleksi Canary Wharf në Londër. Në regjistrimet e kamerave televizive të vëzhgimit dhe të telefonave celularë ka një thesar informacionesh që planifikuesit e qytetit duan t’i shfrytëzojnë.

Fabio Duarte nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets i kupton arsyet, por ai gjithashtu pranon shqetësimet për privatësinë:

“Kush po i mbledh të dhënat dhe për çfarë arsye po përdoren ato? Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër, në universitetin tonë ne mund të analizojmë këto të dhëna, për të parë se çfarë përfitimesh mund t’i sjellin ato qytetit?”

Por Duarte mendon se po hyjmë në një epokë kur të dhënat masive nuk vijnë vetëm nga njerëzit. Planifikuesit e qytetit mund të marrin të gjitha llojet e informacionit unik nga Google, për shembull dhe Treepedia, një sistem i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets që monitoron zonat e gjelbëra.

“Në Treepedia, ne grumbullojmë të dhëna të rrugët që ofrohen nga Google. Pra, makinat e kompanisë Google mbledhin imazhe nga më shumë se 400 qytete në mbarë botën dhe ne i hodhëm një vështrim këtyre të dhënave për të parë se çfarë mund të bëjmë me to?”

Të gjitha këto janë të dhëna anonime, siç i quan Fabio Duarte, por ato mund të jenë jashtëzakonisht të vlefshme.

“Tani ne mund të krahasojmë dhjetra qytete në mbarë botën dhe të shohim, bazuar në teknikat vizuale kompjuterike, se çfarë fshihet prapa imazheve të marra nga kompania Google. Për shembull, çfarë lloje pemësh ekzistojnë në zona të ndryshme. Pastaj, ne mund të bëjmë jo vetëm krahasimin e qyteteve por edhe informimin e planifikuesve urbanë mbi zonat e qyteteve që kanë nevojë për më shumë gjelbërim”.

Dhe, ndërsa bota jonë bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, Duarte pret një shtim të sasisë së të dhënave që vijnë nga burime “anonime”, që do të lehtësonte shqetësimet mbi privatësinë.

“Shumë shpejt ne nuk do të monitorojmë komunikimin mes njerëzve, por komunikimin mes objekteve. Kjo është ajo që ne e quajmë Interneti i Sendeve. Pra, do të ketë një komunikim mes dritave të rrugëve, semaforëve dhe trotuareve. Këto të dhëna do të jenë anonime dhe do t’i përmirësojnë qytetet tona”.

Informacioni mund të ndihmojë në zbutjen e problemeve si “trafikun i njerëzve” në stacionet e trenave, dhe të sjellë një epokë të artë të planifikimit të qyteteve. (voa)